الإسلام - نبذة موجزة عن الإسلام (مشتملة على الأدلة)
ISLAMI Përmbledhje e shkurtër mbi Islamin sipas mësimeve të Kuranit Famëlartë dhe të traditës profetike Ky është një libër i rëndësishëm, që paraqet një prezantim të shkurtër mbi Islamin. Ai trajton bazat, parimet dhe bukuritë më kryesore të Islamit, duke u bazuar në burimet e tij autentike, që janë Kurani fisnik dhe Suneti profetik. Libri në fjalë është udhërrëfyes për të gjithë të rriturit që janë të ngarkuar me detyrat fetare, qofshin muslimanë apo jomuslimanë. Ai ofrohet në gjuhën e tyre dhe është i përshtatshëm për çdo kohë e vend, pavarësisht rrethanave dhe situatave. (Ky botim përmban…
These files are generated automatically from the book's text; their layout may differ from the printed edition.
ISLAMI
Përmbledhje e shkurtër mbi Islamin sipas mësimeve të Kuranit Famëlartë dhe të traditës profetike
Ky është një libër i rëndësishëm, që paraqet një prezantim të shkurtër mbi Islamin. Ai trajton bazat, parimet dhe bukuritë më kryesore të Islamit, duke u bazuar në burimet e tij autentike, që janë Kurani fisnik dhe Suneti profetik. Libri në fjalë është udhërrëfyes për të gjithë të rriturit që janë të ngarkuar me detyrat fetare, qofshin muslimanë apo jomuslimanë. Ai ofrohet në gjuhën e tyre dhe është i përshtatshëm për çdo kohë e vend, pavarësisht rrethanave dhe situatave.
(Ky botim përmban argumentet prej Kuranit fisnik dhe Sunetit profetik)
1. Islami është mesazhi i Allahut drejtuar gjithë njerëzve. Ai është mesazh i përjetshëm hyjnor dhe përmbyllës i të gjitha shpalljeve hyjnore:
Islami është mesazhi i Allahut drejtuar gjithë njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si përgëzues dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk dinë!" (Sebe, 28) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed): 'O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju'" (El Araf, 158) Si dhe: "O njerëz! I Dërguari ju ka sjellë të vërtetën nga Zoti juaj, prandaj besoni, se për ju është më mirë! E në qoftë se nuk besoni, ta dini se Allahut i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë." (En Nisa, 170)
Islami është mesazh i përjetshëm hyjnor, njëherazi është përmbyllës i shpalljeve hyjnore. Allahu i Lartësuar thotë: "Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë." (El Ahzab, 40)
2. Islami nuk është fe e veçantë për një racë a popull të caktuar, por është feja e Allahut për të gjithë njerëzit:
Islami nuk është fe e veçantë për një racë a popull të caktuar, por është feja e Allahut për të gjithë njerëzit. Urdhri i parë (sipas renditjes së sureve) në Kuranin e madhërishëm është fjala e Allahut të Lartësuar: "O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)!" (El Bekare, 21) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, ndërsa prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra!" (En Nisa, 1) Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) u mbajti një fjalim njerëzve në Ditën e Çlirimit të Mekës, e në atë rast tha: “O njerëz, Allahu jua ka larguar mburrjen e periudhës paraislame dhe lavdërimin me etërit tuaj të asaj kohe. Njerëzit ndahen në dy lloje: i mirë, i devotshëm e bujar dhe i shthurur, fatzi e i përbuzur para Allahut. Të gjithë njerëzit janë bij të Ademit, e Allahu e ka krijuar Ademin prej dheut. Allahu thotë: 'O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli e një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për të njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Të asgjë nuk është e fshehtë.'" (El Huxhurat, 13) (E shënon Tirmidhiu, numër 3270) Në urdhrat e Kuranit të madhërishëm e në urdhrat e të Dërguarit fisnik (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) nuk do të gjesh ndonjë ligj që të jetë veçmas për një popull a grup duke marrë në konsideratë racën, kombësinë a llojin e tyre.
3. Islami është mesazhi hyjnor që ka ardhur për të plotësuar mesazhet e profetëve dhe të dërguarve të mëhershëm (paqja qoftë mbi ta!) që sollën për popujt e tyre.
Islami është mesazhi hyjnor që erdhi si plotësim i mesazheve të profetëve dhe të dërguarve të mëparshëm (paqja dhe bekimet qofshin mbi ta!) që sollën për popujt e tyre. Allahu i Madhëruar ka thënë: "Ne të sollëm shpalljen ty (o Muhamed), ashtu siç i sollëm shpalljen Nuhut dhe profetëve pas tij; siç i sollëm shpalljen edhe Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe bijve të tij, Isait, Ejubit, Junusit, Harunit, Sulejmanit dhe Davudit, të cilit i dhamë Zeburin." (En Nisa, 163) Këtë fe që Allahu ia shpalli të dërguarit Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) është po ajo fe që Allahu e ligjëroi për të dërguarit e mëhershëm dhe i porositi për të. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai ka ligjëruar për ju atë fe, për të cilën pati porositur Nuhun dhe atë që të shpalli ty, dhe atë për të cilën pati porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke thënë: 'Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!' Por për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim." (Esh Shura, 13) Kjo që Allahu ia shpalli të dërguarit Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) është vërtetues i librave të mëparshëm hyjnorë, para se të shtrembëroheshin, si: Teurati e Ungjilli. Allahu i Lartësuar thotë: "Ajo që ta kemi shpallur ty në Libër, është e vërteta e cila vërteton atë që është shpallur para tij. Sigurisht që Allahu i njeh dhe i sheh mirë robërit e Vet." (Fatir, 31)
4.Pejgamberët (paqja qoftë mbi ta!) kishin fe të përbashkët dhe ligje të ndryshme:
Feja e pejgamberëve ishte e përbashkët, ndërsa ligjet i kishin të ndryshme. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si vërtetues të librave të mëparshëm dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi sjellë një legjislacion dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj garoni për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni tek Allahu e Ai do t’ju njoftojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti." (El Maide, 48) Ndërkaq, i Dërguari (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: “Unë jam më parësori nga të gjithë njerëzit për Isain, të birin e Merjemes, në këtë botë dhe në tjetrën. Pejgamberët janë si bij të një babai të përbashkët, por të nënave të ndryshme: rregullat sheriatike i kanë të ndryshme, porse fenë të njëjtë.” (E shënon Buhariu, numër 3443)
5. Islami fton në besimin se Zoti i vërtetë është Allahu, Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Ai jep jetë dhe vdekje, Ai është Sundimtari absolut, Ai kujdeset për mbarëvajtjen e çështjeve dhe Ai është i Buti e i Mëshirshmi. Kjo ishte dhe thirrja e të gjithë pejgamberëve të mëparshëm si, Nuhu, Ibrahimi, Musai, Sulejmani, Davudi dhe Isai (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!).
Islami fton në besimin se Zoti i vërtetë është Allahu, Ai është Krijuesi, Furnizuesi, Ai jep jetë dhe vdekje, Ai është Sundimtari absolut, Ai kujdeset për mbarëvajtjen e çështjeve dhe Ai është i Buti e i Mëshirshmi. Kjo ishte dhe thirrja e të gjithë pejgamberëve të mëparshëm si, Nuhu, Ibrahimi, Musai, Sulejmani, Davudi dhe Isai (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, pse vallë po zbrapseni?!" (Fatir, 3) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parët? Kush mund të nxjerrë të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli? Kush kujdeset për mbarëvajtjen e gjërave?' Ata do të thonë 'Allahu'. E ti (o Muhamed) thuaj: 'Atëherë, përse nuk i druheni Atij!?'" (Junus, 31) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "A ka më të mirë se Ai, që zë fill krijimin dhe pastaj e ripërsërit atë, që ju furnizon me mjetet e jetesës nga qielli dhe toka?! Vallë, a ka krahas Allahut zot tjetër? Thuaj (o Muhamed): 'Sillni provat tuaja, nëse ajo që thoni është e vërtetë!'" (En Neml, 64)
Të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) u dërguan që të bëjnë thirrje të adhurohet vetëm Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: "Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): 'Adhuroni Allahun dhe largohuni nga idhujt!' Disa prej tyre Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje. Andaj, udhëtoni nëpër botë të shihni se si ishte fundi i përgënjeshtruesve!" (En Nahl, 36) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ne nuk kemi çuar asnjë të dërguar para teje, e që të mos i kemi shpallur se: 'S’ka zot tjetër përveç Meje, andaj më adhuroni (vetëm) Mua!'" (El Enbija, 25) Allahu ka treguar për Nuhun (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: "O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! Unë kam frikë se do të bjerë mbi ju dënimi i një Dite të madhe!" (El Araf, 59) Miku i ngushtë i Allahut, Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!), siç tregon Allahu për të, ka thënë: "Kujtoje Ibrahimin, kur i tha popullit të vet: 'Adhuroni Allahun dhe frikësojuni Atij! Kjo është më e mirë për ju, nëse e dini!'." (El Ankebut, 16) Salihu (paqja qoftë mbi të!), siç tregon Allahu për të, ka thënë: “Ai tha: 'O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij. Ju ka ardhur një provë e qartë nga Zoti juaj. Kjo është deveja e Allahut, një shenjë për ju. Lëreni të hajë në tokën e Allahut dhe mos i bëni keq, se përndryshe do t’ju kapë një dënim i dhembshëm.'" (El Araf, 73) Shuajbi (paqja qoftë mbi të!), siç tregon Allahu për të, ka thënë: "O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! Ju ka ardhur një provë e qartë nga Zoti juaj. Plotësoni masën dhe peshën dhe mos i dëmtoni njerëzit në gjërat e tyre dhe mos bëni shkatërrime në tokë pasi të jetë rregulluar. Kjo është më mirë për ju nëse jeni besimtarë!" (El Araf, 85)
Gjëja e parë me të cilën Allahu i foli Musait (paqja qoftë mbi të!) ishte: "Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!" (Taha, 13-14) Allahu tregon se Musai (paqja qoftë mbi të!) kërkoi mbrojtje nga Allahu, kur tha: "Unë i lutem Zotit Tim dhe Zotit tuaj për të më mbrojtur prej çdo mendjemadhi, që nuk beson në Ditën e Llogarisë." (Gafir, 27) Allahu tregon se Mesihu (Isai, paqja qoftë mbi të!) tha: "Me të vërtetë, Allahu është Zoti im dhe Zoti juaj, andaj adhurojeni Atë. Kjo është rruga e drejtë!” (Ali Imran, 51) Po ashtu Allahu tregon për Mesihun (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: “O bijtë e Israilit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.” (El Maide, 72)
Madje edhe në Teurat e në Ungjill është theksuar se adhurimi duhet t’i kushtohet Allahut, të Vetmit. Në Ligjin e Përtërirë theksohet fjala e Musait (Moisiut) (paqja qoftë mbi të!): "Dëgjo, Izrael, Zoti ynë, i Adhuruari ynë është një zot i vetëm!" Në Ungjillin e Markut theksohet njëshmëria e Zotit, ku Mesihu (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Porosia e parë është: 'Dëgjo, o Izrael, Zoti dhe i Adhuruari ynë është një zot i vetëm!"
Allahu i Lartmadhëruar e ka theksuar se të gjithë pejgamberët u dërguan me misionin madhështor të predikimit të monoteizmit. Allahu i Lartësuar thotë: "Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): 'Adhuroni Allahun dhe largohuni nga idhujt!' Disa prej tyre Allahu i shpuri në rrugë të drejtë e disa e merituan të mbeten në humbje." (En Nahl, 36) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Thuaju: 'A i shihni ata që i adhuroni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?! Më sillni një libër të shpallur para këtij (Kuranit) ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore), nëse flisni të vërtetën!'" (El Ahkaf, 4) Shejh Abdurrahman es Sa'di (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Nga të gjitha këto kuptohet se, argumentimi i idhujtarëve për të mbrojtur idhujtarinë e tyre është i pabazuar në ndonjë fakt a argument. Bazat ku ata mbështeten janë thjesht hamendësime të rreme, mendime të dobëta dhe logjikë e prishur. Për kotësinë e pretendimeve të tyre dëshmon gjendja e tyre, dija dhe veprat e tyre, si dhe gjendja e idhujve të cilëve ua kushtuan jetët e tyre me adhurime. Vallë, a u sollën ndonjë dobi në këtë botë ose në botën tjetër?!” (Tejsirul Kerimil Men-nan, f. 779)
6. Allahu i Lartësuar është Krijuesi, Ai është i Vetmi i denjë për t’u adhuruar dhe askush nuk bën të adhurohet bashkërisht me Të.
Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe askush nuk bën të adhurohet bashkërisht me Të. Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat); i Cili e ka bërë për ju tokën shtrojë dhe qiellin ndërtesë; i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun!" (El Bekare, 21-22) Ai i Cili na krijoi dhe i krijoi gjeneratat para nesh, që e bëri tokën shtrojë dhe zbriti për ne ujë prej së larti dhe bëri që nëpërmjet tij të rriten frutat si ushqim për ne, Ai është vërtet i Vetmi që meriton të adhurohet. Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Kujtoni dhuntinë e Allahut për ju! A ka ndonjë krijues, veç Allahut, i cili ju furnizon nga qielli dhe Toka? S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij. Atëherë, pse vallë po zbrapseni!? (Fatir, 3) Ai që krijon dhe furnizon (të tjerët) është i Vetmi që meriton të adhurohet. Allahu i Lartësuar thotë: "Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesit të çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje!" (El Enam, 102)
Çdokush që adhurohet krahas Allahut, nuk e meriton adhurimin. Kjo, se ai nuk ka pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej, qoftë në Tokë e as është ortak me Allahun në ndonjë gjë, e as është ndihmës apo përkrahës i Tij. E si vallë t'i kushtohet lutja atij bashkë me Allahun ose të bëhet ortak me Të?! Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju (o Muhamed): 'Thirrini ata që pretendoni se janë zota krahas Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej apo në Tokë; për ata nuk ka pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre!'" (Sebe, 22)
Allahu i Lartmadhërishëm është Ai që i krijoi këto krijesa dhe i solli në ekzistencë prej hiçit, rrjedhimisht ekzistenca e tyre tregon për ekzistencën e Allahut, dhe se Ai është Zoti dhe se Ai duhet adhuruar. Allahu i Lartësuar thotë: "Një prej shenjave të Tij është që Ai ju krijoi prej dheut, dhe ja tashmë ju jeni njerëz të shpërndarë në të gjitha anët e Tokës. Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë. Dhe një shenjave të Tij është krijimi i qiejve e i Tokës dhe shumëllojshmëria e gjuhëve dhe e ngjyrave (racave) tuaja. Pa dyshim, në këtë ka shenja për ata që janë të ditur. Dhe një prej shenjave të Tij është gjumi juaj natën e ditën dhe kërkimi juaj ndaj dhuntive të Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë. Gjithashtu, prej shenjave të Tij është shfaqja e vetëtimës, e cila ngjall frikë e shpresë dhe lëshimi i shiut prej qiellit, që nëpërmjet tij të gjallërohet toka pas vdekjes së saj. Sigurisht, në këtë ka shenja për njerëzit që mendojnë. Dhe një prej shenjave të Tij është që qiejt dhe Toka qëndrojnë sipas urdhrit të Tij, pastaj kur t’ju thërrasë Ai, me një të thirrur, ju përnjëherë do të dilni nga toka (të ringjallur). Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Gjithçka Atij i përulet. Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë." (Er Rum, 20-27)
Nemrudi e mohoi ekzistencën e Zotit të tij, e Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!), ashtu siç na ka rrëfyer Allahu, i tha: "Ibrahimi pastaj i tha: 'Allahu e sjell Diellin nga lindja. Sille ti nga perëndimi'! Atëherë, ai i cili mohoi mbeti me gojën hapur. Allahu nuk i udhëzon ata që janë keqbërës." (El Bekare, 258) Gjithashtu Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!) u argumentua kundër popullit të tij, me faktin se Allahu e udhëzoi, e ushqeu, i dha për të pirë, e, kur sëmurej, Ai ishte që e shëronte dhe Ai e bën të vdesë dhe e ringjall, siç ka rrëfyer Allahu i Madhëruar: "Ai i Cili më ka krijuar dhe më udhëzon (në rrugë të drejtë); i Cili më ushqen dhe më jep të pi; i Cili, kur sëmurem, më shëron; i Cili do të bëjë që të vdes e pastaj do të më ringjallë." (Esh Shuara, 78-81) Allahu ka rrëfyer se Musai (paqja qoftë mbi të!) debatoi me Faraonin duke i thënë se Zoti i tij është: "Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar." (Taha, 50)
Allahu ia ka bërë të mundur njeriut të shfrytëzojë gjithçka që gjendet në qiej e në Tokë dhe e ka rrethuar atë me dhuntitë e Tij, që ta adhurojë Allahun e të mos e mohojë. Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk shihni se si Allahu jua ka bërë të mundur t’i shfrytëzoni të gjitha ato që gjenden në qiej dhe në Tokë dhe i ka plotësuar mbi ju dhuntitë e Tij të dukshme e të padukshme? E megjithatë, disa njerëz polemizojnë për Allahun pa kurrfarë dijenie, pa kurrfarë udhërrifimi dhe pa libër ndriçues." (Lukman, 20) Sikundër që Allahu ia ka bërë të mundur njeriut të shfrytëzojë gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, e krijoi atë dhe e përgatiti me çdo gjë që ai ka nevojë, me shqisën e dëgjimit, shikimit dhe me zemër, që të nxërë dije që i sjell dobi dhe e drejton nga Zotëruesi e Krijuesi i tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu ju ka nxjerrë nga barku i nënave tuaja e ju nuk dinit asgjë dhe ju dha të dëgjuarit, të parët dhe zemrat, që të jeni falënderues." (En Nahl, 78)
Allahu e ka krijuar gjithë këtë gjithësi dhe e ka krijuar njeriun. Ai e ka përgatitur njeriun me gjithçka që ka nevojë: gjymtyrë, fuqi, si dhe e ndihmoi me çdo gjë që i nevojitet për ta adhuruar Allahun dhe për të jetuar në këtë Tokë dhe ia ka bërë të mundur të shfrytëzojë gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë.
Allahu me krijimin që ua bëri këtyre krijesave madhështore u argumentua se Ai është Zoti, të Cilit domosdoshmërisht duhet t’i kushtohet adhurimi. Allahu i Lartmadhëruar thotë: "Thuaj: 'Kush ju ushqen nga qielli dhe Toka? Kush mundëson të dëgjuarit dhe të parët? Kush mund të nxjerrë të gjallin nga i vdekuri dhe të vdekurin nga i gjalli? Kush i planifikon gjërat?' Ata do të thonë 'Allahu'. E ti (o Muhamed) thuaj: 'Atëherë, përse nuk e keni frikë Atë!?'" (Junus, 31) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju: 'A i shihni ata që i adhuroni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?! Më sillni një libër të shpallur para këtij (Kuranit) ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore), nëse flisni të vërtetën!'" (El Ahkaf, 4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai i ka krijuar qiejt pa shtylla të dukshme, ka vënë male të palëvizshme në Tokë, që ju të mos lëkundeni dhe ka shpërndarë në të gjithfarë gjallesash. Ne e zbresim ujin nga qielli dhe, nëpërmjet tij, kemi bërë të mbijë çdo lloj bime e mirë. Ky është krijimi i Allahut, pra më tregoni çfarë kanë krijuar ata që janë përveç Tij. Por, keqbërësit janë në humbje të qartë!" (Lukman, 10-11) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: "A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur. A mos zotërojnë thesaret e Zotit tënd?! Apo mos janë ata sunduesit (e gjithçkaje)?!" (Et Tur, 35-37) Shejh Abdurrahman es Sa'di (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Ky është një arsyetim, para të cilit atyre nuk u mbetet veçse t’i nënshtrohen së vërtetës dhe ta pranojnë atë, ose, në të kundërtën, do t’u duhet të kundërshtojnë logjikën (e shëndoshë) dhe fenë (e drejtë).” (Tejsirul Kerimil Mennan, f. 816)
7. Allahu është Krijuesi i çdo gjëje që ekziston në këtë gjithësi, përfshirë gjërat që i shohim dhe që nuk i shohim. Çdo gjë, përveç Allahut, është krijesë e Tij dhe Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë.
Allahu është Krijuesi i çdo gjëje që ekziston në këtë univers, përfshirë gjërat që i shohim dhe që nuk i shohim. Çdo gjë, përveç Allahut, është krijesë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'Kush është Zoti i qiejve dhe i Tokës?' Thuaj: 'Allahu!' Thuaj: 'A mos vallë, ju zgjidhni për mbrojtës në vend të Tij, ata që nuk mund t’i sjellin vetes as dobi, as dëm?' Thuaj: 'A janë të njëjtë i verbri dhe ai që sheh? Ose a janë njësoj terri dhe drita? Apo ata (idhujtarët) i veshin Allahut ortakë, të cilët krijojnë siç krijon Ai, kështu që krijimi u duket i njëjtë atyre (idhujtarëve)?!' Thuaj: 'Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është i Vetmi dhe Ngadhënjimtari'." (Er Rad, 16) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai krijon edhe gjëra që ju nuk i dini." (En Nahl, 8)
Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai i krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, pastaj u ngrit mbi Fron. Ai e di se çfarë hyn në Tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret prej Qiellit dhe çfarë ngjitet drejt tij. Ai është me ju kudo që të jeni; Ai sheh gjithçka që bëni." (El Hadid, 4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ne i kemi krijuar qiejt, Tokën dhe çdo gjë që gjendet midis tyre për gjashtë ditë, pa ndierë asnjë lodhje." (Kaf, 38)
8- Allahu i Lartmadhëruar nuk ka rival e as ortak në pushtetin, krijimin, planifikimin e çështjeve e as në adhurimin e Tij.
Allahu i Lartmadhëruar është Zotëruesi i gjithë pushtetit; Ai nuk ka rival e as ortak në pushtetin, krijimin dhe planifikimin e çështjeve. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju: 'A i shihni ata që i adhuroni në vend të Allahut? Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?! Më sillni një libër të shpallur para këtij (Kuranit) ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore), nëse flisni të vërtetën'"! (El Ahkaf, 4) Shejh Abdurrahman es Sa'di (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: "Domethënë, thuaju atyre që, në vend të Allahut, adhurojnë idhuj, të cilët nuk sjellin as dëm e as dobi, as nuk japin jetë e as nuk marrin jetë, që nuk mund të ringjallin për të marrë në llogari. Thuaju atyre, duke ua shpjeguar pafuqinë dhe paaftësinë e këtyre idhujve, si dhe faktin se ata nuk meritojnë aspak të adhurohen. – 'Më tregoni, çfarë pjese të Tokës kanë krijuar ata?! Mos vallë kanë ndonjë pjesë në krijimin e qiejve?!' – A kanë krijuar idhujt tuaj ndonjë gjë nga trupat e qiejve dhe të Tokës? Vallë, ata i kanë krijuar malet e i kanë bërë lumenjtë të rrjedhin?! Ata i kanë krijuar kafshët dhe i kanë shpërndarë në Tokë?! Apo mos kanë ndihmuar ndopak në krijimin e diçkaje tjetër?! Asgjë nga këto nuk ka ndodhur. Vetë ata e pranojnë këtë gjë, e lëre më të tjerët. Ky është një argument logjik i pakundërshtueshëm, se adhurimi që i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut është i kotë.'"
Më pas Allahu përmendi se argumenti tekstual mungon dhe tha: - “Më sillni një libër të shpallur para këtij (Kuranit)...” Libër që fton në idhujtari. “...ose ndonjë gjurmë tjetër të dijes (hyjnore)...” – Sillni ndonjë argument tekstual të transmetuar nga profetët, që urdhëron diçka të tillë! Sigurisht, idhujtarët nuk kanë asnjë mundësi që të sjellin argumente nga ndonjë profet, për idhujtarinë që praktikojnë. Përkundrazi, jemi të vendosur dhe të bindur se të gjithë profetët kanë ftuar në njësimin e Allahut në adhurim (teuhid) dhe kanë ndaluar idhujtarinë. Madje, këto ishin porositë më të mëdha dhe më të rëndësishme që ata ua sollën popujve të tyre. (Tejsirul Kerimil Men-nan, f. 779)
Allahu i Lartmadhëruar është Zotëruesi i gjithë pushtetit dhe nuk ka ortak në pushtetin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed): 'O Allah, Zotëruesi i tërë pushtetit! Ti ia jep pushtetin kujt të duash dhe ia heq kujt të duash; Ti lartëson kë të duash dhe poshtëron kë të duash. Çdo e mirë është në Dorën Tënde! Ti je vërtet i Plotfuqishëm për çdo gjë.'" (Ali Imran, 26) Gjithashtu Allahu i Lartësuar, duke sqaruar se Atij i përket pushteti absolut në Ditën e Gjykimit, thotë: "Ditën, kur ata do të paraqiten të ekspozuar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit dhe Ngadhënjimtarit!" (Gafir, 16)
Allahu i Lartmadhëruar nuk ka rival e as ortak në pushtetin, krijimin, planifikimin e çështjeve e as në adhurimin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'Çdo lavd e falënderim i përket Allahut, i Cili nuk ka bir, nuk ka ortak në pushtet dhe nuk është i pafuqishëm, që të ketë nevojë për ndihmës', dhe madhëroje Atë, duke e glorifikuar!” (El Isra, 111) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka përcaktuar si duhet!" (El Furkan, 2) Allahu është Pronari, e të tjerët përveç Tij janë pronë e Tij, qoftë i Lartësuar Ai! Allahu është Krijuesi, ndërsa të tjerët përveç Tij janë krijesa. Allahu është Ai që i planifikon çështjet. E pra, Ai që ka këtë pozitë është detyrë të adhurohet, ndërsa kushtimi i adhurimit dikujt tjetër përveç Tij është mendjecektësi dhe idhujtari (shirk), që e shkatërron këtë botë dhe botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata thonë: 'Bëhuni hebrenj ose të krishterë, që të jeni në rrugë të drejtë!' Thuaju: 'Në asnjë mënyrë. Ne jemi të fesë së pastër të Ibrahimit, i cili nuk ka qenë idhujtar'." (El Bekare, 135) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush është fetar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë vepërmirë dhe ndjekës i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e zgjodhi për mik të ngushtë?!" (En Nisa, 125) Allahu i Lartmadhërishëm e sqaroi se ai që pason fe tjetër veç asaj të Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!), veçse e ka nënçmuar veten. Allahu i Lartësuar thotë: “Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që e nënçmon vetveten. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, kurse në botën tjetër ai do të jetë ndër të mirët.” (El Bekare, 130)
9- Allahu i Lartësuar as lind, as është i lindur dhe askush nuk është i barabartë a i krahasueshëm me Të.
Allahu i Lartësuar as lind, as është i lindur dhe askush nuk është i barabartë a i krahasueshëm me Të. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti, të Cilit i përgjërohet gjithçka në amshim. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!'." (El Ihlas, 1-4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!" (Merjem, 65) Allahu i Lartësuar thotë: "Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, Ai bëri për ju bashkëshorte nga vetja juaj për t’ju shumuar, si dhe bagëti në çifte. Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha." (Shura, 11)
10. Allahu i Lartmadhëruar nuk mishërohet në asgjë e as trupëzohet në ndonjë prej krijesave të Tij.
Allahu i Lartmadhëruar nuk mishërohet në asgjë e as trupëzohet në ndonjë prej krijesave të Tij, as unifikohet me diçka; sepse Allahu është Krijuesi, ndërsa të tjerët përveç Tij janë krijesa, Ai është i Përhershëm, ndërsa të tjerët përveç Tij janë të përkohshëm. Çdo gjë është pronë e Tij dhe Ai është Pronari i saj. Allahu nuk mishërohet në asnjërën prej krijesave të Tij dhe asgjë nga krijesat e Tij nuk mishërohet në Qenien e Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar është më i Madh dhe më Madhështor se çdo gjë. Allahu i Lartësuar, duke e mohuar pretendimin e atyre që pretenduan se Ai është mishëruar në Mesihun (Isain - Jezusin), tha: "Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: 'Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!' Thuaj: 'Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron ta zhdukë Mesihun, të birin e Merjemes dhe nënën e tij, si dhe gjithçka që gjendet në Tokë?' Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre. Ai krijon çfarë të dojë dhe është i Plotfuqishëm për çdo gjë." (El Maide, 17) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Të Allahut janë Lindja dhe Perëndimi, pra, ngado që të ktheheni andej është Fytyra e Allahut. Vërtet, Allahu është Gjithëpërfshirës dhe i Gjithëdijshëm." "Ata thanë: 'Allahu ka bërë një fëmijë!'. I Lavdishëm dhe i Lartësuar qoftë Ai! Përkundrazi, Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej e në Tokë dhe Atij i nënshtrohet gjithçka. Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës, pa shembull të mëparshëm dhe, kur vendos për diçka, vetëm thotë për të: 'Bëhu!'- dhe ajo bëhet." (El Bekare, 115-117) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata thanë: 'I Gjithëmëshirshmi ka një bir!' Keni thënë diçka vërtet të tmerrshme! Qiejt gati sa nuk copëtohen prej kësaj; Toka gati sa s’çahet e malet sa s’rrëzohen të thërrmuar. Ngaqë ata i veshin një bir të Gjithëmëshirshmit. Kurrë nuk i shkon të Gjithëmëshirshmit të ketë një bir. S’ka krijesë që gjendet në qiej dhe në Tokë e që të mos vijë si rob para të Gjithëmëshirshmit. Sigurisht që Ai e njeh mirë gjithsecilin prej tyre dhe i ka numëruar të gjithë saktësisht. Çdonjëri prej tyre, në Ditën e Kiametit, do të dalë fill i vetëm para Tij." (Merjem, 88-95) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu! Nuk ka zot tjetër (që meriton adhurimin) përveç Tij, të Gjallit, Mbajtësit të gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë. Kush mund të ndërhyjë tek Ai për ndokënd pa lejen e Tij? Ai di çdo gjë që ka ndodhur përpara dhe çdo gjë që do të ndodhë pas tyre, kurse ata nuk mund të përvetësojnë asgjë nga Dituria e Tij, përveçse aq sa Ai dëshiron. Kursi-u i Tij shtrihet mbi qiejt dhe Tokën dhe Ai nuk e ka të rëndë t’i ruajë ato. Ai është i Larti, Madhështori!" (El Bekare, 255) Ai që është në këtë pozitë, si vallë të mishërohet në ndonjërën prej krijesave të Tij dhe si ta marrë ndonjërën prej tyre për bir, apo ta bëjë ndonjërën prej tyre hyjni bashkë me Veten kur dihet se çfarë pozite kanë krijesat karshi Tij?!
11. Allahu i Lartmadhëruar është i Butë dhe i Mëshirshëm me robërit e Tij, prandaj i dërgoi pejgamberët dhe i zbriti librat.
Allahu i Lartmadhëruar është i Butë dhe i Mëshirshëm me robërit e Tij, e në saje të kësaj mëshire ua dërgoi pejgamberët dhe ua zbriti librat, për t’i nxjerrë ata nga errësirat e kufrit (mosbesimit) dhe shirkut (idhujtarisë) në dritën e teuhidit (njëshmërisë së Allahut) dhe hidajetit (udhëzimit). Allahu i Lartësuar thotë: "Është Ai që i ka zbritur robit të Vet fakte të qarta për t’ju nxjerrë nga errësira në dritë. Allahu është vërtet i Butë dhe i Mëshirshëm me ju." (El Hadid, 9)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët." (El Enbija, 107) Allahu e urdhëroi të Dërguarin e Tij që t’i lajmërojë robërit se Ai është Falës i madh dhe Mëshirëplotë. Allahu i Lartësuar thotë: "Lajmëroji robërit e Mi (o Muhamed) se, vërtet, Unë jam Falës i madh dhe Mëshirëplotë." (El Hixhr, 49) Prej butësisë dhe mëshirës së Allahut është se Ai largon të këqijat dhe zbret të mirat mbi robërit e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse Allahu vendos që të të godasë ndonjë e keqe, askush nuk mund të ta largojë atë, përveç Tij e, nëse Ai do të të bëjë ndonjë të mirë, s’ka kush që ta pengojë mirësinë e Tij. Ai ia jep atë mirësi kujt të dojë prej robërve të Tij. Ai është Falës dhe Mëshirëplotë." (Junus, 107)
12. Allahu është Zoti Mëshirëplotë. Ai është i Vetmi që do t’i marrë krijesat në llogari në Ditën e Gjykimit, ditën kur do t’i ringjallë të gjithë prej varreve, ku secilin person do ta shpërblejë për veprat që ka bërë, qoftë mirë, qoftë keq. Kësisoj, atij që bën vepra të mira, duke qenë besimtar, i takon lumturia e përhershme, ndërsa atij që bën kufër (mosbesim) dhe bën vepra të këqija, i takon dënimi i madh në botën tjetër.
Allahu është Zoti Mëshirëplotë. Ai është i Vetmi që do t’i marrë krijesat në llogari në Ditën e Gjykimit, ditën kur do t’i ringjallë të gjithë prej varreve, ku secilin person do ta shpërblejë për veprat që e ka bërë, qoftë mirë, qoftë keq. Kështu, atij që bën vepra të mira, duke qenë besimtar, i takon lumturia e përhershme, ndërsa ai që bën kufër (mosbesim) dhe bën vepra të këqija, i takon dënimi i madh në Ditën e Gjykimit. Prej drejtësisë së plotë të Allahut të Lartmadhëruar, urtësisë dhe mëshirës së Tij me krijesat është se këtë botë e bëri vend të punës e botën tjetër e bëri vend të shpërblimit, llogarisë e sevapit, që vepërmiri ta marrë shpërblimin e bamirësisë së tij dhe i keqi, zullumqari e tirani, ta marrë ndëshkimin e tiranisë dhe padrejtësisë së tij. Dhe ngaqë disa njerëz këtë çështje e konsideruan si të pamundshme, Allahu përmendi argumente të shumta, që tregojnë se ringjallja është e vërtetë dhe se në të nuk ka dyshim. Allahu i Lartësuar thotë: "Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur lëshojmë shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë!" (Fusilet, 39) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, atëherë dijeni se Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkës së gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do ju arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo lëviz dhe fryhet dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme." (El Haxh, 5) Allahu ka përmendur në këtë ajet tri argumente logjike që tregojnë për ringjalljen, e që janë:
1-Allahu e ka krijuar njeriun për herë të parë prej dheut, e Ai që e ka krijuar atë prej dheut është i Fuqishëm ta kthejë prapë në jetë kur të bëhet dhé.
2-Ai që e ka krijuar njeriun prej pikës së farës është i Fuqishëm ta rikthejë njeriun në jetë pas vdekjes.
3- Ai që e gjallëron tokën përmes shiut pas vdekjes së saj është i Fuqishëm t’i ringjallë njerëzit pas vdekjes së tyre. Ajeti njëkohësisht është argument për paimitueshmërinë e Kuranit (ixhaz): si i bashkoi ky ajet, edhe pse jo i gjatë, tri argumente madhështore logjike për një çështje kaq madhore!
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Atë Ditë, Ne do ta palosim qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë." (El Enbija, 104) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: 'Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?' Thuaj: 'Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë'." (Jasin, 78) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Cili është më i vështirë: krijimi i juaj apo i Qiellit, të cilin Ai e ndërtoi, ia ngriti lart kupën dhe e përsosi. Netët i bëri të errëta, kurse ditët të ndritshme. Pastaj Tokën e sheshoi dhe, nga ajo nxori ujin dhe kullotat, kurse malet i bëri të patundshme." (En Naziat, 27-32) Allahu i Lartësuar sqaroi se krijimi i njeriut nuk është më i vështirë sesa krijimi i Qiellit e Tokës dhe ç’ka ndërmjet tyre. Kësisoj, Ai që është i Fuqishëm t’i krijojë qiejt dhe Tokën nuk është i pafuqishëm ta rikthejë për herë të dytë njeriun.
13. Allahu i Lartmadhërishëm e krijoi Ademin prej dheut dhe bëri që pasardhësit e tij të shumohen pas tij. Andaj, njerëzit, në origjinën e tyre, janë të njëjtë: nuk ka epërsi një racë ndaj tjetrës e as një popull ndaj tjetrit, përveçse me devotshmëri.
Allahu i Lartmadhërishëm e krijoi Ademin prej dheut dhe bëri që pasardhësit e tij të shumohen pas tij. Andaj, njerëzit, në origjinën e tyre, janë të njëjtë: nuk ka epërsi një racë ndaj tjetrës e as një popull ndaj tjetrit, përveçse me devotshmëri. Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë." (El Huxhurat, 13) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu ju ka krijuar së pari prej dheut (Ademin), pastaj (pasardhësit e tij i ka krijuar) nga pika e farës dhe ju ka bërë çift. Dhe asnjë femër nuk mbetet shtatzënë e as nuk lind pa dijeninë e Tij. Jeta e askujt nuk zgjatet e as nuk shkurtohet pa qenë e shënuar në Libër. Me të vërtetë, kjo për Allahun është e lehtë!" (Fatir, 11) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Është Ai që ju ka krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës e pastaj prej droçkës së gjakut. Ai ju bën që të lindni si foshnje, pastaj të arrini moshën e pjekurisë e pastaj të bëheni pleq (ndonëse disa prej jush vdesin më herët), me qëllim që të plotësoni afatin që ju është caktuar të jetoni dhe që të arrini të kuptoni." (Gafir, 67) Allahu i Lartësuar ka theksuar se e ka krijuar Mesihun (Isain) me urdhrin "bëhu!", ashtu siç e krijoi Ademit prej dheut me këtë urdhër. Allahu i Lartësuar thotë: "Rasti i Isait për Allahun është si rasti i Ademit që e krijoi prej baltës e pastaj i tha: “Bëhu!” - dhe ai u bë." (Ali Imran, 59) Më sipër, në paragrafin e dytë, kam përmendur se i Dërguari Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka theksuar se njerëzit janë të njëjtë dhe se nuk ka epërsi askush ndaj tjetrit, përveçse me devotshmëri.
14. Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër.
Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër. Allahu i Lartësuar thotë: "Përkushtoju fesë duke qenë i dëlirë, përmbaju natyrshmërisë në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë!" (Er Rum, 30) El-Hanifijjetu (feja e pastër): është feja e Ibrahimit (alejhi selam), mikut të ngushtë të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: "Pastaj ty të shpallëm: 'Paso duke qenë i dëlirë fenë e Ibrahimit, i cili nuk ka qenë prej idhujtarëve!'" (En Nahl, 123) I Dërguari i Allahut (paqja qdhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: "Çdo fëmijë lind në natyrshmërinë e pastër, por prindërit e bëjnë hebre, të krishterë ose zjarrputist, sikurse kafsha që e lind të voglin e saj të pagjymtuar. I shihni ndonjë të metë?!" Pastaj Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) citoi: "Përmbaju natyrës fillestare, në të cilën Allahu i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë!" (Rum, 30) (E shënon Buhariu, numër 4775) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: "Vini re! Zoti im më urdhëroi t’jua mësoj atë që ju nuk e dini, të cilën mua ma ka mësuar sot: 'Çdo pasuri që i kam dhënë dikujt, është hallall për të. Të gjithë robërit e Mi i krijova besimpastër (monoteistë), mirëpo atyre u vajtën shejtanët e i larguan nga feja e tyre. Ua ndaluan atë që ua lejova dhe i urdhëruan të më shoqërojnë ortakë në adhurim, gjë për të cilën nuk kam zbritur kurrfarë prove." (E shënon Muslimi, numër 2865)
15. Asnjë njeri nuk lind mëkatar ose trashëgimtar i mëkatit të ndokujt tjetër:
Asnjë njeri nuk lind mëkatar ose trashëgimtar i mëkatit të ndokujt tjetër. Allahu i Lartësuar na ka lajmëruar se, kur Ademi (paqja qoftë mbi të!) e kundërshtoi urdhrin hyjnor dhe hëngri nga pema bashkë me gruan e tij, Havanë, u bë pishman, u pendua dhe e luti Allahun për falje. Kështu, Allahu e frymëzoi të thotë disa fjalë të mira. E, me t’i thënë ato, Allahu ua pranoi të dyve pendimin. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne thamë: 'O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë! Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin. 'Zbritni - u thamë Ne - do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të qëndroni, do të keni furnizim e do të jetoni deri në një kohë të caktuar'. Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti. Ne u thamë: 'Zbritni të gjithë prej Xhenetit! Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen'." (El Bekare, 35-38) Përderisa Allahu ia pranoi pendimin Ademit (alejhi selam) dhe ai nuk u konsiderua bartës i mëkatit, rrjedhimisht pasardhësit e tij nuk e trashëgojnë prej tij mëkatin që është shlyer me pendim. Pra, në parim, njeriu nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Allahu i Lartësuar thotë: "Kushdo që bën diçka, e ka për vete dhe askush nuk ngarkohet me barrën e tjetrit. Pastaj të gjithë do të ktheheni te Zoti juaj dhe Ai do t’ju tregojë për kundërshtitë që kishit mes jush." (El Enam, 164)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush devijon, devijon në dëm të vetes së vet dhe askush nuk e merr të keqen e tjetrit. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!" (El Isra, 15) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Asnjë shpirt i ngarkuar nuk do të mbartë barrën e tjetrit. Nëse i ngarkuari thërret dikë që t’ia mbartë barrën, nuk do t’i merret asgjë nga barra, edhe sikur të jetë njeri i afërt. Në të vërtetë, ti paralajmëron vetëm ata që i frikësohen Zotit të tyre në fshehtësi dhe që falin namazin. Kush e pastron veten (nga gjynahet), në të vërtetë e ka për të mirën e vet, ndërsa kthimi në fund është tek Allahu." (Fatir, 18)
16. Qëllimi i krijimit i të njerëzve është adhurimi i Allahut, të Vetmit:
Qëllimi i krijimit i të njerëzve është adhurimi i Allahut, të Vetmit. Allahu i Lartësuar thotë: "Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë!" (Edh Dharijat, 56)
17. Islami e ka nderuar njeriun, qoftë burrë, qoftë grua. Ia ka dhënë atij të drejtat e plota dhe e ka bërë përgjegjës për të gjitha përzgjedhjet, punët dhe veprimet e tij. Po ashtu e bën përgjegjës për çdo vepër që e dëmton atë ose i dëmton të tjerët.
Islami e ka nderuar njeriun, qoftë burrë, qoftë grua. Allahu e krijoi njeriun që të jetë mëkëmbës në Tokë. Allahu i Lartësuar thotë: "Kur Zoti yt u tha engjëjve: 'Unë do të krijoj një mëkëmbës në tokë'." (El Bekare, 30)
Ky nderim i përfshin të gjithë bijtë e Ademit. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur që të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë prej krijesave që kemi krijuar." (El Isra, 70) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Ne e krijuam njeriun në trajtën më të përkryer." (Et Tin, 4)
Allahu ia ndaloi njeriut që të jetë pasues i përulur i ndonjë të adhuruari, të pasuari ose ndonjërit që i binden njerëzit krahas Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: "E megjithatë, disa njerëz zgjedhin (për të adhuruar) në vend të Allahut (zota) të tjerë, (duke i konsideruar) si të barabartë me Atë dhe duke i dashur siç duhet Allahu. Por ata që besojnë, e duan shumë më tepër Allahun (se sa ç’i duan idhujtarët idhujt e tyre). Sikur keqbërësit të shihnin që tani çastin kur të përballen me ndëshkimin, do ta kuptonin se e tërë fuqia i përket Allahut dhe se dënimi i Tij është fort i ashpër. Kur ata që njerëzit i kanë ndjekur të heqin dorë nga ata ndjekësit dhe kur të shohin ndëshkimin lidhjet mes tyre do të këputen." (El Bekare, 165-166) Allahu i Lartësuar duke sqaruar gjendjen e ndjekësve (turmave) dhe të ndjekurve (prijësve/idhujve) në të kotën, në Ditën e Kiametit, thotë: "Ata që madhështoheshin, do t’u thonë atyre që i quanin për të dobët: 'Vallë, ne ju penguam nga udhëzimi i Allahut, kur ju erdhi juve?! Jo, por ju jeni keqbërës! Ndërsa të dobëtit do t’u thonë atyre që madhështoheshin: 'Nuk është kështu! Ju keni komplotuar natë e ditë, duke na urdhëruar, që ta mohonim Allahun dhe t’i vishnim Atij (zota të tjerë) të barabartë me Atë'. Dhe ata do ta fshehin pikëllimin, kur ta shohin dënimin. Ne do të vëmë vargonj në qafat e atyre që mohuan. A do të ndëshkohen ndryshe, veçse sipas asaj që kanë bërë?!'." (Sebe, 32-33)
Pjesë e drejtësisë së plotë të Allahut të Lartmadhërishëm në Ditën e Kiametit është se bën që thirrësit dhe prijësit e devijimit t’i mbajnë gjynahet e veta dhe të atyre që i devijuan padrejtësisht. Allahu i Lartësuar thotë: "... që t’i mbajnë gjynahet e veta të plota në Ditën e Kiametit, si dhe pjesën e gjynaheve të atyre që i çuan në humbje nga padijenia; sa e keqe është barra që do të bartin ata!" (En Nahl, 25)
Islami ia ka dhënë njeriut të drejtat e plota në këtë botë dhe në tjetrën. E drejta më e madhe që Islami i ka dhënë dhe që ua ka sqaruar njerëzve është: e drejta e Allahut kundrejt njerëzve dhe e drejta e njerëzve kundrejt Allahut. Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) rrëfen: "Teksa isha ulur mbrapa Pejgamberit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!), ai tha: 'O Muadh!' Unë i thashë: 'Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!' Dhe pasi e përsëriti këtë tri herë tha: 'Vallë, e di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?' I thashë: 'Jo.' Ai tha: 'E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë.' Pastaj eci për një kohë dhe tha: 'O Muadh!' I thashë: 'Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!' Ai tha: 'Vallë, e di cila është e drejta e njerëzve kundrejt Allahut, nëse ata e bëjnë këtë? Është të mos i dënojë ata!'" (E shënon Buhariu, numër 6840)
Islami i garanton njeriut fenë e tij të vërtetë, pasardhësit, pasurinë dhe nderin. Profeti (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: “(Dijeni mirë se) Allahu jua ka bërë të shenjta gjakun, pasurinë dhe nderin tuaj, sikurse shenjtëria e kësaj dite, në këtë muaj, në këtë vend.” (E shënon Buhariu, numër 6501) Pejgamberi (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) e deklaroi këtë besëlidhje madhështore në haxhin e lamtumirës, ku morën pjesë më shumë se njëqind mijë sahabë. Gjithashtu e përsëriti dhe e theksoi këtë mesazh në ditën e Bajramit në haxhin e lamtumirës.
Islami e ka bërë përgjegjës njeriun për të gjitha përzgjedhjet, punët dhe veprimet e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Çdo njeriu ia kemi varur në qafë llogarinë për punën e tij dhe Ne, do t’ia paraqesim Ditën e Kiametit librin, që do ta gjejë të hapur (e do t’i themi): Lexo librin tënd! Mjafton vetja jote sot si llogaritës kundër teje!" (El Isra, 13) Pra, çdo gjë që ka vepruar, qoftë e mirë, qoftë e keqe, Allahu do ta bëjë ta ndërlidhë me të, pa lejuar ti' kalojë dikujt tjetër; nuk merren në llogari për punët e tjetërkujt e as tjetërkush nuk merret në llogari për punën e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "O njeri, ti përpiqesh rrugës për te Zoti yt, dhe atë përpjekje do ta gjesh!" (El Inshikak, 6) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush bën mirë, e bën për dobi të vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij." (Fusilet, 46)
Islami e bën përgjegjës njeriun për përgjegjësinë e çdo vepre që e dëmton atë ose të tjerët. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush bën gjynah, ai ia ka bërë shpirtit të vet. Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë." (En Nisa, 111) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Prandaj Ne i urdhëruam bijtë e Israilit se kush vret ndokënd, që s’ka vrarë njeri ose që nuk ka bërë çrregullime në Tokë, është sikur të ketë vrarë të gjithë njerëzit. Dhe, nëse dikush shpëton një jetë, është sikur të ketë shpëtuar jetën e krejt njerëzve." (El Maide, 32) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: "Sa herë që dikush vritet padrejtësisht, i biri i parë i Ademit do të ketë hise në atë gjak, sepse ai ishte i pari që filloi vrasjen!" (E shënon Muslimi, numër 5150)
18. Islami e bëri të barabartë mashkullin dhe femrën sa i përket veprës, përgjegjësisë, shpërblimit dhe sevapit.
Islami e bëri të barabartë mashkullin dhe femrën sa i përket veprës, përgjegjësisë, shpërblimit dhe sevapit. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi." (En Nisa, 124) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Atë mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (En Nahl, 97) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që bëjnë vepra të këqija, do të dënohen vetëm sipas veprave të bëra; ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, qofshin meshkuj apo femra, do të hyjnë në Xhenet. Aty do të begatohen pa kufizim." (Gafir, 40) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë që për muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të përulurit ndaj Allahut dhe të përulurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të druajturit dhe të druajturat, bamirësit dhe bamirëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh." (El Ahzab, 35)
19. Islami e nderoi femrën dhe i konsideroi gratë të barabarta me burrat në shumë dispozita fetare dhe e obligoi burrin të shpenzojë për të, sipas mundësisë. Babai e ka obligim të shpenzojë për bijën e tij dhe i biri e ka obligim të shpenzojë për nënën e tij, nëse është i rritur dhe ka mundësi. Gjithashtu burri e ka obligim të shpenzojë për bashkëshorten e tij.
Islami i konsideroi gratë të barabarta me burrat në shumë dispozita fetare. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: "Vërtet gratë janë të barabarta me burrat (në shumë dispozita fetare)." (E shënon Tirmidhiu, numër 113)
Prej nderimit që Islami ia dha gruas është fakti se e obligoi të birin që të shpenzojë për nënën, nëse ka mundësi. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: “Dora e atij që jep është dora e epërme: (fillo me:) nënën, babanë, motrën, vëllanë, pastaj me të afërmit sipas radhës!" (E shënon imam Ahmedi nr. 7105) Në paragrafin e njëzetenëntë, me lejen e Allahut, do të flasim për pozitën e prindërve.
Prej nderimit që Islami ia ka kushtuar gruas është fakti se e ka obliguar burrin të shpenzojë për bashkëshorten e tij, nëse ka mundësi. Allahu i Lartësuar thotë: "Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd përtej asaj që i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin." (Et Talak, 7) Një njeri e pyeti të Dërguarin (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!): "Çfarë detyrimi ka burri ndaj gruas?" Ai tha: “Ta ushqesh kur ti ha, ta veshmbathësh kur veshmbathesh vetë, të mos e qëllosh në fytyrë dhe që të mos i thuash fjalë të këqija.” (E shënon imam Ahmedi nr. 20013) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), duke sqaruar disa detyrime që burrat kanë ndaj grave ka thënë: “Ju e keni për detyrë t’ua siguroni atyre ushqimin dhe veshmbathjen, sipas zakonit.” (Sahihu i Muslimit nr.1218) Ai (paqja qoftë mbi të!) gjithashtu ka thënë: "Njeriut i mjafton si mëkat nëse i neglizhon ata të cilët i ushqen!" (E shënon imam Ahmedi nr.6495) Hatabi (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Me fjalën 'të cilët i ushqen' janë për qëllim ata njerëz që ai e ka për detyrë t’i ushqejë. Kuptimi i kësaj është se Profeti (paqja qoftë mbi të!) sikur ka dashur t’i thotë atij që shpenzon për bamirësi: Mos shpenzo për bamirësi atë pjesë të ushqimit të familjes sate që nuk ka tepruar, duke kërkuar shpërblim për këtë nga Zoti, sepse kur ti i neglizhon ata, kjo shndërrohet në mëkat.”
Prej nderimit që Islami ia ka bërë gruas është fakti se ia ka bërë obligim babait të shpenzojë për bijën e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Nënat le t’u japin gji fëmijëve të tyre dy vjet, për ata që duan t’ia plotësojnë dhënien e gjirit. Dhe babai i fëmijës ka për detyrë, sipas mundësisë së tij, që t’i sigurojë ushqim dhe veshmbathje." (El Bekare, 233) Allahu ka sqaruar se është detyrë e babait, të cilit i lind një fëmijë, që ta ushqejë dhe ta veshmbathë atë sipas mundësive që ka. Allahu thotë: "Nëse fëmija ushqehet me gjirin e nënës, paguajuni atyre shpërblimin!" (Et Talak, 6) Pra, pagesën e shpërblimit të dhënies gji fëmijës Allahu ia obligoi babait, gjë që tregon se babai e ka për obligim të shpenzojë për fëmijën. Fjala “fëmijë” e përfshin mashkullin dhe femrën. Hadithi vijues është argument se babai e ka për obligim të shpenzojë për bashkëshorten dhe fëmijët e saj. Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se njëherë, Hindi i tha Pejgamberit (paqja dhe bekimi qofshin mbi të!): "Ebu Sufjani është dorështrënguar, ndërsa unë kam nevojë që nganjëherë të marr prej pasurisë së tij?" Ai iu përgjigj: “Merr për vete dhe fëmijën tënd aq sa ju mjafton, pa e tepruar.” (E shënon Buhariu nr.5049) Gjithashtu i Dërguari fisnik (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) e ka theksuar vlerën e shpenzimit për bijat dhe motrat, kur thotë: “Ai që kujdeset për dy apo tri vajza; dy apo tri motra, derisa të martohen, apo të vdesë, unë dhe ai do të jemi (në Ditën e Gjykimit) pranë njëri tjetrit si këta dy. Dhe bëri me shenjë me dy gishtërinjtë e tij: gishtin tregues dhe të mesmin.” (Es Silsileh es Sahiha, 296)
20. Vdekja nuk është shuarje e përhershme, por është zhvendosje prej vendit të punës (kësaj bote) në vendin e shpërblimit (në botën tjetër). Vdekja prek trupin dhe shpirtin. Vdekja e shpirtit nënkupton ndarjen nga trupi, më pas shpirti rikthehet në trup pas ringjalljes në Ditën e Gjykimit. Shpirti pas vdekjes nuk zhvendoset te ndonjë trup tjetër e as mishërohet në një trup tjetër.
Vdekja nuk është shuarje e përhershme. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju: 'Shpirtin do t’jua marrë Engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj'." (Es Sexhde, 11) Vdekja prek trupin dhe shpirtin. Vdekja e shpirtit nënkupton ndarjen e tij nga trupi, më pas shpirti rikthehet në trup pas ringjalljes në Ditën e Gjykimit. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë." (Ez Zumer, 42) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: "Kur del shpirti, shikimi e përcjell atë." (E shënon Muslimi, numër 920) Pas vdekjes njeriu zhvendoset prej vendit të punës (kësaj bote) në vendin e shpërblimit (në botën tjetër). Allahu i Lartësuar thotë: "Tek Ai do të ktheheni të gjithë. Premtimi i Allahut është i vërtetë. Ai e zë fill krijimin e pastaj e përsërit atë, që t’i shpërblejë me të drejtë ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira. Sa i përket atyre që nuk besojnë, ata do të kenë pije nga uji i vluar dhe dënim të madh, për shkak se kanë mohuar." (Junus, 4)
Shpirti pas vdekjes nuk zhvendoset në ndonjë trup tjetër e as mishërohet. Pretendimin e mishërimit nuk e mbështet as logjika, as faktet shqisore dhe as ekziston ndonjë tekst nga pejgamberët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) që dëshmon për këtë doktrinë.
21. Islami predikon besimin në bazat themelore të imanit (besimit), të cilat janë: besimi në Allahun, në melekët, besimi në librat hyjnorë, si: Teurati, Inxhili dhe Zeburi – para se të shtrembëroheshin – dhe Kurani; besimi në të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja qoftë mbi ta!) dhe besimi në profetin e fundit, që është Muhamedi, i dërguari i Allahut, vula e profetëve dhe e të dërguarve; besimi në Ditën e Gjykimit, pasi ne e dimë se nëse jeta e kësaj bote do të ishte fundi i gjithçkaje, atëherë jeta dhe ekzistenca do të ishin një absurditet i qartë; si dhe besimi në kadanë (vendimet hyjnore) dhe kaderin (paracaktimet hyjnore).
Islami predikon besimin në bazat themelore të imanit (besimit), të cilat i predikuan të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), që janë:
E para: besimi në Allahun si Zot, Krijues, Furnizues, Planifikues të këtij universi dhe se vetëm Ai është i denjë t’i kushtohet adhurim dhe se adhurimi që i kushtohet dikujt përveç Tij është i kotë. Çdo gjë e adhuruar përveç Allahut është e kotë. Adhurimi nuk i përket askujt përveç Allahut dhe nuk vlen për askënd përveç Tij. Argumentet e kësaj çështjeje i kemi përmendur në paragrafin e tetë.
Allahu i Lartmadhërishëm i ka përmendur këto baza të mëdha në ajete të shumta, të shpërndara në Kuranin e madhërishëm. Prej tyre është fjala e Allahut: "I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” (El Bekare, 285) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Mirësia nuk është të kthyerit e fytyrës suaj nga lindja dhe perëndimi, por mirësia është (cilësi) e atij që beson Allahun, Ditën e Fundit, engjëjt, Librin dhe profetët; (cilësi) e atij që me vullnet jep nga pasuria e vet për të afërmit, jetimët, të varfrit, udhëtarët e mbetur rrugës, lypësit dhe për lirimin e të robëruarve; e atij që fal namazin dhe e jep zekatin; dhe e atyre që i plotësojnë premtimet, kur marrin përsipër diçka; e atyre që durojnë në kohë skamjeje, sëmundjeje dhe lufte. Këta janë besimtarët e vërtetë dhe këta janë ata që e kanë frikë Allahun." (El Bekare, 177) Allahu bëri thirrje që të besohen këto baza dhe theksoi se kush i mohon ato, veçse ka humbur larg prej udhës së drejtë. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë." (En Nisa, 136) Në një hadith ceket se Umer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Një ditë, ndërsa rrinim tek i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ue sel-lem), u shfaq një burrë me tesha fort të bardha dhe flokë fort të zeza, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi dhe nuk e njihte asnjëri prej nesh. Ai u ul pranë të Dërguarit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) duke i mbështetur gjunjët e tij me gjunjët e të Dërguarit e duke i vënë duart mbi kofshët e veta, dhe tha: “O Muhamed, më trego për Islamin.” I Dërguari i Allahut tha: “Islami është të dëshmosh se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhin nëse ke mundësi.” Ai i tha: “Ashtu është!” Ne u çuditëm, se vetë e pyeste, vetë ia konfirmonte! Mandej ai tha: “Më trego për imanin (besimin)!” I Dërguari tha: “Imani është të besosh në Allahun, në melekët, në librat e Tij, në të dërguarit, në Ditën e Fundit dhe të besosh në paracaktimin (kaderin), qoftë i mirë, qoftë i keq.” Ai i tha: “Ashtu është!" Më trego për ihsanin (përsosurinë)!” I Dërguari tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai gjithsesi të sheh ty." (E shënon Muslimi, numër 8) Në këtë hadith tregohet se Xhibrili (alejhi selam) vajti tek i dërguari Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) dhe e pyeti për dimensionet e fesë: Islamin, imanin dhe ihsanin. I Dërguari Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) iu përgjigj për pyetjet që i bëri dhe më pas i njoftoi sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) se ai ishte Xhibrili (alejhi selam), që erdhi për t’ua mësuar atyre fenë. Ja pra, ky është Islami, mesazhi hyjnor, të cilin Xhibrili (alejhi selam) e solli dhe profeti Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ua përcolli njerëzve dhe sahabët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), e ruajtën dhe ia përcollën njerëzve pas tij.
E dyta: besimi në melekët, të cilët janë krijesa të padukshme. Allahu i ka krijuar në formë të veçantë. I ka ngarkuar me detyra të rëndësishme, e prej detyrave më të rëndësishme ishte përcjellja e shpalljeve hyjnore te profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Meleku më i madh është Xhibrili (alejhi selam). Argumenti se Xhibrili (alejhi selam) ua zbriti shpalljen hyjnore të dërguarve të Zotit është fjala e Allahut të Lartësuar: "Me vullnetin e Tij, Ai ia dërgon engjëjt me Xhibrilin kujt të dojë prej robërve të Tij (duke u thënë): “Paralajmëroni se s’ka zot tjetër të vërtetë përveç Meje, prandaj Mua të më kini frikë!” (En Nahl, 2) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallja e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) Në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. Në gjuhën e qartë arabe. Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve." (Esh Shuara, 192-196)
E treta: besimi në librat hyjnorë, si: Teurati, Ungjilli dhe Zeburi, – para se të shtrembëroheshin, – dhe Kurani. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë." (En Nisa, 136) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai të ka shpallur ty Librin, me të vërtetën e saktë, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai ka zbritur Teuratin dhe Ungjillin më parë si udhërrëfyes për njerëzit dhe ka zbritur edhe Dalluesin (Kuranin). Ata që nuk besojnë shpalljet e Allahut, i pret dënim i ashpër; Allahu është i Plotfuqishëm dhe Ndëshkues." (Ali Imran, 3-4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” (El Bekare, 285) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed): 'Ne besojmë Allahun, atë që na është shpallur neve, atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Esbatëve (bijve të tij) dhe në atë që i është dhënë Musait, Isait dhe profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim midis tyre dhe Ne vetëm Atij (Allahut) i përulemi.'" (Ali Imran, 84)
E katërta: Besimi në të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Pra, është obligim të besohen të gjithë profetët dhe të dërguarit e Zotit, si dhe të kemi bindjen se ata, që të gjithë, janë të dërguar prej Tij për t’ua përcjellë popujve të tyre mesazhet e Tij, fenë dhe sheriatin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Thoni: 'Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi'." (El Bekare, 136) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” (El Bekare, 285) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed): “Ne besojmë Allahun, atë që na është shpallur neve, atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit, Esbatëve (bijve të tij) dhe në atë që i është dhënë Musait, Isait dhe profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë asnjë dallim midis tyre dhe Ne vetëm Atij (Allahut) i përulemi.” (Ali Imran, 84)
Dhe besimi në profetin e fundit prej tyre, Muhamedi (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!), vula e profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Allahu i Lartësuar thotë: "Kujto kur Allahu mori besëlidhjen nga profetët (dhe u tha): 'Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?” Ata u përgjigjën: “E pranojmë”. (Allahu) u tha: “Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar.'" (Ali Imran, 81)
Islami e bën obligim besimin në të gjithë profetët dhe të dërguarit në përgjithësi dhe e bën obligim besimin në profetin e fundit prej tyre, që është i dërguari Muhamed (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!). Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed): 'O ithtarët e Librit! Nuk do të keni asgjë në vijë, derisa t’i përmbaheni Teuratit e Ungjillit dhe asaj që ju është shpallur nga Zoti juaj." (El Maide, 68) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'O ithtarët e Librit, ejani të pajtohemi në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!” Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: “Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!” (Ali Imran, 64)
Ai që mohon një profet të vetëm, i ka mohuar të gjithë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Këtë gjykim Allahu i Madhëruar e ka bërë të qartë kur flet për popullin e Nuhut: "Populli i Nuhut, i përgënjeshtroi të dërguarit." (Esh Shuara, 105) Dihet se Nuhun (alejhi selam) nuk e ka paraprirë asnjë i dërguar, megjithatë, kur populli i tij e përgënjeshtruan Nuhun, ky përgënjeshtrim u konsiderua si përgënjeshtrim i të gjithë profetëve dhe të dërguarve, për faktin se thirrja dhe qëllimi i tyre ishin të njëjtë.
E pesta: besimi në Ditën e Fundit, që është Dita e Kiametit. Në fund të jetës së kësaj bote, Allahu e urdhëron melekun Israfil (alejhi selam) t’i fryjë (Surit), prej kësaj fryrje do të vdesin të gjithë ata që do Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: "Kur t’i fryhet Surit, do të vdesin të gjithë ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, përveç atyre që do Allahu; pastaj do t'i fryhet për të dytën herë dhe ata përnjëherë do çohen duke parë!" (Ez Zumer, 68) Kur të shkatërrohet çdo gjë që është në qiej dhe në Tokë, përveç asaj që do Allahu, atëherë Allahu do t’i palosë qiejt dhe Tokën, ashtu siç theksohet në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Atë Ditë, Ne do ta palosim Qiellin, ashtu siç paloset letra e librit. Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtimi Ynë. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë." (El Enbija, 104) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata nuk e kanë vlerësuar siç duhet fuqinë e Allahut. Në Ditën e Kiametit, e tërë Toka do të jetë në Grushtin e Tij, ndërsa qiejt do të mbështillen nën të Djathtën e Tij. Qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar Ai mbi ortakët që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!" (Ez Zumer, 67) I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: “Allahu i Lartmadhëruar do t’i palosë qiejt Ditën e Gjykimit. Më pas do t’i marrë ata me Dorën e Tij të Djathtë e do të thotë: "Unë jam Sunduesi suprem, ku janë arrogantët?! Ku janë mendjemëdhenjtë?!" Më pas do t’i palosë tokat me të Majtën e Tij dhe do të thotë: "Unë jam Sunduesi suprem, ku janë arrogantët? Ku janë mendjemëdhenjtë?!" (Muslimi nr. 2788)
Më pas Allahu do e urdhërojë melekun dhe ai do i fryjë Surit për herë të dytë, kur ja, përnjëherë njerëzit do të çohen duke parë. Allahu i Lartësuar thotë: "Pastaj do të fryhet për të dytën herë në Sur dhe ata përnjëherë do të çohen duke parë." (Ez Zumer, 68) Pasi Allahu t'i ketë ringjallur krijesat, Ai do t'i tubojë ato për t’i marrë në llogari. Allahu i Lartësuar thotë: "Atë Ditë, Toka do të hapet e ata do të dalin nxitimthi. Për Ne është e lehtë t’i mbledhim ata të gjithë." (Kaf, 44) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ditën, kur ata do të paraqiten të zbuluar, kur asgjë e tyre nuk do të jetë e fshehtë për Allahun. Kujt i përket pushteti i asaj dite? Allahut, të Vetmit, Ngadhënjimtarit!" (Gafir, 16) Në këtë Ditë Allahu do t’i marrë në llogari të gjithë njerëzit, do të marrë hak për çdo të dëmtuar nga ai që i ka bërë dëm dhe do të shpërblejë çdo njeri sipas asaj që ka punuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Atë ditë, çdo njeri do të shpërblehet sipas asaj që ka punuar; atë ditë nuk ka padrejtësi! Allahu, me të vërtetë, është i shpejtë në llogari." (Gafir, 17) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, Allahu nuk dëmton askënd asnjë grimë, por, nëse (dikush) bën mirësi, Allahu ia shumëfishon atë dhe i jep shpërblim të madh." (En Nisa, 40) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: “Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë, e kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (Ez Zelzele, 7-8) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogarimarrje." (El Enbija, 47)
Pas ringjalljes dhe llogaridhënies pason shpërblimi: kush ka bërë mirë dhe ka besuar, do të ketë lumturi të përhershme që nuk mbaron, e, kush ka bërë keq dhe ka mohuar, do të ketë ndëshkim. Allahu i Lartësuar thotë: "I tërë pushteti atë ditë i përket Allahut. Ai do t’i gjykojë të gjithë: ata që kanë besuar dhe kanë bërë vepra të mira, do të gjenden në kopshtet e lumturisë, ndërsa ata që nuk kanë besuar dhe i kanë përgënjeshtruar shpalljet Tona, do të kenë dënim poshtërues." (El Haxh, 56-57) Ne e dimë se jeta në këtë botë nuk mund të jetë përfundimtare sepse atëherë jeta dhe ekzistenca do të ishin absurditet i qartë. Allahu i Lartësuar thotë: "Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” (El Muminun, 115)
E gjashta: besimi në kadanë dhe kaderin (vendimet dhe caktimet hyjnore), që nënkupton se duhet të besohet se Allahu di çdo gjë që ka ndodhur, që do të ndodhë në të ardhmen e afërt e të largët në këtë univers dhe se Ai e shkroi tërë këtë para se t’i krijonte qiejt dhe Tokën. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai i ka çelësat e së padukshmes dhe vetëm Ai i di ato. Ai e di ç’ka në Tokë dhe në Det; asnjë gjeth nuk bie, pa e ditur Ai dhe nuk ekziston asnjë kokërr në errësirën e Tokës, as e njomë, as e thatë, që të mos jetë shënuar në Librin e qartë (Leuhi Mahfudh)." (El Enam, 59) Dhe se gjithçka është e përfshirë në diturinë e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhri i Tij zbret përmes tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij." (Et Talak, 12) Dhe se nuk ndodh ndonjë gjë në këtë univers, veçse me vullnetin, dëshirën dhe krijimin e Allahut dhe se Allahu i mundëson shkaqet që ajo të ndodhë. Allahu i Lartësuar thotë: "Sunduesi i qiejve dhe i Tokës, i Cili nuk ka bir e nuk ka ortak në pushtet; i Cili ka krijuar çdo gjë dhe e ka përcaktuar si duhet!" (El Furkan, 2) Urtësia e Allahut në këto gjëra është e përsosur, atë nuk mund ta përceptojnë njerëzit. Allahu i Lartësuar thotë: "Urtësi e përsosur, por paralajmërimi nuk u bën dobi." (El Kamer, 5) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai e zë fill krijimin dhe Ai e përsërit atë e për Atë kjo është edhe më e lehtë. Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti." (Er Rum, 27) Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Vetveten me cilësinë e urtësisë dhe e ka quajtur Vetveten i Urti. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Tij, Ai mban drejtësi. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit." (Ali Imran, 18) Allahu i Lartësuar ka lajmëruar se Isai (alejhi selam) do t’i drejtohet Allahut në Ditën e Gjykimit duke i thënë: "Nëse Ti i dënon ata - robërit e Tu janë, e nëse i fal ata, me të vërtetë, vetëm Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti." (El Maide, 118) Kur Allahu i Lartësuar e thirri Musain (alejhi selam), që ishte nga ana e malit Tur, i tha: "O Musa! Jam Unë, Allahu, i Plotfuqishmi, i Urti!" (En Neml, 9)
Allahu i Lartësuar e ka përshkruar Kuranin e madhërishëm me cilësinë e urtësisë. Ai thotë: "Elif Lám Râ. Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë shkoqitur dhe janë parashtruar me hollësi nga ana e të Urtit të Gjithëdijshëm." (Hud, 1) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kjo është nga Urtësia që të ka shpallur ty, Zoti yt, dhe mos vër zot tjetër me Allahun, se do të hidhesh në Xhehenem, i qortuar dhe i dëbuar." (El Isra, 39)
22. Pejgamberët (paqja qoftë mbi ta!) janë të mbrojtur në atë që e përcjellin nga Allahu dhe janë të mbrojtur nga çdo gjë që e kundërshton logjikën (e shëndoshë), ose e refuzon morali i shëndoshë. Pejgamberët janë të ngarkuar të përcjellin urdhrat e Allahut te robërit e Tij. Pejgamberët nuk kanë kurrfarë veçorie që ka të bëjë me perëndishmërinë ose hyjnishmërinë, por ata janë njerëz si të gjithë njerëzit e tjerë vetëm se Allahu i Lartësuar ua shpall atyre mesazhet e Tij.
Të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) janë të mbrojtur sa i përket asaj që e përcjellin nga Zoti i tyre, sepse Allahu i përzgjedh më të mirët prej krijesave të Tij që ta përcjellin mesazhin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu zgjedh të dërguar nga engjëjt dhe njerëzit; me të vërtetë, Allahu dëgjon dhe sheh gjithçka." (El Haxh, 75) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu i zgjodhi Ademin, Nuhun, familjen e Ibrahimit dhe familjen e Imranit mbi të gjithë njerëzit (e kohës së tyre)." (Ali Imran, 33) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Zoti tha: 'O Musa! Unë të kam zgjedhur ty mbi të tjerët me kumtet e Mia dhe të Folurin Tim (pa ndërmjetës, por të drejtpërdrejtë). Merre atë që ta kam dhënë dhe bëhu mirënjohës!'" (El Araf, 144) Të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) e dinë se ajo që iu zbritet atyre është shpallje hyjnore dhe i shohin melekët duke e zbritur shpalljen. Allahu i Lartësuar thotë: "Vetëm Ai e di të padukshmen dhe nuk ia zbulon atë askujt, përveç të dërguarve që ka zgjedhur. Para dhe pas tyre Ai vë mbikëqyrës (engjëj), në mënyrë që ta dijë se i përcjellin mesazhet e Zotit të tyre. Ai përfshin me dijen e Vet gjithçka që ata kanë dhe çdo gjë e ka llogaritur imtësisht." (El Xhin, 26-28) Allahu i urdhëroi të dërguarit që ta përcjellin mesazhin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij; Allahu të ruan ty prej njerëzve. Natyrisht që Allahu nuk i udhëzon njerëzit që nuk besojnë." (El Maide, 67) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "(Ne çuam) të dërguar përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Se, Allahu, është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm." (En Nisa, 165)
Të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) ia kanë frikën Allahut sa më s'ka dhe Atij i druhen; asgjë nuk shtojnë e nuk lënë mangët në mesazhet e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Sikur ai (Muhamedi), në mënyrë të rreme, të Na kishte veshur ndonjë fjalë, Ne do ta kapnim atë për dorën e djathtë dhe me siguri që do t’ia prisnim damarin e qafës e askush prej jush nuk do të mund ta mbronte." (El Hakah, 44-47) Ibn Kethri (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: “Allahu i Lartësuar thotë: 'Sikur ai, në mënyrë të rreme, të na kishte veshur ndonjë fjalë' pra, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!), po të ishte si pretendojnë ata: shpifës ndaj Nesh, duke shtuar a pakësuar prej mesazhit (shpalljes hyjnore), ose ka thënë diçka nga vetja dhe na ka atribuuar Neve, - e nuk është ashtu, - nuk do të nguronim për ta dënuar. Andaj ka thënë: “Ne do ta kapnim atë për dorën e djathtë.” Për kuptimin e kësaj thuhet se është: Do ta ndëshkonim me të Djathtën, për faktin se ajo ka forcë më të madhe. Gjithashtu është thënë se kuptimi i saj është: Do ta kapnim atë nga e djathta e tij." Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe kur Allahu do të thotë (në Ditën e Gjykimit): 'O Isa, i biri i Merjemes! Ti ishe ai që u the njerëzve: 'Adhuromëni mua dhe nënën time si zota krahas Allahut'?! Isai do të thotë: 'Qofsh i lartësuar dhe i lavdëruar! Mua nuk më takon të them diçka, për të cilën nuk kam aspak të drejtë! Po ta kisha thënë ndonjëherë, Ti me siguri do ta dije. Ti e di çfarë ka në shpirtin tim, po unë nuk e di çfarë ka në Veten Tënde. Vetëm Ti i di të gjitha të fshehtat. Nuk u kam thënë atyre asgjë tjetër përveç asaj që më ke urdhëruar: 'Adhuroni Allahun, Zotin tim dhe Zotin tuaj!' Dhe kam qenë dëshmitar mbi ta për aq kohë sa isha mes tyre. Por kur më more mua, Ti ishe Mbikëqyrësi mbi ta. Dhe Ti je Dëshmitar për çdo gjë.'." (El Maide, 116-117)
Prej mirësisë së Allahut ndaj profetëve dhe të dërguarve të Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) është fakti se Allahu i shpërblen ata për shkak të përcjelljes së mesazhit të Tij (te të tjerët). Allahu i Lartësuar thotë: "(Hudi tha) Unë kam dëshmitar Allahun, por dëshmoni edhe ju, se unë jam larg nga idhujt që ju i adhuroni përveç Atij. Pra, bëni të gjithë kurth kundër meje dhe mos më jepni afat. Unë mbështetem tek Allahu, Zoti im dhe Zoti juaj. S’ka asnjë gjallesë që të mos jetë nën pushtetin e Tij. Me të vërtetë, Zoti im, është në rrugë të drejtë." (Hud, 54-56) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata u përpoqën të të largonin ty (Muhamed) nga ai (Kurani), që të kemi shpallur Ne, me shpresë se ti, duke shpifur, do të Na vishje diçka tjetër përveç tij (Kuranit). Po ta bëje këtë, atëherë, ata do të të merrnin ty për mik. Dhe sikur mos të të kishim forcuar Ne, gati do të kishe anuar pak nga ata, dhe atëherë, me të vërtetë, Ne do të bënim që të shijoje dënimin e dyfishtë në këtë botë dhe pas vdekjes; e atëherë, nuk do të gjeje askënd për ndihmës kundër Nesh." (El Isra, 73-75) Këto ajete dhe ato para tyre, dëshmojnë e tregojnë se Kurani është i zbritur nga Zoti i botëve, për faktin se, po të ishte nga profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!), nuk do të përfshinte fjalë të tilla që i drejtohen atij.
Allahu i Lartmadhërishëm i ruan të dërguarit e Tij prej njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: "O i Dërguar! Trego atë që të është shpallur nga Zoti yt! Në qoftë se nuk e bën këtë, atëherë nuk e ke përcjellë Mesazhin e Tij; Allahu të ruan ty prej njerëzve. Natyrisht që Allahu nuk i udhëzon njerëzit që nuk besojnë." (El Maide, 67) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Tregoju atyre historinë e Nuhut, kur i tha popullit të vet: 'O populli im, nëse për ju është e rëndë prania ime midis jush dhe që t’ju përkujtoj shenjat e Allahut, (dijeni se) unë jam mbështetur vetëm tek Allahu! Prandaj, bashkë me idhujt tuaj, vendosni si do të veproni dhe vendimi juaj le të mos fshihet; zbatojeni kundër meje e mos më jepni kohë!'." (Junus, 71) Allahu i Lartmadhëruar duke folur për fjalën e Musait (alejhi selam) ka thënë: "Ata të dy thanë: 'O Zoti ynë! Ne kemi frikë se ai do të na dënojë menjëherë ose do të bëjë padrejtësi më tepër.' (Allahu) tha: 'Mos u frikësoni! Në të vërtetë, Unë jam me ju, dëgjoj dhe shoh.'." (Taha, 45-46) Allahu i Lartmadhëruar sqaroi se Ai i ruan të dërguarit e Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) prej armiqve të tyre, kësisoj ata nuk mund t’u bëjnë dëm. Po ashtu Allahu i Lartmadhëruar ka njoftuar se e ruan shpalljen e Tij, respektivisht as shtohet gjë në të e as pakësohet. Allahu i Lartësuar thotë: "Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë." (El Hixhr, 9)
Të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) janë të mbrojtur nga çdo gjë që e kundërshton logjikën (e shëndoshë), ose e refuzon moralin (e përkryer). Allahu i Lartësuar, duke e vlerësuar e lavdëruar të Dërguarin e Tij (Muhamed), thotë: "Dhe sigurisht ti ke moral të lartë" (El Kalem, 4) Gjithashtu thotë për të: "Shoku juaj nuk është i marrë." (Et Tekuir, 22) Ata janë të mbrojtur për faktin që ta çojnë mesazhin në vend në formën më të mirë. Të dërguarit e Zotit janë të ngarkuar të përcjellin urdhrat e Tij te robërit e Tij. Ata nuk kanë kurrfarë veçorie që ka të bëjë me perëndishmërinë dhe hyjnishmërinë, madje ata janë njerëz si të tjerët vetëm se Allahu ua shpall atyre kumtesat e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Të dërguarit e tyre u thanë: 'Ne jemi vetëm njerëz si ju, por Allahu begaton kë të dojë prej robërve të Vet, ne nuk mund t’ju sjellim prova pa urdhrin e Allahut. Besimtarët le të mbështeten vetëm tek Allahu!'." (Ibrahim, 11) Allahu i Lartësuar e urdhëroi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!), t’i thotë popullit të tij: "Thuaj: 'Unë jam vetëm një njeri si ju, që më është shpallur se Zoti juaj është një Zot i Vetëm. Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!'." (El Kehf, 110)
23. Islami bën thirrje që të adhurohet Allahu një i vetëm përmes adhurimeve kryesore, që janë: a) Namazi, i cili përbëhet prej qëndrimit në këmbë, rukusë (përkuljes), sexhdes (vënien e kokës në tokë), përmendjes së Allahut, falënderimit të Tij dhe lutjes. Namazi falet çdo ditë pesë herë. Në namaz eliminohen dallimet midis njerëzve, andaj i pasuri dhe i varfri, udhëheqësi dhe populli qëndrojnë në një saf (rresht) të vetëm në namaz. b) Zekati, i cili është një sasi e vogël e pasurisë - sipas kushteve dhe sasive që i ka përcaktuar Allahu - që është obligim të nxirret nga pasuria e të pasurve për t'u dhënë të varfërve dhe të tjerëve, një herë në vit. c) Agjërimi, i cili nënkupton të vetëpërmbajturit nga gjërat që e prishin atë gjatë ditës së muajit Ramazan; ai edukon vullnetin dhe durimin e njeriut. d) Haxhi, i cili nënkupton mësymjen e Shtëpisë së Allahut në Mekën e Bekuar një herë në jetë për atë që është i aftë dhe ka mundësi. Në haxh të gjithë janë të barabartë në përkushtimin ndaj Krijuesit të Lartësuar, dhe aty zhduken dallimet dhe përkatësitë njerëzore.
Islami thërret në adhurimin e Allahut përmes adhurimeve kryesore dhe adhurimeve të tjera. Këto adhurime madhështore Allahu ua ka bërë obligim të gjithë profetëve dhe të dërguarve (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi ta). Adhurimet më të mëdha janë:
I pari: Namazi. Allahu e bëri obligim namazin për muslimanët ashtu siç ishte obligim për profetët dhe të dërguarit e tjerë (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Allahu e urdhëroi të dërguarin e Tij, mikun e ngushtë, Ibrahimin (alejhi selam), që ta pastrojë shtëpinë e Tij (Qabenë) për ata që e vizitojnë, për namazfalësit që bëjnë ruku dhe sexhde (përkulen dhe vënë kokën në tokë). Allahu i Lartësuar thotë: "Kujtoni kur Ne e bëmë Qabenë vend grumbullimi dhe sigurie për njerëzit, dhe ju thamë: 'Bëjeni vendin e Ibrahimit si vend faljeje!' Ne i urdhëruam Ibrahimin dhe Ismailin: 'Pastrojeni Shtëpinë Time (Qabenë) për ata që e vizitojnë, që rrinë aty për adhurim dhe që falen duke u përkulur dhe përulur'." (El Bekare, 125) Allahu ia bëri obligim namazin Musait (alejhi selam) kur e thirri për të parën herë. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë! Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, prandaj, vetëm Mua më adhuro dhe kryeje faljen për të më kujtuar Mua!'" (Taha, 12-14) Mesihu, Isai (alejhi selam) ka njoftuar se Allahu e urdhëroi të falë namaz dhe të japë zekat. Allahu i Lartësuar i ka cituar fjalët e tij: "Dhe më ka bërë të bekuar kudo që të jem. Ai më ka porositur që të falem e të jap zekat sa të jem gjallë" (Merjem, 31) Namazi në Islam përbëhet prej qëndrimit në këmbë (kijam), përkuljes (rukuja), përuljes (sexhdja), përmendjes e falënderimit të Allahut dhe lutjes. Muslimani e fal namazin çdo ditë nga pesë herë. Allahu i Lartësuar thotë: "Faleni rregullisht namazin, sidomos atë të mesmin dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij." (El Bekare, 238) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kryeje namazin kur Dielli të lëvizë nga zeniti (nga gjysma e qiellit) deri në errësirën e natës dhe këndo Kuran në agim; me të vërtetë, këndimi i Kuranit në namazin e mëngjesit është i dëshmuar (nga melekët)!" (El Isra, 78) Ai (paqja qoftë mbi të!) gjithashtu ka thënë: "Sa i përket përkuljes (rukusë), madhërojeni në të Allahun e Lartmadhëruar; e në përulje (sexhde), jini të zellshëm në lutje, ngase shpresohet të merrni përgjigje!" (Sahihu i Muslimit nr. 479)
I dyti: Zekati. Allahu e bëri obligim zekatin për muslimanët, siç ishte obligim për profetët dhe të dërguarit e mëparshëm (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Zekati është një sasi e vogël e pasurisë, - sipas kushteve dhe sasive që i ka përcaktuar Allahu. Ai është obligim (të nxirret nga) pasuria e të pasurve dhe t’u jepet të varfërve dhe të tjerëve një herë në vit. Allahu i Lartësuar thotë: "Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh ata! Lutu për ta, sepse lutja jote është vërtet qetësim për ata. Allahu dëgjon dhe di gjithçka!" [Et-Teube:103] Kur i Dërguari (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) e dërgoi Muadhin (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në Jemen, i tha: "Ti po shkon te një popull që janë ithtarë të Librit. Kur të arrish atje, thirri të dëshmojnë se nuk ka zot përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Nëse të binden për këtë, atëherë tregoju se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze brenda ditës e natës. Nëse të binden për këtë, atëherë tregoju se Allahu ua ka bërë obligim zekatin, që u merret të pasurve e u jepet të varfërve të tyre. E, nëse të binden për këtë, atëherë bëj kujdes, mos ua merr pjesën e çmuar pasurisë së tyre! Dhe ruaju lutjes së atij që i bëhet padrejtësi, sepse mes tij dhe Allahut nuk ka perde!" (E shënon Tirmidhiu, numër 625)
I treti: Agjërimi. Allahu e bëri obligim agjërimin për muslimanët, siç ishte obligim për profetët dhe të dërguarit e mëparshëm (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Ju është bërë obligim agjërimi, ashtu si qe bërë obligim për ata para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat." (El Bekare, 183) Agjërimi nënkupton të vetëpërmbajturit nga gjërat që e prishin agjërimin gjatë ditës së muajit Ramazan. Ai edukon vullnetin dhe durimin e njeriut. Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Allahu i Madhëruar thotë: 'Agjërimi është për Mua dhe Unë shpërblej për të. Agjëruesi e lë epshin, ushqimin dhe pijen për Mua. Agjërimi është mburojë. Agjëruesi i ka dy gëzime: gëzohet kur të bëjë iftar dhe gëzohet kur ta takojë Zotin." (E shënon Buhariu, numër 7492)
I katërti: Haxhi. Allahu e bëri obligim haxhin për muslimanët, siç ishte obligim për profetët dhe të dërguarit e mëparshëm (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Allahu e urdhëroi të dërguarin e Tij, mikun e ngushtë, Ibrahimin (alejhi selam) që t’i thërrasë (njerëzit) për kryerjen e haxhit. Allahu i Lartësuar thotë: "Thirri njerëzit për kryerjen e haxhit: ata do të vijnë në këmbë dhe me deve prej të gjitha viseve të largëta!" (El Haxh, 27) Allahu e urdhëroi Ibrahimin që ta pastrojë Shtëpinë e Lashtë (Qabenë) për haxhilerët. Ai thotë: "Kujtoje kur Ne vendosëm për Ibrahimin vendin e Faltores (dhe e urdhëruam): 'Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që vijnë rrotull saj (në shenjë adhurimi) dhe për ata që rrinë në këmbë, përkulen dhe bien në sexhde duke u falur!'." (El Haxh, 26)
Haxhi nënkupton mësymjen e Shtëpisë së Allahut (Qabesë) në Mekën e Bekuar, për të kryer disa rituale të posaçme një herë në jetë, për atë që është i aftë dhe ka mundësi. Allahu i Lartësuar thotë: "Vizita (për haxh) e kësaj Faltoreje është detyrë për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd." (Ali Imran, 97) Në haxh, haxhilerët muslimanë mblidhen në një vend të vetëm, duke ia kushtuar Krijuesit të Lartësuar adhurimin në mënyrë të sinqertë. Të gjithë haxhilerët i kryejnë ritualet e haxhit në një formë unike, ku eliminohen dallimet mjedisore, kulturore dhe ekonomike.
24. Gjëja më madhështore që i dallon adhurimet në Islam është fakti se është Allahu i Lartmadhëruar Ai që i ka përcaktuar format, kohët e kushtet e tyre dhe mandej ia ka përcjellë të Dërguarit të Tij, kështu që njeriu nuk ka ndërhyrë në to as për të shtuar e as për të pakësuar deri më sot. Këto adhurime madhështore janë predikuar nga të gjithë profetët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!).
Gjëja më madhështore që i dallon adhurimet në Islam është fakti se është Allahu i Lartmadhëruar Ai që i ka përcaktuar format, kohët e kushtet e tyre dhe mandej ia ka përcjellë të Dërguarit të Tij, kështu që njeriu nuk ka ndërhyrë në to as për të shtuar e as për të pakësuar deri më sot. Allahu i Lartësuar thotë: "Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (El Maide, 3) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Andaj, përmbaju fort asaj që të është shpallur ty, sepse ti, në të vërtetë, je në rrugën e drejtë!" (Ez Zuhruf, 43) Allahu i Lartësuar thotë për namazin: "Pasi të kryeni namazin, përmendeni Allahun duke qëndruar në këmbë, ulur ose të shtrirë. Kur të jeni të sigurtë nga rreziku, atëherë faleni namazin të plotë, sepse namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar!" (En Nisa, 103) Allahu i Lartësuar lidhur me kategoritë e njerëzve të cilëve u jepet zekati, thotë: "Lëmosha e zekatit është vetëm për të varfrit, për nevojtarët, për ata që janë ngarkuar me mbledhjen dhe administrimin e tij, për ata të cilëve u duhet fituar zemra (në Islam), për lirimin e skllevërve, për të rënduarit nga borxhet, për (luftëtarët në) rrugën e Allahut dhe për udhëtarët e mbetur rrugëve. Këto janë detyrat e vëna prej Allahut. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë." (Et Teube, 60) Allahu i Lartësuar thotë për agjërimin: "Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që është i pranishëm në këtë muaj, le të agjërojë! Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa nuk i ka agjëruar. Allahu dëshiron që t’jua lehtësojë dhe jo që t’jua vështirësojë. Dhe që të plotësoni numrin e ditëve të agjërimit dhe që ta madhëroni Allahun (në fund të agjërimit), për shkak se ju ka drejtuar në rrugë të drejtë e që ta falënderoni Atë." (El Bekare, 185) Allahu i Lartësuar thotë për haxhin: "Koha e haxhit është në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhin, le të largohet nga marrëdhëniet (me gruan), grindjet dhe sharjet. Ndërkaq, çdo vepër të mirë që bëni, Allahu e di. Pajisuni me gjërat që ju nevojiten për rrugë dhe dijeni se pajisja më e mirë është devotshmëria. Prandaj, kini frikë prej Meje, o njerëz të mençur!" (El Bekare, 197) Këto adhurime madhështore i kanë predikuar të gjithë profetët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!).
25. Profeti i Islamit është Muhamedi, i biri i Abdullahut, nga pasardhësit e Ismailit, birit të Ibrahimit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). U lind në Mekë në vitin 571. U shpall profet në Mekë dhe bëri hixhret në Medinë. Ai nuk ishte pjesëmarrës me popullin e vet në ritualet e idhujtarisë, por bashkëpunonte me ta në punë fisnike. Ai kishte edukatë të lartë para se të shpallej profet dhe populli e quante el Emin - Besniku. Kur i mbushi të dyzetat, Allahu e dërgoi si profet dhe e mbështeti me shenja dhe mrekulli të mëdha, ku ndër më të mëdhatë është Kurani fisnik. Kurani është mrekullia më madhështore e gjithë mrekullive të profetëve dhe ai është mrekullia që ka mbetur nga mrekullitë e profetëve deri sot. Kur Allahu e përsosi fenë dhe i Dërguari i Tij (paqja qoftë mbi të!) e përcolli atë në formën më të përpiktë, ai ndërroi jetë në moshën gjashtëdhjetetrevjeçare dhe u varros në Medinën Profetike (paqja qoftë mbi të!). I dërguari i Zotit, Muhamedi është vula e profetëve dhe të dërguarve të Zotit. Allahu e dërgoi atë me udhëzimin e drejtë dhe fenë e vërtetë, që t’i nxjerrë njerëzit nga errësirat e idhujtarisë, mosbesimit e injorancës për në dritën e monoteizmit dhe besimit. Sakaq Allahu dëshmoi për të se e dërgoi si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij.
Profeti i Islamit është Muhamedi, i biri i Abdullahut, nga pasardhësit e Ismailit, birit të Ibrahimit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). U lind në Mekë në vitin 571. U shpall profet në Mekë dhe u shpërngul në Medinë. Populli i tij e quante el Emin - Besniku. Ai nuk ishte pjesëmarrës me popullin e vet në ritualet e idhujtarisë, por bashkëpunonte me ta në punë fisnike. Ai kishte edukatë të lartë para shpalljes si profet dhe vetë Zoti e ka quajtur si një njeri me moral të lartë. Ai thotë për të: "Padyshim ti ke moral të lartë". (El Kalem, 4) Kur i mbushi të dyzetat, Allahu e dërgoi si profet dhe e mbështeti me shenja dhe mrekulli të mëdha, ku ndër më madhështoret është Kurani fisnik. I Dërguari (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Çdo pejgamberi i janë dhënë disa mrekulli që njerëzit e asaj kohe të besojnë. Ndërkaq mua më është dhënë shpallja, të cilën ma ka shpallur Allahu. Andaj, shpresoj të jem pejgamberi me më shumë pasues në Ditën e Gjykimit.” (E shënon Buhariu, numër 4981) Kurani i madhërishëm është shpallja e Allahut e zbritur mbi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!). Allahu i Lartësuar thotë për Kuranin: "Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit." (El Bekare, 2) Ai gjithashtu thotë: "A nuk meditojnë ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie të shumta." (En Nisa, 82) Allahu i sfidoi njerëzit dhe xhinët që të sjellin një Kuran të tillë. Ai thotë: "Thuaj: 'Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindët për të përpiluar një Kuran të tillë, ata nuk do të mund të sillnin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri - tjetrin!'." (El Isra, 88) Allahu i sfidoi të sillnin dhjetë sure të ngjashme me Kuranin (në bukuri dhe elokuencë). Ai thotë: "Nëse ata thonë: 'Ai e ka trilluar atë!' Thuaju (o Muhamed!): 'Sillni dhjetë sure të ngjashme (në bukuri dhe elokuencë) të trilluara dhe thirrni në ndihmë kë të mundni, përveç Allahut, nëse thoni të vërtetën!'." (Hud, 13) Madje Allahu i sfidoi të sillnin edhe vetëm një sure të ngjashme me Kuranin. Ai thotë: "Nëse ju dyshoni në atë që ia kemi zbritur robit Tonë (Muhamedit), atëherë sillni një sure të ngjashme me atë që ia kemi shpallur atij! Thirrni në ndihmë edhe dëshmitarët tuaj (që i adhuroni) në vend të Allahut, nëse jeni të sinqertë!" (El Bekare, 23)
Kurani i madhërishëm është mrekullia e vetme që ka mbetur ndër mrekullitë e profetëve deri sot. Profeti (paqja qoftë mbi të!) ndërroi jetë në moshën 63 vjeçare dhe u varros në Medinën Profetike, pasi feja ishte përsosur dhe ai e kishte kumtuar me besnikëri të plotë.
I dërguari Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është vula e profetëve dhe të dërguarve. Allahu i Lartësuar thotë: "Muhamedi nuk është babai i askujt prej burrave tuaj, por është i Dërguari i Allahut dhe vula e profetëve; Allahu është i Gjithëdijshëm për çdo gjë." (El Ahzab, 40) Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shembulli im në krahasim me atë të profetëve të mëparshëm është sikur rasti i një njeriu që ndërton një shtëpi të bukur dhe të hijshme, mirëpo lë mangët një tullë në një qoshe. Kur kalojnë njerëzit aty pari, mbesin të mahnitur, mirëpo edhe thonë: 'Sikur të vendosej edhe kjo tullë!' E, pra, tulla jam unë, e unë jam vula e profetëve.” (E shënon Buhariu, numër 3342) Mesihu (Isai, paqja qoftë mbi të!) ka thënë në Ungjill duke dhënë lajmin e gëzueshëm për profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!): "Gurin që e refuzuan ta vendosin muratorët, tashmë është bërë kreu i qoshes. A thua vallë hiç nuk e keni lexuar nëpër Libra: Jezusi u tha atyre nga ana e Zotit: 'Kjo ishte dhe është e çuditshme në sytë tanë!'). Në Librin e Teuratit të sotëm është përcjellë fjala e Allahut thënë Musait (alejhi selam): "Unë do u caktoj atyre një profet nga mesi i vëllezërve të tyre sikur ti, dhe Fjalën Time do ta vendos në gojën e tij dhe ai do t’u flasë atyre gjithçka me të cilën e porosis)."
Allahu i Lartësuar e dërgoi profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!) me udhëzimin e drejtë dhe fenë e vërtetë. Po ashtu Allahu dëshmoi se ai është në të vërtetën dhe se e dërgoi si thirrës, që i fton njerëzit në rrugën e Allahut me urdhrin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Por Allahu dëshmon për atë që të ka shpallur ty (o Muhamed), se Ai ta ka shpallur atë me dijeninë e Tij; po ashtu edhe engjëjt dëshmojnë për këtë. Allahu është i mjaftueshëm si dëshmitar." (En Nisa, 166) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me Udhëzimin dhe fenë e vërtetë, për ta ngritur atë mbi të gjitha fetë. Allahu mjafton si dëshmitar!" (El Fet'h, 28) Allahu e dërgoi atë me udhëzimin e drejtë, që njerëzit t’i nxjerrë nga errësirat e idhujtarisë, mosbesimit e injorancës për në dritën e monoteizmit dhe besimit. Allahu i Lartësuar thotë: "Përmes tij Allahu i drejton ata që ecin me pëlqimin e Tij, në rrugën e shpëtimit, i nxjerr nga errësira në dritë me lejen dhe vullnetin e Vet dhe i shpie në rrugën e drejtë." (El Maide, 16) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Elif Lâm Râ. Këtë Libër ta kemi shpallur ty (o Muhamed), për t’i nxjerrë njerëzit, me lejen e Zotit të tyre, nga errësira në dritë, në rrugën e të Plotfuqishmit, të Denjit për çdo lavd." (Ibrahim, 1)
26. Ligji islam me të cilin ka ardhur profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është vula e mesazheve dhe legjislacioneve hyjnore. Ai është ligj i përsosur, në të cilin gjendet mbarëvajtja e fesë dhe e jetës së njerëzve. Ai i jep prioritet mbrojtjes së: fesë, jetës, pasurisë, arsyes dhe pasardhësve. Ky ligj është shfuqizues i çdo legjislacioni të mëparshëm, ashtu siç legjislacionet e mëhershme kanë shfuqizuar njëri-tjetrin.
26. Ligji islam me të cilin është dërguar profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është vula e mesazheve dhe legjislacioneve hyjnore. Allahu nëpërmjet këtij mesazhi e përsosi fenë dhe e plotësoi dhuntinë ndaj njerëzve me dërgimin e profetit Muhamed. Allahu i Lartësuar thotë: "Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (El Maide, 3)
Ai është ligj i përsosur dhe është i përshtatshëm për fenë dhe jetën e njerëzve. Ai përmban çdo gjë që kishte në legjislacionet e mëparshme, duke i përsosur dhe plotësuar ato. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh." (El Isra, 9) Ligji islam ua hoqi njerëzve barrën e rëndë që rëndonte mbi popujt e mëhershëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin e pashkolluar, të cilin ata e gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barra e rëndë dhe vargonjtë që rëndonin mbi ta. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (El Araf, 157)
Ligji islam ka shfuqizuar çdo legjislacion të mëparshëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne të kemi zbritur ty (o Muhamed) Librin me të vërtetën, si përmbushës të shkrimeve të mëparshme dhe mbrojtës të tyre. Prandaj gjykoji ata sipas asaj që të ka zbritur Allahu dhe mos ndiq dëshirat e tyre, duke u shmangur kështu nga e Vërteta që të është shpallur. Ne për secilin nga ju kemi caktuar një ligj dhe një rrugë të qartë. Sikur të donte Allahu, do t’ju kishte bërë një popull të vetëm, por Ai kërkon që t’ju provojë në atë që ju ka dhënë, andaj garoni për punë të mira! Të gjithë do të ktheheni te Allahu e Ai do t’ju lajmërojë për çështjet, rreth të cilave kishit kundërshti." (El Maide, 48) Kurani fisnik që e ngërthen në vetvete sheriatin, ka ardhur si vërtetues i librave të mëparshëm hyjnorë, gjykues dhe shfuqizues i tyre.
27. Allahu i Lartmadhëruar nuk pranon tjetër fe përveç fesë islame, me të cilën u dërgua Muhamedi (paqja qoftë mbi të!). Kësisoj, kush përqafon tjetër fe tjetër përveç Islamit, nuk do t’i pranohet.
Allahu i Lartmadhëruar pas dërgimit të Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) nuk pranon tjetër fe tjetër përveç Islamit që solli profeti Muhamed. Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur." (Ali Imran, 85) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami. Ata që u është dhënë Libri, patën mospajtime nga zilia që kishin midis tyre, vetëm pasi u erdhi dituria. Por kushdo që i mohon udhëzimet e Allahut, ta dijë se Allahu është i shpejtë në llogari." (Ali Imran, 19) Ky Islam është mileti (feja) e Ibrahimit (alejhi selem), mikut të ngushtë (të Allahut). Allahu i Lartësuar thotë: "Fesë së Ibrahimit i shmanget vetëm ai që është mendjelehtë. Ne e zgjodhëm atë në këtë botë, kurse në botën tjetër ai do të jetë ndër të mirët." (El Bekare, 130) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës dhe zbatues i fesë së pastër të Ibrahimit, të cilin Allahu e zgjodhi për mik të ngushtë?!" (En Nisa, 125) Allahu e urdhëroi profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!) të thotë: "Thuaj: 'Me të vërtetë, Zoti im më ka udhëzuar në rrugë të drejtë, në fenë e vërtetë, fenë e drejtë të Ibrahimit besimpastër, i cili nuk ka qenë adhurues i idhujve'." (El Enam, 161)
28. Kurani fisnik është Libri që Allahu ia shpalli Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!). Ai është fjalë e Zotit të botëve. Allahu i sfidoi njerëzit dhe xhinët që të sjellin një të ngjashëm me të ose të sjellin një sure të ngjashme si të tij; ky sfidim vazhdon të jetë edhe sot. Kurani fisnik u jep përgjigje pyetjeve të rëndësishme të shumta, që kanë hutuar miliona njerëz. Kurani i madhërishëm është i ruajtur deri më sot në gjuhën arabe në të cilën ka zbritur. Atij nuk i mungon asnjë shkronjë. Ai është i botuar dhe i shpërndarë. Ai është libër madhështor, i paimitueshëm (muxhiz). Ai është i denjë për t’u lexuar, ose për t’i lexuar përkthimet e kuptimeve të tij. Gjithashtu, Suneti (tradita) e profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!), mësimet e jetëshkrimi i tij janë të ruajtura e të përcjella nëpërmjet zinxhirit të transmetuesve të besueshëm. Koleksionet e haditheve janë të botuara në gjuhën arabe me të cilën ka folur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) dhe janë të përkthyera në gjuhë të shumta. Kurani fisnik dhe Suneti i të Dërguarit (paqja qoftë mbi të!) janë burimi i vetëm i dispozitave dhe ligjeve të Islamit. Islami nuk merret nga veprimet e individëve që i atribuohen atij, por merret nga shpallja hyjnore: Kurani i madhërishëm dhe Suneti profetik.
Kurani fisnik është Libri që Allahu ia shpalli profetit arab, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) në gjuhën arabe. Ai është fjalë e Zotit të botëve. Allahu i Lartësuar thotë: "Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallje e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili) në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. Në gjuhën e qartë arabe." (Es Shuara, 192-195) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, ty (o Muhamed) po të shpallet Kurani nga ana e të Urtit të Gjithëdijshëm!" (En Neml, 6) Kurani ka zbritur prej Allahut dhe është vërtetues i librave hyjnorë që i kanë paraprirë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ky Kuran nuk është i tillë që të mund të bëhej prej dikujt tjetër veç Allahut. Përkundrazi, ai është vërtetues i shpalljeve të mëparshme dhe shpjegues i Librit, nuk ka asnjë dyshim se ai është zbritur nga Zoti i botëve!" (Junus, 37) Kurani i madhërishëm gjykon në shumicën e çështjeve në të cilat nuk pajtoheshin hebrenjtë dhe të krishterët rreth fesë së tyre. Allahu i Lartësuar thotë: "Njëmend, ky Kuran u tregon bijve të Izraelit shumë nga çështjet, për të cilat nuk pajtoheshin." (En Neml, 76) Kurani i madhërishëm ngërthen në vete argumente dhe prova (të mjaftueshme), që shërbejnë për përmbushjen e argumentit ndaj gjithë njerëzimit, sa i përket njohjes së të vërtetave që lidhen me Allahun e Lartmadhërishëm, fenë dhe shpërblimin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, Ne u kemi sjellë njerëzve shembuj në këtë Kuran për çdo gjë, që ata të ndërgjegjësohen." (Ez Zumer, 27) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ne ta zbritëm ty Librin, si shpjegim për çdo çështje, si udhërrëfyes, si mëshirë dhe si lajm të mirë për muslimanët." (En Nahl, 89)
Kurani fisnik u jep përgjigje pyetjeve të rëndësishme të shumta, që kanë çoroditur miliona njerëz. Për shembull, Kurani e sqaroi se si Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën. Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk e dinë mohuesit se qiejt dhe Toka kanë qenë një e tërë? Pastaj Ne i ndamë dhe bëmë nga uji çdo gjë të gjallë! Akoma nuk besojnë?!" (En Enbija, 30) Gjithashtu e sqaroi se si Allahu e krijoi njeriun. Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, mendoni si Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkës së gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, (ua sqarojmë këto detaje) për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e lëmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do të arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo gjallërohet dhe fryhet dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme." (El Haxh, 5) Cili është fundi i njeriut dhe çfarë shpërblimi do të marrë punëmiri e punëkeqi pas kësaj jete? Argumente rreth kësaj çështjeje janë përmendur më lart, në paragrafin numër 20. Kjo ekzistencë a erdhi rastësisht apo ka ardhur për një qëllim fisnik? Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që ka krijuar Allahu, dhe a nuk mendojnë se mund t’u jetë afruar fundi?! Në çfarë Shpallje tjetër do të besojnë pas kësaj?!" (El Araf, 185) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!” (El Muminun, 115)
Kurani është i ruajtur deri sot nëpërmjet gjuhës arabe në të cilën ka zbritur. Allahu i Lartësuar thotë: "Sigurisht, Ne e kemi shpallur Kuranin dhe, sigurisht, Ne do ta ruajmë atë." (El Hixhr, 9) Atij nuk i mungon asnjë shkronjë. Dhe është e pamundur që në Kuran të ketë kontradiktë, mangësi apo ndryshime. Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk meditojnë ata për Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të shumë kundërthënie." (En Nisa, 82) Kurani është i botuar dhe i shpërndarë. Ai është libër madhështor, i paimitueshëm (muxhiz). Meriton të lexohet dhe dëgjohet me vëmendje, qoftë teksti origjinal ose përkthimi i kuptimeve të tij. Po ashtu, Suneti (tradita) e profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!), mësimet e jetëshkrimi i tij janë të ruajtura e të përcjella nëpërmjet zinxhirit të transmetuesve të besueshëm. Koleksionet e haditheve janë të botuara në gjuhën arabe, të cilat i ka folur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) dhe janë të përkthyera në gjuhë të shumta të botës. Kurani fisnik dhe Suneti i të Dërguarit (paqja qoftë mbi të!) janë burimi i vetëm i dispozitave dhe ligjeve të Islamit. Islami nuk merret nga veprimet e individëve që i atribuohen atij, por merret nga shpallja e ruajtur hyjnore: Kurani i madhërishëm dhe Suneti profetik. Allahu i Lartësuar, në lidhje me Kuranin, thotë: "Ata që e mohojnë këshillën Tonë, kur u vjen, (janë në humbje). Ai është vërtet një Libër i madhërishëm. Nuk i afrohet e kota as nga para as nga prapa. Është zbritje nga i Urti, i Lavdëruari." (Fusilet, 41-42) Allahu i Lartësuar në lidhje me Sunetin profetik, duke treguar se ai është shpallje prej Allahut, thotë: "Çfarëdo që t’ju japë i Dërguari, merreni atë, e çfarëdo që t’ju ndalojë, hiqni dorë prej saj. Frikësojuni Allahut, sepse Allahu dënon vërtet ashpër!" (El Hashr, 7)
29. Islami urdhëron që të sillemi mirë me prindërit, edhe nëse nuk janë muslimanë. Gjithashtu urdhëron të kujdesemi për fëmijët.
Islami urdhëron që të sillemi mirë me prindërit. Allahu i Lartësuar thotë: "Zoti yt ka urdhëruar, që të mos adhuroni askënd tjetër përveç Atij dhe, që të silleni mirë me prindërit. Nëse njëri prej tyre ose të dy arrijnë pleqërinë te ti, mos u thuaj atyre as “uh!”, mos i kundërshto, por thuaju atyre me fjalë të mira!" (El Isra, 23) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ne e kemi urdhëruar njeriun që t’i nderojë prindërit e vet. Nëna e ka mbartur atë, duke duruar mundim pas mundimi, e ndarja e tij (nga gjiri) është brenda dy vjetësh. Andaj: 'Bëhu falënderues ndaj Meje dhe prindërve të tu! Tek Unë do të ktheheni të gjithë!'." (Lukman, 14) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Njeriun e kemi porositur të jetë i sjellshëm ndaj prindërve të vet. Nëna e mbart atë në bark me mund dhe me mund e lind. Ai mbartet në bark dhe ushqehet me gji për tridhjetë muaj dhe, kur arrin në moshën e burrërisë e i mbush dyzet vjet, ai thotë: 'O Zoti im! Më frymëzo që të të falënderoj për begatitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur! Më dhuro pasardhës të mirë! Tek Ti kthehem i penduar dhe Ty të dorëzohem!'." (El Ahkaf, 15) Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Një burrë vajti te Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) e i tha: 'O i Dërguari i Allahut! Kush e meriton më së shumti shoqërinë time të sinqertë?' Pejgamberi i tha: 'Nëna jote!' Ai pyeti: 'Pastaj kush?' Ai tha: 'Nëna jote!' Ai pyeti: 'Pastaj kush?' Ai tha: 'Nëna jote!' Pyeti sërish: 'Pastaj kush?' Pejgamberi (paqja qofë mbi të!) ia ktheu: 'Pastaj babai yt!'." (Sahihu i Muslimit, nr. 2548)
Ky urdhër thekson se duhet të sillemi mirë me prindërit, qofshin muslimanë, qofshin jomuslimanë. Esma, e bija e Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), tregon: "Gjatë kohës kur kurejshët lidhën marrëveshje paqeje dhe armëpushimi me Pejgamberin (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!), erdhi nëna ime idhujtare me djalin e saj (në një version tjetër: me babain e saj), kështu që i thashë Pejgamberit: 'Nëna ime ka ardhur tek unë dhe dëshiron të më takojë, a t’i mbajë lidhjet me të?!' Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ia ktheu: 'Po, mbaji lidhjet me nënën tënde!'." (E shënon Buhariu, nr. 5634) Nëse prindërit përpiqen dhe orvaten që fëmija të kalojë nga Islami në mosbesim (kufër), Islami në këtë gjendje e urdhëron fëmijën që të mos i dëgjojë, por t'i përmbahet besimit të tij në Allahun, dhe njëkohësisht t’u bëjë mirë atyre dhe të sillet me ta njerëzishëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse ata të orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju informoj për atë që keni bërë!" (Lukman, 15)
Islami nuk e ndalon muslimanin t'u bëjë mirë të afërmve të tij idhujtarë, apo edhe të tjerëve që nuk i ka të afërm, kur ata nuk e luftojnë atë. Allahu i Lartësuar ka thënë: "Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët." (El Mumtehine, 8)
Islami urdhëron të kujdesemi për fëmijët. Gjëja më e madhe që Islami e urdhëron prindin është t’ua mësojë fëmijëve të drejtat e Zotit që ata i detyrohen Atij, siç e porositi i Dërguari (paqja qoftë mbi të!) djalin e xhaxhait të tij, Abdullah ibn Abasin (Allahu qoftë i kënaqur me të!): "O djalosh! A të t’i mësoj disa fjalë, me të cilat Allahu do të të sjellë dobi?" Thashë: 'Posi jo!' Më tha: 'Ruaje Allahun, që Ai të të ruajë ty! Ruaje Allahun, që ta kesh para vetes. Njihe Atë kur të jesh në rehati, që të të njohë kur të jesh në vështirësi! Kur të lypësh, lypi Allahut e, kur të kërkosh ndihmë, kërko nga Allahu!'." (E shënon Ahmedi, 4/287)
Allahu i urdhëroi prindërit që t’u mësojnë fëmijëve të tyre dije që u sjell dobi në çështjet e kësaj bote dhe në çështjet e fesë. Allahu i Lartësuar thotë: "O ju, që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, lënda djegëse e të cilit janë njerëzit dhe gurët. Atë e mbikëqyrin engjëj të fuqishëm e të ashpër, të cilët nuk i kundërshtojnë urdhrat e Allahut, dhe e bëjnë atë që i urdhërohet!" (Et Tahrim, 6) Përcillet se Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) për ajetin: "Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri" ka thënë: “Edukojini fëmijët dhe mësojini ata!” Gjithashtu i Dërguari (paqja qoftë mbi të!) e urdhëroi prindin që t’ia mësojë fëmijës namazin, në mënyrë që ai të edukohet e të rritet me të. Ai ka thënë: “Urdhërojini fëmijët tuaj të falin namazin kur të jenë shtatë vjeç!” (E shënon Ebu Davudi, nr. 495) Ai (paqja qoftë mbi të!) gjithashtu ka thënë: "Secili prej jush është bari (përgjegjës), andaj secili do të japë llogari për kopenë e vet. Prijësi është bari dhe është përgjegjës për kopenë e tij. Burri është bari për familjen e tij, ndaj do të japë llogari për të. Gruaja është bareshë për shtëpinë e burrit të vet, ndaj do të pyetet për të. Shërbëtori është bari për pasurinë e zotërisë së vet, ndaj do të pyetet për të. Pra, secili është bari dhe secili do të pyetet për kopenë (përgjegjësinë) e vet!" (E shënojnë Ibn Hibbani nr. 4490, Buhariu nr. 2768 dhe Muslimi nr. 1829)
Islami e urdhëron prindin që të shpenzojë për fëmijët dhe familjen. Lidhur me këtë temë kemi folur më herët në paragrafin numër 18. I Dërguari (paqja qoftë mbi të!), duke theksuar vlerën e shpenzimit për fëmijët, është shprehur: "Dinari më i mirë që e shpenzon njeriu është: dinari që ai e shpenzon për familjen e tij, si dhe dinari që ai e shpenzon për kafshën e tij (të luftës) në rrugë të Allahut dhe dinari që e shpenzon për shokët e tij në rrugë të Allahut. Ebu Kilabe ka thënë: 'Pejgamberi përmendi në fillim fëmijët dhe familjen.' Pastaj Ebu Kilabe tha: 'Cili njeri ka shpërblim më të madh se ai që shpenzon për fëmijët e tij të vegjël, duke i ruajtur ata (nga lypja), dhe duke qenë i dobishëm për ta e duke ua plotësuar nevojat?!'" (E shënon Muslimi, nr. 994)
30. Islami urdhëron drejtësi në fjalë dhe në vepër, madje edhe me armiqtë.
Allahu i Lartmadhërishëm karakterizohet nga drejtësia në veprimet e Tij dhe në planifikimin e çështjeve të robërve të Tij. Ai është në udhë të drejtë kur urdhëron dhe kur ndalon, kur krijon dhe kur cakton. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër përveç Tij, i Cili mban drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit." (Ali Imran, 18) Allahu urdhëron dejtësi. Ai thotë: "Thuaj: 'Zoti im urdhëron drejtësi!'" (El Araf, 29) Të gjithë profetët dhe të dërguarit erdhën për të predikuar drejtësinë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne i çuam të dërguarit Tanë me prova të qarta dhe bashkë me ta zbritëm Librat (e shenjtë) dhe peshoren (e drejtësisë): që njerëzit të veprojnë drejt." (El Hadid: 25) Peshorja e përmendur në ajet ka për qëllim drejtësinë në fjalë dhe vepra.
Islami urdhëron drejtësi në fjalë dhe në vepër, madje edhe me armiqtë. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Bëhuni zbatues të palëkundur të drejtësisë, duke dëshmuar në emër të Allahut, qoftë edhe kundër jush ose kundër prindërve dhe të afërmve tuaj. Qoftë i pasur ose i varfër ai (për të cilin dëshmoni), Allahu ka më shumë përparësi për ta. Dhe mos shkoni pas epsheve tuaja e të shtrembëroni drejtësinë! Nëse ju manipuloni dëshminë ose i shmangeni asaj, vërtet që Allahu e di se çfarë bëni ju!" (En Nisa, 135) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe, të mos ju nxisë urrejtja ndaj disa njerëzve, që ju penguan të vizitoni Qabenë, që t’i sulmoni! Bashkëpunoni me njëri-tjetrin në punë të mira dhe në ruajtjen nga të këqijat dhe mos bashkëpunoni në gjynahe dhe armiqësi! Frikësojuni Allahut, sepse Ai dënon ashpër!" (El Maide, 2) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Mos lejoni t'ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë!" (El Maide, 8) A gjen në ligjet e popujve sot ose në fetë e njerëzve diçka të ngjashme me këtë urdhër për të qenë i drejtë në dëshmi dhe për ta thënë fjalën e vërtetë edhe kundër vetes, prindërve e të afërmve?! A gjen ndonjë urdhër si ky për të qenë i drejtë me mikun e me armikun?!
I Dërguari (paqja qoftë mbi të!) ka urdhëruar të mbahet drejtësi ndërmjet fëmijëve. Nga Amiri përcillet se ka thënë: "E kam dëgjuar Numan ibn Beshirin (Allahu qoftë i kënaqur me të!), duke ligjëruar në minber, ku ndër të tjera tha: 'Babai im më dhuroi diçka, por (nëna ime) Amra, e bija e Ravahës, tha: 'Nuk pranoj kështu pa dëshmuar edhe Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!).' Kështu, ai shkoi te Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) dhe i tha: 'Djalit tim, që e kam prej Amrës, së bijës së Ravahës, i kam dhënë diçka, por ajo më kërkoi të marr dëshminë tënde lidhur me këtë veprim, o i Dërguari i Allahut!' Pejgamberi e pyeti: 'U ke dhënë edhe fëmijëve të tjerë diçka të tillë?' Ai tha: 'Jo.' Pejgamberi tha: 'Frikojuni Allahut dhe jini të drejtë ndaj fëmijëve tuaj!' Numani tregon se i ati u kthye dhe e mori mbrapsht dhuratën që ia kishte dhënë!'." (E shënon Buhariu, nr. 2587)
Drejtësia është e rëndësishme sepse pa të nuk kanë mbarëvajtje çështjet e njerëzve dhe shteteve. Pa të njerëzit nuk janë të sigurt në fenë, jetën, fëmijët, nderin, pasurinë e vatanin e tyre. Prandaj, shohim se atëherë kur jobesimtarët mekas ua ngushtuan jetën muslimanëve në Mekë, i Dërguari (paqja qoftë mbi të!) i urdhëroi të emigrojnë në Abisini (Etiopi) dhe tha se në Abisini ndodhet një mbret i drejtë, tek i cili askujt nuk i bëhet padrejtësi.
31. Islami i urdhëron muslimanët të jenë bamirës me krejt krijesat dhe predikon virtytet e larta morale dhe punët e mira.
Islami i urdhëron muslimanët të jenë bamirës me krejt krijesat. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Allahu urdhëron për drejtësi, mirësi dhe ndihmë për të afërmit..." (En Nahl, 90) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata të cilët japin lëmoshë edhe kur janë në mirëqenie, edhe kur janë në vështirësi, e mposhtin zemërimin dhe ua falin fajet njerëzve. Allahu i do bamirësit." (Ali Imran, 134) I dërguari Muhamed (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Allahu ka urdhëruar që ndaj çdo gjëje të silleni me mirësi, ndaj kur të vritni, bëjeni vrasjen në mënyrën më të mirë, e, kur të therni, bëjeni therjen në mënyrën më të mirë, çdonjëri le ta mprehë mirë tehun e thikës dhe le ta qetësojë kafshën!" (E shënon Muslimi, nr. 1955)
Islami predikon virtytet e larta morale dhe punët e mira. Duke e përshkruar profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!) në librat e mëparshëm, Allahu thotë: "Ata që ndjekin të Dërguarin Tonë, profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barra e rëndë dhe vargonjtë që rëndonin mbi ta. Prandaj, ata që do ta besojnë, përkrahin dhe nderojnë atë, duke ndjekur dritën që është zbritur me të, pikërisht ata janë të fituarit.” (El Araf, 157) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Oj Aishe, Allahu është i butë dhe jep nëpërmjet butësisë atë që nuk e jep nëpërmjet ashpërsisë ose nëpërmjet çdo gjëje tjetër." (E shënon Muslimi, nr. 2593) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu jua ka ndaluar mosrespektimin e nënave, varrosjen e bijave për së gjalli, privimin e të tjerëve nga pasuria dhe lypjen pa të drejtë, si dhe urren thashethemet, pyetjet e shumta dhe shpërdorimin e pasurisë.” (E shënon Buhariu, nr. 2408) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Nuk keni për të hyrë në Xhenet derisa të besoni, nuk keni për të besuar derisa të duheni mes vete. A t’ju tregoj për një gjë, që, nëse e bëni, do të duheni ndërmjet vete? Përhapeni selamin në mesin tuaj!" (E shënon Muslimi, nr. 54)
32. Islami na urdhëron të përvetësojmë virtytet e mira, si: çiltërsia, ruajtja e amanetit, ndershmëria, turpi, trimëria, dhënia, bujaria, ndihma ndaj nevojtarit, solidarizimi me të sprovuarin, dhënia ushqim të uriturve, fqinjësia e mirë, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe butësia me kafshët.
Islami na urdhëron të përvetësojmë virtytet e mira. I Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) ka thënë: “Jam dërguar të përsos virtytet e mira.” (“Sahihul Edebil Mufred”, 207) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i dashuri prej jush tek unë dhe më i afërti me mua në kuvend në Ditën e Gjykimit është ai që ka moral më të mirë. Ndërkaq, më i urryeri prej jush tek unë dhe më i largëti me mua në kuvend në Ditën e Gjykimit janë llomotitësit, llafazanët dhe mutefejhikunët. I thanë: 'E dimë cilët janë llomotitësit e llafazanët, po mutefejhikunët cilët janë?' Ai u përgjigj: 'Mendjemëdhenjtë.'" (“Es Silsiletu es Sahiha”, 791) Nga Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) përcillet se ka thënë: "Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) nuk ka qenë i pamoralshëm në të folur e as në sjellje." Ai thoshte: “Më i miri prej jush është ai që e ka moralin më të mirë.” (E shënon Buhariu, nr. 3559) Ka edhe ajete e hadithe të tjera që tregojnë se Islami inkurajon përvetësimin e virtyteve të larta morale dhe veprave të bukura në mënyrë të përgjithshme.
Prej gjërave që Islami na urdhëron të përvetësojmë është çiltërsia. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Jini të çiltër, se vërtet çiltërsia udhëzon drejt mirësisë e mirësia udhëzon drejt Xhenetit. Njeriu vazhdon të jetë i çiltër dhe t’i përmbahet çiltërsisë derisa të shkruhet tek Allahu 'Njeri tejet i çiltër.'." (E shënon Muslimi, nr. 2607)
Prej gjërave që Islami na urdhëron të përvetësojmë është dhe ruajtja e amanetit dhe dorëzimi i amanetit atij të cilit i takon. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu ju urdhëron që amanetet t’ua ktheni atyre që u përkasin!" (En Nisa, 58)
Prej gjërave që Islami na urdhëron të përvetësojmë është dhe ndershmëria. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu ia ka bërë detyrë Vetes t’u ndihmojë tre personave...” - ndër të cilët përmendi: 'Atë që dëshiron të martohet duke synuar ndershmërinë.'" (E shënon Tirmidhiu, nr. 1655) Prej lutjeve që i Dërguari (paqja qoftë mbi të!) i bënte ishte: "O Allah, unë kërkoj prej Teje udhëzimin, devotshmërinë, ndershmërinë dhe pavarësinë!" (E shënon Muslimi, nr. 2721)
Prej virtyteve që Islami na urdhëron të përvetësojmë është dhe turpi. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Turpi sjell vetëm mirësi.” (E shënon Buhariu, nr. 6117) Ndërkaq, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Çdo fe ka një virtyt të veçantë, e virtyti i veçantë i Islamit është turpi.” (E shënon Bejhekiu në “Shuabul iman”, 6/2619)
Prej virtyteve që Islami na urdhëron të përvetësojmë është dhe trimëria. Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ishte njeriu më i mirë, më trimi dhe më bujari nga të gjithë. Njëherë, kur banorët e Medinës u frikësuan (nga një zhurmë e madhe që dëgjuan), Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) nxitoi para të gjithëve i hipur në një kalë (për të verifikuar nëse u kanosej ndonjë rrezik)." (E shënon Buhariu, nr. 2820) I Dërguari (paqja qoftë mbi të!) i kërkonte mbrojtje Allahut ta ruante nga burracakëria, dhe thoshte: “O Allah! Kërkoj të më mbrosh nga burracakëria!” (E shënon Buhariu, nr. 6374)
Prej virtyteve që Islami na urdhëron të përvetësojmë është dhënia dhe bujaria. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që shpenzojnë pasurinë e vet në rrugë të Allahut, i shëmbëllejnë atij që mbjell një kokërr nga e cila dalin shtatë kallinj, ku secili kalli ka nga njëqind kokrra. Allahu ia shton (shpërblimin) edhe më tepër kujt të dëshirojë; Allahu është Mirëbërës i madh dhe i Gjithëdijshëm." (El Bekare, 261) Bujaria ishte virtyti i të Dërguarit (paqja qoftë mbi të!). Ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) ka thënë: “Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka qenë njeriu më bujar në vepra të mira, e bujaria e tij arrinte kulmin gjatë Ramazanit, kur e takonte Xhibrilin. Xhibrili e takonte çdo natë Ramazani, deri në fund, dhe Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ia lexonte atij Kuranin. Gjatë kohës sa takohej me Xhibrilin, bëhej më bujar në vepra të mira sesa era e begatë.” (E shënon Buhariu, nr. 1902)
Prej virtyteve që Islami na urdhëron t'i përvetësojmë janë edhe: ndihma ndaj nevojtarit, solidarizimi me të sprovuarit, dhënia ushqim të uriturve, fqinjësia e mirë, mbajtja e lidhjeve farefisnore dhe butësia me kafshët. Abdullah ibn Amri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) tregon: "Një person e pyeti Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!): "Cila është vepra më e mirë në Islam?" Ai iu përgjigj: “Të ushqesh të uriturit e të përshëndesësh me selam atë që e njeh dhe atë që nuk e njeh." (E shënon Buhariu, nr.12) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Teksa një burrë ishte duke ecur, e mori etja fort, andaj, pasi që gjeti një pus, zbriti në të dhe piu ujë. Kur doli, pa një qen duke dihatur me gjuhën jashtë, saqë po hante dhé nga etja. Atëherë tha me vete: 'E paska marrë etja siç më pati marrë mua.' Kështu, zbriti në pus, e mbushi këpucën me ujë, e kapi me dhëmbë dhe u ngjit sipër e i dha qenit për të pirë. Allahu e vlerësoi këtë vepër dhe ia fali mëkatet.' Sahabët e pyetën: 'O i Dërguari i Allahut, u shpërblyekemi edhe për kafshët?' Pejgamberi u tha: “Për çdo gjallesë që frymon ka shpërblim.'" (E shënojnë Buhariu nr. 2234, Muslimi nr. 2244 dhe Ibn Hibbani nr. 544) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që kujdeset për vejushën dhe të skamurin është sikurse ai që lufton në rrugën e Allahut, ose sikurse ai që falet natën dhe agjëron ditën.” (E shënon Buhariu, nr. 5353)
Islami thekson të drejtat e farefisit dhe ia obligon besimtarit që t'i mbajë ato. Allahu i Lartësuar thotë: "I Dërguari është më i afërt për besimtarët, sesa ata për njëri-tjetrin; gratë e tij janë (si) nënat e tyre. Sipas Librit të Allahut, pjesëtarët e farefisit janë më të afërt për njëri-tjetrin, sesa besimtarët e tjerë dhe të mërguarit, përveç rastit kur doni t’u bëni ndonjë të mirë miqve tuaj të afërt (me anë të testamentit). Kjo është shënuar në Libër." (El Ahzab, 6) Ai tërheq vërejtjen nga ndërprerja e lidhjeve farefisnore dhe e krahason atë me ngatërresat e trazirat në Tokë. Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse ju (o hipokritë) i ktheni shpinën besimit, atëherë ju do të bënit ngatërresa në Tokë dhe do t’i prishnit lidhjet farefisnore. Këta janë ata, të cilët Allahu i ka mallkuar, i ka bërë të shurdhër dhe ua ka verbuar shikimin." (Muhamed, 22-23) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ka për të hyrë në Xhenet ai që i ndërpret lidhjet farefisnore.” (E shënon Muslimi, nr. 2556) Të afërmit që është obligim t’i mbajmë lidhjet me ta janë: prindërit, vëllezërit, motrat, xhaxhallarët, hallat, dajallarët dhe tezet.
Islami tërheq vëmendjen për të drejtat e fqinjit, edhe nëse është jomusliman. Allahu i Lartësuar thotë: "Adhuroni Allahun dhe mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); silluni mirë me prindërit, të afërmit, jetimët, të varfrit, fqinjët e afërt dhe të largët, me atë që e keni pranë, me udhëtarin dhe me ata që janë robër nën pushtetin tuaj. Në të vërtetë, Allahu nuk i do njerëzit arrogantë e mburravecë!" (En Nisa, 36) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Xhibrili vazhdimisht më porosiste për fqinjin, saqë mendova se do ta bëjë trashëgimtar." (Sahihu i Ebu Davudit, nr. 5152)
33. Islami lejon ushqimet dhe pijet e mira. Urdhëron të pastrohet zemra, trupi dhe banesa. Për këtë arsye e lejon martesën për të cilën pejgamberët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), të cilët porosisin vetëm për gjëra të mira, i porositën popujt e tyre që të martohen.
Islami i lejon ushqimet dhe pijet e mira. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “O ju njerëz, Allahu është i Mirë dhe pranon vetëm atë që është e mirë. Ai i ka urdhëruar besimtarët për atë që ka urdhëruar të dërguarit e Tij dhe ka thënë: “O të dërguar! Hani ushqimet e mira dhe bëni vepra të mira! Unë me të vërtetë, e di mirë çka punoni ju!” Po ashtu ka thënë: “O besimtarë! Hani ushqimet e mira që jua kemi dhënë dhe falënderoni Allahun, nëse vërtet vetëm Atë e adhuroni!” Pastaj (i Dërguari) përmendi një njeri që kishte udhëtuar gjatë, flokëshprishur e i pluhurosur kishte ngritur duart lart duke thënë: "O Zot! O Zot!" Ndërkohë, ushqimi i tij ishte haram (i paligjshëm), veshja e tij ishte haram, pija e tij ishte haram, ishte ushqyer me haram! E si t'i pranohet lutja?!” (E shënon Muslimi, nr. 1015) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'Kush i ka ndaluar stolitë dhe ushqimet e mira, të cilat Ai i ka krijuar për robërit e Vet?' Thuaj: 'Ato janë për besimtarë (dhe të tjerët) në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jenë vetëm për besimtarët. Kështu ua shpjegojmë shpalljet njerëzve që dinë'." (El Araf, 32)
Islami urdhëron që të pastrohet zemra, trupi dhe banesa. Për këtë arsye e lejon martesën për të cilën pejgamberët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), të cilët porosisin vetëm për gjëra të mira, i porositën popujt e tyre që të martohen. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu i ka krijuar për ju gratë nga lloji juaj e nga gratë tuaja ju jep djemtë e nipat dhe ju furnizon me ushqime të mira. A mos vallë, ata besojnë në gënjeshtra dhe mohojnë dhuntitë e Allahut!?" (En Nahl, 72) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Petkat e tua pastroji! Dhe nga ndyrësia largohu!" (El Mudethir, 4-5) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Nuk do të hyjë në Xhenet askush që në zemër ka mendjemadhësi edhe sa një grimcë.” Një i pranishëm tha: 'Ndonjëherë njeriu ka dëshirë që të veshë rroba të bukura e sandale të bukura?' I Dërguari (paqja qoftë mbi të!) ia ktheu: 'Allahu është i Bukur dhe e do bukurinë. Mendjemadhësia nënkupton refuzimin e së vërtetës dhe përbuzjen e njerëzve!'" (E shënon Muslimi, nr. 91)
34. Islami i ndalon bazat e gjërave të paligjshme, si: politeizmi, mosbesimi, adhurimi i idhujve, të folurit për Allahun pa dituri, vrasja e fëmijëve, vrasja e njeriut të pafajshëm, çrregullimet në Tokë, magjia, veprat e turpshme, qofshin ato të hapura, qofshin të fshehta, kurvëria e homoseksualizmi. E ndalon kamatën, ngrënien e ngordhësirës dhe të asaj që është therur për idhujt dhe putat. E ndalon mishin e derrit dhe të gjitha papastërtitë dhe ndyrësitë e ndryshme. E ndalon ngrënien e pasurisë së jetimit dhe e ndalon që të pakësohet në matje dhe peshim të produkteve (artikujve). E ndalon ndërprerjen e lidhjeve farefisnore. Të gjithë pejgamberët dhe profetët i kanë konsideruar të paligjshme këto gjëra.
Islami i ndalon bazat e gjërave të paligjshme, si: politeizmi, mosbesimi, adhurimi i idhujve, të folurit për Allahun pa dituri dhe vrasja e fëmijëve. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju: 'Ejani t’ju lexoj çfarë ju ka urdhëruar Allahu: që të mos i shoqëroni Atij asgjë (në adhurim); që të silleni mirë me prindërit; që të mos vrisni fëmijët tuaj për shkak të varfërisë, sepse Ne ju ushqejmë ju dhe ata; që të mos i afroheni veprave të turpshme, qofshin ato të hapëta apo të fshehta dhe që të mos ia merrni tjetrit jetën, të cilën Allahu e ka shenjtëruar, përveçse kur e kërkon drejtësia (e ligji). Këto ju porosit Ai, me qëllim që të kuptoni. Dhe mos iu qasni pasurisë së jetimit, përveçse në mënyrën më të mirë, derisa të arrijë pjekurinë! Kryejeni drejt matjen dhe peshimin; Ne nuk ngarkojmë askënd përtej mundësisë së tij! Kur të flisni, thoni të vërtetën, qoftë edhe për të afërmit tuaj! Përmbusheni besën e dhënë Allahut! Këto ju porosit Ai që të mos harroni!'." (El Enam, 151-152) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'Me të vërtetë, Zoti im ka ndaluar vetëm punët e pahijshme, qofshin të hapëta ose të fshehta dhe gjynahet, dhunimin pa të drejtë, t’i shoqërohet Allahut (në adhurim) diçka, për të cilën nuk ju ka dhënë kurrfarë të drejte dhe të thoni për Allahun atë që nuk e dini!'." (El Araf, 33)
Islami e ndalon vrasjen e njeriut të pafajshëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Mos ia merrni jetën asnjë njeriu, gjë që Allahu jua ka ndaluar ta bëni, përveçse kur e kërkon e drejta! Nëse dikush vritet padrejtësisht, Ne i kemi dhënë pushtet trashëgimtarit të tij (të kërkojë gjakun). Por edhe ai të mos e teprojë në vrasje, sepse ai është i ndihmuar (nga ligji dhe drejtësia islame)." (El Isra, 33) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe nuk bëjnë imoralitet. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe." (El Furkan, 68)
Islami e ndalon të bëhen çrregullime në Tokë. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe mos bëni çrregullime në Tokë, pasi është vënë rregulli!" (El Araf, 56) Allahu i Lartësuar duke treguar për profetin Shuajb (paqja qoftë mbi të!) ka treguar se ai i tha popullit të tij: "O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni zot tjetër përveç Tij! Ju ka ardhur një provë e qartë nga Zoti juaj. Plotësoni masën dhe peshën dhe mos ua pakësoni njerëzve gjërat e tyre dhe mos bëni shkatërrime në tokë pasi është vënë rendi. Kjo është më mirë për ju nëse jeni besimtarë!" (El Araf, 85)
Islami e ndalon magjinë. Allahu i Lartësuar thotë: "Hidhe atë që mban në dorën e djathtë: do të gëlltisë gjithçka që kanë bërë ata, sepse ajo që kanë bërë ata, është vetëm një truk magjistari; e, magjistari nuk do të ketë sukses kudo që të gjendet!" (Taha, 69) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese!” Të pranishmit thanë: 'O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato?' Pejgamberi tha: “Shirku (politeizmi), sihri (magjia), vrasja padrejtësisht e atij që e ka ndaluar Allahu, përdorimi i kamatës, ngrënia e pasurisë së jetimit, ikja nga fronti i luftës, shpifja për gratë e ndershme, besimtare e të pastra!" (E shënon Buhariu, nr. 6857)
Islami i ndalon veprat e turpshme, qofshin ato të hapura, qofshin të fshehta, amoralitetin e homoseksualizmin. Në fillim të këtij paragrafi janë përmendur ajetet që bëjnë fjalë për këtë. Gjithashtu Islami e ndaloi kamatën. Allahu i Lartësuar thotë: "O ju që keni besuar! Ta keni frikë Allahun dhe hiqni dorë nga kamata, nëse jeni besimtarë të vërtetë! Nëse nuk e bëni këtë, atëherë iu është shpallur luftë nga Allahu dhe i Dërguari i Tij. Nëse pendoheni, atëherë ju takon kapitali fillestar. Në këtë mënyrë, nuk dëmtoni askënd e as nuk dëmtoheni vetë!" (El Bekare, 278-279) Allahu nuk ka kërcënuar asnjë mëkatar duke i shpallur luftë siç e ka kërcënuar përdoruesin e kamatës, për faktin se kamata çon në shkatërrimin e fesë, vatanit, pasurisë dhe vetes.
Islami e ndalon ngrënien e ngordhësirës dhe të kafshës që është therur për idhujt dhe putat. Po ashtu e ndalon mishin e derrit. Allahu i Lartësuar thotë: "Është e ndaluar për ju ngrënia e cofëtinës, e gjakut, e mishit të derrit, e mishit të kafshës që është therur jo në emër të Allahut, e mishit të kafshës së mbytur, e mishit të kafshës që është rgoditur dhe ka ngordhur, e mishit të kafshës që është vrarë nga rrëzimi apo nga brirët e kafshëve të tjera, e mishit të asaj që është kafshuar nga egërsirat - përveç atyre kafshëve që i therni para se të ngordhin. Gjithashtu, është e ndaluar për ju edhe ngrënia e mishit të kafshëve që janë therur për nder të idhujve, si dhe është e ndaluar që ju të kërkoni fatin në fall. Të gjitha këto që u përmendën, janë gjynah." (El Maide, 3)
Islami e ndalon konsumimin e alkoolit dhe të gjitha ndyrësitë e papastërtitë. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Me të vërtetë, pijet alkoolike, bixhozi, idhujt dhe shigjetat e fallit janë vepra të ndyta nga punët e djallit. Prandaj, largohuni nga ato, me qëllim që të shpëtoni! Vërtet, djalli me pije alkoolike dhe me bixhoz kërkon që të fusë midis jush armiqësi e urrejtje dhe t’ju largojë nga të kujtuarit e Allahut dhe kryerja e namazit. Prandaj, a po hiqni dorë?!" (El Maide, 90-91) Në paragrafin 31 është përmendur përshkrimi i Allahut të Lartësuar se prej cilësive të të Dërguarit (paqja qoftë mbi të!) të përmendura në Teurat është se ua ndalon atyre të këqijat. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që ndjekin të Dërguarin Tonë, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë të mirat e do t’ua ndalojë të këqijat, duke i liruar nga barra e rëndë dhe vargojtë që rëndojnë mbi ta." (El Araf, 157)
Islami e ndalon ngrënien e pasurisë së jetimit. Allahu i Lartësuar thotë: "Jepuni pasurinë jetimëve, mos ua ndërroni sendet e tyre të mira me sendet e tua të këqija. Mos e harxhoni pasurinë e tyre duke e përzier me pasurinë tuaj. Se kjo, me të vërtetë, është gjynah i madh!" (En Nisa, 2) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, ata që shpenzojnë pasurinë e jetimit pa të drejtë, vetëm mbushin barkun e tyre me zjarr dhe ata do të digjen në zjarrin flakërues." (En Nisa, 10)
Islami ndalon mashtrimin në matjen dhe peshimin e produkteve (artikujve). Allahu i Lartësuar thotë: "Mjerë për ata që hanë në peshë (dhe matje), që, kur masin për veten, e marrin masën të plotë, ndërsa, kur u masin të tjerëve me litër ose me kandar, ua pakësojnë. A nuk mendojnë ata se do të ringjallen!?" (El Mutafifin, 1-4)
Islami ndalon të ndërpriten lidhjet farefisnore. Në paragrafin 31 janë përmendur ajetet dhe hadithet që flasin për këtë. Të gjithë pejgamberët dhe profetët i konsideruan haram të gjitha këto gjëra.
35. Islami e ndalon moralin e keq, siç është: gënjeshtra, mashtrimi, pabesia, tradhtia, hilja, zilia, intriga, vjedhja, dhuna, padrejtësia si dhe çdo ves i pistë.
Islami e ndalon moralin e keq në mënyrë të përgjithshme. Allahu i Lartësuar thotë: "Mos i trajto njerëzit me nënçmim dhe mos ec në tokë me mendjemadhësi, se Allahu nuk i do mendjemëdhenjtë e mburracakët!" (Lukman, 18) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Më i dashuri prej jush tek unë dhe më i afërti me mua në kuvend në Ditën e Gjykimit është ai që ka moal më të mirë, kurse më i urryeri prej jush tek unë dhe më i largëti nga unë në kuvend në Ditën e Gjykimit janë llomotitësit, llafazanët dhe mutefejhikunët. Thanë: 'E dimë cilët janë llomotitësit e llafazanët, po mutefejhikunët cilët janë?' Ai u përgjigj: 'Mendjemëdhenjtë.'" (Es Silsiletu es Sahiha, 791)
Islami e ndalon gënjeshtrën. Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, Allahu nuk e udhëzon në rrugë të drejtë atë që e tepron me të këqija dhe është gënjeshtar." (Gafir, 28) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Ruajuni gënjeshtrës, sepse gënjeshtra shpie në shthurje, ndërsa shthurja shpie në Zjarr. Njeriu vazhdon të gënjejë dhe ta synojë gënjeshtrën, derisa të shkruhet gënjeshtar i madh tek Allahu!" (E shënon Muslimi, nr. 2607) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Shenjat e hipokritit janë tri: kur flet, gënjen; kur premton, nuk e mban premtimin; kur i besohet, tradhton.” (E shënon Buhariu, nr. 6095)
Islami e ndalon mashtrimin. Në hadith qëndron se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) kaloi pranë një grumbulli ushqimi (që ishte në shitje). Futi dorën në të dhe gishtat i prekën në lagështi, andaj tha: “Ç'është kjo, o pronari i ushqimit?” Ai iu përgjigj: "E ka zënë shiu, o i Dërguari i Allahut." I Dërguari (paqja qoftë mbi të!) ia ktheu: “Përse nuk e ke vendosur sipër (pjesën e lagësht) që ta shohin njerëzit?! Ai që mashtron nuk ka lidhje me mua!” (E shënon Muslimi, nr. 102)
Islami e ndalon pabesinë, tradhtinë e hilen. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Mos e tradhtoni Allahun dhe të Dërguarin e mos i tradhtoni amanetet me vetëdije!" (El Enfal, 27) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata të cilët i përmbahen besëlidhjes me Allahun dhe nuk e prishin premtimin!" (Er Rad, 20) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!), ushtrisë së tij, kur dilnin (për luftë), i thoshte: “Luftoni e mos e vidhni prenë e luftës, as mos tradhtoni, as mos masakroni (kufomat), as mos vritni fëmijë!” (E shënon Muslimi, nr. 1731) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Ai që i ka (këto) katër tipare është hipokrit i kulluar. Ndërkaq, ai që ka vetëm njërin prej tyre, ka një prej tipareve të hipokrizisë, derisa ta braktisë atë. Ato janë: kur i besohet, tradhton; kur flet, gënjen; kur premton, nuk e mban atë; kur polemizon, i tejkalon kufijtë!" (E shënon Buhariu, nr. 34)
Islami e ndalon zilinë. Allahu i Lartësuar thotë: "A mos i kanë zili njerëzit për çfarë u ka dhuruar Allahu nga të mirat e Veta? Ne u dhamë pasardhësve të Ibrahimit Librin e urtësinë, si dhe një pushtet të madh!" (En Nisa, 54) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të vijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!" (El Bekare, 109) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Te ju janë futur sëmundjet e popujve të mëparshëm: smira dhe urrejtja. Ato janë rruajtëse (shfarrosëse). Nuk them se rruajnë kokën, por rruajnë besimin. Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im se nuk keni për të hyrë në Xhenet derisa të besoni, e nuk keni për të besuar derisa të doni njëri-tjetrin. A t’ju tregoj se cila gjë jua mundëson juve këtë? Përhapeni selamin në mesin tuaj!” (E shënon Tirmidhiu, nr. 2510)
Islami e ndalon intrigën. Allahu i Lartësuar thotë: "Kështu, Ne kemi bërë në çdo qytet që keqbërësit më të mëdhenj të ngrenë kurthe. Mirëpo, kurthet ia ngrenë vetëm vetvetes e nuk e ndiejnë." (El Enam, 123) Allahu i Lartësuar tregon se hebrenjtë u përpoqën ta vrisnin Isain (alejhi selam) dhe të ngrenë kurthe, por Allahu ua prishi ato. Gjithashtu Allahu ka theksuar se intriga i kthehet atij që e bën. Allahu i Lartësuar thotë: "Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: 'Kush janë përkrahësit e mi në rrugën e Allahut?' nxënësit (e tij) u përgjigjën: 'Ne jemi përkrahësit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij). Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj bashkë me dëshmitarët! Dhe ata i përgatitën një kurth, por edhe Allahu u përgatiti kurth (dënim), Allahu është thurësi më i mirë i kurtheve. (Kujtoje, o Muhamed) kur Allahu tha: 'O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje dhe do të të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t’i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit. Pastaj, të gjithë do të ktheheni tek Unë dhe do të gjykoj midis jush për çështjet që jeni grindur!'." (Ali Imran, 52-55) Allahu i Lartësuar tregon se populli i profetit Salih (alejhi selam) deshi ta vriste atë dinakërisht dhe i ngritën atij kurthe, mirëpo Allahu u përgatiti kurthe atyre dhe i shkatërroi ata të gjithë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata i thanë (njëri-tjetrit): 'Betohuni në Allahun se natën do ta vrasim atë me gjithë familjen e tij. Pastaj do t’u themi të afërmve të tij se ne nuk kemi qenë të pranishëm në zhdukjen e familjes së tij dhe se po themi të vërtetën! Ata kurdisën një kurth, por Ne u ngritëm një grackë, pa e ndier ata. Tani shiko se si ka qenë fundi i intrigave të tyre. Ne i shkatërruam ata të gjithë dhe popullin e tyre!'." (En Neml, 49-51)
Islami e ndalon vjedhjen. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Nuk ndodh që zinaqari (imorali) të jetë besimtar teksa bën zina; as ai që vjedh të jetë besimtar teksa vjedh dhe as ai që pi alkool të jetë besimtar teksa pi alkool. Ndërkohë, pendimi pas këtyre mbetet i hapur!" (E shënon Buhariu, nr. 6810)
Islami e ndalon dhunën. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Allahu urdhëron drejtësinë, mirësinë dhe ndihmën për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën. Ai ju këshillon, në mënyrë që ju të ndërgjegjësoheni!" (En Nahl, 90) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu më ka shpallur që të jeni të thjeshtë, kësisoj të mos jeni të dhunshëm dhe të mos mburret askush ndaj tjetrit!” (Sahihu i Ebu Davudit, nr. 4895)
Islami e ndalon padrejtësinë. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu nuk i do keqbërësit!" (Ali Imran, 57) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Njëmend, keqbërësit nuk do të shpëtojnë!" (El Enam, 21) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ndërsa për keqbërësit ka përgatitur një dënim të dhembshëm." (El Insan, 31) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Tre personave nuk u kthehen lutjet mbrapsht: udhëheqësit të drejtë, agjëruesit derisa të bëjë iftar dhe lutja e atij që i është bërë padrejtësi, e cila ngjitet përmbi retë dhe i hapen dyert e qiejve dhe Zoti i Lartmadhërishëm thotë: 'Betohem në madhërinë Time se doemos do të të ndihmoj, qoftë dhe pas një kohe!'." (E shënojnë Muslimi, nr. 2749 përmbledhtazi me një ndryshim të vogël; Tirmidhiu, nr. 2526 me ndryshim të vogël; Ahmedi, nr. 8043 dhe teksti është i tij) Kur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) e dërgoi Muadhin në Jemen, mes tjerash i tha: “Ruaju lutjes së atij që i bëhet padrejtësi, sepse mes tij dhe Allahut nuk ka perde!” (E shënon Buhariu, nr. 1496) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Vini re! Kushdo që i ka bërë padrejtësi ndonjë shtetasi jomusliman, ose ia ka cenuar hakun e tij, ose i ka kërkuar më shumë se që ka mundësi, ose i ka marrë diçka pa qenë ai i kënaqur, unë do të jem kundërshtari i tij Ditën e Gjykimit!" (Suneni i Ebu Davudit, nr. 3052) Pra, siç e sheh, Islami ndalon çdo moral të keq ose sjellje të padrejtë e mizore.
36. Islami i ndalon transaksionet e shitblerjes që kanë kamatë, dëm, mashtrim, padrejtësi, hile ose që çojnë drejt fatkeqësive dhe dëmit të përgjithshëm për shoqëritë, popujt e individët.
Islami i ndalon transaksionet e shitblerjes që kanë kamatë, dëm, mashtrim, padrejtësi, hile ose që çojnë drejt fatkeqësive dhe dëmit të përgjithshëm për shoqëritë, popujt e individët. Në fillim të këtij paragrafi i kemi përmendur ajetet dhe hadithet që e ndalojnë kamatën, padrejtësinë, mashtrimin e çrregullimin në Tokë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që i lëndojnë besimtarët dhe besimtaret, duke i akuzuar për diçka që nuk e kanë bërë, në të vërtetë, e kanë ngarkuar veten me shpifje dhe gjynah të qartë." (El Ahzab, 58) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush bën mirë, e bën për dobinë e vet, e kush punon keq, punon në dëm të vet. Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij." (Fusilet, 46) Në hadith theksohet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka gjykuar se: “Nuk lejohet dëmi e as dëmtimi!” (E shënon Ibn Maxhe, nr. 2341) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, të mos e dëmtojë fqinjin. Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin. Kush beson në Allahun dhe në Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë. Në një transmetim: le të sillet mirë me fqinjin!” (E shënon Muslimi, nr. 47) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Një grua u dënua për një mace, të cilën e kishte lidhur derisa kishte ngordhur, andaj u fut në Zjarr për këtë gjë. Kur e kishte mbyllur, as e kishte ushqyer, as i kishte dhënë për të pirë, as e kishte lënë të ushqehej vetë me insekte të Tokës.” (E shënon Buhariu, nr. 3482) Ky dënim qe për atë që kishte keqtrajtuar një mace, e si është puna me atë që i keqtrajton njerëzit?! Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) u ngjit një ditë në minber dhe thirri me zë të lartë: "O ju që keni besuar me gjuhët tuaja (që thoni se jeni muslimanë), por që ende besimi (i plotë) nuk ka depërtuar në zemrat tuaja! Mos i lëndoni muslimanët dhe mos i ofendoni dhe mos gjurmoni për të metat e tyre, se ai që gjurmon të metat e vëllait të tij musliman, Allahu gjurmon të metat e tij, e kujt Allahu ia gjurmon të metat, e demaskon dhe ia nxjerr në shesh të metat, edhe nëse i ka fshehur brenda shtëpisë së tij!” Ibn Umeri një ditë e shikoi Qabenë dhe tha: “Sa madhështore dhe e shenjtë që je, por besimtari ka shenjtëri më të madhe tek Allahu sesa ti!" (E shënojnë Tirmidhiu, nr. 2032 dhe Ibn Hibani, nr. 5763) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, të mos e shqetësojë fqinjin e tij. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le ta nderojë mysafirin e tij. Kush e beson Allahun dhe Ditën e Fundit, le të flasë mirë ose le të heshtë!" (E shënon Buhariu, nr 6018) Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka pyetur: “A e dini kush është i falimentuari?” U përgjigjën: "I falimentuari te ne, o i Dërguari i Allahut, është ai që nuk ka pasuri dhe mall." Ai tha: “I falimentuari nga umeti im është ai që vjen në Ditën e Gjykimit me namaz, agjërim e zekat, por dikë e ka sharë, për dikë ka shpifur, dikujt i ka ngrënë pasurinë, tjetrit ia ka derdhur gjakun, e tjetrin e ka rrahur, kështu që këtyre i jepen nga të mirat e tij (të falimentuarit), e nëse të mirat e tij mbarojnë para se t’i shpaguajë (këto padrejtësi), merren mëkatet e tyre dhe i jepen atij, e kësisoj hidhet në Zjarr.” (E shënojnë Muslimi, nr. 2581; Tirmidhiu, nr. 2418; Ahmedi, nr. 8029 dhe teksti është i tij)
Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Në rrugë ishte një degë peme që i pengonte njerëzit, kështu që një njeri e largoi atë dhe hyri në Xhenet.” (E shënojnë Buhariu, nr. 652 me kuptim të ngjashëm; Muslimi, NR. 1914 me tekst të ngjashëm; Ibn Maxhe, nr. 3682; Ahmedi, nr. 10432 dhe teksti është i këtyre dy të fundit) Pra, largimi i pengesës nga rruga të fut në Xhenet. E si është puna me atë që i pengon e lëndon njerëzit dhe ua prish atyre jetën!?
37. Islami ka ardhur për ta ruajtur mendjen dhe ka ndaluar çdo gjë që e prish atë, siç është konsumimi i alkoolit. Ai e ngriti pozitën e mendjes, e bëri atë bazë për të qenët i ngarkuar me detyra fetare dhe e çliroi atë nga prangat e besëtytnisë dhe idhujtarisë. Në Islam nuk ka sekrete apo dispozita që janë të veçanta për një klasë të caktuar duke i përjashtuar të tjerët. Të gjitha dispozitat dhe ligjet e tij janë në përputhje me mendjen e shëndoshë dhe janë në pajtim me qëllimet e drejtësisë dhe urtësisë.
Islami ka ardhur për ta ruajtur logjikën dhe për ta ngritur lart statusin e saj. Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, dëgjimi, shikimi dhe zemra, për të gjithë këto njeriu do të merret në përgjegjësi!" (El Isra, 36) Njeriu e ka obligim ta ruajë arsyen, prandaj Islami e ndalon alkoolin dhe lëndët narkotike. Fakti se alkooli është haram e kam përmendur në paragrafin 34. Shumë ajete të Kuranit të madhërishëm përmbyllen me fjalën e Allahut: "...që ju të arsyetoni!" (El Bekare, 242) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Jeta e kësaj bote është vetëm lojë e argëtim, kurse bota tjetër, pa dyshim që është më e mirë për ata që i frikësohen Allahut. Pra, a nuk po arsyetoni!?" (El Enam, 32) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ne e zbritëm këtë Kuran në gjuhën arabe, në mënyrë që ju të arsyetoni!" (Jusuf, 2) Allahu i Lartësuar ka theksuar se prej udhëzimit dhe urtësisë nuk përfiton askush, përveçse njerëzit e arsyeshëm, mendarët. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai ia jep urtësinë kujt të dojë. Cilitdo që i është dhënë urtësia, vërtet që i është dhënë një mirësi e madhe. Por këtë nuk e kupton tjetërkush, përveç njerëzve të mençur." (El Bekare, 269)
Për këtë arsye Islami e ka bërë logjikën kriter për përgjegjësitë fetare. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Lapsi (për shkrimin e mëkateve) është hequr për tre persona: për atë që është në gjumë, derisa të zgjohet; për fëmijën, derisa të hyjë në moshën e pubertetit dhe për të çmendurin, derisa t'i kthehet arsyeja.” (E ka shënuar Buhariu pa zinxhirë transmetimi në formën e prerë, para hadithit nr. 5269 me tekst të ngjashëm. E kanë shënuar po kështu dhe Ebu Davudi me zinxhirë të plotë, nr. 4402 dhe teksti është i tij; Tirmidhiu, nr. 1423; Nesaiu në “Es Sunen el Kubra”, nr. 7346; Ahmedi, nr. 956 me pak ndryshime; Ibn Maxhe, nr. 2042 me tekst të shkurtër). Allahu e liroi njeriun nga vargonjtë e besëtytnive dhe idhujtarisë. Allahu i Lartësuar, duke treguar për gjendjen e popujve që besonin në besëtytni dhe që e refuzuan të vërtetën e cila u erdhi prej Allahut thotë: "Kështu, në çdo vend që Ne kemi dërguar paralajmërues para teje, pasanikët e atij vendi thonin: 'Ne i kemi gjetur etërit tanë në këtë fe dhe po ndjekim gjurmët e tyre!'." (Ez Zuhruf, 23) Allahu i Lartësuar tregon për Ibrahimin (alejhi selam), mikun e ngushtë të Tij, se i ka thënë popullit të vet: "Cilët janë këta idhuj që ju i adhuroni?" Ata thanë: “Baballarët tanë i adhuronin këta.” (El Enbija, 52-53) Islami i urdhëroi njerëzit ta lënë adhurimin e idhujve dhe dhe t’i braktisin besëtytnitë e trashëguara nga baballarët dhe gjyshërit. Dhe i urdhëroi të ndiqnin udhën e pejgamberëve (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!).
Në Islam nuk ka çështje të fshehta apo dispozita që janë të veçanta për një klasë kundrejt tjetrës. Ali ibn Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili njëherazi ishte dhe djali i xhaxhait të të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!) dhe dhëndër i tij, u pyet: "A ju ka veçuar i Dërguari i Allahut me ndonjë fshehtësi?" Ai iu përgjigj: "I Dërguari i Allahut nuk na ka veçuar me ndonjë fshehtësi duke i përjashtuar njerëzit e tjerë, përveç asaj që ndodhet në këllëfin e shpatës sime." Pastaj nxori një letër në të cilën shkruante: "Allahu e mallkoftë atë që ther kurban për dikë tjetër pos Allahut, Allahu e mallkoftë atë që ndryshon shenjtat (kufijtë) e tokës, Allahu e mallkoftë atë që mallkon prindërit e tij, Allahu e mallkoftë atë që strehon (ndihmon) një person keqbërës!” (E shënon Muslimi, nr. 1978) Të gjitha dispozitat dhe ligjet e Islamit janë në përputhje me mendjen e shëndoshë dhe janë në pajtim me qëllimet e drejtësisë dhe urtësisë.
38. Kur pasuesit e feve të kota nuk i kuptojnë kontradiktat dhe gjërat që nuk i pranon arsyeja, njerëzit e fesë i bëjnë pasuesit të mendojnë se feja është mbi arsyen dhe arsyeja nuk ka mundësi ta kuptojë dhe ta përceptojë fenë. Ndërsa Islami e konsideron fenë si dritë që ia ndriçon udhën arsyes. Ithtarët e feve të kota dëshirojnë që njeriu të heqë dorë nga arsyeja dhe t’i pasojë ata. Ndërsa Islami dëshiron prej njeriut që ta zgjojë arsyen, që t’i njohë realitetet e çështjeve ashtu siç janë.
Kur pasuesit e feve të kota nuk i kuptojnë kontradiktat dhe gjërat që nuk i pranon arsyeja, njerëzit e fesë i bëjnë pasuesit të mendojnë se feja është mbi arsyen dhe arsyeja nuk ka mundësi ta kuptojë dhe ta përceptojë fenë. Ndërsa Islami e konsideron fenë si dritë që ia ndriçon udhën arsyes. Ithtarët e feve të kota dëshirojnë që njeriu të heqë dorë nga arsyeja dhe t’i pasojë ata. Ndërsa Islami dëshiron prej njeriut që ta zgjojë arsyen, që t’i njohë realitetet e çështjeve ashtu siç janë. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe kështu, Ne të kemi zbritur ty Shpalljen me urdhrin dhe vullnetin Tonë. Ti më parë nuk e ke ditur se çfarë është Libri e as ç’është besimi. Por atë (Kuranin), Ne e bëmë dritë, me anë të së cilës udhëzojmë kë të duam nga robërit Tanë. Ti, me të vërtetë, udhëzon në rrugën e drejtë!" (Esh Shura, 52) Shpallja hyjnore përmban prova dhe argumente që i orientojnë mendjet e shëndosha drejt realiteteve që shpijnë në njohjen dhe besimin në to. Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Me të vërtetë, juve ju ka ardhur një provë bindëse nga Zoti juaj dhe ju është zbritur një Dritë e qartë." (En Nisa, 174) Allahu i Lartmadhërishëm dëshiron që njeriu të jetojë në dritën e udhëzimit, dijes dhe realitetit, ndërsa shejtanët dhe djajtë dëshirojnë që njeriu të mbetet në errësirat e kufrit, injorancës dhe humbjes. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu është Mbrojtësi i atyre që besojnë. Ai i nxjerr ata nga errësira në dritë. Sa për ata që nuk besojnë, mbrojtësi i tyre është djalli, i cili i nxjerr ata nga drita dhe i shpie në errësirë." (El Bekare, 257)
39. Islami e vlerëson dijen e vërtetë dhe nxit të bëhen studime shkencore të zhveshura nga subjektiviteti. Po ashtu fton për reflektim dhe meditim në veten tonë e në universin përreth nesh. Rezultatet e sakta shkencore nuk bien ndesh me Islamin.
Islami e vlerëson dijen e vërtetë. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahut do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që punoni." (El Muxhadele, 11) Allahu e ndërlidhi dëshminë e dijetarëve me të Tijën dhe të melekëve për të dëshmuar gjënë më madhështore (teuhidin). Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu dëshmon, e po ashtu edhe engjëjt, edhe njerëzit e dijes, se nuk ka zot tjetër përveç Tij, duke mbajtur drejtësinë. S’ka zot tjetër përveç Atij, të Plotfuqishmit, të Urtit." (Ali Imran, 18) Kjo e thekson pozitën e lartë që gëzojnë dijetarët në Islam. Sakaq, Allahu nuk e urdhëroi profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!) që t’i kërkojë (Atij) shtim të diçkaje përveçse shtimit të dijes. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe thuaj: 'O Zoti im, shtoma dijeninë!'" (Taha, 114) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Atij që ndjek rrugë për të kërkuar dituri, Allahu do t’i lehtësojë rrugën për në Xhenet. Vërtet melekët i shtrijnë krahët e tyre nga kënaqësia që kanë për kërkuesin e dijes. Për nxënësin e dijes kërkon falje kush është në qiell dhe në tokë, saqë edhe peshqit në det. Vlera e dijetarit ndaj adhuruesit është sikurse vlera e hënës kundrejt gjithë planetëve të tjerë. Vërtet dijetarët janë trashëgimtarët e profetëve dhe profetët nuk kanë lënë trashëgim dinar e as dirhem (pasuri), por kanë lënë trashëgim dijen, prandaj ai që e merr atë, ka marrë një pjesë të madhe të mirësisë!" (E shënojnë Ebu Davudi, nr. 3641; Tirmidhiu, nr. 2682; Ibn Maxhe, nr. 223 dhe teksti është i tij; si dhe Ahmedi, nr. 21715)
Islami nxit të bëhen studime shkencore të zhveshura nga subjektivizmi dhe fton për reflektim dhe meditim në veten tonë e në universin përreth nesh. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne do t’u tregojmë atyre shenjat Tona në horizont, si dhe në vetvete, derisa t’u bëhet plotësisht e qartë se ai (Kurani) është e vërteta. Vallë, a nuk të mjafton ty që, Zoti yt është Dëshmues i çdo gjëje?!" (Fusilet, 53) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që ka krijuar Allahu, dhe se ndofta mund t’u jetë afruar fundi?! Në çfarë Shpallje tjetër do të besojnë pas kësaj?!" (El Araf, 185) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Vallë, a nuk udhëtojnë nëpër botë e të shohin se si kanë përfunduar popujt e mëparshëm? Ata kanë qenë më të fortë se këta dhe tokën e kanë shfrytëzuar dhe punuar më mirë se sa e punojnë këta, e të dërguarit e tyre u sollën prova të qarta. Nuk ishte Allahu që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë vetvetes padrejtësi." (Er Rum, 9)
Rezultatet e sakta shkencore nuk bien ndesh me Islamin. Ne do të përmendim një shembull të vetëm, për çështjen e të cilit Kurani ka përmendur sqarime të hollësishme para katërmbëdhjetë shekujsh, e së fundmi e ka vërtetuar shkenca bashkëkohore. Kështu, rezultatet e shkencës dolën në përputhje me atë që gjendet në Kuranin e madhërishëm. Bëhet fjalë për krijimin e embrionit në barkun e nënës. Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej baltës. E pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i mirë!" (El-Muminun, 12-14)
40. Allahu nuk ia pranon veprën askujt dhe nuk e shpërblen në botën tjetër askënd, përveç atij që besoi në Allahun dhe iu bind Atij në këtë botë, dhe besoi njëkohësisht të dërguarit e Zotit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Gjithashtu, Allahu pranon vetëm adhurimet që ka ligjëruar. Si e mohon njeriu Allahun dhe shpreson që Ai ta shpërblejë atë?! Allahu nuk ia pranon besimin asnjë njeriu, derisa të besojë në të gjithë pejgamberët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) dhe të besojë në mesazhin e Muhamedit (paqja qoftë mbi të!).
Allahu nuk ia pranon veprën askujt dhe nuk e shpërblen në botën tjetër askënd, përveç atij që besoi në Allahun dhe iu bind Atij në këtë botë, dhe besoi njëkohësisht të dërguarit e Zotit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Allahu i Lartësuar thotë: "Sa për atë që dëshiron këtë botë, Ne i japim në të çfarë të dëshirojmë, atij që duam. Pastaj ia caktojmë atij Xhehenemin, në të cilin ai do të përvëlohet, duke qenë i turpëruar dhe i dëbuar. Sa për atë që dëshiron botën tjetër dhe përpiqet për të me gjithë shpirt e duke qenë besimtar, përpjekja e tij do të shpërblehet." (El Isra, 18-19) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Atij që bën vepra të mira dhe është besimtar, përpjekja nuk do t’i mohohet. Dhe këtë Ne ia shënojmë atij." (El Enbija, 94) Allahu pranon vetëm adhurimet që ka ligjëruar. Ai thotë: "Kështu, kush shpreson takimin me Zotin e vet, le të bëjë vepra të mira dhe të mos i shoqërojë askënd në adhurim Zotit të vet!" (El Kehf, 110) Kështu, Allahu e ka theksuar se vepra nuk është e mirë, veç nëse është prej veprave që Allahu i ka ligjëruar dhe vepruesi i saj është i sinqertë dhe e bën për hir të Allahut, duke qenë besimtar dhe duke i besuar pejgamberët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Ndërkaq, lidhur me atë njeri veprat e të cilit nuk janë kështu, Allahu thotë: "Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi." (El Furkan, 23) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Atë Ditë do të poshtërohen fytyra njerëzish. Që kanë punuar e janë rraskapitur (duke bërë të këqija në këtë botë). Ata do të digjen në zjarr të nxehtë." (El Gashije, 2-4) Këto fytyra janë të poshtëruara, të rraskapitura prej veprave, por, ato nuk vepruan sipas udhëzimit të Allahut, andaj Allahu e bëri zjarrin përfundim të tyre. Pra, ato nuk punuan në bazë të asaj që ligjëroi Allahu, madje bën adhurime të kota dhe ndoqën krerët e humbjes, të cilët u shpiknin atyre fe të kota. Sakaq, vepra e mirë e pranuar tek Allahu është ajo që është në përputhje me atë që ka predikuar i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!). Si e mohon njeriu Allahun dhe shpreson ta shpërblejë atë?!
Allahu nuk ia pranon besimin asnjë njeriu, derisa të besojë në të gjithë pejgamberët (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) dhe të besojë në mesazhin e Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Më lart kemi përmendur disa argumente për këtë në paragrafin numër 20. Allahu i Lartësuar thotë: "I Dërguari beson në atë (Kuranin) që i është shpallur nga Zoti i tij e po ashtu dhe besimtarët: të gjithë besojnë në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij dhe të dërguarit e Tij (duke thënë): “Ne nuk bëjmë dallim mes asnjërit prej të dërguarve të Tij”. Ata thonë: “Ne dëgjojmë dhe bindemi. Faljen Tënde kërkojmë o Zoti Ynë dhe te Ti do të kthehemi!” (El Bekare, 285) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë." (En Nisa, 136) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kujto kur Allahu mori besëlidhjen nga profetët (dhe u tha): 'Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?' Ata u përgjigjën: 'E pranojmë!'. (Allahu) u tha: 'Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar!'." (Ali Imran, 81)
41.Qëllimi i të gjitha mesazheve hyjnore është që feja e vërtetë ta lartësojë njeriun, në mënyrë që ai të jetë rob i sinqertë i Allahut, Zotit të botëve, si dhe ta çlirojë nga kulti i njeriut, materies dhe besëtytnive. Siç mund të vihet re, Islami nuk i shenjtëron individët, as i lartëson ata mbi pozitën që u takon e as i bën ata zota ose hyjni.
Qëllimi i të gjitha mesazheve hyjnore është që feja e vërtetë ta lartësojë njeriun, që të jetë rob i sinqertë i Allahut, Zotit të botëve. Islami e çliron njeriun nga robëria e materies dhe e besëtytnive. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "I poshtëruar qoftë robi i dinarit dhe dirhemit e i mantelit dhe pelerinës. Nëse i jepet diçka, shprehet i kënaqur, e, nëse nuk i jepet, hidhërohet!" (E shënon Buhariu, nr. 6435) Njeriu i drejtë vetëm Allahut i nënshtrohet. Atë nuk e robëron pasuria, fama, pozita e as fisi. Në tregimin në vazhdim paraqiten disa detaje që ia bëjnë të ditur lexuesit gjendjen e njerëzve para shpalljes së Kuranit dhe si ndryshuan më pas:
Kur muslimanët e parë emigruan në Abisini (Etiopi), mbreti i Abisinisë, Nexhaxhiu i pyeti: "Çfarë është kjo fe që për shkak të saj braktisët popullin tuaj dhe nuk pranuat fenë time (krishterimin) e as fenë e ndokujt prej këtyre popujve?!" Xhafer ibn Ebu Talibi ia ktheu: "O mbret! Ne ishim një popull injorant, që adhuronim idhujt, hanim ngordhësirën, bënim punë të shëmtuara, i ndërprisnim lidhjet me farefisin dhe silleshim keq me fqinjët. Më i forti prej nesh e shtypte të dobëtin. Në këtë gjendje ishim, derisa Allahu dërgoi në mesin tonë një të dërguar, të cilit ia dimë prejardhjen, çiltërsinë, besnikërinë dhe dëlirësinë. Ai na ftoi tek Allahu, që ta njësojmë në adhurim (teuhid) dhe të heqim dorë nga gurët e idhujt që adhuronin gjyshërit tanë përveç Allahut. Na urdhëroi të flasim drejt, ta çojmë amanetin në vend, t’i mbajmë lidhjet farefisnore, të sillemi mirë me fqinjët, të heqim dorë nga gjërat e ndaluara dhe gjakderdhja. Po ashtu na ndaloi nga veprat e shëmtuara e të ndyra, dëshmia e rreme, ngrënia e pasurisë së jetimit dhe shpifja ndaj grave të ndershme. Na urdhëroi ta adhurojmë Allahun e të mos i shoqërojmë askënd dhe asgjë në adhurim; na urdhëroi të falim namazin, të japim zekatin dhe të agjërojmë." Kështu, Xhaferi vazhdoi të fliste derisa i përmendi njëra pas tjetrës normat e Islamit dhe tha: "Ne e pranuam atë dhe i besuam, si dhe e ndoqëm në atë që ai solli. E adhuruam Allahun, të Vetmin, dhe nuk i shoqëruam Atij asgjë dhe askënd në adhurim. E quajtëm të ndaluar atë që ai na e ndaloi dhe quajtëm të lejuar atë që ai na e lejoi..." (E shënon Ahmedi, nr. 1740, me pak ndryshime dhe Ebu Nuajmi në “Hiljetul evulija”, 1/115, shkurtimisht.) Siç e sheh, Islami nuk i shenjtëron njerëzit e as i lartëson mbi pozitën e tyre, e as i konsideron zota e as hyjni. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'O ithtarët e Librit, ejani të biem në një fjalë të përbashkët mes nesh dhe jush: se do të adhurojmë vetëm Allahun, se nuk do t’i shoqërojmë Atij asgjë (në adhurim) dhe se nuk do ta mbajmë për zot njëri-tjetrin, në vend të Allahut!' Nëse ata nuk pranojnë, atëherë thuaju: 'Dëshmoni se ne i jemi nënshtruar Allahut!'." (Ali Imran, 64) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai (profeti) nuk do t’ju urdhërojë që engjëjt dhe profetët t’i merrni për zota. Vallë, si mund t’ju urdhërojë ai të bëheni mohues, pasi i jeni nënshtruar Allahut?!" (Ali Imran, 80) Gjithashtu i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Mos e teproni duke më lavdëruar, ashtu siç e tepruan të krishterët me (Isain) të birin e Merjemes. Vërtet unë jam vetëm robi i Tij, andaj thoni (për mua): Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij!" (E shënon Buhariu, nr. 3445)
42. Allahu e ka ligjëruar pendimin në Islam, gjë që nënkupton që njeriu të kthehet tek Allahu i penduar dhe ta braktisë mëkatin. Islami dhe pendimi i asgjësojnë dhe i fshijnë mëkatet e së kaluarës. Andaj, nuk ka nevojë për t’u rrëfyer para ndonjë njeriu për mëkatet e bëra.
Allahu e ka ligjëruar pendimin në Islam. Pendimi nënkupton që njeriu të kthehet tek Allahu i penduar dhe ta braktisë mëkatin. Allahu i Lartësuar thotë: "Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!" (En Nur, 31) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk e dinë ata se Allahu është Ai që pranon pendimin dhe bamirësinë nga robërit e Vet dhe se Ai është Pranuesi i pendimeve dhe Mëshirëploti?!" (Et Teube, 104) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai e pranon pendimin e robërve të Vet, i fal gjynahet dhe i di të gjitha çfarë punoni ju." (Esh Shura, 25) I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Allahu gëzohet më tepër kur robi i Tij besimtar pendohet, sesa ai njeri që ishte në një tokë të shkretë e të rrezikshme, e me vete e kishte devenë e tij, mbi të cilën e kishte ushqimin dhe pijen. Ai ra në gjumë e, kur u zgjua, pa që ajo kishte ikur. Ai e kërkoi, derisa e kaploi etja. Më pas tha: "Po kthehem në vendin që isha dhe po bie në gjumë derisa të vdes." Kështu, u shtri dhe e vendosi kokën në dorën e tij, që të vdesë. Por kur u zgjua, pa që deveja ishte pranë tij dhe mbi të ishte furnizimi, ushqimi dhe pija e tij. Vërtet Allahu gëzohet më tepër kur robi besimtar pendohet, sesa ky njeri për devenë dhe furnizimin e tij.” (E shënon Muslimi, nr. 2744)
Islami dhe pendimi i asgjësojnë dhe i fshijnë mëkatet e së kaluarës. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju atyre që nuk besojnë: nëse largohen (nga mosbesimi), do t’u falet e kaluara e, nëse kthehen (në mosbesim), atëherë dënimi i popujve të mëparshëm është paralajmërim për ta!" (El Enfal, 38) Allahu i ka bërë ftesë të krishterëve të pendohen, dhe ka thënë: "Përse ata nuk kthehen me pendesë tek Allahu e t’i kërkojnë falje Atij?! Allahu është Falës dhe Mëshirëplotë!" (El Maide, 74) Allahu i nxit të gjithë mëkatarët dhe gjynahqarët që të pendohen. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetes me gjynahe, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut! Allahu, me siguri, i fal të gjitha gjynahet. Vërtet, Ai është Falësi i madh dhe Mëshirëploti!'" (Ez Zumer, 53) Kur Amër ibn Asi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) vendosi ta pranojë Islamin, kishte frikë mos nuk i falen mëkatet që i kishte bërë para Islamit. Amri, duke e treguar këtë rast, shprehet: "Kur Allahu i Lartmadhërishëm e futi Islamin në zemrën time, shkova te Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) që t’i jap besën. Kështu, ai ma shtriu dorën dhe i thashë: 'Nuk ta jap besën, o i Dërguari i Allahut, derisa të më falen mëkatet e së kaluarës!' Ai (paqja qoftë mbi të!) më tha: 'O Amër, a nuk e ditke se hixhreti i asgjëson mëkatet e së kaluarës?! O Amër, a nuk e ditke se Islami i asgjëson mëkatet e së kaluarës?!'" (E shënojnë Muslimi, nr. 121 me tekst të ngjashëm, në mënyrë të zgjeruar, si dhe Ahmedi, nr. 17827 dhe teksti është i tij)
43. Në Islam lidhja mes njeriut dhe Allahut është e drejtpërdrejtë. Nuk ke nevojë për askënd që të jetë ndërmjetës mes teje dhe Allahut. Islami ndalon që t'i konsiderojmë njerëzit hyjni ose ortakë me Allahun në perëndishmëri dhe hyjnishmëri.
Në Islam nuk ka nevojë për t’u rrëfyer para ndonjë njeriu për mëkatet e bëra. Në Islam lidhja mes njeriut dhe Allahut është e drejtpërdrejtë. Nuk ke nevojë për askënd që të jetë ndërmjetës mes teje dhe Allahut, siç është përmendur më parë në paragrafin nr. 36 se Allahu i Lartësuar i fton të gjithë njerëzit të kthehen dhe të pendohen tek Ai, gjithashtu i ndalon t’i marrin profetët dhe melekët si ndërmjetës mes Allahut dhe robërve të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai (profeti) nuk do t’ju urdhërojë që engjëjt dhe profetët t’i merrni për zota. Vallë, si mund t’ju urdhërojë ai të bëheni mohues, pasi i jeni nënshtruar Allahut?!" (Ali Imran, 80) Islami, siç e sheh, ndalon që t'i konsiderojmë njerëzit hyjni ose ortakë me Allahun në perëndishmëri dhe hyjnishmëri. Allahu i Lartësuar thotë për të krishterët: "Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)!" (Et Teube, 31) Allahu i qorton jobesimtarët të cilët mes tyre dhe Allahut marrin ndërmjetës. Allahu i Lartësuar thotë: "Vetëm Allahut i takon adhurimi i vërtetë. Sa për ata që marrin mbrojtës të tjerë, përveç Tij, duke thënë: 'Ne u lutemi atyre vetëm që të na afrojnë tek Allahu!', Allahu me siguri që do t’i gjykojë për mospajtimet që kanë pasur. Vërtet, Allahu nuk e udhëzon atë që është gënjeshtar e mohues!" (Ez Zumer, 3) Allahu thekson se idhujtarët e periudhës paraislame i kishin caktuar ndërmjetës mes tyre dhe Allahut dhe thoshin se ata i afrojnë tek Allahu.
Fakti se Allahu ndaloi të merren profetët dhe melekët ndërmjetës mes Tij dhe robërve të Vet dëshmon se është më parësore që të tjerët të mos merren ndërmjetës. E ndërkohë, vetë profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) ishin njerëz që nxitonin për t’u afruar tek Allahu me vepra të mira! Allahu i Lartësuar tregon gjendjen e profetëve dhe të dërguarve (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) dhe thotë: "Me të vërtetë, ata nxitonin për vepra të mira dhe Na luteshin, me shpresë e frikë dhe ishin të përulur ndaj Nesh." (El Enbija, 90) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Vetë ata që idhujtarët u luten, kërkojnë t’i afrohen Zotit të tyre, cili prej tyre të jetë më afërti me Të, duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. Me të vërtetë, nga dënimi i Zotit tënd duhet të ruhet gjithkush." (El Isra, 57) Pra, ata të cilëve u luteni krahas Allahut, qofshin profetë, qofshin njerëz të mirë, vetë ata afrohen tek Allahu duke shpresuar mëshirën e Tij dhe duke iu frikësuar dënimit të Tij. E si vallë t'i lutemi atyre krahas Allahut?!
44. Në fund të këtij libri, rikujtojmë se njerëzit, edhe pse kanë dallime në kohë, kombësi e vende, madje tërë shoqëria njerëzore ka diversitet në idetë dhe qëllimet e saj, në kulturë dhe tradita, kështu që, njerëzit kanë nevojë për një udhërrëfyes që i drejton, për një sistem që i bashkon dhe për një udhëheqës që i mbron. Të dërguarit fisnikë (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) e merrnin përsipër këtë nismë nëpërmjet shpalljes së Allahut të Lartësuar. Ata i udhëzonin njerëzit në rrugën e mirësisë dhe drejtësisë; i bashkonin rreth ligjit të Allahut dhe gjykonin ndërmjet tyre me drejtësi. Problematikat e tyre gjenin zgjidhje sipas vullnetit të tyre për t'ju përgjigjur thirrjes së profetëve dhe sipas afërsisë së tyre me kohën e shpalljes hyjnore. Mirëpo tani Allahu e përmbylli shpalljen hyjnore me shpalljen e të dërguarit Muhamed (paqja qoftë mbi të!) dhe e bëri atë të përhershme, udhërrëfyese për njerëzit, mëshirë, dritë dhe orientuese drejt rrugës që të shpien tek Allahu i Lartësuar.
Në fund të këtij libri, rikujtojmë se njerëzit, edhe pse kanë dallime në kohë, kombësi e vende, madje tërë shoqëria njerëzore ka diversitet në idetë dhe qëllimet e saj, në kulturë dhe tradita, kështu që, njerëzit kanë nevojë për një udhërrëfyes që i drejton, për një sistem që i bashkon dhe për një udhëheqës që i mbron. Të dërguarit fisnikë (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) e merrnin përsipër këtë nismë nëpërmjet shpalljes së Allahut të Lartësuar. Ata i udhëzonin njerëzit në rrugën e mirësisë dhe drejtësisë; i bashkonin rreth ligjit të Allahut dhe gjykonin ndërmjet tyre me drejtësi. Problematikat e tyre gjenin zgjidhje sipas vullnetit të tyre për t'ju përgjigjur thirrjes së profetëve dhe sipas afërsisë së tyre me kohën e shpalljes hyjnore. Kur u thellua humbja e u përhap injoranca dhe u adhuruan idhujt, Allahu e dërgoi të Dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!), me udhëzimin e drejtë dhe fenë e vërtetë, që t’i nxjerrë njerëzit nga errësira e mosbesimit, injorancës dhe idhujtarisë drejt besimit dhe udhëzimit.
45. Për këtë, o njeri, të thërras t’i nënshtrohesh Allahut sinqerisht, i zhveshur nga pasimi i verbër dhe tradita e vendit dhe ta dish se pas vdekjes do të kthehesh te Zoti yt. Vështro veten dhe horizontin përreth. Prano Islamin, që të jesh i lumtur në këtë botë dhe në tjetrën. Nëse dëshiron ta pranosh Islamin, prej teje kërkohet vetëm të dëshmosh se nuk ka zot tjetër që meriton të adhurohet përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij. Po ashtu, të shkëputesh prej çdo gjëje që adhurohet krahas Allahut dhe të besosh se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre. Gjithashtu, të besosh se llogaridhënia dhe shpërblimi janë të vërteta. Kur ta shprehësh këtë dëshmi, ti je bërë musliman. Pastaj e ke obligim që ta adhurosh Allahun sipas asaj që Ai e ka përcaktuar në sheriat, si: falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi dhe haxhi nëse ke mundësi të shkosh në Qabe.
Për këtë, o njeri, të ftoj t’i nënshtrohesh Allahut sinqerisht, i zhveshur nga pasimi i verbër dhe tradita e vendit. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed): 'Unë ju këshilloj vetëm një gjë: ngrihuni sinqerisht për Allahun, dy nga dy ose një nga një, e pastaj të reflektoni dhe të arrini në përfundimin se shokun juaj (Muhamedi) që nuk është i çmendur. Ai është dërguar vetëm që t’ju paralajmërojë para një dënimi të rëndë!'." (Sebe, 46) Ta dish se pas vdekjes do të kthehesh te Zoti yt. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe se njeriun e pret vetëm ajo për të cilën ka punuar. Se përpjekjet e tij do të shihen. Dhe se do të marrë shpërblim të plotë. Dhe se te Zoti yt do të jetë kthimi!" (En Nexhm, 39-42) Vështro veten dhe horizontin përreth teje. Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk e shohin ata mbretërinë e qiejve e të Tokës dhe gjithçka që ka krijuar Allahu, dhe se mund t’u jetë afruar fundi?! Në çfarë Shpallje tjetër do të besojnë pas kësaj?!" (El Araf, 185)
Prano Islamin, që të jesh i lumtur në këtë dhe në botën tjetër. Nëse dëshiron ta pranosh Islamin, prej teje kërkohet të thuash: "Eshhedu en la ilahe il-lallah ue enne Muhammeden rasulullah – Dëshmoj se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut." Kur i Dërguari (paqja qqoftë mbi të!) e dërgoi Muadhin në Jemen si thirrës në Islam, i tha: "Ti do të shkosh te një popull që janë ithtarë të Librit, ndaj ftoji të dëshmojnë se nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. E, nëse ata të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim pesë namaze brenda ditës e natës. E, nëse ata të binden në këtë, tregoju se Allahu ua ka bërë obligim zekatin, që u merret të pasurve e u jepet të varfërve të tyre. E, nëse ata të binden në këtë, bëj kujdes, mos ua merr pasurinë e çmuar!" (E shënon Muslimi, nr. 19) Gjithashtu të shkëputesh prej çdo gjëje që adhurohet krahas Allahut. Shkëputja nga çdo gjë që adhurohet krahas Allahut është besimi i drejtë; feja e Ibrahimit (alejhi selam). Allahu i Lartësuar thotë: "Shembull i mrekullueshëm për ju është Ibrahimi dhe ata që ishin me të, kur i thanë popullit të vet: 'Ne distancohemi nga ju dhe nga ato që ju i adhuroni në vend të Allahut; ne ju mohojmë dhe armiqësia e urrejtja midis nesh është e përhershme, derisa të besoni tek Allahu Një dhe i Vetëm!'." (El Mumtehine, 4) Të besosh se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre. Allahu i Lartësuar thotë: "Kjo ndodh (që ta dini) se Allahu është e Vërteta, se Ai i ringjall të vdekurit, se Ai është i Fuqishëm për çdo gjë, se Ora (e Kiametit) do të vijë, gjë për të cilën s’ka dyshim dhe se Allahu do t’i ringjallë ata që janë në varre." (El Haxh, 6-7) Të besosh se llogaridhënia dhe shpërblimi (në botën tjetër) janë të vërtetë. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu i krijoi qiejt dhe Tokën me të vërtetë, në mënyrë që çdo njeri të jetë i shpërblyer për atë që ka punuar. E, askujt nuk do t’i bëhet padrejtësi." (El Xhathije, 22)
Kur ta thuash këtë dëshmi, ti je bërë musliman. Pastaj e ke obligim që ta adhurosh Allahun sipas mënyrës që Ai e ka ligjëruar në sheriat, si: falja e namazit, dhënia e zekatit, agjërimi dhe haxhi nëse ke mundësi të shkosh në Qabe, dhe adhurime të tjera.
Data e versionit të librit: 19.11.1441 hixhri
E shkroi Prof. Dr. Muhamed ibn Abdullah es Suhajmi
Ish-profesor i lëndës së besimit në departamentin e studimeve islame.
Fakulteti i Edukimit, Universiteti i Mbretit Suud
Riad, Mbretëria e Arabisë Saudite
Related books
All books
Kjo është një broshurë e shkurtër mbi Islamin sipas mësimeve të Kuranit Famëlartë dhe të traditës profetike.61 gjuhëKjo është një broshurë e shkurtër mbi Islamin sipas mësimeve të Kuranit Famëlartë dhe të traditës profetike.
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. ISLAMI Ky botim është pa argumente. Ekziston një kopje (botim) tjetër i kësaj broshure, e pajisur me argumente nga Kurani Famëlartë dhe tradita profetike, për të gjitha çështjet që gjenden në të. Këtë kopje mund ta gjeni në linkun e mëposhtëm: https://islamhouse.com/ar/books/2830071 Kjo është një broshurë e rëndësishme, e cila përmban një prezantim të përmbledhur mbi Islamin dhe shpjegon parimet, mësimet dhe vlerat e tij më të rëndësishme, që përfitohen nga burimet e tij autentike; Kurani Famëlartë dhe tradita profetike. Kjo broshurë i…
الإسلام أصوله ومبادئه7 gjuhëالإسلامأصولهالإسلام أصوله ومبادئه
يعرض الكتاب بأسلوب موجز وشامل أساسيات الدين الإسلامي، بما في ذلك العقيدة، والعبادة، والأخلاق. ويوضح كيفية خلق الكون والإنسان، وفضل التوحيد وضرورة اتباع الشريعة الإسلامية، والدعوة إلى الله على بصيرة، معتمدًا على الكتاب والسنة. يتناول أيضًا مكانة الإنسان في الإسلام وكرامته، وحقوق المرأة ومساواتها في الثواب والعقاب. الكتاب يهدف إلى تقديم فهم شامل ومبسط للإسلام لكل من يسعى للهدى والحق.
Një Mesazh i shkurtër për Ateistin61 gjuhëNjë Mesazh i shkurtër për Ateistin
Një mesazh i shkurtër për ateistin, i cili i flet arsyes, duke theksuar se saktësia dhe rregulli i universit përjashton rastësinë dhe dëshmojnë për një Krijues të Urtë. A është e arsyeshme të besohet se e gjithë kjo ka ardhur nga hiçi? Andaj hape zemrën, për të menduar e medituar dhe kërko të vërtetën, ndoshta në të do të gjesh një dritë që të udhëzon.
PËRMBLEDHJE E AKIDES ISLAME75 gjuhëPËRMBLEDHJE E AKIDES ISLAME
Libri shpjegon bazat e besimit, të cilat përfshijnë besimin në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe në paracaktimin hyjnor (kaderin). Gjithashtu, libri paraqet parimet themelore që muslimani duhet t'i besojë dhe të veprojë sipas tyre, duke theksuar rëndësinë e forcimit të lidhjes me Allahun nëpërmjet kuptimit të thellë të besimit islam.