Skip to content

Çelësat e fshehtësisë janë pesë.

Ibn Omeri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“Çelësat e fshehtësisë janë pesë: “Pa dyshim, vetëm Allahu e di çastin e Kiametit. Ai e zbret shiun dhe e di ç'ka në barkun e shtatzënës, e askush nuk di ç'do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç'vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe njohës i çdo gjëje.” (Lukman, 34)

«مَفَاتِحُ الغَيْبِ خَمْسٌ، {إِنَّ اللَّهَ عِنْدَهُ عِلْمُ السَّاعَةِ وَيُنْزِلُ الغَيْثَ وَيَعْلَمُ مَا فِي الأَرْحَامِ وَمَا تَدْرِي نَفْسٌ مَاذَا تَكْسِبُ غَدًا وَمَا تَدْرِي نَفْسٌ بِأَيِّ أَرْضٍ تَمُوتُ إِنَّ اللَّهَ عَلِيمٌ خَبِيرٌ}».

Transmeton Buhariu.
Sahih
Shpjegimi

E fshehta (ar. gajb) është tek Allahu dhe vetëm Ai e njeh atë, dhe Profeti ﷺ ka njoftuar se çelësat e së fshehtës dhe thesaret e saj janë pesë: E para: Kohën kur do të ndodhë Kiameti nuk e di askush tjetër pos Allahut, si tregues për njohjen e ahiretit, sepse Dita e Kiametit është e para e tyre, dhe nëse mohohet dituria për atë që është më e afërt, atëherë mohohet edhe dituria për atë që vjen pas saj. E dyta: Askush nuk e di se kur bie shi përveç Allahut, si tregues për çështjet e botës së lartë. Ai e veçoi shiun, ndonëse ai ka shkaqe të cilat, sipas rrjedhës së zakonshme, mund të tregojnë për ndodhjen e tij, por pa pasur vërtetim dhe siguri të plotë. E treta: Ajo që gjendet në mitra, qoftë mashkull apo femër, i zi apo i bardhë, i plotë apo i mangët, i mjerë apo i lumtur (në botën tjetë), e të ngjashme. Mitra u veçua për t'u përmendur për shkak se shumica e njohin atë nga përvoja e zakonshme, e megjithatë u mohua që dikush ta dijë realitetin e saj, ndaj për gjërat e tjera kjo është aq më e pamundur. E katërta: Atë çfarë do të ndodhë nesër nuk e di askush tjetër pos Allahut, si një aludim për llojet e kohës dhe ndodhitë në to. U përdor fjala "nesër" sepse në të vërtetë ajo është koha më e afërt, dhe nëse, me gjithë këtë afërsi, nuk dihet e vërteta e asaj çfarë do të ndodhë në të, pavarësisht mundësisë së shenjave dhe treguesve, atëherë koha që është më e largët aq më pak mund të dihet. E pesta: "askush nuk di se në ç'vend do të vdesë", është aludim për çështjet e botës së poshtme. Edhe pse është e zakonshme për shumicën e njerëzve që të vdesin në vendin e tyre, kjo nuk është një e vërtetë absolute; madje, edhe nëse njeriu vdes në vendin e tij, nuk e di se në cilën pjesë të tij do të varroset, edhe sikur aty të ndodhet varreza e të parëve të tij. "Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe njohës i çdo gjëje." Ai i përfshin të jashtmet dhe të brendshmet, të fshehtat dhe të mbuluarat, si dhe sekretet. Kështu, ajeti përmblodhi llojet e së fshehtës dhe hodhi poshtë të gjitha pretendimet e kota.

Mësime nga hadithi

Sqarimi i pesë thesareve të së fshehtës, të cilat nuk i di askush tjetër pos Allahut.

Sindiu ka thënë: "Thënia e Profetit ﷺ: "Çelësat e së fshehtës janë pesë", këto të pesë u quajtën çelësat e së fshehtës, sepse ai që i zotëron këto të pesë e zotëron të gjithë të fshehtën, kështu që ato janë bërë sikur me to të hapen thesaret e së fshehtës."

Ibn Haxheri ka thënë: "Ibn Ebu Xhemreja ka thënë: "Ai u shpreh me fjalën "çelësa" për t'ia bërë çështjen më të afërt dëgjuesit‚ sepse çdo gjë, mes së cilës dhe teje është vendosur një pengesë, të është fshehur, dhe zakonisht, arritja te njohja e saj bëhet përmes derës. E, nëse mbyllet dera, atëherë ka nevojë për çelës. Kështu që, nëse atij mjeti, pa të cilin nuk mund të arrihet te e fshehta, nuk i dihet vendndodhja, atëherë si mund të njihet ajo që është e fshehur?!"

Ibn Ebu Xhemreja tha: "Urtësia nga bërja e tyre pesë është aludimi në kufizimin e botëve në to."

Allahu i Plotfuqishëm mund t'u shfaqë të dërguarve diçka nga e fshehta, për një urtësi të Tij, i Lartësuar qoftë Ai.

Shfuqizimi i trillimeve të astrologëve dhe falltarëve në ushtrimin e tyre për njohjen e së fshehtës, dhe se kushdo që pretendon se di diçka, njohja e së cilës është ekskluzive për Allahun, i Lartësuar qoftë Ai, ka përgënjeshtruar Allahun e Lartësuar, të Dërguarin e Tij ﷺ dhe Kuranin e Madhërishëm.

Referencat

Sahihu i Buhariut (6/ 56) (4627).

Më shumë (1)

إرشاد الساري لشرح صحيح البخاري (7/ 118).