NJOHURITË THEMELORE QË DUHET T'I DIJË ÇDO MUSLIMAN
Libri “Njohuritë themelore që duhet t'i dijë çdo musliman” është një libër i rëndësishëm, fjalët e të cilit janë formuluar me dije dhe elokuencë. Ai përmban njohuritë e domosdoshme për muslimanin si: bazat e besimit, ligjet e Islamit dhe normat e bukura të sjelljes, me një stil të mrekullueshëm, i cili ndriçon mendjet dhe qetëson zemrat, përmirëson të kuptuarit dhe saktëson veprat. Prandaj, me të drejtë, ai është çelësi i shpëtimit dhe udhërrëfyesi i udhëtarit nëpër rrugët e adhurimit dhe dijes.
These files are generated automatically from the book's text; their layout may differ from the printed edition.
NJOHURITË E THEMELORE QË DUHET T'I DIJË ÇDO MUSLIMAN
HYRJE
Çdo lavdërim i takon Allahut, Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin si mëshirë për botët, mbi familjen dhe shokët e tij, si dhe mbi ata që ndjekin Sunetin e tij dhe ecin sipas udhëzimit të tij deri në Ditën e Gjykimit.
Kjo është një broshurë e shkurtër, e cila përmban çështjet më të rëndësishme që i nevojiten muslimanit në besimin, adhurimet dhe marrëdhëniet e tij. E kemi përpiluar për vizitorët dhe vizitoret e Dy Xhamive të Shenjta, në mënyrë që të jenë të vetëdijshëm dhe të qartë rreth çështjeve të fesë së tyre. E lusim Allahun e Madhëruar, Bujarin dhe Bamirësin që ta bëjë të dobishme këtë broshurë dhe ta bëjë atë një vepër të mirë dhe të sinqertë, të kryer vetëm për hir të Tij. Vërtet, Ai është më i miri i të luturve dhe më fisniku i të shpresuarve.
Komisioni Shkencor nën Kryesinë e Çështjeve Fetare pranë Xhamisë së Shenjtë dhe Xhamisë Profetike
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!
KREU I PARË:
NJOHURITË QË LIDHEN ME BESIMIN
Tema e parë: Kuptimi i Islamit dhe shtyllat e tij
Islam do të thotë: T’i nënshtrohesh Allahut me besimin monoteist, t'i përulesh Atij me adhurime, dhe të distancohesh nga politeizmi dhe ithtarët e tij.
Shtyllat e Islamit janë pesë:
1- Dëshmia se s'ka të adhuruar (hyjni) përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Tij
2- Falja e namazit
3- Dhënia e zekatit
4- Agjërimi i Ramazanit
5- Haxhillëku në Shtëpinë e Shenjtë për atë që ka mundësi të shkojë.
Rëndësia e teuhidit:
Dije se Allahu i Lartësuar i krijoi krijesat që ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë Atij asgjë. Allahu i Lartësuar thotë: "Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të më adhurojnë." (Edh-Dharijat, 56) Ky adhurim nuk mund të njihet veçse me dije. Siç ka thënë Allahu i Madhëruar: "Dije se nuk ka zot tjetër të vërtetë përveç Allahut! Kërko falje për gjynahun tënd dhe për besimtarët e besimtaret! Allahu e di gjendjen dhe vendbanimin tuaj!" (Muhamed, 19) Ai e nisi këtë porosi duke përmendur dijen para fjalës dhe veprës. Gjëja më e rëndësishme që duhet ta mësojë muslimani është njësimi i Allahut; sepse ai është baza e fesë dhe themeli i saj. Feja nuk qëndron veçse me teuhidin, i cili është obligimi i parë për muslimanin, si dhe obligimi i fundit. Teuhidi është shtylla e parë nga shtyllat e Islamit, të cilat çdo musliman ka për detyrë t'i njohë dhe t'i zbatojë. Shtyllat e Islamit janë pesë. Siç vjen në hadithin e Abdullah ibn Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!), i cili ka thënë: E kam dëgjuar të dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të!) duke thënë: "Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla): të dëshmuarit se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, haxhillëkun dhe agjërimin e Ramazanit."[1] (1) Transmetoi Buhariu nr. 8.
Prandaj, muslimani e ka për detyrë ta mësojë domethënien e Teuhidit, që është njësimi i Allahut në adhurim. Andaj, Atij nuk i shoqërohet askush tjetër në adhurim; as melek i afërt e as profet i dërguar.
Kuptimi i dëshmisë "la ilahe il-lallah":
Që njeriu ta pohojë me bindje të palëkundur se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Lartësuar. Pra, të adhurohet vetëm Allahu i Madhëruar dhe t'i kushtohen vetëm Atij të gjitha llojet e adhurimeve, si: lutja, frika, shpresa, mbështetja tek Ai, etj.
Shehadeti nuk realizohet vetëm se me dy shtylla:
E para: Mohimi i hyjnisë dhe i adhurimit në raport me gjithçka tjetër pos Allahut, si: ortakët, zotat dhe tagutët.
E dyta: Pohimi se hyjnia dhe adhurimi i takon vetëm Allahut dhe askujt tjetër pos Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Çdo populli Ne i çuam një të dërguar (që u thoshte): “Adhuroni Allahun dhe largohuni nga idhujt!” (En-Nahl, 36)
Kushtet e dëshmisë "La ilahe il-lallah" janë:
1- Dituria, e kundërta e paditurisë
2- Bindja, e kundërta e dyshimit
3- Sinqeriteti, e kundërta e shirkut
4- Çiltërsia, e kundërta e gënjeshtrës
5- Dashuria, e kundërta e urrejtjes
6- Zbatimi, e kundërta e braktisjes
7- Pranimi, e kundërta e refuzimit
8- Mohimi i çdo gjëje që adhurohet përveç Allahut të Lartësuar.
Këto kushte duhet të përmbushen. Ato janë përmbledhur në dy vargjet e mëposhtme:
Dije, bindje, sinqeritet, çiltërsi me dashuri, zbatim e pranim
Shtoi këtyre dhe një të tetë: të mohosh çdo gjë që përveç Allahut i është kushtuar adhurim.
Realizimi i Shehadetit arrihet me adhurimin e Allahut të Lartësuar, të Vetmit, i Cili nuk ka asnjë ortak, duke qenë i sinqertë në adhurimin e Tij. Pra, të mos i lutet vetëm se Allahut, të mos i mbështetet vetëm se Atij, të mos i mbajë shpresat vetëm se tek Ai, të mos falet vetëm se për Të dhe të mos flijojë kurban vetëm se për Allahun e Lartësuar.
Ajo çfarë bëjnë disa njerëz që kryejnë tavaf rreth varreve, kërkojnë ndihmë nga të vdekurit dhe i luten atyre krahas Allahut, është idhujtari në adhurim. Andaj duhet patur kujdes nga kjo dhe duhet paralajmëruar prej saj; sepse kjo është e llojit të idhujtarisë që bëjnë paganët, të cilët adhurojnë idhujt, gurët dhe pemët në vend të Allahut të Madhëruar. Dhe ky është shirku për të cilin u zbritën Librat dhe u dërguan Profetët dhe u urdhëruan të paralajmërojnë dhe të ndalojnë njerëzit prej tij.
Domethënia e dëshmisë se Muhamedi është i Dërguari i Allahut:
Bindja ndaj tij në atë që ka urdhëruar, besimi në atë që ai ka lajmëruar, shmangia e asaj që e ka ndaluar dhe e ka kritikuar, dhe të adhurohet Allahu vetëm me atë që ai ka ligjësuar. Kësisoj, muslimani pohon se Muhamedi, i biri i Abdullahut, Kurejshiu, Hashimiu, është i Dërguari i Allahut të Madhërishëm për të gjitha krijesat; xhindët dhe njerëzit. Siç thotë Allahu i Madhëruar: "Thuaj (o Muhamed): “O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju..." (El-Araf, 158)
Ai pohon se Allahu e dërgoi atë, që të kumtojë fenë e Tij dhe të udhëzojë krijesat. Siç ka thënë Allahu i Madhëruar: "Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk dinë." (Sebe, 28) Dhe siç thotë i Lartësuari: "Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët." (El-Enbija, 107)
Kjo dëshmi nënkupton se nuk duhet të besojmë se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka ndonjë të drejtë në të qenit zot apo se ka pjesë në administrimin e universit, ose në adhurim. Përkundrazi, ai është rob e nuk adhurohet, dhe është i dërguar e nuk përgënjeshtrohet. Nuk posedon as dëm e as dobi, as për vete e as për të tjerët, përveç asaj që dëshiron Allahu. Siç ka thënë Allahu i Madhëruar: "Thuaj: 'Unë nuk ju them se zotëroj thesaret e Allahut apo se e di të padukshmen dhe as nuk them se jam engjëll. Unë ndjek vetëm atë që më shpallet...'” (El-Enam, 50)
Tema e dytë: Kuptimi i Imanit (besimit) dhe shtyllat e tij
Imani: është pranimi me zemër, shprehja me gjuhë dhe zbatimi me zemër e me gjymtyrë; shtohet me adhurim dhe pakësohet me mosbindje.
Besimi është kusht për vlefshmërinë dhe pranimin e adhurimeve. Sikurse, shirku dhe mosbesimi janë shkak i zhvlerësimit të të gjitha adhurimeve. Ashtu siç Allahu nuk e pranon namazin pa abdes, ashtu nuk e pranon as ibadetin pa iman. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi." (En-Nisa, 124)
Ai e ka sqaruar se shirku është shkak i zhvlerësimit të veprës. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar thotë: "Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: 'Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit.'" (Ez-Zumer, 65)
Shtyllat e Imanit janë gjashtë: Besimi në Allahun, melekët e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit, dhe besimi në Kaderin, qoftë i mirë apo i keq.
1) Besimi në Allahun e Lartësuar përmban tri gjëra:
1- Besimi në hyjnitetin e Tij (se Ai është Zoti)
Kjo nënkupton njësimin e Allahut të Lartësuar në veprat e Tij; si krijimi, furnizimi, dhënia e jetës dhe e vdekjes...etj. Pra, nuk ka krijues tjetër pos Allahut, nuk ka furnizues tjetër pos Allahut, nuk ka jetëdhënës tjetër pos Allahut, nuk ka jetëmarrës tjetër pos Allahut dhe askush tjetër nuk e sundon gjithësinë pos Tij, të Lartësuarit.
Nuk njihet në histori dikush prej krijesave që të ketë mohuar të qenit e Allahut zot. Përveç ndonjë kryeneçi që nuk besonte në atë që thoshte. Siç ishte rasti i Faraonit, kur i tha popullit të tij: “Unë jam zoti juaj më i lartë!” (En-Naziat, 24) Por ai këto fjalë nuk i besonte, siç ka thënë Allahu i Madhërishëm duke cituar fjalët e Musait (paqja qoftë mbi të!): "(Musai) tha: 'Padyshim ti e di se këto nuk i ka shpallur askush tjetër, përveç Zotit të qiejve dhe të tokës, si prova të qarta dhe unë jam i bindur se ti je i dënuar në humbje'”. (El-Isra, 102) Gjithashtu Allahu i Lartësuar ka thënë: "Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre ishte i bindur në vërtetësinë e tyre..." (En-Neml, 14)
Ndaj, të gjitha këto krijesa që na rrethojnë duhet të kenë me patjetër një krijues. Ngase është e pamundur që ta sjellin vetë veten e tyre në ekzistencë. Sepse asgjë nuk e krijon vetveten, e as nuk mund të vijë në ekzistencë rastësisht. Mbasi çdo gjë që ndodh doemos e ka një shkaktar. Dhe ngase ekzistenca e tyre me këtë rregull të mahnitshëm dhe bashkërenditje simetrike e përjashton mundësinë që e gjithë kjo të jetë një rastësi. Andaj, detyrimisht duhet që ato të kenë një krijues, e Ai është Allahu, Zoti i botëve. Allahu i Lartësuar thotë: "A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur." (Et-Tur, 35-36)
Idhujtarët e pohonin se Allahu i Lartësuar është zot, por ngaqë ata i bënin ortakë Atij në adhurim, nuk konsideroheshin se kishin hyrë në Islam. Profeti (paqja qoftë mbi të!) i luftoi, dhe i konsideroi të lejuara jetën dhe pasurinë e tyre, sepse ata bënin shirk në adhurim. Ata adhuronin bashkë me Allahun gjëra të tjera; si idhujt, gurët, engjëjt...etj.
2- Besimi në kultin e Tij (se Ai është i adhuruari)
Besimi në kultin e Tij nënkupton se vetëm Ai është i adhuruari i vërtetë, i Cili nuk ka asnjë ortak. Fjala "El-ilah" ka kuptimin e "i adhuruari" me dashuri, madhërim dhe përulje.
Allahu i Lartësuar thotë: "Zoti juaj është një zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Tij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!" (El-Bekare, 163)
Kulti i zotave që zgjedhin njerëzit për të adhuruar krahas Allahut, është i pavlefshëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Kjo është kështu, sepse Allahu është e Vërteta (i vetmi që meriton të adhurohet), kurse gjithçka që adhurohet përveç Tij, është e pavërteta. Dhe, pa dyshim, Allahu është i Lartësuari dhe i Madhërishmi." (El-Haxh, 62)
Për këtë arsye, të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), prej Nuhut e deri te Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), i ftonin popujt e tyre që ta njësonin Allahun dhe të adhuronin vetëm Atë, pa adhuruar dikë tjetër veç Tij. Allahu i Lartësuar e ka hedhur poshtë përvetësimin e zotave nga ana e idhujtarëve, të cilët i adhuronin bashkë me Allahun e Lartësuar, duke kërkuar ndihmë dhe shpëtim prej tyre, me dy argumente logjike:
I pari: se këta zota që ata i kanë zgjedhur për t'i adhuruar nuk kanë asnjë veçori prej veçorive të hyjnitetit; ata janë të krijuar e nuk krijojnë, nuk u sjellin dobi adhuruesve të tyre dhe as nuk ua largojnë dëmin, nuk zotërojnë as jetën, as vdekjen e as ringjalljen. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar thotë: "E megjithatë ata adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekje e as jetë e as të ringjallin." (El-Furkan, 3)
I dyti: se këta idhujtarë pohonin se vetëm Allahu i Lartësuar është Krijuesi dhe Përkujdesësi, e ky pohim i tyre kërkonte medoemos që ta njësonin Atë në çështjen e adhurimit, ashtu siç e njësuan në çështjen e të qenit zot. Sikurse thotë Allahu i Madhëruar: "Thuaj: 'E kujt është Toka dhe gjithçka që gjendet në të, nëse e dini? Ata do të thonë: 'E Allahut!' E ti thuaju: 'Vallë, a nuk po ia vini veshin?' Thuaj: 'Kush është Zoti i shtatë qiejve dhe Zoti i Fronit Madhështor?' Ata do të thonë: 'Allahu!' E ti thuaju: 'Vallë, a nuk keni frikë ju?' Thuaj: 'Kush është Ai që ka në dorë pushtetin mbi çdo gjë, i Cili mbron, por prej Tij nuk mund të mbrohet askush, nëse e dini?' Ata thonë: 'Allahu.' E ti thuaju: 'Atëherë, përse magjepseni'"?! (El-Muminun, 84-89) Kur ta pohojnë Teuhidin e Rububijes (njëshmërinë e të qenit zot), u bëhet obligim që adhurimin t'ia kushtojnë vetëm Atij, të Lartësuarit, dhe të mos i shoqërojnë Atij askënd në adhurim.
3- Besimi në Emrat dhe Cilësitë
Kjo nënkupton pohimin e Emrave dhe Cilësive që Allahu i ka pohuar për Veten e Tij në Librin e Tij. Ose Emrat dhe Cilësitë që i ka pohuar i Dërguari i Tij (paqja qoftë mbi të!) në Sunetin e tij. Këto Emra dhe Cilësi të Allahut ne i besojmë sipas mënyrës që i takon Allahut të Lartësuar, pa i shtrembëruar e as mohuar dhe pa i përshkruar e as përngjasuar me krijesat. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to dhe largohuni nga ata që i shtrembërojnë emrat e Tij. Ata do të ndëshkohen për çfarë kanë vepruar." (El-Araf, 180) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha." (Esh-Shura, 11)
Shirku (politeizmi) ndahet në tre lloje:
1) Shirku i madh
2) Shirku i vogël, dhe
3) Shirku i fshehtë.
1) Shirku i madh
Përkufizimi i shirkut të madh është: barazimi i të tjerëve me Allahun në veçoritë e Tij. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar thotë: "Ngase ne ju kemi barazuar ju me Zotin e botëve." (Es-Shuara, 98)
Ky lloj i shirkut përfshin kushtimin e adhurimit dikujt tjetër përveç Allahut të Lartësuar, ose kushtimin e një pjese të adhurimit dikujt tjetër pos Tij, të Lartësuarit, si: lutja, kërkimi i ndihmës, zotimi, flijimi i kurbaneve dhe lloje të tjera të adhurimit.
Ose konsiderimin si hallall të asaj që Allahu e ka ndaluar. Ose ndalimin e asaj që Allahu e ka bërë hallall. Ose shfuqizimin e asaj që Allahu i Lartmadhërishëm e ka bërë obligim. Si për shembull, konsiderimi hallall i asaj që njihet në mënyrë kategorike si haram në fe; siç është lejimi i zinasë, alkoolit, keqsjelljes me prindërit, kamatës, apo gjërave të tjera të ngjashme.
Ose ndalimi i të mirave që i ka lejuar Allahu i Madhërishëm. Ose shfuqizimi i obligueshmërisë së asaj që Allahu e ka bërë obligim, si: besimi se namazi nuk është obligim, ose se agjërimi nuk është obligim, ose se zekati nuk është obligim.
Shirku i madh i bën të pavlefshme veprat dhe bën që njeriu të qëndrojë përgjithmonë në Zjarr në mënyrë të detyrueshme, për atë që vdes në këtë gjendje. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar thotë: "Por, nëse ata adhurojnë zota të tjerë, do t’u humbë çdo gjë nga ajo që kanë bërë." (El-Enam, 88)
Dhe për atë që vdes në këtë gjendje nuk do të ketë falje nga ana e Allahut, dhe Xheneti do të jetë i ndaluar për të. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar thotë: "Vërtet, Allahu nuk fal që t'i bëhet ortak dikush apo diçka, ndërsa gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë..." (En-Nisa, 48) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri..." (El-Maide, 72)
2) Shirku i vogël
Shirk i vogël është çdo gjë që është quajtur shirk në tekstet e Kuranit dhe Hadithit, por që nuk e arrin shkallën e shirkut të madh, andaj ky quhet shirk i vogël. Siç është betimi në dikë tjetër përveç Allahut të Lartësuar, si dhe betimi në Qaben e Bekuar, Profetët, amanetin (besën), jetën e filanit etj. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Ai që betohet në dikë tjetër përveç Allahut, ka bërë kufër ose shirk."(2) (2) E transmetuan Ahmedi në Musnedin e tij, nr. 6072, dhe Tirmidhiu, nr. 1535, dhe ka thënë: hadith i gradës së mirë.
Shirku i vogël mund të bëhet i madh në varësi të asaj që ka në zemër ai që e thotë; pra, nëse ai që betohet në një profet apo në një shejh, e ka në zemër se ai është si Allahu, ose se i luten atij pos Allahut, ose se ai ndërhyn në çështjet e gjithësisë, atëherë ky është shirk i madh. Por, nëse ai që betohet në diçka tjetër përveç Allahut nuk e ka këtë qëllim, por këto fjalë i dalin nga goja pa e pasur këtë qëllim, ngase i ka qenë bërë bërë zakon më përpara, atëherë ky është shirk i vogël. Kjo gjë ndodh shpesh në disa vende, prandaj duhet patur kujdes prej saj, me qëllim ruajtjen e teuhidit dhe mbrojtjen e tij.
3- Shirku i fshehtë
Shirku i fshehtë është syfaqësia që gjendet në zemër, si ai që falet ose lexon për t’u dukur para njerëzve, ose bën tesbih apo jep sadaka që ta lëvdojnë. Ky shirk është shkak i zhvlerësimit të veprës së bërë me syefaqësi, e jo i veprave të tjera të bëra sinqerisht për Allahun e Lartësuar.
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Shirku në këtë umet është më i fshehtë se ecja e milingonës së zezë mbi një shkëmb të zi në errësirën e natës, dhe shlyerja e tij është që të thotë: "O Allah, unë kërkoj të më mbrosh që të mos bëj shirk ndaj Teje me vetëdije, dhe kërkoj faljen Tënde për mëkatin që nuk e di!"[3] (3) E shënojnë Buhariu në "El-Edeb el-Mufred" nr. 716, Ahmedi në "El-Musned" nr. 19606 dhe Dija el-Makdisiu në "El-Ehadith el-Mukhtareh" [1/150]. E ka saktësuar Albani në "Sahih el-Xhami es-Sagir" nr. 3731.
Llojet e kufrit (mosbesimit):
I pari: Kufri i madh
Kufri i madh e bën të detyrueshëm qëndrimin e përhershëm në Zjarr, dhe ai ndahet në pesë lloje:
1- Kufri i përgënjeshtrimit
Kufri i përgënjeshtrimit është të besosh se profetët e Zotit janë gënjeshtarë. Ky lloj i kufrit është i paktë në radhët e jobesimtarëve, sepse Allahu i Plotfuqishëm i përkrahu të dërguarit e Tij me prova të qarta. Ndaj në realitet gjendja e këtyre përgënjeshtruesve është ashtu siç e ka përshkruar Allahu i Madhëruar: "Kështu, ata i mohuan ato padrejtësisht dhe me mendjemadhësi, edhe pse shpirti i tyre i besonte për të vërteta..." (En-Nahl, 14)
2- Kufri i refuzimit dhe mendjemadhësisë
Ky lloj i kufrit është si kufri i Iblisit, i cili nuk e mohoi urdhrin e Allahut dhe as nuk e kundërshtoi, por e priti atë me refuzim dhe mendjemadhësi. Allahu i Lartësuar thotë: "Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë jobesimtar." (El-Bekare, 34)
3- Kufri i shpërfilljes
Dhe kjo ndodh kur ai e shpërfill me dëgjimin dhe zemrën e tij ndjekjen e të vërtetës, duke mos i kushtuar vëmendje asaj dhe duke mos e përfillur. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush është më i padrejtë se ai që, kur i përmenden shpalljet e Zotit të tij, nuk ua vë veshin atyre? Vërtet, Ne do të hakmerremi ndaj keqbërësve!" (Es-Sexhde, 22)
Sa i përket indiferencës apo shpërfilljes së pjesëshme; ajo është fisk (shthurje)e jo kufër; si ai që është indiferent ndaj mësimit të disa detyrave të fesë, si dispozitat e agjërimit, haxhit etj.
4- Kufri i dyshimit
Kjo do të thotë të lëkundesh dhe të mos jesh i prerë në raport me të vërtetën, por të dyshosh në të, sikundër thotë Allahu i Lartësuar: "Ai hyri në kopshtin e vet dhe, duke qenë i padrejtë me vetveten, tha: 'Unë nuk mendoj se kjo do të shkatërrohet ndonjëherë. dhe nuk mendoj se do të vijë ndonjëherë Ora e Kiametit. Por, edhe nëse do të më kthejnë te Zoti im, sigurisht që do të gjej një vend më të mirë se ky (kopsht)'." (El-Kehf, 35-36)
5- Kufri i nifakut (hipokrizisë)
Kufri i hipokrizisë është që njeriu të shfaqë besimin me gjuhë, e të fshehë mosbesimin në zemër. Allahu i Lartësuar thotë: "Ka disa njerëz që thonë: 'Besojmë në Allahun dhe në Ditën e Gjykimit!', por në të vërtetë ata nuk janë besimtarë." (El-Bekare, 8)
Këto janë llojet e kufrit të madh, që e nxjerrin njeriun nga feja.
I dyti: Kufri i vogël
Ky lloj i kufrit nuk e bën të detyrueshëm qëndrimin e përhershëm në Zjarr. Ky është ai lloj i kufrit që në Librin e Allahut dhe Sunetin e Profetit (paqja qoftë mbi të!) emërtohet "kufër", në trajtën e pashquar. Shembujt e këtij lloji të kufrit janë të shumtë, por këtu veçojmë: Hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i cili transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Dy gjëra, nëse gjenden ndër njerëz, janë kufër (mosbesim): Diskriminimi i prejardhjes dhe vajtimi për të vdekurin.” [4] (4) E transmetuan Muslimi nr. 121 dhe Ahmedi në Musned nr. 10434.
2) Besimi në Melekët (engjëjt):
Melekët janë pjesë e botës së padukshme. Allahu i Lartësuar i ka krijuar prej drite. Ata janë adhurues të Allahut të Lartësuar. Ata nuk kanë kurrfarë cilësie të hyjnitetit apo të kultit. Nuk e kundërshtojnë Allahun në atë që i urdhëron. Dhe e përmbushin çdo urdhër që i jepet. Numri i tyre është shumë i madh; nuk i numëron dot askush pos Allahut të Lartësuar.
Besimi në engjëjt (melekët) përmban në vetvete katër gjëra:
1- Besimi në ekzistencën e tyre.
2- Besimi me emër në ata engjëj të cilëve ua dimë emrat, si: Xhibrili, Mikaili, Israfili dhe të tjerë. Ndërsa ata të cilëve nuk ua dimë emrat, i besojmë në mënyrë të përgjithshme.
3- Besimi në ato cilësi të tyre që i dimë, të cilat janë të përmendura në Kuran dhe Sunet, si cilësitë e Xhibrilit, për të cilin Profeti (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka treguar se e ka parë në formën reale që Allahu i Lartësuar e ka krijuar, dhe se ai ka gjashtëqind krahë, të cilët kishin mbuluar horizontin, në kohën kur Profeti (paqja qoftë mbi të!) e pa.
4- Besimi në veprat e tyre që ne i dimë, si madhërimi i Allahut të Lartësuar dhe adhurimi i Tij, natën e ditën, pa u mërzitur e pa u plogështuar.
Për shembull, Xhibrili është përgjegjës për shpalljen.
Israfili është përgjegjës për detyrën e fryrjes së bririt.
Engjëlli i vdekjes është përgjegjës për marrjen e shpirtrave në çastin e vdekjes.
Maliku është roja i Zjarrit dhe Ridvani është roja i Xhenetit, e të tjerë.
3) Besimi në librat hyjnorë:
Me fjalën "libra" nënkuptohen librat qiellorë që Allahu i Lartësuar ua shpalli të dërguarve të Tij, si udhërrëfyes dhe mëshirë për njerëzimin, që ata të fitojnë lumturinë e të dy botëve.
Besimi në librat hyjnorë përmban katër çështje:
1- Besimi se zbritja e tyre prej Allahut është e vërtetë.
2- Besimi në librat që i njohim me emër, si Kurani, që iu shpall Muhamedit (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!). Teurati, që iu shpall Musait (paqja qoftë mbi të!). Ungjilli, i cili iu shpall Isait (paqja qoftë mbi të!), dhe Zeburi, i cili iu dha Davudit (paqja qoftë mbi të!).
Ndërsa ata të cilëve nuk ua njohim emrat, i besojmë në mënyrë të përgjithshme.
3- Besimi në lajmet dhe tregimet që ato përmbajnë, si për shembull, lajmet dhe tregimet që përmban Kurani apo lajmet dhe tregimet që përmbajnë librat e mëparshëm që nuk janë shtrembëruar.
4- Të zbatohen dispozitat e tyre që nuk janë shfuqizuar, të jemi të kënaqur dhe t'i pranojmë ato, pavarësisht nëse e kuptojmë urtësinë e tyre apo nuk e kuptojmë. Dhe se të gjithë librat e mëparshëm janë shfuqizuar nga Kurani i Madhërishëm. Nuk bën të zbatohet asnjë dispozitë e librave të mëparshëm, përveç asaj pjese që është e saktë dhe që e ka miratuar Kurani fisnik ose Suneti profetik.
4) Besimi në Pejgamberët (paqja qoftë mbi ta!):
Er-Rusul është shumësi i fjalës resul; njeriu të cilit i shpallet një legjislacion hyjnor dhe ai urdhërohet ta kumtojë atë. I dërguari i parë ishte Nuhu (paqja qoftë mbi të!) kurse i fundit ishte Muhamedi (paqja qoftë mbi të!). Ata ishin njerëz dhe krijesa të Allahut të Madhëruar. Ata nuk kishin asnjë veçori të hyjnisë apo të kultit.
Besimi në të dërguarit përmban:
1- Besimi se pejgamberia e tyre është e vërtetë dhe është nga Allahu i Madhëruar. Andaj, kushdo që e mohon pejgamberinë e njërit prej tyre, ai i ka mohuar të gjithë.
2- Besimi me emër në ata të dërguar të cilëve ua dimë emrat, si: Muhamedi, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Nuhu (paqja dhe bekimet qofshin mbi ta!). Këta janë cilësuar si të dërguarit me vendosmëri të palëkundur.
Ndërsa ata të cilëve nuk ua dimë emrat, i besojmë në mënyrë të përgjithshme. Allahu i Lartësuar thotë: "Edhe para teje (o Muhamed) Ne kemi çuar të dërguar, për disa prej të cilëve të kemi treguar e për disa të tjerë nuk të kemi treguar..." (Gafir, 78)
3- Besimi në historitë e tyre të sakta.
4- Zbatimi i sheriatit të profetit që është dërguar te ne, i cili njëkohësisht është dhe vula e tyre, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!).
5) Besimi në Ditën e Fundit.
E cila është Dita e Kiametit, dita kur njerëzit do të ringjallen për të dhënë llogari dhe për t'u shpaguar. Quhet kështu, sepse nuk ka ditë tjetër pas saj, mbasi banorët e Xhenetit do të vendosen në vendbanimet e tyre dhe banorët e Zjarrit në vendbanimet e tyre.
Besimi në Ditën e Fundit përfshin tri çështje:
a- Besimi në Ringjallje:
Që është ringjallja e të vdekurve kur t'i fryhet Bririt për së dyti, dhe njerëzit do të dalin para Zotit të botëve, të zbathur, të zhveshur e të pa bërë synet. Allahu i Lartësuar thotë: "Ashtu siç e filluam krijimin e parë, do ta përsërisim atë. Ky është premtim i Yni. Ne do ta bëjmë këtë me të vërtetë." (El-Enbija, 104)
b) Besimi në dhënien e llogarisë dhe shpagimin.
Ditën kur njeriu merret në llogari dhe shpaguhet për veprat e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Pa dyshim, ata do të kthehen të gjithë tek Ne. Dhe mandej është detyrë e jona t'i marrim në llogari!" (El-Gashije, 25-26)
c) Besimi në Xhenetin dhe Zjarrin.
Dhe se ato të dyja janë vendpërfundimi i përhershëm i krijesave. Sakaq, Xheneti është vendi i begative të cilin Zoti i Lartësuar e ka përgatitur për besimtarët e devotshëm dhe për ata që iu bindën Zotit dhe të Dërguarit të Tij. Aty ka atë që asnjë sy nuk e ka parë, asnjë vesh nuk e ka dëgjuar dhe asnjë njeri nuk e ka marrë me mend.
Kurse Zjarri është vendi i dënimit, që Zoti e ka përgatitur për mohuesit, të cilët e mohuan Atë dhe i kundërshtuan të dërguarit e Tij. Në të ka lloje të ndryshme dënimesh dhe mundimesh që nuk mund të merren me mend.
6) Besimi në paracaktimin e Allahut, në kaderin.
Kaderi nënkupton: Caktimin e Allahut të Lartmadhëruar për atë që do të ndodhë, në përputhje me dijen e Tij paraprake dhe në përputhje me urtësinë e Tij.
Besimi në kaderin përfshin katër gjëra:
1- Besimin në Dijen: që nënkupton besimin se Allahu i Lartësuar e di atë që ka ndodhur dhe atë çfarë do të ndodhë dhe si do të ndodhë, në tërësi dhe në hollësi, në amshim dhe përjetësi. Allahu i Lartësuar e di se si do të ishte ajo që nuk ka qenë, sikur të kishte qenë. Siç ka thënë Allahu i Lartësuar: "...por edhe sikur të ktheheshin, prapë do të bënin ato që u ishin ndaluar..." (El-Enam, 28)
2- Besimin në shkrimin: që nënkupton besimin se Allahu i Lartësuar ka shkruar paracaktimet e çdo gjëje deri në Ditën e Kiametit. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar thotë: "A nuk e di ti, se Allahu di çdo gjë, që është në qiej e në Tokë? Të gjitha këto janë (shënuar) në Libër. Me të vërtetë, kjo është e lehtë për Allahun." (El-Haxh, 70)
3-Besimi në vullnetin e Allahut: që nënkupton besimin se në këtë gjithësi nuk ndodh asgjë pa vullnetin e Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh ç'të dojë." (El-Kasas, 68) Edhe njeriu ka vullnet, por vullneti i tij nuk del jashtë vullnetit të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: "Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!" [Et-Tekvir: 29]
4- Besimi në krijimin e Allahut: që nënkupton besimin se Allahu i Madhërishëm i ka krijuar krijesat dhe veprat e tyre, të mira dhe të këqija. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Mbikëqyrës i çdo gjëje." (Ez-Zumer, 62)
Këto dimensione të kaderit janë përmbledhur në këtë varg:
Dija dhe shkrimi vullneti dhe krijimi i Zotit tonë (krijimi është sjellja e krijesave në ekzistencë dhe formimi i tyre.)
Tema e tretë: Ihsani (përkryerja)
Ihsani (përkryerja) ka vetëm një shtyllë të vetme: ta adhurosh Allahun sikur të jesh duke e parë Atë, sepse edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai të sheh ty.
Kjo do të thotë që njeriu t'i kryejë adhurimet e tij sikur po qëndron para Allahut të Plotfuqishëm. Kjo bën që ai të ketë përulje dhe përkushtim të plotë. Dhe kjo bën gjithashtu që ai ta kryejë adhurimin sipas Sunetit të Profetit (paqja qoftë mbi të!).
Ihsani (përkryerja) ka dy grada dhe të përkryerit ndahen në dy nivele të ndryshme:
Niveli i parë: që është njëherazi dhe më i larti, niveli i vështrimit. Që do të thotë që robi ta bëjë punën sikur po e sheh Allahun e Lartësuar me zemrën e tij; kështu, zemra i ndriçohet me besim, dhe e padukshmja i bëhet e njëjtë si e dukshmja.
Nivlei i dytë: niveli i sinqeritetit dhe vigjilencës. Kjo do të thotë që robi të punojë për të përjetuar ndjesinë se Allahu po e sheh dhe po e vrojton. Nëse e realizon këtë, atëherë është i sinqertë me Allahun e Lartësuar.
Tema e katërt: Përmbledhje e shkurtër e bazave të ehli sunetit dhe xhematit
Së pari: pasimi i asaj që ka ardhur në Kuran dhe Sunet, me zemër dhe me gjymtyrë. Dhe mosvënia e fjalës së askujt përpara fjalës së Allahut të Madhëruar dhe fjalës së të Dërguarit të Tij (paqja qoftë mbi të!).
Së dyti: pastërtia e zemrës dhe e gjuhës ndaj sahabëve të të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!). Ata besojnë se kalifët pas të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!) ishin: Ebu Bekri, pastaj Umeri, pastaj Uthmani, e pastaj Aliu (Allahu qoftë i kënaqur me ta!).
Së treti: Dashuria për ehli bejtin (familjen profetike) dhe miqësimi me ta, respektivisht me të devotshmit prej tyre.
Së katërti: Të mos bëhet kryengritje kundër prijësve dhe udhëheqësve edhe nëse bëjnë padrejtësi. Por të bëhet lutje për ta që të përmirësohen dhe të largohen nga padrejtësitë. Dhe të mos bëhet lutje kundra tyre. Bindja ndaj tyre është pjesë e bindjes ndaj Allahut të Lartmadhëruar dhe është obligim, përderisa nuk urdhërojnë për mëkat. E nëse urdhërojnë për mëkat, nuk lejohet t'u dëgjohet fjala në çështjen e mëkatit. Kurse në çështjet e tjera, bindja ndaj tyre në mënyrën e duhur, mbetet detyrim.
Së pesti: Besimi në kerametet e eulijave (miqve të Allahut). Kerametet janë gjëra të jashtëzakonshme që Allahu i shfaq nëpërmjet tyre.
Së gjashti: Nuk i shpallin jobesimtarë njerëzit e Kiblës për kryerjen e mëkateve të mëdha në mënyrë të përgjitshme sikurse veprojnë havarixhët. Përkundrazi, vëllazëria e besimit mbetet e qëndrueshme edhe me mëkate. Dhe thonë për mëkatarin: Ai është besimtar prej besimit të tij dhe i shthurur prej mëkatit të tij të rëndë.
KREU I DYTË: ÇËSHTJE QË LIDHEN ME ADHURIMET
Tema e parë: Pastërtia
Pastërtia, gjuhësisht, nënkupton pastrim dhe dëlirësi nga papastërtitë materiale dhe shpirtërore.
Ndërsa në kuptimin fetar: pastërti do të thotë të jesh në gjendje të pastër (me abdes apo me gusël) si dhe pastrosh trupin dhe rrobat nga ndyrësitë. Pastërtia është çelësi i namazit. Prandaj, mësimi i çështjeve të pastërtisë është prej detyrave më madhore të fesë, dhe çdo musliman e ka obligim t'i mësojë dhe t'u kushtojë vëmendje.
Së pari: Llojet e ujërave
1) Ujë pastrues: i cili është i vlefshëm për pastrim. Pavarësisht nëse mbetet në formën e tij origjinale; si ujërat e shirave, lumenjve dhe deteve, apo përzihet me një lëndë të pastër, e cila nuk dominon mbi të dhe nuk ia ndryshon emrin.
2) Ujë i papastër; i cili nuk lejohet të përdoret. Ngase nuk e largon papastërtinë, dhe nuk e heq ndyrësinë. Ky lloj i ujit është ai të cilit i ka ndryshuar ngjyra, era ose shija me diçka të papastër.
Së dyti: Ndyrësitë
Ndyrësia sipas sheriatit është diçka e pistë në mënyrë specifike, e cila ia ndalon njeriut faljen e namazit; si urina, jashtëqitja, gjaku etj, që ndodhen në trup, në vendin ku falemi dhe në rrobë.
Të gjitha gjërat në parim janë të pastra dhe të lejuara për t'u përdorur. Kushdo që pretendon ndyrësinë e diçkaje specifike, ai e ka për detyrë të sjellë argumentin. Nuk konsiderohen të ndyra: gëlbaza, djersa e njeriut dhe djersa e gomarit, por ato janë të pastra, edhe pse janë të neveritshme. Çdo gjë e ndyrë është e papastër, por jo anasjelltas.
Ndyrësitë ndahen në tri grada:
E para: ndyrësia e rëndë;
Si p.sh.: papastërtia e enës ku lëpin qeni, mënyra e pastrimit të së cilës është të lahet shtatë herë, duke e pastruar herën e parë me dhé.
Së dyti: Ndyrësia e lehtë.
Si për shembull urina e foshnjës mashkull kur bie mbi rrobë apo mbi diçka tjetër të ngjashme. Mënyra e pastrimit të saj është të spërkatet me ujë derisa të mbulohet e gjitha, pa pasur nevojë për fërkim apo shtrydhje.
E treta: Ndyrësia e mesme.
Siç është urina e njeriut dhe jashtëqitja e tij, si dhe shumica e ndyrësive të tjera, kur bien në tokë, rrobë etj. Mënyra e pastrimit të saj është të hiqet lënda e ndyrësisë, nëse ajo ka marrë trajtë, duke pastruar vendin e saj me ujë apo me solucione të tjera pastruese.
Disa gjëra që janë të ndyra sipas argumenteve fetare:
1- Urina dhe jashtëqitja e njeriut
2- Medh-ji dhe Ved-ji (5) [5] Medhji: është një lëng i hollë pa ngjyrë, që del gjatë përkëdheljes midis burrit dhe gruas, ose kur imagjinon marrëdhënien seksuale apo kur dëshiron të bëjë marrëdhënie seksuale, si dhe kur shikon një femër me epsh etj. Ai del në formë pikash dhe dalja e tij mund të mos ndjehet. Vedji: është një lëng i trashë e i bardhë, që del pas urinimit ose kur ngrihet diçka e rëndë.
3- Jashtëqitja e kafshës që nuk i hahet mishi
4- Gjaku i menstruacioneve dhe i lehonisë
5- Jargët e qenit
6- Cofëtinat, me përjashtim të:
a- Njeriut kur vdes.
b- Cofëtina e peshkut dhe e karkalecit.
c- Cofëtinat e krijesave që nuk kanë gjak të rrjedhshëm, si mizat, milingonat, bletët e të ngjashme me to.
d- Kockat e cofëtinës, briri, thoi, qimja dhe puplat e saj.
Pastrimi i papastërtisë bëhet:
1- Me ujë, i cili njëherazi është dhe baza për pastrimin e papastërtive dhe nuk zëvendësohet me diçka tjetër.
2- Metodat që i ka përcaktuar Sheriati për pastrimin e sendeve të papastra ose të ndotura:
a) Lëkura e coftinës pastrohet me regjje.
b) Pastrimi i enës nëse në të ka lëpirë qeni: të lahet shtatë herë, herën e parë me dhé.
c) Pastrimi i rrobës, nëse e ka prekur gjaku i menstruacioneve, bëhet duke e kruajtur, pastaj duke e gërvishtur me ujë dhe në fund duke e shpëlarë. Nëse pas kësaj mbetet ndonjë njollë, kjo nuk përbën problem.
d- Pastrimi i cepit të fustanit të gruas; me anë të dheut të pastër kur ajo ecën mbi të.
e) Pastrimi i rrobës nga urina e foshnjës mashkull bëhet me spërkatje me ujë, ndërsa nga urina e foshnjës femër, me larje.
f- Pastrimi i rrobës nga medhji bëhet duke e spërkatur me ujë vendin që e ka prekur.
g- Pastrimi i pjesës së poshtme të opingës bëhet me anë të fërkimit të saj në tokë të pastër.
h- Pastrimi i tokës nga papastërtia bëhet duke hedhur një kovë me ujë mbi vendin ku ka rënë ndyrësia, ose duke e lënë derisa të thahet nga dielli apo era. Kur zhduket gjurma e papastërtisë, ajo bëhet e pastër.
Së treti: Çfarë është e ndaluar për personin që nuk ka abdes?
Gjërat e ndaluara për personin me papastërti të vogël (pa abdes) ose të madhe (xhunub):
1- Namazi, qoftë i detyrueshëm, qoftë vullnetar. Transmetohet nga Ibn Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Allahu nuk e pranon një namaz pa abdes."(6) (6) Transmetoi Muslimi nr. 224.
2- Prekja e mus'hafit (Kuranit). Bazuar në atë që përmendet në letrën që i Dërguari (paqja qoftë mbi të!) ia shkroi Amër ibn Hazmit, ku thuhet: "Kuranin e prek vetëm njeriu i pastër!" [7] (7) E shënojnë Maliku në “El-Muvetta”, nr. 680 dhe 219, Darimiu, nr. 312, dhe Abdurrezaku në “Musannef”, nr. 1328, dhe e ka cilësuar të saktë Albani në “Irvaul Galil”, nr. 122.
3- Tavafi rreth Shtëpisë së Lashtë (Qabes). Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Tavafi rreth Qabesë është namaz, vetëm se Allahu e ka lejuar në të të folurit."(8) Gjithashtu, Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka marrë abdes për të bërë tavafin. Dhe është vërtetuar se ai (paqja qoftë mbi të!) e ka ndaluar gruan me menstruacione të bëjë tavaf, derisa të pastrohet. (8) E transmetuan Nesaiu nr. 12808, dhe Ahmedi nr. 15423, dhe e ka cilësuar të saktë Albani në “Irvaul-Galil” nr. 121.
Gjërat që janë të ndaluara për personin që është xhunub, në veçanti, janë:
1- Leximi i Kuranit. Bazuar në hadithin e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!): "Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!) nuk e ndalonte asgjë nga këndimi i Kuranit, përveç xhunubllëkut (gjendja papastërtisë pas marrëdhënieve intime)." [9] (9) E transmetuan Ibën Maxheh nr. 594 dhe Ibën Hibbani nr. 799, dhe e ka cilësuar të dobët Albani në “Daif Sunen Et-Tirmidhi” nr. 146.
2- Qëndrimi në xhami pa abdes. Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "O besimtarë! Mos u falni kur jeni të dehur, por prisni të kthjelloheni e të dini se ç’flisni; as kur jeni të papastër (xhunub) - përveçse nëse jeni duke udhëtuar, derisa të laheni... (En-Nisa, 43)
Nëse njeriu që është xhunub merr abdes, i lejohet të qëndrojë në xhami. Po ashtu, njeriut që është xhunub i lejohet të kalojë nëpër xhami, nëse i bie rruga, pa u ulur në të.
Së katërti: Edukata e kryerjes së nevojës fiziologjike
Gjërat që këshillohen gjatë kryerjes së nevojës fiziologjike:
1- Largimi nga sytë e njerëzve gjatë kryerjes së nevojës.
2- Të thuhet lutja e hyrjes në banjo, e cila është: "All-llãhumme innĩ eũdhu bike minel-ḣubuthi uel-ḣabãithi". (O Allah! Kërkoj mbrojtjen Tënde nga të ndyrët dhe të ndyrat (shejtanët dhe shejtanet!).) (10) (10) Transmetuan Buhariu nr. 142 dhe Muslimi nr. 122.
Gjërat e detyrueshme gjatë kryerjes së nevojës fiziologjike:
1- Ruajtja nga pikat e urinës.
2- Mbulimi i auretit (vendeve të turpshme).
Gjërat e ndaluara gjatë kryerjes së nevojës:
1- Kthimi me fytyrë drejt kiblës ose kthimi i shpinës ndaj saj.
2- Kryerja e nevojës në rrugën ku kalojnë njerëzit dhe vendet publike.
3- Urinimi në ujin e ndenjur.
Veprimet e papëlqyera gjatë kryerjes së nevojës fiziologjike:
1- Prekja e organit gjenital me dorën e djathtë gjatë kryerjes së nevojës.
2. Pastrimi me ujë apo me gurë me dorën e djathtë.
3- Është e papëlqyeshme të flitet gjatë kryerjes së nevojës, e sidomos të përmendet emri i Allahut.
Së pesti: Dispozitat e pastrimit me ujë ose me gurë
Kuptimi i termit Istinxha: Pastrimi me ujë i shenjave të ndyrësisë pas kryerjes së nevojës së vogël apo të madhe.
Kuptimi i termit Istixhmar: Pastrimi i shenjave të ndyrësisë pas kryerjes së nevojës së vogël apo të madhe me diçka tjetër përveç ujit si: gurë apo letra higjenike.
Kriteret e sendeve që përdoren për të bërë istixhmar:
1- Të jetë i lejuar për përdorim.
2- Të mos jetë i ndyrë.
3- Të mos jetë i pistë.
4- Të mos jetë kockë ose bajgë.
5- Të mos bëhet me diçka të respektueshme; si letrat në të cilat përmendet emri i Allahut të Madhëruar.
Lejohet të mjaftohemi vetëm me istixhmarin me dy kushte:
1- Që papastërtia të mos përhapet përtej vendit të zakonshëm.
2- Që të përdoren tre gurë të pastër e më shumë.
Së gjashti: Dispozitat e abdesit
Abdesi është i detyrueshëm për tre adhurime:
1- Namazin, qoftë i detyrueshëm, qoftë vullnetar.
2- Prekjen e Mus'hafit (Kuranit).
3- Tavafin.
Kushtet e abdesit:
1- Islami.
2- Logjika.
3- Aftësia mendore për t'i kryer veprimet saktë.
4- Nijeti: Vendi i tij është zemra, dhe shqiptimi i tij është bidat. Kushdo që vendos të marrë abdes e ka bërë dhe nijetin automatikisht. Kurse larja e gjymtyrëve të abdesit me nijet freskimi apo higjene, nuk llogaritet si abdes.
5- Vazhdimësia e nijetit: të mos e ndërpresë nijetin e abdesit derisa ta përfundojë.
6- Ndërprerja e gjërave që e prishin abdesin. Nga kjo bëjnë përjashtim: rrjedhja kronike e gjakut dhe gjaku i istihades (gjak i çrregullt që del nga mitra).
7- Pastrimi me ujë ose me gurë para abdesit, për atë që ka urinuar ose ka kryer nevojën e madhe fiziologjike.
8- Të përdoret ujë i cili i plotëson vetitë pastruese dhe është i lejuar për përdorim.
9- Largimi i gjërave që pengojnë arritjen e ujit në lëkurë.
10- Hyrja e kohës së namazit për atë që është në gjendje papastërtie të vazhdueshme.
Farzet e abdesit:
1- Larja e fytyrës, ku bëjnë pjesë edhe larja e gojës dhe e hundës.
2- Larja e duarve bashkë me bërrylat.
3- Fërkimi i gjithë kokës me duar të lagura, duke përfshirë këtu edhe veshët.
4- Larja e këmbëve së bashku me nyjat e këmbëve.
5- Ruajtja e radhës midis gjymtyrëve të abdesit.
6- Vijimësia: të mos bëhet pauzë e gjatë midis larjes së gjymtyrëve.
Forma e Abdesit:
1- Bërja bismilah.
2- Larja e shuplakave të duarve tri herë.
3- Larja e fytyrës tri herë, ku bëjnë pjesë edhe larja e gojës dhe e hundës.
4- Larja e duarve deri te bërrylat tri herë, duke filluar me dorën e djathtë pastaj me të majtën.
5- Fërkimi i kokës dhe i veshëve me duar të lagura.
6- Larja e këmbëve deri në nyje tri herë, duke filluar me këmbën e djathtë, e pastaj me të majtën.
Gjërat që e prishin abdesin:
1- Çdo gjë që del përmes dy rrugëve (të nevojës), si: urina, gazrat dhe jashtëqitja.
2- Çdo papastërti që del nga trupi në sasi të shumtë.
3- Humbja e vetëdijes nga gjumi ose nga shkaqe të tjera.
4- Prekja e drejtpërdrejtë e organeve gjenitale dhe e anusit me dorë.
5- Ngrënia e mishit të devesë.
6- Dezertimi nga Islami, Allahu na ruajtë!
Së shtati: Dispozitat e dhënies mes'h mbi meste dhe çorape
1- Mestet janë mbathjet e këmbës, të përbëra prej lëkure apo materiali tjetër të ngjashëm.
2- Çorapet janë mbathjet e këmbëve, të përbëra prej leshi ose pambuku apo materiali tjetër të ngjashëm.
Kushtet e dhënies mes'h mbi meste:
1- Të vishen pas një pastrimi të plotë (gusël apo abdes).
2- Të mbulojnë këmbët së bashku me nyjet.
3- Të jenë të pastra.
4- Mes'hu të jetë në kohën e caktuar.
5-Dhënia e mes’hut lejohet vetëm kur merret abdes, e jo kur merret gusël.
6- Mestet dhe çorapet duhet të jenë të lejuara për përdorim; nëse janë të përvetësuara padrejtësisht, ose janë prej mëndafshi kur bëhet fjalë për burrat, nuk lejohet t’u jepet mes’h, pasi lehtësimi nuk përfitohet me anë të një vepre të ndaluar (haram).
Kohëzgjatja e mes'hut:
Për vendasin: një ditë e një natë, ndërsa për udhëtarin: tri ditë e tri net.
Mënyra e dhënies së mes'hut:
Me dorën e lagur fërkohet pjesa e sipërme e çorapeve ose e mesteve, prej majave të gishtërinjve deri në kërcir, një herë.
Gjërat që e prishin mes'hun:
1- Mbarimi i afatit të mes'hut.
2- Zbathja e çorapeve ose e njërës prej tyre.
3- Xhunubllëku.
Gjykimi i dhënies mes'h mbi meste:
Dhënia e mes'hut mbi meste është lehtësim, dhe kryerja e tij është më e mirë sesa heqja e mesteve dhe larja e këmbëve; duke vepruar kështu sipas lehtësimit të Allahut dhe duke ndjekur shembullin e Profetit (paqja qoftë mbi të!) dhe duke i kundërshtuar bidatçinjtë (që nuk e lejojnë mes'hun).
3- Mes'hu (fërkimi) mbi allçiun, fashat dhe ngjitëset:
Me allçiun kemi për qëllim gjipsin e ngurtë që vendoset mbi kockat e thyera.
Fashat janë materiale prej pëlhure etj, që lidhen mbi plagë dhe mbi gjymtyrën e ndrydhur ose të djegur.
Ndërsa me ngjitëse kemi për qëllim leukoplastin që ngjitet mbi plagë ose puçërr për mjekim.
Gjykimi i dhënies mes'h mbi to:
Lejohet, kur mbajtja e tyre është e nevojshme, me kusht që të mos zënë më shumë vend se sa nevojitet.
Nuk lejohet: kur mbajtja e tyre është e panevojshme apo kur heqja e tyre nuk shkakton siklet ose dëm.
Mënyra e dhënies mes'h mbi to:
Lahet pjesa përreth tyre dhe atyre u jepet mes'h nga të gjitha anët. Nuk i jepet mes'h pjesës që gjendet jashtë vendit të abdesit.
Së teti: Rregullat e tejemumit
Tejemumi: është fërkimi i fytyrës dhe i pëllëmbëve me dhe të pastër, me qëllimin e ritualit të pastrimit, nëpërmjet një mënyrë të caktuar.
Gjykimi fetar mbi tejemumin:
Tejemumi është i detyrueshëm në vend të abdesit dhe guslit, në mungesë të ujit ose në pamundësi për ta përdorur atë.
Urtësia e ligjësimit të tij:
Tejemumi është prej veçorive të umetit të Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Tejemumi nuk ka qenë i njohur te popujt e mëparshëm, ai është ligjësuar si një lehtësim dhe mirësi nga Allahu ndaj këtij umeti.
Rastet kur lejohet tejemumi:
1- Nëse mungon uji, qoftë në vendin e banimit apo në udhëtim, dhe nuk gjendet ndonëse janë bërë kërkimet për gjetjen e tij.
2- Nëse uji që ka me vete i nevojitet për të pirë ose për të gatuar, dhe ka frikë se po të pastrohet me të, do të mbetet i etur ai vetë ose dikush tjetër, qoftë njeri apo kafshë që duhen respektuar.
3. Nëse frikësohet se përdorimi i ujit do t'ia përkeqësojë sëmundjen ose do t'ia vonojë shërimin.
4- Nëse nuk ka mundësi ta përdorë ujin për shkak të një sëmundjeje që e pengon të lëvizë, dhe nuk ka pranë askënd që t'i japë abdes dhe ka frikë se i ikën koha e namazit.
5- Nëse frikësohet se i bën dëm i ftohti nga përdorimi i ujit, dhe nuk gjen me se ta ngrohë, merr tejemum dhe falet.
Forma e tejemumit:
I mëshojmë dheut me pëllëmbët, duke i mbajtur gishtat të hapur, pastaj me pjesën e brendshme të gishtave fërkojmë fytyrën dhe me pëllëmbët fërkojmë duart duke bërë kujdes që të fërkojmë të gjithë fytyrën dhe duart.
Gjërat që e prishin tejemumin:
1- Gjetja e ujit, nëse kemi marrë tejemum për shkak të mungesës së ujit. Ose mundësia e përdorimit të tij, nëse kemi marrë tejemum për shkak të pamundësisë së përdorimit të ujit.
2- Çdo gjë që e prish abdesin ose që e bën të detyrueshëm guslin, si: xhunubllëku, menstruacionet dhe lehonia.
Dispozita fetare për atë që nuk ka mundësi të përdorë ujin dhe të marrë tejemum:
Ai që nuk gjen ujë e as dhé, ose ndodhet në një gjendje ku nuk ka mundësi ta prekë lëkurën e trupit me ujë apo me dhé, falet sipas gjendjes së tij, pa abdes e pa tejemum, sepse Allahu nuk e ngarkon asnjë njeri përtej mundësisë së tij. Edhe nëse pas kësaj ai gjen ujë apo dhe ose është i aftë të përdorë ujë apo dhé, nuk e përsërit namazin që ka falur, sepse ai e ka bërë tashmë atë që qe i urdhëruar të bënte. Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Prandaj frikësojuni Allahut sa të mundeni!" (Et-Tegabun, 16) Dhe bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Nëse ju urdhëroj për diçka, bëjeni atë aq sa të keni mundësi." [11] (11) Transmetuan Buhariu nr. 7288 dhe Muslimi nr. 6066.
Shënim: Nëse dikush ka marrë tejemum për shkak të xhunubllëkut, e më pas gjen ujë, duhet të lahet.
Së nënti: Dispozitat e të përmuajshmeve dhe lehonisë
Së pari: Të përmuajshmet:
Të përmuajshmet janë gjak i natyrshëm, që del nga thellësia e mitrës në kohë të caktuara. Zakonisht ky gjak zgjat gjashtë apo shtatë ditë në çdo muaj, dhe mund të zgjasë më shumë ose më pak. Muaji i ciklit të një gruaje mund të zgjatet dhe shkurtohet, sipas natyrës me të cilën Allahu i Lartësuar e ka krijuar atë.
Dispozitat e gruas me të përmuajshmet:
1- Gruaja me të përmuajshmet as nuk falet, as nuk agjëron, e nëse falet apo agjëron, asnjëri nga këto dy adhurime nuk është i vlefshëm.
2- Femra me të përmuajshmet është e obliguar të kompensojë agjërimin dhe jo namazin, pasi të pastrohet.
3- Nuk i lejohet të bëjë tavaf rreth Qabes. Dhe nuk i lejohet të këndojë Kuranin. E as të qëndrojë në xhami. 4- I ndalohet bashkëshortit të saj që të kryejë marrëdhënie intime me të, derisa t'i ndërpriten menstruacionet dhe të lahet.
5- Bashkëshortit i lejohet të kënaqet me gruan e tij në mënyra të ndryshme gjatë menstruacioneve përveç marrëdhënies intime, si: puthja, prekja e të ngjashme.
6- Nuk i lejohet bashkëshortit të saj ta divorcojë gjatë periudhës së menstruacioneve.
Pastrimi nga menstruacionet kuptohet nga ndërprerja e gjakut. Kur gjaku i ndërpritet, ajo konsiderohet e pastër dhe i ka mbaruar periudha e menstruacioneve, e kësisoj duhet të lahet. Pastaj kryen veprat nga të cilat ishte e penguar t'i kryente për shkak të menstruacioneve.
E nëse pas pastrimit sheh njolla të turbullta apo të verdha, nuk i merr parasysh.
Së dyti: Lehonia:
Ky është gjak të cilin e nxjerr mitra për shkak të lindjes dhe pas saj, ai është pjesa e mbetur e gjakut që e ka mbajtur mitra gjatë periudhës së shtatzënisë.
Lehonia është si menstruacionet për sa i përket lejesës së kënaqësisë me bashkëshorten, përveç marrëdhënieve intime.
Gjithashtu është e njëjtë me të sa i përket gjërave të ndaluara; si marrëdhëniet intime, ndalimi i agjërimit, namazit, divorcit, tavafit, leximit të Kuranit, dhe qëndrimit në xhami. Po ashtu është e njëjtë me të sa i takon detyrimit të guslit kur ndërpritet rrjedhja e gjakut.
Ajo e ka për detyrë të kompensojë agjërimin, ndërsa namazin nuk e kompenson, njësoj si femra me cikël.
Periudha e saj më e gjatë është dyzet ditë. Nëse gjaku i lehonisë ndërpritet para dyzet ditëve, atëherë konsiderohet se ka përfunduar lehonia, prandaj ajo lahet, falet dhe bën gjërat që i kishte të ndaluara për shkak të lehonisë.
Tema e dytë: Namazi
Së pari: Rregullat e ezanit dhe ikametit
Ezani u ligjësua në vitin e parë të hixhretit. Shkaku i ligjësimit të tij ishte vështirësia që hasën në njohjen e kohëve të namazeve. Kësisoj, ata u konsultuan për vendosjen e një shenje për kohën e namazit. Sakaq Abdullah ibn Zejdit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) iu tregua në ëndërr ezani, dhe kjo gjë u miratua nga shpallja hyjnore.
Ezani është lajmërim për hyrjen e kohës së namazit. Ikameti është lajmërim për faljen e namazit.
Ezani dhe ikameti janë farz kifaje (detyrë kolektive) për burrat në namazet e detyrueshme. Nuk lejohet shfuqizimi i tyre ngase ata janë prej simboleve të dukshme të Islamit.
Kushtet e ezanit:
1- Muezini të jetë mashkull.
2- Fjalët e ezanit të thirren sipas radhës.
3- Ezani të thirret pa ndërprerje.
4- Ezani të thirret pas hyrjes së kohës. Nga rregulli i fundit përjashtohet: ezani i parë i sabahut dhe i xhumasë.
Sunetet e ezanit:
1- Të vendosë dy gishtat në veshë.
2- Ezani të thirret në fillim të kohës së namazit.
3- Kthimi në të djathtë dhe në të majtë te "Hajje ales salah" dhe "Hajje alel felah"
4- Të ketë zë të bukur.
5-T'i thotë fjalët e ezanit me ngadalë, pa e ekzagjeruar në zgjatjen e fjalëve.
6- Ndalesa në krye të çdo fjalie.
7- Të kthehet drejt kiblës gjatë ezanit.
Ezani përbëhet prej pesëmbëdhjetë fjalish, ashtu siç e thërriste gjithmonë Bilali (Allahu qoftë i kënaqur me të!) në praninë e Profetit (paqja qoftë mbi të!).
Fjalët e ezanit:
(Allahu ekber), 4 herë.
("Esh'hedu el-la ilahe il-lall-llah"), dy herë.
(Esh'hedu enne Muhammeden rasulull-llah), dy herë.
(Haj-je ales salah!), dy herë.
(Haj-je alel felah), dy herë.
Pastaj thotë: "Allahu ekber", dy herë.
Pastaj përfundon me (La ilahe il-lallah), një herë.
Në ezanin e sabahut, pas fjalëve 'Hajje alel felah', shton dy herë: "Es-salatu hajrum-minen-neum" Sepse është koha kur njerëzit zakonisht flenë.
Ikameti përbëhet nga njëmbëdhjetë fjali, të cilat thuhen me nxitim; sepse ai është lajmërim për të pranishmit, prandaj nuk ka nevojë të thuhet ngadalë.
Forma e ikametit është si vijon:
(Allahu ekber), dy herë.
(Esh'hedu el-la ilahe il-lall-llah), një herë.
(Esh'hedu enne Muhammeden rasulull -llah), një herë.
(Haj-je ales-salah), një herë.
(Haj-je alel felah), një herë.
(Kad kameti-s-salah), dy herë.
(Allahu ekber), dy herë.
(La ilahe il-lallah), një herë.
Është e pëlqyeshme për këdo që e dëgjon ezanin të thotë ashtu siç thotë muezini, përveç te "Haje ales-salah" dhe "Haje alel-felah", ku thotë: "La haule ue la kuv-vete il-la bil-lah". Pastaj dërgon salavate mbi Profetin (paqja qoftë mbi të!). Pastaj pas kësaj thotë: O Allah, Zot i kësaj thirrjeje të përsosur dhe i këtij namazi që po falet, jepja Muhamedit statusin e ndërmjetësimit dhe mirësisë. Ngrije në pozitën e lartë, të cilën ia ke premtuar. Vërtet, Ti nuk e shkel premtimin! [12] (12) Dijetari Abdulaziz ibën Baz, -Allahu e mëshiroftë!-, ka thënë në "Mexhmu Fetava" (29/141): "Bejhakiu ka shtuar me zinxhirë të mirë nga Xhabiri, pas fjalës «të cilin ia ke premtuar», edhe fjalën: «Vërtet, Ti nuk e shkel premtimin»."
Gjithashtu thotë: "Raḍĩtu bil-lãhi rabben, ue bil islãmi dĩnen, ue bi Muḥammedin nebijjen." (Jam i kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe dhe me Muhamedin për profet). [13] (13) Transmetoi Tirmidhiu, nr. 2635.
Është e ndaluar dalja nga xhamia pas ezanit pa arsye ose nijet për t'u kthyer.
Kur bashkohen dy namazet, mjafton një ezan i vetëm dhe ikamet për çdo namaz.
Së dyti: Pozita e namazit dhe vlera e tij
Namazi është shtylla më e rëndësishme e Islamit pas shehadetit. Ai ka një pozitë të veçantë, pasi Allahu ia bëri obligim të Dërguarit të Tij (paqja qoftë mbi të!) në natën e Miraxhit, në qiell. Dhe kjo dëshmon për madhështinë e tij, obligueshmërinë e tij të prerë dhe pozitën e tij të lartë tek Allahu i Lartmadhërishëm.
Lidhur me vlerën dhe obligueshmërinë e tij ndaj çdo individi, janë transmetuar hadithe të shumta. Obligueshmëria e tij është fakt i njohur dhe i domosdoshëm në fenë islame.
Për obligueshmërinë e tij të prerë dëshmojnë tekste të shumta nga Kurani dhe Suneti, nga të cilat mund të veçojmë:
1- Fjala e Allahut të Madhëruar: "Namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar." (En-Nisa, 103) Domethënë: është obligim në kohët që i ka përcaktuar i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!).
2- Dhe fjala e Allahut të Lartësuar: "Ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, duke qenë në fenë e pastër (të Ibrahimit), si dhe të falnin namazin..." (El-Bejjine: 5)
3- Dhe fjala e Tij: "E nëse ata pendohen, falin namazin dhe japin zekatin, atëherë janë vëllezërit tuaj në fe..." (Et-Teube, 11)
4- Xhabir ibn Abdullahu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Vërtet ndërmjet njeriut dhe shirkut e kufrit qëndron lënia e namazit."(14) (14) Transmetoi Muslimi nr. 82.
5- Burejde (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Besëlidhja ndërmjet nesh dhe atyre është namazi. Andaj, ai që e lë namazin, ka mohuar." [15] (15) E ka cituar Tirmidhiu nr. 265, dhe e vlerësoi si hasen-sahih-garib (i mirë, i saktë dhe i transmetuar nga një rrugë e vetme). E vlerësoi të saktë dhe Albani në ‘Sahih et-Tergib vet-Terhib’.
Dijetarët kanë rënë dakord për mosbesimin e atij që mohon obligueshmërinë e namazit. Ndërsa ai që e braktis atë nga përtacia dhe neglizhenca, mendimi më i saktë lidhur me të është se edhe ai bën kufër, për shkak të hadithit të saktë të përmendur më parë dhe konsensusit të sahabëve për këtë.
Së treti: Kushtet e namazit
1- Hyrja e kohës së tij.
Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar." (En-Nisa, 103) Domethënë: detyrim i përcaktuar në kohë specifike.
Kohët e namazeve të detyrueshme janë si më poshtë:
a- Sabahu: nga agimi e deri në lindjen e diellit.
b- Dreka: nga koha e lëvizjes së diellit prej zenitit e deri sa hija e çdo sendi të bëhet sa gjatësia e tij.
c- Ikindia: nga mbarimi i kohës së drekës e deri në zverdhjen e diellit, dhe në rast nevoje deri në perëndimin e tij.
d- Akshami: Nga perëndimi i diellit deri në zhdukjen e muzgut të kuqërremtë.
e- Jacia: nga përfundimi i kohës së akshamit e deri në mesnatë.
2- Mbulimi i auretit (vendeve të turpshme):
Vendet e turpshme janë pjesët që duhet të mbulohen, zbulimi i të cilave është gjest i turpshëm. Pjesët e turpshme të burrit janë prej kërthizës deri te gjunjët. I gjithë trupi i gruas gjatë namazit është auret (duhet mbuluar), përveç fytyrës. Ajo e mbulon fytyrën e saj nëse është në prani të burrave të huaj, domethënë, atyre që nuk janë mahremë për të.
3- Pastrimi nga ndyrësitë:
Ndyrësia është një papastërti e veçantë, e cila e pengon njeriun nga falja e namazit, si: urina, jashtëqitja, gjaku etj. Ajo mund të gjendet në trup, në vendin e faljes dhe në rrobë.
4- Kthimi drejt kiblës:
Kibla është Qabja e Bekuar. Ajo është quajtur kible sepse njerëzit drejtohen nga ajo.
Namazi nuk është i saktë nëse nuk kthehemi me fytyrë drejt kibles. Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Kudo që të ndodheni, ktheni fytyrat tuaja nga ana e Qabes!" (El-Bekare, 144)
5- Nijeti:
Nijeti në kuptimin gjuhësor do të thotë qëllim, ndërsa në terminologjinë e Sheriatit është vendosmëria për të kryer adhurimin në formë afrimi tek Allahu i Lartësuar. Vendi i tij është zemra, andaj nuk ka nevojë të shqiptohet me gojë, përkundrazi, shqiptimi me gojë është bidat.
Së katërti: Shtyllat e namazit
Shtyllat e namazit janë katërmbëdhjetë:
Shtylla e parë: Qëndrimi në këmbë për atë që ka mundësi.
Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Dhe qëndroni me devotshmëri para Allahut, duke iu lutur Atij!" (El-Bekare, 238) Bazuar dhe në hadithin e Imranit (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili i atribuohet Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Falu në këmbë. Nëse nuk mundesh, falu ulur. Nëse nuk mundesh, falu shtrirë!" (16) (16) Transmetoi Buhariu nr. 1117.
Nëse nuk ka mundësi të qëndrojë në këmbë për shkak të sëmundjes, falet sipas gjendjes së tij, ulur ose shtrirë. Njësoj si i sëmuri konsiderohen edhe: ai që i frikësohet një rreziku, ai që është lakuriq dhe ai që ka nevojë të ulet ose të shtrihet për shkak të mjekimit që kërkon të mos qëndrojë në këmbë. Po ashtu, arsyetohet për mosqëndrimin në këmbë ai që falet pas imamit zyrtarë, i cili nuk është në gjendje të qëndrojë në këmbë. Nëse ai falet ulur, atëherë edhe ata që janë pas tij falen ulur, duke pasuar imamin e tyre. Lejohet që namazet nafile të falen ulur, edhe pse njeriu ka mundësi të qëndrojë në këmbë, por shpërblimi nuk është sa shpërblimi i atij që falet në këmbë.
Shtylla e dytë: Tekbiri i parë në fillim të namazit.
Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Pastaj drejtohu nga Kibleja, dhe thuaj: Allahu Ekber!" [17] (17)Transmetuan Buhariu nr. 6251 dhe Muslimi nr. 884.
Forma e saj është të thuash: "Allahu ekber". Në vend të "Allahu ekber" nuk vlen asnjë fjalë tjetër.
Shtylla e tretë: Leximi i sures el-Fatiha.
Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Nuk ka namaz ai që nuk e këndon suren el Fatiha." (18) (18)Transmetuan Buhariu nr. 756 dhe Muslimi nr. 872.
Shtylla e katërt: Rukuja në çdo rekat.
Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "O besimtarë! Përkuluni (bëni ruku) dhe përuluni në sexhde...!" (El-Haxh, 77)
Shtylla e pestë dhe e gjashtë:
Ngritja nga rukuja dhe qëndrimi drejt në këmbë si në gjendjen e mëparshme, sepse ai (paqja qoftë mbi të!) e ka bërë rregullisht këtë gjë.
Profeti (paqja qoftë mbi të!) i tha personit që nuk e fali mirë namazin: “Pastaj ngrihu derisa të qëndrosh drejt!”(19) (19) Transmetuan Buhariu nr. 793 dhe Muslimi nr. 398.
Shtylla e shtatë: Sexhdeja me shtatë gjymtyrë:
balli me hundën, duart, gjunjët dhe majat e gishtërinjve të këmbëve. Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Jemi urdhëruar të bëjmë sexhde me shtatë gjymtyrë: me ballë - dhe bëri me shenjë drejt hundës së tij, - me shuplakat e duarve, me gjunjët dhe me majat e gishtërinjve të këmbëve."[20] [20] Transmetuan Buhariu nr. 812 dhe Muslimi nr. 490.
Shtylla e tetë: Ngritja nga sexhdeja dhe qëndrimi ulur ndërmjet dy sexhdeve.
Bazuar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!): "Profeti (paqja qoftë mbi të!), kur ngrihej nga sexhdja e parë, nuk e bënte sexhden e dytë derisa të qëndronte drejt ulur." [21] (21) Transmetoi Muslimi nr. 498.
Shtylla e nëntë: Qetësia në të gjitha shtyllat.
Me qetësi kemi për qëllim prehjen edhe nëse është e shkurtër, për shkak të fjalës së Profetit (paqja qoftë mbi të!) drejtuar personit që nuk e fali mirë namazin: "...derisa të qetësohesh."(22) (22) Transmetuan Buhariu nr. 724 dhe Muslimi nr. 398.
Shtylla e dhjetë dhe e njëmbëdhjetë:
Teshehhudi i fundit dhe ulja në të: bazuar në hadithin e Ibn Mesudit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Kur ndonjëri prej jush falet, le të thotë: "Et-tehijjatu lil-lahi ues-salevatu, uet-tajjibatu, es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetull-llahi ue berakatuhu, es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin, esh'hedu en la ilahe il-lAllah, ue esh'hedu enne Muḥammeden abduhu ue rasuluhu." - "Nderimet, lutjet dhe punët e mira janë për Allahun! Paqja qoftë mbi ty, o i Dërguar, si dhe mëshira e bekimet e Allahut! Paqja qoftë mbi ne dhe mbi robërit e drejtë të Allahut! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij!" [23] (23) Transmetuan Buhariu nr. 797 dhe Muslimi nr. 402.
Shtylla e dymbëdhjetë: Dërgimi i salavateve mbi Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!) në teshehudin e fundit:
Salavatet janë: "Allãhumme ṣal-li ‘alã Muḥam-medin."[24] Të themi kaq është obligim, ndërsa më shumë se kaq është sunet. (24) E ka transmetuar Tirmidhiu nr. 839.
Shtylla e trembëdhjetë: Ruajtja e radhës ndërmjet shtyllave:
Për arsye se Profeti (paqja qoftë mbi të!) i kryente shtyllat sipas radhës. Ai ka thënë: "Faluni ashtu siç më keni parë mua duke u falur!"(25) Dhe ia mësoi atij që gaboi në namazin e tij të renditura me lidhëzën ‘pastaj’. (25) Shënon Buhariu, nr. 6008.
Shtylla e katërmbëdhjetë: Dhënia e selamit.
Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Dhe përfundimi i tij është selami." Po ashtu, ai ka thënë: "Dhe dalja prej tij bëhet përmes selamit." (26) (26) Transmetoi Buhariu nr. 1110.
Së pesti: Gjërat që janë vaxhib në namaz.
Vaxhibet e namazit janë tetë:
1- Të gjitha tekbiret, përveç tekbirit fillestar.
2- Thënia ‘Subhane Rabbije el-Adhim’ në ruku një herë. Është sunet ta themi deri në tri herë, gjë e cila është shkalla më e ulët e formës së plotë. Ndërsa deri në dhjetë, është forma më e lartë.
3- Thënia ‘SemiAllahu limen hamideh’ gjatë ngritjes nga rukuja për imamin dhe për atë që falet vetëm.
4- Thënia ‘Rabbena ue lekel-hamd’ pas ngritjes nga rukuja.
5- Thënia ‘Subhane Rabbije el-A’la’ në sexhde një herë. Është sunet të thuhet deri në tri herë.
6- Thënia ‘Rabbigfir li ndërmjet dy sexhdeve një herë. Është sunet të thuhet deri në tri herë.
7- Teshehhudi i parë; forma e të cilit është: "Et-tehijjatu lil-lahi ues-salevatu, uet-tajjibatu, es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetull-llahi ue berakatuhu, es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin, esh'hedu en la ilahe il-lAllah, ue esh'hedu enne Muḥammeden abduhu ue rasuluhu." (Nderimet, lutjet dhe punët e mira janë për Allahun! Paqja qoftë mbi ty, o i Dërguar, si dhe mëshira e bekimet e Allahut! Paqja qoftë me ne dhe me robërit e drejtë të Allahut! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij).(27) (27) E transmetoi Buhariu, nr. 835.
8- Ulja për teshehudin e parë.
Së gjashti: Sunetet e namazit.
Sunetet e namazit nuk e prishin namazin nëse nuk veprohen. Ato ndahen në dy lloje: sunete gojore dhe sunete veprore.
Së pari: Sunetet gojore:
1- Duaja hyrëse, e cila ka disa forma, ndër të cilat është dhe kjo: "Subhanekell-llahumme ue bihamdike, ue tebarekesmuke, ue teala xhedduke, ue la ilahe gajruke." - "O Allah! Ti je pa të meta. Ty të bëj lavdi! Emri Yt është i bekuar, Madhëria Jote është e Lartësuar dhe askush pos Teje s’ka të drejtë të adhurohet!" [28] (28) Transmetuan Buhariu nr. 743 dhe Muslimi nr. 399.
2- Istiadheja para Fatihasë. Istiadheja është të themi: "E’ũdhu bil-lãhi minesh-shejṭãnirr-rraxhĩm" (Kërkoj mbrojtjen e Allahut nga shejtani i mallkuar).
3- Besmeleja para këndimit të Kuranit. Që është thënia: “Bismil-lahirr- rrahmanirr-rrahim".
4- Thënia e më shumë se një herë e dhikrit në ruku dhe sexhde.
5- Thënia më shumë se një herë e dhikrit: "Rabbiġfir lĩ" (O Zoti im, më fal!) ndërmjet dy sexhdeve.
6- Thënia e këtij dhikri: "Mil'es-semavati ue mil'el erdi ue mil'e ma bejnehuma ue mil'e ma sh'ite min shej'in ba'du" (Sa të mbushet hapësira e qiejve, e Tokës dhe e gjithçkaje që gjendet midis tyre, si edhe po aq sa çfarëdo tjetër që dëshiron Ti, pas kësaj." Këtë e thotë pas dhikrit: "Rabbenã ue lekel-ḥamd!" (Zoti ynë, Ty të takon lavdia!) (29) (29) Transmetoi Tirmidhiu nr. 266.
7- Këndimi i një pjese të Kuranit pas Fatihasë.
8- Thënia e kësaj lutjeje: "Allahumme inni e’udhu bike min adhabi xhehennem, ue min adhabil ḳabr, ue min fitnetil mahja uel memat, ue min fitnetil mesihid-dexh-xhal" – (O Allah! Më ruaj nga dënimi i Xhehenemit! Më ruaj nga dënimi i varrit! Më ruaj nga sprovat gjatë jetës e pas vdekjes! Më ruaj nga sprova e mesihut Dexhal!) [30] Dhe lutje të tjera veç kësaj që mund të thuhen në teshehudin e fundit. (30) Transmetoi Muslimi, nr. 588.
Së dyti: sunetet veprore:
1- Ngritja e duarve deri te supet ose deri te veshët në katër vende të ndryshme gjatë namazit:
a- Në tekbirin fillestar.
b) Me rastin e rënies në ruku.
c) Me rastin e ngritjes nga rukuja.
d) Me rastin e ngritjes për rekatin e tretë.
2- Vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën në gjoks gjatë qëndrimit në këmbë, para rukusë dhe pas ngritjes nga rukuja.
3- Shikimi në vendin e sexhdes.
4- Mbajtja e krahëve të ndara nga ijet gjatë sexhdes.
5- Mbajtja e barkut të ndarë nga kofshët gjatë sexhdes.
6- Praktikimi i iftirashit (ngritja e këmbës së djathtë dhe ulja e këmbës së majtë) në të gjitha uljet e namazit, përveç në teshehudin e fundit të namazeve që kanë nga tri ose katër rekate.
7- Ulja në formën e teverrukut (ulja mbi të pasmet) në teshehudin e fundit të namazit trerekatësh ose katërrekatësh.
Së shtati: Forma e namazit.
1- Kur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ngrihej për të falur namazin, drejtohej me fytyrë nga Kibla, i ngrinte duart duke i drejtuar shuplakat nga Kibla dhe thoshte: "Allahu ekber"
2- Pastaj e kapte dorën e majtë me të djathtën dhe i vendoste në gjoks.
3- Pastaj thoshte duanë e hapjes, dhe nuk përdorte gjithmonë vetëm një version. Të gjitha duatë e hapjes të transmetuara dhe të vërtetuara prej Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) lejohet të thuhen, disa nga të cilat janë: "Subhaneke Allahumme ue bihamdike, ue tebarekesmuke, ue teala xhedduke, ue la ilahe gajruke." - (O Allah! Ti je pa të meta. Ty të bëj lavdi! Emri Yt është i bekuar, Madhëria Jote është e Lartësuar dhe askush pos Teje s’ka të drejtë të adhurohet!)
4- Pastaj thoshte: "E’ũdhu bil-lãhi minesh-shejṭãnirr-rraxhĩm, Bismil-lãhirr-rraḥmãnirr-rraḥĩm"
5- Pastaj këndonte Fatihanë dhe pas përfundimit të saj thoshte: "Amin"
6- Pastaj këndonte çfarë të dëshironte prej sureve të Kuranit. Këndonte me zë në sabah, dhe në dy rekatet e para të akshamit dhe jacisë. Ndërsa në rastet e tjera lexonte me zë të ulët. E zgjaste rekatin e parë të çdo namazi më shumë se të dytin.
7- Pastaj i ngrente duart siç i ngrente në fillim të namazit. Dhe thoshte: “Allahu ekber” e binte në ruku. I vendoste duart mbi gjunjë me gishtërinj të hapur dhe i kapte gjunjët fort, e drejtonte shpinën dhe e mbante kokën në vijë me shpinën; as nuk e ngrente dhe as nuk e ulte. Dhe thoshte: "Subḥãne rabbijel ‘aḍhĩm" (I Dëlirë nga të metat është Zoti im, i Madhërishmi!) - një herë. Ndërsa më e pakta e formës së plotë është të thuhet tri herë, siç e përmendëm më parë.
8- Pastaj e ngrite kokën duke thënë: “Semi’all-llãhu limen ḥamideh! (Allahu e dëgjon lavdinë e atij që i bën lavdi!)” Dhe i ngrente duart siç i ngrente kur binte në ruku.
9- Kur drejtohej në këmbë, thoshte: "Allahumme Rabbena ue lekel-hamd, hamden kethiran tajjiben mubaraken fihi, mil'e-s-semai ue mil'e-l-erdi ue mil'e ma bejnehuma ue mil'e ma shi'te min shej'in ba'd, ehleth-thenai uel-mexhdi, ehakku ma kalel-abdu ue kul-luna leke abd, la mania lima a'tajte ue la mu'tije lima mena'te ue la jenfeu dhel-xheddi minkel-xhedd." - "O Allah, Zoti ynë, Ty të takon lavdia, lavdi e panumërt, e dëlirë nga syfaqësia dhe e pafundme, sa të mbushet hapësira e qiellit dhe e tokës, dhe sa të mbushet hapësira mes tyre, si edhe po aq sa çfarëdo tjetër që dëshiron Ti, pas kësaj! O i Denji për lavdërim dhe lavdi! Fjala më e drejtë që e thotë robi, dhe të gjithë ne jemi robër të Tu, është: atë që jep Ti askush nuk e pengon, e atë që nuk e jep Ti askush nuk e jep. Askujt nuk mund t'i bëjë dobi pasuria pa lejen Tënde!." [31] Në këtë qëndrim rrinte gjatë. (31) Transmetoi Ebu Davudi nr. 5168.
10- Pastaj merrte tekbir dhe binte në sexhde. Duke mos i ngritur duart. Bënte sexhde me ballin, hundën, shuplakat e duarve, gjunjët dhe majat e gishtërinjve të këmbëve. I kthente gishtat e duarve dhe të këmbëve drejt kibles. Dhe qëndronte drejt në sexhde. E vendoste mirë ballin dhe hundën në tokë. Mbështetej mbi shuplakat e duarve, dhe i ngrente bërrylat. Krahët i largonte nga ijet. Barkun po ashtu e largonte nga kofshët dhe kofshët i largonte nga pulpat e këmbëve. Në sexhde thoshte: "Subḥãne Rabbijel a’ëlã" (I Dëlirë nga të metat është Zoti im, më i Larti!), një herë. Ndërsa, forma më e plotë është të thuhet të paktën tri herë, siç e kemi përmendur më herët. Pastaj bënte lutjet që transmetohen.
11- Pastaj e ngrinte kokën duke thënë: "Allahu ekber" Pastaj e shtrinte këmbën e majtë dhe ulej mbi të, kurse të djathtën e mbante të ngritur. I vendoste duart mbi kofshët dhe pastaj thoshte: "Alla-llahumme gfirli uer hamni uexhburni uehdini uerzukni" "O Allah, më fal, më mëshiro, më përmirëso, më udhëzo dhe më furnizo me të mira!"[32] (32) E transmetoi Tirmidhiu nr. 284.
12- Pastaj thoshte "Allahu ekber" dhe binte në sexhde, dhe vepronte në të dytën njëjtë si në të parën.
13- Pastaj e ngrinte kokën duke thënë tekbirin, dhe çohej mbi pjesën e përparme të këmbëve, duke u mbështetur në gjunjët dhe kofshët.
14- Kur drejtohej plotësisht në këmbë, fillonte këndimin e Kuranit. Rekatin e dytë e falte njësoj sikurse rekatin e parë.
15- Pastaj ulej për teshehudin e parë në formën e iftirashit, ashtu siç ulej ndërmjet dy sexhdeve. Vendoste dorën e djathtë mbi kofshën e djathtë, kurse dorën e majtë mbi kofshën e majtë. Dhe e vendoste gishtin e madh të dorës së djathtë mbi gishtin e mesëm në formë rrethi. E ngrinte gishtin tregues dhe shikonte drejt tij. Dhe thoshte: "Et-tehijjatu lil-lahi ues-salevatu, uet-tajjibatu, es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetull-llahi ue berakatuhu, es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin, esh'hedu en la ilahe il-lAllah, ue esh'hedu enne Muḥammeden abduhu ue rasuluhu." - (Nderimet, lutjet dhe punët e mira i takojnë Allahut! Paqja qoftë me ty, o i Dërguar, si dhe mëshira e begatimet e Allahut! Paqja qoftë me ne dhe me robërit e drejtë të Allahut! Dëshmoj se nuk ka të drejtë të adhurohet kush përveç Allahut, Një të Vetëm e pa ortak, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij). Në këtë ulje nuk rrinte gjatë.
16- Pastaj çohej në këmbë duke thënë “Allahu ekber”, dhe falte rekatin e tretë dhe të katërt, duke i bërë ato më të shkurtra se dy të parët. Në të dy këto rekate e këndonte suren Fatiha.
17- Pastaj, në teshehudin e fundit, bënte uljen në formën e teverrukut (ulej mbi të pasmet). Teverruku është të shtrijë këmbën e majtë dhe ta nxjerrë nga ana e djathtë, kurse të djathtën ta mbajë drejt dhe t'i vendosë të ndenjurat në tokë.
18- Pastaj bënte teshehudin e fundit, i cili është sikur teshehhudi i parë. Veç tij thoshte: "All-llãhumme ṣal-li ‘alã Muḥam-medin ue ‘alã ãli Muḥam-medin, kemã ṣal-lejte ‘alã ãli Ibrãhĩme, inneke Ḥamĩdun Mexhĩd. Ue bãrik ‘alã Muḥam-medin ue ‘alã ãli Muḥam-medin, kemã bãrakte ‘alã ãli Ibrãhĩme, inneke Ḥamĩdun Mexhĩd." (O Allah, lavdëroje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç lavdërove familjen e Ibrahimit, vërtet Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar! O Allah, begatoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, ashtu siç begatove familjen e Ibrahimit, vërtet Ti je i Lavdishëm dhe i Madhëruar!)
19- Dhe kërkonte mbrojtjen e Allahut nga dënimi i Xhehenemit, nga dënimi i varrit, nga sprova e jetës dhe vdekjes, dhe nga sprova e mesihut Dexhal. Dhe bënte duatë që ceken në Kuran dhe në Sunet.
20- Pastaj jepte selam në të djathtë, duke thënë: "Es-selãmu ‘alejkum ue raḥmetullãh." Dhe në anën e majtë po ashtu. E fillonte selamin i drejtuar nga Kibla dhe e përfundonte me kthimin e plotë (të fytyrës).
8- Gjërat që nuk pëlqehen gjatë namazit.
1) Kthimi i shikimit pa nevojë.
2) Ngritja e shikimit drejt qiellit.
3)- Mbyllja e syve pa nevojë.
4) Shtrirja e parakrahëve në tokë gjatë sexhdes.
5) Mbulimi i gojës dhe i hundës pa nevojë.
6) Falja e namazit kur të mundon nevoja fiziologjike, ose kur është shtruar ushqimi që e dëshiron.
7) Fshirja e ballit dhe e hundës nga gjërat që i kanë ngelur prej sexhdes. Nuk ka asgjë të keqe që kjo të bëhet pas përfundimit të namazit.
8) Mbështetja në mur apo diçka tjetër gjatë ngritjes, pa pasur nevojë.
Së nënti: Gjërat që e prishin namazin
1- Ngrënia dhe pirja.
2- Fjalët që nuk janë pjesë e tij.
3- E qeshura dhe gajasja.
4- Lënia me qëllim e ndonjë rukni ose vaxhibi të tij.
5- Shtesa e qëllimshme e një rukni ose rekati.
6- Dhënia e selamit në mënyrë të qëllimshme para imamit.
7- Lëvizjet e shumta dhe të pandërprera që nuk i përkasin namazit, pa nevojë.
8- Kryerja e diçkaje që bie ndesh me ndonjërin prej kushteve të namazit, si: prishja e abdesit, zbulimi i auretit qëllimisht, mënjanimi i tepërt nga ana e kibles, pa nevojë dhe ndërprerja e nijetit të namazit.
Së dhjeti: Sexhdeja e harresës
Harresa është pjesë e natyrës njerëzore. Edhe Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) i ka ndodhur të harrojë në namaz. Harresa që i ndodhi atij në disa raste në namaz ishte pjesë e plotësimit të dhuntisë së Allahut ndaj këtij umeti dhe pjesë e përkryerjes së fesë islame, në mënyrë që të ndiqnin dispozitat që ai ligjësoi në rast harrese.
Shkaqet e sexhdes së harresës:
1- Rasti i parë:
Shtesat në namaz, qoftë shtesa në veprime, ose shtesa në fjalë:
a) Shtesat në veprime: Nëse dikush shton një veprim që është i llojit të veprimeve në namaz, si p.sh. qëndrimi në këmbë në vend të qëndrimit ulur apo qëndrimi ulur në vend të qëndrimit në këmbë, ose shton një ruku a një sexhde; nëse e bën këtë nga harresa, atëherë ai duhet të bëjë sexhden e harresës.
b) Shtesat e fjalëve: sikurse këndimi i Kuranit në ruku dhe sexhde. Nëse e bën këtë nga harresa, pëlqehet të bëjë sexhden e harresës.
2-Rasti i dytë:
Lënia e diçkaje në namaz për shkak të harresës; kjo ka dy forma:
a- Lënia e një shtylle: nëse kjo shtyllë është tekbiri fillestar, namazi i tij është i pavlefshëm dhe kjo nuk kompensohet me sexhden e harresës. Ndërsa nëse bëhet fjalë për një shtyllë tjetër përveç tekbirit fillestar, si rukuja apo sexhdeja, dhe i kujtohet para se të fillojë të këndojë Kuran në rekatin tjetër, atëherë duhet të kthehet medoemos, për ta kryer atë shtyllë që e ka harruar dhe mandej të kryejë veprimet e tjera që vijnë pas saj.
Ndërsa nëse i kujtohet pasi e ka nisur këndimin e Kuranit në rekatin tjetër, i bëhet i pavlefshëm rekati në të cilin e ka harruar shtyllën në fjalë dhe rekati pasues në të cilin është duke kënduar Kuran zë vendin e tij.
b- Lënia e një vaxhibi: si harresa e teshehudit të parë, ose mosbërja e tesbihut në ruku. Në këtë rast: bën sexhden e harresës.
3- Rasti i tretë: Dyshimi.
Për shembull, nëse dikush dyshon a ka falur tri apo katër rekate në namazin e drekës, në këtë rast kemi disa situata:
a- Nëse anon më shumë te njëri prej dy mendimeve, vepron sipas tij dhe bën sexhden e harresës.
b- Nëse nuk anon te asnjëri prej tyre, atëherë vepron sipas asaj që është më e sigurt (zgjedh numrin e vogël) dhe bën sexhden e harresës.
Nëse dyshimi ndodh pas namazit, ose nëse personi ka dyshime të shpeshta, këtij dyshimi nuk i kushtohet vëmendje.
Shënim: Sexhdeja e harresës bëhet para selamit: nëse është për shkak të lënies së diçkaje, ose për shkak të dyshimit dhe ai nuk anon tek asnjëri prej mendimeve. Bëhet pas selamit: nëse bëhet për shkak të shtimit të diçkaje, ose për shkak të dyshimit dhe ai ka vepruar sipas mendimit më të fortë. Sidoqoftë në këtë çështje ka hapësirë dhe tolerancë, në dashtë Allahu i Lartësuar.
Së njëmbëdhjeti: Kohët në të cilat është e ndaluar të falim namaz
Parimi bazë është lejimi i namazit në të gjitha kohët. Megjithatë, sheriati e ka ndaluar faljen e namazit në disa kohë të caktuara, të cilat janë:
1- Pas namazit të sabahut deri në lindjen e diellit dhe ngritjen e tij sa një shtizë, bazuar në shikimin me sy.
2- Kur dielli është në zenit, derisa të lëvizë prej tij. Kjo është koha më e shkurtër në të cilën ndalohet namazi.
3. Nga namazi i ikindisë, derisa të perëndojë dielli. Kjo është koha më e gjatë e ndalesës.
Namazet që lejohen të falen në kohët e ndaluara:
1- Kompensimi i farzeve të kaluara.
2- Namazi me shkak, si: përshëndetja e xhamisë, dy rekatet e tavafit, namazi i eklipsit dhe namazi i xhenazes.
3-Kompensimi i sunetit të sabahut pas namazit të sabahut.
Së dymbëdhjeti: Namazi me xhemat
Namazi me xhemat në xhami është një nga simbolet madhore të Islamit. Muslimanët kanë rënë dakord se falja e pesë namazeve në xhami është prej adhurimeve më të theksuara dhe veprave më madhështore, madje ato janë simboli më madhështorë i Islamit.
1- Gjykimi fetar mbi namazin me xhemat:
Falja e namazit me xhemat në xhami është detyrim për burrat të cilët e kanë të mundur. Qoftë kur janë në vendin e tyre të banimit apo në udhëtim. Në gjendje sigurie dhe në gjendje frike. Në të gjitha këto raste, është detyrë për secilin ta falë namazin me xhemat.
Për obligimin e namazit me xhemat dëshmojnë: Kurani dhe Suneti, si dhe praktika e muslimanëve brez pas brezi, ndër shekuj.
Nga argumentet e Kuranit është fjala e Allahut të Lartësuar: "Kur të jesh ti (Muhamed) në mes të besimtarëve dhe të drejtosh faljen e namazit (në luftë), atëherë njëri grup prej tyre le të falet me ty..." (En-Nisa, 102) Ky ajet kuranor tregon se namazi me xhemat është detyrë e theksuar. Pasiqë muslimanëve nuk u është lejuar lënia e tij as në gjendje paniku. Sikur të mos ishte obligim, arsyeja më kryesore për lënien e tij do të ishte frika nga armiku. Lënia e namazit me xhemat dhe përtacia ndaj tij është një nga cilësitë më të shquara të hipokritëve.
Argumentet nga Suneti në lidhje me këtë temë janë të shumta, disa ndër të cilat janë:
Hadithi që ceket në Sahihun e Muslimit: “Një njeri i verbër tha: “O i Dërguari i Allahut, nuk kam askënd të ma tregojë rrugën për në xhami.” Pastaj i kërkoi Profetit (paqja qoftë mbi të!) leje të falet në shtëpi dhe Profeti (paqja qoftë mbi të!) i dha leje. Mirëpo, kur ai mori të kthehej, Profeti (paqja qoftë mbi të!) e thirri dhe i tha: “A e dëgjon ezanin?” Ai iu përgjigj: “Po.” Profeti (paqja qoftë mbi të!) i tha: “Atëherë, përgjigjju!” [33]. (33) Transmetoi Muslimi nr. 1484.
Profeti (paqja qoftë mbi të!) e urdhëroi të shkonte në xhami për faljen e namazit me xhemat dhe t'i përgjigjej ezanit, edhe pse ishte i verbër dhe me gjithë vështirësitë që haste. Kjo tregon se namazi me xhemat është obligim.
2- Kur konsiderohemi se e kemi arritur namazin me xhemat?
Konsiderohemi se e kemi arritur namazin me xhemat nëse e zëmë një rekat të namazit me imamin. Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Ai që arrin një rekat të namazit e ka arritur të gjithë namazin." [34] (34) Transmetuan Buhariu nr. 609 dhe Muslimi nr. 602.
3-Kur konsiderohemi se e kemi zënë rekatin?
Konsiderohemi se e kemi zënë rekatin nëse zëmë rukunë me imamin. Nëse ai që vjen me vonesë e zë imamin në ruku, duhet ta thotë tekbirin fillestar duke qenë në këmbë, pastaj të bjerë në ruku duke thënë përsëri tekbirin për të shkuar në ruku. E nëse mjaftohet me tekbirin fillestar ndërkohë që është në këmbë, ai i vlen edhe për tekbirin e rukusë.
4- Arsyet që ia lejojnë njeriun lënien e namazit me xhemat:
1- Sëmundja: nëse ia bën të vështirë praninë në namazin e xhumasë dhe në namazin me xhemat.
2- Mbajtja me forcë e nevojës së vogël ose të madhe; sepse mbajtja e tyre shkakton humbjen e përqendrimit në namaz dhe dëmton trupin.
3- Prania e ushqimit kur njeriu është i uritur ose ka neps për të, me kusht që kjo të mos merret si zakon ose hile për të mos marrë pjesë në namazin me xhemat.
4- Frika nga një rrezik i sigurt për veten, pasurinë, etj.
Së trembëdhjeti: Namazi i frikës:
Namazi i frikës është i ligjësuar në çdo luftë të lejuar, siç është lufta kundër jobesimtarëve, kryengritësve dhe agresorëve, bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "...nëse druheni që jobesimtarët do t’ju bëjnë ndonjë dëm..." (En-Nisa, 101) Sipas këtij parimi gjykohet edhe për rastet e tjera në të cilat lufta është e ligjshmme.
Namazi i frikës është i ligjësuar me dy kushte:
1) Që armiku të jetë prej atyre që lejohet të luftohen.
2) Të ekzistojë frika se mos sulmohen besimtarët gjatë namazit.
Forma e namazit të frikës:
Format e saj janë të shumta; më e njohura prej tyre është ajo që është transmetuar në hadithin e Sehlit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku thuhet se një grup i sahabëve u rreshtua me Profetin (paqja qoftë mbi të!) dhe një grup tjetër ishte përballë armikut. Ai ua fali një rekat grupit që ishte me të, pastaj qëndroi në këmbë, ndërsa ata e plotësuan vetë (namazin) dhe u larguan e u rreshtuan përballë armikut dhe erdhi grupi tjetër me të cilët fali rekatin që i kishte mbetur nga namazi i tij, pastaj qëndroi ulur, ndërsa ata e plotësuan vetë (namazin). Pastaj dha selam me ta.[35] (35) Transmetuan Buhariu nr. 4130 dhe Muslimi nr. 842.
Nga namazi i frikës ne përfitojmë këto gjëra:
1) Rëndësia e namazit në Islam dhe rëndësia e namazit me xhemat, pasi ai nuk është shfuqizuar as në këto rrethana kritike.
2) Heqja e vështirësive nga ky umet, toleranca e fesë dhe përshtatshmëria e saj për çdo kohë dhe vend.
3) Përsosja e sheriatit islam, dhe zgjidhjet e përshtatshme që ai jep për çdo situatë.
Së katërmbëdhjeti: Namazi i xhumasë
Së pari: Gjykimi fetar lidhur me të:
Namazi i xhumasë është obiligim për çdo musliman: mashkull, i rritur, i mençur, vendas, i cili nuk ka justifikim.
Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "O besimtarë, kur të thirreni për (të falur) namazin (e xhumasë) në ditën e premte, nxitoni për ta përmendur Allahun dhe lëreni tregtinë! Kjo, që ta dini, është më mirë për ju!" (El-Xhumu'a, 9)
Dhe bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): “Ose do të heqin dorë disa njerëz nga lënia e xhumave, ose Allahu i Lartësuar do t'ua vulosë zemrat, e pastaj do të jenë prej të shkujdesurve.” [36] (36) Transmetoi Muslimi nr. 865.
Së dyti: Kushtet e vlefshmërisë së namazit të xhumasë:
a) Koha: Koha e saj është si koha e namazit të drekës. Andaj nuk është i vlefshëm nëse falet para kohës së vet, apo pas daljes së saj.
2) Të jetë i pranishëm një xhemat, dhe numri më i vogël i tij, sipas mendimit më të saktë, është tre persona. Nuk vlen nga një person i vetëm, dhe as nga dy veta.
3) Namazlinjtë të jenë banorë të cilët jetojnë në shtëpi të zakonshme. Të ndërtuara, qoftë prej betoni të armuar, ose prej gurësh, ose prej balte etj. Rrjedhimisht, namazi i xhumasë nuk është i vlefshëm për beduinët, të cilët banojnë në çadra dhe tenda prej leshi, të cilët nuk kanë një vendbanim të përhershëm, por shpërngulen dhe ndjekin kullosat për bagëtinë e tyre.
4) Para namazit të xhumasë të mbahen dy hutbe, sepse Profeti (paqja qoftë mbi të!) i ka mbajtur rregullisht këto dy hutbe.
Së treti: Cilat janë shtyllat e dy hutbeve të xhumasë.
1) Falënderimi i Zotit dhe shehadeti.
2) Salavatet për Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!).
3) Porosia për të qenë të devotshëm.
4) Leximi i një pjese nga Kurani.
5) Këshillimi.
Së katërti: Gjërat e pëlqyeshme në lidhje me dy hutbet e xhumasë:
1) Të mbahen në minber (podium).
2) Ndarja ndërmjet dy hutbeve me një ulje të shkurtër. 3) Lutja në to për muslimanët dhe për prijësit e tyre.
4) Të jenë të shkurtra.
5) Ligjëruesi t'u japë selam njerëzve kur të ngjitet në minber.
Së pesti: Gjërat e pëlqyeshme në ditën e xhumasë:
1) Përdorimi i misvakut.
2) Përdorimi i parfumit, nëse është i disponueshëm.
3) Shkuarja herët për namazin e xhumasë.
4- Shkuarja në këmbë në xhami dhe jo me mjet.
5) Qëndrimi afër imamit.
6) Bërja e duasë.
7) Leximi i sures El-Kehf.
8) Dërgimi i salavateve për Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!).
Së gjashti: Gjërat e ndaluara për atë që merr pjesë në xhuma:
1- Ndalohet e folmja kur imami mban hutben e xhumasë, ngase Pejgamberi (paqja qoftë mbi të) ka thënë: "Nëse në ditën e xhuma, teksa imami është duke ligjëruar, i thua shokut tënd: "Hesht!", ke bërë diçka të kotë." [37] D.m.th. ke folur fjalë të kota, dhe fjala e kotë është mëkat. (37) Transmetuan Buhariu nr. 934 dhe Muslimi nr. 851.
2- Është e papëlqyeshme të kapërcehen supet e njerëzve për të dalë përpara, përveç imamit, ose për të arritur në një vend të zbrazët ku nuk mund të arrihet ndryshe.
Kur konsiderohemi që e kemi arritur namazin e xhumasë?
Kush e arrin rukunë me imamin në rekatin e dytë të namazit të xhumasë, e ka arritur xhumanë, dhe i plotëson dy rekatet. E nëse nuk e arrin rukunë e rekatit të dytë, këtij i ka ikur namazi i xhumasë dhe ai duhet të falë namazin e drekës me katër rekate. Gjithashtu, nëse dikujt i ka ikur namazi i xhumasë nga gjumi ose për arsye tjetër, ai duhet të falë drekën.
E pesëmbëdhjeta: Namazi i njerëzve të arsyetuar:
Së pari: Namazi i të sëmurit:
a) I sëmuri është i obliguar ta kryejë namazin sipas mundësisë. Nuk i lejohet ta vonojë përtej kohës së caktuar, për sa kohë që është i vetëdijshëm.
b) Si falet i sëmuri?
1- I sëmuri është i obliguar të falet në këmbë nëse mund të qëndrojë në këmbë pa vështirësi ose pa e dëmtuar veten, dhe të bëjë ruku e sexhde.
2- Nëse dëmtohet nga rukuja ose sexhdeja, megjithëse ka mundësi të qëndrojë në këmbë, falet në këmbë dhe e bën me shenjë për rukunë duke qenë në këmbë dhe për sexhden duke qenë ulur.
3- Nëse nuk mund të falet në këmbë, falet ulur. Mënyra sipas sunetit është që të ulet këmbëkryq në vend të qëndrimit në këmbë, të bëjë me shenjë për rukunë ndërsa sexhden ta bëjë në tokë, nëse e ka të lehtë. Përndryshe, bën me shenjë për sexhden, dhe shenja e sexhdes duhet të jetë më e ulët se ajo e rukusë.
4- Nëse nuk mund të falet ulur, falet i shtrirë në anë, me fytyrën nga kibla. Ana e djathtë është më e mirë nëse është e mundur, dhe bën me shenjë për rukunë dhe sexhden.
5- Nëse nuk mund të falet i shtrirë në anë, falet i shtrirë në shpinë, me këmbët në drejtim të kibles, dhe bën me shenjë për rukunë dhe sexhden.
6- Nëse nuk ka mundësi të bëjë me shenjë me trupin e tij në ruku dhe sexhde, atëherë bën me shenjë me kokën e tij. Nëse edhe këtë e ka të vështirë, atëherë shkarkohet nga obligimi për t'i kryer veprimet me shenjë dhe i kryen ato me zemër; e bën nijet për veprimet e namazit me zemër: për rukunë, sexhden dhe uljen, duke qenë në atë gjendje, dhe i thotë dhikret përkatëse.
7- I sëmuri duhet të kryejë atë që mundet nga kushtet e namazit, si: drejtimi kah kibla, abdesi me ujë ose tejemumi në rast pamundësie, dhe pastrimi nga papastërtitë. Nëse nuk ka mundësi të bëjë diçka nga këto, ai obligim shfuqizohet dhe falet sipas mundësisë që ka, pa e vonuar namazin përtej kohës së tij.
8- Suneti është që i sëmuri të ulet këmbëkryq në vend të qëndrimit në këmbë dhe rukusë, dhe të ulet në formën e iftirashit (mbi këmbën e majtë të shtrirë) në pozicionet e tjera.
Së dyti: Namazi i udhëtarit:
1- Prej atyre që janë të arsyetuar është edhe udhëtari, të cilit i ligjësohet shkurtimi i namazit katër-rekatësh nga katër në dy rekate. Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Kur të udhëtoni, nuk është gjynah që ta shkurtoni namazin..." (En-Nisa, 101)
Enes ibn Maliku (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Dolëm me Profetin (paqja qoftë mbi të!) nga Medina për në Mekë, dhe ai i falte namazet nga dy rekate, derisa u kthyem në Medinë.” [38] (38) Transmetuan Buhariu nr. 1081 dhe Muslimi nr. 693.
Udhëtari fillon ta shkurtojë namazin kur del nga zona e banuar e vendit të tij, sepse Allahu e ka lejuar shkurtimin për ata që janë në udhëtim. Para se të dalë nga vendi i tij, ai nuk konsiderohet udhëtar, sepse Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) i shkurtonte namazet vetëm pasi ishte nisur për udhëtim.
2- Distanca, për të cilën i lejohet udhëtarit shkurtimi i namazit, është përafërsisht tetëdhjetë kilometra.
3- Udhëtarit i lejohet shkurtimi i namazit gjatë kthimit të tij, derisa të hyjë në vendin e tij prej të cilit ka dalë.
4- Nëse udhëtari arrin në një vend dhe dëshiron të qëndrojë në të; ai ka tri situata:
a) Të vendosë të qëndrojë më shumë se katër ditë; atëherë e ka obligim ta falë namazin të plotë që nga dita e parë që vendoset në atë vend, dhe nuk i lejohen lehtësimet e udhëtimit.
b) Të vendosë të qëndrojë katër ditë ose më pak; në kët rast i lejohet shkurtimi i namazit dhe i lejohet të përfitojë nga lehtësimet e udhëtimit.
c) Të mos ketë për qëllim një afat të caktuar të qëndrimit, por mund të qëndrojë një ditë ose dhjetë ditë në varësi të përshtatshmërisë së vendit për të, ose synon të mjekohet apo të kryejë ndonjë kontroll mjekësor, dhe sapo të përfundojë, synon të kthehet në vendin e tij; këtij personi i lejohet ta shkurtojë namazin dhe t’i shfrytëzojë lehtësimet e udhëtimit derisa të kthehet, edhe nëse periudha e qëndrimit të tij i kalon katër ditë.
5- Nëse udhëtari falet pas një imami vendas, obligohet ta plotësojë namazin, edhe nëse me të ka zënë vetëm teshehudin e fundit.
6- Nëse vendasi falet pas një udhëtari që e shkurton namazin, ai e ka obligim ta plotësojë namazin e tij pas selamit të imamit.
Së gjashtëmbëdhjeti: Namazi i Bajramit
Festat e muslimanëve janë festa hyjnore, është Allahu i Lartësuar Ai i cili ua ka ligjësuar atyre këto festa, dhe nuk i kanë ligjësuar ata nga vetja e tyre. Muslimanët kanë vetëm dy festa: festën e Bajramit të Fitrit dhe festën e Bajramit të Kurbanit. Ndryshe nga festat e jobesimtarëve ose festat e shpikura, të cilat Allahu i Lartësuar nuk i ka ligjësuar dhe as nuk ka urdhëruar për to; përkundrazi, i kanë ligjësuar ata vetë nga vetja e tyre.
Gjykimi fetar lidhur me namazin e Bajramit:
Namazi i bajramit është obligim kolektiv (i pjesërishëm), të cilin Profeti (paqja qoftë mbi të!) dhe kalifët e drejtë (Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë!) e kanë falur rregullisht. Ai është një nga simbolet dhe ritualet e dukshme të fesë islame.
Koha e namazit të Bajramit fillon me ngritjen e diellit sa një shtizë, d.m.th. rreth një çerek ore pas lindjes së diellit, dhe përfundon me kalimin e diellit në zenit.
Forma e Namazit të Bajramit:
1- Në rekatin e parë bëjmë tekbirin fillestar, pastaj këndojmë lutjen e çeljes së namazit, pastaj themi gjashtë tekbire, duke ngritur duart me çdo tekbir, dhe ndërmjet tekbireve e falënderojmë Allahun, i shprehim Atij lavdërime dhe dërgojmë salavate mbi Profetin (paqja qoftë mbi të!), pastaj themi istiadhen dhe besmelenë dhe nisim të këndojmë Kuran.
2- Në rekatin e dytë, pas tekbirit të ngritjes në këmbë nga sexhdeja, themi pesë tekbire, pastaj themi istiadhen dhe besmelenë dhe fillojmë këndimin e Kuranit. Është e pëlqyeshme që në rekatin e parë pas Fatihasë të këndojmë suren el A'la, dhe në të dytin suren el Gashije.
3- Pasi imami jep selam, ngjitet në minber, mban dy hutbet me një ulje të shkurtër mes tyre, ashtu siç veprohet në hutben e xhumasë.
Sunetet e Bajramit:
a) Gusli (larja e gjithë trupit).
b) Pastrimi dhe Parfumosja.
c) Ngrënia para daljes për namazin e Bajramit të Fitrit, dhe pas namazit në Bajramin e Kurbanit, preferohet të hajë nga mishi i kurbanit, nëse do të bëjë kurban.
d) Dalja për faljen e namazit të bajramit në këmbë.
e) Shkuarja nga një rrugë dhe kthimi nga një rrugë tjetër.
u) Shkuarja herët në vendin e faljes, për xhematin, e jo për imamin.
Tekbiri:
Është sunet të bëhet tekbir në netët e dy Bajrameve, në dhjetë ditët e para të Dhulhixhes dhe në ditët e Teshrikut. Tekbiri është dy llojesh:
I pari: Tekbiri i pakufizuar, i cili nuk është i lidhur me një kohë të caktuar.
1- Për Fitër Bajramin: nga perëndimi i Diellit në natën e Bajramit, deri në fillimin e namazit të Bajramit.
2- Për Bajramin e Kurbanit: Nga perëndimi i diellit të natës së parë të Dhul-Hixhes, deri në perëndimin e diellit të ditës së fundit të ditëve të teshrikut.
I dyti: Tekbiri i kufizuar: ai që thuhet pas namazeve farz.
1. Për atë që nuk është në ihram: nga agimi i Ditës së Arafatit deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut.
2. Ai që është në ihram: prej namazit të drekës ditën e Bajramit deri në ikindinë e ditës së fundit të Teshrikut.
Së shtatëmbëdhjeti: Namazi i eklipsit të diellit
Kuptimi i fjalëve: husuf dhe kusuf:
Husufi: është eklipsi i plotë ose i pjesërishëm i Hënës gjatë natës.
Kusufi: eklipsi i plotë ose i pjesërishëm i Diellit gjatë ditës.
Gjykimi fetar lidhur me namazin e eklipsit të diellit:
Namazi i eklipsit të Diellit është sunet i fortë, këtë e dëshmon veprimi i të Dërguarit (paqja qoftë mbi të!) pasiqë ai e fali atë kur u eklipsua dielli në kohën e tij. Për këtë dëshmon edhe urdhri i tij dhe dakordësimi i dijetarëve për ligjshmërinë e këtij namazi.
Koha e namazit të eklipsit:
Prej fillimit të eklipsit të diellit ose të hënës deri në kthjellimin e plotë, që është përfundimi i eklipsit të hënës ose të diellit.
Forma e namazit të eklipsit:
Namazi i eklipsit përbëhet nga dy rekate, në të cilat këndohet Kuran me zë, ndërsa forma e faljes është si vijon:
a) Thotë tekbirin fillestar, duanë e hyrjes, istiadhen dhe besmelenë dhe suren Fatiha, pastaj këndon një pjesë të gjatë nga Kurani.
b) Pastaj bën një ruku të gjatë.
c) Pastaj ngrihet nga rukuja dhe thotë: "Semi'all-llahu limen hamideh", pastaj lexon suren El-Fatiha, pastaj këndon një pjesë të gjatë nga Kurani, më të shkurtër se herën e parë.
d) Pastaj bën një ruku të gjatë, më të shkurtër se rukuja e parë.
h) Pastaj ngrihet nga rukuja duke thënë: "Semiall-llahu limen hamideh."
u) Pastaj bën dy sexhde të gjata.
z) Pastaj ngrihet për rekatin e dytë, i cili është i njëjtë si i pari, por më i shkurtër.
Sunetet e namazit të eklipsit janë:
a) Thirrja për të bëhet duke thënë: "Mblidhuni për namazin!"
b) Të falet me xhemat.
c) Zgjatja e namazit duke qëndruar gjatë në këmbë, ruku dhe sexhde.
d) Rekati i dytë të jetë më i shkurtër se i pari.
e) Mbajtja e një këshille pas saj, dhe nxitja për të vepruar punët e mira dhe për të braktisur veprat e këqija.
u) Shpeshtimi i lutjes, përgjërimit, kërkimit të faljes dhe sadakasë.
Së tetëmbëdhjeti: Namazi për rënien e shiut
1) Kërkimi i rënies së shiut: është t'i lutemi Allahut të lëshojë shi në kohë thatësire.
Cila është koha për faljen e namazit për kërkimin e shiut:
Namazi për kërkimin e rënies së shiut falet kur toka bëhet jopjellore, ndërpritet shiu dhe shkaktohet dëm nga mungesa e tij. Në këto rrethana, njerëzve nuk u mbetet rrugëdalje tjetër veçse t’i përgjërohen Zotit të tyre me forma të ndryshme të përgjërimeve dhe t’i kërkojnë Atij të lëshojë shi dhe t'i ndihmojë:
a) Herë me namaz me xhemat, e herë individualisht.
b) Herë të tjera me lutje në hutben e xhumasë, ku Hatibi lutet dhe muslimanët i thonë amin lutjes së tij.
c) Dhe herë me lutje në çfarëdo kohe, pa namaz e pa hutbe.
Gjykimi fetar lidhur me namazin për kërkimin e shiut:
Namazi për rënien e shiut është sunet i fortë kur mbizotëron thatësira, bazuar në veprimin e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) siç transmetohet në hadithin e Abdullah ibn Zejdit i cili thotë: "Profeti (paqja qoftë mbi të!) doli në sheshin e faljes, u lut për shi, u kthye nga Kibla, ktheu mantelin e tij përmbys dhe fali dy rekate." [39] (39) Transmetuan Buhariu nr. 1012 dhe Muslimi nr. 894.
Forma e namazit për kërkimin e shiut:
Forma e namazit për kërkimin e shiut, për nga vendi i faljes, është si namazi i bajramit. Është e pëlqyeshme që të falet në shesh, si namazi i Bajramit, dhe dispozitat e tij janë si dispozitat e namazit të Bajramit; në numrin e rekateve, në këndimin me zë, në faljen e tij para hutbes dhe në tekbiret shtesë në rekatin e parë dhe në rekatin e dytë para këndimit. Siç e kemi cekur më herët kur folëm për namazin e Bajramit. Mbahet vetëm një hutbe.
Së nëntëmbëdhjeti: Dispozitat e xhenazes
Së pari: Disa rregulla për atë që i gjendet pranë të sëmurit në shtratin e vdekjes:
1- Prej sunetit është t'ia kujtojmë personit që është në agoni fjalën: "La ilahe il-lallah".
2- Është sunet që i sëmuri të drejtohet nga kibla.
3- Është e pëlqyeshme t'i mbyllen sytë (pas daljes së shpirtit).
4- Është sunet të mbulohet xhenazja pas vdekjes me një rrobë.
5- Duhet përshpejtuar përgatitja e tij.
6- Duhet të shlyhen borxhet e tij sa më shpejt.
7- Të lahet dhe qefinoset, dhe këto të dyja janë farz kifaje.
Së dyti: Dispozitat e namazit të xhenazes:
Gjykimi lidhur me namazin e xhenazes: namazi i xhenazes është obligim kolektiv (nëse e bën një pjesë, shkarkohen nga obligimi të tjerët).
Kushtet e saj:
1) Kthimi drejt kiblës.
2) Mbulimi i auretit (vendeve të turpshme).
3) Pastrimi nga papastërtitë.
4) Namazliu dhe i vdekuri të jenë të dy të pastër.
5) Namazliu dhe i vdekuri të jenë të dy muslimanë.
6) Pjesëmarrja në përcjelljen e xhenazes nëse është në qytet.
7) Të jetë mukel-lef (i përgjegjshëm).
Shtyllat e namazit të xhenazes:
1) Qëndrimi në këmbë.
2) Katër tekbiret.
3) Leximi i sures el-Fatiha.
4) Dërgimi i salavateve mbi Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!).
5) Lutja për të vdekurin.
6) Ruajtja e radhës midis veprimeve.
7) Dhënia e selamit.
Sunetet e namazit të xhenazes:
1) Ngritja e duarve me çdo tekbir.
2) Istiadheja (thënia Eudhu bil-lahi minesh-shejtanir-rraxhim).
3) Lutja për vete dhe për besimtarët.
4) Leximi me zë të ulët.
5) Qëndrimi pak pas tekbirit të katërt dhe para selamit.
6) Vendosja e dorës së djathtë mbi të majtën në gjoks.
7) Kthimi i fytyrës nga e djathta gjatë dhënies selam.
Forma e namazit të xhenazes:
Imami apo ai që falet vetëm qëndron në drejtim të kraharorit të xhenazes mashkull dhe në drejtim të mesit të xhenazes femër. Pastaj thotë tekbirin fillestar, thotë istiadhen, nuk e thotë lutjen hyrëse, thotë bismilahin dhe lexon Fatihanë.
Pastaj thotë "All-llahu ekber", dhe pas kësaj thotë salavatet për Profetin (paqja qoftë mbi të!), pastaj thotë "All-llahu ekber", dhe thotë lutjen e transmetuar për të vdekurin. Si për shembull: «All-llãhummeġfir liḥajjina ue mejjitina, ue ṣaġirina ue kebirina, ue dhekerina ue unthana, ue shahidina ue ġaibina. All-llãhumme men aḥjejtehu minna fe aḥjihi alel-Iman, ue men teueffejtehu minna fe teueffehu alel-Islam. All-llãhumme la taḥrimna exhrehu, ue la tuḍil-lena ba'dehu.» [40] (40) E transmetuan Ebu Davudi nr. 3201 dhe Tirmidhiu nr. 1024 dhe e vlerësoi si hasen-sahih (i mirë dhe i saktë).
Po ashtu: "O Allah, fale atë dhe mëshiroje, jepi shpëtim dhe fale, bëja fisnike pritjen e tij dhe zgjeroja hyrjen. Pastroje atë me ujë, borë e breshër dhe pastroje nga mëkatet ashtu siç e pastron Ti rrobën e bardhë nga papastërtia. Zëvendësoja shtëpinë e tij me një më të mirë, familjen e tij me një më të mirë dhe bashkëshorten e tij me një më të mirë. Fute në Xhenet dhe mbroje nga dënimi i varrit dhe nga dënimi i Zjarrit!" [41] Pastaj thotë tekbirin dhe qëndron pak, pastaj jep një selam në anën e djathtë. (41) Transmetoi Muslimi nr. 962.
Tema e tretë: Zekati - lëmosha obligative
1- Përkufizimi i zekatit dhe pozita e tij:
Zekati nga ana gjuhësore ka kuptimin e rritjes dhe shtimit.
Ndërsa në kuptimin terminologjik fetar: zekati është një e drejtë e detyrueshme sipas ligjit islam, në pasuri të caktuara, që i jepet një kategorie të veçantë njerëzish.
Zekati është shtylla e tretë e Islamit. Ai përmendet bashkë me namazin në Kur'an në tetëdhjetë e dy vende, gjë që dëshmon për madhështinë e tij.
Allahu i Lartësuar thotë: "Faleni namazin dhe jepeni zekatin...!" (El-Bekare, 43)
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Islami është ndërtuar mbi pesë (shtylla): të dëshmuarit se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguar i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, haxhillëkun dhe agjërimin e Ramazanit." [42] (42) Transmetuan Buhariu nr. 8 dhe Muslimi nr. 111.
Të gjithë muslimanët janë pajtuar njëzëri për obligueshmërinë e zekatit dhe për mosbesimin e atij që e mohon obligueshmërinë e tij dhe luftimin e atyre që nuk pranojnë ta japin atë.
2- Kushtet e obligimit të zekatit:
a) Liria: Zekati nuk është obligim për robin; sepse ai nuk ka pasuri, dhe ajo që ka nën menaxhim është pronë e pronarit të tij, prandaj zekati i saj është detyrë mbi pronarin e tij.
b) Islami: Nuk është obligim për jomuslimanin, sepse është adhurim dhe jomuslimani nuk është në gjendje të kryejë adhurimet.
c) Posedimi i nisabit (sasia e caktuar nga sheriati): Nuk është i detyrueshëm për pasurinë nën nisab.
d) Pronësia e plotë: Që pasuria të jetë në pronësi të plotë të personit, prandaj nuk ka zekat në pasurinë, pronësia e së cilës nuk është e konsoliduar.
e) Plotësimi i vitit mbi pasurinë: Bazuar në hadithin e Aishes (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili i atribuohet Profetit (paqja qoftë mbi të!): “Nuk ka zekat në pasuri derisa të kalojë një vit mbi të.” [43] (43) E transmetuan Ibën Maxheh nr. 1792, dhe Tirmidhiu nr. 63 dhe 631.
3- Pasuritë në të cilat është i detyrueshëm zekati:
Së pari: Bagëtitë. Ku futen: devetë, lopët dhe delet. Zekati në to bëhet i detyrueshëm kur plotësohen këto dy kushte:
1- Të mbahen për qumësht dhe për shumim, e jo për punë.
2- Të ushqehen në kullota. Nuk është obligim zekati për bagëtitë që ushqehen me barë të blerë, ose me barë që pronari e ka mbledhur vetë. Nuk është obligim zekati në ato bagëti që kullosin një pjesë të vitit, e jo tërë vitin apo pjesën më të madhe të tij.
4- Nisabet e bagëtive:
1- Zekati i deveve:
Nëse plotësohen kushtet e zekatit, atëherë për çdo pesë deve është obligim një dele, për dhjetë deve dy dele, për pesëmbëdhjetë deve tri dele, për njëzet deve katër dele. Për këtë dëshmon suneti dhe konsensusi. E kur numri i tyre arrin në njëzet e pesë, atëherë jepet një deve femër që ka mbushur një vit dhe ka hyrë në vitin e dytë. E nëse ajo nuk gjendet, atëherë në vend të saj jepet një deve mashkull që i ka mbushur dy vjeç.
E kur devetë arrijnë numrin tridhjetë e gjashtë; atëherë duhet dhënë një deve femër që i ka mbushur dy vjeç.
Kur numri i tyre arrin dyzet e gjashtë, atëherë obligohet të japë një deve femër që i ka mbushur tre vjet.
Kur devetë arrijnë numrin gjashtëdhjetë e një, është obligim të jepet një deve femër që ka mbushur katër vjet.
Kur numri i përgjithshëm i deveve arrin në shtatëdhjetë e gjashtë, atëherë obligohet të jepen dy deve femra dyvjeçare.
Kur numri i deveve arrin nëntëdhjetë e një, detyrimi për to është dy deve tri vjeçare.
Kur numri i deveve i kalon njëqind e njëzet, obligohet të japë tri deve dyvjeçare. Më pas, për çdo dyzet deve detyrimi është një deve dyvjeçare dhe për çdo pesëdhjetë deve, një deve trevjeçare.
2- Zekati i lopëve:
Nëse plotësohen kushtet e zekatit, kur numri i tyre arrin në tridhjetë duhet të jepet një viç apo mëshqerrë që ka mbushur një vit dhe ka hyrë në vitin e dytë.
Nën tridhjetë nuk ka asnjë detyrim.
Kur arrin në dyzet, obligohet të japë një lopë që i ka mbushur dy vjet.
Nëse numri i lopëve i kalon dyzet, atëherë për çdo tridhjetë prej tyre jepet një viç ose mëshqerrë njëvjeçare, dhe për çdo dyzet, një lopë dyvjeçare.
3- Zekati i bagëtive të imta:
Nëse numri i përgjithshëm i bagëtive të imta arrin në dyzet, qofshin dele apo dhi, jepet një qingj ose një kec femër.
Nuk ka zekat për dhentë nëse numri i tyre bie nën dyzet. Kur numri i përgjithshëm i bagëtive të imëta arrin në njëqind e njëzet e një, obligohet të japë dy dele apo dy dhi. Kur bëhen dyqind e një, obligohet të jap tri.
Më pas, pas kësaj sasie, detyrimi stabilizohet, kështu që për çdo njëqind dele apo dhi jepet një dele ose një dhi, për katërqind dele apo dhi, jepen katër dele ose katër dhi, e kështu me radhë.
E dyta: Zekati i të korrave.
Ajo që del nga toka është dy llojesh:
1) Drithërat dhe frutat.
2) Mineralet.
Lloji i parë: drithërat dhe frutat:
Zekati është obligim për drithërat, si: gruri, elbi dhe orizi. Si dhe për frutat, si: hurmat dhe rrushi i thatë. Nuk është obligim për llojet e tjera të bimëve, si bishtajoret dhe perimet.
Kushtet e obligueshmërisë së zekatit për drithërat dhe frutat:
1) Të jenë të depozitueshme: nuk ka zekat për atë që nuk depozitohet, si frutat dhe perimet.
2) Të jetë e matshme me vëllim: nuk jepet zekat për gjërat që shiten me numër ose me peshë; si bostani, qepa, shega etj.
3) Të arrijë nisabin (sasinë e përcaktuar): i cili është pesë eusuk (afërsisht 900 kg) pra nuk ka zekat për sasinë më të vogël se kjo.
4) Nisabi të jetë në pronësinë e tij të plotë në kohën e detyrimit të zekatit.
Prandaj, kush e merr atë në pronësi pasi të ketë kaluar koha e obligimit të zekatit, nuk e ka detyrim zekatin, ashtu siç ndodh nëse e blen apo i dhurohet pas korrjes.
Koha e obligimit të zekatit të të korrave apo të të vjelave:
Zekati bëhet obligim për drithërat dhe frutat, në kohën kur fillon pjekja e tyre. Shenjat e pjekjes janë:
a- Për drithërat: kur forcohen, fortësohen dhe bëhen të ngurtë.
b- Për frutet e palmave të hurmave: kur skuqen ose zverdhen.
c- Për rrushin: kur zbutet dhe ëmbëlsohet.
Sasia e obligueshmërisë:
Nisabi i drithërave dhe i frutave: pesë eusuk (afërsisht 900 kg). Një uesek është gjashtëdhjetë saë. Nisabi i zekatit i bie të jetë treqind saë sipas sait të Profetit (paqja qoftë mbi të!) ndërsa në kilogramë i bie përafërsisht 900 kg.
Sasia e zekatit të detyrueshëm për drithërat dhe frutat:
Një e dhjeta e atyre drithërave ose frutave që ujiten pa mund e pa shpenzim; si ato që ujiten me ujërat e shiut dhe të burimeve.
Gjysma e një të dhjetës (pesë përqindëshi) i atyre që vaditen me mund e shpenzime, si p.sh. me ujë që nxirret nga puset dhe lumenjtë me anë të kafshëve apo makinerive moderne.
Lloji i dytë: Mineralet.
Prej gjërave me vlerë që dalin nga toka janë dhe mineralet. Mineralet janë gjithçka që nxirret nga toka dhe që nuk i përket llojit të saj, si: ari, argjendi, hekuri dhe xhevahiret.
Koha e detyrueshmërisë së zekatit për mineralet:
Pasi t'i ketë gjetur dhe t'i ketë futur në pronësinë e vet, e jep zekatin menjëherë, ngase për to nuk kushtëzohet kalimi i vitit. Nisabi për to është ai i arit dhe i argjendit, dhe prej vlerës së tyre jepet çereku i një të dhjetës.
Së treti: Zekati i pasurive monetare:
Pasuritë monetare janë: ari, argjendi dhe kartëmonedhat. Zekati i tyre është i detyrueshëm. Dëshmi për këtë kemi ajetin kuranor: "Ata që grumbullojnë ar dhe argjend dhe nuk e shpenzojnë për hir të Allahut, paralajmëroji me dënim të dhembshëm." (Et-Teube, 34)
Në hadith thuhet: “Pronarit të arit dhe argjendit, që nuk e jep hakun e tyre, kur të bëhet Dita e Kiametit ato do t'i shndërrohen në pllaka prej Zjarri.” [44] (44) Transmetuan Buhariu nr. 1402 dhe Muslimi nr. 2287.
Dijetarët kanë arritur në konsensus për obligueshmërinë e zekatit të arit dhe argjendit, dhe paratë prej letre (kartëmonedhat) kanë të njëjtin gjykim si ari dhe argjendi; sepse ato kanë zënë vendin e tyre në transaksionet monetare.
Nisabi dhe sasia e detyrueshme e zekatit për paratë:
Nisabi i tyre është ai i arit ose i argjendit, sepse ato kanë zënë vendin e tyre si vlerë monetare. Nëse ato arrijnë nisabin e njërës prej tyre, atëherë zekati bëhet obligim. Përgjithësisht, sot nisabi i parave prej letre përcaktohet duke u bazuar te argjendi, sepse ai është më i lirë se ari dhe, për rrjedhojë, nisabi i tij arrihet para atij të arit. Kur muslimani zotëron vlerën e barabartë me 595 gramë argjend dhe i kalon një vit i plotë, i bëhet obligim dhënia e zekatit. Vlera e gramit të argjendit ndryshon herë pas here, prandaj ai që ka pak pasuri dhe nuk e di nëse e ka arritur nisabin apo jo, duhet të pyesë tregtarët e argjendit për vlerën e një grami argjend, pastaj ta shumëzojë atë me 595, dhe rezultati që del është nisabi.
Shënim: Nëse dikush dëshiron të japë zekatin e pasurisë së tij, le ta pjesëtojë nisabin me dyzet, dhe shuma që del është sasia e detyrueshme e zekatit.
E katërta: Zekati i mallrave tregtare:
Mallrat tregtare janë ato që janë përgatitur për shitblerje me qëllim fitimi. Mallrat tregtare përfshijnë të gjitha llojet e pasurive përveç parasë, si: automjetet, veshjet, pëlhurat, hekuri, druri dhe sende të tjera që janë përgatitur për tregti.
Kushtet e obligimit të zekatit të mallrave tregtare:
1- Të jenë në pronësinë e tij me anë të veprimit; si shitblerja, qiraja dhe forma të tjera të të ardhurave.
2- T’i ketë futur në pronësi me qëllim tregtie; pra, të synojë fitimin me to, sepse veprat gjykohen sipas qëllimit, e tregtia është vepër, andaj është obligim që ajo të shoqërohet me nijet, sikurse edhe veprat e tjera.
3- Vlera e tyre të arrijë nisabin e arit ose të argjendit.
4- Plotësimi i vitit nga koha e futjes në pronësi.
Mënyra e dhënies së zekatit të mallrave tregtare:
Në përfundim të vitit, mallrat e tregëtisë vlerësohen në bazë të njërës prej dy monedhave: arit ose argjendit. Pasi të vlerësohen dhe të arrijnë nisabin e arit ose të argjendit, atëherë jepet çereku i një të dhjetës së vlerës së tyre.
Së pesti: Zekati i fitrit.
Zekati i fitrit është lëmosha e detyrueshme që jepet në përfundim të muajit të Ramazanit. Ai u bë farz në vitin e dytë të Hixhretit.
Gjykimi fetar lidhur me zekatin e fitrit:
Zekati i fitrit është obligim për çdo musliman, i cili në ditën dhe natën e Bajramit posedon ushqim më tepër sesa i mjafton atij dhe familjarëve të tij. Dhe është detyrë për çdo musliman, mashkull apo femër, i vogël apo i madh, i lirë apo rob. Bazuar në hadithin që thotë: "I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) e ka bërë obligim sadakanë e fitrit për robin dhe të lirin, mashkullin dhe femrën, të voglin dhe të madhin prej muslimanëve." [45] Kuptimi i foljes "farada" që është përdorur në hadith është: e bëri të detyrueshme dhe e bëri obligim. (45) Transmetuan Buhariu nr. 1432 dhe Muslimi nr. 984.
Urtësia e ligjësimit të tij:
Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) ka thënë: "I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi tl!) e ka bërë obligim sadakanë e fitrit, si pastrim për agjëruesin nga fjalët e kota dhe të turpshme, dhe si ushqim për të varfrit." [46] (46) E transmetuan Ebu Davudi nr. 1609, dhe Ibën Maxheja nr. 1827, dhe e ka vlerësuar të saktë Albani në Sahihun e Ebu Davudit nr. 1609.
Koha e obligueshmërisë dhe dhënies së zekatit të fitrit:
Zekati i fitrit bëhet obligim me perëndimin e diellit në natën e Bajramit. Pëlqehet që të jepet në ditën e Bajramit para shkuarjes për faljen e namazit të Bajramit. Nuk lejohet të vonohet pas namazit të Bajramit. Nëse e vonon atë pas namazit të Bajramit, e ka detyrim ta japë si kompensim dhe është mëkatar për shtyrjen përtej kohës së caktuar.
Është e lejuar që të jepet një apo dy ditë para Bajramit.
Sasia e zekatit të fitrit dhe pasuria prej së cilës nxirret:
Një saë prej ushqimeve të zakonshme të vendit; si orizi, hurmat, gruri etj. Masa e një sai është afërsisht tre kilogramë. Nuk lejohet të jepet vlera e zekatit të fitrit në para, sepse kjo bie ndesh me urdhrin e Profetit (paqja qoftë mbi të!).
Nxjerrja e zekatit dhe kategoritë që u jepet:
Koha e nxjerrjes së tij:
Zekati duhet të jepet menjëherë sa hyn koha e obligimit. Nuk lejohet vonimi i tij, përveçse në rast domosdoshmërie, siç është rasti kur pasuria ndodhet në një vend të largët dhe nuk ka kë të autorizojë për nxjerrjen e zekatit.
Vendi ku jepet:
Zekati është më mirë të jepet në vendin ku gjendet pasuria. Por lejohet të transferohet nga vendi ku gjendet pasuria në një vend tjetër në këto raste:
a- Nëse në atë vend nuk ka nevojtarë për zekatin.
b- Nëse ka një të afërm nevojtar në vendin tjetër.
c- Nëse ekziston një interes i ligjshëm që kërkon transferimin e tij, siç është transferimi në zonat e muslimanëve të prekura nga zia e bukës dhe përmbytjet.
Zekati është i detyrueshëm në pasurinë e të miturit dhe të personit jo të aftë mendërisht, për shkak të përgjithësisë së argumenteve. Atë e jep në emër të tyre kujdestari i pasurisë së tyre. Nuk lejohet të jepet zekati veçse me nijet. Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Veprat janë sipas nijetit." [47] (47) Transmetuan Buhariu nr. 1 dhe Muslimi nr. 1907.
Kategoritë e atyre që u jepet zekati:
Kategoritë e atyre që e meritojnë zekatin janë tetë:
Kategoria e parë: Të varfrit:
Këtu bëjnë pjesë ata që nuk i plotësojnë dot nevojat e tyre themelore për strehim, ushqim e veshmbathje. Sasia e zekatit që u jepet duhet të jetë e mjaftueshme për ta dhe për ata që i kanë në ngarkim për një vit.
Kategoria e dytë: Nevojtarët:
Këtu bëjnë pjesë ata që i plotësojnë kryesisht nevojat e tyre, por jo të gjitha. Për shembull, si rasti i njeriut që ka një pagë, por që nuk i mjafton për të gjithë vitin.
Sasia e zekatit që u jepet duhet të jetë aq sa të plotësojë nevojat e tyre dhe të atyre që i kanë nën kujdes për një vit.
Kategoria e tretë: Punonjësit e zekatit:
Ata janë ata të cilët prijësi i ngarkon me detyrën e mbledhjes së zekatit, ose që marrin përsipër ruajtjen apo shpërndarjen e tij ndaj nevojtarëve.
Sasia që u jepet nga zekati: sa shpërblimi për punën e tyre, me kusht që të mos kenë pagë apo rrogë nga shteti.
Kategoria e katërt: Ata që kanë simpati për Islamin.
Në këtë kategori përfshihen të gjithë ata të cilëve u jepet zekati me shpresë se do të pranojnë Islamin, ose me shpresë se do t'u forcohet besimi, ose për të mbrojtur muslimanët nga e keqja e tyre.
Sasia që u jepet nga zekati: aq sa mjafton për të fituar zemrat e tyre.
Kategoria e pestë: Skllevërit.
Domethënë, lirimi i robërve dhe i atyre që kanë nënshkruar kontratë lirimi.
Skllavi mukatib: është skllavi që e ka blerë veten e tij nga pronari i tij. Këtu përfshihet edhe shpagimi i robërve muslimanë që janë zënë rob në luftëra.
Kategoria e gjashtë: Borxhlinjtë, të cilët ndahen në dy lloje:
I pari: Ai që ka marrë një borxh për nevojat e tij dhe nuk ka mundësi ta shlyejë. Këtij i jepet aq sa i mjafton për shlyerjen e borxhit të tij.
I dyti: Ai që ka hyrë në borxh për shkak të pajtimit mes njerëzve. Këtij i jepet aq sa të shlyejë borxhin, edhe nëse është i pasur.
Kategoria e shtatë: Ata që janë në rrugën e Allahut.
Këtu futen ata që luftojnë në rrugën e Allahut.
Këtyre u jepet nga zekati aq sa u mjafton për luftën në rrugë të Allahut, si: blerja e mjeteve të transportit, armëve, ushqimeve etj.
Kategoria e tetë: Udhëtari.
Këtu bën pjesë udhëtari të cilit i kanë mbaruar paratë, ose ia kanë vjedhur dhe nuk i ka mbetur më me çfarë të kthehet në vendin e tij.
Sasia e zekatit që i jepet është aq sa i mjafton për t'u kthyer në vendin e tij, edhe nëse është i pasur atje.
Tema e katërt: Agjërimi.
Agjërimi është:
Adhurimi i Allahut të Lartësuar duke u përmbajtur nga gjërat që e prishin agjërimin, nga lindja e agimit deri në perëndimin e diellit.
Agjërimi është një prej shtyllave të fesë islame. Dhe një nga detyrat që i ka caktuar Allahu i Lartësuar. Dhe është një nga çështjet e fesë që njihet në formë kategorike. Për obligueshmërinë e tij dëshmojnë Kurani, Suneti dhe konsensusi i muslimanëve.
Allahu i Lartësuar ka thënë: "Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!" (El-Bekare, 185)
Kushtet e detyrueshmërisë së agjërimit të Ramazanit:
1) Të jetë musliman, sepse agjërimi nuk pranohet prej jomuslimanit.
2) Të ketë arritur moshën e pubertetit, sepse fëmija nuk e ka për detyrë. Agjërimi i fëmijës që është i aftë të dallojë gjërat është i saktë, dhe për të konsiderohet si nafile.
3) Të jetë i shëndoshë mendërisht; kësisoj agjërimi nuk është obligim për të çmendurin dhe as nuk i pranohet, sepse i mungon nijeti.
4) Mundësia për të agjëruar. Andaj, i sëmuri që është i paaftë për të agjëruar, nuk e ka për detyrë ta mbajë. As udhëtari nuk e ka për detyrë ta mbajë. Por këta të dy e kompensojnë atë pasi të mos kenë më arsye justifikuese, si: sëmundja dhe udhëtimi. Që agjërimi i gruas të jetë i vlefshëm kushtëzohet: ndërprerja e gjakut të të përmuajshmeve dhe të lehonisë.
Hyrja e muajit të Ramazanit vërtetohet me njërën nga këto dy gjëra:
a) Shikimi i hënës së re të muajit Ramazan. Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): “Agjëroni kur ta shihni (hënën), dhe ndërpriteni kur ta shihni atë!"(48) (48) Transmetuan Buhariu nr. 1810 dhe Muslimi nr. 1086.
b) Plotësimi i muajit Shaban me tridhjetë ditë, nëse nuk shihet hëna e Ramazanit, ose nëse shikimin e saj e pengojnë retë, pluhuri ose diçka tjetër e ngjashme, për shkak të fjalës së Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): “Nëse është vranët (dhe nuk e shihni), plotësojeni muajin Shaban me tridhjetë ditë!” (49) Transmetoi Buhariu nr. 1909.
Nijeti i agjërimit:
Agjërimi, si adhurimet e tjera, nuk quhet i vlefshëm veçse me nijet. Koha e obligimit të nijetit për agjërimin e detyrueshëm ndryshon nga ajo e agjërimeve të tjera në disa aspekte:
Së pari: Agjërimi i detyrueshëm; si agjërimi i Ramazanit, kompensimi i ditëve të Ramazanit dhe agjërimi i zotimit; për këto nijeti është i detyrueshëm të bëhet natën, para agimit. Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): “Nuk ka agjërim ai që nuk e ka vendosur agjërimin që me natë.” (50) (50) E shënojnë Ahmedi, numër 26457; Ebu Davudi, numër 2454; Nesaiu, numër 2331 dhe teksti është i tij.
Së dyti: Agjërimi vullnetar; ky agjërim është i vlefshëm edhe nëse nijeti bëhet gjatë ditës. Me kusht që të mos ketë konsumuar diçka që e prish agjërimin pas agimit.
Gjërat që e prishin agjërimin:
1-Marrëdhëniet intime: nëse dikush kryen marrëdhënie, i prishet agjërimi dhe e ka për detyrë ta kompensojë atë ditë në të cilën ka kryer marrëdhënie intime. Dhe bashkë me kompensimin duhet të japë shpagim, që është: lirimi i një robi, e nëse nuk gjen, duhet të agjërojë dy muaj rresht, e nëse nuk ka mundësi për shkak të një arsyeje të pranueshme sipas Sheriatit, atëherë ai duhet të ushqejë gjashtëdhjetë të varfër, nga ushqimi i zakonshëm i vendit.
2- Dalja e spermës si pasojë e puthjes, prekjes, masturbimit ose shikimit të përsëritur; nga kjo bëhet i detyrueshëm vetëm kompensimi i asaj dite, pa shpagim, sepse shpagimi bëhet i detyrueshëm vetëm nga marrëdhëniet intime. Sa për atë që bëhet xhunub në gjumë: ai nuk ka asnjë detyrim sepse kjo ka ndodhur pa vullnetin e tij, dhe thjesht duhet të lahet nga xhunubllëku.
3- Ngrënia dhe pirja qëllimisht: Bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Dhe hani e pini derisa të dallohet fija e bardhë (bardhësia) e agimit nga fija e zezë (errësira e natës), pastaj plotësojeni agjërimin derisa të bjerë mbrëmja...!" (El-Bekare, 187)
Ndërsa kush ha ose pi nga harresa, nuk ka asnjë përgjegjësi. Bazuar në hadithin: “Kush harron se është agjërueshëm, pastaj ha ose pi, le ta plotësojë agjërimin, se Allahu e ka ushqyer dhe i ka dhënë të pijë.” [51] (51) Transmetuan Buhariu nr. 6669 dhe Muslimi nr. 2709.
4- Vjellja e ushqimit me qëllim, ndërsa vjellja në mënyrë të pavullnetshme, nuk e prish agjërimin. Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Atë që e mund vjellja, nuk është i detyruar ta kompensojë, ndërsa ai që e shkakton vjelljen me qëllim, duhet ta kompensojë agjërimin." [52] (52) E transmetuan Ebu Daudi nr. 2380, Tirmidhiu nr. 719 dhe Ibn Maxheh nr. 676.
5- Nxjerrja e gjakut nga trupi me anë të hixhames, dhënies së gjakut apo marrjes së tij për dhurim për t’i ardhur në ndihmë një të sëmuri; të gjitha këto e prishin agjërimin. Sa i përket nxjerrjes së një sasie të paktë të gjakut që merret për analiza, kjo nuk e prish agjërimin. E njëjta gjë është edhe me daljen e gjakut në mënyrë të pavullnetshme, si gjakderdhja nga hundët, gjakosja nga plagët apo heqja e dhëmbit; kjo nuk e prish agjërimin.
Kategoria e njerëzve që lejohet të mos agjërojnë në Ramazan:
Lloji i parë: Ata të cilëve u lejohet të mos e mbajnë agjërimin dhe e kanë obligim ta kompensojnë më vonë, këta janë:
Së pari: I sëmuri me sëmundje të shërueshme, të cilit agjërimi i shkakton dëm ose vështirësi.
Së dyti: Udhëtari; qoftë nëse has vështirësi gjatë udhëtimit, apo nuk has vështirësi.
Argument për këto dy raste është fjala e Allahut të Lartësuar: "Sa i përket atij që është i sëmurë ose gjendet në udhëtim e sipër (le të agjërojë më vonë) aq ditë sa ka lënë pa i agjëruar." (El-Bekare, 185)
Së treti: Shtatzëna dhe gjidhënësja, nëse agjërimi paraqet vështirësi për to, ose i dëmton ato apo fëmijët e tyre, atëherë rasti i tyre është si rasti i të sëmurit, kësisoj u lejohet të mos agjërojnë. Por, e kanë për detyrë ta kompensojnë agjërimin në një kohë tjetër.
Së katërti: Femra me cikël dhe lehona; këto e kanë për detyrë të mos e mbajnë agjërimin. Agjërimi i tyre është i pavlefshëm dhe janë të obliguara ta kompensojnë më vonë.
Lloji i dytë: Ata të cilëve u lejohet prishja e agjërimit dhe janë të obliguar ta shpaguajnë pa kompensim, këta janë:
Së pari: I sëmuri me sëmundje të pashërueshme.
Së dyti: I moshuari që nuk mund të agjërojë.
Këta nuk agjërojnë, mirëpo ushqejnë nga një të varfër për çdo ditë të muajit të Ramazanit. Ndërsa, kur i moshuari arrin në shkallën e matufosjes nga pleqëria e thellë, atij i hiqet përgjegjësia fetare; nuk e mban agjërimin dhe nuk ka asnjë obligim.
Koha e kompensimit të agjërimit dhe gjykimi lidhur me vonimin e tij:
Kompensimi i agjërimit të Ramazanit duhet të bëhet në periudhën ndërmjet tij dhe Ramazanit pasues. Nxitimi në kompensimin e tij është më i mirë. Nuk lejohet vonimi i kompensimit deri pas Ramazanit pasues. Nga Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se ka thënë: “Kisha nganjëherë agjërim për të kompensuar nga Ramazani, dhe nuk e kompensoja dot veçse në muajin e Sha'banit, për shkak të nevojave të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!).” (53) (53) Transmetuan Buhariu nr. 1849 dhe Muslimi nr. 1846.
Ai që e shtyn kompensimin pas Ramazanit pasues, ka dy situata:
1- Kur e shtyn për një arsye të ligjshme, si për shembull kur sëmundja i vazhdon deri në Ramazanin pasues; në këtë rast ky person ka për detyrë vetëm kompensimin e agjërimit kur të shërohet.
2- Kur e shtyn pa arsye fetare; kjo vonesë përbën mëkat, dhe ky njeri duhet të pendohet, të kompensojë agjërimin, dhe të ushqejë një të varfër për çdo ditë.
Agjërimi vullnetar për atë që nuk ka kompensuar ende agjërimin e detyrueshëm :
Kush ka agjërim të detyrueshëm për të kompensuar nga Ramazani, më e mira është t'i japë përparësi këtij agjërimi para agjërimit vullnetar. Por, nëse agjërimi vullnetar është i atillë që i kalon koha, si agjërimi i ditës së Arafatit dhe Ashuras, atëherë nuk ka asnjë të keqe të agjërohet para kompensimit; sepse koha e kompensimit është e gjerë, ndërsa agjërimi i ditës së Ashures dhe Arafatit e ka ditën të limituar. Ndërsa gjashtë ditët e Shevalit nuk duhet t'i agjërojë përveçse pas kompensimit të ditëve të Ramazanit.
Agjërimi i ndaluar:
1- Agjërimi i ditës së Bajramit të Fitrit dhe i ditës së Bajramit të Kurbanit; bazuar në ndalesën që përcillet lidhur me agjërimin e këtyre dy ditëve.
2- Agjërimi i ditëve të Teshrikut të muajit Dhul-Hixhe. Përveç haxhiut që kryen haxhin Temet-tu dhe Kiran, kur nuk gjen kurban. Ditët e Teshrikut janë: dita e njëmbëdhjetë, e dymbëdhjetë dhe e trembëdhjetë e muajit Dhul-Hixhe.
3- Dita e tridhjetë e muajit të Shabanit kur është e dyshimtë nëse është e Shabanit apo e Ramazanit, për shkak të vranësirës. Nëse nata është e vranët dhe e bën të pamundur shikimin e hënës së re.
Agjërimi i papëlqyeshëm:
a- Veçimi i muajit të Rexhepit me agjërim. b- Veçimi i ditës së xhuma me agjërim, për shkak të ndalesës që përcillet lidhur me të. Por, nëse agjëron një ditë para saj ose pas saj, atëherë nuk ka asnjë keqe.
Agjërimi i pëlqyeshëm:
a- Gjashtë ditë nga muaji i Shevalit. b- Agjërimi i nëntë ditëve të Dhul-Hixhes, dhe më e theksuara prej tyre është dita e Arafatit, agjërimi i së cilës shlyen gjynahet e dy viteve. Ky agjërim nuk është i rekomanduar për atë që është në haxh. c- Agjërimi i tri ditëve të çdo muaji, ku më e preferuar është që ato të jenë ditët e bardha, të cilat janë: dita e trembëdhjetë, e katërmbëdhjetë dhe e pesëmbëdhjetë. d- Agjërimi i ditës së hënë dhe të enjte të çdo jave, të cilat i agjëronte Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!), sepse në to paraqiten [para Zotit] veprat e robërve.
Agjërimi vullnetar:
a- Agjërimi i Davudit (paqja qoftë mbi të!): ai agjëronte një ditë e hante një ditë.
b- Agjërimi i muajit të Allahut, Muharrem, që është edhe muaji më i mirë për agjërim vullnetar. Agjërimi më i theksuar në të, është agjërimi i ditës së Ashures, gjegjësisht ditës së dhjetë të tij, dhe bashkë me të agjërohet edhe dita e nëntë; për shkak të fjalës së Profetit (paqja qoftë mbi të!): “Nëse do të jetoj deri vitin e ardhshëm, me siguri do ta agjëroj ditën e nëntë!” (54) Agjërimi i kësaj dite shlyen gjynahet e vitit të kaluar. (54) Transmetoi Muslimi nr. 1134.
Tema e pestë: Haxhi dhe umreja.
Haxh, nga ana gjuhësore, do të thotë synim dhe mësymje. Sipas terminologjisë fetare, haxh do të thotë: mësymja e Shtëpisë së Shenjtë të Allahut dhe vendeve të shenjta, në kohë të caktuar, për të kryer rite të caktuara.
Umreja, gjuhësisht, do të thotë vizitë.
Në terminologjinë fetare umre do të thotë: vizita e Qabes në çfarëdo kohe, për të kryer rituale të caktuara.
Haxhi është një prej shtyllave të Islamit dhe një prej themeleve të tij madhore. Haxhi u bë obligim në vitin e nëntë të hixhretit. Profeti (paqja qoftë mbi të!) e kreu haxhin vetëm një herë, dhe haxhi që ai kreu njihet si "Haxhi i Lamtumirës".
Haxhi është detyrim një herë në jetë për atë që ka mundësi ta kryejë. Ndërsa më shumë se një herë konsiderohet nafile. Sa i përket umres, ajo është e detyrueshme sipas mendimit të shumë dijetarëve. Ngase Profeti (paqja qoftë mbi të!), kur u pyet: “A ka ndonjë xhihad të detyrueshëm për gratë?”, u përgjigj: "Po, ato kanë për detyrë një xhihad i cili nuk ka luftë: haxhi dhe umreja." [55] (55) E transmetuan Ahmedi nr. 25198, Nesaiu nr. 2627 dhe Ibën Maxheh nr. 2901.
Kushtet e obligimit të haxhit dhe umres:
1- Islami
2- Shëndeti mendor
3- Mosha madhore
4- Liria
5- Mundësia.
Femrës i shtohet edhe një kusht i gjashtë; prania e mahremit, i cili e shoqëron atë gjatë udhëtimit për kryerjen e haxhit ose të umres. Sepse asaj nuk i lejohet të udhëtojë as për haxh e as për ndonjë arsye tjetër pa mahrem. Bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Femra nuk udhëton përveçse me një mahrem, dhe te ajo nuk hyn asnjë burrë përveçse kur me të është një mahrem." [56] (56) Transmetuan Buhariu nr. 1862 dhe Muslimi nr. 1341.
Mahremi i femrës është: burri i saj, ose ai që e ka të ndaluar kategorikisht të martohet me të; për shkak të prejardhjes; si vëllai i saj, babai i saj, xhaxhai i saj, nipi i saj dhe daja i saj etj. ose për një shkak të ligjshëm fetarisht, si: vëllai nga gjiri, apo burri i nënës së saj dhe djali i burrit të saj, etj.
Mundësia: është aftësia ekonomike dhe fizike, pra që personi të mund të udhëtojë dhe ta përballojë udhëtimin, si dhe të zotërojë pasuri që i mjafton për rrugën vajtje-ardhje. Po ashtu, të posedojë aq pasuri sa t'u mjaftojë familjarëve të tij dhe atyre që i ka në ngarkim, derisa të kthehet tek ata.
Po ashtu, rruga e haxhit të jetë e sigurt për jetën dhe pasurinë e tij.
Ai që ka mundësi financiare por jo fizike, siç është plaku i thyer në moshë apo i sëmuri me një sëmundje kronike të pashërueshme, e ka për detyrë të autorizojë dikë që të bëjë haxhin dhe umren për të.
Personi që do të përfaqësojë dikë tjetër në haxh ose umre duhet të përmbushë dy kushte:
1- Të jetë prej atyre të cilëve u quhet kryerja e detyrës së haxhit, pra: musliman, i rritur dhe i shëndoshë mendërisht.
2- Të ketë kryer haxhin e Islamit për vete.
Mikatet e Ihramit:
Mikatet: është shumësi i fjalës mikat. Gjuhësisht do të thotë kufi, ndërsa terminologjikisht: vendi i adhurimit ose koha e tij.
Haxhi ka mikate kohore dhe vendore:
a- Mikatet kohore: të cilat Allahu i Lartësuar i ka cekur në fjalën e Tij: "Haxhi kryhet në muaj të caktuar. Kush vendos të kryejë haxhin..." (El-Bekare, 197)
Këta muaj janë: Shevali, Dhul-Ka'deja dhe dhjetë ditët e para të Dhul-Hixhes.
b- Mikatet gjeografike: janë kufijtë që haxhiut nuk i lejohet t'i tejkalojë në drejtim të Mekës pa hyrë në ihram. Ato janë si vijon:
1- Dhul-Hulejfa - miḳati i banorëve të Medinës.
2- El-Xhuhfe - miḳati i banorëve të Shamit: Levantit, Egjiptit dhe i Marokut.
3- Ķarnul-menazil: i cili tani njihet si Es-Sejl: miḳati i banorëve të Nexhdit.
4- Dhatu-irḳ - miḳati i banorëve të Irakut.
5- Jelemlem - miḳati i banorëve të Jemenit.
Kush e ka vendbanimin e tij brenda këtyre miḳateve, ai hyn në ihram për haxh ose umre nga vendbanimi i tij. Ndërsa banorët e Mekës, hyjnë në ihram nga vetë Meka dhe nuk kanë nevojë të dalin në mikat për ihramin e haxhit. Ndërsa për ihramin e umres, duhet të dalin në vendin më të afërt jashtë territorit të shenjtë dhe të hyjnë në ihram nga aty. Ai që ka për qëllim të kryejë haxhin ose umren, duhet medoemos të hyjë në ihram nga vendet që i ka caktuar i Dërguari (paqja qoftë mbi të!), të cilat janë mikatet gjeografike të sqaruara më lart. Atij që ka për qëllim të kryejë haxhin ose umren nuk i lejohet t’i kalojë këto mikate pa hyrë në ihram.
- Kushdo që kalon pranë mikateve të lartpërmendura, edhe nëse nuk është banor i asaj ane, hyn në ihram nga aty.
- Ai që udhëton për në Mekë dhe nuk kalon pranë asnjërit prej mikateve të lartpërmendura – qoftë nga toka, deti apo ajri – hyn në ihram kur arrin në vijë paralele me mikatin më të afërt. Bazuar në thënien e Umer ibn Hatabit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): “Hyni në ihram kur të jeni paralel me to nga rruga juaj!” [57] (57) Transmetoi Buhariu nr. 1531.
- Kush udhëton me avion për të kryer haxhin ose umren, duhet të hyjë në ihram kur avioni kalon paralel me atë mikat që ndodhet në itinerarin e tij. Nuk i lejohet ta vonojë ihramin deri sa të zbresë në aeroport.
Ihrami:
Është nijeti për të hyrë në adhurimin e pelegrinazhit; Në haxh, ihrami është nijeti i hyrjes në ritualin e haxhit. Ndërsa në umre, ai është nijeti për të hyrë në ritualin e umres. Njeriu nuk quhet që ka hyrë në ihram vetëm nëse bën nijetin për të hyrë në ritualin e pelegrinazhit (haxhit ose umres). Ndërsa thjesht veshja e rrobave të ihramit pa bërë nijetin, nuk konsiderohet ihram.
Gjërat e pëlqyeshme gjatë ihramit:
1- Larja e tërë trupit para ihramit.
2- Parfumosja e burrit, në trup, jo në rrobat e ihramit.
3- Mashkulli duhet të hyjë në ihram me dy copa të bardha dhe me sandale.
4- Të hyjë në ihram i kthyer drejt kiblës, kur gjendet në mjetin e udhëtimit.
Llojet e riteve të haxhit:
Pelegrini ka të drejtë të zgjedhë njërin prej tri llojeve të ritualeve, të cilat janë:
1- Temet-tui; është që njeriu të hyjë në ihram për kryerjen e umres gjatë muajve të haxhit, ta përfundojë atë, e më pas, po në të njëjtin vit, të hyjë në ihram për haxh.
2- Ifradi; është që njeriu të hyjë në ihram nga mikati vetëm për kryerjen e haxhit duke qëndruar në ihram derisa t'i kryejë ritet e haxhit.
3- Kirani; është që njeriu të hyjë në ihram për kryerjen e haxhit dhe umres së bashku, ose duke të hyjë në ihram për umre, e më pas i shton asaj edhe nijetin e haxhit përpara se të fillojë kryerjen e tavafit të umres. Pra për të bërë ritin e kiranit, ai e bën nijetin për umre dhe haxh në mikat, ose para se të fillojë tavafin e umres, dhe kësisoj bën tavaf e sa’j për të dyja.
Për atë që bën ritin e temettuit ose kiranit është obligim të bëjë një kurban, nëse nuk është prej banorëve të Xhamisë së Shenjtë.
Më i miri i këtyre tri riteve është Temet-tui, sepse Profeti (paqja qoftë mbi të!) i urdhëroi sahabët të bëjnë ritin e temettuit[58]. Më pas vjen riti i kiranit, sepse ai përfshin haxhin dhe umren bashkë, e pastaj riti i ifradit. (58) Transmetoi Muslimi nr. 1211.
c) Pasi të hyjë në ihram për njërin prej këtyre riteve, menjëherë bën telbije, duke thënë: "Lebbejke Allahumme lebbejk, lebbejke la sherike leke lebbejk, innel-hamde uen-ni'mete leke uel-mulk, la sherike lek." - "Të përgjigjem, o Allah, vetëm Ty të përgjigjem! Të përgjigjem Ty, Ti nuk ke ortak, të përgjigjem! Vërtet, Ty të takon falënderimi, mirësia dhe sundimi. Ti nuk ke ortak!" [59] (59) Transmetoi Buhariu nr. 1549.
Telbija është sunet dhe pëlqehet të bëhet sa më shpesh; burri e thotë me zë, ndërsa gratë në heshtje.
Koha e fillimit të telbijes është nga koha e hyrjes në ihram, ndërsa koha e përfundimit të saj është siç vijon:
Së pari: Umrexhiu e ndërpret para se të fillojë tavafin.
Së dyti: Haxhiu e ndërpret kur fillon hedhjen e gurëve në Xhemretul-Akabe ditën e Kurban Bajramit.
Gjërat e ndaluara gjatë ihramit:
Ndalesa e parë: Rruajtja, shkurtimi ose shkulja e qimeve prej çfarëdo pjese të trupit.
Ndalesa e dytë: Prerja e thonjve të dorës ose të këmbës pa arsye; nëse i thyhet një thua vetë dhe e heq, nuk ka detyrime.
Ndalesa e tretë: Mbulimi i kokës së mashkullit me diçka që qëndron ngjitur me kokën, si: kapele dhe shall.
Ndalesa e katërt: Mashkulli nuk duhet të veshë rroba të qepura në formën e trupit të tij ose në formën e një pjese të trupit të tij; si këmishë, çallmë apo pantallona. Veshje e qepur është ajo që është bërë sipas masës së gjymtyrës së trupit, si mestet, dorezat dhe çorapet etj. Ndërsa femra mund të veshë çfarë të dojë gjatë ihramit, për shkak se ajo e ka të nevojshme të mbulohet; mirëpo ajo nuk duhet të veshë burkën, dhe në vend të saj, e mbulon fytyrën me shami apo xhilbab kur pranë saj kalojnë burra të huaj. Nuk duhet të veshë gjithashtu as doreza.
Ndalesa e pestë: Përdorimi i parfumit; sepse pelegrinit i kërkohet që të largohet nga luksi, stolitë dhe kënaqësitë e kësaj bote, dhe t'i përkushtohet ahiretit.
Ndalesa e gjashtë: Vrasja e gjahut të tokës dhe kapja e tij; pelegrinit, për sa kohë është në ihram, nuk i lejohet ta kapë gjahun e tokës e as të ndihmojë në kapjen e tij e as ta therë atë.
Nuk i lejohet muhrimit të hajë nga gjahu që ka kapur vetë, apo që është kapur për të, apo që ka ndihmuar në kapjen e tij; sepse ai konsiderohet si ngordhësirë për të.
Ndërsa gjahu i detit nuk është i ndaluar për muhrimin ta kapë. Po ashtu, nuk i ndalohet therja e shtazëve të buta, si pulat dhe bagëtia, sepse ato nuk janë gjah.
Ndalesa e shtatë: Kryerja e kontratës martesore, qoftë për vete, qoftë për të tjerët, ose të qenët dëshmitar.
Ndalesa e tetë: Marrëdhëniet intime; kushdo që kryen marrëdhënie intime para lirimit të parë nga ihrami, haxhi i tij është i pavlefshëm, por është i detyruar t'i vazhdojë dhe t'i plotësojë ritualet e tij dhe ta kompensojë atë vitin e ardhshëm dhe njëkohësisht të therë një deve si shpagim. Ndërsa nëse kjo ndodh pas lirimit të parë, rituali i haxhit nuk i prishet, por ai e ka për detyrë të therë një kurban si shpagim.
Edhe gruaja në këtë çështje është sikurse burri, nëse ka qenë bashkëpunuese.
Ndalesa e nëntë: Prekja e gruas me epsh. Pelegrinit nuk i lejohet ta prekë gruan me epsh, sepse kjo është një mënyrë që çon drejt marrëdhënies intime të ndaluar.
Umreja:
a- Shtyllat e umres:
1- Ihrami.
2- Tavafi.
3- Sa’ji.
b- Vaxhibet e umres:
1- Hyrja në ihram nga mikati i caktuar.
2- Qethja (rruajtja) ose prerja e flokëve.
c- Forma e kryerjes së umres:
Personi që kryen umren, fillimisht bën tavaf shtatë herë rreth Qabes, duke e filluar nga Guri i Zi dhe duke e përfunduar po aty. Gjatë tavafit duhet të jetë i pastër dhe t'i ketë mbuluar pjesët e tij të turpshme prej kërthizës deri te gjunjët. Është sunet për të që të bëjë idtibanë gjatë gjithë tavafit; duke zbuluar shpatullën e djathtë, duke e vendosur rrobën nën sqetull dhe duke i vendosur dy skajet e saj mbi shpatullën e majtë. Pasi ta përfundojë rrotullimin e shtatë, e ndërpret idtibanë dhe i mbulon të dy supet me pëlhurën e tij.
Kthehet me fytyrë nga Guri i Zi, nëse mundet ta puthë, e puth, e nëse jo, e prek me dorën e djathtë, nëse ka mundësi, dhe e puth dorën. E nëse nuk mundet ta prekë gurin me dorë, bën me shenjë drejt tij duke ngritur dorën e djathtë dhe thotë një herë: “Allahu ekber”, pa e puthur dorën dhe pa u ndalur. Pastaj vazhdon tavafin e tij; duke e lënë Qaben në anën e tij të majtë, prej sunetit është që në tri rrotullimet e para të bëjë ritualin e remelit. Remeli është ecja e shpejtë me hapa të shkurtër.
Kur kalon pranë këndit jemenas – i cili është këndi i katërt i Qabes – nëse ka mundësi, e prek me dorën e djathtë pa bërë tekbir dhe pa e puthur. E nëse nuk ka mundësi ta prekë, vazhdon pa bërë me shenjë drejt tij dhe pa bërë tekbir. Midis Ruknul-Jemanit dhe gurit të zi, thotë: “Zoti ynë, na jep të mira në këtë botë, na jep të mira në botën tjetër dhe na ruaj nga dënimi i Zjarrit (të Xhehenemit)!” (El-Bekare, 201)
Pasi të përfundojë tavafin, fal dy rekate pas Mekamit të Ibrahimit, nëse mundet, e në të kundërtën, i fal kudo në Xhaminë e Shenjtë. Sunet është që në rekatin e parë, pas Fatihasë, të lexojë suren el-Kafirun. Ndërsa në rekatin e dytë, pas Fatihasë, të lexojë suren el-Ihlas. Pastaj drejtohet kah vendi i sa'jit dhe bën sa’j midis Safasë dhe Mervasë shtatë xhiro; vajtja quhet një xhiro dhe ardhja quhet një xhiro.
Sa’ji fillon me Safanë; ngjitet mbi të ose qëndron pranë saj. Ngjitja mbi Safa është më e mirë nëse është e mundur. Në Safa lexon fjalën e Allahut të Lartësuar: "Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut..." (El-Bekareh: 158)
Është e pëlqyeshme të drejtohet nga Kibleja, të falënderojë e të madhërojë Allahun dhe të thotë: "La ilahe il-lAllahu, uall-llAllahu Ekber. La ilahe il-lAllahu uahdehu la sherike leh, lehul mulku ue lehul hamdu, juhji ue jumitu, ue huve ala kul-li shej'in kadir. La ilahe il-lAllahu uahdeh, enxheze ua'deh, ue nesara abdeh, ue hezemel ahzabe uahdeh" ("Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Allahu është më i Madhi. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, i Vetëm, pa ortak. Atij i përket pushteti dhe lavdia, Ai jep jetë dhe vdekje, dhe Ai është i Plotfuqishëm për çdo gjë. Nuk ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, i Vetëm, e përmbushi premtimin e Tij, e ndihmoi robin e Tij, dhe i mposhti armiqtë i Vetëm.")[60]. Pastaj bën lutje sipas dëshirës duke ngritur duart, dhe e përsërit këtë dhikër dhe lutje tri herë. Më pas zbret dhe ecën drejt Mervasë derisa të arrijë te shenja e parë, ku burri e shpejton ecjen derisa të arrijë te shenja e dytë. Sa i përket gruas, për të nuk është e ligjësuar ecja e shpejtë midis dy shenjave; përkundrazi, rregulli fetar për të është ecja normale gjatë gjithë sa'jit. Pastaj ecën, ngjitet në Merva ose qëndron pranë saj. Ngjitja në të është më e mirë, nëse kjo është e mundur. Në Merva thotë dhe vepron njësoj si në Safa, me përjashtim të leximit të ajetit: "Kodrinat Safa dhe Merva (në Mekë) janë pjesë e Simboleve të Allahut..." Leximi i të cilit është i rekomanduar vetëm gjatë ngjitjes në Safa, në fillim të xhiros së parë. Pastaj zbret, ecën normalisht aty ku ecet me ecje normale dhe nxiton aty ku duhet të nxitojë, derisa të arrijë në Safa. Këtë e bën shtatë herë; vajtja është një xhiro më vete dhe kthimi është një xhiro më vete. Është e pëlqyeshme që gjatë sa'jit të bëjë sa më shumë dhikër dhe lutjet që di. Dhe të jetë i pastër prej papastërtisë së madhe dhe të vogël, por edhe nëse e kryen sa’jin pa qenë i pastër, i konsiderohet i vlefshëm. Po ashtu, nëse gruas i vijnë menstruacionet ose lehonia pas tavafit, ajo e bën sa’jin në atë gjendje dhe ai është i vlefshëm për të, sepse pastërtia nuk është kusht për sa’jin, por vetëm veprim i pëlqyeshëm. (60) Transmetoi Muslimi nr. 1218.
Pasi përfundon sa'jin, rruan kokën ose i shkurton flokët. Për burrin, rruarja është më e mirë. Ndërsa gruaja vetëm i pret pak.
Me këtë, përfundojnë ritet e umres.
Haxhi:
a- Shtyllat e haxhit:
1) Ihrami.
2) Qëndrimi në Arafat.
3) Tavafi i ifadas (tavafi që bëhet ditën e bajramit pas zbritjes nga Minaja në Mekë).
4) Sa’ji.
b- Vaxhibet e haxhit:
1) Hyrja në ihram nga mikati.
2) Qëndrimi në Arafat ditën e nëntë të muajit Dhulhixhe deri në perëndim të diellit, për atë që qëndron aty gjatë ditës.
3) Kalimi i natës në Muzdelife, natën e dhjetë të Dhul Hixhes deri në mesnatë.
4) Qëndrimi në Mina gjatë netëve të ditëve të teshrikut.
5) Hedhja e gurëve.
6) Qethja (rruajtja) ose prerja e flokëve.
7) Tavafi i Lamtumirës.
c) Forma e haxhit:
Muslimani thotë telbijen e haxhit kur arrin në mikat, nëse koha është e ngushtë, bën nijetin për ritin e ifradit. Kur të arrijë në Mekë, bën tavafin dhe sa’jin dhe qëndron në ihram derisa të niset për në Arafat në ditën e nëntë, e cila është dita e Arafatit, aty ai qëndron deri në perëndimin e diellit.
Pastaj niset prej andej duke thënë telbijen për në Muzdelife, ku qëndron derisa të falë sabahun. Më pas qëndron aty, e përmend Allahun, thotë telbijen dhe lutet derisa të zbardhë mirë dita.
Kur zbardh dita, niset drejt Minasë para lindjes së diellit, hedh shtatë guraleca në Xhemren e Akabesë, pastaj rruan ose shkurton flokët. Rruajtja është më e mirë.
Pastaj bën tavafin e Ifades dhe i mjafton sa'ji i parë që e ka bërë më herët, dhe me këto veprime i plotësohet haxhi dhe lirohet plotësisht nga detyrimet.
Atij i mbetet gjuajtja e Xhemerateve në ditën e njëmbëdhjetë dhe të dymbëdhjetë, nëse dëshiron të largohet herët. Ai i gjuan të tre Xhemeratet, secilin me nga shtatë guralecë, duke thënë ‘Allahu Ekber’ me çdo guralec. Fillon me Xhemren e vogël, e cila është pas Xhamisë el-Khaif, pastaj me të mesmen dhe në fund me Xhemretul-Akabe, e cila është e fundit. Secilën prej tyre e gjuan me nga shtatë guralecë. E nëse dëshiron të qëndrojë në Mina edhe pas ditës së 12-të, i hedh guralecët në ditën e 13-të njësoj si në ditën e 12-të dhe të 11-të.
Koha e hedhjes së gurëve është pas mesditës, në të tria ditët.
E nëse largohet në ditën e 12-të para perëndimit të diellit, i lejohet, por nëse qëndron dhe i hedh guralecët në ditën e 13-të pas mesdite, kjo është më e preferuar, sikurse ka thënë Allahu i Lartësuar:
"...Por, edhe ata që nguten dhe rrinë vetëm dy ditë (në Mina), nuk bëjnë gjynah; nuk bën gjynah as ai që rri më shumë, nëse i frikësohet vërtet Allahut..." (El-Bekare, 203)
Nëse dëshiron të udhëtojë (të largohet nga Meka), bën Tavafin e Lamtumirës, shtatë xhiro, pa Sa'j.
Për atë që nuk ka kurban me vete, më e mira është që të hyjë në ihram me nijetin e umres dhe të kiranit pastaj bën telbijen për haxh ditën e tetë dhe i kryen veprimet e haxhit siç i përmendëm më parë. Nëse hyn në ihram për haxh dhe umre së bashku, nuk ka asnjë problem, dhe kjo quhet Kiran, që do të thotë të hysh në ihram për umre dhe haxh së bashku, me një tavaf dhe një sa’j të vetëm.
KREU I TRETË:
NORMAT QË LIDHEN ME MARRËDHËNIET NDËRNJERËZORE
Dijetarët, Allahu i mëshiroftë, e kanë sqaruar se çfarë është dija të cilën e ka për detyrë ta mësojë çdo individ. Dhe kanë folur për masën e diturisë që është detyrë individuale për çdo musliman ta mësojë. Ndër të tjera kanë përmendur: mësimin e dispozitave të shitblerjes për atë që merret me tregti që të mos bjerë në haram ose në kamatë duke mos e ditur. Janë përcjellë nga disa sahabë (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) thënie që e mbështesin këtë.
Umer ibn Hatabi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Të mos shesë në tregun tonë veçse ai që i njeh ligjet e fesë!"[61] [61] E ka cituar Tirmidhiu, nr. 487, dhe thotë se është hasen-garib (i mirë por me një rrugë transmetimi). Edhe Albani e ka cilësuar hasen (të mirë).
Ali ibn Ebi Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Kush merret me tregti para se të mësojë dispozitat fetare, zhytet në kamatë, zhytet e zhytet. Domethënë: ushtron kamatën.” [62] [62] Shih: "Mugni el Muhtaxh" (2/22).
Ibën Abidini (Allahu e mëshiroftë!) transmeton nga Alamiju: Është detyrë për çdo mukel-lef (i ngarkuar me përgjegjësi fetare), mashkull dhe femër, pasi të mësojë diturinë e fesë dhe udhëzimit, të mësojë dispozitat e abdesit, guslit, namazit dhe agjërimit, dispozitat e zekatit për atë që posedon nisabin, të haxhit për atë që e ka obligim, dhe dispozitat e shitblerjes për tregtarët, në mënyrë që të ruhen nga gjërat e dyshimta dhe të papëlqyeshme në të gjitha ndërveprimet. Po kështu edhe zejtarët, dhe kushdo që merret me një punë e ka detyrë të mësojë diturinë dhe dispozitat e saj, në mënyrë që të ruhet nga gjërat e ndaluara në të." [63] (63) "Hashijetu Ibn Abidin" (1/42).
Neveviu (Allahu i Lartësuar e mëshiroftë!) ka thënë: “Ndërsa për shitblerjen, martesën dhe gjërave të ngjashme me to, të cilat në thelb nuk janë obligim, është e ndaluar të ndërmerren përveçse pasi të njihen rregullat e tyre.” [64] [64] Shih: "El Mexhmu", (1/50).
Këto janë disa rregulla të lidhura me ndërveprimet financiare, të cilat i predikon Sheriati Islam:
1- Lejimi i çdo gjëje që ka dobi të mirëfilltë ose dobi dominuese, si shitblerja e gjërave të lejuara, qiraja dhe e drejta e shuf'as. [65] [65] Shuf’aja: është e drejta e ortakut për të marrë pjesën e ortakut të tij prej palës së tretë, e cila e ka përvetësuar atë kundrejt një pagese monetare.
2- Ligjshmëria e çdo veprimi apo akti që shërben si garanci për të drejtat e njerëzve dhe ruajtjen e tyre; siç është pengu dhe dëshmia.
3- Lejueshmëria e gjithçkaje që është në interes të palëve kontraktuese, siç janë: anulimi i kontratës me pëlqimin e të dy palëve, e drejta e zgjedhjes dhe kushtet e shitblerjes.
4- Ndalimi i çdo forme të padrejtësisë ndaj njerëzve dhe i ngrënies së pasurive të tyre në mënyrë të padrejtë, si: kamata, grabitja dhe monopolizimi.
5- Lejueshmëria e çdo bashkëpunimi për të mirën e njerëzve; si borxhi, huadhënia dhe amaneti.
6- Ndalimi i përfitimit të pasurisë së njerëzve pa punuar, pa i sjellë dobi njerëzve dhe pa asnjë mundim nga ana e përfituesit, si bixhozi dhe kamata.
7- Ndalimi i çdo kontrate të shitblerjes në të cilin mbizotëron padituria dhe pasiguria; si shitja e mallit që personi nuk e zotëron dhe shitja e mallit të panjohur.
8- Ndalimi i çdo kontrate që përmban dredhi për të justifikuar haramin, si kontrata e ijnes. [66] [66] Kontrata e Ijnes: Është kur një person ia shet një tjetri një mall me pagesë të shtyrë dhe ia dorëzon, pastaj, para se të marrë pagesën, ia blen përsëri me një çmim më të ulët dhe me para në dorë.
9- Ndalimi i çdo veprimtarie që të angazhon nga bindja ndaj Allahut; si shitblerja pas ezanit të dytë të xhumasë.
10- Ndalimi i çdo veprimtarie që është e dëmshme, ose që shkakton armiqësi mes muslimanëve; si shitja e gjërave të ndaluara dhe ndërhyrja në shitblerjen e vëllait musliman.
Kur muslimani e ka të paqartë dispozitën e një çështjeje, ai duhet të pyesë dijetarët për të dhe nuk duhet të veprojë derisa ta njohë dispozitën fetare për atë çështje. Lidhur me këtë Allahu i Madhëruar thotë: "Pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk dini!" (En-Nahl, 43)
Këtu përfundoi materiali që pata mundësi të mbledh. Allahut i lutemi të na dhurojë dije të dobishme dhe vepra të mira. Padyshim Ai është Dhënës dhe Bujar i Madh. Salavatet dhe selamet e shumta qofshin për profetin tonë Muhamed, familjen dhe shokët e tij!
Related books
All books
Çfarë duhet të dinë fëmijët patjetër nga feja66 gjuhëÇfarë duhet të dinë fëmijët patjetër nga feja
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! Hyrje Me emrin e Allahut! Lavdërimi i takon Allahut! Temë e këtij libri janë disa çështje me rëndësi fetare të cilat fëmijët tanë duhet t’i dinë patjetër dhe të cilat duhet tua mësojnë prindërit e tyre që nga vegjëlia.
"Fortesa e Muslimanit – Lutje nga Kurani dhe Suneti"57 gjuhë"Fortesa e Muslimanit – Lutje nga Kurani dhe Suneti"
Libri përmbledh forma të dhikrit dhe lutje nga Kurani dhe Suneti duke e bërë më të lehtë përsëritjen e tyre në kohë dhe rrethana të ndryshme. Ai përmban lutjet e zgjimit nga gjumi, abdesit, namazit, udhëtimit dhe rastesh të tjera, që e ndihmojnë muslimanin të mbrohet dhe të jetë nën ruajtjen dhe kujdesin e Allahut.
أنا مسلم
PËRMBLEDHJE E DOBISHME PËR MUSLIMANIN60 gjuhëPËRMBLEDHJE E DOBISHME PËR MUSLIMANIN
Libri trajton bazat e fesë islame në mënyrë të përmbledhur dhe të plotë. Ai sqaron për lexuesit themelet e adhurimit të saktë dhe kuptimet e besimit në Zotin, engjëjt, librat dhe profetët e Tij, në ditën e fundit - jetën e përtejme, dhe në caktimin hyjnor.