ENCIKLOPEDIA E PYETJEVE DHE LETËRKËMBIMEVE
Ky libër përfshin një sërë pyetjesh të shpeshta që janë me interes të veçantë për muslimanët dhe jomuslimanët, dhe ofron përgjigje shkencore të bazuara në Kuran dhe Sunet. Gjithashtu, libri synon të sqarojë konceptet islame dhe të lehtësojë kuptimin e tyre për muslimanët dhe jomuslimanët, duke u përqendruar në ato çështje të fikhut dhe të besimit që janë të rëndësishme në jetën e tyre të përditshme, gjë që forcon vetëdijen e shëndoshë dhe kuptimin e saktë të Islamit.
These files are generated automatically from the book's text; their layout may differ from the printed edition.
ENCIKLOPEDIA E PYETJEVE DHE LETËRKËMBIMEVE
(Koleksioni i parë)
Komisioni Shkencor pranë Shoqatës për Shërbimin e Mesazhit Islam në Gjuhë të Ndryshme
KAPITULLI MBI KRIJIMIN
Pyetja:
Si filloi jeta apo si filloi krijimi?
Përgjigjja:
Ishte Allahu i Lartësuar dhe para Tij nuk ka qenë asgjë, pastaj Ai solli në ekzistencë krijesat në një kohë kur i gjithë universi nuk ekzistonte. Allahu i Lartmadhërishëm e krijoi universin pa asnjë shembull të mëparshëm. Ai thotë: "Në të vërtetë, Zoti juaj është Allahu, që krijoi qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë e pastaj u ngrit mbi Fron. Ai me errësirën e natës e mbulon ditën, dhe dita e ndjek natën nxitimthi; Dielli, Hëna dhe yjet i përulen urdhrit të Tij. Vetëm Atij i përket Krijimi dhe Urdhërimi. Qoftë bekuar Allahu, Zoti i botëve!" (El A'raf, 54)
Transmeton Buhariu në Sahihun e tij nga Imran ibn Husajni se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Ka qenë Allahu dhe nuk ka qenë asgjë para Tij. Arshi i Tij ishte mbi ujë. Pastaj krijoi qiejt dhe Tokën, dhe shkroi çdo gjë në Libër." (Buhariu: 7418)
Allahu e krijoi Ademin, babanë e njerëzimit. Në Sahihun e Muslimit, nga hadithi i Ebu Hurejrës përcillet se Profeti (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ka thënë: "Dita e premte është dita më e mirë në të cilën ka lindur Dielli: në këtë ditë është krijuar Ademi, në të është futur në Xhenet dhe po në këtë ditë është nxjerrë prej tij." (854)
Allahu i Lartësuar e ka përmendur krijimin e njeriut dhe ka thënë: "Me të vërtetë, Ne e kemi krijuar njeriun prej esencës së baltës. E pastaj, e bëmë atë pikë fare dhe e vumë në një vend të sigurt (mitër). E mandej, pikën e farës e bëmë droçkë gjaku, e pastaj e bëmë copëz mishi pa formë; mandej, me atë mish bëmë eshtrat, pastaj i veshëm eshtrat me mish dhe pastaj e bëmë atë (njeriun) krijesë tjetër (duke i futur shpirtin). Qoftë lartësuar Allahu, Krijuesi më i përsosur!" (El Muminun, 12-14)
Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu të vetëm, e prej atij krijoi bashkëshorten e tij, e prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Frikësojuni pra Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Se vërtet, Allahu është Mbikëqyrës mbi ju!" (En Nisa, 1)
Në këto ajete kuranore, Allahu ka përmendur fazat dhe etapat e jetës së njeriut, që nga fillimi i krijimit të tij e deri në etapën e fundit. Ai ka përmendur origjinën e krijimit të babait të racës njerëzore, Ademit (paqja qoftë mbi të!) dhe se origjina e tij ishte "prej esencës së baltës" Domethënë, nga një esencë që është nxjerrë dhe marrë nga e gjithë Toka, e për rrjedhojë bijtë e tij dolën sipas natyrës së Tokës: prej tyre ka të mirë dhe të këqij, si dhe të ndërmjetëm; ka të butë dhe të vrazhdë, si dhe të ndërmjetëm.
Allahu ka përmendur gjithashtu krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe të gjithçkaje që gjendet mes tyre: "Ai i ka krijuar qiejt pa shtylla të dukshme, ka vënë male të palëvizshme në Tokë, që ju të mos lëkundeni dhe ka shpërndarë në të gjithfarë gjallesash. Ne e zbresim ujin nga qielli dhe, nëpërmjet tij, kemi bërë të mbijë çdo lloj bime e mirë." (Lukman, 10)
Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!
***
KAPITULLI I BESIMIT
Pyetja:
Kush është Allahu?
Përgjigjja:
Allahu në Islam është Zoti i botëve dhe i të gjitha krijesave, i Cili përkujdeset për to me mirësitë e Tij. I Lartësuari thotë: "Lavdërimi i përket Allahut, Zotit të botëve!" [El Fatiha: 2]
Ai është Krijuesi, Zotëruesi, Furnizuesi dhe Përkujdesësi i vetëm i krijesave, i Cili nuk ka asnjë ortak. Ai thotë: "Ai është Zoti i qiejve, i Tokës dhe i gjithçkaje që është midis tyre, prandaj, vetëm Atë adhuroje dhe bëhu i qëndrueshëm në adhurimin ndaj Atij. A njeh ti ndokënd që ka Emrin e Tij?!" [Merjem: 65]
Ai është i vetmi që i kushtohet adhurimi; askush tjetër nuk adhurohet me meritë përveç Tij, për shkak se Ai posedon atributet e hyjnitetit dhe absolutësisë. Atij i takon krijimi, urdhri, gjykimi dhe ligjvënia, Ai është Një i Vetëm dhe nuk ka asnjë ortak.
Ai thotë: "Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë." (Er Rum, 27)
Ai është Madhështori, i Lartësuari, Absoluti, të Cilit i takojnë të gjitha lavdet, absolutësia, emrat e bukur dhe atributet e larta. Ai thotë: "Allahut i përkasin emrat më të bukur, andaj thirreni Atë (lutjuni Atij) me to...!" (El Araf, 180)
Ai është Gjithëdëgjuesi, dëgjimi i të Cilit është absolut. Gjithëshikuesi, shikimi i të Cilit është absolut. I Gjithëdijshmi, dija e të Cilit është absolute. I Gjithëfuqishmi, i Cili ka fuqi për çdo gjë, asgjë nuk e sfidon dot Atë. I Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti, mëshira e të Cilit ka përfshirë çdo krijesë dhe gjallesë, dhe në veçanti ndaj besimtarëve është shumë i mëshirshëm. I Gjalli, i Cili nuk vdes. I Pari, i Cili nuk paraprihet nga asgjë. I Mbrami, mbrapa të Cilit nuk ka asgjë. I Lartmadhërishmi thotë: "Ai është i Pari dhe i Mbrami, i Dukshmi dhe i Padukshmi. Ai është i Dijshëm për çdo gjë!" (El Hadid, 3)
I Urti, Ai i Cili i ka krijuar krijesat e Tij në mënyrë të përkryer, të saktë dhe të përsosur, dhe të Cilit i takon urtësia në krijimin e krijesave dhe në dhënien e urdhrave.
Allahu i Lartësuar nuk ka rival, as bashkëshorte, as fëmijë dhe as prindër, dhe asgjë nuk i ngjan Atij. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!” (El Ihlas, 1-4) Po ashtu Ai thotë: "Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha." (Esh Shura, 11)
Ai është në qiell, mbi Arsh dhe mbi të gjitha krijesat. Ai thotë: "I Gjithëmëshirshmi mbi Fron u lartësua." [Taha: 5]
Ai ka thënë gjithashtu: "Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet; Ai është i Urti dhe ka dijeni për gjithçka." [El En’am: 18]
***
Pyetja:
Cili është argumenti për ekzistencën e Allahut?
Përgjigjja:
Argumenti për ekzistencën e Allahut të Lartësuar është logjika e qartë, natyrshmëria e pastër dhe mjetet e drejta, dhe këtë nuk e mohon askush, përveç atij që kundërshton arsyen e shëndoshë njerëzore, sipas së cilës këto krijesa që ekzistojnë medoemos duhet të kenë një krijues që i ka krijuar; sepse këto krijesa ose janë gjendur në ekzistencë pa ndonjë krijues e as shkaktar, gjë të cilën logjika padyshim e gjykon prerazi si absurde, ngase nuk është e mundur që diçka të vijë në ekzistencë pa një krijues dhe pa një shkaktar!
Ose këto krijesa kanë krijuar veten e tyre! E kjo gjithashtu është e pamundur dhe absurde, ngase asgjë nuk e sjell vetveten në ekzistencë nga hiçi.
Ose këto krijesa kanë një Krijues që i krijoi, e Ai është Allahu, Madhështori, i Gjithëdituri, Krijuesi, i Urti.
Allahu na e ka vënë në dukje këtë klasifikim logjik në formën më të qartë dhe mënyrën më të përmbledhur, ku thotë: "A mos vallë, ata janë krijuar nga hiçi apo mos janë ata krijues të vetvetes?! A mos vallë ata kanë krijuar qiejt dhe Tokën?! Nuk është kështu, por ata nuk janë aspak të bindur." (Et Tur, 35-36)
Në lidhje me këtë, e pyetën dikë: Si e njohe Zotin tënd? Ai tha: “Bajga dëshmon për devenë, ndërsa gjurmët dëshmojnë për kalimtarin; atëherë, Qielli me yje, Toka me rrugë të gjera dhe detet me dallgë madhështore, vallë, a nuk dëshmojnë për të Urtin e Gjithëdijshëm?!”
E këto krijesa duhet të kenë me patjetër një kujdestar që kujdeset për mbarëvajtjen e tyre. Ngase kur vështrojmë universin, shohim në të një mbarëvajtje të përkryer; çdo gjë gjendet në vendin përkatës dhe çdo krijesë është orientuar tek ato gjëra që i nevojiten dhe i garantojnë ekzistencën.
Dhe kjo përsosmëri gjendet në mënyrë të ripërsëritur në të gjitha krijesat në forma dhe mënyra të panumërta, gjë që e bën të pamundur teorinë e rastësisë dhe kaosit!
Allahu i Lartësuar ka tërhequr vëmendjen për këtë dhe ka thënë: "E tillë është fuqia e Allahut, i Cili ka përsosur çdo gjë." (En Neml, 88)
Gjithashtu ka thënë: "(Musai) tha: “Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar”." (Taha, 50)
Tregohet se një grup ateistësh u takuan me Ebu Hanifen, Allahu e mëshiroftë, dhe i thanë: “Cili është argumenti për ekzistencën e Krijuesit?” Ai u tha: “Më lini, sepse mendjen e kam të preokupuar me një çështje të çuditshme.” Ata e pyetën: “E çfarë është ajo?” Ai u përgjigj: “Më ka arritur lajmi se në lumin Dixhle gjendet një anije e madhe, e mbushur me lloje të ndryshme mallrash të çuditshme, e cila shkon e vjen pa e lëvizur askush dhe pa ndonjë kapiten që e drejton!”
Ata i thanë: “Ti paske lajthitur!” Ai tha: “E përse vallë?” Ata thanë: “A mund ta besojë këtë një njeri i mençur?” Ai u tha: “E si e besuan mendjet tuaja që kjo botë; me gjithçka që përmban në të prej qenieve, specieve dhe zhvillimeve të çuditshme, si dhe kjo orbitë rrotulluese e lëvizëse dhe zhvillimet e ndryshme që ndodhin në këtë gjithësi, të ndodhin dhe të lëvizin pa asnjë shkak?” Pasi i dëgjuan këto fjalë, ata nisën të qortojnë veten e tyre.
Argumentet që dëshmojnë për ekzistencën e Zotit të Lartësuar janë të panumërta, ndër të cilat janë: 1) natyrshmëria, e cila është një prirje instinktive, të cilën njeriu e gjen në veten e tij dhe nuk mund ta ndalojë;
2) dëshmia e çdo krijese për Krijuesin e Lartësuar;
3) argumenti i përkujdesit, i perfeksionimit dhe i kontrollimit, si dhe argumente të tjera që nuk mund të numërohen e as të llogariten; pra, çdo gjë dëshmon për Allahun e Lartësuar, Krijuesin Madhështor, Planifikuesin dhe të Urtin.
***
Pyetja:
Cili është argumenti për obligueshmërinë e njësimit të Allahut të Madhëruar?
Përgjigjja:
Argumenti për obligueshmërinë e njësimit të Allahut të Lartësuar në çështjen e perëndishmërisë së Tij dhe se Ai është Krijuesi, Sunduesi, Planifikuesi, i Vetmi pa asnjë ortak
është Fjala e Allahut të Lartësuar: "Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë fëmijë dhe nuk ka qenë asnjë zot tjetër bashkë me Të, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngrinin krye ndaj njëri-tjetrit. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!" (El Muminun, 91)
Ky ajet përmban atë që dijetarët e quajnë "Argumenti i të pamundurës". Që do të thotë se, nëse do të supozonim se ka zota të tjerë krahas Allahut, atëherë ata:
Ata (zotat e supozuar) ose do t'ia njohin vetëm Atij hyjnitetin, ose do të hyjnë në rivalitet me Të. Supozimi i parë asgjëson hyjnitetin e tyre, ngase ai që nënshtrohet është rob e jo hyjni. Ndërkaq, nëse ato do t'i shpallnin rivalitet Atij në sundimin dhe pushtetin e Tij, atëherë shenjat e këtij rivaliteti do të shfaqeshin në këtë gjithësi përmes përplasjes mes zotave dhe përvetësimit të secilit prej tyre të asaj që ka krijuar, ashtu që secili prej tyre do të veçohej me krijimtarinë e vet dhe do të ushtronte absolutizmin e vet mbi të. Rrjedhimisht, do ta shihnit sundimin e secilit prej tyre të ndarë e të veçuar nga sundimi i të tjerëve, dhe ata do të mposhtnin njëri-tjetrin, pikërisht ashtu siç e shihni gjendjen e mbretërve të kësaj bote, mbretëritë e të cilëve janë të ndara dhe ata gjenden vazhdimisht në rivalitet e përplasje për ta mposhtur njëri-tjetrin. E, pra, përderisa nuk shihni kurrfarë shenje të ndarjes së sundimeve dhe të përplasjes mes zotave, atëherë dijeni se Ai është një Zot i Vetëm, në Dorën e të Cilit është sundimi i çdo gjëje.
E sikur dikush të thoshte: "Nëse mes zotave do të arrihej një lloj pajtimi, ashtu që secili zot të mbante veçmas atë që ai ka krijuar pa pasur përçarje apo rivalitet, edhe kjo, po ashtu, do të ishte argumenti më i madh për kotësinë e hyjnitetit të tyre. Ngase hyjniteti i secilit do të ishte i mangët në raport me ato krijesa që ai nuk i ka krijuar. E, pra, kjo shpie në një mangësi tek secili prej zotave, gjë e cila nënkupton të pamundurën; sepse hyjniteti kërkon përsosmëri e jo mangësi.
Ndërsa argumenti për obligueshmërinë e njësimit të Allahut të Lartësuar në hyjnitetin e Tij, i cili nënkupton njësimin e Tij në adhurim, pra që të veçohet Allahu i Madhërishëm me të gjitha llojet e adhurimit, të dukshme dhe të fshehta, si: namazi, lutja, përulësia, mbështetja, nënshtrimi, frika dhe shpresa, therja dhe zotimi, kërkimi i ndihmës, kërkimi i mbrojtjes, kërkimi i shpëtimit dhe lloje të tjera të adhurimit, të cilat i kushtohen vetëm Allahut, pa i shoqëruar asnjë ortak
është Fjala e Allahut të Lartësuar: "O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)!" (El Bekare, 21)
Pra, Zoti i gjithësisë është Ai që meriton të adhurohet, ndërsa çdo gjë tjetër përveç Tij është krijesë e nënshtruar që nuk e meriton adhurimin.
Allahu i Lartësuar e ka hedhur poshtë përvetësimin e zotave përveç Allahut nga ana e idhujtarëve, me argumente të shumta logjike, si:
Se këta zota që ata i kanë zgjedhur për t'i adhuruar nuk kanë asnjë veçori prej veçorive të hyjnitetit; ata janë të krijuar e nuk krijojnë, nuk u sjellin dobi adhuruesve të tyre dhe as nuk i ruajnë nga dëmet, nuk zotërojnë për ta as jetë e as vdekje, nuk zotërojnë asgjë në qiej dhe në tokë.
Po ashtu Fjala e Allahut të Lartësuar: "E megjithatë ata adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekje, as jetë e as që të ringjallin!" (El Furkan, 3)
Po ashtu: "A mos vallë ata i atribuojnë Atij si ortakë idhuj që nuk mund të krijojnë asgjë, ndërkohë që vetë janë të krijuar?!" (El Araf, 191)
Domethënë, këta idhujtarë i atribuojnë Allahut ortakë në adhurim krijesat e Tij, të cilat nuk mund të krijojnë asgjë, por vetë janë të krijuara!
E kur kjo është gjendja e këtyre zotave, atëherë konsiderimi i tyre zota është marrëzia më e madhe dhe absurditeti më i madh.
Ndërsa argumenti për obligueshmërinë e njësimit të Allahut të Lartësuar në emrat dhe cilësitë e Tij, është të dimë se Krijuesi është i ndryshëm nga krijesat.
Allahu i Lartësuar thotë: "Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha." (Esh Shura, 11)
"Asgjë nuk i shëmbëllen Atij." Domethënë, Atij nuk i ngjan asgjë nga krijesat e Tij, as në veten e Tij, as në emrat, as në cilësitë dhe as në veprimet e Tij, sepse të gjithë emrat e Tij janë të bukur, cilësitë e Tij janë absolute dhe madhështore dhe përmes veprimeve tëTij, Ai solli në ekzistencë krijesat madhështore, pa asnjë ortak. Kështu që, asgjë nuk është si Ai, ngase Ai është unik dhe i pashoq në absolutësi, nga çdo aspekt.
Pjesë e argumentit logjik në pohimin e emrave dhe cilësive të Allahut, për të cilat ka dëshmuar Sheriati, është se:
1. Këto krijesa të madhërishme, me gjithë diversitetin dhe shumëllojshmërinë e tyre, me rregullsinë në përmbushjen e intresave të tyre dhe rrugëtimin sipas planeve të përcaktuara për to, dëshmojnë për madhështinë dhe fuqinë e Allahut, për dijen dhe urtësinë e Tij, si dhe për vullnetin dhe dëshirën e Tij.
2. Dhurimi i të mirave dhe bamirësia, largimi i dëmit dhe lehtësimi i brengave; këto gjëra tregojnë për mëshirën, fisnikërinë dhe bujarinë e Tij.
3. Dënimi dhe hakmarrja ndaj mëkatarëve dëshmojnë për zemërimin e Allahut ndaj tyre dhe urrejtjen e Tij për ta.
4. Nderimi i të bindurve dhe shpërblimi i tyre dëshmojnë për kënaqësinë e Allahut ndaj tyre dhe dashurinë e Tij për ta.
Allahu i Lartësuar thotë: "Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti." [Er-Rrum, 27] Domethënë, Atij i takon përshkrimi më i lartë në çdo gjë që Ai përshkruhet dhe asgjë nuk është e ngjashme me Të. Është e pamundur që dy veta të jenë ortakë në shembullin më të lartë; sepse, nëse ata të dy janë të barabartë, asnjëri nuk do të ishte më i lartë se tjetri, e nëse nuk janë të barabartë, atëherë shembulli më i lartë i përket vetëm njërit prej tyre. Prandaj, është e pamundur që Ai, të Cilit i takon shembulli më i lartë, të ketë të ngjashëm apo të njëjtë.
***
Pyetja:
Përse na krijoi Allahu? Cili është qëllimi i ekzistencës sonë?
Përgjigjja:
Urtësinë e krijimit tonë dhe qëllimin e sjelljes sonë në ekzistencë na e ka treguar i Gjithëdijshmi, i Gjithënjohuri, kur thotë në Librin e Tij Famëlartë: "Xhindët dhe njerëzit i kam krijuar vetëm që të Më adhurojnë." (Edh Dharijat, 56)
Ky pra është qëllimi për të cilin Allahu i krijoi xhindët dhe njerëzit dhe dërgoi të gjithë të dërguarit që të ftojnë njerëzit drejt tij; adhurimi i Allahut të Madhëruar, i cili ngërthen në vete njohjen dhe dashurinë për Të, kthimin me pendim tek Ai dhe përkushtimin ndaj Tij, si dhe mosinteresimin për dikë tjetër përveç Tij.
Kush devijon nga ky qëllim, meriton ndëshkimin e Allahut, ndërsa kush bindet, meriton lumturinë e përhershme. Allahu i Lartësuar thotë: "Çdo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (En Nahl, 97)
***
Pyetja:
Përse u krijua e keqja?
Përgjigjja:
Nuk bën të shtrohet pyetja se përse Allahu e krijoi të keqen apo t'i bëhet vërejtje Atij; sepse Allahu i Lartësuar është Krijuesi dhe Ai nuk pyetet për atë që vepron, por është Ai që merr në pyetje krijesat. Ai ka thënë: "Ai nuk pyetet për atë që bën, kurse ata do të pyeten!" (El Enbija, 23)
Ndërsa disa nga urtësitë e ekzistencës dhe krijimit të së mirës dhe të së keqes janë si më poshtë:
- Sprovimi dhe testimi i njeriut me anë të së mirës dhe së keqes, nga ku dallohet i duruari dhe besimtari nga të tjerët. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh." (El Mulk, 2)
Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ne ju vëmë në provë me të keqe dhe me të mirë dhe te Ne do të ktheheni." (El Enbija, 35)
Allahu i solli robërit e Tij në këtë botë, i ngarkoi me urdhëresa e ndalesa, i sprovoi me të mirat dhe të këqijat, me pasurinë dhe varfërinë, me nderin dhe poshtërimin, si dhe me jetën dhe vdekjen, si një sprovë nga Ai, për t'i vënë në provë se cili prej tyre bën vepra më të mira, si dhe se kush prej tyre bie pre e tundimeve kur përballet me to dhe kush shpëton prej tyre: "Te Ne do të ktheheni!" Kështu që, Ne ju shpërblejmë sipas veprave tuaja: nëse keni bërë mirë, atëherë do të shpërbleheni me të mira, e nëse keni bërë keq, atëherë do të shpërbleheni me të këqija. "Zoti yt nuk u bën padrejtësi robërve të Tij." (Fussilet 46)
- Realizimi i dualitetit të ekzistencës; e mira nuk njihet ndryshe veçse me njohjen e të keqes, ngase gjërat dallohen përmes të kundërtave të tyre. E keqja është e domosdoshme për ekzistencën e të mirës, pasi e mira është një përpjekje kundër së keqes. E mira dhe e keqja, si dhe luhatja e njeriut ndërmjet tyre, janë pjesë e natyrës së kësaj jete.
- E keqja është çështje relative; diçka që disa mund ta shohin si të keqe, të tjerët mund ta shohin si të mirë. Kështu, prerja e dorës së hajdutit, për shembull, është e keqe për të, por ajo është e mirë për shoqërinë, sepse shërben si parandalim për njerëzit nga abuzimi me pasurinë e njëri-tjetrit.
- Realizimi i kuptimit të vërtetë të provës së drejtë për njeriun; pasi Allahu i Lartësuar ia ka bërë të qartë njeriut rrugën e së mirës dhe të keqes, dhe i ka dhënë lirinë e zgjedhjes midis tyre.
Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy. Edhe një gjuhë e dy buzë. Dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?" (El Beled, 8-10) Domethënë, a nuk i kemi dhënë Ne atij dy sy, me të cilët sheh, dhe një gjuhë e dy buzë, me të cilat flet, dhe i kemi sqaruar atij rrugën e së mirës dhe të së keqes?
- Shumë nga të këqijat që shohim nuk janë të këqija absolute nga çdo këndvështrim, por kanë në vete aspekte mirësie. E, sa shumë mirësi të mëdha fshihen brenda asaj që ne e shohim si të keqe! Njeriu mund të sprovohet me një sëmundje, e cila bëhet shkak për ta larguar atë nga një e keqe edhe më e madhe. Mund të humbasë një marrëveshje financiare, të cilën nëse do ta fitonte, ndoshta do ta shtynte të shkelte kufijtë dhe do të bëhej arrogant. Njeriut mund t'i vdesë një fëmijë, i cili nëse do të jetonte, ndoshta do të kthehej në një shkatërrim për të. Gjithashtu, njeriu mund ta meritojë Zjarrin me veprat e tij, e kjo është katastrofa e vërtetë, por Allahu e sprovon atë me ndonjë fatkeqësi, ai bën durim përballë saj, dhe për durimin e tij Allahu e shpërblen me Xhenet, e kjo është mirësia e vërtetë dhe e përhershme.
Pra, Allahu i Lartësuar nuk krijon të keqe absolute dhe e keqja nuk i atribuohet Atij, ashtu siç thotë Pejgamberi (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) në hadithin e saktë: "Dhe e keqja nuk të atribuohet Ty." (Shënon Muslimi nr. 771)
- Prej urtësive të ekzistencës së të mirës dhe të keqes është dhe dalja në pah e fuqisë së Zotit të Madhërishëm për krijimin e gjërave të kundërta, si dhe dalja në pah e pasojave të atributeve të Tij të pushtetit, që do të thotë se Allahu i Lartësuar nxjerr në pah pasojat e atributeve dhe veprave të Tij, siç është të qenit e Tij Mposhtës, Ndëshkues, i Drejtë, e kështu me radhë. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu është Ai, që ka krijuar shtatë qiej dhe po aq toka. Urdhrat e Tij zbresin ndërmjet tyre, që ju ta dini se Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë dhe se Ai përfshin gjithçka në diturinë e Tij!" (Et Talak, 12)
Ndërkaq, të këqijat nuk janë të synuara në thelb dhe as nuk janë qëllimi për të cilin u krijuan krijesat; ato janë thjesht efekte të përcaktuara për një çështje të dëshiruar dhe janë një mjet për realizimin e saj. E kur të realizohet ajo për të cilën ato janë përcaktuar, ato treten e zhduken, dhe çështja kthehet tek e mira e e pastër.
Askush nuk mund ta kuptojë urtësinë e ekzistencës së të keqes përpara se të bindet se kjo botë është vend i përkohshëm, se ajo është vend i testimit, i sprovave dhe i mangësive, dhe se ai që pret të shohë përsosmëri absolute në të, bie në kundërshtim me urtësinë hyjnore, e cila parashikon që bota tjetër të jetë vendi i përsosmërisë.
Allahu i Lartësuar thotë duke cituar fjalët e njeriut besimtar: "O populli im, në të vërtetë, jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi e përkohshme, ndërsa jeta tjetër është vendbanimi i përhershëm!" (Gafir, 39)
***
Pyetja:
Cili është ilaçi (kurimi) ndaj cytjeve dhe ngacmimeve në çështjet e teuhidit dhe besimit?
Përgjigjja:
Kurimi dhe trajtimi i cytjeve arrihet përmes metodave të mëposhtme:
- Mbrojtja e vetes me dituri, sepse padituria është një nga shtigjet që përdoret nga ana e shejtanëve të xhindëve dhe njerëzve, për të hyrë te njeriu.
- Përmendja e Allahut (dhikri) dhe kërkimi i mbrojtjes prej shejtanit të mallkuar.
- Mospërfillja ndaj cytjeve dhe ngacmimeve dhe ndërprerja e tyre.
- Konsultimi me njerëzit e ditur, Allahu i Lartësuar thotë: "Pyetni dijetarët e Librit, nëse nuk dini!" (En Nahl, 43)
***
KAPITULLI I PEJGAMBERLLËKUT
Pyetja:
Kush është Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)?
Përgjigjja:
Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) është: Muhamedi i biri i Abdullahut i biri i Abdulmutalibit. Ai ishte nga fisi i Kurjshëve dhe rridhte nga pasardhësit e Ismailit, të birit të Ibrahimit (paqja qoftë mbi ta!). Ai është vula e profetëve, zotëria i bijve të Ademit, dhe ai është ndërmjetësuesi të cilit do t'i pranohet ndërmjetësimi në Ditën e Gjykimit. Ai ka thënë: “Me të vërtetë, nuk ka pasur asnjë profet që të mos ketë pasur një lutje të cilën e ka shfrytëzuar në këtë botë, ndërsa unë e kam ruajtur lutjen time si ndërmjetësim për umetin tim. Unë do të jem zotëria i bijve të Ademit Ditën e Gjykimit, dhe nuk e them për mburrje. Unë jam i pari, i cili do të dalë nga toka dhe nuk e them për mburrje. Në dorën time do të jetë Flamuri i Lavdisë, dhe nuk e them për mburrje. Ademi dhe kushdo tjetër pos tij do të jenë nën flamurin tim, dhe nuk e them për mburrje!” Musnedi i Ahmedit, botimi Er-Risale (2546), dhe Suneni i Tirmidhiut (3148). I dërguari Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është më i madhi i të dërguarve. Allahu u pati marrë besën të gjithë profetëve (paqja qoftë mbi ta!) që ta pasojnë atë kur të dërgohet. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: "Kujto kur Allahu mori besën nga profetët (dhe u tha): 'Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?' Ata u përgjigjën: 'E pranojmë!' (Allahu) u tha: 'Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar!'" [Ali Imran: 81]
Ibën Kethiri, -Allahu e mëshiroftë!-, thotë: "I Lartësuari na njofton se ka marrë besën nga çdo profet që Ai ka dërguar, që nga Ademi (paqja qoftë mbi të) deri tek Isai (paqja qoftë mbi të), që: çfarëdo që Allahu t’i japë ndonjërit prej tyre prej Librit dhe urtësisë, e sado lart të arrijë, kur t’i vijë një i Dërguar pas tij, pa dyshim që duhet ta besojë dhe ta ndihmojë atë. Dituria dhe profecia që ai zotëron nuk duhet ta pengojnë atë që ta ndjekë e ta ndihmojë atë që dërgohet pas tij... Aliu dhe Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), kanë thënë: 'Allahu nuk ka dërguar asnjë profet prej profetëve pa marrë besën nga ai, që, nëse dërgohet Muhamedi ndërkohë që ai është gjallë, pa dyshim që duhet ta besojë dhe ta ndihmojë atë. Gjithashtu, e ka urdhëruar atë që të marrë besën nga pasuesit e tij, që, nëse dërgohet Muhamedi ndërkohë që ata janë gjallë, pa dyshim që duhet ta besojnë dhe ta ndihmojnë atë!'" Shih; Tefsir Ibn Kethir, 2/67.
I dërguari i Allahut, Muhamedi, (paqja qoftë mbi të), erdhi për t’i vërtetuar librat dhe shpalljet e mëparshme, dhe thirri për të besuar në të dërguarit e mëparshëm (paqja qoftë mbi ta), duke qenë në përputhje me atë që ata sollën. Allahu i Madhëruar thotë: "Ne ta zbritëm ty (o Muhamed) shpalljen, ashtu siç ia zbritëm Nuhut dhe profetëve pas tij; siç ia zbritëm edhe Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe bijve të tij, Isait, Ejubit, Junusit, Harunit, Sulejmanit dhe Davudit, të cilit i dhamë Zeburin!" (En Nisa, 163) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai ka ligjësuar për ju atë Fe, me të cilën pati porositur Nuhun dhe të cilën ta shpallëm ty (o Muhamed) dhe me të cilën patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke u thënë: 'Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!' Por për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim!" [Esh Shura: 13]
Allahu i Lartësuar i mëshiroi krijesat me dërgimin e tij si profet. Ai lindi në Mekë dhe nga aty u dërgua si profet për të gjithë xhindët dhe njerëzit. Në kohën e dërgimit si profet ishte në moshën dyzetvjeçare. Më pas, ai u shpërngul në Medinë dhe aty ndërroi jetë në moshën gjashtëdhjetëetrevjeçare.
Dhe kujtdo që i arrin mesazhi i Pejgamberit Muhamed, nuk ka rrugë për në Xhenet për të, përveçse përmes besimit në të dhe pasimit të tij. Ai ka thënë: "Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se nuk ka njeri nga ky umet, qoftë hebre, apo i krishterë, që dëgjon për mua, e pastaj vdes pa besuar shpalljen me të cilën jam dërguar, vetëm se do të jetë banor i Zjarrit!" (Shënon Muslimi , nr. 153) Allahu i Lartësuar thotë: "Nûn. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë. Se ti (o Muhamed), falë mirësisë së Zotit tënd, nuk je i marrë. Por, ty të pret një shpërblim i pamasë. Dhe ti ke një moral të lartë." (El Kalem, 1-4)
Abdullah ibën Selami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Kur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) erdhi në Medinë, njerëzit nxituan drejt tij dhe thoshin: 'I Dërguari i Allahut ka ardhur!' Vajta bashkë me njerëzit për ta parë dhe, kur vështrova fytyrën e të Dërguarit të Allahut, e kuptova se fytyra e tij nuk ishte fytyrë gënjeshtari!'" [Hadithin e shënojnë Tirmidhiu (2485) dhe Ibn Maxhe (1334)] Ky hadith është i saktë. Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
Shih: "El-fusul fī sireti'r-resul" të Ibn Kethirit dhe "Er-rahiku'l-mahtum" të el-Mubarekfurit.
***
Pyetja:
Si u bë Muhamedi (paqja qoftë mbi të) profet i dërguar nga Allahu?
Përgjigjja:
Muhamedi i biri i Abdullahut birit të Abdulmutalibit (paqja qoftë mbi të!) është vula e profetëve dhe të dërguarve. Lajmi mbi pejgamberllëkun e tij gjendet në librat e ithtarëve të Librit, në Kuranin Fisnik, në Sunetin profetik, si dhe në librat e dijetarëve të Islamit që i janë kushtuar traditës dhe jetëshkrimit të tij të ndritur (paqja qoftë mbi të!). Për askënd nuk është e paqartë se si ai u bë profet, e meqë u parashtrua pyetja, ne po japim përgjigjen duke u mbështetur në ndihmën e Allahut:
Së pari, profeti dhe miku i ngushtë i Allahut, Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!) kur ndërtoi Shtëpinë e Lashtë (Qabenë) në Mekë me urdhër të Allahut, dhe vendosi bashkëshorten e tij, Haxheren dhe djalin e saj, Ismailin (paqja qoftë mbi ta!), në Mekën e Nderuar; iu lut Allahut që të dërgonte mes pasardhësve të Ismailit një profet nga mesi i tyre. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: "Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë e t’i pastrojë! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!" (El Bekare, 129) Kësisoj, Allahu iu përgjigj lutjes së mikut të Tij (paqja qoftë mbi të!) dhe e dërgoi Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) si profet dhe të dërguar.
Së dyti, Allahu i ka njoftuar profetët e mëparshëm (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), se do të dërgojë të dërguarin e Tij besnik dhe vulën e të dërguarve, dhe ka marrë besën prej tyre që t'i besojnë atij dhe ta ndjekin, nëse ai dërgohet gjatë jetës së tyre. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: "Kujto kur Allahu mori besën nga profetët (dhe u tha): 'Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?' Ata u përgjigjën: 'E pranojmë!'. (Allahu) u tha: 'Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar!'" [Ali Imran: 81]
Së treti, pasi që shpallja e Musait dhe Isait (paqja qoftë mbi ta!) ishte më e afërta prej shpalljeve hyjnore në distancë kohore me shpalljen e profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi ta), tekstet që flisnin për të kanë qenë të shumta në librat e tyre dhe në mbarë librat e tjerë të profetëve të bijve të Izraelit. Këto tekste përmbanin përshkrime për të, për vendin e tij, për hixhretin (shpërnguljen në Medine), për ritet e fesë së tij dhe për shokët e tij, si dhe për fitoren e rimëkëmbjen që Allahu do t'u mundësonte atyre, si dhe detaje të tjera që gjendeshin në librat e tyre. Po ashtu, ato përmbanin sihariqe për ardhjen e tij, për përgatitjen e zemrave për ta pritur atë, si dhe urdhrin për ta besuar e për ta ndjekur atë. Dijetarët e bijve të Izraelit i njihnin mirë këto tekste. Përshkrimi i tij (paqja qoftë mbi të!) dhe përshkrimi i shokëve të tij ishin ngulitur thellë në mendjet e dijetarëve të bijve të Izraelit, si dhe te dijetarët e murgjit e të krishterëve. Ngjarjet rreth kësaj çështjeje janë të shumta dhe me to janë mbushur librat e historisë, por për ne mjafton Fjala e të Lartësuarit: "Ata që u kemi dhënë Librin, e njohin atë (Profetin Muhamed), ashtu siç i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur atë mirë!" [El Bekare: 146] Madje, edhe shenja fizike që gjendej në trupin e tij fisnik ishte e shënuar në librat e tyre, dhe ajo gjendet deri më sot në librat e tyre. Përshkrimi i kësaj shenje shënohet në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit, ku Saib ibën Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Pastaj qëndrova mbrapa shpinës së tij dhe e pashë vulën e profetësisë në mes të supeve, e cila ishte si veza e pëllumbit." (E shënon Buhariu, numër 190)
Abdullah ibën Selami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Kur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) erdhi në Medinë, njerëzit vërshuan drejt tij. Ata thoshin: 'I Dërguari i Allahut ka ardhur!' Vajta bashkë me njerëzit për ta parë dhe kur e vështrova fytyrën e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të), e kuptova se fytyra e tij nuk ishte fytyrë gënjeshtari!'" [E shënojnë Tirmidhiu (2485) dhe Ibn Maxhe (1334)] Mirëpo, meqenëse të gjithë profetët pas Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!) ishin prej pasardhësve të Israilit (Jakubit, -paqja qoftë mbi të!-), hebrenjtë menduan se edhe vula e profetëve do të ishte po ashtu prej tyre. Por, kur Allahu e dërgoi atë prej bijve të Ismailit, birit të Ibrahimit (paqja qoftë mbi ta!) e ky ishte Muhamedi, i biri i Abdullahut, dhe kur panë se tek ai përputheshin plotësisht cilësitë që gjendeshin në librat e tyre, ata krijuan zili ndaj tij dhe e mohuan. Kësisoj, atë e besuan vetëm pak prej tyre, pavarësisht se shumë prej tyre dëshmonin për profecinë e tij.
Së pesti, pasi Allahu e ngarkoi me detyrën e profetësisë, e përkrahu atë me mrekulli dhe shenja të qarta. Disa nga këto shenja ishin qiellore, si çarja e hënës, Israja dhe Miraxhi, dhe disa ishin tokësore, si shumimi i ushqimit dhe i pijes, rënkimi i trungut të plamës nga malli për të, e të tjera të shumta. Allahu i dha atij mrekullinë më të madhe që mbetet deri në Ditën e Fundit, që është Kurani i Madhërishëm. Gjithashtu, e përkrahu me shokë të ndershëm (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), të cilët qenë bartësit më të mirë të kësaj feje, dhe e përhapën atë në të gjitha anët e botës. Pra, shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe përhapja e fesë së tij janë provë e qartë e vërtetësisë së profetësisë së tij.
Këto shenja, të cilat Allahu ia dha atij, nuk i janë dhënë asnjërit prej profetëve (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) të mbledhura së bashku.
Së gjashti, profetësia e profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) është vërtetuar në të njëjtën mënyrë siç është vërtetuar profetësia e Ibrahimit, Musait, Isait dhe e mbarë profetëve të tjerë (paqja qoftë mbi ta!); me anë të shpalljes nga Allahu i Plotfuqishëm mbi ta. Nuk ka asnjë rrugë nëpërmjet së cilës konfirmohet profetësia e ndonjërit prej profetëve, e që me po atë rrugë të mos konfirmohet edhe profetësia e profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Rrugët e vërtetimit të profetësisë për profetët e mëparshëm përbëheshin nga: Libri, provat (mrekullitë), pasuesit besimtarë dhe transmetimi i mesazhit në rrugët më autentike. Me të gjitha këto rrugë është vërtetuar edhe profetësia e profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Libri i tij është libri më madhështor që Allahu ia ka dhënë ndonjë profeti, mrekullitë e tij janë mrekullitë më madhështore, shokët e tij (sahabët) janë shokët më të mirë që mund të ketë pasur ndonjë profet, e po ashtu, rruga nëpërmjet së cilës është përcjellur profetësia e tij (paqja qoftë mbi të!) gëzon shkallën e autenticitetit dhe të besueshmërisë më të lartë me të cilën janë transmetuar profetësitë. Për ta vërtetuar këtë, mjafton fakti se ata që morën pjesë bashkë me të në Haxhin e Lamtumirës ishin më shumë se njëqind mijë besimtarë, Allahu qoftë i kënaqur me ta!
Nga sa u tha më lart, bëhet e qartë se si u vërtetua profecia e tij, dhe se si feja e tij ka vazhduar të qëndrojë e përhapur gjatë gjithë këtyre shekujve. Kjo është një dëshmi tjetër për profecinë e tij dhe do të mbetet kështu deri në Ditën e Kiametit, me lejen e Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin tonë, Muhamedin!
***
Pyetja:
Çfarë ka thënë Profeti i Zotit, Isai për profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të dy!)?
Përgjigjja:
Shumica e profetëve të mëparshëm i përgëzuan popujt e tyre me ardhjen e profetit të fundit, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!), dhe u morën besën atyre se do ta besojnë e do ta ndjekin atë, nëse Allahu e dërgonte ndërkohë që ata ishin gjallë. Tekstet rreth kësaj teme janë aq të shumta, saqë nuk mund të numërohen. Meqenëse shpalljet e Musait e të Isait (paqja qoftë mbi ta!) ishin më të afërta në kohë me shpalljen e profetit tonë, Muhamedit, për këtë arsye tekstet në të dy librat e tyre lidhur me ardhjen e tij qenë të shumta, po ashtu edhe në librat e tjerë të profetëve të bijve të Israilit ka pasur tekste që flisnin për të. Këto tekste përfshinin cilësitë e tij, përshkrimin e vendlindjes, vendit të mërgimit (Medinen), ritet e fesë, cilësitë e shokëve të tij, si dhe fitoren e sundimin që Allahu do t'u mundësonte atyre etj. Ato përmbanin gjithashtu sihariqin dhe përgëzimin për ardhjen e tij, përgatitjen e shpirtrave për pritjen e tij, si dhe urdhrin për ta besuar e ndjekur atë. Dijetarët e bijve të Israilit i njihnin mirë këto tekste. Cilësitë e tij (paqja qoftë mbi të!) dhe e shokëve të tij ishin ngulitur thellë në mendjet e dijetarëve të bijve të Israilit, si dhe te klerikët dhe murgjit e të krishterëve. Mirëpo, ata e shtrembëruan pjesën më të madhe të tyre, megjithëse mbijetuan shumë dëshmi, qoftë në Besëlidhjen e Vjetër, e cila përbëhet nga shkrimet e profetëve të hebrenjve, apo në Besëlidhjen e Re, e cila është një përmbledhje e asaj që shkruan klerikët e të krishterëve, të cilët konsiderojnë se e kanë përcjellë nga bashkëkohësit e Mesihut (paqja qoftë mbi të!). Prej këtyre teksteve janë edhe këto në vijim:
Së pari: Përgëzimi për këtë Profet të madh i erdhi Musait (paqja qoftë mbi të!) siç thuhet në Librin e Ligjit të Përtërirë: "Unë do të ngre për ta një profet nga mesi i vëllezërve të tyre, i cili do të jetë i ngjashëm me ty, dhe do të vë fjalët e Mia në gojën e tij, dhe ai do t'ua thotë atyre të gjitha ato që Unë e urdhëroj. Dhe do të ndodhë që, njeriut i cili nuk i dëgjon fjalët e Mia, të cilat ai i flet në Emrin Tim, Unë do t përndjek." Ligji i Përtërirë 18: 18-19.
Vëllezërit e bijve të Israilit janë bijtë e Ismailit, dhe nga bijtë e Ismailit nuk doli asnjë i dërguar tjetër përveç Muhamedit, të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!). Në këtë tekst, Musai (paqja qoftë mbi të!) përmend kërcënimin e Allahut për atë që nuk i dëgjon fjalët e të dërguarit Muhamed, ku thuhet: (Unë do ta përndjek), e atë që Allahu e përndjek, e kap.
Gjithashtu, Musai (paqja qoftë mbi të!) tha se profeti i fundit do të dalë nga vargmalet e Faranit që ndodhen në Mekën e Bekuar. Ndërkohë asnjë profet nuk ka dalë nga Meka e Bekuar pas Ismailit, përveç Muhamedit, të dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi ta!), siç thuhet në Librin e Ligjit të Përtërirë: "Zoti erdhi nga mali i Sinait, u ndriçoi atyre nga mali i Seirit dhe shkëlqeu nga mali i Faranit". Ligji i Përtërirë 33:2.
Së dyti: Lajmin e gëzueshëm për të e dha edhe Davudi (paqja qoftë mbi të!), kur tha: "Guri që e refuzuan ta vendosin muratorët, tashmë është bërë kreu i qoshes. Kjo gjë u bë nga ana e Allahut dhe ai është i mahnitshëm për sytë tanë!" (Psalmet 118: 22). Kuptimi i këtij përgëzimi është se profecia, të cilën bijtë e Izraelit nuk pranonin që të ishte në radhët e pasardhësve të Ismailit (arabët), u kthye në profecinë më të madhe duke u bërë përmbyllësja e shpalljeve për njerëzimin nëpërmjet të dërguarit më të madh. Arsyeja e krahasimit me ndërtesën ishte sepse çdo profet plotësonte atë që kishte nisur profeti para tij, derisa u plotësua dërgimi i profetëve dhe mbeti vetëm Profeti i fundit Muhamedi (paqja qoftë mbi të!). Kur ndërtesa i ishte afruar kompletimit të saj dhe prej saj nuk kishte mbetur gjë tjetër veçse një tullë e vetme, Allahu dërgoi të Dërguarin dhe të dashurin e Tij të ngushtë, Muhamedin; kështu, me të u plotësua feja, u përmbush mirësia, u vulosën profetësitë dhe u përfundua ndërtesa. Pra, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) ishte vula e profetëve dhe të dërguarve (paqja dhe bekimet qofshin mbi ta!), dhe pikërisht ai është personi për të cilin u soll shembulli i gurit të përmendur në këtë lajm përgëzues.
Së treti: Mesihu (Isai, paqja qoftë mbi të!) ka thënë në Ungjillin sipas Mateut: "Prandaj po ju them se Mbretëria e Allahut do t'ju hiqet dhe do t'i jepet një populli që jep frytet e saj". (Ungjilli sipas Mateut, 21:42). Mendo thellë rreth këtij lajmi të mrekullueshëm që e përmban ky përgëzim: Mesihu (paqja qoftë mbi të!) i njoftoi bijtë e Israilit se profetësia do të kalonte nga ata te bijtë e Ismailit (paqja qoftë mbi të!); e i vetmi profet që e dërgoi Allahu nga radhët e pasardhësve të Ismailit është vula e profetëve, i dërguari i fundit Muhamedi (paqja qoftë mbi të!).
Po ashtu, Mesihu (Isai, paqja qoftë mbi të!) ka thënë, sipas librit të Gjonit: "Kur të vijë Ngushëlluesi, të cilin unë do t'jua dërgoj nga Ati, Shpirti i së vërtetës, që del nga Ati, ai do të dëshmojë për mua. Dhe ju gjithashtu do të dëshmoni, sepse jeni me mua që nga fillimi". (Gjoni 15: 26-27.)
Pra, kush dëshmoi për profecinë e Mesiut dhe e mbrojti atë nga ajo që hebrenjtë shpifën për të dhe për nënën e tij përveç Muhamedit, të dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi ta!)? Mesihu ka thënë: "Kam edhe shumë gjëra për t'ju thënë, por tani nuk mund t'i përballoni. Por, kur të vijë ai, Shpirti i së Vërtetës, ai do t'ju udhëzojë drejt gjithë të vërtetës, sepse ai nuk do të flasë nga vetja e tij, por do të flasë gjithçka që dëgjon dhe do t'ju njoftojë për gjërat që do të vijnë. Ai do të më lavdërojë mua, sepse do të marrë nga e imja dhe do t'jua kumtojë juve!" (Gjoni 16: 12 – 14.)
Allahu e ka regjistruar njohjen e ithtarëve të Librit për të, dhe se ata e njohin atë (Profetin a.s.), ashtu siç i njohin bijtë e tyre. Lidhur me këtë, Ai thotë: "Ata që u kemi dhënë Librin, e njohin atë (Muhamedin), ashtu siç i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur mirë!" [El Bekare: 146]
Ashtu siç e ka regjistruar Kurani për të krishterët se Mesihu (Isai, paqja qoftë mbi të!), ashtu siç i njoftoi ata për cilësitë dhe misionin e Muhamedit – si në tekstet e mëparshme –, ai gjithashtu e ka theksuar edhe emrin e tij. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë: "Kujto kur Isai, i biri i Merjemes, tha: 'O bijtë e Israilit, unë jam i dërguari i Allahut tek ju, për t’ju vërtetuar Teuratin e shpallur para meje dhe për t’ju sjellë lajmin e gëzueshëm për një të dërguar, emri i të cilit është Ahmed, që do të vijë pas meje'. Por, kur ai u solli atyre shenja të qarta, ata thanë: 'Kjo është magji e hapur!'" [Es Saff: 6]
Për më shumë tekste të këtyre përgëzimeve të bukura, lexuesi mund t'u referohet librave në vijim:
"Feja dhe shteti në raport me vërtetimin e profetësisë së pejgamberit tonë Muhamedit (paqja qoftë mbi të!)" shkruar nga Ali Bin Raban El-Taberi. "Dhuratë për të zgjuarin në kundërpërgjigje ndaj adhuruesve të kryqit", shkruar nga Abdullah Et-Terxhuman, emri i të cilit para se të kalonte në Islam ishte Anselm Turmeda.
"Muhamedi në Teurat, Inxhil dhe Kuran", vepër e Ibrahim Halil Ahmedit, emri i të cilit, para se të bëhej musliman, ishte Abraham Philips.
"Muhamedi në Bibël", nga Abdul Ehad Davud.
Autorët e këtyre veprave ishin të krishterë e më pas përqafuan Islamin, lavdi Allahut.
Nuk është e çuditshme që njeriu të pyesë se çfarë ka thënë Mesihu për profetin tonë, Muhamedin (paqja qoftë mbi ta!), por e çuditshme është që njeriu ta dijë se të dërguarit dhe profetët erdhën nga Allahu për një qëllim të vetëm, i cili është adhurimi i Allahut pa i shoqëruar asnjë ortak, pa asnjë rival tjetër krahas Tij, dhe se të gjithë ata predikuan besimin në Allahun, në ringjalljen, në llogarinë dhe në shpërblimin pas vdekjes, e megjithatë të mos besojë në atë që ata sollën. Kjo, pasha Allahun, është humbja më e qartë dhe shkatërrimi më i pashmangshëm. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin tonë, Muhamedin.
Shih gjithashtu librin: "Dashuria ime e madhe për Mesihun (Isain) më udhëhoqi drejt Islamit", fq. 169, dhe librin "Përgëzimi i Mesihut (Isait)", vepër e Muhamed Bin Abdullah Es-Suhajm.
***
Pyetja:
A u dërgua Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) me ndonjë lloj mrekullie?
Përgjigjja:
Me termin "mrekulli" nënkuptohet një dukuri e jashtëzakonshme, të cilën Allahu e shfaq përmes një profeti, si argument mbështetës në thirrjen e popullit drejt besimit. Si mrekullia e Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!) kur e hodhën në zjarr e ai u bë i freskët dhe shpëtim për të; apo mrekullitë e Musait (paqja qoftë mbi të!) si: shkopi, dora dhe përmbytja; apo mrekullia e Isait (paqja qoftë mbi të!), i cili shëronte verbërinë e lebrën dhe ngjallte të vdekurit me lejen e Allahut. Ka pasur dhe raste kur Allahu nuk e ka pajisur me mrekulli ndonjërin nga profetët, kjo sepse vetë gjendja e profetit, qëndrueshmëria e tij dhe shpallja hyjnore e cila i vjen, janë të mjaftueshme si dëshmi se ai është profet nga Allahu. Ngase, njerëzit e dallojnë të sinqertin nga gënjeshtari; ndaj dhe, kur Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) mbërriti në Medinë, Abdullah bin Selami tha: "Njerëzit vërshuan drejt tij dhe unë isha njëri prej tyre, e kur e vështrova fytyrën e tij, e kuptova se fytyra e tij nuk ishte fytyrë gënjeshtari. Gjëja e parë që e dëgjova të thoshte ishte: 'Përhapeni selamin (përshëndetjen islame mes jush), ushqeni të tjerët, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni në Xhenet në paqe!'" [Musnedi i Ahmedit (23784), Tirmidhiu (2485) dhe Ibn Maxhe (1334)].
Allahu i përkrahu pejgamberët dhe të dërguarit e Tij (paqja qoftë mbi ta!) me shenja të qarta dhe prova bindëse. Këto shenja ishin të ndryshme dhe të larmishme, por Allahu i bëri mrekullitë e çdo pejgamberi të mjaftueshme, për t'i bërë njerëzit të besojnë në to, dhe përmes tyre, të bëhet e qartë prova kundër tyre; në mënyrë që ata ta dinë se ai është pejgamber i dërguar nga Allahu. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Çdo pejgamberi i janë dhënë mrekulli të denja për t'u besuar nga njerëzit. Ndërkohë, ajo që mu dha mua është shpallje (Kurani), të cilën ma ka shpallur Allahu. Andaj, shpresoj të jem pejgamberi me më shumë pasues në Ditën e Gjykimit." [Transmetuan Buhariu nr. 7274 dhe Muslimi nr. 239].
Vërtet, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) është dërguar me mrekulli të shumta. Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Në lidhje me këtë, dijetarët kanë mbledhur më shumë se një mijë mrekulli. Mrekullia më madhështore dhe më e madhe ndër to është Kurani fisnik, të cilit nuk mund t'i qaset e kota nga asnjë aspekt, dhe që është shpallje nga i Urti dhe i Lavdishmi. Mrekullia e tij qëndron si në aspektin e fjalëve, ashtu edhe të kuptimeve të tij. Sa u përket fjalëve të tij, ato përbëjnë majën më të lartë të elokuencës së ligjërimit, dhe cilido që thellon njohuritë e tij në këtë fushë, i shtohet edhe madhërimi për Kuranin në këtë aspekt. Ai i ka sfiduar oratorët dhe elokuentët e kohës së tij, pavarësisht armiqësisë së tyre të ashpër ndaj tij dhe zellit të tyre për ta përgënjeshtruar atë, që të sjellin një libër të njëjtë si ai, ose dhjetë sure të ngjashme me suret e tij, apo qoftë edhe një sure të vetme, por ata nuk qenë të aftë ta bëjnë një gjë të tillë. Ai i lajmëroi ata se nuk do të mund ta bënin kurrë një gjë të tillë. Madje, ai i ka sfiduar mbarë njerëzit dhe xhindët që të sjellin një libër të njëjtë si ai, por ata nuk qenë të aftë ta bëjnë një gjë të tillë, dhe madje i njoftoi për këtë fakt. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund ta sillnin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri - tjetrin!" [El Isra: 88] Si dhe aspekte të tjera si këto që pohojnë mrekullinë e tij. Ndërsa, për sa i përket kuptimit të tij, ai është në kulmin e harmonisë dhe urtësisë, të mëshirës dhe dobisë, të përfundimit të lavdërueshëm dhe përputhshmërisë, si dhe të arritjes së qëllimeve më të larta dhe eliminimit të të këqijave; e të tjera si këto, që i bëhen të qarta kujtdo që ka mendje e logjikë të shëndoshë, të pastër nga dyshimet dhe egoja. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej dyshimeve dhe egos dhe i lutemi Atij për udhëzim.
Pjesë e kësaj është dhe fakti se ai u rrit në mesin e një populli që ia njihte prejardhjen, edukimin, si dhe të hyrat e të dalat e tij. U rrit jetim në mesin e tyre, por shquhej për besnikëri, ndershmëri, shpirtmirësi e pjekuri. Të gjithë e dinin këtë gjë, e cila nuk mohohet nga askush, përveç atij që tregohet kryeneç, sofist dhe mendjemadh. Ai ishte i pashkolluar, nuk dinte të shkruante, nuk e praktikonte shkrimin dhe as nuk kishte të bënte me njerëzit e shkrimit. Në vendet e tyre nuk kishte asgjë nga dijet e popujve të lashtë, madje s'kishte asnjë njeri që dinte qoftë edhe diçka prej tyre. Mirëpo, kur mbushi moshën dyzetvjeçare, ai doli para tyre dhe nisi t'i njoftonte me hollësi e qartësi për të kaluarën; një fakt për të cilin dëshmonin edhe dijetarët e librave të mëparshëm, të cilët i njihnin mirë librat dhe ishin të drejtë. Po ashtu, këtu bëjnë pjesë edhe paralajmërimet që ai (paqja qoftë mbi të!) i solli përmes këtij Kurani, por edhe nëpërmjet haditheve të sakta, në lidhje me të fshehtat e së ardhmes, të cilat dolën në përputhje të plotë me paralajmërimet e tij; argumente këto, shtjellimi i të cilave do të na merrte shumë kohë. Pjesë e kësaj janë edhe gjërat e jashtëzakonshme që Allahu i Lartësuar i shfaqi nëpërmjet tij, si: çarja e Hënës për të cilën Allahu i Plotfuqishëm ka lajmëruar në Librin e Tij Fisnik, e cila ndodhi një natë kur idhujtarët i kërkuan Profetit tonë një mrekulli, e ai drejtoi dorën nga Hëna, e cila u nda në dy pjesë. Ata pyetën banorët e fiseve përreth tyre me qëllim që të siguroheshin që ai të mos u kishte bërë magji, por ata i njoftuan se kishin parë të njëjtën. Ky lajm është i transmetuar masivisht (në formën e mutevatirit) tek dijetarët e hadithit dhe është transmetuar nga një numër i Sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata! Ndër këto mrekulli është edhe bereqeti apo begatia që u shfaq përmes lutjes së tij, si në rastin kur ai iu lut Allahut të Lartësuar për qengjin që Ibn Mesudi e kishte me vete në kullotë; ai përmendi emrin e Allahut, e moli atë, dhe prej tij doli qumësht me bollëk nga i cili piu vetë Profeti dhe i dha të pinte edhe Ebu Bekrit. Të njëjtën gjë bëri edhe me delen e Ummu Ma'bedit. Në një rast tjetër, bëri lutje për Tufejl ibn Amrin, dhe si mrekulli, në majë të kamxhikut të tij u shfaq një dritë vezulluese që shihej nga larg. Të njëjtën gjë bëri dhe me Usejd ibn Hudejrin dhe Abad ibn Bishr el-Ensariun, kur dolën prej shtëpisë apo xhamisë së Profetit (paqja qoftë mbi të!) në një natë të errët. Ai iu lut Allahut kundër atyre shtatë personave që u tallën me të ndërsa ai po falej, e si pasojë ata u vranë në betejën e Bedrit. U lut kundër djalit të Ebu Lehebit që Allahu t'i lëshonte një egërsirë dhe ta mbyste, e kështu Allahu, në përputhje me lutjen e tij, i lëshoi atij një bishë të egër kur ai ishte për tregti në Sham. U lut kundër Surakës dhe këmbët e kalit të tij u fundosën në tokë; pastaj u lut që të lirohej dhe ai u lirua. Në betejën e Bedrit hodhi drejt jomuslimanëve kurejshë një grusht me gurë të vegjël, të cilët ranë mbi secilin prej tyre dhe Allahu i Madhëruar i shpartalloi. Të njëjtën gjë e bëri edhe në ditën e Hunejnit. Ditën e Bedrit, ai i dha Ukashe ibn Mihsanit një copë druri, e cila në dorën e tij u shndërrua në një shpatë të mprehtë. E njoftoi xhaxhain e tij, Abasin – kur ky ishte rob lufte – për pasurinë që ai kishte fshehur bashkë me Ummu Fadlin nën pragun e derës së tyre, dhe ai e pranoi këtë. Gjithashtu njoftoi Umejr ibn Uehbin për qëllimin e tij të vërtetë, se kishte ardhur për ta vrarë atë, ndonëse ky u justifikua se kishte ardhur vetëm për shpërblesën e robërve të Bedrit. Umejri e pohoi këtë të vërtetë dhe pranoi Islamin në çast, Allahu qoftë i kënaqur me të! Në ditën e Uhudit, ia ktheu në vend syrin Katade ibn Numan edh-Dhaferiut, pasi i kishte dalë nga vendi – e sipas një versioni tjetër, pasi i kishte rënë në dorë – dhe ai u bë më i mirë se tjetri, aq sa as që dallohej nga tjetri. Ditën e Hendekut, në shtëpinë e Xhabirit, ushqeu një turmë të madhe njerëzish, numri i të cilëve i afrohej një mijë vetëve, vetëm me një kec dhe pak elb. Ashtu siç ushqeu shumë njerëz po atë ditë edhe me një sasi fare të vogël hurmash, të cilat i solli vajza e Beshirit. Po ashtu, ushqeu rreth tetëdhjetë vetë me një sasi aq të paktë ushqimi saqë gati mbulohej nga dora e tij e nderuar. Të njëjtën gjë e bëri edhe në ditën e dasmës së tij me Zejneb bint Xhahshin. Ndërsa dita e Tebukut ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Ai ushqeu ushtrinë dhe ata mbushën çdo enë që kishin me vete nga një sasi ushqimi vetëm sa madhësia e një dhie. Ai i dha Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) një trastë (me ushqim), prej së cilës ai hëngri gjatë gjithë jetës së tij dhe furnizoi me të shumë luftëtarë në rrugë të Allahut. Ajo vazhdoi të kishte ushqim deri në ditët e vrasjes së Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ai (paqja qoftë mbi të!) iu lut Allahut të Lartësuar kur vendin e goditi thatësira, dhe nuk zbriti nga minberi derisa uji i shiut rrodhi mbi mjekrën e tij nga çatia e xhamisë. E para se të lutej, në qiell nuk shihej asnjë copëz reje, madje as sa pëllëmba e dorës. Më pas, kur ai u lut që moti të kthjellohej me kërkesën e popullit, retë u larguan përreth Medinës, derisa ato qëndruan në formën e kurorës mbi Medinen e Ndritur. Ai (paqja qoftë mbi të!) bëri lutje kundër kurejshëve, dhe ata i goditi një situatë e vështirë që nuk mund të përshkruhet, derisa shkuan dhe i kërkuan mëshirë. Kështu, ai pati dhembshuri për ta dhe u lut që kjo situatë të largohej prej tyre. Njëherë i sollën një enë me ujë për të marrë abdes ai dhe njerëzit që ishin me të. Ena ishte aq e vogël saqë nuk e zuri dorën e tij, andaj ai futi gishtat e tij në të dhe uji nisi të buronte nga gishtat e tij. Po kështu veproi edhe në ditën e Hudejbijes, kur ushtria përbëhej nga njëmijë e katërqind veta. Xhabiri tregon: "Edhe sikur të ishim njëqind mijë veta, do të na mjaftonte!" Po ashtu veproi në një prej udhëtimeve të tij me një pikë ujë në një kacek. Transmetuesi thotë: Kur më urdhëroi ta zbrazja atë në enë, pata frikë se do ta thithte lëkura e thatë e kacekut. Ai e futi dorën në enë dhe iu lut Allahut të Lartësuar, uji buroi nga gishtat e tij dhe shokët e tij morën abdes dhe pinë ujë. Po ashtu, ai dërgoi dikë me shigjetën e tij te burimi i Hudejbijes; kur e vendosi në të, nisi të nxirrte ujë derisa u mjaftoi të gjithëve. Mendojmë se këto që përmendëm janë të mjaftueshme, me lejen e Allahut të Madhëruar.
Një prej dëshmive më të mëdha që dëshmon për profetësinë e tij është fakti se mesazhi i tij ka mbetur sikur të ishte shpallur sot, pa pësuar ndryshime a shtrembërime, sikurse edhe feja e tij, e cila vazhdon të zbatohet ashtu siç ia kumtoi ai popullit të tij, pa iu ndryshuar asgjë. Kështu, namazin të cilin e ka falur Profeti (paqja qoftë mbi të!) si dhe zekatin, agjërimin, haxhin dhe të gjitha ritet e tjera islame, muslimanët i zbatojnë ashtu siç i ka kryer ai (paqja qoftë mbi të!). Ithtarët e tij vazhdojnë ta ruajnë fenë e tyre dhe në të çdo ditë vazhdojnë të hyjnë turma njerëzish nga çdo racë e gjuhë dhe ajo sa vjen e konsolidohet dhe përhapet më shumë, e kushdo që e studion atë, do të bindet për vërtetësinë, mirësinë dhe përkryeshmërinë e saj në aspektin e besimit, moralit, marrëdhëniet midis njerëzve dhe ligjet.
E gjithë kjo bie në kundërshtim me paralajmërimin e Mesihut (paqja qoftë mbi të!) kur tha, siç thuhet në Ungjillin e Mateut: "Kini kujdes nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju me rroba qengjash, porse përbrenda janë ujqër grabitqarë. Nga frutat e tyre do t'i njihni. A vilet rrush nga ferrat, apo fiq nga gjembaçët? Kështu, çdo pemë e mirë jep fruta të mira, ndërsa pema e keqe jep fruta të këqija. Nuk mundet pema e mirë të japë fruta të këqija, e as pema e keqe të japë fruta të mira. Çdo pemë që nuk jep frut të mirë, pritet dhe hidhet në Zjarr. Prandaj, nga frutat e tyre do t'i njihni." (Mateu: 7: 15-20).
Pasha Allahun, kjo është një nga dëshmitë, argumentet dhe mrekullitë më të mëdha që dëshmojnë për vërtetësinë e profecisë, përsosmërinë e mesazhit dhe vazhdimësinë e fesë së tij deri në Ditën e Kiametit. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin.
Shih: "El Fusul fis-Sire", fq. 228-236.
***
Pyetja:
A është e vërtetë se profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është profeti dhe i dërguari i fundit? Nëse kjo është e vërtetë, cila është arsyeja për këtë? A nuk mendoni se njerëzimi ka nevojë për më shumë profetë në ditët e sotme?
Përgjigjja:
Profeti Muhamed është vula e profetëve (paqja qoftë mbi ta!), e meqenëse feja me të cilën ai u dërgua është më e përkryera e feve, prej veçorive të saj është se ajo është e vlefshme dhe e përshtatshme për çdo kohë e vend. Dhe dijetarët e devotshëm e përhapin atë te njerëzit dhe ua sqarojnë atë atyre.
Përmes kësaj pyetje, pyetësi duket sikur po i thotë Allahut, Zotit të botëve: "Unë jam më i dijshëm se Ti; përse nuk i zbrite shpalljet hyjnore në mënyrë të njëpasnjëshme?" E ndërkohë Allahu e di më mirë se kujt ia zbret mesazhin e Vet. Allahu i Lartësuar thotë: "Kur atyre u vjen ndonjë mrekulli, thonë: 'Ne nuk do të besojmë derisa të mos na jepet diçka, si ajo që u është dhënë të dërguarve të Allahut!' Allahu e di më mirë se kujt ia zbret mesazhin e Vet!" [El En’am: 124]
Allahu i Lartësuar na ka njoftuar se Ai i bëri mesazhet e mëparshme hyjnore, sikurse mesazhi i Ibrahimit, Musait dhe Isait (paqja qoftë mbi ta!) mesazhe të veçanta vetëm për popujt e tyre, dhe u caktoi atyre një afat, me mbarimin e të cilit ato përfundonin. Allahu nuk e mori përsipër ruajtjen e tyre, por ruajtjen e tyre ua besoi njerëzve, ndaj ata i neglizhuan. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata ishin dëshmitarë..." [El Maide: 44]
Allahu i ka njoftuar të dërguarit e Tij se mesazhet hyjnore do të përfundojnë me ardhjen e mesazhit të profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Allahu bëri që mesazhet hyjnore të plotësojnë njëri-tjetrin, e që i mëvonshmi të kompletojë të mëparshmin; prandaj Profeti Davud (paqja qoftë mbi të!) tha: "Guri që e refuzuan ndërtuesit është bërë tashmë guri i qoshes. Nga Zoti u bë kjo, dhe kjo është e mahnitshme në sytë tanë!" (Psalmet: 118: 22). Kuptimi i këtij lajmi përgëzues është se shpalljet hyjnore janë shumë të ngjashme me ndërtesën dhe se çdo profet e plotëson atë që e ka nisur profeti i mëparshëm. Derisa, kur u plotësua dërgimi i profetëve dhe nuk mbeti kush tjetër veç profetit të fundit, e ndërtesa ishte pranë kompletimit dhe prej saj nuk kishte mbetur tjetër veçse një tullë e vetme, kësisoj Allahu dërgoi të Dërguarin dhe mikun e Tij të ngushtë, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) dhe me të u përkrye feja, u përsos mirësia, u vulosën profetësitë dhe u kompletua ndërtesa. Pra, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ishte vula e profetëve dhe e të dërguarve, dhe pikërisht për të është sjellë shembulli me gurin e përmendur në fjalët e Davudit (paqja qoftë mbi të!).
Ky lajm është cekur edhe në Ungjijtë, aty ceket lajmi i gëzueshëm për profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!), vulën e profetëve. Mesihu (Isai, paqja qoftë mbi të!) ka sqaruar se me dërgimin e profetit të fundit, Muhamedit, kompletohen mesazhet hyjnore, plotësohet feja dhe përmbushet mirësia. Për këtë arsye, ai ka thënë ashtu siç e përcjell Mateu: "Jezusi u tha atyre: 'A thua vallë hiç nuk e keni lexuar në Libra: Gurin që e refuzuan ta vendosin muratorët, tashmë është bërë kreu i qoshes? Nga ana e Zotit ishte kjo dhe është e mahnitshme për sytë tanë!'" (Mateu: 21:42). Ky lajm është cekur gjithashtu dhe në Letrën e Parë të Pjetrit 2:7.
I dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) e ka sqaruar se si e kompletoi atë që e kishin nisur profetët para tij dhe se si vepra e tij ishte plotësuese e veprës së tyre. Për këtë ai ka thënë: "Shembulli im në krahasim me atë të profetëve të mëparshëm është sikur rasti i një njeriu që e ndërton një shtëpi të bukur dhe të pashme, mirëpo lë pa vendosur një tullë në një qoshe. Njerëzit erdhën ta sodisin dhe ata u mahnitën nga bukuria e saj dhe thanë: 'Sikur të vendosej edhe kjo tullë!' E, pra, tulla jam unë, e unë jam vula e profetëve." [Sahihu i Buhariut (3535) dhe teksti është i tij, dhe Sahihu i Muslimit (2286)].
Kështu pra, feja u plotësua dhe mirësia hyjnore u përsos me dërgimin e Profetit tonë Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) dhe Allahu tha: "Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj!" [El Maide: 3]
Lidhur me profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!) Allahu ka caktuar që ai të jetë i dërguari i Tij për gjithë njerëzimin. Ai thotë: "Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk dinë." (Sebe, 28) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed): 'O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju...'" (El Araf, 158) Për këtë arsye, Zoti vendosi që mesazhi i Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) të qëndrojë deri në Ditën e Kiametit, dhe caktoi masa universale dhe legjislative të tilla që e ruajnë atë dhe e bëjnë të mbijetojë deri në Ditën e Kiametit. Pjesë e kësaj është fakti se ata që i besuan të Dërguarit (paqja qoftë mbi të!) gjatë jetës së tij, që u takuan me të, mësuan nga ai dhe e transmetuan mesazhin e tij, numëronin më shumë se njëqind mijë vetë. Ishin pikërisht këta që e morën këtë mesazh nga ai dhe ia përcollën atyre që erdhën pas tyre, ndërkohë që numri i dishepujve të cilët ishin me Isain (paqja qoftë mbi të!) nuk ishte më shumë se shtatëdhjetë veta, sikurse edhe Musait (paqja qoftë mbi të!) nuk i besuan përveçse pak vetë.
Mesazhi final i Muhamedit u transmetua ndër breza me shkallën më të lartë të autenticitetit, qoftë në çështjet që lidhet me besimin, adhurimet, marrëdhëniet shoqërore, moralin dhe etikën. Për këtë arsye, njeriu sot vëren se ritet fetare me të cilat muslimanët adhurojnë sot Zotin, janë po ato që i praktikonin shokët e të Dërguarit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Po ashtu, shpallja me të cilën erdhi i Dërguari (paqja qoftë mbi të!) qoftë Kurani i madhërishëm apo Suneti profetik, është e ruajtur në sajë të mbrojtjes së Allahut dhe prej saj nuk ka humbur asnjë shkronjë e vetme.
E meqenëse çështja është kështu, dhe mesazhi hyjnor vazhdon të mbetet i ruajtur, i përshtatshëm për çdo epokë e kohë, dhe për çdo mjedis dhe mund të zbatohet në çdo rrethanë, andaj njerëzit në ditët e sotme kanë nevojë t'i përmbahen fesë së tij (paqja qoftë mbi të!) dhe të veprojnë sipas sunetit të tij, e kjo u mjafton atyre. Edhe sikur të vinte një profet tjetër, ai do të ishte prej umetit të tij (paqja qoftë mbi të!) dhe do të vepronte sipas legjislacionit të tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Kujto kur Allahu mori besën nga profetët (dhe u tha): 'Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe detyrën që po ju ngarkoj?' Ata u përgjigjën: 'E pranojmë!'. (Allahu) u tha: 'Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar!'" [Ali Imran: 81] Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
A është e vërtetë se muslimanët e adhurojnë Profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!)?
Përgjigjja:
Kjo nuk është e vërtetë, muslimanët adhurojnë vetëm Allahun, i Cili është i vetëm dhe nuk ka ortak, dhe kush adhuron tjetërkënd bashkë me Allahun ose adhuron dikë tjetër përveç Allahut, ai është jobesimtar dhe nuk është musliman. Muslimanët thonë në namazin e tyre: "Dëshmoj se nuk ka të adhuruar tjetër veç Allahut dhe se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij".
Po ashtu, Libri që solli Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është i mbushur me argumente logjike që dëshmojnë për kotësinë e idhujtarisë dhe pavlefshmërinë e veprave të idhujtarit, si për shembull Fjala e të Lartësuarit: "Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar Allahu, Zoti i Fronit mbi çka ia veshin Atij!" (El Enbija, 22)
Pra, muslimanët e pasojnë Pejgamberin (paqja qoftë mbi të!) e nuk e adhurojnë atë. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "O Allah, mos ma bëj varrin idhull! Allahu i mallkoftë ata njerëz që i shndërrojnë varret e profetëve të tyre në faltore!" (Transmetoi Ahmedi (7358), dhe ky është hadith hasen (i mirë)).
Profeti (paqja qoftë mbi të!) e ka paralajmëruar umetin e tij nga ekzagjerimi dhe tejkalimi i caqeve në raport me të dhe ka thënë: "Mos e teproni duke më lavdëruar, ashtu siç e kanë tepruar të krishterët me (Isain) të birin e Merjemes. Vërtet unë jam vetëm rob i Tij, andaj thoni (për mua): ‘Rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij!" [E shënon Buhariu, numër 3445].
Profeti (paqja qoftë mbi të!) ia sqaroi bijës së tij (Allahu qoftë i kënaqur me të!), e cila ishte njeriu i tij më i afërt me të, si dhe të tjerëve nga të afërmit e tij, se ai nuk mund t'u bëjë asnjë dobi tek Allahu në Ditën e Kiametit. Andaj ai u tha atyre kur i zbriti ajeti i mëposhtëm: "Paralajmëroje farefisin tënd më të afërm!" (Esh Shuara, 214) "O bashkësi e Kurejshëve, lirojeni veten tuaj tek Allahu, unë nuk kam kurrfarë mundësie t'ju bëj dobi para Allahut. O bijtë e Abdulmutalibit, unë nuk kam kurrfarë mundësie t'ju bëj dobi para Allahut. O Abbas i biri i Abdulmutalibit, unë nuk kam kurrfarë mundësie të të bëj dobi para Allahut. O Safije, halla e të Dërguarit të Allahut, unë nuk kam kurrfarë mundësie të të bëj dobi para Allahut. O Fatime, bija e të Dërguarit të Allahut, më kërko çfarë të duash (nga të mirat e kësaj bote), unë nuk kam kurrfarë mundësie të të bëj dobi para Allahut!" [Transmetuan Buhariu nr. 2753 dhe Muslimi nr. 351].
Sikur Profeti (paqja qoftë mbi të!) të donte prej tyre që ta adhuronin, nuk do t'u sqaronte atyre se ai nuk mund t'u bëjë dobi. Lidhur me këtë, Allahu i ka shpallur atij në Kuranin Madhështor, të cilin e lexojnë muslimanët: "Me të vërtetë, të është shpallur ty (o Muhamed), si dhe atyre që kanë qenë para teje: 'Nëse i shoqëron Allahut diçka tjetër (në adhurim), me siguri që punët e tua do të zhvlerësohen dhe do të jesh ndër të humburit!'" [Ez Zumer: 65] Si mund të mendohet, pas gjithë kësaj, se muslimanët e adhurojnë Pejgamberin e tyre? Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
KAPITULLI I ÇËSHTJEVE QË LIDHEN ME JOMUSLIMANËT, POLITEIZMIN DHE ADHURIMIN
Pyetja:
Përse njeriu duhet ta adhurojë Allahun e Lartësuar?
Përgjigjja:
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e madhe dhe kërkon shtjellim dhe shpjegim të gjerë, por ne do ta përmbledhim atë sa të jetë e mundur, dhe duke u mbështetur në ndihmën e Allahut themi:
Fetaria është një domosdoshmëri njerëzore, në kuptimin që qenia njerëzore e kërkon atë dhe shpirti e dëshiron, kurse logjika e imponon dhe nuk pranon që njeriu të jetojë pa fe. Për këtë arsye, shohim se si të gjitha kombet praktikojnë forma të adhurimit. Fakti që ato ushtrojnë forma të adhurimit, nuk do të thotë se adhurimi i tyre është i saktë, por kjo dëshmon se adhurimi është një çështje e natyrshme dhe e domosdoshme.
Allahu i Lartmadhëruar ka emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta. Ai është Zoti, Furnizuesi, Përkujdesësi, Sunduesi, Jetëdhënësi dhe Jetëmarrësi. Ai është Ai që na i ka dhururar të gjitha të mirat, qofshin të mira që i dimë apo të mira që nuk i dimë. Përderisa është kështu, dhe përderisa njeriu e ka të domosdoshëm adhurimin, atëherë ai duhet të adhurojë atë që e meriton adhurimin, e Ai është Allahu i Lartësuar. Allahu thotë: "O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat). I Cili e ka bërë për ju tokën shtrojë dhe qiellin ndërtesë dhe i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun!" (El Bekare, 21-22)
Njeriu ka nevojë për udhëzim në të gjitha çështjet e tij dhe duke qenë se udhëzuesi është vetëm Allahu atëherë, nëse ai nuk e adhuron Atë, si mund t'i kërkojë Atij udhëzim? Ndërsa muslimani në çdo namaz që fal, thotë ashtu siç ka thënë i Lartësuari: "Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë. Udhëzona në rrugën e drejtë! Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!" (El Fatiha: 5-7) Dhe nëse Allahu nuk e udhëzon, punët e tij vështirësohen.
Njeriu, për nga natyra e tij, synon të ketë një jetë të këndshme dhe të lumtur, por jeta e këndshme nuk u mundësohet veçse besimtarëve. I Lartësuari thotë: "Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të këndshme dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (Nahl: 97) Jeta e këndshme është ajo në të cilën njeriut i realizohen qetësia, kënaqësia dhe paqja.
Fatkeqësitë dhe sprovat janë pjesë e natyrës së kësaj jete, kurse besimi dhe adhurimi i Allahut i japin besimtarit – me lejen e Allahut – ekuilibër gjatë sprovës, në mënyrë që të mos e humbasë ekuilibrin kur ndodh fatkeqësia, sepse besimi i fal njeriut stabilitet dhe durim. Allahu i Madhëruar thotë: "S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!" (El Hadid, 22) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë." [Et Tegabun: 11]
Njeriu ka nevojë të fitojë kënaqësinë e Zotit dhe Krijuesit të tij në këtë jetë dhe në botën tjetër, ndërkaq kënaqësinë e Zotit nuk mund ta arrijë veçse ai që beson në Të dhe e adhuron ashtu siç Ai ka urdhëruar. Allahu i Madhëruar thotë: "Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, pikërisht ata janë krijesat më të mira. Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet." [El Bejineh: 7-8]
Besimi në Allahun dhe adhurimi i Tij e pajisin njeriun me një kriter përmes të cilit ai dallon të vërtetën nga e kota dhe udhëzimin nga devijimi. Dhe njeriu në të gjitha gjendjet e tij ka nevojë për këtë kriter, në mënyrë që të mos i japë diçkaje më shumë rëndësi sesa meriton, ose të madhërojë atë që nuk e meriton madhërimin, ose të tregohet neglizhent ndaj asaj që meriton nderim dhe respektim.
Njeriu ka një afat të caktuar dhe një ditë patjetër do të përballet me vdekjen. Atij do t'i vijë çasti i vdekjes, dhe vdekja në vetvete është diçka e frikshme. Mirëpo, vdekja e besimtarit që adhuron Zotin e tij, dallon nga vdekja e jobesimtarit. Eja dhe medito rreth këtyre dy përfundimeve; përfundimit të besimtarit dhe të jobesimtarit. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet por ç’i duhet se u kujtua! Ai do të thotë: 'Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!' Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai, dhe askush nuk do të lidhë siç lidh Ai. O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi! Dhe hyr në Xhenetin Tim!" (El Fexhr: 23-30) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë, atyre që thonë: 'Zoti ynë është Allahu', e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: 'Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar!'" [Fussilet: 30] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Eh,sikur të shihje se si engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): 'Shijoni dënimin e zjarrit!'" [El Enfal: 50]
Allahu na ka njoftuar, dhe njoftimi i Tij është i vërtetë, na ka premtuar, dhe premtimi i Tij është i vërtetë; se Ai do t'i ringjallë ata që janë në varre, dhe për ta vërtetuar këtë Ai solli argumente të panumërta, të cilat janë të shtjelluara në Kuranin e madhërishëm. Për njeriun është e pashmangshme dita kur do të shpihet te Zoti i tij; ai që është besimtar do të jetë në lumturi të përhershme në Xhenetin e përjetësisë, ndërsa ai që është mëkatar do të jetë në dënim të përhershëm në Zjarrin e Xhehenemit.
***
Pyetja:
Përse Allahu dërgon profetë dhe nuk mjaftohet që njerëzit ta njohin Krijuesin e tyre me mendjen e tyre?
Përgjigjja:
Allahu i Lartësuar nuk i la njerëzit të jetojnë shkel e shko, por u dërgoi atyre profetë, si përgëzues dhe paralajmërues, për t'u qartësuar atyre rrugën e drejtë dhe për t'u shpjeguar në hollësi atë që mendja dhe natyrshmëria e perceptojnë vetëm në mënyrë të përgjithshme. Mendja e shëndoshë dhe natyrshmëria e pastër dëshmojnë për ekzistencën e Krijuesit dhe për domosdoshmërinë e adhurimit të Tij, mirëpo ato janë të paafta për të përcaktuar detajet e këtij adhurimi. Po ashtu, ato nuk munden të vetme të përcaktojnë se cilat fjalë dhe vepra i do dhe i pëlqen Allahu dhe cilat i urren dhe i ndalon.
Profetët janë ndërmjetësit mes Allahut dhe krijesave të Tij; ata përçojnë shpalljen përmes së cilës njerëzit njihen me cilësitë dhe emrat e Zotit të tyre, si dhe me të drejtat që u takojnë atyre. Ata vendosin metodologjinë e saktë që rregullon jetën e njerëzve lidhur me mënyrën e adhurimit, marrëdhëniet shoqërore dhe moralin që duhet të kenë. Allahu i Madhëruar thotë: "Ne çuam të dërguar si përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim para Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Njëmend Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm." (En Nisa, 165) Pra, argumenti i bëhet i qartë njerëzve me anë të shpalljes, kurse logjika e vetme nuk mjafton dhe nuk mund të zërë vendin e shpalljes hyjnore.
Gjithashtu, prej urtësisë së dërgimit të profetëve është se mendjet e njerëzve janë të ndryshme; atë që disa e konsiderojnë të bukur, të tjerët mund ta shohin si të shëmtuar. E sikur gjykimi t’i lihej vetëm mendjes, atëherë kriteret dhe standardet do të ndryshonin, qëllimi do të humbiste dhe njerëzit do të devijonin nga e vërteta. Nga këtu erdhi shpallja, për të qenë referencë e qëndrueshme që nuk ndryshon me ndryshimin e kohës dhe të vendit, për të saktësuar natyrshmërinë, për të edukuar mendjen dhe për t'i qartësuar asaj kufijtë e veprimit të saj.
Profetët nuk janë thjesht kumtues të urdhëresave dhe ndalesave, por ata janë shembuj praktikë që e mishërojnë fenë në jetën e tyre dhe u japin njerëzve shembullin më të lartë në bindje dhe adhurim. Allahu thotë: "Në të Dërguarin e Allahut keni një shembull të mrekullueshëm..." (El Ahzab 21) Pra, profeti nuk përcjell vetëm dijen, por i edukon shpirtrat dhe i udhëzon ata përmes veprës dhe fjalës njëkohësisht.
Sa i përket vërejtjes se përse Allahu nuk u mjaftua që ta bënte mendjen që ajo e vetme të ishte e mjaftueshme, përgjigjja e kësaj është se, sikur Allahu të vepronte kështu, njerëzit do të hutoheshin dhe do të lindnin mospajtime, dhe argumenti nuk do të ishte plotësisht i qartë kundra tyre. Po ashtu, mendja, si mjet perceptimi që është, mbetet e kufizuar brenda kufijve të shqisave dhe përvojës, dhe nuk mund të depërtojë në botën e të fshehtës. Prandaj, shpallja erdhi për ta plotësuar e udhëzuar mendjen dhe për ta nxjerrë njerëzimin nga errësira në dritë.
Prandaj, dërgimi i profetëve është një domosdoshmëri logjike dhe fetare që shërben për të përmbushur udhëzimin e njeriut, për të mbështetur natyrën e tij të pastër dhe për të orientuar arsyen. Arsyeja dëshmon për ekzistencën e Krijuesit, ndërsa profetët qartësojnë ligjet dhe kërkesat e Tij. E ai njeri tek i cili bashkohen drita e arsyes me dritën e shpalljes, padyshim që është udhëzuar në rrugën e drejtë.
***
Pyetja:
Pse adhurojmë një Zot që nuk e shohim?
Përgjigjja:
Disa njerëz mund të pyesin: Si ta adhurojmë një Zot të cilin shikimi ynë nuk e kap dot? A nuk është më e udhës që Ai të jetë i prekshëm dhe i dukshëm, në mënyrë që të besojmë në Të?
Së pari, mosshikimi i Allahut nuk e mohon ekzistencën e Tij.
Ekzistojnë shumë gjëra që nuk mund t'i shohim, e megjithatë jemi të bindur për ekzistencën e tyre përmes mendjes, shqisave dhe efekteve të tyre, si: ajri, elektriciteti dhe forca e gravitetit. Ne i shohim efektet e tyre, prandaj edhe bindemi për ekzistencën e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për Allahun e Lartësuar; ne i shohim gjurmët e krijimit, të fuqisë dhe të madhështisë së Tij në univers, kështu që ekzistenca e Tij është shumë më e qartë sesa të ketë nevojë të shihet me sy. Allahu i Madhëruar thotë: "Vallë, a mund të dyshohet në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës?!" (Ibrahim: 10)
Së dyti, Allahu është aq madhështor sa nuk mund të shihet nga sytë.
Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar është i përsosur dhe absolut, Atij nuk i ngjan asnjë prej krijesave dhe Ai nuk mund të përceptohet nga shqisat. Ndaj, pamundësia për ta parë Atë në këtë botë nuk vjen si pasojë e një mangësie në Të, por vjen si pasojë e madhështisë së Tij. Ai ka thënë: "Shikimet njerëzore nuk mund ta kapin Atë, ndërkohë që Ai i kap të gjitha shikimet. Ai është i Mirinformuari." (El Enam, 103) Sikur Ai të mund të shihej në këtë botë, atëherë do të ishte i kufizuar, mirëpo Ai është i pastër nga kufizueshmëria.
Së treti, urtësia e besimit në të fshehtën.
Besimi në të fshehtën është prej cilësive më të mëdha të njerëzve të devotshmëm. Allahu i Madhëruar thotë: "Të cilët besojnë në të fshehtën..." (El Bekare, 3) Besimi në të fshehtën kultivon në zemrën e njeriut sinqeritet dhe përkushtim. Përmes tij testohet sinqeriteti i njeriut; a e adhuron Allahun me bindje e nënshtrim pa e parë, apo nuk adhuron gjë tjetër përveç asaj që i kapin shqisat? Kjo bën pjesë në synimet e testimit në këtë botë.
Së katërti, Allahu u ka premtuar besimtarëve se do ta shohin Atë në botën tjetër.
Besimtarët janë të privuar nga shikimi i Allahut në këtë botë në formë testimi për ta, por begatia më e madhe në Xhenet është kur Allahu do t'i nderojë ata me shikimin e Fytyrës së Tij Fisnike. Në lidhje me këtë Allahu i Madhëruar thotë: "Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë. Dhe Zotin e tyre do të shohin." (El Kijame, 22-23)
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç e shihni hënën e plotë, pa asnjë vështirësi." (Buhariu, 529 dhe Muslimi, 211) Pra, privimi nga të pamurit në këtë jetë kompensohet me dhuratën më të madhe në jetën tjetër.
Andaj, adhurimi ynë ndaj Allahut, ndonëse nuk e shohim Atë në këtë botë, nuk është as diçka e çuditshme dhe as ndonjë mangësi; përkundrazi, kjo vjen si pasojë e madhështisë së Tij dhe është pjesë e provimit të besimit tonë në të fshehtën. Ekzistenca e Tij është e dëshmuar nga argumentet logjike, nga natyrshmëria, nga faktet universale dhe ato fetare. E sikur njerëzit ta shihnin Atë haptazi, sprova nuk do të kishte më kurrfarë kuptimi dhe besimi do të kthehej në diçka të imponuar, dhe nuk do të ishte zgjedhje e lirë. Kështu, urtësia e Allahut e ka kërkuar që besimi në këtë botë të jetë pa e parë Atë me sy, me qëllim që të dallohen ata që thonë të vërtetën nga gënjeshtarët, si dhe të sinqertët nga pretenduesit e rremë.
Shikimi i Allahut është begatia më e madhe që Allahu ka rezervuar për robërit e Tij në botën e përtejme. Besimi në Të në këtë botë, pa e parë, është dëshmi e sinqeritetit të robit, ndërsa shikimi i Fytyrës së Tij të Fisme në Ditën e Kiametit do të jetë shpërblimi i këtij sinqeriteti.
***
Pyetja:
Përse hyjnë jomuslimanët në Xhehenem, edhe kur janë të mirë?
Përgjigjja:
Shpesh mund të parashtrohet kjo pyetje: Si hyn në Zjarr ai që ka bërë një jetë të mirë, është sjellë me ndershmëri dhe mirësi, vetëm ngaqë nuk ishte musliman? A nuk është kjo padrejtësi?
E drejta më e madhe është e drejta e Allahut në raport me teuhidin (monoteizmin). Njeriu mund të sillet mirë me krijesat, por nëse mohon Krijuesin e tij, i Cili e ka begatuar me çdo gjë, ai ka mohuar të drejtën më të madhe. Pra, e drejta e Allahut është më e madhe se e drejta e robërve, e kjo e drejtë nënkupton që Ai të adhurohet i vetëm, pa asnjë ortak. Allahu i Madhëruar thotë: "Vërtet, Allahu nuk fal që të adhurohet dikush apo diçka tjetër veç Atij, por gjynahet e tjera më të vogla ia fal kujt të dojë!" (En Nisa, 48) Kushdo që mohon teuhidin (monoteizmin), nuk i pranohet asnjë vepër tjetër, çfarëdo qoftë ajo.
Allahu nuk pranon asnjë vepër, përveçse me dy kushte: të besohet në Të dhe adhurimi të jetë i sinqertë për Të. Pra, atij që i mungon besimi, nuk i pranohen veprat, edhe nëse tek ai njeri ka mirësi për njerëzit. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Ne do t’u qasemi veprave që kanë bërë ata dhe do t’i shndërrojmë në pluhur e hi." (El Furkan, 23)
Kushdo që bën një mirësi, duke qenë jomusliman, ndodh që Allahu ta shpërblejë në këtë botë: me qetësi shpirtërore, me reputacion të mirë, me pasuri ose me fëmijë. Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Vërtet, kur jobesimtari bën një vepër të mirë, në këmbim të saj i jepet një e mirë prej kësaj bote." (Muslimi nr. 2808) Ndërsa në botën tjetër, nuk i bën dobi asnjë vepër pa besim.
Allahu është i drejtë dhe nuk dënon askënd, përveçse pasi t'i ketë arritur argumenti dhe ai ta ketë refuzuar atë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!" (El Isra, 15) Kushdo që ka jetuar dhe nuk i ka arritur mesazhi i saktë, gjykimi i tij në Ditën e Gjykimit i takon Allahut; ky njeri do të sprovohet në një formë përmes së cilës do të dëshmohet drejtësia dhe mëshira e Allahut.
Mirësia ndaj njerëzve nuk i bën dobi atij që mohon Krijuesin e tij. Kjo i ngjan një punonjësi të sinqertë me kolegët e tij, por që mohon ekzistencën e drejtorit të kompanisë i cili e ka punësuar. Pra, problemi nuk qëndron te sjellja e tij me kolegët, por te mohimi që ai i bën atij të cilit i takon e drejta më e madhe.
Hyrja në Zjarr e atij që vdes në kufër (mosbesim) nuk është padrejtësi, por është drejtësi nga ana e Allahut, sepse mëkati më i madh është mohimi i teuhidit (monoteizmit). Megjithatë, Allahu nuk i bën padrejtësi askujt: ai të cilit i ka arritur e vërteta dhe ia ka kthyer shpinën, e meriton dënimin, e atij që nuk i ka arritur argumenti, gjykimi i tij i takon Allahut. Drejtësia e plotë do të shfaqet në Ditën e Gjykimit, atëherë kur askujt nuk do t'i bëhet padrejtësi as sa një thërrmijë.
***
Pyetja:
Cili është qëndrimi i Islamit ndaj jomuslimanëve të cilët nuk e luftojnë Islamin?
Përgjigjja:
Qëndrimi i Islamit ndaj jomuslimanëve është shpjeguar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët." (El Mumtehine, 8) Në mirësjelljen ndaj tyre përfshihet: trajtimi i tyre i mirë, dhënia e lëmoshës për ta, fqinjësia e mirë me ta, ndihma ndaj tyre në përmbushjen e nevojave, pjesëmarrja në evenimentet e tyre të cilat nuk lidhen me fenë e tyre dhe përgjigjja ndaj ftesës së tyre në evenimentet, si dasmat etj, me kusht që njeriu të jetë i sigurt për fenë e tij dhe që ata të mos shfaqin aty ndonjë të keqe, siç është pirja e alkoolit etj. Nga Esma bint Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të dy!) transmetohet se ka thënë: "Nëna ime idhujtare erdhi tek unë gjatë kohës kur kurejshët kishin lidhur marrëveshje me muslimanët, kështu që e pyeta të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të!) e i thashë: 'O i Dërguari i Allahut! Nëna ime ka ardhur tek unë dhe dëshiron t’i mbajë lidhjet me mua. A t’i mbaj lidhjet me nënën time?' Ai tha: 'Po, mbaji lidhjet me nënën tënde'" (Transmetuan Buhariu nr. 2620 dhe Muslimi nr. 1003).
Prej formave më të mëdha të bamirësisë dhe mirësjelljes ndaj tyre është thirrja e tyre në Islam, dhe nuk ka dyshim se thirrja në Islam bëhet në faza, ashtu siç është e shtjelluar në librat e thirrjes (davetit) dhe librat e fikhut.
Jobesimtari që jeton në vendet islame ose ai që ka hyrë në vendet islame me marrëveshje ka të drejtat e tij ndaj muslimanëve, andaj nuk lejohet t'i bëhet dëm, e lëre më të vritet. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Ai që vret një person që gjendet në vendet islame me marrëveshje, nuk do ta ndiejë aromën e Xhenetit, ndonëse aroma e tij ndihet dyzet vjet larg!" [Transmetoi Buhariu nr. 3166] Andaj, Islami është fe e drejtësisë, mesatarisë dhe mëshirës.
***
KAPITULLI I FEVE DHE SEKTEVE
Pyetja:
Përse muslimanët ndahen në grupacione dhe sekte, ndërkohë që ndjekin një libër të vetëm?
Përgjigjja:
Përgjigjja për këtë pyetje përfshihet në pesë pika:
Së pari, përçarja dhe kundërshtimi janë një ligj universal, i cili është pjesë e natyrës njerëzore. Allahu i Lartësuar thotë: "Sikur të kishte dashur Zoti yt, të gjithë njerëzit do t’i bashkonte në një bashkësi të vetme, por ata vazhdojnë të jenë të përçarë. Përveç atyre, që i ka mëshiruar Zoti yt. Për këtë qëllim Ai i krijoi ata. Do të plotësohet Fjala e Zotit tënd: 'Me të vërtetë që do ta mbush Xhehenemin me xhindë dhe njerëz bashkërisht!'" (Hud, 118-119)
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Hebrenjtë janë ndarë në shtatëdhjetë e një ose shtatëdhjetë e dy grupe, të krishterët po ashtu, ndërsa umeti im do të ndahet në shtatëdhjetë e tri grupe!" [E transmetoi Tirmidhiu dhe e vlerësoi si hasen-sahih (i mirë dhe i saktë).]
Së dyti, nuk kritikohet feja e vërtetë, e cila është shpallur prej Allahut, për shkak të mospajtimit të pasuesve të saj, por qortohet ai që ndahet nga feja e vërtetë dhe braktis bashkësinë.
Së treti, i Dërguari (paqja qoftë mbi të!) na e ka sqaruar se kë duhet të ndjekim kur shfaqen mospajtime midis njerëzve? Me kë duhet të jemi? Dhe me kë është e vërteta kur mospajtimet janë të shumta? Pasi përmendi përçarjen, ai e bëri të qartë se të gjitha grupet janë në humbje, përveç një grupi të vetëm i cili do të jetë në të vërtetën, dhe tha: "Të gjithë do të jenë në Zjarr, përveç një grupi", thanë: "Cilët janë ata, o i Dërguari i Allahut?" Tha: "Ata që janë në rrugën time dhe të shokëve të mi!" [Suneni i Tirmidhiut, numër 2641].
Ai gjithashtu ka thënë: "Me të vërtetë, ithtarët e dy librave janë ndarë në fenë e tyre në shtatëdhjetë e dy grupe, ndërsa ky Umet do të ndahet në shtatëdhjetë e tri grupe – d.m.th. doktrina të devijuara –; të gjitha grupet do të jenë në Zjarr, përveç njërit, e ai është bashkësia!" [Musnedi i Ahmedit (16937) dhe Ebu Davudi (4597)].
Po ashtu ka thënë: "Sepse ai që jeton më gjatë nga ju do të shohë kundërshtime të shumta, dhe ruajuni nga gjërat e shpikura, ngase ato janë lajthitje, andaj kushdo prej jush që e përjeton atë kohë, le të kapet fort pas traditës sime dhe traditës së kalifëve të drejtë e të përudhur, shtrëngojeni me dhëmballë!" [Suneni i Tirmidhiut nr.2676 dhe Suneni i Ibn Maxhes nr.43. Tirmidhiu thotë se ky hadith është hasen-sahih (i mirë dhe i saktë)].
Ky grup, pra grupi i shpëtuar, është ai që përfaqëson Islamin e vërtetë, që është rruga në të cilën ishte Profeti (paqja qoftë mbi të!) dhe shokët e tij në të gjitha sferat e jetës, dhe ata janë Ehli Suneti dhe Xhemati (pasuesit e sunetit dhe bashkësisë).
Së katërti, hebrenjtë dhe të krishterët u përçanë dhe nuk mbeti asnjë grup prej tyre në të vërtetën, ndërsa në këtë fe dhe në Umetin Islam, një grup nga ky Umet do të vazhdojë të mbetet në fenë e drejtë derisa të vijë urdhri i Allahut, ashtu siç ka përgëzuar për këtë i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!): "Një grup njerëzish nga umeti im do të vazhdojnë të jenë triumfues në të vërtetën, e, ata që i tradhtojnë, nuk mund t’i dëmtojnë aspak, derisa të vijë caktimi i Allahut e t'i gjejë po në atë gjendje." [Sahihu i Muslimit, nr. 170].
Dhe siç thotë i Lartësuari: "Ata dëshirojnë të fikin dritën e Allahut me gojën e tyre, por Allahu do e përsosë dritën e Vet, edhe nëse (këtë gjë) e urrejnë jobesimtarët. (Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë." [Es Saff: 8-9]
Së pesti, mospajtimi në Islam ndahet në dy lloje: mospajtim i pranueshëm, në të cilin ai që mban mendim ndryshe nuk konsiderohet i humbur apo i devijuar, siç është mospajtimi në disa çështje fikhore, d.m.th., dispozitat dytësore praktike, si çështjet e pastërtisë, namazit, shitblerjeve dhe gjykimit. Ndër shkaqet e këtij mospajtimi janë dallimet në të kuptuar, ngase ka njerëz mendja dhe kuptimi i të cilëve është i gjerë dhe i saktë, dhe kështu udhëzohen drejt asaj që të tjerët nuk udhëzohen. Ndonjëherë, shkak mund të jetë edhe mosnjohja e argumentit, krahas shkaqeve të tjera. Ky lloj i çështjeve në të cilat ka ndodhur mospajtimi, është prej atyre që lënë hapësirë për studime personale të dijetarëve.
Lloji i dytë, mospajtim i ndaluar, i cili është qortuar në disa ajete të Kuranit, si për shembull në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Me të vërtetë, ti s’ke të bësh fare me ata që e përçajnë fenë e tyre dhe shndërrohen në sekte. Te Allahu është puna e tyre e pastaj Ai do t’u tregojë çfarë patën punuar." [El En’am: 159] Si dhe në fjalën e Tij: "Ka prej tyre që fenë e vet e kanë përçarë dhe janë ndarë në grupe, e ku çdo grup është i kënaqur me atë që ka." (Rum, 32) Ky mospajtim lidhet me çështjet madhore të ideologjisë islame, si: profetësia, përkufizimi i imanit, kaderi, cilësitë e Allahut dhe shokët e Pejgamberit. Kështu, mospajtimi i disa sekteve në këto çështje është i atillë që i nxjerr ato nga korniza e Islamit, për shkak të kundërshtimit të konsensusit të brezave të parë, ndërsa ka prej tyre që mospajtimi i tyre nuk i nxjerr nga Islami.
Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamed!
***
Pyetja:
A i pranon Islami besimet e tjera?
Përgjigjja:
Duhet të bëjmë dallim mes besimeve dhe personave që i bartin këto besime, andaj themi: çdo besim që e kundërshton fenë e profetëve dhe të dërguarve, si judaizmi, krishterimi, budizmi, hinduizmi etj; janë besime të kota e të pavlefshme. Ato janë të nënçmuara dhe të papranueshme te Zoti i gjithësisë, e nga ithtarët e tyre nuk pranohet asnjë vepër, derisa të besojnë në Zotin e vetëm dhe të dëshmojnë se nuk ka zot tjetër përveç Allahut dhe se Muhamedi është i dërguari i Allahut. Pra, të gjitha këto janë fe të kota tek Allahu i Lartësuar. Lidhur me këtë Ai thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur!" [Ali Imran: 85] Kësisoj, feja e vërtetë dhe e pranuar tek Allahu është Islami. Allahu i Lartësuar thotë: "Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami. Ata që u është dhënë Libri, patën mospajtime nga zilia që kishin midis tyre, vetëm pasi u erdhi dituria. Por kushdo që i mohon udhëzimet e Allahut, ta dijë se Allahu është i shpejtë në llogari!" [Ali Imran: 19]
Sa u përket pasuesve të këtyre feve, muslimani duhet të ketë parasysh disa gjëra në raport me ta:
E para, t'i ftojë ata në fenë islame me mënyrat më efektive të ligjshme dhe t'ua sqarojë atyre fenë e Allahut, që të shpëtojnë prej mosbesimit me të cilin jetojnë, të ndjekin rrugën e drejtë që çon tek Allahu, të fitojnë Xhenetin e Tij dhe të shpëtojnë nga dënimi i madh në Ditën e Kiametit. Allahu i Lartësuar thotë: "Thirr në rrugën e Zotit tënd me mençuri dhe këshillë të bukur dhe dialogo me ata në mënyrën më të mirë! Me të vërtetë, Zoti yt i di më së miri ata që janë shmangur nga rruga e Tij dhe i di më së miri ata që janë në rrugë të drejtë!" [En Nahl: 125] Ftesa në Islam nuk bëhet me imponim. Allahu i Lartësuar thotë: "S’ka detyrim në fe, sepse tashmë është bërë e qartë e drejta nga e shtrembra! Ai që mohon idhujt (dhe gjithçka që adhurohet në vend të Allahut) dhe beson në Allahun, ka kapur lidhjen më të fortë, e cila nuk këputet kurrë. Allahu dëgjon dhe di gjithçka!" [El Bekare: 256]
E dyta, muslimani e ka obligim të jetë i drejtë me ta, të mos u bëjë padrejtësi dhe të mos u hyjë në hak. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Assesi të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju!" [El Maide: 8]
Gjithashtu, muslimani urdhërohet të sillet mirë me pasuesit e feve të tjera, t'u bëjë mirë atyre, të jetë i mëshirshëm me ta, t'i trajtojë në formë të mirë, të mos i dëmtojë dhe t'u thotë fjalë të mira, përderisa ata e trajtojnë në formë të mirë dhe nuk i bëjnë padrejtësi. Është detyrim që marrëdhëniet me ta të mos lidhen me ndonjë çështje të ndaluar fetarisht, si shitja e alkoolit apo ndërveprimet me kamatë, si dhe të mos jetë marrëdhënie nga e cila muslimani përçmohet. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Profetin tonë, Muhamedin.
***
Pyetja:
Pse njeriu gjen në Islam dhe Krishtërim disa çështje të ngjashme?
Përgjigjja:
Të gjitha shpalljet hyjnore bashkohen në bazat e besimit, të cilat janë: besimi në Allahun, engjëjt, librat, të dërguarit, ditën e fundit, si dhe besimi në vendimet dhe caktimet hyjnore. Po ashtu, ato bashkohen në ndalimin e idhujtarisë, mosbesimit dhe hipokrizisë, si dhe në ndalimin e punëve të turpshme, si: imoraliteti, homoseksualiteti, vrasja, magjia, zilia, mashtrimi, ngrënia e pasurisë së njerëzve në mënyrë të padrejtë, ngrënia e mishit të derrit dhe pirja e alkoolit. Ato bashkohen gjthashtu në urdhërimin për çdo virtyt të lavdërueshëm, si: sinqeriteti, bujaria, turpi, guximi, mirësjellja ndaj krijesave, respektimi i prindërve dhe shpenzimi për nevojtarët, e gjithashtu, në ndalimin nga çdo ves i ulët, si: koprracia, burracakëria, lakmia, gënjeshtra, përgojimi dhe bartja e fjalëve.
Pra, ajo që shihet si pikë e përbashkët midis judaizmit dhe krishterimit me Islamin, është pikërisht nga ajo pjesë që ka mbetur në këto dy fe e paprekur nga shtrembërimi dhe ndryshimi. Kjo dëshmon se zanafilla e këtyre mesazheve është e njëjtë dhe se ato vijnë nga Zoti. Po kështu, kjo thekson dhe e bën të detyrueshme për njeriun pasimin e të vërtetës e cila ndodhet në Islam, i cili është vazhdimësi e mesazhit të Musait dhe Isait (paqja qoftë mbi ta!), si dhe të heqë dorë nga mosbesimi, idhujtaria dhe devijimi.
Dhe ajo çfarë lexuesi gjen në këto dy fe që bie ndesh me Islamin, siç është guximi i tepruar në Hebraizëm në raport me Allahun, me profetët e Tij dhe fenë e Tij, si dhe padrejtësia ndaj krijesave dhe lejimi i kamatës, e tërë kjo vjen si rezultat i padrejtësisë së hebrenjve dhe shpifjeve të tyre. Ndërsa, të gjitha ato besime të gabuara që lexuesi has në Krishterim si: triniteti, kryqëzimi, besimi se Mesihu është Zoti Shpëtimtar dhe se ai është biri i Zotit, mohimi i profecisë së Profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!), dhe lejimi i mishit të derrit e pirjes së alkoolit, të gjitha këto vijnë si rrjedhojë e modifikimit, padrejtësisë, ekstremizmit dhe devijimit nga ana e të krishterëve.
Shih rreth ndikimit të idhujtarisë në krishterizëm: librin “Udhëzimi i të hutuarve në përgjigjet ndaj hebrenjve dhe të krishterëve”, bot. “Dar Alemul-Fevaid” (fq. 53), aty redaktori në fusnotë ka përmendur tetë referenca, dhe shih librin: “Besimet idhujtare në fenë e krishterë”, të autorit Muhamed bin Abdullah et-Tinnir.
***
Pyetja:
A është Bibla me të vërtetë Libri i Zotit?
Përgjigjja:
Libri i Shenjtë që gjendet sot në duart e hebrenjve apo të krishterëve nuk është Libri i Allahut të Lartësuar në tërësi, sepse ai është i shtrembëruar, kurse pjesa që nuk është shtrembëruar në të, është ajo që përputhet me Kuranin e madhërishëm. Ky gjykim për librin vlen kur ai shikohet në tërësinë e tij, pra: nga fillimi deri në fund; ngase origjina e Teuratit dhe e Ungjillit është e vërtetë, prandaj, Teurati që i zbriti Musait (paqja qoftë mbi të!) dhe Ungjilli që i zbriti Isait (paqja qoftë mbi të!) duhet të besohen, -porse pasohet dhe zbatohet vetëm Kurani i madhërishëm-, ndërsa shtrembërimi në to ka ndodhur përmes shtimeve, heqjeve dhe ndryshimeve. Pasi të jetë bërë e qartë kjo, duhet të dish se nuk lejohet nënçmimi i kopjeve ekzistuese të sotme të Teuratit dhe Ungjillit, për dy arsye: E para, për të ruajtur nga nënçmimi atë pjesë që nuk është shtrembëruar. E dyta, duke pasur parasysh origjinën e librit. Kjo nuk nënkupton lejueshmërinë e leximit të tij apo të implementimit të asaj që gjendet në të. Mirëpo, Islami është fe e drejtësisë dhe paanësisë, andaj, për atë pjesë në të cilën është përzier e vërteta me të kotën, jepet gjykim i detajuar. Dhehebiu ka thënë: "Ne e respektojmë Teuratin që Allahu ia zbriti Musait (paqja qoftë mbi të!) dhe besojmë në të, ndërsa për këto shkrime që gjenden në duart e këtyre të humburve, ne nuk e dimë fare se çfarë janë në të vërtetë, prandaj tërhiqemi dhe as nuk i respektojmë e as i përçmojmë, por themi: 'Ne besojmë në Allahun, në engjëjt e Tij, në librat e Tij dhe në të dërguarit e Tij'. Na mjafton në lidhje me këtë besimi i përmbledhur, lavdi Allahut!" Shih: Sijer a'lam en-nubelai, bot. Er-Risale, 2/419.
***
Pyetja:
A e urrejnë muslimanët Profetin e Zotit, Isain (Jezusin)?
Përgjigjja:
Mesihu (paqja qoftë mbi të!) është Isai (Jezusi), biri i Merjemes (paqja qoftë mbi të!). Ai është një nga të dërguarit më të mëdhenj dhe bënte pjesë në listën e të dërguarve "Ulul-Azm" (vullnetfortë). Të dërguarit "Ulul-Azm" janë pesë: Nuhu, Ibrahimi, Musai, Isai dhe Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!). Besimi në të dërguarit në Islam është një nga kushtet e besimit, andaj nuk është i saktë besimi i asnjë personi derisa të besojë se Isai (paqja qoftë mbi të!) është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij. Gjë e cila na detyron ta respektojmë, ta duam dhe ta nderojmë. Ndërkaq, besimi, dashuria dhe respekti ndaj tij na ndalojnë nga ekzagjerimi në raport me të dhe nga cilësimi i tij si Zot e hyj.
Isai nuk është biri i Allahut të Lartësuar, ashtu siç besojnë të krishterët, por është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, si dhe Fjala e Tij, të cilën e lëshoi mbi Merjemen. Kurse shpirti i tij është shpirt i krijuar nga Allahu i Lartësuar, të cilin Ai e ka dalluar nga shpirtrat e tjerë me nderim dhe fisnikërim të shtuar.
Islami i njeriut nuk është i vlefshëm pa besuar në Mesihun dhe në mbarë të dërguarit e tjerë (paqja qoftë mbi të!). Në Islam nuk lejohet të urrehet asnjë prej profetëve dhe kushdo që urren ndonjë profet, ai, në të vërtetë, ka bërë herezi dhe ka dalë nga feja.
***
Pyetja:
A është Isai (Jezusi) biri i Zotit?
Përgjigjja:
Allahu i Lartësuar është Zoti i botëve, Ai është i Pari dhe i Fundit, i Dukshmi dhe i Padukshmi. Allahu ka qenë dhe nuk ka qenë asgjë para Tij e asgjë me Të, siç përmendet në hadithet e sakta. Ai është Njëshi, i Vetmi, Absoluti, i Cili as lind, as është i lindur. Ai thotë: Thuaj: "Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm! Allahu është Absoluti. Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe askush nuk është i barabartë (a i krahasueshëm) me Atë!" (El Ihlas: 1-4) Dhe përderisa Ai nuk është prind i askujt, atëherë asnjë prej krijesave nuk është fëmijë i Tij, qoftë i lartësuar dhe i madhëruar Ai! Ndërkaq, fëmijë ka ai që ka nevojë për ndihmës dhe mbështetës; njeriu kërkon fëmijë për t'u bërë i pavarur dhe për t'u gëzuar me ardhjen e tij dhe që ta ndihmojë në vështirësitë e jetës. Ndërsa Zotit të Lartmadhërishëm i përket sundimi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet në to, prandaj Ai nuk ka nevojë për fëmijë. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu! Nuk ka zot tjetër përveç Tij, i Gjalli, i Përjetshmi dhe Mbajtësi i gjithçkaje! Atë nuk e kaplon as dremitja, as gjumi! Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe gjithçka që gjendet në Tokë." (El Bekare, 255) Ai është i Gjalli, prej të Cilit çdo gjallesë fiton ekzistencën dhe jetën e saj, dhe Ai është i Përjetshmi, Mbajtësi i gjithçkaje, pa të Cilin asnjë gjallesë nuk mund të ekzistojë e as të jetë e pavarur prej Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "I lavdëruar qoftë Allahu, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë! I lavdëruar qoftë Ai edhe në jetën tjetër! Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë!" ( Sebe: 1) Pra, nëse Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë, dhe Ai është i Lavdëruari në këtë botë e në tjetrën për shkak të absolutësisë së Tij dhe për shkak se Ai është i Vetëmjaftueshëm e s’ka nevojë për asgjë, si mund të pretendojë dikush se Allahu ka një bir? I pastër është Allahu nga ajo që thonë ata për Të!
Pretendimi se Allahu ka fëmijë dhe se engjëjt janë bijat e Tij, është një pretendim i lig dhe heretik, të cilin Allahu e ka përgënjeshtruar në disa vende në Librin e Tij Fisnik, duke bërë të qartë se kjo thënie heretike është pikërisht thënia e jobesimtarëve të parë. Allahu i Lartësuar thotë: "Hebrenjtë thonë: 'Uzejri është i biri i Allahut', të krishterët thonë: 'Mesihu është i biri i Allahut'. Këto janë fjalët e tyre, që dalin nga goja e tyre, imitojnë fjalët e jobesimtarëve të mëparshëm. I vraftë Allahu! Si po shmangen (nga e vërteta)!" [Et Teube: 30] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Idhujtarët i shohin xhindët si ortakë të Allahut, ndërkohë që Ai i ka krijuar ata. Me padituri, i kanë veshur Atij djem e vajza. I lavdëruar qoftë Ai dhe i lartësuar mbi gjithçka që ia veshin ata!" [El En’am: 100] Allahu e ka hedhur poshtë këtë pretendim me argumente të shumta, ndër të cilat mund të veçojmë:
Allahu e ka përgënjeshtruar këtë pretendim duke bërë të qartë se Ai është i aftë që ta shkatërrojë Tokën dhe çdo gjë që gjendet në të, e sikur dikush prej krijesave të ishte zot, ai do ta kishte penguar urdhrin e Allahut dhe do të kishte shpëtuar nga shkatërrimi. Allahu i Lartësuar thotë: "Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: 'Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!' Thuaj: 'Kush mund ta pengojë Allahun, nëse Ai dëshiron ta zhdukë Mesihun, të birin e Merjemes dhe nënën e tij, si dhe gjithçka që gjendet në Tokë?' Vetëm Allahut i takon sundimi i qiejve, i Tokës dhe i çdo gjëje që gjendet midis tyre. Ai krijon çfarë të dojë dhe është i Plotfuqishëm për çdo gjë." [El Maide, 17] Ibën Xheriri (Allahu e mëshiroftë!) thotë: "Fjala e Tij: 'nëse Ai dëshiron ta shkatërrojë Mesihun, të birin e Merjemes dhe nënën e tij, si dhe gjithçka që gjendet në Tokë' do të thotë: kush është ai që mund të pengojë diçka nga urdhri i Allahut, nëse Ai dëshiron ta shkatërrojë Mesihun, të birin e Merjemes, duke e shfarrosur atë nga Toka, si dhe duke shfarrosur nënën e tij, Merjemen, dhe të gjitha krijesat që gjenden në Tokë!?
Allahu i Lartësuar i thotë profetit të Tij, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!): Thuaju këtyre të paditurve nga radhët e të krishterëve: Nëse Mesihu do të ishte siç pretendoni - se ai është Allahu, ndërkohë që ai nuk është i tillë - atëherë ai do të ishte i fuqishëm ta pengonte urdhrin e Allahut për vdekjen e tij dhe të nënës së tij. Nënën e tij tashmë Allahu e ka bërë të vdesë dhe ai (Mesihu) nuk mundi ta pengonte urdhrin e Tij ndaj saj kur zbriti! Në këtë shpjegim ka mësim për ju, nëse reflektoni, dhe argument kundër jush, nëse logjikoni: se Mesihu është njeri porsi mbarë bijtë e Ademit dhe se Allahu, i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm, është Ai i Cili nuk mposhtet, nuk nënshtrohet dhe urdhri i të Cilit nuk mund të zmbrapset, por Ai është i Gjalli, i Përhershmi, Mbajtësi i gjithçkaje, i Cili jep jetë dhe merr jetë, krijon dhe shuan, dhe Ai është i Gjallë e nuk vdes." Tefsiri i Taberiut me recensimin e Ahmed Shakirit (10/147).
Kushdo që ngre këtë pretendim të rremë dhe të padrejtë, a ka ndonjë argument? Apo ky është thjesht një pretendim i rremë, për të cilin Allahu i Lartësuar thotë: "Ata thonë: 'Allahu ka bir'. Qoftë i lartësuar Ai! Ai është i Pavarur, s’ka nevojë për asgjë. Atij i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Ju nuk keni asnjë provë për atë që thoni. Pse thoni për Allahun atë që nuk e dini?!" [Junus: 68] Pa dyshim se ata që e bëjnë këtë pretendim nuk kanë asnjë provë për të, por vetëm supozime dhe hamendësime!
Sikur të donte Allahu të kishte një bir, Ai do të zgjidhte prej krijesave të Veta dikë që të bëhej bir i Tij, por kjo nuk lejohet as logjikisht dhe as fetarisht. Allahu i Lartësuar thotë: "Sikur të donte Allahu të kishte një bir, Ai do të zgjidhte kë të pëlqente prej krijesave të Veta. Qoftë i lartësuar Ai nga kjo gjë! Ai është Allahu, i Vetmi dhe Ngadhënjimtari!" (Zumer: 4)
Ai që ka një fëmijë, patjetër duhet të ketë një bashkëshorte prej së cilës duhet të lindë ai fëmijë. Allahu thotë: "Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë!" (El Enam, 101) Allahu është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën, prandaj Ai nuk mund të ketë fëmijë.
Sikur i Gjithëmëshirshmi të kishte fëmijë - i Pastër qoftë Allahu nga kjo shpifje! - ai do të ishte zot më vete, dhe sikur të ishte zot, atëherë patjetër që njëri prej tyre do ta mposhtte tjetrin, ndërsa i mposhturi, pa dyshim, nuk do të konsiderohej më zot. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj: 'Nëse përveç Atij do të kishte edhe zota të tjerë, siç thonë ata, atëherë ata do të kërkonin rrugë për të arritur te Zoti i Fronit'". [El Isra: 42] Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Allahu i Lartësuar thotë: "Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i pastër Allahu, Zoti i Fronit, nga çka ia veshin Atij!" (El-Enbija, 22)
Allahu i ndaloi ithtarët e Librit që t'i tejkalojnë kufijtë në raport me respektin ndaj Mesihut (paqja qoftë mbi të!) dhe që të thonë për të se ai është biri i Allahut, ose se është i treti i të treve, ose se ai është vetë Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: "O ithtarët e Librit! Mos e kaloni kufirin në besimin tuaj dhe për Allahun thoni vetëm të vërtetën! Mesihu - Isai, i biri i Merjemes, është vetëm i Dërguar i Allahut dhe Fjala e Tij, të cilën e lëshoi mbi Merjemen, si dhe shpirt (i krijuar) nga Ai. Pra, besojini Allahut dhe të dërguarve të Tij! Dhe mos thoni: 'Tre zota!' Hiqni dorë, se është më mirë për ju! Allahu është vetëm një Zot! Ai është i pastër për të pasur fëmijë. E Tij është gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Allahu mjafton si mbrojtës!" (En Nisa, 171)
Kushdo që beson se Isai (paqja qoftë mbi të!) është biri i Zotit, konsiderohet jobesimtar, pasi Islami i një personi nuk është i saktë derisa të besojë në profetësinë e tij. Kurani Fisnik e ka shpjeguar historinë e Merjemes dhe historinë e Isait (paqja qoftë mbi ta!) në disa sure të Kuranit, si surja Ali Imran, surja El Maide dhe surja Merjem, po ashtu dhe hadithet profetike kanë pohuar të njëjtën gjë.
Shih: "Miftah Dar es-Seade" 1/ 303, "Dashuria ime e madhe për Mesihun më çoi në Islam", fq. 169.
***
Pyetja:
A u kryqëzua Mesihu Isa (paqja qoftë mbi të!)?
Përgjigjja:
Mesihu Isa (paqja dhe bekimet qofshin mbi të!) nuk u kryqëzua, por u ngrit në qiell, dhe ai tani nuk është i vdekur por është i gjallë dhe është në qiellin e dytë. Allahu i Lartësuar thotë: "Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: 'Kush janë përkrahësit e mi në rrugën e Allahut?'. Nxënësit (e tij) u përgjigjën: 'Ne jemi përkrahësit e (fesë së) Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij). Zoti ynë! Ne e besojmë atë që na ke shpallur dhe e pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj, bashkë me dëshmitarët! Dhe ata i thurën kurth, por edhe Allahu u thuri kurth (dënim), e Allahu është thurësi më i mirë i kurtheve. (Kujtoje, o Muhamed) kur Allahu tha: 'O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje dhe do të të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t’i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit. Pastaj, të gjithë do të ktheheni tek Unë dhe do të gjykoj midis jush për çështjet që jeni grindur.!'" (Ali Imran: 52-55) Ai do të zbresë para Ditës së Kiametit. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Isai është shenjë e Orës (së Kiametit), në ardhjen e së cilës mos dyshoni kurrsesi. Pra, ndiqmëni mua, kjo është rruga e drejtë!" [Ez Zuhruf: 61] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë Isait para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre." (En Nisa: 159)
Dhe kur të zbresë Isai (paqja qoftë mbi të!), do ta vrasë Mesihun Dexhal (mesihun e rremë), do të gjykojë me ligjet e Islamit, do ta thyejë kryqin, do ta mbysë derrin, do ta shfuqizojë xhizjen (haraçin) dhe nuk do ta pranojë. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se po afron koha kur Isai, i biri Merjemes, do të zbresë mes jush dhe do të gjykojë me drejtësi: do ta thyejë kryqin, do ta mbysë derrin dhe do ta shfuqizojë xhizjen. Pasuria do të përhapet aq shumë, saqë askush nuk do të ketë nevojë për të." (Sahihu i Buhariut (2222) dhe Sahihu i Muslimit (242)).
***
Pyetja:
Si e trajton Islami besimin në Isain (paqja qoftë mbi të!)?
Përgjigjja:
Isai (paqja qoftë mbi të!) është një nga profetët më të mëdhenj të Allahut të Lartësuar. Ai është profeti që paraprin profetin tonë, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) dhe një nga të dërguarit Ulul-Azmi (vullnetfortë). Kurani ka folur shumë për të, ka përmendur pozitën e tij dhe se ai është i nderuar tek Allahu. Allahu i Lartësuar thotë: "(Kujto) kur engjëjt thanë: 'O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë për një Fjalë nga ana e Tij, emrin do ta ketë Mesihu, Isai i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e Allahut'" [Ali Imran: 45] Kurani Fisnik e ka shpjeguar në mënyrë të detajuar ngjarjen e Merjemes dhe Isait (paqja qoftë mbi ta!) në disa sure, si surja Ali Imran, surja El-Maide dhe surja Merjem. Gjithashtu, kjo ngjarje është cekur edhe në disa hadithe profetike. Kështu, nga e gjithë kjo arrijmë në përfundimin se ai ka një pozitë madhështore tek Allahu i Madhëruar, në Kuranin Fisnik, në Sunetin Profetik dhe te gjithë muslimanët në përgjithësi.
Ndër detajet e kësaj ngjarje që përmenden në Kuranin Famëlartë është fakti se Allahu e krijoi Isain përmes një mrekullie të jashtëzakonshme, prej një nëne pa baba, me anë të urdhrit të Tij: "Bëhu!" dhe ai u bë. Allahu i Lartësuar thotë: "(Kujto) kur engjëjt thanë: 'O Merjeme! Allahu të jep lajmin e mirë për një Fjalë nga ana e Tij, emrin do ta ketë Mesihu, Isai i biri i Merjemes, do të jetë i nderuar në këtë botë dhe në tjetrën dhe një nga të afërmit e Allahut. Ai do t’u flasë njerëzve qysh i vogël në djep edhe pasi të jetë rritur dhe do të jetë nga më të mirët'. Ajo tha: 'Zoti im! Qysh do të kem unë fëmijë, kur nuk më ka prekur askush?!' – 'Kështu – tha (engjëlli) - Allahu krijon ç’të dojë Vetë. Kur vendos diçka, Ai vetëm thotë për të: 'Bëhu!' dhe ajo bëhet.'" [Ali Imran: 45-47]
Allahu na ka njoftuar se kjo lindje e jashtëzakonshme nuk e bën Mesihun (paqja qoftë mbi të!) zot e as bir zoti, por ai është një njeri prej njerëzve, dhe se ai dhe nëna e tij që të dy hanin ushqim. Allahu i Lartësuar thotë: "Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij ishte grua e drejtë. Që të dy hanin ushqim. Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta!" [El Maide: 75] Ibën Xheriri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Ky është një lajm nga Allahu i Lartësuar si argument për të dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) kundër sekteve të të krishterëve rreth asaj që ata thonë për Mesihun. Ai thotë — duke i përgënjeshtruar jakobitët (jakobitët janë një sekt i vjetër i krishterë) në pretendimin e tyre se Mesihu është Allahu, dhe sektet e tjera në pretendimin e tyre se ai është biri i Allahut: se e vërteta nuk është ashtu siç thanë këta jobesimtarë për Mesihun, por e vërteta është se ai është i biri i Merjemes, ajo e lindi ashtu siç i lindin nënat bijtë e tyre, gjë e cila është karakteristikë e njerëzve, e jo karakteristikë e Krijuesit të njerëzve. Isai është thjesht një i dërguar i Allahut, si të gjithë të dërguarit e tjerë të Tij që qenë para tij e që kanë kaluar. Allahu bëri të ndodhin përmes duarve të tij ato mrekulli e shenja që Ai dëshiroi të ndodhnin, si provë për vërtetësinë e tij dhe për faktin se ai është i dërguar i Allahut tek ata njerëz te të cilët Ai e dërgoi, ashtu siç bëri të ndodhin mrekulli e shenja edhe përmes duarve të të dërguarve para tij, si provë për ta mbi vërtetësinë e faktit se ata ishin të dërguar të Allahut. Fraza "Nëna e tij ishte e drejtë". Me këtë frazë Allahu i Lartësuar thotë se nëna e Mesihut ka qenë e drejtë dhe e sinqertë. Ndërsa fraza "Që të dy hanin ushqim". Me këtë frazë Allahu, i Lartësuar na informon se Mesihu dhe nëna e tij kishin nevojë të dy për ushqim dhe pije që të mbanin në këmbë trupat e tyre, ashtu si gjithë bijtë e Ademit. Andaj, ai që është i tillë, nuk mund të jetë zot; sepse ai që ka nevojë për ushqim, mbahet në jetë nga tjetërkush. E varësia e tij ndaj tjetërkujt dhe nevoja e tij për gjërat që e mbajnë gjallë, janë prova të qarta për pafuqinë e tij. E i pafuqishmi nuk mund të jetë tjetër veçse një rob, e jo Zot!'" Tefsiri i Taberiut me recensimin e Ahmed Shakirit (10/485).
Mesihun e besoi një grup dhe e mohoi një grup tjetër, dhe Allahu u dha fitoren besimtarëve kundër jobesimtarëve. Islami i një personi nuk është i vlefshëm derisa të besojë në profetësinë e Isait (paqja qoftë mbi të!) dhe se ai është rob i Allahut dhe i dërguar i Tij, e kushdo që beson se ai është zot apo pjesë e zotave, konsiderohet jobesimtar.
Po ashtu Mesihu (paqja qoftë mbi të!) nuk u kryqëzua, por është ngritur në qiell; ai është i gjallë, nuk ka vdekur, gjendet në qiellin e dytë. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe për fjalët e tyre: 'Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut'. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë, por Allahu e ka ngritur pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë atij para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre." (En-Nisa: 157-159)
Po ashtu, ai do të zbresë para Ditës së Kiametit, do ta vrasë Mesihun Dexhal, do të gjykojë me Islam, do ta thyejë kryqin dhe do ta mbysë derrin. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se është afruar koha kur Isai, i biri Merjemes, do të zbresë mes jush dhe do të gjykojë me drejtësi: do ta thyejë kryqin, do ta mbysë derrin dhe do ta shfuqizojë xhizjen. Pasuria do të përhapet aq shumë, saqë askush nuk do të ketë nevojë për të." [Sahihu i Buhariut (2222) dhe Sahihu i Muslimit (242)]. Pastaj ai do të qëndrojë në tokë dyzet vjet, pastaj do të vdesë dhe muslimanët do t'ia falin xhenazen.
***
Pyetja:
A e mbështet Islami pikëpamjen e atyre që thonë se Mesihu (paqja qoftë mbi të!) vdiq në kryq?
Përgjigjja:
Islami nuk e mohon ndodhinë e kryqëzimit që ngjau në kohën e Isait (paqja qoftë mbi të!) kur hebrenjtë u përpoqën ta vrisnin Isain dhe ta kryqëzonin. Megjithatë, Allahu e shpëtoi prej tyre, e ngriti lart dhe ata nuk arritën t'i bënin asnjë dëm. Allahu ia hodhi pamjen e tij një njeriu tjetër, të cilin hebrenjtë e kapën përmes një komploti me sundimtarin pagan romak të asaj kohe, e vranë dhe e kryqëzuan, duke menduar se vranë dhe kryqëzuan Isain (paqja qoftë mbi të!). Allahu i Lartësuar thotë: "Kur Isai vuri re mosbesimin e tyre, tha: 'Kush janë përkrahësit e mi në rrugën e Allahut?' Nxënësit (e tij) u përgjigjën: 'Ne jemi përkrahësit e Allahut. Ne e besojmë Allahun e ti (Isa) dëshmo se ne (i) jemi nënshtruar (Atij). Zoti ynë! Ne besojmë atë që na ke shpallur dhe pasojmë të Dërguarin (Isain). Na shkruaj bashkë me dëshmitarët!' Dhe ata i përgatitën një kurth, por edhe Allahu u përgatiti kurth (dënim), e Allahu është kurthngritësi më i mirë. (Kujtoje, o Muhamed) kur Allahu tha: 'O Isa! Unë do të të marr, do të të ngre pranë Meje dhe do të të shpëtoj ty nga ata që nuk besojnë, si dhe do t’i vendos ata që të ndjekin ty, përmbi ata që të mohojnë, deri në Ditën e Kiametit. Pastaj, të gjithë do të ktheheni tek Unë dhe do të gjykoj midis jush për çështjet që jeni grindur.'" (Ali Imran: 52-55) Gjithashtu, i Larti thotë: "Dhe për fjalët e tyre: 'Ne e vramë Mesihun – Isain, të birin e Merjemes, të dërguarin e Allahut'. Por, ata as e vranë, as e kryqëzuan, por ashtu u është dukur. Ata që nuk u pajtuan për çështjen e tij, me siguri që gjenden në dyshim për të. Ata nuk kanë ditur kurrgjë për të, por vetëm kanë hamendësuar. Ata, në të vërtetë, nuk e kanë vrarë. Por, Allahu e ka ngritur pranë Vetes. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm. Të gjithë ithtarët e Librit do t’i besojnë atij (Isait) para se ai të vdesë dhe, në Ditën e Kiametit, ai do të jetë dëshmitar kundër tyre." [En Nisa: 157-159]
Pra, Mesihu Isai, i biri Merjemes (paqja qoftë mbi të!) nuk u kryqëzua e as u vra, por, përkundrazi, Allahu e ngriti lart. Ai tani është në qiellin e dytë dhe do të zbresë para Ditës së Kiametit. Zbritja e tij do të jetë prej shenjave të mëdha të Kiametit; ai do ta vrasë Mesihun Dexhxhal, do ta thyejë kryqin që u adhurua në vend të Allahut dhe për të cilin të krishterët shpifën se u kryqëzua në të, do ta mbysë derrin dhe do të gjykojë me sheriatin e Islamit. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Kiameti nuk do të ndodhë pa zbritur mes jush Isai, i biri Merjemes, i cili do të gjykojë me drejtësi: do ta thyejë kryqin, do ta mbysë derrin dhe do ta shfuqizojë xhizjen. Pasuria do të përhapet aq shumë, saqë askush nuk do të ketë nevojë për të." (Sahihu i Buhariut (2476) dhe Muslimi (155)).
***
Pyetja:
A do të hyjnë të krishterët në Xhenet?
Përgjigjja:
Allahut i përket pronësia e qiejve dhe e tokës, Ai bën dhe zgjedh çfarë të dëshirojë, dhe Atij i takon feja e pastër. Kësisoj, krijimi është i Tij, pushteti është i Tij dhe gjykimi është i Tij. Ai thotë: "Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej dhe në Tokë, Atij i takon bindja përgjithmonë. A mos vallë, do t’ia keni drojën tjetërkujt, përveç Tij!?" [En Nahl: 52] Gjithashtu thotë: "Allahut i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës dhe (vetëm) Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë." [Ali Imran: 189] Gjithashtu thotë: "Sunduesi i Ditës së Gjykimit." [El Fatiha: 4] Pra, Allahut i përket sundimi absolut në këtë botë dhe në tjetrën; Ai është që e cakton fenë dhe shpërblen për të. Është Ai që ka vendosur se Islami është feja e vërtetë, ndërsa çdo fe tjetër pos tij është e kotë dhe e papranueshme. Ndërkaq, Atij i përket kjo botë dhe bota e përtejme, andaj është Ai që gjykon dhe vendos. Ai thotë: "I tillë është Allahu! S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij! Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet në këtë jetë dhe në tjetrën! Vetëm Atij i përket gjykimi dhe tek Ai do të ktheheni." (El Kasas: 70) Allahu ka gjykuar, dhe gjykimi i Tij është i vërtetë: se ai që i përshkruan Allahut fëmijë është idhujtar dhe jobesimtar. Mesihu (paqja qoftë mbi të!) ua tërhoqi vërejtjen të krishterëve nga shirku (politeizmi) ndaj Allahut, dhe se atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin. Lidhur me këtë, Allahu i Lartësuar thotë: "Pa dyshim, janë jobesimtarë ata që thonë: 'Allahu është Mesihu, i biri i Merjemes!', sepse vetë Mesihu ka thënë: 'O bijtë e Israilit, adhuroni Allahun, që është Zoti im dhe Zoti juaj! Sigurisht, atij që adhuron tjetërkënd përveç Allahut, Allahu do t’ia ndalojë Xhenetin dhe strehim i tij do të jetë Zjarri. Për keqbërësit nuk ka ndihmës.'" [El Maide: 72]
Dhe kushdo që mohon një profet të vetëm prej profetëve dhe të dërguarve të Allahut (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), ai do të jetë në Zjarr përjetësisht dhe pafundësisht. Allahu i Lartësuar thotë: "Fisi i Adëve i quante gënjeshtarë të dërguarit." (Esh Shuara: 123) Pra, Allahu na njoftoi se ata i përgënjeshtruan të dërguarit, ndonëse nuk kishin përgënjeshtruar tjetër përveç të dërguarit të tyre, por ai që përgënjeshtron një profet të vetëm, i ka përgënjeshtruar të gjithë të dërguarit, për faktin se mesazhi i tyre është i njëjtë. Ndërkaq, Allahu ka gjykuar se ai që mohon një profet prej profetëve të Tij (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) është jobesimtar. Ai thotë: "O besimtarë! Besoni Allahun, të Dërguarin e Tij, Librin, që ia ka zbritur të Dërguarit të Tij dhe Librin që e ka zbritur më parë. Kushdo që mohon Allahun, engjëjt e Tij, Librat e Tij, të Dërguarit e Tij dhe Ditën e Kiametit, ai, me të vërtetë, ka humbur larg prej udhës së drejtë." [En Nisa: 136]
Në hadithin profetik flitet për hebrenjtë dhe të krishterët në lidhje me këtë çështje. Ebu Hurejra transmeton se i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se nuk ka njeri nga ky umet, qoftë hebre, qoftë i krishterë, që dëgjon për mua, e pastaj vdes pa besuar shpalljen me të cilën jam dërguar, vetëm se do të jetë banor i Zjarrit." (E shënon Muslimi, nr. 240) Po ashtu, Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Nuk do të hyjë në Xhenet askush përveç atij që është musliman." (Transmetuan Buhariu nr. 6528 dhe Muslimi nr. 221) Sa u përket të krishterëve monoteistë, të cilët nuk e arritën epokën e Islamit dhe besuan në Allahun si Zot dhe në Isain (paqja qoftë mbi të!) si të dërguar, ata janë besimtarë dhe përfundimi i tyre do të jetë Xheneti.
Por duhet të dihet se njeriut që nuk ka dëgjuar për mesazhin e Islamit, nuk e ka ditur se çfarë është feja e Allahut dhe të cilit nuk i është bërë i qartë argumenti, Allahu nuk i bën padrejtësi; sepse Allahu gjykon me drejtësi dhe nuk u bën njerëzve asnjë padrejtësi. Kur të vijë Dita e Gjykimit dhe Allahu t'i ringjallë krijesat, Ai do t'i sprovojë ata që nuk u ka arritur mesazhi i Islamit; nëse ata do të besojnë dhe dhe do ta pranojnë të vërtetën, do të hyjnë në Xhenet (parajsë), ndërsa nëse e përgënjeshtrojnë dhe tregohen mendjemëdhenj, Ai do t'i fusë në Zjarrin e Xhehenemit; për shkak të mosbesimit, kokëfortësisë dhe mendjemadhësisë së tyre ndaj Allahut.
***
Pyetja:
A besojnë muslimanët se të gjitha fetë çojnë në të njëjtin përfundim?
Përgjigjja:
Feja që Allahu e zgjodhi për robërit e Tij, dhe që i ngarkoi të gjithë të dërguarit e Tij t'ua përcjellin pasuesve të tyre, është Islami, pra të gjithë profetët ishin muslimanë. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai ka zgjedhur për ju atë Fe që ia pati lënë porosi Nuhut dhe që ta shpalli ty dhe që ia pati lënë porosi Ibrahimit, Musait dhe Isait: 'Mbajeni fenë dhe mos u përçani në të!' Por për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim." (Esh Shura: 13) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ibrahimi ua dha këtë porosi fëmijëve të tij; po ashtu edhe Jakubi: 'O bijtë e mi! Pa dyshim, Allahu ka zgjedhur për ju fenë e vërtetë, prandaj mos vdisni ndryshe veçse duke qenë muslimanë (të nënshtruar ndaj Atij)!'" [El Bekare: 132] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "A ishit ju të pranishëm kur Jakubit iu afrua vdekja dhe i pyeti të bijtë e tij: 'Çfarë do të adhuroni pas meje?' - Ata u përgjigjën: 'Ne do të adhurojmë Zotin tënd, që është edhe Zoti i etërve të tu: Ibrahimit, Ismailit dhe Is’hakut, një Zot të vetëm. Ne Atij i nënshtrohemi!'" [El Bekare: 133] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thoni: 'Ne besojmë në Allahun, në atë që na është shpallur neve (Kuranin), në atë që i është shpallur Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe Esbatëve (bijve të Jakubit), në atë që i është dhënë Musait e Isait dhe në atë që u është dhënë profetëve nga Zoti i tyre. Ne nuk bëjmë kurrfarë dallimi midis tyre dhe vetëm Allahut i përulemi'" [El Bekare: 136]
Kushdo që beson në një fe tjetër përveç Islamit, feja e tij është e pavlefshme dhe veprat e tij janë të papranueshme. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur." [Ali Imran: 85]
Kështu, muslimani beson se të gjitha fetë e tjera janë të pavlefshme, se feja e vërtetë është një e vetme dhe se përfundimi i mirë, kthimi madhështor dhe fitorja e madhe në botën tjetër janë për atë që del para Allahut si musliman. Ndërsa ai që del para Allahut si jobesimtar, duke i shoqëruar Atij dikë tjetër (në adhurim), pa dyshim që ka humbur në këtë botë dhe tjetrën. Lidhur me këtë, Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, ata që nuk besojnë prej ithtarëve të Librit dhe idhujtarëve, do të hyjnë në zjarrin e Xhehenemit, në të cilin do të mbeten përgjithmonë. Ata janë krijesat më të këqija." [El Bejineh: 6] Po ashtu thotë: "Thuaj: 'Vetëm Allahun e adhuroj me besimin tim të plotë e të sinqertë. Kurse ju adhuroni kë të doni në vend të Tij!' Thuaj: 'Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit. Ja, kjo është humbja e qartë!'" (Zumer: 14-15)
Allahu i Lartësuar është i Vërteti dhe i Drejti. Prej drejtësisë së Allahut të Lartmadhëruar është se, në Ditën e Gjykimit, Ai do të bëjë që përfundimi i të gjithë atyre që besojnë në Allahun, të cilët u besuan të dërguarve (paqja dhe bekimet qofshin mbi ta), të jetë Xheneti. Allahu i Lartësuar thotë: "Kushdo që i bindet Allahut dhe të Dërguarit, do të jetë me ata të cilëve Allahu u ka dhënë shumë dhunti: me profetët, me të sinqertët, me dëshmorët dhe me të drejtët! Eh sa shokë të mrekullueshëm janë këta!" [En Nisa: 69] E përfundimi i jobesimtarëve do të jetë në skëterrë, e sa vendbanim i keq që është skëterra. Ai thotë: "Ai, që Allahu e udhëzon në rrugën e drejtë, është i udhëzuari; ndërsa për atë që Ai e çon në humbje, me siguri që nuk do të gjesh mbrojtës tjetër, përveç Atij. Ne do t’i tubojmë ata në Ditën e Kiametit, me fytyrat përtokë, të verbër, shurdhë e memecë. Vendbanimi i tyre është Xhehenemi. Saherë që të zbehet zjarri, Ne do t’ia shtojmë flakën. Ky është dënimi i tyre, ngase mohuan shenjat Tona dhe thanë: 'A mos vallë, kur të bëhemi eshtra dhe pluhur, vërtet do të ngjallemi si krijesa të reja?!'" [El Isra: 97-98] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu do t’i tubojë në Xhehenem të gjithë hipokritët dhe mohuesit." [En Nisa: 140] Kjo është drejtësia e plotë e të Madhërishmit; t'i tubojë besimtarët në Xhenet dhe t'i tubojë jobesimtarët në Zjarr. E lusim Allahun të na ruajë nga dënimi i Zjarrit!
***
Pyetja:
Cili është qëndrimi i Islamit ndaj feve dhe pakicave të tjera?
Përgjigjja:
Allahu i Lartësuar është Ai të Cilit i përket sundimi i qiejve dhe i Tokës; Atij i përket lavdia edhe në jetën tjetër! Tek Ai do të kthehet gjithçka! Ai thotë: "I lavdëruar qoftë Allahu, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë! Atij i përket lavdia edhe në jetën tjetër! Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë. Ai di çfarë hyn në tokë dhe çfarë del prej saj, çfarë zbret nga qielli dhe çfarë ngrihet drejt tij. Ai është Mëshirëploti dhe Falësi." [Sebe: 1-2] Allahu është Krijuesi, Furnizuesi dhe Përkujdesësi, Ai është i Adhuruari që meriton të adhurohet, ndërsa çdo gjë tjetër përveç Tij është subjekt i sundimit dhe krijimit. Ai është Ai i Cili caktoi obligimet, ligjësoi ligjet, zbriti fenë dhe e bëri atë mbizotëruese mbi të gjitha fetë e tjera. Ai thotë: "(Allahu) Është Ai që e ka dërguar të Dërguarin e Tij me udhërrëfimin (Kuranin) dhe fenë e së vërtetës, për ta lartësuar atë mbi të gjitha fetë, edhe sikur idhujtarët ta urrejnë këtë gjë." [Et Teube: 33] Allahu i Lartësuar thotë: "Është Ai që e ka çuar të Dërguarin e Vet me Udhëzimin dhe fenë e vërtetë, për ta ngritur atë mbi të gjitha fetë. Allahu mjafton si dëshmitar!" [El Fet'h: 28] E adhurimi nuk është i sinqertë, përveç nëse i dedikohet vetëm Allahut. Allahu thotë: "Atij i përket çdo gjë që gjendet në qiej dhe në Tokë, Atij i përket adhurimi përgjithmonë. A mos vallë, do t’i frikësoheni tjetërkujt, përveç Allahut?" [En Nahl: 52] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Vetëm Allahut i takon adhurimi i sinqertë." (Ez Zumer: 3)
Allahu e ka kumtuar qartë se feja e pranuar dhe e pëlqyer tek Ai është Islami. Ai thotë: "Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami..." [Ali Imran: 19] Allahu nuk pranon fe tjetër përveç tij. Ai thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur." [Ali Imran: 85]
Allahu i Lartësuar ka gjykuar se çdokush që ndjek tjetër fe përveç Islamit, mundi i tij është dështim dhe humbje, dhe përfundimi i tij është shkatërrim dhe dënim i madh. Ai thotë: "Thuaj: 'Të humburit e vërtetë janë ata që do të humbin veten dhe familjen e tyre në Ditën e Kiametit. Ja, kjo është humbja e qartë'" (Ez Zumer: 15) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Allahut, të Cilit i përket gjithçka që gjendet në qiej dhe në Tokë. Mjerë mohuesit për dënimin e tmerrshëm (që i pret)! Mjerë ata që jetën e kësaj bote e duan më shumë se atë të botës tjetër, që largojnë njerëzit nga rruga e Allahut dhe dëshirojnë ta shtrembërojnë atë! Ata janë në humbje të madhe." (Ibrahim: 2-3) A e vërejte nga sa përmendëm më lart se si ka gjykuar Mbreti, i Vërteti, i Qarti, Zoti i botëve? Se çdo fe tjetër veç Islamit është fe e kotë dhe devijim, dhe se përfundimi i pasuesve të tyre në botën tjetër është Zjarri, e sa vendqëndrim i keq është ai!
Sa u përket pakicave dhe pjesëtarëve të feve të tjera, dispozita e tyre në Islam, për sa kohë që nuk i luftojnë muslimanët, është që muslimanët duhet t'i ftojnë ata në Islam dhe të mbajnë drejtësi në raport me të drejtat dhe detyrimet. Muslimanët janë të urdhëruar të sillen mirë me ta, t'u bëjnë mirë atyre dhe të jenë të mëshirshëm me të dobtit e tyre. Nëse një njeri është musliman, ndërsa prindërit e tij janë jomuslimanë, ai e ka për detyrë të sillet mirë me ta, t'u bëjë mirë dhe t'i mbajë lidhjet me ta në mënyrë të mirë. Në përgjithësi, muslimani duhet t'i trajtojë të gjithë me sjellje të mira, të mos i lëndojë, të mos u bëjë padrejtësi dhe të mos u cenojë asgjë nga të drejtat e tyre.
Ndërkaq, nëse jomuslimani gjendet në vendet e muslimanëve dhe pranon të jetojë mes tyre, atëherë ai duhet t'i përmbahet rendit publik. Kështu, Islami ia ruan atij pasurinë, gjakun, nderin, familjen dhe lirinë, në ato gjëra që nuk bien ndesh me ritet e Islamit dhe legjislacionin e tij.
E sa i takon asaj që u vishet Islamit dhe muslimanëve, se u bëjnë padrejtësi jomuslimanëve, u bëjnë dëm atyre, i privojnë nga të drejtat e tyre etj, e gjithë kjo është propagandë armiqësore e medias së padrejtë, në adresë të Islamit dhe muslimanëve. E, ai që ka jetuar mes muslimanëve dhe e ka njohur madhështinë e fesë së tyre, tolerancën e legjislacionit të tyre dhe lartësinë e moralit të tyre, e kupton se propaganda që trumbeton kjo media e komanduar dhe dezinformuese, është e tëra gënjeshtër dhe trillim. Allahu na ndihmoftë kundra tyre!
***
KAPITULLI I KURANIT DHE I LIBRAVE TË MËPARSHËM
Pyetja:
Çfarë është Kurani?
Përgjigjja:
Çdo lavdërim i takon Allahut. Sakaq, Allahu i ka përkrahur profetët dhe të dërguarit e Tij (paqja qoftë mbi ta!) me shenja të qarta, të cilat, pas vullnetit të Allahut, qenë shkak për udhëzimin e popujve të tyre. Këto mrekulli nuk ekzistojnë më, si fjala vjen, deveja e Salihut, shkopi i Musait, shërimi i lebrozit dhe i memecit, si dhe ngjallja e të vdekurve nga duart e Isait (paqja qoftë mbi ta!). Asgjë nuk ekziston më, përveç mrekullisë më të madhe, mrekullisë së Profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!); Kurani i madhërishëm i cili është mrekullia më e madhe e gjithë profetëve. Për këtë Pejgamberi ynë ka thënë: "Çdo pejgamberi i janë dhënë mrekulli të denja për të besuar njerëzit e asaj kohe. Mua më është dhënë shpallja, të cilën ma ka shpallur Allahu. Andaj, shpresoj të jem pejgamberi me më shumë pasues në Ditën e Gjykimit!" [E shënojnë Buhariu (4981) dhe Muslimi (152).]
Kjo shpallje që Allahu ia dha atij është: Kurani dhe Suneti profetik, e meqenëse pyetja ishte rreth Kuranit, këtu do të flasim hollësisht rreth Kuranit Famëlartë.
Për Kuranin Famëlartë, Allahu që e zbriti, thotë: "Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallje e Zotit të botëve. Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili). Në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë. E zbriti në gjuhën e qartë arabe. Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve. (Esh Shuara: 192-196) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kjo është shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit. Libër, vargjet e të cilit janë parashtruar me hollësi; Kuran në gjuhën arabe për një popull që di. Përgëzues dhe paralajmërues, por shumica e njerëzve ia kthejnë shpinën dhe largohen pa e dëgjuar." (Fusilet: 2-4) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që e mohuan përkujtimin Tonë, kur u erdhi, ta dinë se Ai është vërtet një Libër i madhërishëm. Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Është shpallje prej të Urtit që meriton të gjitha lavdet." (Fusilet: 41-42) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ky është vërtet një Kuran i nderuar. Në Librin e ruajtur. Nuk e prekin vetëm se të pastrit. Është Shpallje prej Zotit të botëve." (El Vakia: 77-80) Allahu, i Cili e ka zbritur atë, është Ai që ka zbritur Teuratin e Ungjillin. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai të ka shpallur ty Librin, me të vërtetën, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai ka zbritur edhe Teuratin dhe Ungjillin. Më parë si udhërrëfyes për njerëzit dhe ka zbritur edhe Dalluesin (e së vërtetës nga e pavërteta). Ata që nuk besojnë shpalljet e Allahut, i pret dënim i ashpër; Allahu është i Plotfuqishëm dhe Ndëshkues." (Ali Imran: 3-4)
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë për Kuranin: “Libri i Allahut përmban lajmet e atyre që kanë qenë para jush, njoftimet për atë që do të vijë pas jush dhe gjykimin për çështjet mes jush. Ai është vendimtarë dhe jo tallje. Kush e braktis atë nga mendjemadhësia, Allahu e thyen; e kush kërkon udhëzim në diçka tjetër përveç tij, Allahu e lë në humbje. Ai është litari i fortë i Allahut, këshilla e urtë dhe rruga e drejtë. Ai nuk deformohet nga herezitë dhe nuk manipulohet nga gjuhët, dijetarët nuk ngopen kurrë me të, nuk vjetrohet nga përsëritja e shumtë dhe nuk mbarojnë ndonjëherë çuditë e tij. Ai është ai që, kur xhindët e dëgjuan, nuk mundën të heshtnin, derisa thanë: ‘Ne kemi dëgjuar një Kuran mahnitës, i cili udhëzon drejt urtësisë…’ [Xhinn: 1-2]. Kush flet sipas tij, thotë të vërtetën; kush vepron me të, shpërblehet; kush gjykon me të, është i drejtë; dhe kush thërret drejt tij, udhëzohet në rrugën e drejtë.” [Suneni i Tirmidhiut me recensimin e Ahmed Shakirit (nr.2906) dhe Suneni i Darimiut (nr.2650)].
Uelidi, i cili ishte prej jobesimtarëve të fisit të kurejshëve, pasi e dëgjoi atë, ka thënë për të: "Pasha Allahun, sapo dëgjova nga Muhamedi pak më parë disa fjalë që nuk janë as fjalë njerëzish dhe as fjalë xhindësh. Vërtet, ato kanë ëmbëlsi dhe hijeshi, degët e tyre janë të frytshme dhe rrënjët janë të begata, ato mbizotërojnë e nuk mbizotërohen!" ["Merahu Lebid li keshf ma'na el-Kur'an el-Mexhid" (2/ 580)].
Kurani është fjala e Allahut të Lartësuar, e zbritur përmes Xhibrilit te Profeti ynë Muhamedi (paqja qoftë mbi të!), i cili ishte analfabet, leximi i tij është një formë e të adhuruarit. Ai është libri që ka shfuqizuar librat e mëparshëm të zbritur mbi profetët para tij, si Teurati dhe Inxhili, dhe njëkohësisht i vërteton ato, në çështjet bazë si, thirrja në teuhid, besimi në të fshehtën, ringjallja dhe parimet e përgjithshme të besimit. Kurani iu zbrit Profetit tonë (paqja qoftë mbi të!) gjatë një periudhe prej njëzet e tre vitesh. Sahabët e ruajtën atë dhe ua përcollën brezave pas tyre, si me shkrim ashtu edhe me memorizim. Ai është i ruajtur në zemra dhe i shkruar e i mbrojtur në rreshta. Muslimanët i kushtuan kujdes të madh atij dhe e përcollën me shkronjat dhe llojet e tij të leximit brez pas brezi. Ai përbëhet nga tridhjetë xhuze (një xhuz ka 20 faqe) dhe përmban njëqind e katërmbëdhjetë sure.
Kurani është një libër i madhërishëm që ngërthen në vete besimin (doktrinën), dispozitat dhe edukatën, tregimet e profetëve dhe lajmet e popujve të mëparshëm. Allahu ka treguar në të se si i shpëtoi besimtarët dhe se si i ndëshkoi jobesimtarët e hipokritët në këtë botë. Ai flet për fatin e besimtarëve dhe fatin e jobesimtarëve e hipokritëve në Ditën e Kiametit. Allahu i sfidoi njerëzit dhe xhindët – edhe sikur të jenë të bashkuar – të sjellin një libër të ngjashëm me të. Askush nuk ka mundur dhe as që do të mundet ndonjëherë ta shtrembërojë atë, e jo më të sjellë një libër të ngjashëm me të apo me ndonjë pjesë të tij. Allahu i Lartësuar ka theksuar se ky Kuran është shërim për çdo sëmundje të shpirtit e të trupit. Në të ka këshilla për këdo që dëshiron të marrë këshillë dhe të orientohet me udhëzimet e tij. Allahu i Madhëruar thotë: "O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët." (Junus: 57)
Meqenëse mesazhi i profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) ishte mesazhi i fundit, në kuptimin se nuk do të vijë më asnjë profet pas tij, Allahu e bëri mrekullinë e këtij mesazhi të përjetshme deri në ditën e fundit. Çka do të thotë se kushdo që njihet me të dhe e lexon atë, konsiderohet që i ka mbërritur argumenti mbi saktësinë e shpalljes dhe të profetësisë së Profetit Muhamed që e solli atë. Për këtë arsye, Allahu ka cekur në Kuran dëshmi të qarta, fakte të dukshme dhe argumente bindëse lidhur me bazat e fesë, të cilat i mahnisin dhe i bëjnë për vete mendjet e lexuesve. Prandaj, mijëra njerëz vazhdojnë të pranojnë Islamin kur njihen me të ose me përkthimin e kuptimit të tij. Në të gjenden shembuj ilustrues, argumente logjike dhe pyetje me të cilat Kurani i Madhërishëm i drejtohet njeriut, duke e vënë atë para përgjegjësisë për t'i pranuar ato nëse është njeri i drejtë, ose të shfaqë kokëfortësi e mendjemadhësi nëse është mohues e mosmirënjohës. Prej këtyre argumenteve mahnitëse është edhe fjala e të Lartësuarit: "O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, ta dini se Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkës së gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si foshnje e pas kësaj ju arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme!" (El Haxh: 5) Po ashtu dhe fjala e Tij: "Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar dhe i pastër Allahu, Zoti i Fronit, nga çka ia veshin Atij!" (El Enbija: 22) Ndër pyetjet shushatëse dhe mahnitëse është fjala e Allahut të Lartësuar: "A e keni parë farën që e hidhni? A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj? Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë. Që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë në një trajtë që nuk e dini. Sigurisht, ju e dini krijimin e parë (prej një pike fare), atëherë përse nuk reflektoni?! A e shihni atë që e mbillni? Vallë, ju e bëni atë që të mbijë apo jemi Ne që e bëjmë? Nëse duam, Ne e bëjmë të prishet dhe ju do të mbeteni shushatur." (El Vakia: 58-65)
Prej shembujve të Kuranit që i ka sjellë lidhur me argumentin mbi pavlefshmërinë e adhurimit të zotave që adhurohet pos Allahut, është fjala e Allahut të Lartësuar: "O njerëz, po ju sjellim një shembull, andaj dëgjojeni me vëmendje atë: 'Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin mbrapsht. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i dedikohet përgjërimi (idhulli)!" (El Haxh: 73)
Kurani është një Libër i pastër nga gabimet dhe kundërthëniet. Allahu i Lartësuar thotë: "Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit" (El Bekare: 2) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "A nuk e studiojnë ata Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të kundërthënie të shumta!" (En Nisa: 82)
Kurani ka zbritur në gjuhë të qartë arabe, duke i mahnitur arabët me elokuencën dhe qartësinë e tij. Vlerën e kësaj mrekullie të madhe gjuhësore nuk mund ta çmojë askush tjetër përveç njohësve të gjuhës në të cilën ai ka zbritur. Ai është i ruajtur në gjuhën që ka zbritur dhe muslimanët e lexojnë atë ashtu siç e lexonte Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!).
Me Kuranin fisnik lidhen shkenca të shumta, si: shkenca e leximit, shkenca e interpretimit, shkenca e shkaqeve të zbritjes së ajeteve etj, për të cilat dijetarët kanë shkruar libra të njohur që mezi numërohen nga numri i tyre i shumtë. Ndërkaq, për kuptimet e Kuranit janë shkruar përkthime të besueshme në shumë gjuhë të botës.
Pra, kushdo që vlerëson qenien e tij njerëzore dhe e respekton arsyen e tij, duhet të përpiqet ta lexojë këtë libër madhështor, i cili është libri më i mirë që u ka ardhur ndonjëherë njerëzve, ose të lexojë përkthimin e kuptimeve të tij, nëse nuk e njeh gjuhën arabe. Nëse një njeriu të arsyeshëm do t'i thuhej se filan librin e ka shkruar një njeri që shquhet për urtësi të thellë dhe se në të ai ka përmbledhur gjithë urtësinë e tij, do të ishte e udhës që njeriu të përpiqej ta gjente dhe ta lexonte atë. E si është e mundur që ti, o njeri, të kesh para duarve tua një libër hyjnor, i cili gjendet ende në gjuhën në të cilën është shpallur, që vazhdon të jetë i ruajtur nga mangësitë dhe shtesat, i paprekur nga shtrembërimet dhe ndryshimet, i cili përmban në vete tregimet për popujt e kaluar, legjislacionin e popujve të mëparshëm dhe popujve të mëvonshëm, si dhe tregimin e fatit të çdo qenieje të gjallë, e pastaj ti të mos e lexosh atë?! Vërtet, shpërfillja e Kuranit nga ana e njeriut dhe mungesa e interesimit për të nuk e dëmtojnë Kuranin fisnik, por dëmtojnë vetë shpërfillësin që i kthen shpinën atij, sepse Allahu nuk ka nevojë për krijesat e Tij. Ai thotë: "Thuaj, jam i urdhëruar të këndoj Kuranin. E kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për të mirën e vet. Ndërsa atyre që devijojnë, ti thuaju: 'Unë jam vetëm paralajmërues'" (En Neml: 92) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes, se Allahu, në të vërtetë nuk ka nevojë për asgjë." (El Ankebut: 6) Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
Cilat janë temat që trajton Kurani?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Kurani i madhërishëm është fjala e Allahut, vula e librave qiellorë dhe shfuqizues i tyre, që i zbriti profetit tonë Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Ai është i ndarë në xhuze, çdo xhuz në sure dhe çdo sure në ajete. Sakaq, një sure mund të trajtojë një temë të vetme ose disa tema të ndryshme.
Po ashtu, Kurani dallohet për faktin se ligjërimi i tij nuk është në formën e një rrëfimi historik të njëpasnjëshëm, të cilin, nëse e lexon një herë, mbase nuk i rikthehesh për ta lexuar përsëri, ashtu siç ndodh me librat e hebrenjve dhe të krishterëve. Përkundrazi, në çdo pjesë të tij gjejmë një shumëllojshmëri tregimesh të profetëve dhe mësimesh, si dhe thirrje për të meditim të thellë rreth fakteve të Zotit dhe mjeshtërisë së Tij të mrekullueshme. E gjithë kjo e gërshetuar me urdhëresa e ndalesa, me morale të larta, norma mirësjelljeje dhe ligje. Kësisoj, e tërë kjo i ngjan një kopshti nga i cili njeriu mund të përfitojë diçka kur e lexon Kuranin, dhe kjo ndodh thuajse në çfarëdo vendi të tij. Madje, edhe vetë tregimi për një profet të caktuar nuk vjen thjesht një herë e të mbyllet me aq, por përmendet në më shumë se një sure dhe në disa vende të ndryshme. E në çdo vend gjenden dobi të reja dhe një këndvështrim i ri i ngjarjeve, që e bëjnë lexuesin e kujdesshëm të jetë i vëmendshëm.
Sa u përket tematikave të cilat janë cekur në Kuranin Famëlartë, prej tyre mund të veçojmë:
1- Trajtimi i çdo gjëje që i nevojitet njeriut në raport me çështjet e fesë dhe të jetës, me marrëdhënien e tij me Zotin e tij, me veten e tij, me njerëzit përreth dhe me universin në të cilin jeton.
2- Shqyrtimi i cilësive, emrave dhe veprimeve të Allahut të Madhëruar, si dhe shpërblimeve dhe ndëshkimeve që Ai premton, fesë, legjislacionit, përcaktimit hyjnor (kaderi), si dhe se Ai është i Vetmi që krijon, sundon, furnizon, përkujdeset, jep jetë dhe merr jetë.
3- Shqyrtimi i së drejtës së Allahut të Lartësuar kundrejt krijesave të Tij, që është njësimi dhe adhurimi i vetëm Atij, si dhe shqyrtimi i së drejtës së krijesave kundrejt Krijuesit nëse ato e adhurojnë Atë dhe i binden urdhrit të Tij. Në këtë kontekst futen edhe detajet e adhurimeve, ligjeve dhe marrëdhënieve.
4 - Se ai (Kurani) paraqet fakte të qarta për krijesat, dhe është udhërrëfyes, mëshirë, këshillë dhe i mjaftueshëm për njerëzimin në udhëzimin e tyre drejt rrugës së saktë dhe të drejtë. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh." [El Isra: 9] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Vallë, a nuk u mjafton atyre që Ne të kemi shpallur ty Librin që u lexohet atyre? Me të vërtetë që në të ka mëshirë dhe këshillë për njerëzit që besojnë?!" (El Ankebut: 51) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "(Thuaju o Muhamed): 'Tashmë ju kanë ardhur nga Zoti juaj prova të qarta. Ai që i sheh ato, i sjell dobi vetes, ndërsa ai që i mbyll sytë para tyre, i bën dëm vetes. Unë nuk jam rojtari juaj.!'." (El Enam: 104) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju: 'Unë ndjek vetëm atë që më ka shpallur Zoti im. Ky (Kuran) është vetëm dëshmi ndriçuese nga Zoti juaj, udhërrëfim dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.'." (El Araf: 203) Tahir ibn Ashuri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: "Fjala “besair” (fakte të qarta) është shumësi i fjalës “besirah”, që nënkupton argumentin përmes së cilit qartësohet e vërteta. Përmes kësaj theksohet vlera e Kuranit; se ai është më i mirë se mrekullitë që ata kërkojnë; sepse ai bashkon midis dëshmisë për vërtetësinë e të Dërguarit, nëpërmjet mrekullisë gjuhësore dhe zbritjes te një i pashkolluar, dhe midis udhërrëfimit, mësimit, orientimit dhe mbijetimit përgjatë shekujve. Është përdorur forma shumës e “besair” (fakte të qarta) ngase Kurani trajton forma të ndryshme të udhëzimit, varësisht nga aspektet kah të cilat të orienton: që nga ndriçimi i mendjes për përmirësimin e besimit, saktësimin e koncepteve fetare, vendosja e ligjeve për marrëdhëniet shoqërore e bashkëjetesën mes njerëzve, e deri te orinetimi në rrugët e suksesit e të shpëtimit në këtë botë, dhe paraljmërimi nga humnerat e humbjes." (Et-Tahrir vet-Tenvir, 9/ 238)
5. Diskutimi rreth librave hyjnorë dhe rreth përmbajtjes së tyre, si: udhëzimi, argumentet, gjërat e lejuara, gjërat e ndaluara dhe ligjet. Allahu i Lartësuar thotë: "Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut." (El Maide: 46)
6- Prej temave më të rëndësishme që ka trajtuar Kurani i Madhërishëm janë profecitë dhe shpalljet hyjnore, bashkëbisedimet e çdo profeti me popullin e tij, reagimet e parisë së popullit ndaj profetit të tyre, shpërblimi që fituan ata që e besuan profetin dhe ndëshkimi që morën ata që e kundërshtuan dhe nuk iu bindën atij, parashtrimi i fakteve me të cilat Allahu e mbështeti çdo profet, theksimi i nevojës së krijesave për profetët, për paralajmërimet dhe përgëzimet e tyre, sqarimi i çështjeve që duhen besuar prej librave të zbritur më herët, si dhe informimi për gjendjen e popujve të mëparshëm dhe sjelljen që ata patën me profetët e tyre, me qëllim që nga të gjitha këto të nxirren mësime.
7- Po ashtu një nga temat më të rëndësishme që ka trajtuar Kurani Madhështor është edhe Dita e Fundit, e cila është dita e ringjalljes dhe e shpagimit, si dhe shtjellimi i detajuar i shpërblimit të besimtarëve dhe i futjes së tyre në Xhenet, ku do të jenë përgjithmonë, dhe i dënimit të jobesimtarëve dhe i futjes së tyre në Zjarr, ku do të jenë përgjithmonë.
8- Diskutimi rreth krijesave të fshehta dhe të padukshme, siç janë melekët, xhindët dhe shejtanët; si janë krijuar këto krijesa, cilat janë punët dhe karakteristikat e tyre, nënshtrimi i melekëve ndaj Zotit të tyre, mosbindja e xhindëve dhe shejtanëve etj; si dhe diskutimi rreth faktit se melekët i ndihmojnë besimtarët në kryerjen e adhurimeve, ndërsa shejtanët i nxisin e i shtyjnë jobesimtarët drejt mëkateve.
9- Sqarimi i adhurimeve të ligjësuara, siç janë: namazi, zekati, agjërimi, haxhi, mirësia, bamirësia, miqësia dhe armiqësia (për hir të Allahut); dhe i marrëdhënieve ndërnjerëzore, siç janë: shitblerja, huadhënia, martesa dhe trashëgimia; pastrimi i shpirtit me moral fisnik dhe dëlirësimi i tij nga morali i ulët; si dhe sqarimi i veprave që konsiderohen të ndaluara, të pahijshme, të pista dhe mëkateve të ndryshme.
10- Thirrja për të reflektuar dhe medituar rreth fakteve të universit që gjenden në Qiell, në Tokë, në Diell, në Hënë dhe në yjësi, në hapësirë dhe në organizmin e njeriut, në një mënyrë që e shpie njeriun drejt besimit, përuljes dhe nënshtrimit ndaj Krijuesit dhe adhurimit të Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt." (El Bekare: 164)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët." (Ali Imran: 190)
11- Trajtimi i historisë së krijimit të kësaj gjithësie dhe krijimit të njeriut të parë, dhe caktimit të tij si mëkëmbës në Tokë dhe ngarkimit të tij me detyrën e menaxhimit të saj; sqarimi i dispozitave hyjnore dhe i ligjeve universale të cilat e ndihmojnë atë në këtë detyrë dhe në themelimin e një qytetërimi të përparuar, të cilin njeriu duhet ta ndërtojë në dritën e udhëzimeve të Kuranit; si dhe sqarimi se si devijuan popujt e mëparshëm, si i kaluan kufijtë dhe bënë prishje në Tokë. Lidhur me këtë kontekst, Allahu i Madhëruar thotë: "Vallë, a nuk udhëtojnë nëpër botë e të shohin se si kanë përfunduar popujt e mëparshëm? Ata kanë qenë më të fortë se këta dhe tokën e kanë shfrytëzuar dhe punuar më mirë se sa e punojnë këta, e të dërguarit e tyre u sollën prova të qarta. Nuk ishte Allahu që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë vetvetes padrejtësi." (Er Rum: 9) Po ashtu thotë: "Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të painteresuar. Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete? Allahu ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe çfarë gjendet mes tyre - vetëm me një qëllim dhe afat të caktuar. E, me të vërtetë, shumica e njerëzve nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre. Vallë, a nuk udhëtojnë nëpër botë e të shohin se si kanë përfunduar popujt e mëparshëm? Ata kanë qenë më të fortë se këta dhe tokën e kanë shfrytëzuar dhe punuar më mirë se sa e punojnë këta, e të dërguarit e tyre u kanë sjellë prova të qarta. Nuk ishte Allahu që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë vetvetes padrejtësi. Pastaj përfundimi i atyre që punuan keq, ka qenë e keqja e madhe (Xhehenemi), ngase i mohonin shpalljet e Allahut dhe talleshin me to. Allahu e nis krijimin dhe e përsërit atë dhe pastaj tek Ai do të ktheheni." (Er Rum: 7-11) Allahu e ka sqaruar se përfundimi i mirë u takon të devotshmëve. Ai thotë: "Sa për vendbanimin e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat." (El Kasas: 83)
12- Kurani ngërthen në vete argumente racionale, analogji logjike, shembuj ilustrues dhe pyetje sfiduese, të cilat vështirë se mund të numërohen pa një mund të madh. Të gjitha ato janë argumente të qarta dhe prova bindëse për çështjet që ka paraqitur Kurani. Nëse një njeri objektiv i shqyrton thellë këto argumente, atij nuk i mbetet tjetër veçse të bindet dhe t'i pranojë ato, saqë edhe një ateist që e kërkon të vërtetën me sinqeritet, po t'i shqyrtojë ato, do të heqë dorë nga ateizmi i tij dhe do të besojë në mesazhin e Kuranit të Madhërishëm.
13- Vlerat e larta e sublime, të cilat arrihen me përkushtim dhe pa të cilat nuk mund të ngrihet asnjë qytetërim i drejtë apo shoqëri e mirëfilltë qytetare. Kështu, në Kuranin Famëlartë gjen vlerat e besimit, të drejtësisë, të shëndetit, të sigurisë, ato shoqërore, të sjelljes dhe financiare, si dhe vlera të tjera të cilat i nevojiten ekzistencës njerëzore në Tokë.
Ajo që lexuesi i Kuranit të Madhërishëm duhet ta ketë parasysh, është fakti se ai nuk do ta gjejë Kuranin të përpiluar sipas tematikave, ashtu siç ndodh me librat e tjerë njerëzorë. Përkundrazi, ai është një libër hyjnor ku çështja besimore, bashkë me argumentin dhe shpërblimin përkatës, vijnë të gërshetuara me ndonjë ligj universal që flet për popullimin dhe lulëzimin e jetës në Tokë, e më pas parashtrohet rasti i ndonjërit prej popujve të mëparshëm që patën kundërshtuar çështjen në fjalë. Andaj, kushdo që dëshiron të njohë tematikat që shtjellon Kurani i madhërishëm, duhet ta lexojë atë të plotë, në mënyrë që të njihet gjerësisht me temat e trajtuara në të.
Pra, çdokush që e vlerëson qenien e tij njerëzore dhe e respekton arsyen e tij, duhet të përpiqet ta lexojë medoemos këtë libër madhështor, më të mirë se i cili njerëzimit nuk i ka ardhur asnjëherë asnjë libër, ose të lexojë përkthimin e kuptimeve të tij nëse nuk e njeh gjuhën arabe. Nëse një njeriu të mençur do t'i thuhej për një libër se e ka shkruar një njeri shumë i urtë, në të cilin ka shkrirë mbarë urtësinë e tij, do të ishte e udhës që ai të bënte përpjekje për ta lexuar atë. Po kur në duart e tua, o njeri, gjendet një libër hyjnor, i cili vazhdon të ekzistojë në gjuhën në të cilën është shpallur, i ruajtur nga çdo mangësi e shtesë dhe i pacenuar nga deformimi dhe ndryshimi! Në të flitet për popujt e kaluar, përmban ligjet e popujve të hershëm dhe të vonshëm, si dhe sqaron cili është përfundimi i çdo qenieje të gjallë, e megjithatë ti prapëseprapë nuk i interesohesh për ta lexuar! Injorimi që njeriu i bën Kuranit dhe mungesa e interesimit që ai tregon për të, nuk e dëmtojnë aspak Kuranin fisnik, por dëmtojnë vetë atë që ia kthen shpinën atij, sepse Allahu nuk ka nevojë për krijesat. Allahu i Lartësuar thotë: "(Thuaj, jam urdhëruar) të këndoj Kuranin. Kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për të mirën e vet. Ndërsa atyre që devijojnë, thuaju: 'Unë jam vetëm paralajmërues!'' (En Neml: 92) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes. Allahu nuk ka nevojë për asgjë." (El Ankebut: 6)
Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
A është e saktë se Profeti Muhamed e ka shkruar Kuranin dhe e ka kopjuar atë nga Ungjilli (Dhiata e Re)?
Përgjigjja:
Në përgjigje të kësaj pyetjeje, themi:
Së pari: Pyetësi që ka parashtruar këtë pyetje nuk e njeh Kuranin e as Ungjillin, sepse Kurani është krejtësisht i ndryshëm nga Ungjilli, dhe Ungjilli nuk është një ungjill i vetëm, por ka ungjij të shumtë. A nënkupton pyetësi se i Dërguari i Zotit Muhamedi (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi të!), ka cituar nga Marku, Luka, Mateu apo Gjoni, ose nga letrat e Palit apo letrat e Jakovit?
Së dyti: Ungjijtë kanë kundërthënie midis tyre në shumë çështje, njëra prej të cilave është fakti se Ungjilli i Gjonit ka themeluar doktrinën se Isai (Jezusi) është biri i Zotit – i Lartësuar dhe i Pastër qoftë Allahu, nga kjo shpifje! – ndërsa tre Ungjijtë e tjerë nuk e deklarojnë të qenit e tij bir i Zotit. Po ashtu, ata kanë kundërthënie të tmerrshme edhe në lidhje me çështjen e kryqëzimit të Isait (Jezusit). Atëherë, nga cili Ungjill ka cituar i Dërguari i Zotit Muhamedi (paqja qoftë mbi të!)?
E treta: Kurani i madhërishëm saktëson dhe korrigjon disa çështje, për të cilat hebrenjtë dhe të krishterët besojnë të kundërtën. Allahu i Lartësuar thotë: "Njëmend, ky Kuran u tregon bijve të Izraelit shumë nga çështjet, për të cilat nuk pajtoheshin" [En Neml: 76] Prej këtyre çështjeve është edhe dëlirësimi i Merjemes së sinqertë nga shpifja që iu bë asaj. Allahu i Lartësuar thotë: "Mesihu, i biri i Merjemes, është vetëm një i dërguar. Edhe para tij kanë kaluar të dërguar. Nëna e tij ishte e sinqertë. Që të dy nënë e bir hanin ushqim. Shiko si ua shpjegojmë atyre shpalljet tona dhe shih si largohen nga e Vërteta!" (El Maide: 75) Po ashtu edhe çështja e zbritjes dhe e rikthimit të Mesihut (paqja qoftë mbi të!) në fund të kohës (para Kiametit); të krishterët besojnë se ai do të zbresë në cilësinë e birit të Zotit për t'i marrë në llogari njerëzit, ndërsa Kurani thekson se ai është njeri dhe profet, dhe zbritja apo rikthimi i tij paraqet një prej shenjave të Kiametit. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, ai (rikthimi i Isait) është shenjë e Orës (së Kiametit), për të cilën mos kini mëdyshje dhe ndiqmëni mua, sepse kjo është rruga e drejtë!" [Ez Zuhruf: 61]
E katërta: Kurani Madhështor ka përmendur disa çështje rreth Mesihut dhe nënës së tij (paqja qoftë mbi ta!) të cilat të krishterët nuk i njohin, si e folura e Mesihut pas lindjes së tij dhe zbritja e sofrës nga qielli. Allahu i Lartësuar thotë: "Isai, i biri i Merjemes tha: 'O Allah, o Zoti ynë, zbritna një sofër nga qielli, që të jetë festë për ne, për të parin dhe të fundmin tonë dhe të jetë mrekulli prej Teje dhe na jep mirësi, se Ti je Dhuruesi më i mirë!'." (El Maide: 114)
E pesta: Kurani i madhërishëm është i pastër nga gabimet që gjenden tek Ungjijtë, dhe i pastër nga kundërthëniet e shumta që përmban Ungjilli.
E gjashta: Pejgamberi Muhamed (paqja qoftë mbi të!) nuk dinte të lexonte dhe të shkruante, dhe kjo është theksuar në Kuranin Madhështor. Allahu thotë: "Para këtij (Kuranit), ti (Muhamed) nuk kishe lexuar kurrfarë libri e as që kishe shkruar gjë me dorën tënde; përndryshe, përgënjeshtruesit do të dyshonin." [El Ankebut: 48] Po ashtu, populli i tij ishte analfabet, leximi dhe shkrimi nuk ishin të përhapur mes tyre, librat e Ithtarëve të Librit nuk ishin në qarkullim në Mekë dhe ata nuk kishin njohuri për librat e ithtarëve të librave hyjnorë.
Pas këtij sqarimi, a mund të thotë një njeri i paanshëm: se i Dërguari i Zotit Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) e shkroi Kuranin nga Inxhili dhe e kopjoi prej tij? Ne jemi të bindur se njeriu i drejtë dhe i paanshëm, kur të lexojë përgjigjen tonë, do të gjykojë, patjetër, se parashtruesi i kësaj pyetje nuk e njihte as Kuranin e madhërishëm e as Inxhilin.
Ndërsa për sa u përket çështjeve të Ungjillit, të cilat përputhen me Kuranin e Madhërishëm, ato janë pjesë e së vërtetës, e cila i qe shpallur Mesihut (paqja qoftë mbi të!) si për shembull, urdhri për t'i thirrur njerëzit të mos i shoqërojnë Allahut ortak në adhurim. Ajo që të habit është se ata që ngrenë dyshime kundër Kuranit dhe u krijojnë iluzione të krishterëve se i dërguari i Zotit Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) e ka kopjuar Kuranin e Madhërishëm nga Ungjilli, injorojnë faktin se Ungjilli e thekson qartazi ardhjen e të dërguarit Muhamed, jep lajmin e gëzueshëm për të dhe i urdhëron ndjekësit e tij që të besojnë në të kur të vijë. Mirëpo, ata nuk i përmendin këto fakte, por përpiqen me ngulm për t'i fshehur dhe për t'i shtrembëruar ato!
***
Pyetja:
Përse Allahu ia shpalli Kuranin e madhërishëm Profetit Muhamed? A nënkupton kjo shfuqizimin e Teuratit dhe të Inxhilit? Dhe a do të thotë kjo se pasuesit e Teuratit dhe të Inxhilit nuk ishin të udhëzuar nga Allahu, ndaj Allahu ia shpalli Kuranin Profetit Muhamed?
Përgjigjja:
Pyetësit i thuhet: Përse Allahu e zbriti Teuratin, kur para tij ekzistonin fletushkat e Ibrahimit? Dhe përse e zbriti Inxhilin, përderisa para tij ekzistonte Teurati? Përgjigjja është një e vetme: Zoti ligjëron në çdo epokë atë që është e përshtatshme për njerëzit e asaj epoke. Sa u përket bazave të besimit, ato janë të njëjta sipas të gjithë profetëve; të gjithë ftuan në adhurimin e Allahut pa i shoqëruar asnjë ortak në adhurim dhe në mohimin e idhujve. Allahu ua besoi ruajtjen e Teuratit dhe të Inxhilit dijetarëve të bijve të Izraelit, mirëpo ata i shtrembëruan dhe i ndryshuan ato. Ata e dinin fare mirë se Allahu i Lartësuar do të dërgonte në fund të kohës një të dërguar, si vulë të profetësisë, i cili është profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!). Andaj, Allahu i Lartësuar i zbriti atij Librin që shfuqizon legjislacionet e mëparshme, dhe i cili është i përshtatshëm për çdo kohë e vend deri në Ditën e Kiametit, e me të cilin do të gjykojë Isai (paqja qoftë mbi të!) kur të zbresë në fund të kohës. Allahu i Lartësuar e mori Vetë përsipër ruajtjen e tij nëpërmjet shkaqeve të shumta, ndaj, sado që të përpiqen disa njerëz për ta shtrembëruar, ata veçse do të demaskohen. Për rrjedhojë, çdo hebre apo i krishterë, i cili arrin të njihet me Islamin dhe nuk hyn në të, nuk është në udhëzim. Allahu thotë: "Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të vijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!" (El Bekare: 109) I Dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se nuk ka njeri nga ky umet, qoftë hebre, qoftë i krishterë, që dëgjon për mua, e pastaj vdes pa besuar shpalljen me të cilën jam dërguar, vetëm se do të jetë banor i Zjarrit." (Shënon Muslimi, nr. 153) Me këtë umet nënkuptohet umeti i Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) pra, ata te të cilët ai është dërguar, të cilët quhen "umeti i thirrjes". Ndërsa, ata prej tyre që i besuan atij, quhen "umeti i përgjigjes". Mbi këtë bazë, gjithashtu, kushdo që ishte hebre apo i krishterë në kohën e vet, që i besoi Teuratit dhe Inxhilit në formën e tyre autentike, pa i ndryshuar e pa i shtrembëruar ata, dhe vdiq para se të dërgohej Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!), ai konsiderohet se ka qenë në udhëzim të drejtë. Kurse çdokush që e arrin Islamin dhe nuk e pranon atë, ai konsiderohet se është në devijim.
***
KAPITULLI I ISLAMIT
Pyetja:
Çfarë do të thotë Islam?
Përgjigjja:
Pyetja: Çfarë do të thotë feja e Islamit?
Përgjigjja: Islami në kuptimin e përgjithshëm do të thotë: dorëzim ndaj Allahut, përulje dhe nënshtrim vetëm ndaj Tij, me zemër dhe me vepra, si dhe ndaj ligjeve që Ai ka ligjësuar përmes profetëve të Tij. Duke zbatuar urdhrat e Tij dhe duke u larguar nga ndalesat e Tij. Ky është Islami në kuptimin e tij të përgjithshëm.
Islami është feja e të gjithë profetëve, ndonëse disa ligje të tyre ishin të ndryshme. Ai është dorëzim vetëm ndaj Zotit; andaj, kush i dorëzohet Atij dhe dikujt tjetër përveç Tij është idhujtar, ndërsa kush nuk i dorëzohet Atij është mendjemadh.
Allahu i Lartësuar thotë: "Feja e vërtetë tek Allahu është vetëm Islami..." (Ali Imran: 19)
Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur." (Ali Imran: 85)
E në hadithin e saktë përcillet nga Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) se ka thënë: "Pejgamberët janë bij të një babai të përbashkët, por të nënave të ndryshme: rregullat sheriatike i kanë të ndryshme, porse fenë të përbashkët."
Me këtë thënie është për qëllim se baza e fesë së profetëve është e njëjtë, ndonëse legjislacionet e tyre janë të ndryshme.
Ndërsa në kuptimin e veçantë, Islami është feja pas dërgimit të profetit Muhamed: pra, Islami në kuptimin e veçantë është tërësia e ligjeve dhe e normave që iu shpallën profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!); sepse shpallja që i erdhi Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) i shfuqizoi të gjitha fetë e mëparshme, prandaj ai që e pason atë është musliman, ndërsa ai që e kundërshton nuk është musliman.
Pasuesit e profetëve ishin muslimanë në kohën e profetëve të tyre; kështu, hebrenjtë ishin muslimanë në kohën e Musait (paqja qoftë mbi të!), dhe të krishterët ishin muslimanë në kohën e Isait (paqja qoftë mbi të!).
Ndërsa kur u dërgua Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!), ata nuk besuan në të e për rrjedhojë nuk janë muslimanë.
Allahu i Lartësuar ligjëron për çdo popull ato ligje që i përshtaten gjendjes dhe kohës së tij, të cilat garantojnë përmirësimin dhe ruajtjen e interesave të tij. Pastaj, Allahu shfuqizon atë që dëshiron nga ato ligje pasi të përfundojë afati i tyre, e kjo vazhdoi kështu derisa Ai dërgoi Profetin e Tij, Muhamedin, vulën e profetëve, për të gjithë njerëzit në rruzullin tokësor dhe përgjatë gjithë kohës deri në Ditën e Kiametit,
dhe i ligjëroi për të një legjislacion gjithëpërfshirës dhe të përshtatshëm për çdo kohë e vend, i cili as nuk ndryshohet e as nuk shfuqizohet; kështu që të gjithë banorëve të tokës nuk u mbetet tjetër, veçse ta pasojnë dhe t'i besojnë atij (paqja qoftë mbi të!). Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed): 'O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju...'" (El Araf: 158)
Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Ne nuk të kemi dërguar ty (o Muhamed), veçse si mëshirë për botët." (El Enbija: 107)
Me të, Zoti e përmbylli fenë islame dhe e përsosi mirësinë hyjnore, duke e bërë atë gjithëpërfshirëse dhe të përsosur për të gjitha segmentet e jetës. Kjo fe përfshin: ruajtjen e të drejtave të Allahut, zbatimin dhe përmbushjen e tyre, ruajtjen e të drejtave të njerëzve dhe respektimin e tyre, si dhe ruajtjen e të drejtave të krijesave rreth nesh. Po ashtu, ajo e obligon muslimanin që secilit t'ia japë të drejtën (hakun) që i takon.
Allahu i Lartësuar thotë: "Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj." (El Maide: 3)
Islami është fe që përputhet me shkencën, arsyen e shëndoshë dhe natyrshmërinë e pastër njerëzore, si dhe nuk bie në kundërshtim me përfundimet e sakta të shkencave të aplikuara dhe eksperimentale në të gjitha fushat.
Për të hyrë në Islam kërkohet shqiptimi i shehadetit: "Dëshmoj se nuk ka zot (që meriton të adhurohet) përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Tij", duke qenë i vetëdijshëm për kuptimin e saj, duke besuar fuqishëm në të dhe duke vepruar sipas kërkesave të saj. Gjithashtu, kërkohet besimi në Allahun, engjëjt e Tij, librat e Tij, të dërguarit e Tij, Ditën e Fundit dhe caktimin (kaderin). Si dhe që njeriu ta adhurojë Zotin e tij me adhurimet që Ai i ka ligjësuar, duke falur namazin, duke dhënë zekatin, duke agjëruar Ramazanin dhe duke kryer haxhin në Shtëpinë e Allahut, nëse ka mundësi të shkojë deri atje. Si dhe t'i nënshtrohet Allahut në të gjitha çështjet e tij të jetës, duke i zbatuar urdhrat fetare dhe duke u larguar nga ndalesat.
Paqja dhe bekimet qofshin për zotërinë tonë, Muhammedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij.
***
Pyetja:
Për çfarë nevojitet feja?
Përgjigjja:
Nevoja për fenë është më e madhe se nevoja për ushqim dhe pije. Njeriu nga natyra e tij është fetar, andaj nëse nuk udhëzohet në fenë e vërtetë, ai do të shpikë një fe tjetër për vete, ashtu siç ndodhi me fetë pagane të cilat i shpiku njerëzimi. Po ashtu, njeriu ka nevojë për siguri në këtë botë, po aq sa ka nevojë për siguri edhe në përfundimin e tij pas vdekjes.
Feja e vërtetë është ajo që u jep ndjekësve të saj siguri e qetësi të plotë në të dyja botët. Për shembull,
sikur të ecnim në një rrugë dhe të mos e dinim fundin e saj, dhe para nesh të kishim dy zgjedhje: ose të ndjekim udhëzimet që gjenden në rrugë nëpër tabela, ose të përpiqemi ta gjejmë rrugën duke hamendësuar, gjë e cila mund të na çojë në humbje dhe shkatërrim.
Nëse do të dëshironim të blinim një televizor dhe të përpiqeshim ta vinim në punë pa iu referuar udhëzimeve të përdorimit, do ta prishnim atë. Televizori i prodhuar nga e njëjta fabrikë arrin te ne me të njëjtin manual udhëzimesh që arrin në një vend tjetër, prandaj duhet ta përdorim në të njëjtën mënyrë.
Nëse një person dëshiron të komunikojë me një tjetër, për shembull, atëherë personi tjetër duhet t'i tregojë atij mënyrën e mundshme, si për shembull t'i thotë që ta kontaktojë nëpërmjet telefonit dhe jo nëpërmjet emailit, dhe ai duhet të përdorë numrin e telefonit të cilin ia jep ai personalisht, dhe nuk mund të përdorë asnjë numër tjetër.
Shembujt e mëparshëm na tregojnë se njerëzit nuk mund ta adhurojnë Allahun duke ndjekur dëshirat e tyre, sepse ata do të dëmtojnë veten e tyre në radhë të parë, para se të dëmtojnë të tjerët. Kështu, gjejmë disa popuj që, për të komunikuar me Zotin e botëve, vallëzojnë dhe këndojnë nëpër faltore, ndërsa disa popuj të tjerë duartrokasin për të zgjuar Zotin, sipas besimit të tyre. Ka prej tyre që e adhurojnë Allahun duke marrë ndërmjetës, dhe imagjinojnë se Allahu vjen në formën e një qenieje njerëzore ose të një guri. Allahu dëshiron të na mbrojë nga vetvetja jonë kur adhurojmë atë që nuk na sjell dobi e as nuk na bën dëm, por përkundrazi, bëhet shkak për shkatërrimin tonë në botën tjetër. Adhurimi i dikujt tjetër së bashku me Allahun konsiderohet gjynahu më i madh, dhe dënimi për të është qëndrimi i përhershëm në Zjarr. Prej madhështisë së Allahut është se Ai ka vendosur për ne një sistem, të cilin duhet ta ndjekim të gjithë, për të rregulluar marrëdhënien tonë me Të dhe marrëdhënien me ata që na rrethojnë, e kjo është ajo që quhet "fe".
***
Pyetja:
Si bëhet njeriu musliman?
Përgjigjja:
Hyrja në Islam nuk kërkon nga ai që dëshiron të hyjë në të, të shkojë medoemos në xhami apo te ndonjë dijetar. Përkundrazi, gjithçka që duhet të bëjë ai që dëshiron të hyjë në Islam është të thotë: “Dëshmoj se nuk ka të adhuruar përveç Allahut dhe dëshmoj se Muhamedi është i Dërguari i Allahut”, duke besuar në kuptimin e saj, që është se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe duke qenë i bindur në të, si dhe duke u distancuar nga të gjitha adhurimet dhe fetë e tjera. Gjithashtu, të besojë me zemër në Allahun e Lartësuar, se Ai është Zoti, Pronari i çdo gjëje dhe se Ai vepron në gjithësi si të dojë. Të besojë në engjëjt, se ata janë krijesa që i binden Allahut të Madhëruar. Të besojë në librat që Allahu u ka zbritur profetëve të Tij (paqja qoftë mbi ta!) si Teurati dhe Inxhili, dhe se Kurani i ka shfuqizuar ata dhe se Kurani është libri që i ka zbritur Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Po ashtu të besojë në të gjithë profetët në mënyrë të përgjithshme, ndër ta edhe në Isain (paqja qoftë mbi të!) që është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij, të cilin Ai e krijoi me fjalën e Tij “Bëhu!” dhe ai u bë. Kjo sidomos nëse personi në fjalë është i krishterë. Të besojë se Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) është vula e profetëve dhe të dërguarve, dhe se pas tij nuk ka më profet apo të dërguar tjetër, dhe se sheriati i tij i ka shfuqizuar të gjitha legjislacionet e mëparshme. Gjithashtu të besojë në Ditën e Fundit, që nënkupton gjithçka të fshehtë që lidhet me jetën pas vdekjes: dënimin, shpërblimin, ringjalljen dhe Ditën e Gjykimit, e cila është dita e llogarisë dhe shpërblimit. Të besojë në kaderin (caktimin hyjnor), se çdo gjë që ndodh në univers, Allahu e di hollësisht para se të ndodhë, e ka shkruar në Leuhi Mahfudh, dhe nuk ndodh veçse me dijen, vullnetin dhe krijimin e Tij. Pastaj të mësojë gradualisht rregullat e Islamit, si pastërtinë, namazin dhe largimin nga gjërat e ndaluara.
***
Pyetja:
A duhet të fal namazin sapo të pranoj Islamin?
Përgjigjja:
Po, muslimani e ka për obligim faljen e namazit kur të hyjë në Islam, ngase namazi është shtylla e dytë e Islamit, si dhe është obligim i Allahut për të gjithë pejgamberët dhe të dërguarit (paqja dhe shpëtimi qofshin mbi ta!) dhe për pasuesit e tyre deri në Ditën e Kiametit. Muslimani e ka për obligim që, kur të hyjë në Islam, t'i falë pesë namazet në kohët e tyre; ngase namazi për besimtarët është obligim në kohë të caktuara. Allahu i Lartësuar thotë: "Pa dyshim, namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar." (En Nisa: 103) Namazi është urdhri i dytë me të cilin Allahu e ngarkoi Musain (paqja qoftë mbi të!) kur i foli atij. Për këtë Allahu i Lartësuar thotë: "Kur arriti te zjarri, një zë e thirri: 'O Musa! Në të vërtetë, Unë jam Zoti yt! Prandaj, hiqi nallanet, sepse ndodhesh në luginën e shenjtë të Tuvasë! Unë të kam zgjedhur ty, prandaj dëgjo atë që po të shpallet! Me të vërtetë, Unë jam Allahu, s’ka zot tjetër përveç Meje, vetëm Mua më adhuro dhe kryej faljen për të më kujtuar Mua!'." [Taha: 11-14] Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë: "Ne i shpallëm Musait dhe vëllait të tij: 'Ndërtoni shtëpi për popullin tuaj në Egjipt, shndërrojini ato në faltore dhe falni namazin! Dhe përgëzoji besimtarët!" [Junus: 87]
Namazi ka fryte dhe efekte të mëdha, ndër më të rëndësishmet e të cilave është se ai e ndihmon njeriun të jetë i qëndrueshëm dhe të largohet nga paturpësitë dhe gjynahet. Allahu i Lartësuar thotë: "Lexo (o Muhamed) atë që të është zbritur ty prej Librit (Kuranit) dhe fale namazin! Vërtet namazi të ruan nga shthurja dhe nga çdo vepër e shëmtuar dhe vërtet përmendja e Allahut është më e madhja! Allahu di gjithçka që ju bëni!" [El Ankebut: 45]
Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
Jam katërmbëdhjetë vjeç dhe mendoj se familja ime nuk do të pajtohet me mua që unë ta pranoj Islamin?
Përgjigjja e kësaj pyetjeje përfshin disa aspekte:
Së pari: vendimi i njeriut për të zgjedhur rrugën e profetëve dhe të dërguarve (paqja dhe bekimet qofshin mbi ta!) është vendimi më madhështor, sepse në të gjendet kënaqësia e Allahut, si dhe suksesi në këtë botë dhe në tjetrën. Andaj, çdo njeri që e respekton qenien e tij njerëzore dhe intelektin e tij, duhet të çlirohet nga robëria e epsheve dhe nga prangat e shoqërisë, të cilat e pengojnë atë në rrugëtimin drejt Allahut, si dhe të besojë në ato gjëra që mendja e shëndoshë, natyrshmëria e pastër dhe shpallja e saktë dëshmojnë se janë të vërteta.
Së dyti: çështja më e rëndësishme është që të jesh plotësisht i bindur se patjetër duhet të përqafosh Islamin; sepse shpëtimi yt nga dënimi në jetën tjetër varet nga kjo, dhe të jesh i vendosur e të mos kesh asnjë hezitim në marrjen e këtij vendimi.
Së treti: prit rezultatet më të mira të mundshme dhe bëj një plan për më të keqen e mundshme, ngase mundet që familja jote të pajtohet me ty dhe të thotë: “Bëj çfarë të duash” ose “je i lirë” etj? A nuk është kjo ajo që të intereson dhe a nuk është kjo një mundësi që ekziston? Patjetër, por shejtani gjithmonë përpiqet të të pengojë nga Islami me mendime negative dhe propabilitete të tilla. E çfarë nëse nuk pajtohen me këtë? A mendon se zgjidhja e duhur është të qëndrosh në gjendjen ku je, pasi ke kuptuar se është gabim? Përgjigjja është jo. Andaj, duhet të mendosh për zgjidhjen e duhur, dhe çdo person ka rrethanat e tij kohore dhe vendore që i përshtaten. Kush e ka të përshtatshme ta mbajë të fshehtë përqafimin e Islamit, mund ta mbajë të fshehtë dhe kjo nuk prish punë, në dashtë Allahu, ndërsa për dikë tjetër mund të jetë më e përshtatshme dhe më e mirë që ta shpallë hapur përqafimin e Islamit.
Së katërti: nëse është mundësia, pas pranimit të Islamit, të qëndrosh me familjen tënde dhe të përpiqesh t’i ftosh ata në Islam, atëherë kjo është zgjidhja më e mirë. Dhe nëse ti e vlerëson se kjo nuk është e përshtatshme për fenë tënde dhe se ti mund të jetosh i pavarur, atëherë je i detyruar ta bësh këtë. Islami nuk të urdhëron të braktisësh familjen tënde apo të shkëputësh marrëdhëniet me ta, edhe nëse ndahesh prej tyre, duke vazhduar t'i lutesh Allahut për udhëzimin e tyre. Përkundrazi, Islami të urdhëron t’u bësh mirë dhe t’i respektosh prindërit dhe familjen, edhe nëse ata nuk bëhen muslimanë.
Së pesti: njeriu është i fortë me vëllezërit e tij dhe i dobët kur është vetëm. Prandaj është mirë për ty të mbash lidhje me ata muslimanë që mund të qëndrojnë pranë teje dhe të të mbështesin.
***
Pyetja:
Çfarë duhet të bëjë muslimani që ka pranuar Islamin, ndërkohë që gruaja e tij nuk e ka pranuar?
Përgjigjja:
Nëse bashkëshortja e tij është hebreje ose e krishterë, atëherë nuk ka asnjë problem për vazhdimin e martesës. Allahu i Lartësuar thotë: "Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato, e jo duke bërë kurvëri, as duke i marrë për dashnore. Kushdo që mohon besimin, veprat e tij do të zhvlerësohen dhe në jetën tjetër ai do të jetë i dështuar." (El Maide: 5) Ndërkaq, ai duhet të përpiqet ta ftojë atë në Islam dhe të lutet për të, me shpresë që Allahu ta udhëzojë. Nëse gruaja e tij nuk është prej ithtarëve të Librit, atëherë martesa prishet sapo burri pranon Islamin. Ai mund të presë për pak kohë, me shpresë që Allahu ta udhëzojë atë në Islam, por mes tyre nuk mund të ketë marrëdhënie intime derisa ajo të pranojë Islamin.
***
Pyetja:
Një grua e pranoi Islamin para burrit të saj, a është e vlefshme martesa e tyre?
Përgjigjja:
Nëse burri i saj, me të cilin ka pas kryer marrëdhënie intime, e pranon Islamin para se të përfundojë periudha e saj e pritjes, atëherë martesa e tyre është e vlefshme. Periudha e pritjes është tri periudha menstruacionesh, nëse është nga ato femra që u vijnë menstruacionet, ose tre muaj, nëse është nga ato që nuk i vijnë menstruacionet. E nëse përfundon periudha e saj e pritjes dhe ai nuk e pranon Islamin, atëherë martesa prishet. E nëse burri i saj nuk ka kryer ndonjëherë marrëdhënie intime me të, atëherë ata ndahen me vetë pranimin e Islamit nga ana e saj, dhe me këtë prishet dhe martesa e tyre.
***
Pyetja:
E di që Islami është feja e vërtetë, por megjithatë po gjej vështirësi të lë fenë me të cilën jam rritur, megjithëse në të vërtetë nuk besoj në të.
Përgjigjja:
Kjo njohuri është hapi i parë drejt udhëzimit, me lejen e Allahut. Në të vërtetë, njeriu i bën padrejtësi vetvetes dhe arsyes së tij kur e sheh të vërtetën të qartë si dielli, dhe të pavërtetën të errët si nata, por megjithatë i mbyll sytë ndaj të vërtetës dhe qëndron në errësirë. Njeriu që respekton humanizmin e tij refuzon të jetojë në një fe për të cilën e di me bindje të plotë se është e pavërtetë, vetëm pse është mësuar me të që në fëmijëri, dhe të lërë fenë e drejtë, fenë e Allahut që Ai e ka zgjedhur për Veten e Tij dhe me të cilën i ka ngarkuar të Dërguarit e Tij për t'ua përcjellë njerëzimit. Mendja e shëndoshë dhe vendimi i drejtë kërkon që njeriu të kthehet te e vërteta që e sheh, dhe të lërë të pavërtetën për të cilën është i bindur se është e pavërtetë. Dhe duhet ta dijë se suksesi dhe shpëtimi në këtë botë dhe në botën tjetër janë për ata që besojnë në Allahun dhe i besojnë të dërguarit të Tij. Dhe le ta dijë se humbja, shkatërrimi dhe dështimi në të dy botët janë për ata që mohojnë Allahun dhe ndjekin rrugën e shejtanëve.
Pastaj të themi ty se kjo njohuri që ke arritur është e shkëlqyer dhe me vlerë; por nuk të sjell dobi nëse nuk të çon në hyrjen në Islam. Andaj, këshilla jonë për ty është si vijon:
Së pari: drejtoju me zemrën tënde Allahut të Lartësuar, Zotit të botëve, dhe kërko prej Tij që të ta hapë zemrën për të vërtetën. Së dyti: mendo për fatin tënd nëse do të vdisje para se të hyje në Islam. Kjo vështirësi dhe ky mundim në marrjen e vendimit nuk krahasohen me vështirësinë që do të përjetojë njeriu pas vdekjes nëse e refuzon Islamin. Njeriu i mençur është ai që mendon për pasojat. Së treti: medito dhe përcakto çfarë është ajo që po të duket e vështirë dhe që po të pengon të hysh në Islam, dhe kërko një zgjidhje për të. Së katërti: ndrysho sa të mundesh shoqërinë që të rrethon, në mënyrë që, me lejen e Allahut, të të lehtësohet marrja e vendimit të drejtë.
***
Pyetja:
Sipas besimit islam, familja ime jomuslimane nuk do të hyjë në Xhenet në botën tjetër. A është e vërtetë kjo?
Përgjigjja:
I lëvduar qoftë Allahu! Lexuesi duhet të dijë se çështja e përfundimit të njeriut në jetën tjetër i përket Allahut; kjo sepse Allahu është Sunduesi i qiejve dhe i Tokës dhe i gjithçkaje që ndodhet në to. Atij i takojnë lëvdatat në çdo rast! Ai thotë: "I lëvduar qoftë Allahu, të Cilit i përket gjithçka që ndodhet në qiej dhe në Tokë! Atij i përket lavdia edhe në jetën tjetër! Ai është i Gjithëdijshëm dhe i Urtë." (Sebe: 1) Atij i përket gjykimi dhe tek Ai do të kthehen të gjitha krijesat, të mirët dhe mëkatarët, besimtarët dhe jobesimtarët. Ai thotë: "Ai është Allahu! S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij! Atij i takojnë falënderimet dhe lavdërimet në këtë jetë dhe në tjetrën! Vetëm Atij i përket vendimi dhe tek Ai do të ktheheni." (El Kasas: 70) Allahut i përket pushteti absolut dhe Ai është Zotëruesi i Ditës së Gjykimit, pra nuk ka rregullues tjetër bashkë me Të, e as mbrojtës dhe as ndërmjetësues përveçse me lejen e Tij. Ai thotë: "Sunduesi i Ditës së Gjykimit." [El Fatiha: 4] Nëse u kuptua kjo, atëherë kemi kuptuar me bindje të plotë se Allahu i ka krijuar njerëzit me natyrshmërinë e njohjes së hyjnitetit të Tij, u ka dërguar të dërguar dhe u ka zbritur libra, dhe u ka dhënë dëgjimin, shikimin dhe zemrat, që argumenti të jetë i qartë kundër krijesave. Ai ua ka sqaruar njerëzve se qëllimi i krijimit të tyre është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i shoqërojnë asgjë në adhurim. Gjithashtu, Ai i ngarkoi të dërguarit e Tij (paqja qoftë mbi ta!) që t’i paralajmërojnë njerëzit nga dënimi i Allahut, t’i frikësojnë nga përfundimi i keq dhe t’u japin lajmin e gëzueshëm për një Xhenet, gjerësia e të cilit është sa qiejt dhe toka. Nuk ka pasur asnjë profet veçse e ka përgëzuar popullin e tij dhe i ka paralajmëruar ata. Allahu i Lartësuar ka thënë: "(Ne çuam) të dërguar si përgëzues e paralajmërues, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim ndaj Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Njëmend Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm." (En Nisa: 165) Allahu i Lartësuar e ka bërë të qartë se përfundimi i njerëzve në Ditën e Kiametit nuk del jashtë këtyre dy grupeve dhe dy përfundimeve. Ai ka thënë: "Dhe kështu pra, Ne të kemi shpallur ty një Kuran në gjuhën arabe, për të paralajmëruar popullin e Mekës dhe ata rreth saj; për t’i paralajmëruar ata për Ditën, e cila do të vijë me siguri: kur të gjithë njerëzit do të tubohen, disa në Xhenet e disa në Xhehenem." (Esh Shura: 7) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Pa dyshim, në këto (ngjarje) ka këshillë për atë që i druhet dënimit të Ditës së Gjykimit. Ajo është Dita në të cilën do të tubohen të gjithë njerëzit; ajo është Ditë e dëshmuar. Ne e shtyjmë atë vetëm që të plotësohet afati i caktuar. Kur të vijë ajo ditë, njeriu nuk mund të flasë vetëm se me lejen e Tij. Disa prej tyre do të jenë të mjerë e disa fatlumë. Ata që do të jenë të mjerë, do të hyjnë në zjarr, ku do të kenë veç rënkime e vajtime. Aty do të mbeten përgjithmonë, derisa të jenë qiejt dhe Toka, veç çfarë të dojë Zoti yt. Me të vërtetë, Zoti yt bën atë që do. Kurse fatlumët, do të hyjnë në Xhenet, ku do të qëndrojnë përgjithmonë, derisa të jenë qiejt dhe Toka, veç çfarë të dojë Zoti yt. Aty do të kenë mirësi të pandërprerë." [Hud: 103-108]
Kjo është një çështje për të cilën janë pajtuar njëzëri profetët dhe të dërguarit (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) dhe e ka theksuar fuqishëm vula e të dërguarve. Muadh ibn Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë: "Teksa isha ulur mbrapa Profetit (paqja qoftë mbi të!) dhe mes meje dhe tij nuk kishte asgjë tjetër përveç pjesës së pasme të samarit, ai më tha: 'O Muadh i biri i Xhebelit!' Unë i thashë: 'Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!' Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: 'O Muadh!' I thashë: 'Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!' Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: 'O Muadh!' I thashë: 'Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!' Ai më pyeti: 'Vallë, e di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?' I thashë: 'Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.' Ai tha: 'E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë.' Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: 'O Muadh i biri i Xhebelit!' I thashë: 'Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!' Atëherë më pyeti: 'Vallë, e di cila është e drejta e njerëzve ndaj Allahut, nëse ata e bëjnë këtë?' I thashë: 'Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.' Ai tha: 'E drejta e njerëzve ndaj Allahut është të mos i dënojë ata!'." [E shënojnë Buhariu dhe Muslimi, nga hadithi i Muadhit: Buhariu (5967) dhe Muslimi (48)] Xhabiri ka thënë: "Një burrë erdhi te Profeti (paqja qoftë mbi të!) dhe i tha: 'O i Dërguari i Allahut! Cila është veçoria që e fut njeriun në Xhenet dhe cila është që e fut në Zjarr?' Ai iu përgjigj: 'Ai që vdes pa i shoqëruar Allahut asgjë, do të hyjë në Xhenet. Ndërsa ai që vdes duke i shoqëruar Allahut ndonjë gjë, do të hyjë në Zjarr.'." [Sahihu i Muslimit, nr. 151].
Pra, ky gjykim dhe përfundim nuk është shpikje e muslimanëve, por, siç e keni parë dhe mësuar, është një gjykim hyjnor. Andaj, nuk është muslimani ai që gjykon se këta janë në Xhenet dhe ata në Xhehenem, por Ai të cilit i takon gjykimi në këtë botë dhe në botën tjetër është Allahu.
Detyra e njeriut, nëse Allahu e ka udhëzuar në Islam, është që të përpiqet në thirrjen e prindërve dhe të afërmve të tij në Islam, me shpresë që Allahu t’i udhëzojë ata në fenë islame, e cila është rruga e drejtë e Allahut dhe rruga e të dërguarve (paqja qoftë mbi ta!). Ndërsa, nëse familja jote ka vdekur pa qenë në Islam, atëherë shpresojmë që atyre të mos u ketë arritur thirrja islame. Kushdo që vdes dhe nuk i ka arritur thirrja islame, e as nuk ka ditur për të, Allahu nuk i bën atij padrejtësi. Përkundrazi, në Ditën e Kiametit, kur Allahu t'i ringjallë mbarë krijesat, Ai do ta sprovojë dhe vërë në provë këdo që nuk i ka arritur thirrja islame; nëse ai e pranon, hyn në Xhenet. I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) thotë: "Në Xhenet nuk hyn askush tjetër përveç shpirtit musliman!" [Transmetuan Buhariu (6528) dhe Muslimi (221)] Ndërsa nëse nuk bindet dhe tregohet mendjemadh, Allahu e shpie në Zjarr për shkak të mendjemadhësisë, kokëfortësisë dhe mosbesimit të tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin.
***
Pyetja:
A e mbështet Islami konceptin e ndarjes klasore?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut! Me sistemin klasor nënkuptohet ndarja e njerëzve në klasa sipas pasurisë, racës ose pozitës, në atë mënyrë që njeriu nuk mund ta ndryshojë klasën e tij. Ndërsa Islami e konsideron sistemin klasor si një prej mbetjeve të periudhës së injorancës.
Islami e ndalon ekzistencën e klasave mes mUslimanëve, sepse Allahu i krijoi njerëzit prej një mashkulli dhe një femre për ta njohur njëri-tjetrin, e jo për t'i bërë padrejtësi njëri-tjetrit. Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri-tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë." [El Huxhurat: 13]
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka sqaruar se prejardhja nuk e ngre njeriun thjesht për shkak të vetë prejardhjes, por atë e ngre vepra e tij dhe e mira që ka ofruar në dobi të njerëzve. Ai (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Atë që e lënë prapa veprat e tij, nuk e çon përpara prejardhja e tij!" [Sahihu i Muslimit (38)]
Sa i përket ekzistimit të dallimeve mes njerëzve për shkak të pasurisë, pozitës etj, ato në vetvete as nuk janë të lavdërueshme e as të qortueshme. Por, ato bëhen të lavdërueshme nëse njeriu autoritetin, postin dhe pasurinë që ia ka dhënë Allahu e vë në shërbim të bindjes ndaj Allahut dhe në shërbim të njerëzve, dhe bëhen të qortueshme nëse ai kundërshton Zotin e tij, tregohet mendjemadh ndaj njerëzve, i shtyp dhe u bën padrejtësi atyre për shkak të kësaj. Përndryshe, dallimi mes njerëzve në të mirat e kësaj bote është një ligj universal të cilin Allahu e ka dashur për mbarëvajtjen e jetës në tokë. Allahu i Lartësuar ka thënë: "Vallë, a mos janë ata që e ndajnë mëshirën e Zotit tënd? Jemi Ne ata që ua ndajmë njerëzve mjetet e jetesës në këtë botë, duke i ngritur në shkallë disa më lart mbi të tjerët, me qëllim që disa t’u shërbejnë të tjerëve. Mëshira e Zotit tënd është më e mirë nga ajo që grumbullojnë ata. Dhe, sikur njerëzit të mos ishin një bashkësi e vetme, Ne do t’i bënim prej argjendi çatitë e shtëpive të atyre që nuk besojnë në të Gjithëmëshirshmin, madje edhe shkallët nëpër të cilat ngjiten. Edhe dyert e shtëpive të tyre, edhe divanet në të cilat mbështeten. Dhe (do t’u jepnim) stoli prej ari. Por të gjitha këto janë vetëm kënaqësi të kësaj jete, kurse jeta tjetër te Zoti yt është për punëdrejtët që ruhen (nga gjynahet dhe nga dënimi i Allahut)." [Ez Zuhruf: 32-35]
Allahu na e ka sqaruar se ky dallim në çështjet materiale është pjesë e planifikimit të Tij. Shejh Abdurrahman es Sa'di (Allahu e pastë mëshiruar!) ka thënë: "Allahu i Madhërishëm na njofton se jeta e kësaj bote nuk ka asnjë vlerë tek Ai, dhe se, sikur të mos ishte mirësia dhe mëshira e Tij ndaj robërve, mbi të cilat Ai nuk vë asgjë tjetër, Ai do t'ua shtonte pa masë të mirat e kësaj bote jobesimtarëve dhe do të bënte që shtëpitë e tyre të kishin çati prej argjendi dhe shkallë prej argjendi nëpër të cilat do të ngjiteshin në çatitë e tyre. Pra, do t'ua zbukuronte atyre jetën e kësaj bote me lloje të ndryshme të stolive dhe do t'u jepte gjithçka që dëshirojnë. Mirëpo, a nuk e bëri këtë nga mëshira që Ai ka për robërit e Tij dhe për arsye se ata do të nxitonin drejt mosbesimit dhe shtimit të mëkateve për shkak të dashurisë për këtë botë. Kjo është dëshmi se Ai i privon robërit nga disa të mira të kësaj bote, qoftë përmes ndalimit të diçkaje në mënyrë të përgjithshme apo të veçantë, për dobinë e tyre. Dhe se kjo botë tek Allahu nuk peshon as sa një krah i mushkonjës, dhe se të gjitha këto që u përmendën janë vetëm kënaqësi kalimtare e jetës së kësaj bote, të mangëta, të turbullta e të përkohshme. Ndërsa bota tjetër tek Allahu i Madhërishëm është më e mirë për ata që i ruhen Zotit të tyre, duke i zbatuar urdhrat e Tij e duke iu shmangur ndalesave të Tij; kjo, ngase begatia e saj është e plotë dhe e përsosur në çdo aspekt. Në parajsë ka gjithçka që ua dëshiron shpirti dhe u kënaqet syri, dhe aty ata janë të amshueshëm. Sa i madh që është dallimi mes këtyre dy botëve!" Tefsiri i Sadit, Tejsirul Kerimi er Rahman (fq. 765).
Islami nuk synon të zhdukë dallimet mes njerëzve në të pasur dhe të varfër, duke i bërë që të gjithë të pasur ose të varfër, por ka urdhëruar që i pasuri t'i dalë në ndihmë të varfërit. Ndërkaq, lufta kundër dallimeve të zakonshme natyrore në mes njerëzve dhe përpjekja për t'i zhdukur ato, është në kundërshtim me ligjet e gjithësisë. Kësisoj, Islami ka parashtruar një qasje të drejtë ndaj kësaj çështjeje. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin tonë, Muhamedin!
***
Pyetja:
Cili është koncepti i mesatarisë në Islam?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Mesatarja në Islam është qëndrimi midis dy devijimeve: ekstremizmit dhe neglizhencës. Islami është rruga e mesme ndërmjet shpërfilljes dhe guximit të tepruar të hebrenjve ndaj Allahut, të cilët thanë: “Allahu është i varfër, ndërsa ne jemi të pasur”, si dhe ndaj profetëve, ku një pjesë i përgënjeshtruan e një pjesë i vranë. Si dhe ndërmjet ekstremizmit të të krishterëve, të cilët e hyjnizuan Mesihun (paqja qoftë mbi të!) dhe i quajtën dijetarët e murgjit e tyre zota përveç Allahut.
Së pari: të qenët i ekuilibruar në Islam është e përgjithshme dhe gjithëpërfshirëse; ai shfaqet edhe në të drejtat dhe detyrimet ndaj të tjerëve, në kuptimin që t'i japësh secilit të drejtën që i takon, edhe nëse të kundërshton në fenë tënde, ose armiqësohet me ty. Allahu i Lartësuar thotë: "O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju!" (El Maide: 8)
Dhe nuk është si te hebrenjtë, të cilët thonë: “Ne nuk kemi kurrfarë përgjegjësie ndaj analfabetëve”, e as si te të krishterët, të cilët thonë: “Nëse dikush të godet në faqen e djathtë, ktheja edhe të majtën”. Megjithatë shumica e tyre nuk e zbatojnë këtë, por përkundrazi i dhunojnë njerëzit dhe ua grabisin të mirat e tyre.
Po ashtu, mesatarja nënkupton rrugën e mesme dhe drejtësinë. Islami, në çdo aspekt, është një e mirë midis dy të këqijave. Nga muslimani kërkohet të jetë i balancuar: të mos e teprojë e as të mos neglizhojë; ta zbatojë rregullin e të qenit i ekuilibruar në vetvete, në punën dhe përgjegjësitë që ka marrë përsipër, si dhe në fjalët e veprat e tij. Prej këtyre aspekteve është se Islami ka marrë parasysh nevojën e shpirtit përmes adhurimeve, pastrimit të shpirtit dhe gjërave të ngjashme, si dhe ka marrë parasysh nevojën e trupit duke rregulluar marrëdhëniet, ushqimin dhe pijen, duke nxitur martesën dhe duke ndaluar murgërinë; shkëputjen nga shoqëria dhe përkushtimin ndaj adhurimit dhe lënien e martesës. Disa njerëz i kanë dhënë përparësi anës shpirtërore duke e neglizhuar trupin, ndonëse adhurimet kryhen pikërisht përmes trupit. Ata lanë pas dore pastrimin dhe higjienën, e detyruan veten të veshin rroba të ashpra dhe të hanë ushqime që nuk u përshtaten, duke e tepruar në adhurim, duke u izoluar nga njerëzit dhe duke kundërshtuar natyrshmërinë njerëzore; siç ndodh me murgjit e të krishterëve, disa budistë e hinduistë, si dhe ekstremistët e sufive. Në anën tjetër, ka njerëz që i japin përparësi trupit dhe i neglizhojnë nevojat e shpirtit. Ata jetojnë vetëm për epshet dhe dëshirat e tyre, pa iu përmbajtur ligjit hyjnor dhe pa u interesuar për adhurimin.
Së dyti: Islami e lejon marrëdhënien me jobesimtarët përmes shitblerjes, dhuratave dhe gjërave të ngjashme. Ai urdhëron që ata të trajtohen me drejtësi dhe ndalon dëmtimin e tyre jashtë gjendjes së luftës, duke mos u ndikuar njëkohësisht nga besimet dhe zakonet e tyre, si dhe duke ndaluar miqësinë e zemrës ndaj tyre. Disa njerëz vrasin këdo që i kundërshton në fe dhe nuk e durojnë ekzistencën e tyre, duke u bërë padrejtësi vetëm pse nuk janë në fenë, rrugën apo ideologjinë e tyre. Në anën tjetër, ka prej tyre që heqin dorë nga feja e tyre për hir të jobesimtarëve dhe u binden atyre në mëkat ndaj Allahut, për t’u afruar me ta ose për ndonjë interes, pa e ditur se ata në këtë mënyrë vetëm sa e përçmojnë atë. Kështu ai nuk fiton as fenë dhe as dynjanë.
Së treti: Islami predikon besimin në Allahun e Lartësuar, në emrat, cilësitë dhe veprat e Tij pa i përngjasuar ato me krijesat. Disa njerëz kanë besim ateist dhe mohojnë ekzistencën e Allahut me gjuhët e tyre, edhe pse në zemër mund të jenë në kundërshtim me atë që thonë. Disa të tjerë e konsiderojnë Atë si inekzistent, duke mos i pohuar asnjë cilësi apo veprim; këta dhe të ngjashmit e tyre bien në mohimin e cilësive hyjnore (ta‘ṭīl). Në anën tjetër, disa njerëz besuan se çdo gjë është vetë Allahu, ndërsa të tjerë ia atribuuan hyjnitetin disa krijesave si engjëjt, Mesihut (paqja qoftë mbi të!), apo edhe gjërave më të ulëta si idhujt dhe pemët. Madje disave prej tyre u dhanë emra të derivuar nga emrat e Allahut. Këta dhe të ngjashmit e tyre ranë në përngjasim dhe devijim (temthīl).
Së katërti: Islami ka pohuar kaderin (caktimin hyjnor), dhe se çdo gjë që ndodh në këtë univers ndodh me vullnetin e Allahut të Lartësuar. Çdo gjë që ndodh sipas asaj që Ai ka urdhëruar, Ai e do dhe është i kënaqur me të. Njeriu ka gjithashtu vullnetin e tij, por veprimet e tij të vullnetshme nuk dalin jashtë vullnetit të Allahut të Lartësuar.
Disa njerëz thonë se njeriu është i detyruar në veprimet e tij dhe nuk ka vullnet, ndërsa në anën tjetër ka prej atyre që thonë se njeriu e krijon vetë veprën e tij dhe se ajo nuk është me dëshirën dhe vullnetin e Allahut.
Së pesti: Islami është rrugë e mesme në fushën e ekonomisë, ndërmjet socializmit dhe kapitalizmit.
Së gjashti: Islami ka realizuar drejtësinë dhe mesatarinë në të gjitha çështjet: në marrëdhënien me Allahun e Lartësuar, në marrëdhënien me njerëzit dhe në marrëdhënien e njeriut me vetveten. Mund të gjesh disa aspekte të këtyre vlerave edhe jashtë Islamit, por jo në mënyrë të plotë dhe gjithëpërfshirëse. Kjo sepse Islami është feja e Allahut të Lartësuar, të cilën Ai e ka pëlqyer dhe me të ka vulosur fetë, duke e bërë të përshtatshme për çdo kohë, vend dhe njeri. Është e pamundur për mendjet njerëzore të kapin në mënyrë të plotë urtësinë dhe fundin e tij, dhe Ai nuk pranon nga askush fe tjetër përveç tij. Paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin.
***
Pyetja:
Cilët janë shembujt e tolerancës në Islam?
Përgjigja:
Falënderimi i takon Allahut. Toleranca islame është toleranca më e lartë dhe më e përsosur që ka njohur njerëzimi. Sinonimi i fjalës tolerancë në Sheriat është fjala lehtësim. Lehtësimi në Islam shfaqet në shumë aspekte, si për shembull:
Lehtësimi që Allahu ka vendosur në adhurimet e sheriatit islam, kësisoj, ai nuk ishte një sheriat me adhurime dhe ligje të rënda dhe të mundimshme siç ishin disa prej sheriateve të mëparshme. Allahu i Lartësuar ka thënë: "Atë që ndjekin të Dërguarin, Profetin që nuk di shkrim e lexim, të cilin ata do ta gjejnë të shënuar në shkrimet e tyre, në Teurat dhe Ungjill. Ai do t’i urdhërojë ata të bëjnë vepra të mira dhe do t’i ndalojë nga të këqijat; do t’ua lejojë gjërat e mira e do t’ua ndalojë gjërat e pista, duke i liruar nga barra e rëndë dhe vështirësitë që kanë pasur." (El Araf: 157) Bie fjala, në legjislacionet e mëparshme besimtari nuk e falte namazin askund tjetër përveçse në vendet e adhurimit, ndërsa në këtë fe muslimanit i lejohet të falet në çdo vend ku e zë koha e namazit, qoftë në ajër, në det apo në tokë. Po ashtu, në legjislacionet e mëparshme gjendja e papastërtisë nuk mund të largohej me asgjë tjetër përveç ujit, ndërsa në Islam Allahu ligjësoi tejemumin si mëshirë, po ashtu edhe rasti i shkurtimit të namazit dhe çeljes së agjërimit gjatë udhëtimit apo sëmundjes.
Prej formave të lehtësimit dhe tolerancës në Islam është se Allahu e ligjëroi pendimin për mëkatarin me anë të kërkimit të faljes, ndërsa pendimi i bijve të Israilit ishte që të vrisnin njëri-tjetrin në mënyrë që Allahu t'ua pranonte pendimin. Allahu i Lartësuar thotë: "Përkujto kur Musai i tha popullit të vet: 'O populli im, ju vetëm vetes i bëtë keq, kur e adhuruat viçin si zot! Prandaj kthehuni të penduar te Krijuesi juaj dhe vritni njëri-tjetrin! Kjo është më mirë për ju në sy të Krijuesit tuaj. Ai jua fali gabimin, sepse Ai i pranon shumë pendimet dhe është Mëshirëploti!'." [El Bekare: 54]
Ndërsa në Islam, nëse njeriu pendohet, Allahu ia pranon pendimin dhe ia ndërron veprat e këqija në të mira. I Madhërishmi thotë: "Dhe ata që, pos Allahut, nuk adhurojnë zot tjetër, nuk vrasin njeri, gjë që Allahu e ka ndaluar, përveçse me të drejtë dhe që nuk bëjnë kurvëri. E kush i bën këto, do të marrë gjynahe. Ndëshkimi do t’i dyfishohet në Ditën e Kiametit dhe ai do të qëndrojë përherë në këtë fatkeqësi i poshtëruar. Përjashtim bën ai që pendohet, beson dhe punon vepra të mira. Një njeriu të tillë Allahu ia ndërron veprat e këqija në të mira. Allahu është Falës e Mëshirëplotë. Kështu, ai që pendohet dhe bën vepra të mira, konsiderohet që ka bërë pendim të plotë tek Allahu." [El Furkan: 68-71]
Prej formave të lehtësimit është edhe ajo që përmendet në fjalën e Pejgamberit (paqja qoftë mbi të!): "Ai që bën mirë në Islam, nuk do të merret në llogari për veprat e periudhës paraislame, ndërsa ai që bën keq në Islam, do të merret në llogari edhe për të parat, edhe për të fundit." [Transmetuan Buhariu (6921) dhe Muslimi (120)]
Fjala "ai që bën keq" në hadith nënkupton braktisjen e fesë dhe jo përsëritjen e mëkatit. Nëse ai e braktis Islamin, do të merret në llogari për të gjitha. Ndërsa nëse i rikthehet një mëkati pa e braktisur fenë, ai do të merret në llogari për atë mëkat që e ka përsësritur pasi ka hyrë në Islam dhe jo për atë që ka bërë më parë, bazuar në fjalët e të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!): "A nuk e ke ditur se Islami i rrëzon gjynahet që janë bërë më parë?" [Transmetoi Muslimi (121)]
Prej lehtësimit të Islamit është se Islami është fe e lehtë dhe e kollajtë, në të cilën nuk ka veprime të mundimshme dhe të zorshme, andaj Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Feja është e lehtë, kështu që kushdo që zgjedh të jetë i rreptë në raport me fenë, nuk do ta përballojë dot. Andaj, jini mesatarë dhe përgëzohuni. Shfrytëzojeni mëngjesin e hershëm, pasditen dhe një pjesë të natës!" (E shënon Buhariu, numër 39)
Kur Profeti (paqja qoftë mbi të!) i dërgoi Muadhin dhe Ebu Musa el-Eshariun (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) në Jemen, u tha: "Lehtësoni e mos vështirësoni, jepni lajme të mira e mos dëboni, pajtohuni e mos u përçani!" [Buhariu (3038) dhe Muslimi (7)]
Prej lehtësisë dhe tolerancës së Islamit është fakti se Islami e porosit fëmijën të sillet mirë me prindërit e tij, edhe nëse ata janë mosbesimtarë, dhe edhe nëse përpiqen ta largojnë nga Islami. Allahu i Lartësuar thotë: "Nëse ata orvaten, që të më shoqërosh Mua (në adhurim) diçka, për të cilën ti nuk ke dijeni, mos i dëgjo, por sillu mirë me ata në këtë jetë dhe ndiq rrugën e atij që drejtohet tek Unë me devotshmëri; pastaj, tek Unë do të ktheheni dhe Unë do t’ju lajmëroj për atë që keni bërë!" [Lukman: 15] Kur erdhi nëna e Esmës, bijës së Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), për ta vizituar, ajo i kërkoi leje të Dërguarit të Allahut (paqja qoftë mbi të!) që t'i mbante lidhjet me të. Ajo tregon: "Gjatë kohës kur kurejshët lidhën marrëveshje paqeje dhe armëpushimi me të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të!), erdhi tek unë nëna ime idhujtare me babanë e saj." Kështu që ajo e pyeti të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të!) dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut, nëna ime ka ardhur tek unë dhe dëshiron t’i mbajë lidhjet me mua, a t'i mbaj lidhjet me të?" Ai tha: "Po, mbaji lidhjet me të!" [Buhariu (3183) dhe Muslimi (50)]
Gjithashtu, bashkëshorti urdhërohet për mirësjellje ndaj gruas së tij hebreje dhe të krishterë, si dhe që të mos e lëndojë, ta ofendojë apo ta përbuzë atë për shkak të fesë së saj.
Prej lehtësisë dhe tolerancës së Islamit është se ai e ka porositur muslimanin për bashkëpunim të mirë me jomuslimanët, të cilët nuk e luftojnë atë për shkak të fesë. Islami e obligon atë që të jetë i drejtë me ta dhe e nxit t’u bëjë mirë atyre. Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu nuk ju ndalon të silleni mirë dhe të jeni të drejtë ndaj atyre që nuk luftojnë kundër jush për shkak të fesë dhe që nuk ju dëbojnë prej shtëpive tuaja. Me të vërtetë, Allahu i do të drejtët." [El Mumtehine: 8]
Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
Cilat janë të drejtat e njeriut sipas Islamit?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Islami mbron të drejtën e Krijuesit dhe të drejtën e krijesës. Muadh ibën Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon: "Isha ulur mbrapa Profetit (paqja qoftë mbi të!) mbi një kafshë dhe nuk na ndante veçse pjesa e prapme e samarit. Ai më tha: “O Muadh i biri i Xhebelit!” Unë i thashë: "Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!" Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: “O Muadh i biri i Xhebelit!” I thashë: "Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!" Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: “O Muadh i biri i Xhebelit!” I thashë: "Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!" Më pyeti: “Vallë, e di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?” I thashë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri." Ai tha: “E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë.” Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: “O Muadh i biri i Xhebelit!” I thashë: "Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!" Më pyeti: “Vallë, e di cila është e drejta e njerëzve ndaj Allahut, nëse ata e bëjnë këtë?” I thashë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri." Ai tha: “Të mos i dënojë ata!" [Transmetuan Buhariu nr. 6267 dhe Muslimi nr. 48.]
Islami ka ardhur për të ruajtur fenë dhe jetën e njeriut. Kështu, nga gjithëpërfshirja e Islamit është fakti se ai nuk e ka anashkaluar të drejtën e njeriut në disa aspekte, siç është rasti me ligjet njerëzore. Disa nga këto aspekte janë:
Së pari: E drejta e njeriut në fe: Islami predikon fenë e vërtetë dhe e sqaron kotësinë e feve të tjera, duke mos detyruar njeri që të pranojë Islamin me dhunë. Ai e konsideron fenë domosdoshmërinë më të rëndësishme, andaj ruajtjes së saj i jepet përparësi mbi gjithçka. Po ashtu, i ka garantuar jomuslimanit, nëse jeton në vendet e muslimanëve, që t'i përmbahet fesë së tij, në përputhje me kushtet që parashikon Islami.
Së dyti: E drejta e njeriut për të jetuar: Islami e mbron çdo njeri jeta e të cilit është e shenjtë në Islam përmes ndalimit të vrasjes së tij; madje edhe në rast lufte, Islami e ndalon vrasjen e fëmijëve, grave dhe pleqve që nuk marrin pjesë në luftë.
Së treti: E drejta e pasardhësve dhe e fëmijëve. Islami e mbron të drejtën e njeriut për të pasur pasardhës, dhe i ndalon përpjekjet për të privuar apo penguar dikë që të ketë pasardhës.
E katërta: Të drejtat shoqërore të njeriut: Islami mbron të drejtën e prindërve dhe të drejtën e farefisit duke urdhëruar sjellje të mirë me ta, dhe ndihmë ekonomike kur kanë nevojë si dhe mbajtjen e lidhjeve me ta. Po ashtu Islami mbron të drejtën e fqinjëve duke u sjellë mirë dhe duke mos i dëmtuar; të drejtën e rrugës duke orientuar të humburin, duke ulur shikimin, duke larguar pengesat, duke mos i shqetësuar të tjerët etj. Gjithashtu, në përgjithësi të drejtat e masave janë të njohura dhe të mbrojtura në Islam.
Së pesti: Të drejtat ekonomike të njeriut: Islami e mbron të drejtën e pronësisë së individit, e ndalon kamatën dhe tërheq vërejtjen nga pakujdesia në marrjen e borxheve, ndonëse e ka lejuar marrjen e borxhit për nevojtarin. Ai e ka bërë obligim që t'u dilet në ndihmë nevojtarëve përmes zekatit dhe ka nxitur për këtë përmes lëmoshës. Atij që i del një nevojë emergjente, ia ka lejuar t'u kërkojë njerëzve ndihmë derisa të përmbushet nevoja. Gjithashtu, ai ka rregulluar burimet dhe të ardhurat e përgjithshme të shtetit.
Së gjashti: Të drejtat shëndetësore të njeriut: Dispozitat shëndetësore në Islam janë të shumta; të gjitha ato synojnë ruajtjen e shëndetit individual dhe shëndetit publik. Këtu përfshihet ndalimi i gjërave që dëmtojnë shëndetin e vetë njeriut apo të shoqërisë përreth tij, siç janë lëndët narkotike, alkooli, kurvëria dhe homoseksualizmi për shkak të sëmundjeve që ato shkaktojnë. Këtu bën pjesë edhe masat mbrojtëse nga transmetimi i sëmundjeve, siç ka ndaluar Islami që, kur bie murtaja në një vend, të dilet nga ai vend apo të hyhet në të; ngase hyrja në të e ekspozon njeriun ndaj sëmundjes apo vdekjes, ndërsa dalja prej aty bëhet shkak për bartjen dhe përhapjen e sëmundjes te të shëndoshët.
Së shtati: Të drejtat e femrës: Islami i mbron të drejtat e saj si nënë, duke ia bërë detyrë fëmijës kujdesin ndaj saj, mirësjelljen dhe lumturimin e saj sa të jetë e mundur. Po ashtu, ia mbron të drejtat si motër, bashkëshorte dhe vajzë, duke ua bërë detyrë meshkujve të familjes të kujdesen për të, ta mbrojnë, të përpiqen për rehatinë e saj dhe të udhëtojnë së bashku me të, sepse udhëtimi ka mundime dhe rreziqe. Ai e obligon kujdestarin e femrës të shpenzojë për të, ngase ajo është e urdhëruar të qëndrojë në shtëpi, përveç rasteve kur i nevojitet të dalë. Ajo ka të drejtë të disponojë lirisht atë që zotëron nga pasuria, trashëgimia etj, ka të drejtën e zgjedhjes së bashkëshortit, të drejtën e kujdestarisë dhe të përkujdesjes për fëmijët e saj, e kështu me radhë. Dallimi mes Islamit dhe feve a sistemeve të tjera është se respektimi i këtyre të drejtave nga ana e individit bëhet me bindje dhe dëshirë për të fituar shpërblimin nga Zoti i Lartësuar, e jo nga frika e ndonjë ligji apo diçkaje të ngjashme. Anët e mira të Islamit dalin në pah kur krahasohen me gjendjen e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti, në periudhën para Islamit, si dhe në sistemet bashkëkohore.
Së teti: Islami mbron të drejtën e xhindëve dhe të drejtën e kafshëve, siç dihet nga librat e jurisprudencës islame. Ndërkaq, nëse Islami mbron të drejtën e xhindëve dhe të kafshëve, a mund të mendohet që të neglizhojë të drejtën e njeriut, të cilin Allahu e ka nderuar? Allahu thotë: "Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë krijesa." [El Isra: 70] Pra, nderimi në Islam e përfshin të gjithë racën njerëzore: besimtarin dhe jobesimtarin, të bardhin dhe të ziun, arabin dhe joarabin. Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
A u përhap Islami me tehun e shpatës? Nëse është kështu, atëherë si mund të përshkruhet si një fe që fton në paqe?
Përgjigjja:
Pyetje: "A u përhap Islami me shpatë?"
Përgjigjja: Parimisht Islami është përhapur përmes predikimit dhe është përkrahur me shpatë kundër atyre që qëndronin përballë mesazhit islam ose e luftonin atë. Profeti (paqja qoftë mbi të!) e predikoi mesazhin e Islamit në Mekë për trembëdhjetë vjet, ndërsa qyteti i Medines u çlirua përmes predikimit, para se të urdhërohej për luftë. Sahabët dhe muslimanët u shpërndanë nëpër tokë dhe predikuan mesazhin islam, gjatë kësaj, ata luftuan vetëm ata ta njerëz që refuzuan mesazhin islam dhe luftuan predikuesit. Islami nuk ka detyruar askënd të hyjë në të me dhunë. Allahu thotë: "S’ka detyrim në fe..." Dhe është ligjëruar xhizja (taksë) për ata që nuk dëshirojnë të hyjnë në Islam, e cila është një shumë e vogël që merret në këmbim të mbrojtjes së tyre.
Islami i pastër i mbrojti ehli-dhimmen (jomuslimanët që janë nën mbrojtjen islame), dhe nën hijen e tij jetuan hebrenjtë dhe të krishterët, pasi më parë disa prej tyre shtypnin e vrisnin njëri-tjetrin. Islami vendosi mes tyre qetësi, harmoni dhe paqe. Dhe prej mëshirës së Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij është se Ai ligjëroi xhihadin, që mesazhi islam të arrijë te njerëzit dhe të sundojë Islami, në të cilin gjendet lumturia dhe shpëtimi i shumë njerëzve në dynja dhe në ahiret. Allahu është Dhënësi i suksesit. Paqja dhe bekimet qofshin mbi zotëriun tonë Muhamedin, mbi familjen dhe mbi të gjithë shokët e tij.
***
Pyetja:
Të gjitha fetë pretendojnë se janë nga Allahu, atëherë pse njeriu duhet të ndjekë vetëm Islamin?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Kriteret nëpërmjet të cilave dallohet feja e vërtetë janë si në vijim:
Së pari: jo të gjitha fetë pretendojnë se janë prej Allahut të Lartësuar. Disa fe janë fe tokësore, si budizmi dhe hinduizmi; domethënë, themeluesit e tyre nuk pretendojnë se i kanë sjellë ato nga Allahu. Përkundrazi, këto fe pedikojnë madhërimin e disa njerëzve dhe adhurimin e tyre si hyjni, ose predikojnë adhurimin e disa gjërave të prekshme ekzistuese, si adhurimi i diellit, hënës apo disa yjeve. Gjithashtu madhërojnë disa krijesa si pemët, malet, kafshët dhe lumenjtë. Këto janë besime dhe rryma pagane.
Së dyti: feja e vërtetë është ajo që ka ardhur nga Allahu, të cilën Ai ua ka ligjëruar robërve të Tij dhe të cilën të dërguarit ua përcollën njerëzve. Shpalljet e mëparshme, si judaizmi dhe krishterimi, kanë qenë shpallje hyjnore të vërteta, por më pas në to hynë shtrembërimet dhe ndryshimet, dhe ato u shfuqizuan me ardhjen e të Dërguarit të Islamit, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Këto shpallje, para se të shtrembëroheshin, theksonin urdhrin për detyrimin e pasimit të Profetit (paqja qoftë mbi të!) kur të shfaqej. Madje edhe sot e kësaj dite, në to gjenden ende disa tekste që dëshmojnë dhe përgëzojnë për ardhjen e Profetit të Islamit, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) dhe i ftojnë pasuesit e tyre të kalojnë në Islam. Prandaj gjejmë se hebrenjtë që jetuan në kohën e Profetit (paqja qoftë mbi të!) e prisnin dhe e vëzhgonin ardhjen e tij për ta pasuar. Ata madje ua përmendnin këtë idhujtarëve arabë si kërcënim kur lindnin mosmarrëveshje mes tyre. Ka thënë Seleme ibn Selame ibn Vaksh, i cili ishte prej pjesëmarrësve në luftën e Bedrit: "Kishim një fqinj hebre nga fisi Benu Abdul-Eshhel. Një ditë doli nga shtëpia e tij pak para ardhjes së Profetit (paqja qoftë mbi të!) dhe u ndal në kuvendin e Benu Abdul-Eshhelit. Unë isha më i riu në mesin e tyre dhe kisha një mantel të hedhur mbi vete, i shtrirë në të. Ai përmendi ringjalljen, Ditën e Gjykimit, llogarinë, peshoren, Xhenetin dhe Xhehenemin. Këtë ua tha një populli idhujtarësh që nuk besonin në ringjalljen pas vdekjes. Ata i thanë: ‘Mjerë ti, o filan! A mendon se kjo do të ndodhë? Se njerëzit do të ringjallen pas vdekjes së tyre dhe do të shkojnë në një vend ku ka Xhenet dhe Zjarr, dhe do të shpërblehen për veprat e tyre?’ Ai tha: ‘Po, për Atë në emër të të Cilit bëhet betimi! Njeriu do të dëshironte që pjesa e tij nga ai zjarr të ishte furra më e madhe në këtë botë; ta nxehnin, pastaj ta fusnin në të dhe ajo të mbyllej mbi të, dhe të shpëtonte nga ai zjarr nesër.’ Ata i thanë: ‘Mjerë ti, dhe cila është prova e kësaj?’ Ai tha: ‘Një profet do të dërgohet nga këto vende’ – dhe tregoi me dorë drejt Mekës dhe Jemenit. Ata i thanë: ‘Kur mendon se do ta shohësh?’ Ai shikoi nga unë, dhe unë isha më i riu mes tyre, dhe tha: ‘Nëse ky djalë jeton gjatë, do ta arrijë atë profet.’ Seleme tha: ‘Pasha Allahun, nuk kaluan shumë ditë e net derisa Allahu dërgoi të Dërguarin e Tij (paqja qoftë mbi të!), i cili jetoi mes nesh. Ne besuam në të, ndërsa ai e mohoi nga zilia dhe inati. Ne i thamë: ‘Mjerë ti! A nuk ishe ti që na i the më parë ato fjalët e dikurshme?’ Ai tha: ‘Po, por nuk është ai (profeti)!'" (Transmetoi Ahmedi (15841) me zinxhir të mirë të transmetuesve.) Mirëpo, kur erdhi Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) dhe hebrenjtë e panë se ai nuk ishte prej racës së tyre, ata e mohuan atë nga zilia, përndryshe ata e dinë se ai është profet nga Allahu.
Së treti: Ajo që e bën të domosdoshme për njeriun të ndjekë këtë fe madhështore, është fakti se ajo është feja e Zotit, ndërsa çdo gjë tjetër përveç saj është fe e shejtanit, dhe se Islami është e vërteta, ndërsa çdo gjë tjetër përveç tij është e rreme. Zoti i Lartë thotë: "Allahu është e Vërteta, ndërsa çfarë adhurohet në vend të Tij, është e rreme dhe Allahu është i Lartësuar dhe i Madhërishëm." [Lukman: 30]
Së katërti: se feja e vërtetë, që është Islami, i mundëson njeriut dy përfitime: të kësaj bote dhe të botës tjetër. Sa i përket kësaj bote, ai fiton qetësinë dhe jetën e mirë. Allahu i Lartësuar thotë: "Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (En Nahl: 97) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që besojnë dhe zemrat e të cilëve, kur përmendet Allahu, qetësohen. Vërtet, zemrat qetësohen me përmendjen e Allahut!" (Er Rad: 28) Ndërsa sa i përket përfitimit të botës tjetër, ajo është fitorja e përjetshme, shpëtimi nga Xhehenemi dhe fitimi i kënaqësisë së Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: "Çdo shpirt do ta shijojë vdekjen. Shpërblimet do t’u plotësohen vetëm në Ditën e Kiametit; kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese." [Ali Imran: 185]
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaj (o Muhamed!): 'A doni t’ju tregoj për gjëra më të mira se ato? Për ata që janë të devotshëm, te Zoti i tyre do të ketë kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë. Aty do të kenë bashkëshorte të pastra dhe kënaqësi nga Allahu. Allahu i vrojton robërit e Vet!" [Ali Imran: 15]
Së pesti: feja e vërtetë, e cila është Islami, i jep njeriut një peshore me të cilën njeh të vërtetën nga e kota, udhëzimin nga devijimi dhe dallon të mirën nga e keqja. Allahu i Lartësuar ka thënë: "O besimtarë! Nëse i frikësoheni Allahut, Ai do t’ju japë aftësinë e të gjykuarit drejt, do t’ju pastrojë nga gjynahet tuaja dhe do t’ju falë. Allahu zotëron mirësi të madhe." [El Enfal: 29]
Prandaj çdo njeri, qoftë burrë apo grua, duhet të hyjë në fenë e Islamit; sepse fetë e tjera ose janë mesazhe qiellore të mëparshme që janë shtrembëruar dhe ndryshuar e kështu Islami i ka shfuqizuar ato, ose janë fe të kota që në origjinën e tyre dhe nuk ka asnjë të mirë në to, dhe adhurimi sipas tyre është humbje në këtë botë dhe në botën tjetër. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush kërkon tjetër fe përveç Islamit, nuk do t’i pranohet dhe ai në botën tjetër do të jetë i humbur." [Ali Imran: 85] Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
Cili është pozicioni i Islamit midis konceptit të vullnetit të lirë dhe konceptit të imponimit (determinizmit)?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Allahu i Lartësuar ka shkruar përcaktimet e çdo gjëje para se të krijonte qiejt dhe tokën, ka dërguar të dërguarit, ka zbritur librat, i ka krijuar robërit me prirjen e natyrshme për të dashur të mirën dhe për të urryer të keqen, i ka udhëzuar krijesat për të njohur të mirën dhe të keqen dhe u ka dhënë atyre aftësinë për të dalluar mes njërës dhe tjetrës. I Lartësuari ka thënë: "Dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët?" (El Beled: 10) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës." (El Insan: 3) Kur Faraoni e pyeti Musain (paqja qoftë mbi të!): "Kush është Zoti juaj?", ai tha: "Zoti ynë është Ai që çdo gjëje i ka dhënë trajtën e vet e pastaj e ka udhëzuar." (Taha: 50)
Çdo njeri është krijuar nga Allahu dhe Ai e ka udhëzuar drejt asaj që i sjell dobi dhe të mira atij, dhe këtë e vëren çdo njeri te vetja e vet. Madje edhe kafshët janë udhëzuar nga Allahu drejt gjërave që janë të dobishme për to, Ai mbron llojin e tyre dhe siguron vazhdimësinë e riprodhimit dhe shtimit të tyre.
Allahu e ka bërë të qartë argumentin e Tij ndaj krijesave, njerëzve fatlumë ua ka lehtësuar rrugën drejt të mirës dhe i ka larguar nga e keqja, kurse njerëzve fatzinj ua ka lehtësuar rrugën drejt të keqes. I Lartësuari thotë: "Dhe për natën kur e mbulon atë! Për qiellin dhe për Atë që e ka ndërtuar! Për Tokën dhe për Atë që e ka shtruar! Për shpirtin dhe për Atë që e ka përsosur! Ai e frymëzoi atë për të keqen e të mirën! Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë! Ndërsa kushdo që e ndot atë do të dështojë!" (Esh Shems: 4-10)
Njëri nga sahabët (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) e pyeti Profetin (paqja qoftë mbi të!) për qëndrimin e njeriut ndaj caktimeve paraprake: a të mbështetemi tek ato dhe ta lëmë veprimin, apo të veprojmë? Përgjigjja e kësaj gjendet në hadithin e Aliut (Allahu qoftë i kënaqur me të!): Ishim në një xhenaze në varrezën e Beki el-Garkad, kur na erdhi i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!). Ai u ul dhe ne u ulëm rreth tij. Në dorë kishte një shkop të shkurtër dhe uli kokën, duke filluar të gërvishte tokën me të. Pastaj tha: "Nuk ka asnjë prej jush, nuk ka asnjë shpirt të krijuar, veçse Allahu ia ka shkruar vendin e tij në Xhenet ose në Zjarr, dhe i është shkruar nëse është i fatzi apo fatlum." Një burrë tha: "O i Dërguar i Allahut, a nuk duhet të mbështetemi atëherë në atë që është shkruar për ne dhe ta lëmë punën?!" Ai tha: "Kush është prej fatlumëve, do t'i lehtësohet animi drejt veprave të fatlumëve; dhe kush është prej fatzinjve, do t'i lehtësohet animi drejt veprave të fatzinjve!" Pastaj tha: "Punoni, sepse secilit i është lehtësuar (rruga e tij). Sa për fatlumët, atyre do t'u lehtësohen veprat e fatlumëve; ndërsa sa u takon fatzinjve, atyre do t'u lehtësohen veprat e fatzinjve!" Pastaj recitoi fjalën e Allahut të Lartësuar: "Sa për atë që jep (pasuri) dhe ruhet (nga Allahu), dhe beson në më të mirën (shpërblimin), Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt të mirës. Por sa për atë që është koprrac dhe e konsideron veten të panevojë, dhe përgënjeshtron më të mirën, Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt së keqes!" (El Lejl: 5–10) (E shënon Muslimi, nr. 2647)
Allahu i Lartësuar nuk ka nevojë të imponojë askënd, sepse Atij nuk i bëjnë dobi adhurimet dhe nuk i bëjnë dëm mëkatet, por Ai i krijoi krijesat dhe ua lehtësoi atyre punët, e ndërkohë Ai nuk ka nevojë të imponojë askënd.
Allahu i Madhëruar e ka ditur se çfarë do të bëjnë krijesat para se t'i krijonte ato, dhe këtë e ka shkruar në Levhi-Mahfudh (pllakën e ruajtur). Nuk ndodh asgjë veçse me dëshirën e Tij, dhe çdo gjë që ndodh është krijim i Allahut, me vullnetin dhe planifikimin e Tij, e në këtë fshihet një urtësi e përsosur e Tij. Njeriu ka dëshirë e vullnet, por ato i nënshtrohen dëshirës dhe vullnetit të Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: "Por ju nuk mund të dëshironi, përveçse me vullnetin e Allahut, Zotit të botëve!" [Et Tekvir: 29] Njeriu do të merret në llogari për atë që ka zgjedhur dhe dëshiruar.
Çdo njeri e kupton dallimin ndërmjet asaj që bën me vullnetin dhe zgjedhjen e tij të lirë, dhe asaj që i ndodh kundër vullnetit të tij, si: sëmundja dhe rrëzimi. Kështu, njeriu zgjedh atë që dëshiron dhe largohet nga ajo që nuk e dëshiron, me zgjedhjen e tij të lirë.
Pra, njeriu vepron me vullnetin dhe zgjedhjen e tij, dhe kjo është ajo për të cilën ai mban përgjegjësi dhe jep llogari në Ditën e Kiametit. Sa i përket asaj që i ndodh nga caktimi, të cilin nuk mund ta shmangë, si sëmundja apo pamundësia për të kryer një detyrim; për këtë ai nuk merret në llogari në Ditën e Kiametit. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi Pejgamberin tonë, Muhamedin.
***
Pyetja:
Cilat janë vlerat dhe virtytet e fesë islame, ose pse unë jam musliman dhe nuk i përkas ndonjë feje tjetër?!
Përgjigjja:
Vlerat dhe virtytet e fesë islame janë të përgjithshme dhe përfshijnë bazat dhe degët e saj. Allahu i Madhërishëm thotë: "Kush është besimtar më i mirë se ai që i dorëzohet sinqerisht Allahut, duke qenë bamirës!?" (En Nisa: 125)
- Prej vlerave dhe virtyteve të fesë islame është se ajo e çliroi njeriun nga robëria e njerëzve dhe e kaloi në robërinë e Zotit të njerëzve. Kështu, muslimani nuk adhuron, nuk i përulet, nuk i përkulet, nuk i frikësohet dhe nuk shpreson tek askush tjetër përveç Allahut të Lartësuar, siç ka thënë i Lartësuari: "Zoti juaj është një Zot i vetëm! S’ka zot tjetër (të denjë për adhurim), përveç Atij, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit!" (El Bekare: 163)
- Po ashtu, nga vlerat dhe virtytet e fesë islame është se ajo i bëri të barabartë njerëzit; andaj nuk ka epërsi arabi ndaj joarabit, as i bardhi ndaj të ziut, përveçse me devotshmëri. Dhe i shfuqizoi standardet e kohës së injorancës me të cilat krenoheshin njerëzit, si: prestigji, pasuria, posti dhe pushteti. Allahu thotë: "O njerëz! Në të vërtetë, Ne ju krijuam ju prej një mashkulli dhe një femre dhe ju bëmë popuj e fise, për ta njohur njëri tjetrin. Më i nderuari prej jush tek Allahu është ai që i frikësohet më shumë Atij. Vërtet, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe për Atë asgjë nuk është e fshehtë!" (El Huxhurat: 13)
Në një thënie autentike të Profetit (paqja qoftë mbi të!) thuhet: "Vërtet, Allahu i Lartmadhëruar jua ka larguar mburrjen e kohës së injorancës dhe mburrjen me baballarët e tuaj: ose besimtar i devotshëm ose i shthurur, fatzi. Njerëzit janë bij të Ademit, e Ademi vjen prej dheut. Ose do të heqin dorë disa njerëz nga mburrja e tyre me disa burra, ose do të jenë më të përbuzur tek Allahu sesa brumbujt që e shtyjnë papastërtinë me hundët e tyre!"
- Nga vlerat dhe virtytet e fesë islame është se ajo urdhëron besimin në Allahun e Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Besimtarë të vërtetë janë vetëm ata që besojnë Allahun dhe të Dërguarin e Tij..." (En Nur: 62) Dhe urdhëron besimin monoteist. Allahu thotë: "E megjithatë, ata qenë urdhëruar vetëm që të adhuronin Allahun me përkushtim të sinqertë, dhe me besim monoteist..." (El Bejineh: 5) Po ashtu, urdhëron të falet namazi dhe të jepet zekati. Allahu i Lartësuar thotë: "Faleni namazin dhe jepeni zekatin!..." (En Nur: 56) Po ashtu, urdhëron të ruhet amaneti dhe besa. I Lartmadhëruari thotë: "Dhe ata të cilët i ruajnë amanetet dhe premtimet." (El Mu'minunë: 8) Po ashtu, urdhëron të përmbushen marrëveshjet. I Lartmadhëruari thotë: "O besimtarë! Përmbushini marrëveshjet!" (El Maide: 1) Po ashtu, urdhëron të ruhen të gjitha vlerat në sjelljen me krijesat dhe bamirësinë ndaj tyre. Allahu i Lartësuar thotë: "...por bëni mirësi; Allahu me të vërtetë i do bamirësit!" (El Bekare: 195) Po ashtu, urdhëron të qëndrohet me xhematin (bashkësinë). Allahu i Lartësuar thotë: "Të gjithë mbahuni fort për litarin e Allahut (Kuranin) dhe mos u përçani!" (Ali Imran: 103) Islami është feja e mëshirës, e mirësisë, e urtësisë, e arsyes, e natyrshmërisë dhe e përmirësimit. Ai predikon virtytet e larta dhe ndalon nga veset; thërret në drejtësi dhe ndalon nga padrejtësia; thërret në bujari dhe ndalon nga koprracia; thërret në moral të lartë dhe ndalon nga morali i ulët; thërret në ndershmëri dhe ndalon nga imoraliteti; thërret në sinqeritet dhe ndalon nga gënjeshtra; thërret në mbajtjen e lidhjeve farefisnore dhe ndalon nga shkëputja e tyre; thërret në mirësi dhe ndalon nga shthurja; thërret në bamirësi dhe ndalon nga agresioni; thërret në ruajtjen e jetëve të pafajshme dhe ndalon nga cenimi i tyre; ndalon ngrënien e pasurisë së njerëzve padrejtësisht; ndalon kamatën dhe vjedhjen; ndërsa nxit tregtinë e lejuar, lëmoshën dhe çdo lloj mirësie. Prandaj, nuk ka asnjë dobi fetare apo materiale veçse Islami ka ftuar drejt saj, dhe nuk ka asnjë dëm apo shkatërrim veçse Islami ka ndaluar prej tij. Ai thërret në ndërtimin dhe përmirësimin e jetës në tokë dhe ndalon nga prishja e saj. Kështu, ai është feja e të gjitha virtyteve.
Ahmedi dhe të tjerë transmetojnë fjalën e Xhafer ibn Ebu Talibit (Allahu qoftë i kënaqur me të!): "Ne ishim një popull injorant, që adhuronim idhujt, hanim ngordhësirën, bënim vepra të shëmtuara, i ndërprisnim lidhjet me farefisin dhe silleshim keq me fqinjët. Më i forti prej nesh e shtypte të dobëtin. Në këtë gjendje ishim, derisa Allahu dërgoi te ne një të Dërguar, të cilit ia dinim prejardhjen, çiltërsinë, besnikërinë dhe dëlirësinë. Ai na ftoi të besojmë Allahun, ta njësojmë në adhurim (teuhid) dhe të heqim dorë nga gurët e idhujt që adhuronin gjyshërit tanë përveç Allahut. Na urdhëroi të flasim drejt, ta çojmë amanetin në vend, t’i mbajmë lidhjet farefisnore, të sillemi mirë me fqinjët, të heqim dorë nga harami dhe gjakderdhja. Po ashtu na ndaloi nga veprat e shëmtuara e të ndyra, nga dëshmia e rreme, ngrënia e pasurisë së jetimit dhe shpifja për gratë e ndershme. Na urdhëroi ta adhurojmë Allahun e të mos i shoqërojmë askënd dhe asgjë në adhurim; na urdhëroi të falim namazin, të japim zekatin dhe të agjërojmë."
Nga vlerat dhe virtytet e fesë islame është se ajo fton në besimin në botën tjetër, e cila është më e vlefshme se kjo botë, sepse siguria më e madhe është siguria e përhershme dhe e vazhdueshme në hyrjen në Xhenet dhe shpëtimin nga Zjarri; Allahu i Lartësuar thotë: "Ndërsa ata që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, do të futen në kopshte, nëpër të cilët rrjedhin lumenj dhe ku, me lejen e Zotit të tyre, do të banojnë përherë. Atje do të përshëndeten me fjalën: 'Selam!'." (Ibrahim: 23) Për këtë arsye, feja islame është argumenti më madhështor dhe dëshmia më e lartë për Allahun, se vetëm Atij i takon përsosuria absolute në çdo aspekt; po ashtu është dëshmia më e madhe për të Dërguarin e Tij (paqja qoftë mbi të!), për profetësinë dhe vërtetësinë e tij. Kjo për shkak të asaj që Islami përmban prej virtyteve, përsosurisë, mirësisë, mëshirës, drejtësisë dhe urtësisë, si në këtë botë ashtu edhe në botën tjetër. Allahu është Ai që jep suksesin. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi zotërinë tonë Muhamedin, mbi familjen e tij dhe mbi të gjithë shokët e tij.
***
KAPITULLI MBI MUSLIMANËT
Pyetja:
A besojnë muslimanët në doktrinën e mëkatit të trashëguar?
Përgjigjja:
Ajo që quhet “mëkati i trashëguar” është një iluzion pa asnjë realitet të vërtetë. Ai është prej miteve të librit të shenjtë sipas hebrenjve dhe të krishterëve, ku ata pretendojnë se Ademi dhe Havaja kryen një mëkat të madh, dhe se Havaja ishte ajo që e joshi Ademin për të ngrënë nga pema. Sipas pretendimit të tyre të pavërtetë, Ademi mbarti barrën e mëkatit të tij dhe ua trashëgoi atë pasardhësve të vet. Gjithashtu pretendojnë se Allahu e ndëshkoi gruan duke e bërë të mbartë dhe të lindë si dënim për joshjen që i bëri burrit të saj, Ademit; ndërsa gjarprin e ndëshkoi që të zvarritej mbi bark dhe të hante dhe, sepse shejtani ishte mishëruar në të kur deshi të hynte në xhenet; dhe se toka u mallkua për shkak të mëkatit të Ademit, etj. Kjo është një legjendë e trilluar dhe një prej shpifjeve të librit të shtrembëruar që hebrenjtë e konsiderojnë të shenjtë.
Më pas, krishterimi solli një marrëzi të madhe, të cilën e huazoi nga fetë pagane, e që është: se Zotit i erdhi keq për njerëzit prej mëkatit të babait të tyre, prandaj vendosi të flijonte birin e Tij, kështu që e zbriti birin e Vet të mishëruar në trupin e Mesihut, e më pas u dha pushtet hebrenjve mbi të që ta vrisnin e ta kryqëzonin, si shlyerje për mëkatin e Ademit.
E vërteta është se Allahu, kur i krijoi krijesat dhe e përfundoi krijimin e qiejve, të tokës dhe të engjëjve, u tregoi engjëjve se do të vendoste në tokë një mëkëmbës. Engjëjt pyetën: “Si do të vendosësh në të dikë që në natyrën e tij ka epsh dhe prirje për prishje?” Atëherë Allahu u tregoi se Ai është më i Dijshmi dhe më i Urti, dhe se ky mëkëmbës do të shumohej në tokë, pasardhësit e tij do të shtoheshin, do të zëvendësonin njëri-tjetrin dhe mes tyre do të kishte njerëz të mirë e përmirësues. Allahu kishte shkruar në Leuhi Mahfudh, para se të krijonte Ademin dhe bashkëshorten e tij Havanë, se do t’i zbriste në tokë për të banuar në të dhe për të kryer detyrën e mëkëmbësisë. Kur e krijoi Ademin, e vendosi në Xhenet që t’i mësonte një mësim për vetveten dhe për armikun e tij, shejtanin, me të cilin do të përballej në tokë. Allahu ia lejoi të gjitha pemët e Xhenetit që të hante prej tyre, por e ndaloi vetëm nga një pemë, e cila nuk kishte ndonjë veçori mbi të tjerat; ndalimi ishte vetëm si sprovë dhe provim për të. Kur shejtani i mashtroi dhe i gënjeu që të hanin nga ajo pemë, Ademi e kuptoi se kishte gabuar dhe kishte harruar paralajmërimin e Allahut. Atëherë Allahu ia mësoi se si të pendohej për këtë gabim; Ademi tha atë që Allahu e urdhëroi të thoshte, Allahu ia pranoi pendimin dhe çështja përfundoi me kaq.
Allahu i Lartësuar thotë: "Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”. Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!” “Qofsh i lavdëruar! - thanë ata - Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.” “O Adem, - tha Ai -tregojua atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë publikoni dhe çfarë fshihni?!” Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë jobesimtar. Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”. Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin. “Zbritni - u thamë Ne - do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të qëndroni, do të keni furnizim e do të jetoni deri në një kohë të caktuar”. Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti. Ne u thamë: “Zbritni të gjithë prej Xhenetit! Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen." [El Bekare: 30-38]
Ngjarjet e kësaj historie sillen rreth faktit se Allahu krijoi një mëkëmbës për tokën dhe bëri që fillimi i jetës së tij të jetë në Xhenet. Pasi e mësoi dhe ai mësoi, e urdhëroi dhe e ndaloi nga disa gjëra. Më pas ndodhi prej tij një gabim, të cilin Kurani e quajti “rrëshqitje” dhe nuk e quajti mëkat. Allahu i Lartësuar thotë: "Shejtani i shtyu të rrëshqasin." [El Bekare: 36] E kur ra në sprovën që ishte paracaktuar për të, Allahu i mësoi se si ta rregullojë gabimin, kur bën gabime, dhe si të pendohet te Zoti i tij. Kështu, Allahu ia pranoi pendimin, e udhëzoi dhe e nderoi, dhe pas pranimit të pendimit, e zbriti atë në Tokë për të përmbushur misionin për të cilin u krijua.
Në librin e hebrenjve ka shumë tekste – që nuk ka nevojë të përmenden – që e hedhin poshtë faktin që fëmija të trashëgojë mëkatin e babait të tij, apo që njerëzimi të trashëgojë mëkatin. Atëherë, si e trilluan hebrenjtë, dhe të krishterët pas tyre, këtë shpifje?!
Në Kuranin Famëlartë, askush nuk e mbart mëkatin e tjetrit dhe as fëmija nuk e trashëgon fajin e babait të tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!" [El Isra: 15]
Pas këtij sqarimi themi me bindje: çështja e "mëkatit të trashëguar" apo e "mëkatit fillestar" nuk ekziston. Ajo nuk është gjë tjetër veçse një besëtytni e ndërtuar mbi një shpifje hebreje, të cilën e përforcoi shpifja e krishterë lidhur me mishërimin e Mesihut (paqja qoftë mbi të!) dhe kryqëzimin e tij si shpagim për mëkatin e Ademit (paqja qoftë mbi të!). E cilado doktrinë që në të vërtetë është një bestytni e ndërtuar mbi një shpifje, nuk ka kurrfarë vlere. Përkundrazi, i kërkojmë falje Allahut nga ky pretendim dhe kjo shpifje.
Njeriu që ndjek fenë e Allahut, të cilin Zoti i tij e ka edukuar, i ka dhënë aftësinë dalluese për të bërë dallimin mes së vërtetës dhe së pavërtetës, dhe e ka nderuar me një fe të vërtetë që ngrihet mbi argumentin dhe provën, e urren mashtrimin dhe besëtytninë — ky njeri nuk i jep kësaj përralle as vlerësimin më të vogël dhe e di se ajo është një shpifje e trilluar. Ajo nuk ndikon tek ai në kulturën dhe synimet e tij; përkundrazi, ai e konsideron atë një fyerje ndaj profetëve dhe të dërguarve (paqja qoftë mbi ta!), sepse sipas pretendimit të saj të gjithë profetët dhe të dërguarit kanë qenë të ndotur me të ashtuquajturin “mëkat i trashëguar”, derisa u pastruan me flijimin e Mesihut për ta. Atëherë, si do të pastroheshin profetët që kanë vdekur para kohës së Mesihut?
I mençuri i cili pason fenë e Allahut, kujdeset ta korrigjojë këtë gabim të përhapur dhe të sqarojë të vërtetën nga e kota në lidhje me të dhe me çështje të tjera. Ai e falënderon Allahun që i mësoi fenë e Tij të saktë dhe e bëri prej pasuesve të profetëve dhe të dërguarve (paqja dhe bekimet qofshin mbi ta!).
***
Pyetja:
A kanë muslimanët ndonjë kontribut në përparimin e njerëzimit?
Përgjigjja:
Kontributin që muslimanët dhanë në përparimin e njerëzimit nuk e arrin kontributi i asnjë populli. Kontributi i tyre ishte madhështor dhe gjithëpërfshirës. Atë preku aspektet e mëposhtme:
Së pari: hapësira e cila lulëzoi nga kontributi i tyre.
Së dyti: periudha kohore që u nderua me kontributin e tyre.
Së treti: natyra e kontributit qytetërues që ata dhanë.
Sa i përket hapësirës që lulëzoi nga kontributi i tyre qytetërues: qytetërimi i tyre përfshiu të gjithë rruzullin e banuar tokësor në kohën e tyre, aq sa Xhorxh Bushi - gjyshi i presidentit amerikan -, profesor i gjuhës hebraike në një nga universitetet amerikane, tha për dinastinë e kalifatit islam: "Ajo arriti që brenda një periudhe prej tetëdhjetë vitesh të shtrijë sundimin e saj mbi mbretëri e hapësira më të shumta dhe më të gjera nga ç'kishte arritur Roma për tetëqind vite. Dhe habia jonë shtohet gjithnjë e më shumë nëse e lëmë mënjanë suksesin e tij politik – e ka fjalën për Profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!) – dhe flasim për lulëzimin e fesë së tij, përhapjen e saj të shpejtë, vazhdimësinë dhe rrënjosjen e saj të përhershme." (Muhamedi, themelues i fesë Islame dhe themelues i perandorisë së muslimanëve.) Shkruar nga Xhorxh Bush, përkthyer në arabisht nga Profesor Abdullah esh-Shejh.
Nuk pajtohemi me këtë pabesimtar se i Dërguari i Allahut Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) është themeluesi i fesë islame, dhe as pajtohemi me të që dinastia e kalifatit është perandori.
Sa i përket kohës: sundimi i muslimanëve u shtri për më shumë se 1340 vjet, periudhë gjatë së cilës dinastitë islame pasuan njëra-tjetrën, duke filluar nga dinastia e kalifatit të drejtë, pastaj dinastia e Emevitëve, pastaj dinastia e Abasidëve, e deri te dinastia osmane. Flamuri i shtetit islam qëndroi lart deri në vitin 1344 hixhri, që përkon me vitin 1923, gjë që do të thotë se sundimi i shtetit islam u shtri për më shumë se njëmijë e treqind vjet. Historia nuk njeh asnjë dinasti tjetër që të ketë shtrirë ndikimin dhe autoritetin e tij për një mijë vjet, duke mbajtur një flamur të vetëm, flamurin e Islamit, megjithëse ndryshonte fisi i familjes sunduese, përkatësia e saj – si arabët apo turqit –, apo vendi i udhëheqjes së shtetit dhe kryeqyteti i tij.
Sa i përket natyrës së kontributit qytetërues që muslimanët i dhanë njerëzimit, ai është një kontribut me natyrë të ndritur, gjithëpërfshirëse dhe e larmishme, e cila përputhet me mendjen, diturinë, shpirtin, trupin dhe natyrën e pastër njerëzore. Në aspektet në vijim do të paraqesim disa nga shembujt e ndritur të natyrës së këtij kontributi:
Aspekti i parë: kontributi civilizues që kanë dhënë muslimanët konsiston në paraqitjen e një feje me vlera të larta dhe të ekuilibruara, pa teprim dhe pa mangësi; një fe që është feja e të gjithë profetëve, paqja qoftë mbi ta. Është fe e lehtësisë dhe e natyrshmërisë së pastër, një fe që ushqen zemrën, mendjen dhe shpirtin, dhe është në përputhje me natyrën njerëzore. Ajo përmbush njëkohësisht nevojat e trupit dhe nevojat e shpirtit. Është një fe pa të cilën njeriu nuk mund të bëjë në asnjë mënyrë, sepse njeriu është fetar nga natyra e tij dhe nuk mund të shkëputet nga fakti se ai është i prirur të ndjekë një fe. Sakaq, muslimanët i kanë dhënë botës një fe hyjnore, të cilën njerëzimi vazhdon ta ndjekë, të interesohet për të dhe në të cilën hyjnë mijëra njerëz çdo ditë, pavarësisht niveleve të tyre intelektuale, shkencore dhe shoqërore. Sa ka vuajtur njeriu perëndimor nga qytetërimi i tij materialist që e neglizhoi fenë dhe nevojat e shpirtit, dhe u bë shkak për vuajtjen e njeriut! Dhe sa ka vuajtur njeriu lindor nga fetë njerëzore që iu përkushtuan përmbushjes së tepruar të nevojave shpirtërore në kurriz të jetës, arsyes dhe trupit.
Aspekti i dytë: kontributi civilizues që kanë dhënë muslimanët përfshin edhe shkencën. Ata i kanë ofruar njerëzimit një dije të integruar që bashkon dijen hyjnore me dijen njerëzore, duke kontribuar në lumturinë e njerëzimit. Ata kanë përcjellë te popujt e tjerë ato njohuri që ishin të sakta nga shkencat e popujve para tyre, duke mënjanuar gjithçka që përmbante besëtytni dhe dije të rreme, dhe duke i shtuar këtyre njohurive edhe kontributin e tyre origjinal. Kështu, ata sollën zbulime që në kohën e tyre konsideroheshin të jashtëzakonshme dhe mahnitëse. Ata patën një kujdes të veçantë për shkencën e astronomisë, siç është rasti i dijetarit Muhamed ibn Ibrahim el-Fezari, i cili vdiq në vitin 180 hixhri dhe ishte i njohur për prodhimin e astrolabit. Po ashtu edhe Muhamed ibn Musa el-Havarizmi, i cili vdiq në vitin 232 hixhri, ishte një dijetar i algjebrës. Edhe sot e kësaj dite, inteligjenca artificiale mbështetet në algoritmet e këtij dijetari të shquar.
Ata i dhanë botës metodën eksperimentale në konceptin e saj modern, dhe është pikërisht metoda eksperimentale ajo që e udhëhoqi qytetërimin perëndimor drejt arritjeve bashkëkohore. Bijtë e fisnikëve të Evropës i studionin shkencat në universitetet e muslimanëve në Kordobë, Bagdad dhe Sham.
Aspekti i tretë: kontributi civilizues që kanë dhënë muslimanët përfshin drejtësinë e plotë dhe legjislacionin gjithëpërfshirës, i cili ka ruajtur të drejtat e çdo individi. Nën flamurin e qytetërimit islam, për një periudhë rreth 1340 vjet, kanë jetuar lloje të ndryshme të njerëzimit që i përkisnin feve të ndryshme: hebrenj, të krishterë, budistë, zoroastrianë, hindusë etj. Asnjë prej tyre nuk ka hasur kufizim apo padrejtësi për shkak të racës, fesë apo vendit të tij; sepse muslimanët i përmbaheshin mesazhit të fjalës së Allahut të Lartësuar: "O besimtarë! Bëhuni të qëndrueshëm në urdhrat e Allahut dhe bëhuni dëshmues me drejtësi! Le të mos ju nxisë urrejtja ndaj njerëzve për të bërë padrejtësi. Bëhuni të drejtë, se kjo është më afër devotshmërisë dhe frikësojuni Allahut! Pa dyshim, Allahu është i Dijshëm për çdo gjë që punoni ju!" [El Maide: 8] Shteti islam i ruante fetë dhe pasuritë e tyre, dhe u garantonte të gjitha të drejtat. Ligji që zbatohej në Kazakistan apo në Andaluzi (Spanjë) ishte i njëjti që zbatohej në Mekën e bekuar dhe në Medinën profetike. Të gjithë gjykoheshin nga një legjislacion i vetëm. Ky legjislacion përfshinte të drejtat civile, fetare, politike, ushtarake, sociale, si dhe çështjet e trashëgimisë dhe ndarjes së pasurive — madje nuk ekziston deri më sot në botë një sistem kaq i plotë për ndarjen e trashëgimisë që t’i afrohet ose t’i ngjajë këtij sistemi. Edhe sot e kësaj dite, në shumë vende, njeriu mund t'ia lërë gjithë pasurinë e tij qenit të tij dhe t’i privojë fëmijët nga ajo. Ky legjislacion ishte i pranuar nga të gjithë, ndërkohë që sot shohim se çdo shtet ka legjislacionin e vet, dhe se ata nuk janë pajtuar mbi një legjislacion të përbashkët. Në ligjet e tyre ka padrejtësi, racizëm dhe shtypje që janë të qarta për cilindo. A nuk është ngritur qytetërimi materialist mbi miliona skllevër që u rrëmbyen nga Afrika? A janë nuk janë ngritur ekonomitë e tyre mbi atë që kanë grabitur dhe vazhdojnë të grabisin nga ekonomitë e vendeve të dobëta, duke shfrytëzuar burimet dhe pasuritë e tyre natyrore? Për më tepër, ata synojnë që vendet e varfra të mbeten vetëm konsumatorë, duke mos i nxitur për projekte zhvillimore, por vetëm për projekte konsumi, dhe duke u përpjekur t’i pengojnë nga zhvillimi i vërtetë. A është kjo drejtësi?
Aspekti i katërt: kontributi civilizues që kanë dhënë muslimanët përfshin edhe mjekësinë, si në mësimdhënie ashtu edhe në praktikë. Në çdo qytet të botës islame kishte spitale. Mjekët, madje edhe disa nga kalifët, u kujdesën për shkencat natyrore, si el-Mensuri dhe el-Rashidi. Muslimanët themeluan shkolla për studimin e mjekësisë në Basra, Kufa, Bagdad dhe Damask. Veprat e tyre mjekësore dhe metodat e tyre të trajtimit e të kurimit janë ruajtur deri sot në libra dhe dorëshkrime. Ndërkohë që qytetet islame konkurronin mes tyre në numrin e spitaleve, Evropa në atë kohë ende nuk e njihte institucionin e spitalit.
Aspekti i pestë: kontributi civilizues që kanë dhënë muslimanët përfshin edhe mendimin e lartë intelektual dhe veprat e shkruara në çdo fushë dhe shkencë. Kalifët dhe princat muslimanë garonin mes tyre në dhënien e shpërblimeve dhe bursave për dijetarët dhe autorët e librave. Kuvendet e kalifëve ishin forume intelektuale ku diskutoheshin lloje të ndryshme të mendimit, poezisë dhe çështjeve shkencore. Po ashtu, kalifët garonin në ndërtimin e bibliotekave, në pajisjen e tyre me libra, në emërimin e stafit që kujdesej për to, si dhe në vakëfet e dedikuara për mirëmbajtjen e tyre. Këto fusha—shkrimi, bibliotekat, vakëfet dhe forumet shkencore e intelektuale—kanë qenë jashtëzakonisht të mëdha, të shumta dhe të larmishme, dhe madhështia e tyre kuptohet vetëm nga ata që kanë lexuar historinë e muslimanëve në këto fusha dhe në shumë fusha të tjera të ndritshme.
Aspekti i gjashtë: kontributi civilizues që kanë dhënë muslimanët përfshin edhe kujdesin ndaj gruas, pasi Islami e ka konsideruar atë si ortakja e burrit. Ajo ka detyrime dhe të drejta njësoj si burri, megjithëse secila gjini ka dispozita të veçanta që i përkasin asaj, në përputhje me natyrën dhe krijimin e saj. Allahu i Lartësuar ka thënë: "Dhe kushdo që bën vepra të mira, qoftë ai mashkull ose femër, duke qenë besimtar, do të hyjë në Xhenet dhe nuk do t’i bëhet asnjë padrejtësi." (En Nisa: 124) Islami ka garantuar për të (gruan) shpenzimet e jetesës nga kujdestari i saj, qoftë babai apo burri. Po ashtu, e ka obliguar burrin që gjatë martesës t’i japë gruas mehrin (dhuratën martesore), edhe pse martesa është një interes i përbashkët për të dy bashkëshortët. Gjithashtu e ka detyruar atë që t’i sigurojë banesë të përshtatshme për të, dhe nëse ajo ka nevojë për shërbëtor, t’i sigurohet dikush që t’i shërbejë. Islami i ka porositur burrat për gruan në shumë ajete dhe hadithe. Ndërkohë, hebrenjtë dhe të krishterët besojnë se gruaja është shkaku i mëkatit të Ademit, prandaj e trajtojnë atë mbi këtë bazë. Të krishterët deri në kohë të afërta kanë debatuar nëse gruaja ka apo jo shpirt, dhe kanë arritur në përfundimin se ajo ka shpirt, por një shpirt “djallëzor”. Dhe deri sot, në disa vende paga e saj është më e ulët se ajo e burrit, edhe kur kanë të njëjtat kualifikime dhe bëjnë të njëjtën punë.
Aspekti i shtatë: kontributi civilizues që kanë dhënë muslimanët përfshin edhe mirëqenien e lartë që gëzonin të gjithë individët e shoqërive islame. Ata u shquan në ngritjen e vakëfeve për gjithçka që siguronte mirëqenien e njerëzve. Vakëfet ishin të dedikuara për nevojat e popullit dhe për shërbimet ndaj të varfërve. Prej këtyre vakëfeve shpenzohej për të dobëtit, për të sëmurët mendorë, si dhe për trajtimin e të sëmurëve që nuk kishin mundësi të paguanin shpenzimet e mjekimit.
Aspekti i tetë: kontributi civilizues që kanë dhënë muslimanët përfshin edhe pastërtinë (higjenën), e cila në Islam është një sistem i plotë dhe i gjithanshëm. Ai fillon me pastërtinë e zemrës nga shirku (politeizmi), kufri (mosbesimi), smira dhe të gjitha moralet e këqija, e deri te pastërtia e trupit. Islami e ka obliguar muslimanin të lahet çdo javë për namazin e xhumasë. A ke parë ndonjë popull tjetër që feja e tij ta obligojë larjen çdo javë? Po ashtu, Islami ka obliguar guslin (larjen e plotë të trupit) për bashkëshortët pas marrëdhënieve intime. Islami ka nxitur gjithashtu pastërtinë e shtëpive, shtratit, oborreve dhe rrugëve. Në qytetet e Andaluzisë (Spanjës) kishte kanale për largimin e ujërave të zeza, ndërsa në të njëjtën kohë këto ujëra rridhnin nëpër rrugët e Parisit. Parisi nuk kishte ndriçim natën dhe vuante nga ndotja mjedisore, ndërsa rrugët e Fesit ishin të ndriçuara, të shtruara dhe të pastra. Kur spanjollët hynë në qytetet islame, gjetën banja me avull (hamame), të cilat nuk i njihnin më parë, dhe i shkatërruan duke menduar se ishin vende adhurimi të muslimanëve.
Aspekti i nëntë: kontributi civilizues që kanë dhënë muslimanët përfshin edhe paqen dhe sigurinë. Qytetërimi islam nuk ka prodhuar armë bërthamore, armë biologjike apo armë të shkatërrimit në masë. Nuk është njohur për rrethime të qyteteve që të çonin në vdekjen e fëmijëve dhe grave nga uria dhe sëmundjet. Po ashtu, nuk njihen në historinë islame varre masive, as krime të spastrimit etnik si ato që janë përdorur për të zhdukur popullsinë indigjene të Amerikës (indianët e kuq), apo siç janë përdorur nga ushtritë pushtuese në kohët moderne gjatë invazionit të vendeve të tjera.
Kontributi qytetërues, siç u përmend më lart dhe siç e parashtruam, është një kontribut i lartë, gjithëpërfshirës dhe i larmishëm, ndërtues, i drejtë dhe i baraspeshuar, që nuk e njeh racizmin, as padrejtësinë e as genocidin e shfarosjet masive.
Me të drejtë, ti mund të pyesësh: pse ekzistojnë këto veçori në qytetërimin islam? Unë them: sepse bazat, burimet dhe parimet e qytetërimit islam burojnë nga një fe e madhe, e plotë dhe gjithëpërfshirëse; ajo është feja e Zotit të botëve, feja e Islamit. Kjo fe ka përfshirë në doktrinën, obligimet dhe ligjet e saj të drejtat e Krijuesit dhe të drejtat e krijesave, interesat e kësaj bote dhe interesat e botës tjetër, çështjet që lidhen me fenë dhe ato që lidhen me jetën e kësaj bote, si dhe atë që i përket muslimanit dhe atë që i përket jo-muslimanit. Ndërkaq, Allahu ka thënë të vërtetën kur thotë: "Ne nuk kemi harruar asgjë në Librin Tonë. Pastaj të gjithë do të tubohen para Zotit të tyre." [El En’am: 38]
Për këtë temë është folur detajisht në shumë libra, prej të cilëve do të cekim vetëm disa libra të përmbledhur. Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
Shih: "Qytetërimi islam" të Abdurrahman Habneke el-Mejdanit, fq. 549-579, dhe "Vlerat qytetëruese në Islam" të Muhamed bin Abdullah es-Suhejmit.
***
Pyetja:
Krijuesi është i mëshirshëm me robërit e Tij, atëherë përse nuk i pranon prirjet e personit të devijuar seksualisht?
Përgjigjja:
Allahu i Lartësuar thotë: "Kujtoni fjalët e Lutit, i cili i tha popullit të vet: "Përse bëni paturpësi të tilla që askush nuk i ka bërë në botë!? Ju u qaseni meshkujve me epsh - në vend të femrave. Me të vërtetë, ju jeni popull që e teproni me të këqija!" Përgjigjja e popullit të tij ishte: "Dëbojini ata nga vendbanimi juaj! Ata janë njerëz që duan të rrinë të pastër!" (El Araf: 80-82)
Ky ajet thekson se devijimi seksual nuk është i trashëguar dhe nuk është pjesë e origjinës së strukturës së kodit gjenetik të njeriut, sepse populli i Lutit ishte i pari që e shpiku këtë lloj paturpësie. Kjo përputhet me studimin më të gjerë shkencor, i cili vërteton se devijimi seksual nuk ka asnjë lidhje me gjenet e trashëguara. (Enciklopedia Kehil e Mrekullive në Kuran dhe Sunet.)
A i pranojmë dhe i respektojmë prirjet e hajdutit për vjedhje? Edhe kjo është prirje, por në të dyja rastet është prirje e panatyrshme. Është dalje nga natyrshmëria njerëzore dhe cenim i natyrës, dhe si e tillë duhet të korrigjohet.
Allahu e ka krijuar njeriun dhe e ka udhëzuar drejt rrugës së drejtë, dhe i ka dhënë lirinë e zgjedhjes në mes rrugës së të mirës dhe rrugës së të keqes.
Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe ia kemi bërë të qarta të dyja rrugët!" (El Beled: 10)
Prandaj, gjejmë se në shoqëritë që e ndalojnë homoseksualitetin, rrallëherë shfaqet ky fenomen jashtë normales, ndërsa në mjedisin ku lejohet dhe inkurajohet kjo sjellje, rritet përqindja e homoseksualëve, gjë që dëshmon se ajo që përcakton mundësinë e homoseksualitetit te njeriu, është mjedisi dhe propagandat që e rrethojnë atë.
Identiteti i njeriut po ndryshon nga çasti në çast, sipas asaj që sheh në media, përdorimit të teknologjisë apo edhe fanatizmit ndaj një ekipi të futbollit, për shembull. Globalizimi ka krijuar një njeri të ndërlikuar. Tradhtari tashmë paraqitet si “njeri me mendim ndryshe”, ndërsa devijimet morale e seksuale trajtohen si sjellje normale, madje mbrohen ligjërisht dhe promovohen në debate publike. Dhe duke qenë se epërsia i takon atij që zotëron teknologjinë dhe fuqinë mediatike, pala më e fortë përpiqet t’ia imponojë bindjet e saj të tjerëve. Dhe kjo sjell prishjen e marrëdhënies së njeriut me vetveten, me shoqërinë dhe me Krijuesin e tij. Me lidhjen e individualizmit me devijimet seksuale, filloi të zbehet natyrshmëria njerëzore mbi të cilën është ndërtuar jeta njerëzore, dhe u dobësua koncepti i familjes tradicionale. Për këtë arsye, Perëndimi nisi të kërkojë zgjidhje për pasojat e individualizmit ekstrem, sepse vazhdimësia e këtij koncepti rrezikon arritjet e qytetërimit modern, ashtu siç dëmtoi edhe institucionin e familjes. Deri më sot, shumë vende perëndimore vazhdojnë të vuajnë nga rënia e lindshmërisë dhe pakësimi i popullsisë, gjë që i ka shtyrë të hapin dyert për emigracionin. Prandaj, besimi në Allahun, respektimi i ligjeve të natyrës që Ai ka vendosur dhe zbatimi i urdhrave e ndalesave të Tij, mbetet rruga e lumturisë në këtë botë dhe në botën tjetër.
***
Pyetja:
Përse Allahu i sprovon robërit e Tij dhe nuk i lë në mirëqenie të përhershme?
Përgjigjja:
Sprova është një ligj hyjnor i pandryshueshëm në krijesat e Allahut. Ajo nuk është as kotësi e as padrejtësi, por mbart urtësi të thellë dhe mëshirë të gjerë. Sprovat në jetën e kësaj bote janë mejdani ku provohet sinqeriteti i besimit, ku dallohet i miri nga i keqi dhe besimtari durimtar nga mohuesi kryeneç. Allahu i Madhëruar ka thënë: "Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë..." (El Mulk: 2) Pra, e gjithë jeta është vend sprovash dhe qëllimi i saj nuk është kënaqësia e përkohshme, por testimi që i përgatit njerëzit për shpërblimin e amshuar në botën tjetër.
Mendja e shëndoshë e pranon se dallimi mes njerëzve nuk mund të bëhet ndryshe veçse përmes sprovës dhe provimit. Sikur të gjithë njerëzit të jetonin në mirëqenie të vazhdueshme, pa vështirësi e pa fatkeqësi, nuk do të shfaqej sinqeriteti i askujt dhe as nuk do të dallohej vendosmëria e njërit nga tjetri. Gjithashtu, sprova ia zbulon njeriut dobësinë dhe nevojën që ai ka për Zotin, duke e bërë atë të përulet dhe të mbështetet te Krijuesi i tij. Kështu pastrohet shpirti i tij dhe i forcohet besimi. Për këtë arsye, Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Njerëzit më të sprovuar janë pejgamberët, pastaj ata që u ngjasojnë më së shumti atyre, e pastaj ata pas tyre, e kështu me radhë..." Pra, sprova është shenjë se Allahu e do robin e Tij, nëse ai përballet me të me durim dhe pajtim.
Po ashtu, nga urtësitë e sprovës është se ajo është pastrim për gjynahet, shlyerje për gabimet dhe ngritje në shkallët (e Xhenetit). Kështu që, nëse besimtari bën durim dhe shpreson shpërblim (tek Allahu), Allahu e bën sprovën e tij ngritje për të në këtë botë dhe në Ahiret. Në një hadith thuhet: "Çdo fatkeqësi që mund ta godasë muslimanin, qoftë lodhje e sëmundje, qoftë brengë e pikëllim, qoftë shqetësim e mërzi, madje dhe një shpim gjembi, përmes saj Allahu do t'ia fshijë disa gjynahe." (Buhariu 5318) Pra, sprova për besimtarin është e tëra mirësi: ajo ose ia ngre shkallët, ose ia shlyen mëkatet, ose e afron më shumë tek Allahu.
Sa i përket vërejtjes që parashtrojnë disa njerëz: “Sikur Allahu të ishte i mëshirshëm, përse i sprovon robërit e Tij?”, përgjigjja është se mëshira e vërtetë nuk qëndron në lënien e njerëzve të dëfrehen në këtë botë pa llogari e pa përgjegjësi, por në përkujtimin e tyre për rikthimin te Krijuesi i tyre dhe në përgatitjen e tyre për botën e përhershme. Kështu, vështirësitë mund të jenë shkak për udhëzim dhe pendim, ndërsa mirëqenia e vazhdueshme mund ta joshë njeriun drejt mendjemadhësisë dhe shkujdesjes. Prandaj, Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe, Ne do të bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë në këtë jetë, para dënimit më të madh në jetën e përtejme, me qëllim që të kthehen në rrugën e drejtë." (Es Sexhde: 21)
Sprova gjithashtu e zbulon realitetin e kësaj bote dhe tregon se ajo nuk është vend qëndrimi i përhershëm, por vetëm një vendkalim drejt botës tjetër. Sikur kjo botë të mos kishte dhimbje e vështirësi, njerëzit do të lidhnin zemrat pas saj dhe do ta harronin qëllimin madhor. Por Allahu ka dashur që kjo botë të jetë e shkurtër dhe kalimtare, ndërsa begatia e vërtetë të jetë në Xhenet, ku nuk ka lodhje, as mundim dhe as pikëllim.
Si përfundim: sprova është mëshirë dhe testim. Nëpërmjet saj dallohet besimtari nga të tjerët, pastrohen shpirtrat, shlyhen gjynahet, zbulohet realiteti i kësaj bote dhe njeriu përgatitet për botën tjetër. Prandaj, sprova në të vërtetë është pjesë e drejtësisë, urtësisë dhe mëshirës së Allahut, dhe nuk bie aspak në kundërshtim me to.
***
Pyetja:
Përse Allahu nuk e pranon çdo lutje që ne ia bëjmë Atij?
Përgjigjja:
Kjo pyetje përsëritet shpesh: Nëse Allahu është Gjithëdëgjues dhe i Gjithëfuqishëm, përse ndonjëherë i lutemi dhe nuk gjejmë përgjigje të drejtpërdrejtë për atë që kërkojmë? A nuk bie kjo në kundërshtim me mëshirën e Tij dhe premtimin e Tij për dhënien e përgjigjes?
E para: Allahu ka premtuar se do të përgjigjet.
Ai thotë: "Kur robërit e Mi (besimtarë) të pyesin për Mua, (thuaju se) Unë jam afër, i përgjigjem lutjeve të lutësit, kur ai më lutet Mua..." (El Bekare: 186) Allahu nuk e thyen premtimin që jep, por përgjigjja e Tij vjen në atë formë që ka mirësi për robin, e jo gjithmonë sipas dëshirës së tij. Ndodh që njeriu të kërkojë diçka në të cilën gjendet shkatërrimi i tij, ndërsa Allahu e di më së miri se çfarë është e dobishme për të. Allahu i Lartësuar thotë: "Por mund ta urreni një gjë, ndërkohë që ajo është e mirë për ju e mund ta doni një gjë, ndërkohë që ajo është e dëmshme për ju." (El Bekare: 216)
Së dyti: format e përgjigjes ndaj duasë (lutjes) janë të shumta.
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka sqaruar se lutja nuk refuzohet, por ajo merr njërën nga tri format e cekura në hadithin e mëposhtëm: "Asnjë musliman nuk i lutet Allahut me një lutje që nuk përfshin mëkat apo këputje të lidhjeve farefisnore, veçse Allahu do t’i japë një nga këto tri gjëra: ose do t’ia pranojë lutjen së shpejti, ose do ta rezervojë për të në botën tjetër, ose do të largojë prej tij një të keqe të barabartë me lutjen." Andaj, çdo lutje pranohet, por përgjigja mund të jetë përmes dhënies, largimit të një dëmi, ose rezervimit të shpërblimit për në botën tjetër.
Së treti: lutja është adhurim para se të jetë kërkesë.
Kur besimtari ngre duart për t'u lutur, ai në të vërtetë shpreh përuljen dhe nevojën që ka për Zotin e tij. Kjo në vetvete është një adhurim i madh për të cilin ai shpërblehet, pavarësisht nëse e sheh menjëherë efektin e lutjes apo jo. Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Lutja është vetë adhurimi." (Ebu Davudi 1479) Muslimani nuk humbet kurrë me lutjen, përkundrazi, ai është në adhurim të vazhdueshëm.
Së katërti: vonimi i përgjigjes mund të jetë diçka e mirë për njeriun.
Allahu ndonjëherë e vonon pranimin e lutjes për të sprovuar durimin e njeriut, ose për t'ia shtuar atij lidhjen me Të, ose për t'i dhënë një mirësi më të madhe se ajo që ka kërkuar. Sa e sa njerëz i kanë kërkuar Allahut një rizk të caktuar e Ai nuk ua ka dhënë, por më pas u ka dhënë në vend të tij atë që është më e mirë për ta në fe dhe në këtë botë.
Si përfundim: fakti që njeriu nuk e merr atë për të cilën është lutur nuk nënkupton se Allahu nuk i është përgjigjur, por nënkupton se Allahu i është përgjigjur në mënyrën më të përsosur, për një urtësi që Ai e di. Andaj, besimtari është i bindur se çdo lutje e ka një efekt: ose përgjigje e menjëhershme, ose shpërblim i rezervuar, ose sprovë e larguar. Kështu, lutja bëhet derë e mëshirës dhe e qetësisë, e jo derë e dyshimit dhe e vërejtjes.
***
Pyetja:
Pse ka mes muslimanëve njerëz që bëjnë padrejtësi dhe shkatërrime si të tjerët?
Përgjigjja:
Disa mund të kundërshtojnë duke thënë: Nëse Islami është feja e së vërtetës, atëherë pse shohim disa muslimanë që bëjnë padrejtësi, tradhti dhe korrupsion, ashtu siç bëjnë jobesimtarët? A nuk është kjo në kundërshtim me pretendimin se Islami udhëzon drejt së mirës?
Feja nuk matet me veprat e pasuesve të saj, por me parimet dhe mësimet e saj. Islami thërret në drejtësi dhe mirësi, dhe e ndalon padrejtësinë dhe shkatërrimin. Allahu i Lartësuar thotë: "Në të vërtetë, Allahu urdhëron të bëhet drejtësi, mirësi dhe ndihmë për të afërmit, si dhe ndalon imoralitetin, veprat e shëmtuara dhe dhunën." (En Nahl: 90) Pra, nëse një musliman bën padrejtësi ose vepron keq, ai ka kundërshtuar mësimet e fesë së tij, e jo se feja e ka urdhëruar për këtë.
Edhe në popujt e mëparshëm, të cilëve Allahu u zbriti ligje të drejta, ka pasur prej tyre që kanë kundërshtuar dhe kanë mohuar. Prandaj, ekzistenca e zullumqarëve (të padrejtëve) mes muslimanëve është një çështje njerëzore dhe e natyrshme, sepse njerëzit ndryshojnë në përkushtimin e tyre ndaj së vërtetës. Por Islami mbetet matësi i së drejtës dhe së gabuarës, jo veprat e disa muslimanëve.
Allahu i Lartësuar nuk e liron një musliman nga ndëshkimi vetëm për shkak të emrit apo prejardhjes së tij, por e merr në llogari për veprat e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Kush ka bërë ndonjë të mirë, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë. E kush ka bërë ndonjë të keqe, qoftë sa një thërrmijë, do ta shohë atë." (Ez Zelzele: 7-8) Nëse muslimani bën padrejtësi, ai është mëkatar tek Allahu dhe mund të ndëshkohet në këtë botë ose në botën tjetër, përveç nëse pendohet.
Islami nuk e arsyeton gabimin e muslimanit, por parashikon dënim për atë që vjedh, vret ose bën padrejtësi, qoftë ai edhe musliman. Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Sikur Fatimja e bija e Muhamedit të vidhte, do t'ia prisja dorën!" (Buhariu 4304 dhe Muslimi 1688) Ky është argument se Islami është fe e drejtësisë, e nuk i favorizon pasuesit e tij.
Pra, Islami vendos kriterin e saktë dhe ofron një sistem për përmirësim dhe pendim. Kushdo nga muslimanët që gabon, ai është mëkatar, por feja mbetet e pastër; ajo urdhëron të mirën dhe ndalon të keqen. E meta nuk është te Islami, por te lëshimet e disa prej pasuesve të tij.
***
Pyetja:
Cila është urtësia e veshjes së hixhabit (mbulesës) për gruan?
Përgjigjja:
Në Islam është e detyrueshme të zbatohet urdhri dhe të shmanget ndalesa, edhe nëse njeriu nuk e di urtësinë e tyre; sepse Allahu është i Urtë në çdo gjë që ka ligjësuar dhe caktuar. Hixhabi nuk është i veçantë vetëm për sheriatin e Profetit Muhamed (paqja qoftë mbi të!); përkundrazi, në ligjet e Musait dhe Isait (paqja qoftë mbi ta!) ka pasur urdhra që e obligonin gruan të mbulohej. Disa familje hebraike fetare vazhdojnë ende ta ruajnë këtë praktikë deri sot, si pjesë e ligjit të Musait (paqja qoftë mbi të!).
Allahu ka krijuar tek të dyja gjinitë, burrin dhe gruan dhe dëshirën ndaj njëri-tjetrit, në mënyrë që të realizohet martesa, e cila është lidhja e lejuar, dhe të vazhdojë riprodhimi njerëzor. Nuk ka dyshim se shfaqja e bukurive të gruas sjell dëm për të, sepse kështu ajo ekspozohet ndaj burrave të shthurur. Gjithashtu sjell dëm edhe për burrat që e shikojnë, sepse zakonisht kjo gjë ngjall epsh tek ata. Prandaj nuk ka dyshim se hixhabi është mbrojtje për të gjithë: ai tregon dëlirësinë e gruas dhe i jep të drejtën ekskluzive bashkëshortit për shikimin e bukurive të bashkëshortes së tij, pa i ndarë ato me të tjerët. Natyrshmëria e pastër e njeriut e mbështet këtë të drejtë dhe e nxit femrën të jetë e turpshme dhe të ruhet nga dëmet e imoralitetit, si sëmundjet infektive, përhapja e fëmijëve të jashtëligjshëm dhe përzierja e prejardhjeve. Fillimi i gjithë këtyre problemeve është neglizhenca e grave ndaj mbulesës dhe pakujdesia e burrave në uljen e shikimit. Për shkak të rëndësisë së madhe të kësaj çështjeje, sheriati ka paralajmëruar kundër çdo gjëje që çon në imoralitet (zina). Allahu i Madhëruar ka thënë: "Dhe mos iu qasni kurvërisë, se ajo është shfrenim dhe rrugë e shëmtuar!" (El Isra: 32) Allahu i ka urdhëruar burrat dhe gratë që ta ulin shikimin. Ai thotë: "Thuaju besimtarëve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara) dhe ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme)! Kjo është më mirë për ta! Me të vërtetë, Allahu është i Dijshëm për atë që bëjnë ata. Thuaju besimtareve që të ulin shikimet e tyre (nga e ndaluara), ta ruajnë nderin e tyre (nga marrëdhëniet e jashtëligjshme) dhe të mos i shfaqin stolitë e tyre, përveç atyre që janë të dukshme. Le t’i mbulojnë kraharorët me mbulesat e tyre (të kokës) dhe të mos ua shfaqin stolitë e tyre, përveçse bashkëshortëve të tyre ose baballarëve të tyre, ose vjehërrve të tyre, ose bijve të tyre, ose djemve të bashkëshortëve të tyre, ose vëllezërve apo djemve të vëllezërve të tyre, ose djemve të motrave a grave të tyre, ose atyre që i kanë nën zotërim (si skllave), ose shërbëtorëve që nuk kanë epsh ndaj femrave apo fëmijëve që nuk i dinë çështjet e femrave. Dhe të mos i rrahin këmbët (për tokë), në mënyrë që të duken stolitë e tyre të fshehta. Të gjithë ju, o besimtarë, kthehuni tek Allahu të penduar, që të arrini shpëtimin!" (En Nur: 30-31)
***
Pyetja:
Si e ka nderuar Islami femrën?
Përgjigjja:
- Islami e nderoi gruan duke e liruar nga barra e mëkatit të Ademit, siç pretendohet në besimet e tjera, përkundrazi Islami u kujdes për ngritjen dhe dinjitetin e saj.
- Sipas Islamit, Allahu e fali Ademin dhe na mësoi se si të kthehemi tek Ai kurdo që gabojmë përgjatë jetës. Allahu i Lartësuar thotë: "Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti." (El Bekare: 37)
- Zonja Merjeme, nëna e Mesihut (paqja qoftë mbi të!) është e vetmja grua që është përmendur me emër në Kuranin e madhëruar.
- Gruaja ka luajtur një rol të madh në shumë prej rrëfimeve të përmendura në Kuran, siç është rasti i Belkisës, mbretëreshës së Sebeut, dhe historia e saj me profetin Sulejman (paqja qoftë mbi të!), e cila përfundoi me besimin dhe nënshtrimin e saj ndaj Zotit të botëve. Në Kuranin Fisnik, për të, thuhet: "Kam parë një grua që sundonte popullin (e atij qyteti). Ajo zotëronte çdo gjë dhe kishte një fron madhështor." (En Neml: 23)
- Historia islame na tregon se profeti Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) i këshillonte gratë dhe merrte mendimet e tyre në shumë situata. Gjithashtu, ai i lejoi gratë të frekuentonin xhamitë ashtu si burrat, me kusht që të ruanin modestinë dhe thjeshtësinë, megjithëse namazi i tyre në shtëpi është më i vlefshëm. Gruaja merrte pjesë së bashku me burrat në luftëra dhe ndihmonte në çështjet e mjekimit e të infermierisë. Po ashtu, ajo merrte pjesë në veprimtari tregtare dhe garonte në fushat e dijes dhe të arsimit.
- Islami e përmirësoi shumë pozitën e gruas në krahasim me kulturat e vjetra arabe, pasi ndaloi varrosjen e vajzave për së gjalli dhe i njohu gruas personalitet të pavarur. Gjithashtu, rregulloi çështjet kontraktore që lidhen me martesën, duke ia garantuar gruas të drejtën e mehrit (prikë nga ana e burrit), duke siguruar të drejtat e saj në trashëgimi, si edhe të drejtën për pronësi private dhe administrimin e pasurisë së saj vetë.
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Besimtari me besimin më të plotë është ai që ka moral më të mirë. Më të zgjedhurit prej jush janë ata që janë më të mirë me gratë e tyre." (Tirmidhiu 1162 dhe Ebu Davudi 4682)
Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë që për muslimanët dhe muslimanet, besimtarët dhe besimtaret, të bindurit ndaj Allahut dhe të bindurat ndaj Allahut, të drejtët (të sinqertët) dhe të drejtat (të sinqertat), duruesit dhe durueset, të përulurit dhe të përulurat, mirëbërësit dhe mirëbërëset, agjëruesit dhe agjërueset, ruajtësit e nderit dhe ruajtëset e nderit, përkujtuesit e Allahut vazhdimisht dhe përkujtueset, pra, për të gjithë këta Allahu ka përgatitur falje dhe shpërblim të madh." (El Ahzab: 35)
"O besimtarë! - nuk ju lejohet që t'i merrni në trashëgim gratë me forcë. Mos i trajtoni ato ashpër me qëllimin që t’u merrni një pjesë të dhuratës martesore që u keni dhënë. (Një gjë e tillë ju lejohet) vetëm atëherë kur ato bëjnë imoralitet të hapur. Jetoni e silluni mirë me to! Në qoftë se ato nuk ju pëlqejnë (atëherë duroni sepse), është e mundur që juve të mos ju pëlqejë diçka, por që Allahu t’ju sjellë nëpërmjet saj shumë të mira!" (En Nisa: 19)
"O njerëz! Frikësojuni Zotit tuaj, i Cili ju krijoi prej një njeriu, e prej atij krijoi bashkëshorten e tij, kurse prej këtyre të dyve krijoi shumë meshkuj e femra. Dhe frikësojuni Allahut, me emrin e të Cilit ju kërkoni të drejtat e ndërsjella dhe ruani lidhjet farefisnore. Vërtet, Allahu është përherë Mbikëqyrës mbi ju!" (En Nisa: 1)
"Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (En Nahl: 97)
"Ato janë petk për ju e ju jeni petk për ato." (El Bekare: 187)
"Dhe një prej shenjave të Tij është që prej jush krijoi për ju bashkëshortet tuaja, që të qetësoheni pranë tyre, duke vënë ndërmjet jush dashuri dhe mëshirë. Me të vërtetë, në këtë ka shenja, për njerëzit që mendojnë." (Er Rum: 21)
"Ata kërkojnë prej teje (o Muhamed) që t’i sqarosh lidhur me çështjet e grave. Thuaju: "Për çështjet e tyre ju sqarojnë Allahu dhe Libri që ju lexohet, si dhe për femrat jetime, të cilave nuk u jepni dhuratën e caktuar për ato edhe pse dëshironi të martoheni me to, ashtu edhe për fëmijët e vobektë. Allahu ju udhëzon që të silleni drejt me jetimët. Allahu është në dijeni të çdo të mire që bëni!" "Nëse gruaja druan nga burri i saj se do të sillet keq ose nuk do ta përfillë, atëherë nuk ka gjynah për ata, nëse pajtohen ndërmjet tyre. Pajtimi është më i mirë. Njerëzit janë të prirë nga koprracia. Por në qoftë se ju silleni mirë dhe ruheni prej të këqijave, Allahu e di mirë çfarë veproni!" (En Nisa: 127-128)
- Allahu i Lartësuar i ka urdhëruar burrat që të shpenzojnë për gratë dhe të ruajnë pasuritë e tyre, pa pasur gruaja asnjë obligim financiar ndaj familjes. Gjithashtu, Islami e ka ruajtur personalitetin dhe identitetin e femrës, duke e lejuar atë të mbajë emrin e familjes së saj edhe pas bashkimit me bashkëshortin.
***
Pyetja:
A mundet muslimani të martohet me gruan e krishterë? Dhe a i lejohet gruas muslimane të martohet me të krishterin?
Përgjigjja:
I lejohet muslimanit të martohet me të krishterën nëse ajo është e ndershme, dhe argument për këtë është fjala e Allahut të Lartësuar: "Sot ju janë lejuar gjërat e mira e të pastra. Ju janë lejuar edhe ushqimet e ithtarëve të Librit; po ashtu, edhe ushqimet tuaja janë të lejuara për ata. Të lejuara për ju janë femrat e ndershme besimtare dhe femrat e ndershme të atyre që u është dhënë Libri para jush, nëse ju u jepni pajën e kurorëzimit, duke u martuar me ato, e jo duke bërë kurvëri, as duke i marrë për dashnore." (El Maide: 5) Nuk i lejohet muslimanes martesa me një jomusliman; bazuar në fjalën e Allahut të Lartësuar: "Mos i martoni vajzat tuaja me paganët, gjersa të bëhen besimtarë!" (El Bekare: 221) Dhe në fjalën e Tij: "Nëse bindeni se ato janë besimtare, mos i ktheni te jobesimtarët. Ato nuk janë (bashkëshorte) të ligjshme për ata dhe as ata nuk janë (bashkëshortë) të ligjshëm për ato!" (El Mumtehine: 10) Sakaq, urtësia e kësaj është se feja e vërtetë është Islami; sepse, muslimani ka besuar në të gjitha librat që Allahu i Madhëruar i ka zbritur, përfshirë Ungjillin, dhe ka besuar në të gjithë profetët që Allahu i Madhëruar i ka dërguar, përfshirë Isain (paqja qoftë mbi të!), ndryshe nga ata që mohojnë disa libra dhe mohojnë disa profetë; prandaj ata nuk janë të barabartë me muslimanët. Nga një këndvështrim tjetër, burri ka të drejtën e kujdestarisë dhe autoritetit mbi gruan, sepse ajo është e dobët në natyrën e saj, dhe zakonisht ajo ndjek burrin në shumë prej çështjeve të saj. Nëse burri jobesimtar është bashkëshort i një gruaje muslimane, kjo mund të bëjë që ajo të kalojë në mosbesim dhe të kalojë nga e vërteta te e pavërteta.
***
Pyetja:
A mundet njeriu të arrijë lumturinë pa njohur qëllimin dhe synimin e jetës?
Përgjigjja:
Njeriu nuk mund ta arrijë lumturinë e vërtetë pa e besuar Zotin dhe pa e ditur se përse e ka krijuar, përse ka ardhur në këtë ekzistencë dhe se ku do të shkojë pas vdekjes.
Sado mirëqenie të gëzojë njeriu dhe të shijojë lloje të ndryshme begatish dhe t'i ketë të gjitha shkaqet e lumturisë, ai përsëri do të përjetojë një lloj mjerimi që nuk i ndahet. Mund të pyesë dikush: pse e pohoni këtë me kaq siguri? I themi: sepse Allahu, i Cili e ka krijuar shpirtin njerëzor, na ka njoftuar për këtë, Ai ka thënë: "Kushdo që i kthen shpinën këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër!" [Taha: 124] Allahu na ka njoftuar gjithashtu se do t'ia bëjë mbarë atij rrugën e vështirë dhe të mjerimit të përhershëm nëse nuk beson. Ai thotë: "Kurse atij që është koprrac dhe ndihet i pavarur. Dhe e quan gënjeshtër më të bukurën (besimin). Ne do t’ia lehtësojmë rrugën drejt dënimit. E, kur të hidhet (në zjarr), pasuria e tij nuk do t’i bëjë dobi." (El Lejl: 8-11) Ky njoftim vjen nga i Vërteti, nga Ai që e krijoi shpirtin njerëzor dhe e di se çfarë i bën mirë atij dhe çfarë e bën të vuajë. Allahu i Lartësuar thotë: "E si të mos dijë Ai që ka krijuar gjithçka, kur Ai njeh çdo gjë me imtësi dhe është i Gjithëinformuari?!" [El Mulk: 14] Ai e krijoi atë me prirjen për të dashur të mirën, virtytin, udhëzimin dhe të vërtetën, si dhe ia bëri të urryer të kotën, mosbesimin dhe vesin. Allahu i Lartësuar thotë: "Drejtohu me përkushtim në fenë e pastër monoteiste, natyrën e zgjedhur nga Allahu, në të cilën Ai i ka krijuar njerëzit. S’ka ndryshim të krijimit të Allahut. Kjo është feja e drejtë, por shumica e njerëzve nuk e dinë!" (Er Rum: 30)
Kush nuk e njeh qëllimin e ekzistencës së tij, ai privohet nga ëmbëlsia e jetës, nga ëmbëlsia e kënaqësisë dhe nga ëmbëlsia e kryerjes së veprave të mira, ndryshe nga ai që beson dhe ka siguri të plotë për frytet e punës së tij të mirë, të cilat e di me bindje se do t’i marrë: nëse jo në këtë botë, atëherë në botën tjetër. Allahu i Lartësuar ka thënë: Allahu thotë: “Kjo është Dita në të cilën të sinqertëve u sjell dobi sinqeriteti i tyre. Atyre u takojnë kopshtet, nëpër të cilat rrjedhin lumenjtë e ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Allahu është i kënaqur me ata dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është fitorja e madhe!” [El Maide: 119] Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Cilindo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë." (En Nahl: 97) Askush nuk e njeh lumturinë e vërtetë, shijen e besimit dhe kënaqësinë e rezervimit të veprave të mira për Ditën kur nuk do të bëjë dobi as pasuria e as fëmijët, përveç atij që beson në Zotin e Lartësuar.
Mund të thotë dikush: ne shohim njerëz që janë në kulmin e lumturisë dhe megjithatë nuk besojnë në Allahun. Ne themi: po, ky është njeriu i pavëmendshëm që nuk e njeh realitetin, për këtë njeri Allahu ka thënë: "Lëri ata të hanë e të kënaqen dhe le t’i mashtrojë shpresa; se do ta marrin vesh!" [El Hixhr: 3] Po ashtu, ka thënë: "Ti (o Muhamed) mos u mashtro nga bredhja e jobesimtarëve nëpër botë! Kjo mirëqenie është e shkurtër; pastaj, strehimi i tyre është Xhehenemi. Eh, sa shtrat i keq është ai vend!" [Ali Imran: 196-197] Me të vërtetë, ky njeri i shkujdesur, i dhënë pas argëtimit, i zhytur në padije dhe i kënaqur me qejfet e kësaj jete, sikur ta dinte se çfarë e pret në momentin e vdekjes dhe pas vdekjes; ai nuk do të kënaqej me asnjë mirësi. Mirëpo, ai nuk e kupton këtë realitet veçse në momentin e vdekjes. Allahu i Lartësuar thotë: "Eh, sikur të shihje se si engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): “Shijoni dënimin e zjarrit!" [El-Enfal: 50] Dhe kur i zbulohet e vërteta – të cilën çdo musliman e di dhe e beson me bindje të plotë – ai do të thotë ashtu siç ka njoftuar Allahu i Lartësuar në Fjalën e Tij: "Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe! Që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë pas!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen. Kur të fryhet në Sur (Ditën e Ringjalljes), atëherë, midis tyre nuk do të ketë lidhje farefisnore dhe ata as që do të pyesin për njëri-tjetrin. Ata, që u rëndohet peshorja (e punëve të mira), janë të shpëtuar. Sa për ata që do të kenë peshore të lehta, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem." [El Mu’minunë: 99-103]
Prandaj jemi të bindur dhe të sigurt se ai që nuk e di qëllimin e jetës, nuk do ta arrijë lumturinë e vërtetë, sado që të mundohet e sado që të përpiqet. I lutemi Allahut që të mos na bëjë prej të mjeruarve dhe i lutemi të na dhurojë mëshirë nga ana e Tij.
***
KAPITULLI I SHTYLLAVE TË ISLAMIT
Pyetja:
Çfarë nënkupton koncepti i adhurimit në Islam?
Përgjigjja:
Adhurimi është përulja dhe nënshtrimi ndaj Allahut të Lartësuar, me dashuri dhe madhërim. Në konceptin e adhurimit përfshihen të gjitha fjalët dhe veprat e dukshme dhe të fshehta, të cilat Allahu i Lartësuar i do dhe është i kënaqur me to. Disa vepra janë adhurim absolut, si namazi dhe haxhi. Ka edhe vepra të tjera për të cilat njeriu shpërblehet nëse e synon shpërblimin e Allahut kur i bën, si p.sh. gjumi me qëllim për të marrë energji për adhurim, ose ngrënia me të njëjtin qëllim. Kur këto shoqërohen me këtë qëllim, ato bëhen të dashura për Allahun e Madhëruar. Gjithashtu, nëse njeriu synon hallallin dhe largohet nga harami me qëllim që të shpërblehet nga Allahu për këtë, atëherë ai shpërblehet për këtë. Transmetohet nga Ebu Dherri se disa njerëz nga shokët e Profetit Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) i thanë atij: “O i Dërguar i Allahut, njerëzit e pasur i morën të gjitha shpërblimet; ata falen siç falemi ne, agjërojnë siç agjërojmë ne dhe japin sadaka nga pasuritë e tyre të tepërta!” Ai tha: “A nuk ju ka dhënë Allahu edhe juve mundësi për sadaka? Çdo tesbih (subhanAllah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu ekber) është sadaka, çdo tahmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe il-lAllah) është sadaka, urdhërimi për mirë është sadaka dhe ndalimi nga e keqja është sadaka, dhe marrëdhëniet intime të secilit prej jush janë sadaka.” Ata thanë: “O i Dërguar i Allahut, a edhe kur dikush plotëson epshin e tij, ka shpërblim?” Ai tha: “Çfarë mendoni nëse ai e plotëson atë në haram, a do të kishte mëkat? Po kështu, kur e plotëson në hallall, ai ka shpërblim!” (Muslimi nr. 53)
Disa vepra vijnë në formën e lënies dhe mosbërjes me qëllimin e fitimit të shpërblimit, si agjërimi, për shembull. Sa për fjalët që bëjnë pjesë në adhurim, në to përfshihen dhikri dhe leximi i Kuranit etj. Ndërsa veprat e brendshme, pra të zemrës, janë besimi dhe bindjet e muslimanit, si ringjallja, besimi në të fshehtën, teuhidi (njësimi i Allahut) etj. Po ashtu, në veprat e zemrës përfshihen edhe mbështetja tek Allahu, frika ndaj Tij dhe shpresa në Të etj. Asnjë formë e adhurimit nuk lejohet t’i kushtohet dikujt tjetër përveç Allahut të Lartësuar, dhe asnjë adhurim nuk pranohet përveçse me tre kushte: e para, Islami; e dyta, sinqeriteti; dhe e treta, ndjekja e Sunetit.
***
Pyetja:
Cilat janë pesë shtyllat e Islamit?
Përgjigjja:
Islami qëndron mbi pesë shtylla, të cilat Profeti (paqja qoftë mbi të!) i ka sqaruar me fjalët e tij: "Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i Ramazanit." E shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
Shtylla e parë: dëshmia se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Kjo do të thotë se duhet të besojmë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Lartësuar, duke e ditur kuptimin e saj dhe konsekuencat që burojnë prej saj, si mohimi i tagutit dhe nënshtrimi ndaj ligjit të Allahut të Lartësuar, sinqeriteti ndaj Tij, së bashku me dashurinë dhe madhërimin (e Tij). Po ashtu, njeriu duhet të besojë se Allahu i vetëm është Zoti, Sunduesi, Rregulluesi i gjithçkaje, Krijuesi dhe Furnizuesi, dhe t’i atribuojë Atij të gjitha emrat e bukur dhe cilësitë e larta që Ai ia ka pohuar Vetes ose që i ka pohuar për Të i Dërguari i Tij. Gjithashtu, duhet të besojë se Allahu i vetëm është i denjë për adhurim dhe askush tjetër përveç Tij, sepse Ai është i vetmi Krijues pa ortak. Ai ka thënë: "Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë. Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesi i çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrësi i çdo gjëje!" (El Enam: 101-102)
Dhe (gjithashtu të dëshmosh) se Muhamedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abdul-Muttalibit, el-Hashimi, el-Kurejshi, është vula e profetëve dhe më i nderuari i të dërguarve, duke zbatuar sheriatin e tij dhe duke e respektuar atë në mënyrën që parashikohet në legjislacionin islam, pa teprim dhe pa neglizhencë. Një nga format e neglizhencës ndaj tij është mosveprimi sipas sunetit të tij, ndërsa një nga format e teprimit është adhurimi i tij në vend të Allahut të Lartësuar, si p.sh. betimi në emër të tij, lutja drejtuar atij, ose veprime të tjera që nuk lejohet t’i drejtohen askujt përveç Allahut të Madhëruar.
Gjithashtu, njeriu duhet të besojë se Allahu e dërgoi të dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) si profet, i zbriti atij Kuranin dhe e urdhëroi ta kumtojë këtë fe te të gjithë njerëzit. Të besojë se dashuria për Allahun dhe të dërguarin e Tij, si dhe bindja ndaj tyre, është obligim për çdokënd, dhe se dashuria për Allahun nuk arrihet përveçse duke pasuar të dërguarin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju (o Muhamed): 'Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë!'" (Ali Imran: 31)
Dhe se është obligim t’i bindesh atij në atë që ka urdhëruar, ta besosh në atë që ka lajmëruar, të shmangesh nga ajo që ka ndaluar dhe e ka kritikuar, dhe që Allahu të adhurohet vetëm sipas asaj që ka ligjësuar, e jo sipas risive (bidateve) që i kanë shpikur njerëzit.
Urtësia e dërgimit të profetit është udhëzimi dhe drejtimi i njerëzve drejt gjërave të mira dhe të dobishme për ta në fenë dhe në jetën e tyre, si dhe drejt asaj që e kënaq Zotin e tyre.
Shtylla e dytë: falja e namazit. Namazi është adhurimi i Allahut me fjalë dhe veprime të caktuara, që fillon me tekbir (thënien “Allahu ekber”) dhe përfundon me selam.
Janë gjithësej pesë namaze në ditë dhe natë: namazi i sabahut (fexhrit), i drekës (dhuhr), i ikindisë (asr), i akshamit (magrib) dhe i jacisë (isha).
Namazi është farz për çdo musliman.
Allahu i Lartësuar thotë: "Namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar." (En Nisa: 103)
Ndër urtësitë e namazit është se ai është lidhje mes robit dhe Zotit të tij, prehje dhe qetësi, si dhe ndalon nga veprat e turpshme dhe të këqija, etj.
Shtylla e tretë: dhënia e zekatit. Zekati është një e drejtë e detyrueshme në një shumë të caktuar të pasurisë, që i jepet një kategorie të caktuar njerëzish në një kohë të caktuar. Ai është një nga shtyllat e Islamit dhe një lëmoshë e detyrueshme që merret nga i pasuri dhe i jepet të varfrit.
Allahu i Lartësuar thotë: "Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh dhe t'i dëlirësosh ata!" (Et Teube: 103)
Ndër urtësitë e zekatit është se ai e pastron pasurinë dhe e shton atë, i dëlirëson shpirtrat nga koprracia e zemërngushtësia dhe forcon dashurinë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Në këtë formë zhduket mëria, mbizotëron siguria dhe lumturohet mbarë shoqëria.
Shtylla e katërt: agjërimi i Ramazanit, i cili nënkupton largimin nga gjërat që e prishin agjërimin, si ngrënia, pija dhe marrëdhëniet intime, gjatë ditës së muajit të nëntë të vitit hixhri (Ramazani).
Allahu i Lartësuar thotë: "Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!" (El Bekare: 185)
Prej urtësive të agjërimit është se agjërimi është mjet dhe mënyrë për të arritur devotshmërinë ndaj Allahut të Madhëruar.
E ndërgjegjëson agjëruesin për begatinë që i ka dhuruar Allahu i Lartësuar.
Ia kujton agjëruesit nevojat e vëllezërve të tij të varfër dhe nevojtarë.
Bashkon ndjenjat e muslimanëve.
I jep trupit shëndet dhe forcë,
etj.
Shtylla e pestë: haxhillëku. Haxhillëku nënkupton vizitën në Vendet e Shenjta në Mekën e Bekuar, një herë në jetë për atë që ka mundësi, për të kryer rituale të caktuara.
Allahu i Lartësuar thotë: "Njerëzit i detyrohen Allahut të vizitojnë Qaben, për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd." (Ali Imran: 97)
Prej urtësive të Haxhit është: përmbushja e njësimit të Allahut të Lartësuar, përmbushja e devotshmërisë ndaj Allahut të Madhëruar, realizimi i përmendjes së Allahut të Plotfuqishëm, dëlirësimi i shpirtit njerëzor dhe edukimi i Umetit me vlerat e unitetit të vërtetë, si dhe shumë e shumë urtësi, dobi dhe përfitime të tjera.
Ky është një përmbledhje e shkurtër, ndërsa për secilën prej shtyllave ka kushte, shtylla dhe detaje të shumta.
Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!
***
Pyetja:
Cila është forma e abdesit?
Përgjigjja:
Formën e plotë të abdesit e gjeni të detajuar si më poshtë:
1- Bëjmë nijetin për t'u pastruar dhe për të larguar gjendjen e papastërtisë, nijeti nuk bëhet me zë, sepse vendi i tij është zemra. E njëjta gjë vlen edhe për të gjitha adhurimet e tjera.
2- Themi: “Bismil-lah” (Me emrin e Allahut!).
3- Lajmë shuplakat e duarve tri herë.
4- Shpëlajmë gojën tri herë. (shpëlarja është qarkullimi i ujit brenda gojës.)
Tërheqim ujin me hundë tri herë dhe e nxjerrim ujin nga hunda me dorën e majtë.
5- Lajmë fytyrën tri herë. Kufiri i fytyrës në gjatësi është prej vendit ku dalin flokët e kokës zakonisht deri në fund të pjesës së poshtme të nofullave dhe mjekrës, ndërsa në gjerësi prej kufirit të veshit të djathtë deri te kufiri i veshit të majtë. Burri i lan edhe qimet e mjekrës së tij, sepse ato janë pjesë e fytyrës. Nëse mjekra është e lehtë, është detyrë të lahet pjesa e jashtme dhe e brendshme e saj. Kurse, nëse mjekra është e dendur, pra që e mbulon lëkurën, lan vetëm pjesën e jashtme të saj dhe i fut gishtërinjtë e lagur në mjekër.
6- Pastaj i lajmë duart deri te bërrylat tri herë. Kufiri i dorës është nga majat e gishtërinjve, së bashku me thonjtë, deri te fillimi i krahut, dhe para larjes patjetër duhet të heqë gjërat që i kanë ngjitur në dorë si, brumi, balta, boja etj, të cilat pengojnë depërtimin e ujit në lëkurë.
7- Pastaj, fërkojmë kokën dhe veshët një herë me ujë të ri.
Mënyra e fërkimit të kokës është kështu: vendosim duart e lagura në pjesën e përparme të kokës dhe i kalojmë deri te qafa, pastaj i kthejmë duart aty ku e nisëm në fillim, mandej i fusim gishtat tregues në veshë dhe me gishtat e mëdhenj fërkojmë pjesën e jashtme të tyre.
Ndërsa për sa u përket flokëve të gruas, ajo i fërkon ato, qofshin të lëshuara apo të mbledhura, nga pjesa e përparme e kokës deri te pjesa e qafës ku përfundon mbirja e flokëve, dhe nuk është detyrë të fërkohen flokët e gjatë që bien mbi shpinë.
8- Pastaj i lajmë këmbët tri herë deri në nyje. Nyjet janë dy eshtrat e dalë në fund të kërcirit.
- Kush nuk gjen ujë, atëherë merr tejemum. Tejemumi është përdorimi i dheut të pastër për të zëvendësuar abdesin në rastet kur mungon uji ose kur nuk kemi mundësi ta përdorim.
Allahu i Lartësuar thotë: "...atëherë fërkoni fytyrën dhe duart tuaja me dhé të pastër. Allahu, me të vërtetë, është Shlyes dhe Falës i gjynaheve!" (En Nisa: 43)
Mënyra e tejemumit është si vijon: I mëshojmë dheut një herë të vetme me shuplakat e duarve, dhe pastaj fërkojmë fytyrën dhe pjesën e sipërme të shuplakave vetëm një herë, sipas fjalës së Profetit (paqja qoftë mbi të!) drejtuar Amar bin Jasirit (Allahu qoftë i kënaqur me të): "Të mjaftonte kaq!: dhe i përplasi shuplakat e tij në tokë dhe fryu në to, e më pas fërkoi me to fytyrën dhe dy duart (shuplakat)." Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.
Argumenti për mënyrën e abdesit që e sollëm më lart është nga hadithi i Humranit, ish shërbëtori i Uthmanit, se Uthmani (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kërkoi një enë me ujë (për të marrë abdes) dhe pasi ia sollën, mori abdes në këtë mënyrë: lau duart tri herë, pastaj shpëlau gojën e hundën dhe e nxori (ujin) jashtë, pastaj lau fytyrën tri herë, pastaj lau dorën e djathtë deri në bërryl tri herë, pastaj lau dorën e majtë në të njëjtën mënyrë, pastaj i dha mes'h kokës, pastaj lau këmbën e djathtë deri në kyçe tri herë, pastaj lau të majtën në të njëjtën mënyrë. Pastaj tha: "E kam parë të Dërguarin e Allahut (paqja qoftë mbi të!) duke marrë abdes në këtë formë dhe në fund i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) tha: ‘Atij që merr abdes sikurse ky abdesi im, pastaj ngrihet dhe fal dy rekate, pa u shpërqendruar, do t'i falen mëkatet e së kaluarës!'" Ky hadith është transmetuar nga Muslimi.
Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!
***
Pyetja:
Cila është forma e namazit?
Përgjigjja:
Forma e namazit është si vijon:
1- Kthehemi drejt kiblës me tërë trupin, pa devijuar dhe pa u kthyer anash.
2 - E vendosim me zemër se cilin namaz do të falim, pa e bërë nijetin me zë.
3 - Marrim tekbirin fillestar dhe themi: (Allahu ekber), duke ngritur duart deri te supet gjatë tekbirit.
4 - Vendosim dorën e djathtë mbi shpinën e dorës së majtë në gjoks.
Ose themi: "Subhanekell-llahumme ue bihamdike, ue tebarekesmuke, ue teala xhedduke, ue la ilahe gajruke." (O Allah! Ti je pa të meta. Ty të lavdërojmë! Emri Yt është i bekuar, Madhëria Jote është e Lartësuar dhe askush pos Teje s’ka të drejtë të jetë i adhuruar!)
- Pastaj kërkojmë mbrojtjen e Allahut nga shejtani dhe themi: "E’ũdhu bil-lãhi minesh-shejṭãnirr-rraxhĩm."
7 - Pastaj themi besmelen dhe suren el-Fatiha: Bismil-lāhirr-Rrahmānirr-Rrahīm El-hamdu lil-lāhi Rabbil-ālemīn. Err-Rrahmānirr-Rrahīm. Māliki jeumid-dīn. Ijjāke na‘budu ue ijjāke nesteīn. Ihdinas-sirātal-mustekīm. Sirātal-ledhīne en‘amte alejhim, gajril-magdūbi alejhim ue led-dāl-līn. (Surja el-Fatiha: 1-7)
Pastaj themi: Amin! Që ka kuptimin: pranoje, Zoti im!
8 - Pastaj themi çka të mundemi prej sureve të Kuranit. Në namazin e sabahut e zgjasim leximin më shumë se në namazet tjera.
9 - Pastaj bëjmë rukunë, domethënë, e përkulim shpinën në shenjë madhërimi ndaj Allahut. Kur bëjmë rukunë themi tekbirin dhe i ngrejmë duart deri te supet. Është sunet që ta drejtojmë shpinën, kokën ta mbajë paralel me shpinën dhe t'i vendosim duart mbi gjunjë me gishtërinjtë e hapur.
10 - Në ruku themi: Subḥãne rabbijel aḍhĩm. (I Dëlirë nga të metat është Zoti im, i Madhërishmi!) Këtë e themi tri herë, e nëse kësaj i shtojmë edhe: "Subhaneke Allahumme ue bihamdike, Allahumme igrfirli!" (I patëmeta je Ti, o Allah! Vetëm Ty të takon lavdërimi! O Allah, më fal!), kjo është akoma dhe më mirë.
11 - Pastaj çohemi nga rukuja duke thënë: “Semiall-llãhu limen ḥamideh!" (Allahu e dëgjon lavdinë e atij që i bën lavdi!) Ndërkohë i ngrejmë duart deri te supet. Ndërsa xhemati nuk thotë: “Semiall-llãhu limen ḥamideh!" Por, në vend të kësaj thotë: "Rabbenã ue lekel-ḥamd" (Zoti ynë, Ty të takon lavdia!)
12- Pasi të jemi drejtuar në këmbë themi: "Rabbena ue lekel-hamd, mil'e-s-semauati uel-erdi, ue mil'e ma shi'te min shej'in ba'd." - (Zoti ynë, Ty të takon lavdia, sa të mbushet hapësira e qiejve dhe e tokës, si edhe po aq sa çfarëdo tjetër që dëshiron Ti, pas kësaj.)
13 - Pastaj bëjmë sexhden e parë duke thënë: "Allahu ekber" Sexhden e bëjmë me shtatë gjymtyrë: ballin, hundën, shuplakat e duarve, gjunjët dhe gishtërinjtë e këmbëve. Kujdesemi që llërat të jenë të ndara nga brinjët, krahët të mos e prekin tokën apo dyshemenë, ndërsa majat e gishtërinjve të këmbëve të jenë të drejtuara nga kibla.
- Në sexhde themi: "Subḥãne Rabbijel a’lã" (I Dëlirë nga të metat është Zoti im, më i Larti!) Këtë e themi tri herë, e nëse shtojmë edhe: "Subhanekall-llahumme rabbena ue bihamdike, Allahummegfir li." - (Pa të meta je, o Allah! Zoti ynë! Ty të lavdëroj! O Allah, më fal!), është edhe më mirë.
15 - Pastaj e ngrejmë kokën nga sexhdeja duke thënë: "Allahu ekber!"
16 - Pastaj ulemi ndërmjet dy sexhdeve mbi këmbën e majtë, ndërsa këmbën e djathtë e mbajmë të ngritur, duart i vendosim mbi kofshët dhe gjunjët.
17 - Ndërmjet dy sexhdeve themi: "Rabbigfirli, uerhamni, uehdini, uerzukni, uexhburni, ue afini." (O Zoti im, më fal, më mëshiro, më udhëzo, më furnizo me të mira, më përmirëso dhe më jep shëndet!)
18 - Pastaj bëjmë sexhden e dytë në të cilën veprojmë sikur në sexhden e parë, dhe themi: "Allahu ekber" kur biejmë në sexhde.
19 - Pastaj çohemi nga sexhdeja e dytë duke thënë: "Allahu ekber" Dhe falim rekatin e dytë në të cilin veprojmë njëjtë sikur në rekatin e parë, me përjashtim të lutjes hyrëse (e cila nuk thuhet).
20- Pas kryerjes së rekatit të dytë ulemi duke thënë: "Allahu ekber" Dhe ulemi njësoj ashtu siç ulemi ndërmjet dy sexhdeve.
21- Në këtë ulje themi teshehudin: "Et-tehijjatu lil-lahi, ues-saleuatu uet-tajjibatu, es-selamu alejke ejjuhen-nebijju ue rahmetull-llahi ue berakatuhu, es-selamu alejna ue ala ibadil-lahis-salihin, esh'hedu en la ilahe il-lAllah, ue esh'hedu enne Muḥammeden abduhu ue rasuluhu. Allahumme sal-li ala Muḥammedin ue ala ali Muḥammed, kema sal-lejte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime, inneke Hamidun Mexhid, ue barik ala Muḥammedin ue ala ali Muḥammed, kema barekte ala Ibrahime ue ala ali Ibrahime, inneke Hamidun Mexhid. Eudhu bil-lahi min adhabi xhehennem, ue min adhabil-kabër, ue min fitnetil-mahja uel-memat, ue min fitnetil-mesihid-dexh-xhal" (Nderimet, lutjet dhe punët e mira janë për Allahun! Paqja qoftë mbi ty, o i Dërguar, si dhe mëshira e bekimet e Allahut! Paqja qoftë me ne dhe me robërit e drejtë të Allahut! Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij. O Allah, lartësoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, siç lartësove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit, vërtet, Ti je i Lavdëruar dhe i Lavdishëm. Dhe bekoje Muhamedin dhe familjen e Muhamedit, siç bekove Ibrahimin dhe familjen e Ibrahimit, vërtet, Ti je i Lavdëruar dhe i Lavdishëm. Kërkoj mbrojtje tek Allahu nga dënimi i Xhehenemit, nga dënimi i varrit, nga sprova e jetës dhe e vdekjes, si dhe nga sprova e Mesihut Dexhxhal). Pastaj i lutemi Allahut për gjërat që duam nga të mirat e dynjasë dhe ahiretit.
22 - Pastaj jep selam në të djathtë duke thënë: "Es-selãmu alejkum ue raḥmetullãh." Dhe në anën e majtë po ashtu.
23 - Nëse namazi që po falim është trerekatësh ose katërrekatësh atëherë ndalemi në fund të teshehudit të parë, tek pjesa: "Esh'hedu en la ilahe il-lAllah, ue esh'hedu enne Muḥammeden abduhu ue rasuluhu"
24 - Dhe çohemi në këmbë duke thënë: "Allahu ekber" Dhe i ngrejmë duart deri te supet.
25 - Në rekatet e mbetura veprojmë sikur në rekatin e dytë vetëm se në to mjaftohemi vetëm në leximin e sures el-Fatiha.
26 - Pastaj ulemi në mënyrën e teuerrukut: duke e ngritur këmbën e djathtë (me gishtat nga kibla), ndërsa këmbën e majtë e nxjerrim poshtë kërcirit të djathtë dhe mbështetemi në tokë. Duart i vendosim mbi kofshët ashtu siç i vendosëm në teshehudin e parë.
27 - Në këtë ulje themi teshehudin, salavatet dhe lutjet.
28 - Pastaj japim selam në të djathtë duke thënë: "Es-selãmu alejkum ue raḥmetullãh" Dhe në anën e majtë po ashtu. Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
Çfarë është Qabeja? Dhe a e adhurojnë muslimanët Qaben?
Përgjigja:
Qabja e Bekuar është kibla e (drejtimi i) muslimanëve në namazet e tyre, Allahu i Lartësuar thotë: "Ne do të të kthejmë ty nga një kible (drejtim) që të kënaq ty. Prandaj, ktheje fytyrën tënde nga Xhamia e Shenjtë (Qabeja)! Dhe kudo që të gjendeni, kthejeni fytyrën tuaj nga ana e saj!" (El Bekare: 144)
Ata bëjnë tavaf rreth saj gjatë kryerjes së obligimit të haxhit dhe umres. Allahu i Lartësuar thotë: "...le të kryejnë rituain e tavafit rreth Shtëpisë së lashtë!" (El Haxh: 29)
Qabeja është ndërtesa e përnderuar në Mekën e Bekuar, të cilën Allahu e urdhëroi profetin dhe mikun e Tij, Ibrahimin (paqja qoftë mbi të!), ta ndërtonte. Allahu i Lartësuar thotë: "Kujtoje kur Ne përcaktuam për Ibrahimin vendin e Faltores dhe i thamë: 'Mos më shoqëro asgjë (në adhurim) dhe pastroje Shtëpinë Time (nga idhujtaria), për ata që bëjnë tavaf dhe për ata që falen dhe luten në këmbë, të përkulur (në ruku) dhe të përulur (në sexhde)!'" (El Haxh: 26)
Ajo është Faltorja e parë e ngritur në tokë për adhurimin e Allahut të Lartësuar. I Lartësuari thotë: "Me të vërtetë, Faltorja e parë e ngritur për njerëzit, është ajo në Bekkë (Mekë), e bekuar dhe udhërrëfyese për popujt." (Ali Imran: 96)
Ndërsa, sa i përket përgjigjes së pyetjes së dytë, muslimanët nuk e adhurojnë Qaben dhe as Gurin e Zi. Ata nuk u përulen atyre, por vetëm i çmojnë dhe i respektojnë. Ata nuk marrin kurrfarë urdhëresash a ndalesash nga Qabja dhe Guri i Zi, sepse si Qabja ashtu dhe Guri i Zi nuk sjellin asnjë dëm dhe asnjë dobi, dhe prej tyre nuk përfitohet asnjë udhëzim apo orientim. Puthja, nderimi dhe drejtimi që muslimanët bëjnë ndaj Qabesë janë manifestime të unitetit dhe të qëllimit të tyre të përbashkët. Ata e vizitojnë atë dhe bëjnë tavaf rreth saj, duke iu bindur urdhrit të Zotit, si një adhurim që i takon vetëm Allahut e jo Qabesë. Muslimanët e kanë të qartë se ajo është një ndërtesë prej guri që nuk sjellë as dëm e as dobi, mirëpo muslimani i bindet urdhrit të Zotit të tij, dhe diçka e tillë bën pjesë në adhurimin ndaj Allahut, Zotit të botëve.
Pjesë e këtij koncepti është dhe thënia e Umerit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) kur e puthi Gurin e Zi dhe tha: "Unë e di mirë se ti je thjesht gur: nuk sjell as dëm, as dobi. Sikur të mos e kisha parë Profetin (paqja qoftë mbi të!) duke të puthur, nuk do të të puthja as unë!" (Hadithin e shënojnë Buhariu dhe Muslimi.)
Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!
***
KAPITULLI I RINGJALLJES
Pyetja:
Cili është besimi i muslimanit rreth vdekjes?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Ashtu siç Allahu ka krijuar jetën, po ashtu ka krijuar dhe vdekjen. I Lartmadhërishmi ka thënë: "Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh" (El Mulk: 2) Pra, vdekja dhe jeta, si dhe ndërrimi i natës e i ditës, janë shenja të mëdha që dëshmojnë për ekzistencën e një Krijuesi madhështor, i cili kujdeset për mbarëvajtjen e universit dhe çdo gjëje që ndodhet në të. I Lartësuari thotë: "Është Ai që jep jetë dhe vdekje dhe Atij i përket ndërrimi i ditës dhe i natës. Vallë, a nuk kuptoni?" (El Muminun: 80) Allahu është Ai që jep jetë dhe Ai që merr jetë, pra vdekja, siç thamë, është prej argumenteve që tregojnë për ekzistencën e Zotit të Madhërishëm. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet. Ai ju dërgon rojtarë (engjëj) të cilët, kur ndonjërit nga ju i vjen vdekja, ia marrin shpirtin, duke mos bërë kurrfarë lëshimi." (El Enam: 61)
Vdekja është një urdhër hyjnor mbi të cilin nuk ka pushtet askush përveç Allahut. Njeriu mund të jetë në kulmin e fuqisë dhe vrullit të rinisë së tij, si një sportist në fushën e lojës, por vdekja e rrëmben para syve të publikut të tij. Po ashtu, mbreti mund të jetë në mes të pushtetit, i rrethuar nga rojat dhe ushtritë e veta, por vdekja e rrëmben dhe nuk gjen askënd që ta largojë prej tij. Prandaj, ky realitet është një nga dëshmitë e qarta të ekzistencës së Zotit të Madhërishëm.
Vdekja sipas Kuranit dhe Sunetit është dy llojesh:
E para, vdekja shpirtërore, që ndodh kur njeriu është mohues (jobesimtar). Allahu e ka quajtur këtë gjendje vdekje, sepse njeriu në këtë rast e ka shfuqizuar mendjen, dëgjimin dhe shikimin e tij; në këtë rast ai i ngjan shumë një të vdekuri. Përndryshe, si mund të vijë njeriu në këtë jetë, të shohë se Allahu ka përgatitur për të vendin e tij, ka nënshtruar qiejt dhe tokën, ka siguruar ushqimin dhe pijen, ka krijuar për të gjithçka që e mbron nga nxehtësia, të ftohtit dhe shiu, dhe e ka pajisur me çdo gjë të nevojshme për të jetuar në këtë tokë; e megjithatë ai jeton duke pretenduar se është i gjallë, se ka dëgjim, shikim dhe zemër me të cilën arsyeton, por nuk pranon se ky univers ka një Krijues që e ka krijuar dhe nuk e adhuron Zotin që e solli atë në ekzistencë!? A nuk sheh ai se të gjitha gjymtyrët e trupit të tij janë planifikuar me urtësi dhe rregull nga një Krijues i Gjithëdijshëm? E megjithatë nuk beson në Të! Çfarë dallimi ka ndërmjet këtij njeriu, i cili nuk e njeh Krijuesin e vet dhe nuk e kupton realitetin përreth në një mënyrë që t’i sjellë dobi, dhe të vdekurit që prehet në varrin e tij e nuk di asgjë për atë ç'ka e rrethon? Sipas Kuranit Madhështor, ky njeri është i vdekur mes të gjallëve dhe është edhe më i humbur se kafsha. Të paktën kafsha nuk e sulmon llojin e saj, nuk e ka zili, nuk e vret dhe nuk e mashtron. A ke parë ndonjëherë një gomar që ta ketë zili një gomar tjetër për atë që posedon, ose që ta mashtrojë e t’i bëjë padrejtësi? Kafsha i përdor shqisat e saj për atë që i sjell dobi dhe, falë instinktit e perceptimit të saj, shmang atë që i shkakton dëm.
Kurani Fisnik thekson se jobesimtari nuk i përdor shqisat dhe fuqitë e tij për qëllimin për të cilin janë krijuar, as për atë që i sjell dobi dhe e nxjerr nga mjerimi i përjetshëm, por përkundrazi, ai i shfrytëzon shqisat e tij për atë që i sjell dëm dhe humbje.
Këtu shtrohet një pyetje: kur e konsideron Kurani fisnik si të gjallë të vdekurin mes të gjallëve? Përgjigja e kësaj është se ky njeri konsiderohet i gjallë nëse i përdor aftësitë e tij mendore, dëgjimin dhe shikimin e tij ashtu si duhet, e më pas këto shqisa dhe aftësi e udhëheqin atë drejt besimit në Krijuesin e tij. Allahu i Lartësuar thotë: "A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë!?" (El Enam: 122)
E dyta, vdekja e zakonshme, e cila nënkupton ndarjen e shpirtit nga trupi. Kjo njihet nga të gjitha kulturat dhe shoqëritë, dhe e atë e përjeton muslimani dhe jomuslimani. Kur vjen çasti i vdekjes, Allahu dërgon engjëjt e vdekjes për t’ia marrë shpirtin njeriut, të cilit i ka ardhur çasti i vdekjes. Allahu i Lartësuar thotë: "Thuaju: 'Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj!'" (Es Sexhde: 11)
Pra, askush nuk mund t'i marrë jetën askujt përveçse me lejen e Allahut, andaj askush tjetër nuk e merr jetën në të vërtetë pos Allahut? Allahu i Lartësuar ka thënë: "Ai jep jetën dhe vdekjen dhe tek Ai do të ktheheni." (Junus: 56) Është Ai që, kur cakton vdekjen për dikë, askush nuk mund ta largojë atë prej tij dhe, kur vendos t'i zgjasë jetën dikujt, askush nuk mund t'i sjellë vdekjen. Pra, vdekja dhe jeta janë në dorën e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: "Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë!" (El Vakia: 60) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Prapësojeni vdekjen nga vetja, nëse flisni të vërtetën!" (Ali Imran: 168)
Vdekja ka një kohë të caktuar, që as nuk shpejtohet e as nuk shtyhet. Allahu i Lartësuar thotë: "Kur atyre u vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë e as ta shpejtojnë, qoftë edhe për një çast." (En Nahl: 61)
Këtu shtrohet edhe një pyetje tjetër: a dallon vdekja e besimtarit nga vdekja e jobesimtarit sipas Kuranit dhe Sunetit? Themi: Po, dallon shumë, mirëpo këtë gjë nuk e ndien askush përveç atij që i është afruar çasti i vdekjes. Dhe, për shkak se kjo është një e vërtetë e fshehtë me të cilën do të përballet çdo njeri, pavarësisht nëse di për të apo jo, dhe pavarësisht nëse e beson apo e mohon atë; Kurani Fisnik ka informuar për këtë çështje dhe e ka sqaruar atë; në mënyrë që njeriu të mos befasohet nga ajo në çastin e vdekjes dhe të mos i thotë Zotit të tij në Ditën e Kiametit: “Pse nuk më lajmërove!”
Ndërsa vdekjen e besimtarit e përshkruajnë këto ajete fisnike nga Kurani Fisnik: kur atij t'i vijë çasti i vdekjes, i zbresin engjëjt e mëshirës për t'i dhënë lajmin e mirë të kënaqjes së Allahut ndaj tij. I Lartësuari thotë: "O ti shpirt i qetësuar! Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai i kënaqur me ty! Bashkohu me robërit e Mi! Dhe hyr në Xhenetin Tim!" (El Fexhr: 27-30) Dhe i japin lajmin e mirë gjithashtu se nuk do të ketë frikë nga ajo që e pret, dhe të mos dëshpërohet për fëmijët dhe prindërit që ka lënë pas. I Lartësuari thotë: "Me të vërtetë, atyre që thonë: 'Zoti ynë është Allahu', e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: 'Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar!'" (Fussilet: 30)
Kurse vdekja e jobesimtarit është një vdekje e tmerrshme dhe një situatë e vështirë. Atij i bëhen bashkë agonia e vdekjes, dhimbja e ndarjes nga kjo botë, pikëllimi për familjen dhe fëmijët, frika për atë që e pret, si dhe përballja me engjëjt e ndëshkimit tek sa ia marrin shpirtin. Këtë gjendje të frikshme e përshkruajnë këto ajete ku i Madhërishmi thotë: "Eh sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): 'Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij!'". (El Enam: 93) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Eh, sikur të shihje se si engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): 'Shijoni dënimin e zjarrit! Kjo është për shkak të asaj që keni bërë me duart tuaja, sepse Allahu nuk është i padrejtë me robërit e Vet!'" (El Enfal: 50-51) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "E çfarë do të bëjnë ata, kur engjëjt do t’ua marrin shpirtin, duke i rrahur në fytyrat dhe shpinat e tyre?!" (Muhamed: 27) Pra, kjo është një gjendje përçmimi dhe poshtërimi për jobesimtarin. I Madhërishmi thotë: "Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai. E askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai!" (El Fexhr: 25-26)
Në një hadith përcillen fjalët e Profetit (paqja qoftë mbi të!) në përshkrimin e vdekjes së jobesimtarit dhe marrjes së shpirtit të tij: "Kurse mohuesi, kur gjendet në çastet e ndarjes nga kjo botë dhe të kalimit për në botën tjetër, tek ai vijnë engjëj të rreptë e të ashpër dhe ia shkulin shpirtin ashtu siç shkulet helli me shumë grepa nga leshi i lagur; shpirti i tij shkulet bashkë me damarët. Atë e mallkon çdo engjëll midis qiellit e tokës, si dhe çdo engjëll në qiell." [Musnedi i Ahmedit (18614)]
Vdekja e shpirtit nënkupton ndarjen e tij nga trupi, kështu që shpirtrat nuk shuhen, por zhvendosen në jetën e Berzahut (tejvarrit), dhe në jetën e Berzahut ato nuk zhvendosen nga një trup në një trup tjetër, siç thotë koncepti i rimishërimit të shpirtrave. Jeta e Berzahut ndryshon nga jeta e kësaj bote, ashtu siç ndryshon edhe nga jeta e botës tjetër. Shpirti ka lidhje me trupin pas vdekjes, dhe të dy ata, trupi dhe shpirti përjetojnë begati dhe vuajtje së bashku në jetën e Berzahut, në një formë që ne nuk e dimë, por për të na ka njoftuar i Urti, i Gjithëdijshmi, të Cilit nuk i fshihet asgjë. Shpirti i besimtarit vendoset në parajsë, ndërsa shpirti i jobesimtarit vendoset në ferr, pavarësisht se eshtrat e tij ndodhen në vendin e vdekjes apo në varr në jetën e Berzahut. Allahu na ka informuar në Kuranin Madhështor për vuajtjet që përjeton tani familja e Faraonit, ndërkohë që ata janë në varret e tyre. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata paraqiten para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: 'Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!'" (Gafir: 46)
E në Ditën e Kijametit, Allahu do të japë urdhrin që eshtrat të shndërrohen sërish në trupa e çdo shpirt të kthehet në trupin e vet. Pastaj do të bëhet marrja në llogari, e cila do të pasohet ose me qëndrimin e përjetshëm të besimtarëve në Xhenet, ose me qëndrimin e përjetshëm të jobesimtarëve në Zjarr. Allahu i Lartësuar thotë: "Dita, kur Ai do t’ju mbledhë, kur të gjithë do të grumbulloheni, do të jetë Dita e humbjes dhe fitimit. Atij që beson në Allahun dhe bën vepra të mira, Allahu do t’ia falë gjynahet dhe do ta shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe. Ndërsa ata që nuk kanë besuar dhe i kanë mohuar shpalljet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përherë. Eh, sa fund i tmerrshëm është ai!" (Et Tegabun: 9-10) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që nuk besojnë dhe bëjnë padrejtësi, Allahu nuk i fal, as nuk do t’i udhëzojë në kurrfarë rruge. Përveçse drejt rrugës së Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Dhe kjo për Allahun është e lehtë." (En Nisa: 168-169) Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
Si mund të vërtetohet ringjallja pas vdekjes?
Përgjigjja:
Është për t'u çuditur me atë që e mohon Ringjalljen, sepse ajo është një çështje të cilën e kërkon urtësia dhe të cilën e predikojnë të gjitha shpalljet hyjnore. Përgjithësisht, nuk ekziston asnjë fe që të mos besojë në Ringjallje, në një formë apo në një tjetër. Ndërsa përgjigjja për pyetjen është si vijon:
Së pari, ringjallja e krijesave është një e vërtetë që buron nga drejtësia dhe urtësia; e nëse supozojmë se ringjallja nuk do të ndodhë, atëherë ekzistenca e njeriut në këtë planet do të ishte diçka e kotë. I Madhërishmi ka thënë: "Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!" (El Muminun: 115)
Sikur të supozonim se nuk ka ringjallje, si do ta merrte hakun i shtypuri nga zullumqari?! Si do të ndëshkoheshin ata që kanë bërë trazira në Tokë, nëse do të vdisnin natyrshëm, para se t'i arrinte dora e drejtësisë për të marrë hakun prej tyre?! Dhe si do të shpërbleheshin njerëzit e mirë, të cilët bënë vepra të mëdha për të dobtit dhe nuk morën shpërblim për punët e tyre në këtë botë?! Andaj, është e domosdoshme të ketë një ditë kur njerëzit do të dalin para Zotit të botëve, që secilin ta shpërblejë për veprat që ka bërë. I Madhërishmi thotë: "Vallë, a t’i trajtojmë ata që Na nënshtrohen njësoj me keqbërësit?!" (El Kalem: 35)
Këtë po e ilustrojmë me një shembull: sikur një njeri tiran të vriste një mijë persona, të përdhunonte gratë dhe të vidhte pasuritë, e më pas të vdiste në mënyrë të natyrshme, pa e prekur dora e drejtësisë e pa u marrë haku prej tij, si do ta merrte ai dënimin e vet? E si do të viheshin në vend këto padrejtësi, gjaqet e derdhura, nderet e nëpërkëmbura dhe pasuritë e grabitura? Si do ta merrnin hakun e tyre të dëmtuarit? Sikur të mos ekzistonte ringjallja, do të ishte diçka tejet e keqe që krimineli mizor e keqbërës të shpëtonte nga dënimi. Mirëpo, Allahu na ka lajmëruar se çdonjëri që është shtypur do ta marrë hakun e vet nga shtypësi i tij. Allahu i Lartësuar thotë: "Ata që s’besojnë në shenjat Tona, Ne padyshim, do t’i djegim në zjarr. Sapo t’u digjet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atë me lëkurë tjetër, për të përjetuar dënimin. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë." Kësisoj, jobesimtari do të digjet në zjarr, e sa herë që t'i piqet lëkura, ajo do t'i zëvendësohet me një tjetër në mënyrë që ta shijojë ndëshkimin, derisa të shpaguajë kështu për çdo padrejtësi që ka bërë. Madje, edhe sikur të kishte vrarë një mijë njerëz, Allahu do ta vriste atë një mijë herë në Ditën e Kiametit. E a mund të ndodhë një gjë e tillë në këtë botë?! Një kriminel kur kapet, edhe në pastë vrarë njëqind njerëz, e shumta që mund t'i bëhet është të vritet vetëm një herë të vetme e me kaq të vdesë.
Së dyti, ringjallja mund të vërtetohet me argumentet e mëposhtme:
Se Allahu, i Cili është i Fuqishëm t’i krijojë qiejt dhe Tokën, është i Fuqishëm t’i rikrijojë njerëzit sërish. Pra, Ai që i krijoi këta trupa qiellorë madhështorë nuk është i pafuqishëm t’i rikrijojë njerëzit sërish. Allahu i Lartësuar thotë: "Krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e di." (Gafir: 57)
Allahu, i Cili e krijoi njeriun e parë, Ademin, prej dheut dhe e bëri atë njeri të plotë, është i Fuqishëm ta kthejë njeriun prapë në jetë pasi të bëhet dhé. Allahu i Lartësuar thotë: "Ai (mohuesi) na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: 'Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?' Thuaj: 'Do t’i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë, sepse Ai është i Gjithëdijshëm për çdo krijim!'" (Jasin: 78-79)
Se Allahu, i Cili na tregon çdo ditë krijimin e përtërirë të njeriut prej një lëngu të thjeshtë, prej një pike të vogël, nuk e ka të vështirë ta rikrijojë sërish. Allahu i Lartësuar thotë: "O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, ta dini se Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkave të gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, (këto detaje ua tregojmë) për t’ju informuar! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si fëmijë e pas kësaj do të arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme." (El Haxh: 5)
Allahu na ka sjellë një shembull që e përjetojmë shpesh në këtë jetë, që është se Toka nganjëherë është e vdekur, e shkretë dhe pa jetë në të; pastaj zbret shiu mbi të, kështu ajo gjallërohet dhe prej saj mbin çdo lloj bime e bukur. Pa dyshim, Ai që e gjallëron atë, do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Allahu i Lartësuar thotë: "Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë." (Fusilet: 39)
Gjithashtu, Zoti na ka sjellë një argument të mahnitshëm në Kuranin Fisnik që flet për ringjalljen, ky argument është dalja e zjarrit të nxehtë prej drurit të njomë, siç e shohim në zjarret e pyjeve. Zoti Fuqiplotë thotë: "A e shihni zjarrin që e ndizni? Vallë, ju i keni krijuar drutë për të apo Ne i kemi krijuar?! Ne e kemi bërë atë përkujtues (të zjarrit të Xhehenemit) dhe, që t’u sjellë dobi nevojtarëve!" (El Vakia: 71-73) Pra, Ai që nxjerr zjarrin e nxehtë nga një lëndë e kundërt, që është druri i njomë, është i Fuqishëm të nxjerrë të gjallin nga i vdekuri.
Gjithashtu, gjumi është një panoramë e zvogëluar e vdekjes dhe ringjalljes, a nuk e shohim se njeriu, edhe kur ndodhet në kulmin e fuqisë dhe gjallërisë së tij, e zë gjumi dhe shpirti i tij largohet nga trupi gjatë gjumit? Atëherë ai nuk ndien asgjë nga ajo që ndodh rreth tij. Madje mund të ndizet zjarr në shtëpinë ku banon dhe ai të mos e kuptojë fare, derisa të digjet. Prandaj, ashtu siç zgjohet nga gjumi, njeriu do të ringjallet edhe pas vdekjes. Ky është një argument i prekshëm dhe i dukshëm, të cilin secili prej nesh e vëren te vetja dhe te njerëzit përreth. Allahu i Lartësuar thotë: "Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe dalja e juaj në kërkim të dhuntive të Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë." (Er Rum: 23) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur ende, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë." (Ez Zumer: 42)
Allahu na ka informuar për mrekulli të ndodhura përmes pejgamberëve të Tij (paqja qoftë mbi ta!), siç është ringjallja e të vdekurve dhe kthimi i tyre në jetë, nga radhët e njerëzve apo kafshëve, qoftë kjo përmes Ibrahimit, Musait apo Isait (paqja qoftë mbi ta!). Ky është një argument material e konkret, të cilin historia e ka ruajtur për këdo që dëshiron të marrë mësim nga ngjarjet e kohës.
Gjithashtu, besimi në ringjalljen është pjesë e besimit në të fshehtën (gajbin). Allahu na ka njoftuar për të, si edhe për çështje të tjera të padukshme, besimi në të cilat është i domosdoshëm për mirëqenien e njeriut në fenë dhe jetën e tij. Ai ka vendosur para nesh shumë argumente dhe dëshmi që i japin besimtarit bindje të plotë se këto të fshehta janë të vërteta ashtu siç janë në realitetin e tyre, ai i njeh ato me zemrën e tij sikur po i sheh me sytë e vet. Po ashtu, shpallja hyjnore, e cila përmban lajme për të fshehtën, ka sjellë shumë të vërteta dhe fakte të pakundërshtueshme që i pranon arsyeja dhe vërtetësinë e të cilave njeriu e sheh në jetën e përditshme. Kështu, vërtetësia e asaj që ai e njeh dhe e përjeton, e forcon bindjen e tij edhe për atë që mbetet e fshehtë për të.
Gjithashtu, Islami dhe besimi i askujt nuk është i vlefshëm pa besimin në Ringjallje, e kushdo që e mohon Ringjalljen është jobesimtar në Allahun e Madhërishëm, sado mirësi dhe bamirësi të ketë bërë. Allahu i Lartësuar thotë: "Mohuesit kujtojnë se nuk do të ringjallen kurrsesi. Thuaju: 'Po, për Zotin tim, me siguri që do të ringjalleni e pastaj do të njoftoheni për atë ç’keni bërë!' Dhe kjo është e lehtë për Allahun." (Et Tegabun: 7)
***
Pyetja:
Çfarë është Dita e Kiametit?
Përgjigjja:
Falënderimi i takon Allahut. Dita e Kiametit është dita e madhe, emrat e së cilës janë përmendur në forma të shumta në Kuranin Fisnik. Kjo shumllojshmëri emrash vjen për shkak të shumëllojshmërisë së tmerreve dhe ngjarjeve që do të ndodhin në të. Ajo quhet: Dita e Kiametit (El-Kijame), Dita e Humbjes dhe Fitimit (Et-Tegabun), Zhurma Shurdhuese (Es-Sahhah), Goditja Tronditëse (El-Kari‘ah), Ringjallja (El-Ba‘th), Tubimi (El-Hashr), Ringjallja pas vdekjes (En-Nushur), Dita e Thirrjes (Et-Tenad), Tërmeti i Madh (Ez-Zelzele), Fatkeqësia Gjithëpërfshirëse (Et-Tammeh), si dhe shumë emra të tjerë.
Kohën e kësaj dite nuk e di askush tjetër pos Allahut, atë nuk e di asnjë profet apo i dërguar e as ndonjë engjëll i afërt. Allahu thotë: "Ora (e Kiametit) do të vijë me siguri, por Unë e mbaj të fshehur, që secili të shpërblehet për atë që ka bërë." (Taha: 15) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ata të pyesin ty (Muhamed) rreth Orës (së Kiametit). Thuaju: 'Atë e di vetëm Zoti im. Kohën kur do të ndodhë ajo, do ta zbulojë vetëm Ai. Do të jetë e rëndë për qiejt dhe Tokën dhe do t’u vijë krejtësisht papritmas'. Ata të pyesin, a thua se ti di diçka për të. Thuaj: 'Këtë e di vetëm Allahu, ndërsa shumica e njerëzve nuk e dinë (pse kjo gjë është e fshehtë).'" (El Araf: 187)
Para Kiametit do të ketë parashenja që do të sinjalizojnë afrimin e tij, dhe shenjat e Kiametit janë të shumta; disa kanë ndodhur dhe kanë kaluar, dhe disa prej tyre konsiderohen si dhjetë shenjat e mëdha të cilat do të ndodhin në fundin e botës, që janë të përmendura në hadithin e Hudhejfe bin Usejd el-Gifarit, i cili ka thënë: "Profeti (paqja qoftë mbi të!) doli tek ne ndërsa po diskutonim dhe tha: 'Për çfarë po flisni?' Thamë: 'Po flasim për Orën (Kiametin).' Ai tha: 'Ajo nuk do të vijë derisa të shihni para saj dhjetë shenja.' Pastaj përmendi: Tymin, Dexhalin, Kafshën (e tokës), lindjen e diellit nga perëndimi, zbritjen e Isait birit të Merjemes, Jexhuxhët dhe Mexhuxhët, tre fundosje (shembje tokësore): një në lindje, një në perëndim dhe një në Gadishullin Arabik, dhe e fundit prej tyre është një zjarr që del nga Jemeni, i cili i shtyn njerëzit drejt vendtubimit të tyre." (Muslimi, nr. 39)
Në këtë ditë, njerëzit do të ringjallen zbathur, të zhveshur dhe të pa bërë synet. Qëndrimi i tyre do të zgjatet në pritje të llogarisë, dielli do t’u afrohet shumë dhe prej tyre do të rrjedhë djersë e madhe. Allahu do t’i tubojë në të njëjtin vend të parët dhe të fundit. Njerëzit do t’u kërkojnë ndërmjetësim (shefat) profetëve, që të lehtësohen nga gjendja në të cilën ndodhen. Në fund, Allahu do t’i japë lejen e ndërmjetësimit Profetit tonë Muhamedit (paqja qoftë mbi të!), i cili do të ndërmjetësojë tek Zoti i tij për të filluar gjykimi dhe për t’u vendosur drejtësia mes krijesave. Në atë ditë do të ketë llahtari dhe frikë të madhe si dhe situata të ndryshme, të cilat janë përshkruar në detaje në Kuran dhe në Sunetin e saktë.
Në këtë Ditë çdo popull do të vijë me të dërguarin e vet, i cili do të dëshmojë për të, ndërsa populli i profetit tonë, Muhamedit, do të dëshmojë për çdo profet se e ka përcjellë mesazhin dhe e ka çuar në vend amanetin. Në këtë Ditë do të shpalosen regjistrat e veprave të mbarë njerëzimit. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe Libri (i veprave të tyre) do t’u vihet përpara, e do t’i shohësh gjynahqarët se si do të tmerrohen nga ato që gjenden në të dhe do të thonë: 'Të mjerët ne! Çfarë është ky libër që nuk paska lënë asnjë vepër të madhe apo të vogël pa e shënuar'. Aty do të gjejnë të shënuar gjithçka që kanë punuar. Zoti yt nuk i bën padrejtësi askujt." (El Kehf: 49) Do të vendosen gjithashtu peshoret për të peshuar veprat e njerëzve. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe në Ditën e Kiametit, Ne do të vendosim peshore të sakta e askush nuk do të pësojë asnjë padrejtësi. Ne do të sjellim (për gjykim) çdo vepër, qoftë kjo edhe sa pesha e një kokrre sinapi. Ne jemi të mjaftueshëm për llogaritje." (El Enbija: 47) Do të sillen dëshmitarët dhe i Plotfuqishmi do të vijë për të gjykuar. I Lartësuari thotë: "Dhe Toka do të shndrisë me dritën e Zotit të vet dhe do të vendoset Libri (i veprave). Pastaj do të sillen profetët dhe dëshmitarët e ata do të gjykohen me drejtësi, e nuk do t’u bëhet asnjë padrejtësi." (Ez Zumer: 69) Allahu i Lartësuar thotë: "E do të vijë Zoti yt (për të gjykuar) me engjëjt të rreshtuar radhë pas radhe." (El Fexhër: 22)
Kjo është dita e shpërblimit dhe e llogarisë për veprat që krijesat kanë punuar në jetën e kësaj bote. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë prej të fituarve dhe të shpëtuarve, ndërsa ata peshorja e të cilëve është e lehtë, ata do të jenë të humburit. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe do t’jua paraqesim gjithçka që kanë bërë, sepse i dimë plotësisht dhe kemi qenë të pranishëm. Peshimi (i veprave) atë ditë do të jetë i drejtë. Ata që u rëndon peshorja me vepra të mira, do të jenë të shpëtuar. Kurse ata që e kanë të lehtë peshoren me vepra të mira, do të humbin veten e tyre, për shkak se mohuan shpalljet Tona." (El A'raf: 8-9) Pas llogaridhënies, besimtarët çohen në Xhenet, i cili është vendi i begative të përhershme që nuk kanë fund. Allahu i Lartësuar thotë: "Xheneti i Adnit, në të cilin do të hyjnë ata dhe besimtarët e ndershëm prej prindërve të tyre, grave dhe pasardhësve të tyre. Dhe engjëjt do të hyjnë tek ata nga çdo derë (e Xhenetit)." (Er Rad: 23) E të ligjtë jobesimtarë do të shtyhen në Xhehenem, që është banesa e dënimit dhe e ndëshkimit të përjetshëm, i cili nuk ka fund. I Madhërishmi thotë: "Për jobesimtarët është përgatitur zjarri i Xhehenemit, ku ata nuk do të vdesin dhe as që do t’u lehtësohet dënimi. Ja, kështu Ne do t’i dënojmë mosmirënjohësit." (Fatir: 36)
Pasi mohuesit të marrin ndëshkimin e tyre dhe besimtarët të marrin shpërblimin e tyre, engjëjt falënderojnë Zotin e tyre për drejtësinë e Tij të plotë dhe urtësinë e Tij të madhe. Allahu i Lartësuar thotë: "Do t’i shohësh engjëjt të tubuar rreth Fronit, duke lavdëruar Zotin e tyre. Njerëzimi do të gjykohet me drejtësi dhe të gjithë do të thonë: 'Falënderimi qoftë për Allahun, Zotin e botëve!'" (Ez Zumer: 75)
Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
***
Pyetja:
Çfarë ndodh në Xhenet dhe në Zjarr?
Përgjigjja:
Xheneti është vendi i shpërblimit për besimtarët dhe begatia e tyre në botën e përtejme, një begati e përjetshme. Ndërsa Xhehenemi është vendi i ndëshkimit për mohuesit dhe vuajtjes së tyre në botën e përtejme, një ndëshkim i përjetshëm. Në të do të dënohen edhe mëkatarët monoteistë (muslimanët mëkatarë), pastaj do të nxirren prej tij dhe do të hyjnë në Xhenet. Në Xhenet ndodhen begati që nuk i ka parë syri, nuk i ka dëgjuar veshi dhe nuk i ka shkuar në mendje asnjë njeriu. Kurani Fisnik dhe Suneti profetik kanë përshkruar shumë nga ajo që ka ndodhur dhe do të ndodhë në Xhenet, në mënyrë të hollësishme që zemrat të mallëngjehen për të. Po ashtu edhe për Xhehenemin janë përshkruar në hollësi llojet e dënimeve që gjenden në të, me qëllim frikësimin e shpirtrave dhe shtyrjen e njerëzve që të punojnë për ta shmangur atë. Allahu i Lartësuar ka thënë: "Askush nuk di se çfarë gëzimesh janë fshehur për ata (në jetën tjetër), si shpërblim për punët e mira që kanë bërë." (Es Sexhde: 17) Po ashtu, Allahu i Lartësuar thotë: "Vërtet, punëdrejtët i pret fitorja (Xheneti)." (En Nebe: 31)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Me të vërtetë, Xhehenemi do të bëhet pusi. Vendbanim i caktuar për keqbërësit. Që aty të mbeten përgjithmonë. Aty nuk do të shijojnë as freski, as pije. Përpos ujit të valuar dhe qelbësirave. Si shpërblim përkatës (të veprave të tyre). Në të vërtetë, ata as që e çonin nëpër mend se do të jepnin llogari. Dhe shpalljet Tona i mohonin prerazi. Por Ne çdo gjë e kemi shënuar në një libër. Prandaj do t’u themi: “Shijojeni këtë! Ne nuk do t’ju shtojmë gjë tjetër përveçse dënim!” Vërtet, punëdrejtët i pret fitorja (Xheneti): Kopshte dhe vreshta. Vajza të reja, të së njëjtës moshë. Dhe kupa të mbushura plot. Atje nuk do të dëgjojnë biseda të kota e as gënjeshtra. Kështu është shpërblimi nga Zoti yt - dhuratë sipas meritës." (En Nebe: 21-36) "Shembulli i Xhenetit, që u premtohet të devotshmëve është kështu: një vend, ku ka lumenj me ujë të pandotur, lumenj qumështi me shije të pandryshuar, lumenj vere me shije të këndshme për ata që e pinë dhe lumenj prej mjalti të kulluar. Ata do të kenë aty lloj-lloj frutash dhe falje prej Zotit të tyre. A mund të krahasohet ky shembull me Xhehenemin, ku gjynahqarët do të qëndrojnë përherë në zjarr dhe do t’u jepet ujë i valuar, që ua copëton zorrët?!" (Muhamed: 15)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ndërsa banorët e Xhenetit atë ditë do të kenë vendbanim më të mirë dhe vendpushim më të bukur." (El Furkan: 24) Po ashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Sa për ata që do të kenë peshore të lehtë, mu ata do të jenë (njerëzit) që kanë humbur vetveten, duke qëndruar përherë në Xhehenem. Zjarri do t’ua përcëllojë fytyrat dhe buzët (aq sa do t’u duken dhëmbët)." (El Muminun: 103-104) I Dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Kur Allahu i Lartmadhëruar e krijoi Xhenetin, i tha Xhibrilit: 'Shko dhe shikoje atë!" Kështu, shkoi dhe e shikoi atë, e pastaj erdhi dhe tha: 'O Zoti im, pasha krenarinë Tënde, kushdo që do të dëgjojë për të, do të hyjë në të.' Pastaj e rrethoi atë me vështirësi dhe tha: 'O Xhibril, shko dhe shikoje atë!' Kështu, shkoi dhe e shikoi atë, e pastaj erdhi dhe tha: 'O Zoti im, pasha krenarinë Tënde, kam frikë se askush nuk do të hyjë në të.' Tha: Ndërkaq, kur Allahu e krijoi Zjarrin, tha: 'O Xhibril! Shko dhe shikoje atë!' Kështu, shkoi dhe e shikoi atë, e pastaj erdhi dhe tha: 'O Zoti im, pasha krenarinë Tënde, askush që do të dëgjojë për të, nuk do të hyjë në të.' Atëherë e rrethoi atë me qejfe dhe tha: 'O Xhibril, shko dhe shikoje atë!' Kështu, shkoi dhe e shikoi atë, e pastaj erdhi dhe tha: 'O Zoti im, pasha krenarinë Tënde, kam frikë se nuk do të mbesë askush pa hyrë në të!'" [Musnedi (8398), shënon Ebu Davudi me sened të mirë (4744)] I Dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja qoftë mbi t!) ka thënë: "Në Ditën e Kiametit, prej banorëve të Zjarrit do të sillet njeriu që ka pasur jetën më të begatë në dynja, do të zhytet një herë në Zjarr e pastaj do t'i thuhet: 'O bir i Ademit, a ke parë ndonjëherë ndonjë të mirë? A ke përjetuar ndonjëherë ndonjë kënaqësi?' Ai do të përgjigjet: 'Jo, pasha Allahun, o Zoti im.' Më pas, prej banorëve të Xhenetit do të sillet njeriu që ka pasur jetën më të mjerueshme në dynja, do të zhytet një herë në Xhenet dhe do t'i thuhet: 'O bir i Ademit, a ke parë ndonjëherë mjerim? A ke përjetuar ndonjëherë vështirësi?' Ai do të përgjigjet: 'Jo, pasha Allahun, o Zoti im, nuk kam përjetuar kurrë mjerim dhe nuk kam parë kurrë vështirësi.'" (Shënon Muslimi nr. 2807)
Shih për më tepër: "Hadi el-Ervah ila Bilad el-Efrah" të Ibn Kajjim el-Xheuzijes dhe "Xheneti dhe Zjarri" të Omer el-Eshkarit.
***
Pyetja:
Përse e krijoi Allahu Zjarrin?
Përgjigjja:
Zjarri është dy llojesh: zjarri i kësaj bote dhe zjarri i botës tjetër. Zjarri i kësaj bote ka dobi të mëdha, e ndër më kryesoret është se ai dëshmon për Ringjalljen në Ditën e Kiametit. Allahu thotë: "Vallë, ju i keni bërë drutë për të apo Ne i kemi bërë?! Ne e kemi bërë atë përkujtues (të zjarrit të Xhehenemit) dhe, që t’u sjellë dobi nevojtarëve. Prandaj lavdëroje emrin e Zotit tënd të Madhërishëm!" (El Vakia: 72-74) Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë: "Ai na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: 'Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?' Thuaj: 'Do t’i ngjallë Ai që i krijoi ato për herë të parë; Ai ka njohuri të plotë për çdo krijesë. Ai që prej drurit të njomë bëri për ju zjarrin, të cilin e përdorni për të ndezur.'." (Jasin: 78-80) Kështu, Allahu u përkujtoi njerëzve se Ai që nxjerr zjarrin e nxehtë e përvëlues prej drurit të njomë e të ftohtë, është i Fuqishëm t’i ngjallë të vdekurit me lejen e Tij.
Ndër dobitë më të njohura të zjarrit të kësaj bote janë përfitimi nga drita e tij në errësirë, përgatitja e pijeve dhe e ushqimit, ngrohja në të ftohtë, asgjësimi i asaj që njeriu ka nevojë ta asgjësojë, zbutja e metaleve, lehtësimi i zejeve dhe kurimi i disa sëmundjeve.
Kurse zjarrin e botës tjetër, Zoti e ka krijuar për urtësi të panumërta, por do të përpiqemi të përmendim disa prej tyre, të cilat janë:
Së pari: Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë: "Debatuan Zjarri dhe Xheneti. Njëri (Zjarri) tha: 'Tek unë do të hyjnë tiranët dhe mendjemëdhenjtë', kurse tjetri (Xheneti) tha: 'Tek unë do të hyjnë të dobëtit dhe të varfrit.' Atëherë, Allahu i Plotfuqishëm dhe i Madhërishëm i tha këtij (Zjarrit): 'Ti je dënimi Im, me ty dënoj atë që dua' - ose ndoshta ka thënë: 'me ty godas atë që dua' - ndërsa tjetrit (Xhenetit) i tha: 'Ti je mëshira Ime, me ty mëshiroj atë që dua. Dhe secili prej jush do të mbushet plot!'." (E shënon Muslimi, nr. 34) Ai është dënimi i Allahut, në të cilin ndëshkon kë të dojë prej mohuesve dhe keqbërësve.
Së dyti: prej zemrave të njerëzve ka të atilla që janë më të forta se guri, e këto zemra kryeneçe dhe arrogante nuk i shkrin dhe nuk i edukon gjë tjetër, përveç këtij Zjarri të madh.
Së treti: Prej urtësisë dhe mëshirës së Allahut është fakti se Ai e krijoi Zjarrin; sepse Allahu e bëri këtë botë vend sprove dhe provimi. Ai e krijoi njeriun, mbolli tek ai epshet dhe i mundësoi atij rrugë për t'i përmbushur ato, duke i ndarë në të lejuara dhe të ndaluara. Ai i paralajmëroi robërit e Tij që të mos e kundërshtojnë Atë duke iu afruar epsheve të ndaluara, ashtu siç i paralajmëroi që të mos tregohen të papërgjegjshëm ndaj të drejtës së Tij, në adhurimin e Tij. Ai i kërcënoi të gjithë ata që e kundërshtojnë, qoftë me kryerjen e ndonjë të ndaluare apo me lëshime në bindje, se do t'i fusë në Zjarr. Prandaj, ekzistenca e Zjarrit është frenuesi më i mirë për të zotët e mendjeve të shëndosha, që t'i largojë ata nga veprimi i mëkateve dhe mangësitë. Allahu i Lartësuar thotë: "Prandaj Unë ju kam tërhequr vërejtjen me një zjarr që flakëron. Ku do të hidhet vetëm më i keqi. Që ka mohuar dhe është larguar nga besimi. E do të mbahet larg tij (zjarrit) më i devotshmi (që ruhet nga gjynahet). Që e jep pasurinë e tij, duke pastruar veten." [El Lejl: 14-18] Kur ta kuptosh këtë, do të bëhesh i vetëdijshëm se ekzistenca e tij (Zjarrit) është shkak për t’u larguar nga ajo që e hidhëron Allahun e Lartësuar dhe për t’iu përmbajtur asaj që Ai e urdhëron dhe e do. Po ashtu, në dënimin e jobesimtarit dhe të mizorit në Zjarr ka fitore për atë që ka përjetuar padrejtësi në këtë botë dhe shuarje të zemërimit të tij, ashtu sikurse shërben që jobesimtari të marrë dënimin e tij për shkak të rebelimit ndaj Zotit të tij.
***
Related books
All books
Një Mesazh i shkurtër për Ateistin61 gjuhëNjë Mesazh i shkurtër për Ateistin
Një mesazh i shkurtër për ateistin, i cili i flet arsyes, duke theksuar se saktësia dhe rregulli i universit përjashton rastësinë dhe dëshmojnë për një Krijues të Urtë. A është e arsyeshme të besohet se e gjithë kjo ka ardhur nga hiçi? Andaj hape zemrën, për të menduar e medituar dhe kërko të vërtetën, ndoshta në të do të gjesh një dritë që të udhëzon.
A e ke pyetur veten ndonjëherë: Kush të ka krijuar dhe përse? Dhe çfarë ka pas vdekjes?69 gjuhëA e ke pyetur veten ndonjëherë: Kush të ka krijuar dhe përse? Dhe çfarë ka pas vdekjes?
Libri trajton çështjen e ekzistencës dhe krijimit, duke argumentuar racionalisht ekzistencën e një Krijuesi, veprimet e të Cilit janë plot urtësi dhe cilësitë e të Cilit janë të përsosura. Ai sqaron se qëllimi i vërtetë i jetës është adhurimi i Allahut të vetëm dhe se Islami është feja e vërtetë dhe feja e ruajtur nga ndryshimet. Libri fton në besimin tek i Dërguari i Allahut, Muhamedi, dhe në ndjekjen e mësimeve të tij. Ai paralajmëron kundër shirkut (idhujtarisë) dhe pohon llogaridhënien dhe shpërblimin në botën tjetër.
Mësime të rëndësishme për popullin e thjeshtë78 gjuhëMësime të rëndësishme për popullin e thjeshtë
Libri ''Mësime të rëndësishme për popullin e thjeshtë" i shejh Abdulaziz ibën Bazit (Allahu e pastë mëshiruar!) është një broshurë e shkurtër me dobi të madhe, të cilin imami e ka përpiluar për të qenë një burim i pasur shkencor për të gjithë muslimanët. Në të trajtohen bazat e fesë dhe shtyllat e saj, nga teuhidi, imani dhe islami, deri te rregullat e pastërtisë dhe namazit, si dhe edukata islame, duke sqaruar rreziqet e shirkut dhe mëkateve, me një stil të lehtë dhe të qartë, të bazuar në Kuranin fisnik dhe Sunetin profetik, për të sjellë pranë çdo muslimani akiden dhe adhurimin e saktë.
Islami89 gjuhëIslami
Me emrin e Allahut, të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit! A e ke pyetur veten: Kush i krijoi qiejt, Tokën dhe krijesat madhështore në to? Kush e krijoi këtë sistem të përpiktë dhe të përsosur që gjendet në to?