فضائل وآداب المسجد النبوي

فضائل وآداب المسجد النبوي

VLERAT DHE NORMAT E XHAMISË PROFETIKE DHE DISPOZITAT E VIZITËS SË VARRIT TË PROFETIT (PAQJA QOFTË MBI TË!) DHE VARREVE TË SHOKËVE TË TIJ (ALLAHU QOFTË I KËNAQUR ME TA!)

Language: lang_sq
Prepared by: Komisioni Shkencor nën Kryesinë e Çështjeve Fetare pranë Xhamisë së Shenjtë dhe Xhamisë Profetike
Version: 1.0
Translations 43
Amharic Assamese Azerbaijani Bengali +39
Attachments 7
PDF
Audio
Video
+3

VLERAT DHE NORMAT E XHAMISË PROFETIKE DHE DISPOZITAT E VIZITËS SË VARRIT TË PROFETIT (PAQJA QOFTË MBI TË!) DHE VARREVE TË SHOKËVE TË TIJ (ALLAHU QOFTË I KËNAQUR ME TA!)

Përgatiti:

Komisioni Shkencor nën Kryesinë e Çështjeve Fetare pranë Xhamisë së Shenjtë dhe Xhamisë Profetike

1447 H

PARATHËNIE

I gjithë lavdërimi i takon Allahut, Zotit të botëve. Salavatet dhe selamet qofshin për të dërguarin si mëshirë për botët, mbi familjen, shokët e tij dhe mbi ata që e ndjekin sunetin e tij dhe ecin sipas udhëzimit të tij deri në Ditën e Gjykimit.

Kjo është një broshurë e shkurtër, që përmban vlerat më të rëndësishme të xhamisë së Profetit (paqja qoftë mbi të!), normat e vizitës së saj, si dhe normat e vizitës së varrit të Profetit dhe varreve të dy shokëve të tij (paqja qoftë mbi të!). E kemi përmbledhur për vizitorët e xhamisë së Profetit (paqja qoftë mbi të!), në mënyrë që të jenë të informuar dhe të vetëdijshëm lidhur me vlerat e xhamisë së Profetit të këtij umeti (paqja qoftë mbi të!), si dhe lidhur me etikën e vizitës së saj dhe të faljes në të, duke shpresuar nga Zoti ynë Bujar e Bamirës që ta bëjë të dobishme dhe të vlefshme e të sinqertë për hir të Fytyrës së Tij. Vërtet, Ai është më i Miri të Cilit i drejtohen lutjet dhe më Bujari prej të Cilit shpresohet përgjigje.

Komisioni Shkencor

SË PARI: VLERAT E XHAMISË SË TË DËRGUARIT (PAQJA QOFTË MBI TË!)

Allahu i Lartësuar thotë: "Zoti yt krijon ç’të dojë dhe zgjedh ç'të dojë, ndërsa ata (idhujt apo njerëzit) nuk mund të zgjedhin. Qoftë i lavdëruar Allahu dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia shoqërojnë Atij (në adhurim)!" (El-Kasas, 68) Allahu e ka zgjedhur këtë vend për të qenë xhami për Profetin e Tij (paqja qoftë mbi të!) dhe e ka veçuar me vlera të shumta, disa prej të cilave janë:

-Është njëra prej tri xhamive, drejt të cilave ndërmerret udhëtim:

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ndërmerret udhëtim përveçse për në tri xhami: Xhaminë time, Xhaminë e Shenjtë dhe Xhaminë el-Aksa.”[1] (1) Transmetuan Buhariu nr. 1189 dhe Muslimi nr. 1397, ndërsa teksti është i Muslimit.

-Se namazi në të është më i mirë se një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç Xhamisë së Shenjtë (Qabes).

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Një namaz në këtë xhaminë time është më i mirë sesa një mijë namaze në xhamitë e tjera, përveç Xhamisë së Shenjtë.” [2] (2) Transmetuan Buhariu nr. 1190 dhe Muslimi nr. 1395, ndërsa teksti është i Buhariut.

-Ajo është xhamia e cila është themeluar mbi themelin e devotshmërisë që në ditën e parë.

Ebu Seid Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: “Hyra tek i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) në shtëpinë e njërës prej grave të tij dhe i thashë: ‘O i Dërguari i Allahut, cila prej dy xhamive është ajo që është themeluar mbi devotshmërinë?’. Ai mori një grusht me guralecë, i përplasi për tokë dhe pastaj tha: “Xhamia juaj, kjo!”, e kishte fjalën për xhaminë e Medines.[3] (3) Transmetoi Muslimi nr. 1398.

-Shpërblimi i kërkuesit të diturisë në të është si shpërblimi i muxhahidit në rrugë të Allahut.

Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se e ka dëgjuar të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të!) duke thënë: “Ai që vjen në këtë xhaminë time vetëm për të mësuar apo për t'ia mësuar të tjerëve një të mirë, është në pozitën e muxhahidit në rrugë të Allahut. Ndërsa ai që vjen për diçka tjetër, është sikurse njeriu që shikon mallin e tjetrit.”[4] (4) E ka transmetuar Ibën Maxheja, nr. 227, me zinxhirë të saktë.

-Në të ndodhet Kopshti i Nderuar.

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Vendi mes shtëpisë sime dhe minberit tim është një kopsht prej kopshteve të Xhenetit, dhe minberi im është mbi kroin tim."[5] (5) Transmetuan Buhariu nr. 1195 dhe Muslimi nr. 1390.

SË DYTI: PËLQYESHMËRIA E VIZITËS SË XHAMISË SË PROFETIT (PAQJA QOFTË MBI TË!)

Për këto dhe të tjera vlera, është e pëlqyeshme që të vizitohet xhamia e Profetit (paqja qoftë mbi të!), të falet në të namaz dhe të kryhen adhurime.

- Për haxhiun dhe të tjerët është e pëlqyeshme të vizitojnë Xhaminë e Profetit para haxhit ose pas tij. Kjo vizitë nuk është prej kushteve të haxhit, as prej shtyllave apo detyrimeve të tij, dhe nuk ka asnjë lidhje me të.

-Për vizitën e xhamisë së Profetit (paqja qoftë mbi të!) nuk kushtëzohet një numër i caktuar namazesh, as qëndrimi për një kohë të caktuar në Medine. Vizita konsiderohet e kryer me faljen e një namazi të vetëm, qoftë farz apo nafile. Mirëpo, sa më shumë namaze falen në të, aq më i madh është shpërblimi.

- Është e pëlqyeshme për vizitorin e Xhamisë së Profetit t'i falë në të, të gjitha namazet obligative, si dhe ato nafile; sepse namazi në të është më i mirë se një mijë namaze në çdo vend tjetër, përveç Xhamisë së Shenjtë.

SË TRETI: NORMAT E VIZITËS NË XHAMINË E PROFETIT (PAQJA QOFTË MBI TË!)

Kur muslimani mbërrin në xhaminë e Profetit (paqja qoftë mbi të!), është e preferueshme për të që të sillet sipas etikës fetare që parashikohet në lidhje me xhamitë në përgjithësi, dhe me xhaminë e Profetit në veçanti. Etika fetare për këtë rast është si më poshtë:

-Të vijë në xhami me qetësi e dinjitet, i pastër, me pamje të mirë dhe erë të mirë. Nga Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmetohet se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur të thirret ikameti për namaz, mos shkoni duke nxituar, por shkoni me qetësi. Atë që e arrini, faleni, ndërsa atë që ju ikën, plotësojeni, sepse secili prej jush është në namaz, kur niset për të falur namazin.”[6] Dhe nga Ebu Seid el Hudriu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) përcillet se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Larja e trupit në ditën e xhuma është detyrë për çdo të rritur, si dhe të pastrojë dhëmbët dhe të parfumoset, nëse ka parfum."[7] Ndërsa gruaja, kur vjen në xhami, e ka obligim të jetë e mbuluar me hixhabin e saj dhe nuk i lejohet të parfumoset, për shkak të fjalës së Profetit (paqja qoftë mbi të!): “Kur ndonjëra prej jush merr pjesë në xhami, të mos përdorë parfum!”(8) (6) Transmetuan Buhariu nr. 636 dhe Muslimi nr. 602. (7) Muttefekun alejhi, Buhariu nr. 846 dhe Muslimi nr. 858. "i rritur" është ai që ka mbushur moshën e pubertetit. (8) Transmetoi Muslimi nr. 443.

-Është e preferuar për vizitorin që të hyjë me këmbën e djathtë në Xhaminë e Profetit (paqja qoftë mbi të!), ashtu si në xhamitë e tjera, dhe të bëjë lutjen e hyrjes në xhami, duke thënë: "Bismil-lahi, ues-selamu ala resulil-lahi, Allahumme'gfir li dhunubi ueftaḥ li eb'uabe rahmetike." - "Në emër të Allahut, paqja qoftë mbi të Dërguarin e Allahut. O Allah, m'i fal mëkatet e mia dhe m'i hap dyert e mëshirës Tënde!" (9) Po ashtu thotë: "E’ũdhu bil-lãhil-‘Aḍhĩmi, ue bi uexh'hihil-Kerĩmi, ue sulṭãnihil-Ḳadĩmi, minesh-shejṭãnirr-rraxhĩm" (I mbështetem Allahut të Madhërishëm, Fytyrës së Tij Fisnike dhe pushtetit të Tij të Përjetshëm, që të më mbrojë nga shejtani i mallkuar).[10] (9) E ka cituar Ibën Maxheja, nr. 771, me zinxhirë të saktë. (10) Transmetoi Ebu Davudi nr. 466, me zinxhirë të saktë.

-Falja e namazit të përshëndetjes së xhamisë. Është sunet për këdo që hyn në Xhaminë e Profetit për të falur namaz, që t'i falë dy rekate për përshëndetjen e xhamisë, para se të ulet. Transmetohet nga Ebu Katade el-Harith bin Rib’ijj el-Ensarij (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Kur ndonjëri prej jush hyn në xhami, le të mos ulet derisa t'i falë dy rekate.”[11] (11) Transmetuan Buhariu nr. 1171 dhe Muslimi nr. 714.

-Zelli për faljen në rreshtat e parë, për shkak të vlerës së madhe që ka falja në to, dhe kjo nuk arrihet veçse duke shkuar herët në xhami; bazuar në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Sikur njerëzit ta dinin se çfarë vlere ka ezani dhe rreshti i parë, pastaj të mos gjenin mundësi tjetër përveçse të hidhnin short për ta, ata do të hidhnin short."[12] Dhe bazuar në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) drejtuar sahabëve të tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!): "Ecni përpara dhe faluni pas meje, e le të falen pas jush ata që vijnë më pas. Disa njerëz do të vazhdojnë të mbesin prapa, derisa Allahu t'i lërë ata prapa!"[13] (12) Transmetuan Buhariu nr. 615 dhe Muslimi nr. 437. (13) Transmetoi Muslimi nr. 438.

Sa u përket grave, më e mira për to është falja në rreshtat e fundit dhe distanca nga burrat, sipas hadithit të Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), i cili transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Rreshtat më të mirë të burrave janë të parët, ndërsa më të këqijtë janë të fundit. Ndërkaq, rreshtat më të mirë të grave janë të fundit, ndërsa më të këqijtë janë të parët.”[14] Por nëse falen veçmas, ose mes tyre dhe burrave ka një ndarëse, siç është rasti në Xhaminë e Profetit, atëherë rreshtat më të mirë për to janë të parët, për shkak të mungesës së arsyes së qëndrimit prapa. (14) Transmetoi Muslimi nr. 440.

-Falja pas imamit dhe bërja kujdes nga dalja para tij. Bazuar në hadithin e Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Imami është vënë që të ndiqet."(15) (15) Transmetuan Buhariu nr. 722 dhe Muslimi nr. 417.

-Nuk i lejohet namazliut të dalë para imamit, përveçse në rast domosdoshmërie, kur xhamia mbushet me namazlinj aq sa nuk gjen vend për t’u falur veçse para imamit.

-Kujdesi për mbylljen e zbrazëtirave dhe boshllëqeve ndërmjet rreshtave dhe drejtimin e tyre, duke bërë kujdes që të mos ngushtohen apo shqetësohen njerëzit, të mos kapërcehet mbi supet e tyre dhe të mos kalohet përpara namazlinjve, sepse kjo e fut në gjynah.

-Falja në Kopshtin e Nderuar për atë që i jepet mundësia; për shkak të hadithit të Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!), se Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Vendi mes shtëpisë sime dhe minberit tim është një kopsht prej kopshteve të Xhenetit, dhe minberi im është mbi kroin tim."[16] (16) Transmetuan Buhariu nr. 1195 dhe Muslimi nr. 1390.

-Nuk është transmetuar ndonjë vlerë e caktuar për namazin në Raudah (Kopshti i Nderuar), por është vërtetuar se ajo është një kopsht prej kopshteve të Xhenetit – sikurse dëshmon hadithi i përmendur më parë i Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Sipas parimit sheriatik: adhurimet bëhen më të vlefshme për shkak të vlerës së kohës dhe vendit ku ato kryhen.

* Vizitori duhet t'i zgjedhë kohët e përshtatshme për namaz në Raudah dhe të synojë ato momente kur ka më pak dyndje. Nuk i lejohet që t'i shtyjë vëllezërit e tij muslimanë, as të kalojë mbi supet e tyre, e as të kalojë para atyre që falen, vetëm për të arritur të falet aty, sepse namazi në Raudah është nafile dhe nuk arrihet tek ai përmes veprimeve të ndaluara. Po ashtu, vizitori duhet të tregojë kujdes që t'u përmbahet rregulloreve dhe masave organizative për hyrjen në Raudah, të zgjedhë kohët e përshtatshme dhe të bashkëpunojë me përgjegjësit për organizimin e hyrjes së vizitorëve në të.

-Shfrytëzimi i kohës duke shtuar veprat e mira që e afrojnë robin më pranë Krijuesit të tij, si: namazi, leximi i Kuranit, dhikri, lutja, pjesëmarrja në tubimet e këshillës, ligjëratat fetare, tubimet e mësimit të Kuranit Fisnik, etj.

-Respektimi i Librit të Allahut të Latmadhëruar dhe ruajtja e tij nga abuzimi me fletët e tij dhe shkrimi mbi to, ose përbuzja dhe poshtërimi i tij duke vendosur këpucët pranë tij, ose duke e vendosur në tokë etj. Bazuar në fjalën e të Lartësuarit: "Po, kështu është! Ndërsa kush respekton simbolet Allahut, kjo tregon se në zemrën e tij ka devotshmëri!" (El-Haxh, 32)

-Ulja e shikimit nga ajo që ka ndaluar Allahu i Lartësuar: Vizitori i Xhamisë së Profetit e ka obligim ta ulë shikimin nga ajo që nuk i lejohet ta shikojë. Ai duhet të jetë i vetëdijshëm për rëndësinë e kryerjes së mëkatit në këto vende të shenjta dhe për dënimet që pasojnë, sepse mëkatet bëhen më të rënda sipas shenjtërisë së kohës dhe të vendit, e po ashtu edhe veprat e mira. Po ashtu, gruaja muslimane duhet të tregojë kujdes për t’iu përmbajtur hixhabit fetar dhe të mos i shfaqë stolitë, që të mos i joshë burrat, sepse mëkati për këtë është i madh.

-Të bëhet kujdes nga angazhimi me fotografimin ose shikimin e fotove dhe videove në celular, dhe çështja bëhet edhe më e rëndë nëse këto foto dhe video janë të ndaluara.

-Ruajtja e Xhamisë së Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) nga çdo gjë që nuk i ka hije asaj, si grindjet, ngritja e zërit, shpallja e sendeve të humbura, shitblerja dhe çështje të tjera të ngjashme që nuk janë të pëlqyeshme as në të dhe as në xhamitë e tjera; për shkak të hadithit të Ebu Hurejres (Allahu qoftë i kënaqur me të!) nga Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!), se ai ka thënë: “Kur të shihni dikë që merret me shitblerje në xhami, thoni: ‘Allahu mos e bëftë fitimprurëse tregtinë tënde!’, dhe kur të shihni dikë që kërkon në të një send të humbur, thoni: ‘Allahu mos ta ktheftë!’”[17] (17) E transmetuan Tirmidhiu, numër 1321 dhe Ibën Huzejmeja, numër 1305, me zinxhirë të saktë.

-Të kujdesurit për pastërtinë personale dhe ruajtja nga erërat e këqija si hudhra, qepa, tymi dhe djersa etj, të cilat u shkaktojnë shqetësim vëllezërve namazlinj; bazuar në hadithin e Xhabir ibn Abdullahut, i cili thotë se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Ai që ha hudhër ose qepë, të mos na afrohet, - ose ka thënë: të mos i afrohet xhamisë sonë, - por le të qëndrojë në shtëpinë e vet!”[18] (18) Transmetuan Buhariu nr. 7359 dhe Muslimi nr. 564.

-Kujdesi për pastërtinë e Xhamisë së Profetit (paqja qoftë mbi të!) dhe moshedhja e mbeturinave brenda xhamisë e as në oborrin e saj, si mbetjet e ushqimeve dhe ato të sofrave të iftarit, sidomos gjatë muajit të Ramazanit, apo pështyrja në korridore dhe oborr, etj.

-Të shmanget falja e namazit nëpër korridore, në hyrje të dyerve dhe në vendet e mbushura me njerëz, për shkak të dëmeve që sjell, si bllokimi i rrugëve dhe shqetësimi i muslimanëve.

-Burrat dhe gratë falen në vendet e caktuara për secilën gjini, brenda Xhamisë së Profetit (paqja qoftë mbi të!) ose në oborrin e saj. Burri nuk falet pranë gruas dhe as gruaja pranë burrit. Po ashtu, duhet pasur kujdes që të mos i prihet (t'i dilet përpara) imamit sa të jetë e mundur.

-Kur del nga xhamia, del me këmbën e majtë dhe lutet: "All-llãhumme innĩ es’eluke min faḍlike!" (O Allah! Të lutem të më japësh nga mirësitë e Tua!)[19] Ose dërgon salavate mbi Profetin (paqja qoftë mbi të!) dhe thotë: “Rabbigfir li dhunubi, ueftah li eb'uabe fadlike!” - (O Zot, më fal mëkatet e mia dhe më hap dyert e mirësisë Tënde!) (20) (19) Transmetoi Muslimi nr. 713. (20)Transmetoi Tirmidhiu nr. 314, me zinxhirë të saktë.

SË KATËRTI: DISPOZITAT DHE NORMAT E VIZITËS SË VARRIT TË PROFETIT (PAQJA QOFTË MBI TË!) DHE DY SHOKËVE TË TIJ (ALLAHU QOFTË I KËNAQUR ME TA!)

*Është e pëlqyeshme të vizitohet varri i Profetit (paqja qoftë mbi të!) dhe varret e dy shokëve të tij, Ebu Bekrit dhe Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), si për banorët e Medines, ashtu edhe për ata që vijnë në të si vizitorë; për shkak të argumenteve të përgjithshme që dëshmojnë për ligjshmërinë e vizitës së varreve, prej të cilave është edhe thënia e Profetit (paqja qoftë mbi të!): "Ju kam ndaluar më parë nga vizita e varreve, por tani vizitojini ato!"[21] (21) Transmetoi Muslimi nr. 977.

Për vlerën e dhënies selam Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) pas vdekjes së tij, dëshmon thënia e tij: "Nuk ndodh që dikush të më japë selam, veçse Allahu i Madhëruar do të ma rikthejë shpirtin, derisa t'ia kthejë selamin"[22] (22) E transmetoi Ahmedi në Musnedin e tij nr. 10815, me zinxhir të mirë të transmetuesve.

*Grave nuk u lejohet të vizitojnë varrin e Profetit (paqja qoftë mbi të!), e as varrin e ndonjë muslimani tjetër, sepse vizita e varreve është e lejuar vetëm për burrat, ndërsa grave u është ndaluar. Transmetohet nga Ibën Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se ka thënë: "I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka mallkuar gratë që vizitojnë varret, si dhe ata që ndërtojnë faltore mbi to dhe vendosin kandila!"[23] Përcillet nga Ebu Hurejre (Allahu qoftë i kënaqur me të!) se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) i ka mallkuar gratë që vizitojnë varret."[24] (23) E transmetuan Ebu Davudi, numër 3236, Tirmidhiu, numër 320, dhe Nesaiu, numër 2043. (24) E transmetuan Tirmidhiu, nr. 1056 dhe Ibën Maxheh, nr. 1576, me zinxhirë të mirë.

*Nuk lejohet të ndërmerret udhëtim për të vizituar vetëm varrin e Profetit (paqja qoftë mbi të!), por udhëtimi duhet bërë me qëllim të vizitës së xhamisë së tij dhe faljes së namazit në të. Pasi të vendoset në Medine, pëlqehet që të vizitojë varrin, ashtu siç u lejohet banorëve të Medines; sepse Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: “Nuk ndërmerret udhëtim përveçse për në tri xhami: Xhaminë time, Xhaminë e Shenjtë dhe Xhaminë el-Aksa.”[25] (25) Transmetuan Buhariu nr. 1189 dhe Muslimi nr. 1397, ndërsa teksti është i Muslimit.

Normat fetare gjatë vizitës së varrit të Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!) dhe varreve të dy shokëve të tij:

-Vizitori qëndron përballë varrit të Profetit (paqja qoftë mbi të!), pastaj e përshëndet atë me edukatë, pa e ngritur zërin, duke thënë: “Es-selamu alejke ja Resulallah, ue rahmetullahi ue berekatuhu”. Nuk ka problem nëse shton: “Dëshmoj se ti e ke përcjellë mesazhin, e ke përmbushur amanetin, i ke këshilluar me dashamirësi njerëzit dhe ke luftuar në rrugë të Allahut siç duhet”, sepse e gjithë kjo është e vërtetë.

-Pastaj bën një hap në të djathtë që të qëndrojë përballë varrit të Ebu Bekrit të sinqertë (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe thotë: “Es-selamu alejke ja Eba Bekr Es-Siddik, Es-selamu alejke ja halifete Resulil-lah. Allahu qoftë i kënaqur me ty dhe të bëftë të kënaqur, dhe Allahu të shpërbleftë me të mira nga ana e umetit të Muhamedit (paqja qoftë mbi të!).”

-Pastaj bën një hap në të djathtë për të dalë përballë varrit të Umer ibën El-Hattabit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe thotë: “Es-selamu alejke ja Umer El-Faruk. Allahu qoftë i kënaqur me ty dhe të kënaqtë, dhe të shpërbleftë me të mira nga ana e umetit të Muhamedit (paqja qoftë mbi të!).”

Ibën Umeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!), kur kthehej nga udhëtimi, shkonte te varri i Profetit (paqja qoftë mbi të!) dhe thoshte: “Paqja qoftë mbi ty, o i Dërguari i Allahut! Paqja qoftë mbi ty, o Ebu Bekër! Paqja qoftë mbi ty, o babai im! Pastaj largohej.”[26] (26) Transmetoi Bejhekiu në Sunen el-Kubra nr. 10271, me zinxhirë të saktë.

-Nuk preken muret e varrit, as rrethoja (muri rrethues), e as puthen.

Imam Maliku (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: "Kur i jep selam Profetit (paqja qoftë mbi të!), qëndron me fytyrë nga varri, jo nga Kibla; i afrohet dhe i jep selam, pa e prekur varrin me dorë." [27] (27) Kadi Ijad, "Esh-Shifa", 2/199.

Imamët janë pajtuar se varri i Profetit (paqja qoftë mbi të!) nuk preket me dorë dhe as puthet.

-Nuk e zgjat qëndrimin te varri, por jep selam, pastaj largohet.

Imam Maliku (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: "Mendoj se nuk duhet qëndruar pranë varrit të Profetit (paqja qoftë mbi të!) për t'u lutur, por duhet dhënë selam dhe duhet vazhduar." [28] [28] "Esh-Shifa" e Kadi Ijadit (2/ 199).

Nafiu (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: "Ibën Umeri përshëndeste tek varri; e kam parë njëqind herë e më shumë që vinte tek varri dhe thoshte: “Es-selamu alen-Nebijj, es-selamu ala Ebi Bekr, es-selamu ala ebi” (paqja qoftë mbi Pejgamberin, paqja qoftë mbi Ebu Bekrin, paqja qoftë mbi babën tim) pastaj largohej.” [29] (29) E transmetoi Axhurri në "Kitab esh-Sheriah" (5/2374), numër 1853.

-Ajo që bëjnë disa vizitorë duke ngritur zërin pranë varrit të Profetit (paqja qoftë mbi të!) dhe duke qëndruar gjatë aty, është në kundërshtim me normat fetare.

-Nuk lejohet t'i lutesh Profetit (paqja qoftë mbi të!) e as ndonjë krijese tjetër për të sjellë ndonjë dobi, për të larguar ndonjë dëm, apo për të kërkuar plotësimin e ndonjë nevoje, largimin e një brenge, shërimin e një të sëmuri, ndërmjetësimin, shpëtimin nga dënimi, apo lutje të tjera të ngjashme; sepse lutja drejtuar dikujt tjetër pos Allahut për gjërat që vetëm Ai ka fuqi t'i bëjë është e ndaluar dhe shirk i madh. Allahu i Lartësuar ka thënë: "Zoti juaj ka thënë: 'Lutmuni Mua, se do t’ju përgjigjem! Me të vërtetë, ata që tregohen mendjemëdhenj e nuk duan të Më adhurojnë, do të hyjnë në Xhehenem të poshtëruar!'" (Gafir, 60) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, ata që ju i luteni në vend të Allahut, janë robër si ju. Thirrini ata dhe le t’ju përgjigjen, nëse thoni të vërtetën!" (El-Araf, 194) Gjithashtu, Zoti i Lartmadhërishëm thotë: "Xhamitë janë vetëm për Allahun, prandaj mos iu lutni askujt krahas Allahut!" (El-Xhin, 18)

-Nuk i lutet Allahut pranë varrit. Nëse dëshiron të bëjë lutje, largohet nga varri, i drejtohet Kiblës dhe lutet, dhe nuk i drejtohet varrit gjatë lutjes.

Imam Maliku (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: "Nuk e shoh të pëlqyeshme që të qëndrohet pranë varrit të Profetit (paqja qoftë mbi të!) për t'u lutur."

-Nuk lejohet frekuentimi i shpeshtë i varrit saherë që hyhet në xhami ose kur dilet prej saj, as për banorët e Medines dhe as për vizitorët që vijnë nga jashtë saj, pasi ekziston frika se kjo bën pjesë në konsiderimin e varrit vend feste.

I Dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) na ka ndaluar nga kjo gjë dhe ka thënë: "Mos e shndërroni varrin tim në vend feste dhe mos i shndërroni shtëpitë tuaja në varre! Kudo që të jeni, më dërgoni salavate, sepse salavatet tuaja më arrijnë!"[30] (30) Transmetoi Ahmedi në Musnedin e tij nr. 8804, me zinxhirë të mirë.

Kuptimi i fjalës: “Mos e shndërroni varrin tim në vend feste” është të mos vizitohet në mënyrë të përsëritur në kohë a rrethana të posaçme, siç është caktimi i vizitës së tij çdo ditë, javë apo muaj, apo të vizitohet në rrethana të caktuara. Për kuptimin e kësaj është thënë gjithashtu: mos e shndërroni atë në një sezon feste me ç'rast të mblidhen njerëzit[31]. [31] Shih: "El-Mufredat" i Ragib El-Esfehanit (fq. 594), "Sherh es-Sudur bi Tahrim Ref'il Kubur" i Esh-Sheukanit (fq. 16).

Imam Maliku (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: "Për banorët e Medines që hyjnë dhe dalin nga xhamia, nuk është detyrë të ndalen te varri, por kjo është vetëm për të huajt."[32] (32) "Esh-Shifa" i Kadi Ijadit: (2/204), "El-Md'hal" i Ibnul Haxhit: (1/262).

Fjala e tij (Allahu e mëshiroftë!): “Kjo gjë vlen vetëm për të huajt”, d.m.th. vizita në përgjithësi, jo përsëritja e vizitës gjatë hyrjes dhe daljes.

-Nuk qëndrohet para varrit si në namaz, duke vënë njërën dorë mbi tjetrën në gjoks; sepse kjo formë i përket vetëm veprimeve të namazit dhe është një formë përulësie e nënshtrimi që i takon vetëm Allahut të Lartësuar.

-Nuk i drejtohesh varrit prej së largu për ta përshëndetur Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!), ashtu siç veprojnë disa njerëz, sepse këtë nuk e bënin as Sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta), e as brezat e parë të mirë, si katër imamët dhe të tjerët.

-Nuk lejohet t'i drejtohesh varrit të nderuar me lutje, as me këndim Kurani e të ngjashme, nga çfarëdo drejtimi qoftë, sepse kjo është njësoj si veprimet e mëparshme dhe konsiderohet risi në fe. Nuk i lejohet muslimanit të shpikë në fenë e tij atë që Allahu nuk e ka ligjësuar. Imam Maliku (Allahu e mëshiroftë!) i ka kundërshtuar veprimet e ngjashme me këtë, dhe ka thënë: "Të fundit e këtij ummeti nuk do të përmirësohen, përveçse me atë që u përmirësuan të parët e tij." (33) [33] "Mexhmu Fetava Ibn Baz" (16/ 110).

-Shmangia e angazhimit në bërjen e fotografive dhe transmetimin e drejtpërdrejtë gjatë dhënies së selamit te varri i Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!).

Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin, familjen dhe shokët e tij.