Skip to content

Bëni vepra të mira aq sa mundeni, se, pasha Allahun, Allahu nuk mërzitet (duke ju shpërblyer) derisa ju të mërziteni (nga veprat).

Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), nëna e besimtarëve, bashkëshortja e Profetit ﷺ tregon:

“Teksa i Dërguari i Allahut ﷺ ishte tek unë, pranë meje kaloi Havla bint Tuvejt ibn Habib ibn Esed ibn Abduluzai, e atëherë unë thashë: “Kjo është Havla bint Tuvejti, për të cilën flitet se nuk fle natën, e në këtë rast i Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Nuk fle natën?! Bëni vepra të mira aq sa mundeni, se, pasha Allahun, Allahu nuk mërzitet (duke ju shpërblyer) derisa ju të mërziteni (nga veprat).”

أَنَّ الْحَوْلَاءَ بِنْتَ تُوَيْتِ بْنِ حَبِيبِ بْنِ أَسَدِ بْنِ عَبْدِ الْعُزَّى مَرَّتْ بِهَا وَعِنْدَهَا رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ، فَقُلْتُ: هَذِهِ الْحَوْلَاءُ بِنْتُ تُوَيْتٍ، وَزَعَمُوا أَنَّهَا لَا تَنَامُ اللَّيْلَ، فَقَالَ رَسُولُ اللهِ صَلَّى اللهُ عَلَيْهِ وَسَلَّمَ: «لَا تَنَامُ اللَّيْلَ! خُذُوا مِنَ الْعَمَلِ مَا تُطِيقُونَ، فَوَاللهِ لَا يَسْأَمُ اللهُ حَتَّى تَسْأَمُوا».

Muttefek alejhi
Sahih
Shpjegimi

Havla bint Tuvejti (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ndodhej tek Aishja, nëna e besimtarëve (Allahu qoftë i kënaqur me të!), dhe doli prej andej në momentin kur Profeti ﷺ hyri tek ajo. Atëherë Aishja i tha: Kjo grua nuk fle natën, por e gjallëron atë me namaz. Profeti ﷺ, duke qortuar shtrëngimin e saj ndaj vetvetes, tha: "Nuk fle natën?! Punoni nga punët e mira aq sa keni mundësi t'i bëni në vazhdimësi, se, pasha Allahun, Allahu nuk mërzitet së dhëni robërve të Tij të mirë dhe të bindur shpërblimin për bindjen, mirësitë dhe punët e tyre të mira, derisa ata vetë të mërziten e ta lënë punën."

Mësime nga hadithi

Shtimi i adhurimit përtej asaj që mund të përballojë trupi çon në mërzitje dhe shpërfillje, kështu që shpirti e lë pas dore.

Të qenit i drejtë dhe mesatar në kryerjen e adhurimit është shkak për vazhdimësinë e tij dhe qëndrueshmërinë në të.

Vepra e pakët dhe e vazhdueshme është më e mirë se vepra e shumtë dhe e ndërprerë.

Neveviu ka thënë: "Me vazhdimësinë e veprës së pakët, nënshtrimi mbetet i vazhdueshëm përmes dhikrit (përmendjes së Allahut), vetëdijes se Ai na vëzhgon, sinqeritetit dhe përkushtimit ndaj Allahut, ndryshe nga vepra e shumtë e mundimshme. Kështu, e pakta e vazhdueshme shtohet derisa ta tejkalojë shumëfish të shumtën e ndërprerë."

Referencat

Sahihu i Buhariut (1/ 17) (43).

Sahihu i Muslimit (1/ 542) (785).

Më shumë (6)

فتح الباري شرح صحيح البخاري.

لابن رجب (1/ 164).

معجم اللغة العربية المعاصرة.

أحمد مختار(2/ 1020).

شرح رياض الصالحين.

لابن عثيمين (2/ 212).