Skip to content

Cilat janë pesë shtyllat e Islamit?

محاور التعريف بالإسلام
الشبهات والاعتراضات
مصدر الإجابة
قسم أركان الإسلام
الباب / الفصل
(قسم أركان الإسلام)

السؤال

Cilat janë pesë shtyllat e Islamit?

الجواب

Islami qëndron mbi pesë shtylla, të cilat Profeti (paqja qoftë mbi të!) i ka sqaruar me fjalët e tij:

"Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Dëshmia se nuk ka të adhuruar përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut, falja e namazit, dhënia e zekatit, kryerja e haxhit dhe agjërimi i Ramazanit."

E shënojnë Buhariu dhe Muslimi.

Shtylla e parë: dëshmia se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut dhe se Muhamedi është i Dërguari i Allahut. Kjo do të thotë se duhet të besojmë se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut të Lartësuar, duke e ditur kuptimin e saj dhe konsekuencat që burojnë prej saj, si mohimi i tagutit dhe nënshtrimi ndaj ligjit të Allahut të Lartësuar, sinqeriteti ndaj Tij, së bashku me dashurinë dhe madhërimin (e Tij). Po ashtu, njeriu duhet të besojë se Allahu i vetëm është Zoti, Sunduesi, Rregulluesi i gjithçkaje, Krijuesi dhe Furnizuesi, dhe t’i atribuojë Atij të gjitha emrat e bukur dhe cilësitë e larta që Ai ia ka pohuar Vetes ose që i ka pohuar për Të i Dërguari i Tij. Gjithashtu, duhet të besojë se Allahu i vetëm është i denjë për adhurim dhe askush tjetër përveç Tij, sepse Ai është i vetmi Krijues pa ortak. Ai ka thënë:

"Ai është Krijuesi i qiejve dhe i Tokës! E si mund të ketë Ai fëmijë, ndërkohë që nuk ka bashkëshorte?! Ai ka krijuar çdo gjë dhe është i Dijshëm për çdo gjë.

Ky është Allahu, Zoti juaj. S’ka zot tjetër të vërtetë përveç Tij, Krijuesi i çdo gjëje, andaj adhuroni vetëm Atë! Ai është Mbikëqyrësi i çdo gjëje!"

(El Enam, 103)

Dhe (gjithashtu të dëshmosh) se Muhamedi, i biri i Abdullahut, i biri i Abdul-Muttalibit, el-Hashimi, el-Kurejshi, është vula e profetëve dhe më i nderuari i të dërguarve, duke zbatuar sheriatin e tij dhe duke e respektuar atë në mënyrën që parashikohet në legjislacionin islam, pa teprim dhe pa neglizhencë. Një nga format e neglizhencës ndaj tij është mosveprimi sipas sunetit të tij, ndërsa një nga format e teprimit është adhurimi i tij në vend të Allahut të Lartësuar, si p.sh. betimi në emër të tij, lutja drejtuar atij, ose veprime të tjera që nuk lejohet t’i drejtohen askujt përveç Allahut të Madhëruar.

Gjithashtu, njeriu duhet të besojë se Allahu e dërgoi të dërguarin e Tij, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) si profet, i zbriti atij Kuranin dhe e urdhëroi ta kumtojë këtë fe te të gjithë njerëzit. Të besojë se dashuria për Allahun dhe të dërguarin e Tij, si dhe bindja ndaj tyre, është obligim për çdokënd, dhe se dashuria për Allahun nuk arrihet përveçse duke pasuar të dërguarin e Tij. Allahu i Lartësuar thotë:

"Thuaju (o Muhamed): 'Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu t’ju dojë dhe t’jua falë gjynahet! Allahu është Falës i Madh dhe Mëshirëplotë!'"

(Ali Imran: 3-4)

Dhe se është obligim t’i bindesh atij në atë që ka urdhëruar, ta besosh në atë që ka lajmëruar, të shmangesh nga ajo që ka ndaluar dhe e ka kritikuar, dhe që Allahu të adhurohet vetëm sipas asaj që ka ligjësuar, e jo sipas risive (bidateve) që i kanë shpikur njerëzit.

Urtësia e dërgimit të profetit është udhëzimi dhe drejtimi i njerëzve drejt gjërave të mira dhe të dobishme për ta në fenë dhe në jetën e tyre, si dhe drejt asaj që e kënaq Zotin e tyre.

Shtylla e dytë: falja e namazit. Namazi është adhurimi i Allahut me fjalë dhe veprime të caktuara, që fillon me tekbir (thënien “Allahu ekber”) dhe përfundon me selam.

Janë gjithësej pesë namaze në ditë dhe natë: namazi i sabahut (fexhrit), i drekës (dhuhr), i ikindisë (asr), i akshamit (magrib) dhe i jacisë (isha).

Namazi është farz për çdo musliman.

Ai thotë:

"Pa dyshim, namazi është detyrë për besimtarët në kohë të caktuar."

(En Nisa, 163)

Ndër urtësitë e namazit është se ai është lidhje mes robit dhe Zotit të tij, prehje dhe qetësi, si dhe ndalon nga veprat e turpshme dhe të këqija, etj.

Shtylla e tretë: dhënia e zekatit. Zekati është një e drejtë e detyrueshme në një shumë të caktuar të pasurisë, që i jepet një kategorie të caktuar njerëzish në një kohë të caktuar. Ai është një nga shtyllat e Islamit dhe një lëmoshë e detyrueshme që merret nga i pasuri dhe i jepet të varfrit.

"Merr nga pasuria e tyre lëmoshë me të cilën t’i pastrosh dhe t'i dëlirësosh ata!"

(Et Teube: 103)

Ndër urtësitë e zekatit është se ai e pastron pasurinë dhe e shton atë, i dëlirëson shpirtrat nga koprracia e zemërngushtësia dhe forcon dashurinë ndërmjet të pasurve dhe të varfërve. Në këtë formë zhduket mëria, mbizotëron siguria dhe lumturohet mbarë shoqëria.

Shtylla e katërt: agjërimi i Ramazanit, i cili nënkupton largimin nga gjërat që e prishin agjërimin, si ngrënia, pija dhe marrëdhëniet intime, gjatë ditës së muajit të nëntë të vitit hixhri (Ramazani).

"Muaji i Ramazanit është ai, në të cilin ka zbritur Kurani, që është udhërrëfyes për njerëzit, plot me shenja të qarta për rrugën e drejtë dhe dallues (i së mirës nga e keqja). Pra, kushdo nga ju që dëshmon këtë muaj, le të agjërojë!"

(El Bekare, 21)

Prej urtësive të agjërimit është se agjërimi është mjet dhe mënyrë për të arritur devotshmërinë ndaj Allahut të Madhëruar.

E ndërgjegjëson agjëruesin për begatinë që i ka dhuruar Allahu i Lartësuar.

Ia kujton agjëruesit nevojat e vëllezërve të tij të varfër dhe nevojtarë.

Bashkon ndjenjat e muslimanëve.

I jep trupit shëndet dhe forcë,

etj.

Shtylla e pestë: haxhillëku. Haxhillëku nënkupton vizitën në Vendet e Shenjta në Mekën e Bekuar, një herë në jetë për atë që ka mundësi, për të kryer rituale të caktuara.

"Njerëzit i detyrohen Allahut të vizitojnë Qaben, për këdo që ka mundësi ta përballojë rrugën. E kush nuk beson, Allahu nuk ka nevojë për askënd."

Prej urtësive të Haxhit është: përmbushja e njësimit të Allahut të Lartësuar, përmbushja e devotshmërisë ndaj Allahut të Madhëruar, realizimi i përmendjes së Allahut të Plotfuqishëm, dëlirësimi i shpirtit njerëzor dhe edukimi i Umetit me vlerat e unitetit të vërtetë, si dhe shumë e shumë urtësi, dobi dhe përfitime të tjera.

Ky është një përmbledhje e shkurtër, ndërsa për secilën prej shtyllave ka kushte, shtylla dhe detaje të shumta.

Salavatet dhe selamet qofshin për Muhamedin, familjen dhe të gjithë shokët e tij!

المصدر

قسم أركان الإسلام

ملاحظات

--