Skip to content

Si mund të vërtetohet ringjallja pas vdekjes?

محاور التعريف بالإسلام
اليوم الآخر والمصيرالبعث بعد الموت
مصدر الإجابة
قسم البعث | كتاب: الإسلام دين رب العالمين، ص 16-17.
الباب / الفصل
(قسم البعث)

السؤال

Si mund të vërtetohet ringjallja pas vdekjes?

الجواب

Është për t'u çuditur me atë që e mohon Ringjalljen, sepse ajo është një çështje të cilën e kërkon urtësia dhe të cilën e predikojnë të gjitha shpalljet hyjnore. Përgjithësisht, nuk ekziston asnjë fe që të mos besojë në Ringjallje, në një formë apo në një tjetër. Ndërsa përgjigjja për pyetjen është si vijon:

Së pari, ringjallja e krijesave është një e vërtetë që buron nga drejtësia dhe urtësia; e nëse supozojmë se ringjallja nuk do të ndodhë, atëherë ekzistenca e njeriut në këtë planet do të ishte diçka e kotë. I Madhërishmi ka thënë:

"Mos vallë, keni menduar që Ne ju kemi krijuar kot dhe që nuk do të ktheheshit te Ne (për t’ju gjykuar)?!"

(El Muminun, 12-14)

Sikur të supozonim se nuk ka ringjallje, si do ta merrte hakun i shtypuri nga zullumqari?! Si do të ndëshkoheshin ata që kanë bërë trazira në Tokë, nëse do të vdisnin natyrshëm, para se t'i arrinte dora e drejtësisë për të marrë hakun prej tyre?! Dhe si do të shpërbleheshin njerëzit e mirë, të cilët bënë vepra të mëdha për të dobtit dhe nuk morën shpërblim për punët e tyre në këtë botë?! Andaj, është e domosdoshme të ketë një ditë kur njerëzit do të dalin para Zotit të botëve, që secilin ta shpërblejë për veprat që ka bërë. I Madhërishmi thotë:

"Vallë, a t’i trajtojmë ata që Na nënshtrohen njësoj me keqbërësit?!"

(El Kalem: 35)

Këtë po e ilustrojmë me një shembull: sikur një njeri tiran të vriste një mijë persona, të përdhunonte gratë dhe të vidhte pasuritë, e më pas të vdiste në mënyrë të natyrshme, pa e prekur dora e drejtësisë e pa u marrë haku prej tij, si do ta merrte ai dënimin e vet? E si do të viheshin në vend këto padrejtësi, gjaqet e derdhura, nderet e nëpërkëmbura dhe pasuritë e grabitura? Si do ta merrnin hakun e tyre të dëmtuarit? Sikur të mos ekzistonte ringjallja, do të ishte diçka tejet e keqe që krimineli mizor e keqbërës të shpëtonte nga dënimi. Mirëpo, Allahu na ka lajmëruar se çdonjëri që është shtypur do ta marrë hakun e vet nga shtypësi i tij. Allahu i Lartësuar thotë:

"Ata që s’besojnë në shenjat Tona, Ne padyshim, do t’i djegim në zjarr. Sapo t’u digjet lëkura, Ne do t’ua ndërrojmë atë me lëkurë tjetër, për të përjetuar dënimin. Me të vërtetë, Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë."

Kësisoj, jobesimtari do të digjet në zjarr, e sa herë që t'i piqet lëkura, ajo do t'i zëvendësohet me një tjetër në mënyrë që ta shijojë ndëshkimin, derisa të shpaguajë kështu për çdo padrejtësi që ka bërë. Madje, edhe sikur të kishte vrarë një mijë njerëz, Allahu do ta vriste atë një mijë herë në Ditën e Kiametit. E a mund të ndodhë një gjë e tillë në këtë botë?! Një kriminel kur kapet, edhe në pastë vrarë njëqind njerëz, e shumta që mund t'i bëhet është të vritet vetëm një herë të vetme e me kaq të vdesë.

Së dyti, ringjallja mund të vërtetohet me argumentet e mëposhtme:

Se Allahu, i Cili është i Fuqishëm t’i krijojë qiejt dhe Tokën, është i Fuqishëm t’i rikrijojë njerëzit sërish. Pra, Ai që i krijoi këta trupa qiellorë madhështorë nuk është i pafuqishëm t’i rikrijojë njerëzit sërish. Allahu i Lartësuar thotë:

"Krijimi i qiejve dhe i Tokës është më i madh se krijimi i njerëzve, por shumica e njerëzve nuk e di."

(Gafir, 39)

Allahu, i Cili e krijoi njeriun e parë, Ademin, prej dheut dhe e bëri atë njeri të plotë, është i Fuqishëm ta kthejë njeriun prapë në jetë pasi të bëhet dhé. Allahu i Lartësuar thotë:

"Ai (mohuesi) na sjell shembull, duke harruar krijimin e vet dhe thotë: 'Kush do t’i ngjallë eshtrat kur të kalben?' Thuaj: 'Do t’i ngjallë Ai që i krijoi për herë të parë, sepse Ai është i Gjithëdijshëm për çdo krijim!'"

(Jasin: 78-79)

Se Allahu, i Cili na tregon çdo ditë krijimin e përtërirë të njeriut prej një lëngu të thjeshtë, prej një pike të vogël, nuk e ka të vështirë ta rikrijojë sërish. Allahu i Lartësuar thotë:

"O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, ta dini se Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkës së gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si foshnje e pas kësaj ju arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme!"

(El Haxh: 5)

Allahu na ka sjellë një shembull që e përjetojmë shpesh në këtë jetë, që është se Toka nganjëherë është e vdekur, e shkretë dhe pa jetë në të; pastaj zbret shiu mbi të, kështu ajo gjallërohet dhe prej saj mbin çdo lloj bime e bukur. Pa dyshim, Ai që e gjallëron atë, do t’i ringjallë edhe të vdekurit. Allahu i Lartësuar thotë:

"Ndër shenjat e Tij është edhe ringjallja e tokës. Ti e sheh tokën të thatë e të shkretë, por, kur zbresim shi mbi të, ajo lëviz dhe gjallërohet. Pa dyshim, Ai që e ngjall atë, i ngjall edhe të vdekurit. Ai është vërtet i pushtetshëm për çdo gjë."

(Fusilet: 2-4)

Gjithashtu, Zoti na ka sjellë një argument të mahnitshëm në Kuranin Fisnik që flet për ringjalljen, ky argument është dalja e zjarrit të nxehtë prej drurit të njomë, siç e shohim në zjarret e pyjeve. Zoti Fuqiplotë thotë:

"A e shihni zjarrin që e ndizni?

Vallë, ju i keni krijuar drutë për të apo Ne i kemi krijuar?!

Ne e kemi bërë atë përkujtues (të zjarrit të Xhehenemit) dhe, që t’u sjellë dobi nevojtarëve!"

(El Vakia: 77-80)

Pra, Ai që nxjerr zjarrin e nxehtë nga një lëndë e kundërt, që është druri i njomë, është i Fuqishëm të nxjerrë të gjallin nga i vdekuri.

Gjithashtu, gjumi është një panoramë e zvogëluar e vdekjes dhe ringjalljes, a nuk e shohim se njeriu, edhe kur ndodhet në kulmin e fuqisë dhe gjallërisë së tij, e zë gjumi dhe shpirti i tij largohet nga trupi gjatë gjumit? Atëherë ai nuk ndien asgjë nga ajo që ndodh rreth tij. Madje mund të ndizet zjarr në shtëpinë ku banon dhe ai të mos e kuptojë fare, derisa të digjet. Prandaj, ashtu siç zgjohet nga gjumi, njeriu do të ringjallet edhe pas vdekjes. Ky është një argument i prekshëm dhe i dukshëm, të cilin secili prej nesh e vëren te vetja dhe te njerëzit përreth. Allahu i Lartësuar thotë:

"Të tjera shenja të Tij janë gjumi juaj natën e ditën dhe dalja e juaj në kërkim të dhuntive të Tij. Vërtet, në këtë ka shenja për njerëzit që dëgjojnë."

(Er Rum, 27)

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:

"Allahu ua merr shpirtrat atyre që u ka ardhur çasti i vdekjes dhe atyre që nuk kanë vdekur ende, por që janë në gjumë. Pastaj Ai ndal shpirtin e atij që i është caktuar vdekja, ndërsa të tjerëve ua lë deri në një kohë të caktuar. Me të vërtetë, këto janë shenja për njerëzit që mendojnë."

(Ez Zumer: 42)

Allahu na ka informuar për mrekulli të ndodhura përmes pejgamberëve të Tij (paqja qoftë mbi ta!), siç është ringjallja e të vdekurve dhe kthimi i tyre në jetë, nga radhët e njerëzve apo kafshëve, qoftë kjo përmes Ibrahimit, Musait apo Isait (paqja qoftë mbi ta!). Ky është një argument material e konkret, të cilin historia e ka ruajtur për këdo që dëshiron të marrë mësim nga ngjarjet e kohës.

Gjithashtu, besimi në ringjalljen është pjesë e besimit në të fshehtën (gajbin). Allahu na ka njoftuar për të, si edhe për çështje të tjera të padukshme, besimi në të cilat është i domosdoshëm për mirëqenien e njeriut në fenë dhe jetën e tij. Ai ka vendosur para nesh shumë argumente dhe dëshmi që i japin besimtarit bindje të plotë se këto të fshehta janë të vërteta ashtu siç janë në realitetin e tyre, ai i njeh ato me zemrën e tij sikur po i sheh me sytë e vet. Po ashtu, shpallja hyjnore, e cila përmban lajme për të fshehtën, ka sjellë shumë të vërteta dhe fakte të pakundërshtueshme që i pranon arsyeja dhe vërtetësinë e të cilave njeriu e sheh në jetën e përditshme. Kështu, vërtetësia e asaj që ai e njeh dhe e përjeton, e forcon bindjen e tij edhe për atë që mbetet e fshehtë për të.

Gjithashtu, Islami dhe besimi i askujt nuk është i vlefshëm pa besimin në Ringjallje, e kushdo që e mohon Ringjalljen është jobesimtar në Allahun e Madhërishëm, sado mirësi dhe bamirësi të ketë bërë. Allahu i Lartësuar thotë:

"Mohuesit kujtojnë se nuk do të ringjallen kurrsesi. Thuaju: 'Po, për Zotin tim, me siguri që do të ringjalleni e pastaj do të njoftoheni për atë ç’keni bërë!' Dhe kjo është e lehtë për Allahun."

(Et Tegabun: 9-10)

المصدر

قسم البعث كتاب: الإسلام دين رب العالمين، ص 16-17. قسم البعث كتاب: الإسلام دين رب العالمين، ص 16-17.

ملاحظات

--