Skip to content

Shpagimi i zotimit është shpagimi i betimit.

Ukbe ibn Amiri (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton nga i Dërguari i Allahut ﷺ se ka thënë:

"Shpagimi i zotimit është shpagimi i betimit."

«كَفَّارَةُ النَّذْرِ كَفَّارَةُ اليَمِينِ».

Transmeton Muslimi.
Sahih
Shpjegimi

Profeti ﷺ ka sqaruar se shlyerja e zotimit absolut, nëse nuk përcaktohet se çfarë synohet prej tij dhe nuk emërtohet (specifikohet), është shlyerja e betimit.

Mësime nga hadithi

Zotimi: në terminologjinë fetare është detyrimi që një person i ngarkuar me përgjegjësi fetare, me vullnet të lirë, ia ngarkon vetes për të kryer diçka për Allahun e Lartësuar.

Shpagimi i betimit: ushqyerja e dhjetë të varfërve, ose sigurimi i rrobave për ta, ose lirimi i një robi nga robëria. E nëse nuk ka mundësi, atëherë agjërimi i tre ditëve.

Urtësia e shpagimit është që muslimani ta respektojë zotimin, të mos tërhiqet prej tij dhe të mos e bëjë shprehi të gjuhës së tij.

Llojet e zotimit: 1. Zotimi absolut: si për shembull thënia e tij: “Jam zotuar te Zoti nëse shërohem!”, ku më pas hesht dhe nuk ka për qëllim një zotim të caktuar. Në këtë rast, ai e ka detyrim shpagimin e betimit kur të arrihet shërimi. 2. Zotimi i grindjes dhe i zemërimit: i cili është kur zotimi lidhet me një kusht, përmes të cilit synohet pengimi i vetes nga veprimi i diçkaje apo shtytja për ta kryer atë. Si për shembull thënia e tij: “Nëse të flas, e kam detyrim të agjëroj një muaj!”. Dispozita e tij: atij i jepet zgjedhja mes kryerjes së asaj që ka marrë përsipër, ose dhënies së shpagimit të betimit në momentin që i flet. 3. Zotimi i lejuar (mubah): si për shembull: “Jam zotuar te Zoti që ta vesh rrobën time!”. Dispozita e tij: atij i jepet zgjedhja mes veshjes së rrobës ose dhënies së shpagimit të betimit. 4. Zotimi i papëlqyeshëm (mekruh): si për shembull: “Jam zotuar te Zoti që ta shkurorëzoj gruan time!”. Dispozita e tij: është e pëlqyeshme (sunet) për të që të japë shpagimin e betimit dhe të mos e veprojë atë për të cilën është zotuar. Ndërsa nëse e vepron, nuk ka detyrim shpagimi. 5. Zotimi për mëkat: si për shembull: “Jam zotuar te Zoti që të vjedh!”. Dispozita e tij: ndalohet rreptësisht përmbushja e tij dhe detyrohet me shpagimin e betimit. E nëse e vepron atë, bën mëkat dhe nuk ka detyrim shpagimi. 6. Zotimi për adhurim: si për shembull: “Jam zotuar te Zoti që të fal këtë namaz!”, me qëllim të afrimit te Zoti. Nëse këtë e lidh me një kusht, siç është shërimi i një të sëmuri, atëherë duhet ta përmbushë nëse realizohet kushti. Ndërsa, nëse nuk e lidh me asnjë kusht, atëherë duhet ta përmbushë atë absolutisht.

Referencat

Sahihu i Muslimit (3/ 1265) (1645).

Më shumë (8)

فتح ذي الجلال والإكرام شرح بلوغ المرام.

لابن عثيمين (6/ 128).

توضيح الأحكام من بلوغ المرام.

لعبد الله البسام (7/ 135).

منحة العلام شرح بلوغ المرام.

لعبد الله الفوزان (5/ 98).

سبل السلام.

لمحمد الصنعاني (2/ 558).