Skip to content

A besojnë muslimanët në doktrinën e mëkatit të trashëguar?

محاور التعريف بالإسلام
الشبهات والاعتراضات
مصدر الإجابة
قسم المسلمين
الباب / الفصل
(قسم المسلمين)

السؤال

A besojnë muslimanët në doktrinën e mëkatit të trashëguar?

الجواب

Ajo që quhet “mëkati i trashëguar” është një iluzion pa asnjë realitet të vërtetë. Ai është prej miteve të librit të shenjtë sipas hebrenjve dhe të krishterëve, ku ata pretendojnë se Ademi dhe Havaja kryen një mëkat të madh, dhe se Havaja ishte ajo që e joshi Ademin për të ngrënë nga pema. Sipas pretendimit të tyre të pavërtetë, Ademi mbarti barrën e mëkatit të tij dhe ua trashëgoi atë pasardhësve të vet. Gjithashtu pretendojnë se Allahu e ndëshkoi gruan duke e bërë të mbartë dhe të lindë si dënim për joshjen që i bëri burrit të saj, Ademit; ndërsa gjarprin e ndëshkoi që të zvarritej mbi bark dhe të hante dhe, sepse shejtani ishte mishëruar në të kur deshi të hynte në xhenet; dhe se toka u mallkua për shkak të mëkatit të Ademit, etj. Kjo është një legjendë e trilluar dhe një prej shpifjeve të librit të shtrembëruar që hebrenjtë e konsiderojnë të shenjtë.

Më pas, krishterimi solli një marrëzi të madhe, të cilën e huazoi nga fetë pagane, e që është: se Zotit i erdhi keq për njerëzit prej mëkatit të babait të tyre, prandaj vendosi të flijonte birin e Tij, kështu që e zbriti birin e Vet të mishëruar në trupin e Mesihut, e më pas u dha pushtet hebrenjve mbi të që ta vrisnin e ta kryqëzonin, si shlyerje për mëkatin e Ademit.

E vërteta është se Allahu, kur i krijoi krijesat dhe e përfundoi krijimin e qiejve, të tokës dhe të engjëjve, u tregoi engjëjve se do të vendoste në tokë një mëkëmbës. Engjëjt pyetën: “Si do të vendosësh në të dikë që në natyrën e tij ka epsh dhe prirje për prishje?” Atëherë Allahu u tregoi se Ai është më i Dijshmi dhe më i Urti, dhe se ky mëkëmbës do të shumohej në tokë, pasardhësit e tij do të shtoheshin, do të zëvendësonin njëri-tjetrin dhe mes tyre do të kishte njerëz të mirë e përmirësues. Allahu kishte shkruar në Leuhi Mahfudh, para se të krijonte Ademin dhe bashkëshorten e tij Havanë, se do t’i zbriste në tokë për të banuar në të dhe për të kryer detyrën e mëkëmbësisë. Kur e krijoi Ademin, e vendosi në Xhenet që t’i mësonte një mësim për vetveten dhe për armikun e tij, shejtanin, me të cilin do të përballej në tokë. Allahu ia lejoi të gjitha pemët e Xhenetit që të hante prej tyre, por e ndaloi vetëm nga një pemë, e cila nuk kishte ndonjë veçori mbi të tjerat; ndalimi ishte vetëm si sprovë dhe provim për të. Kur shejtani i mashtroi dhe i gënjeu që të hanin nga ajo pemë, Ademi e kuptoi se kishte gabuar dhe kishte harruar paralajmërimin e Allahut. Atëherë Allahu ia mësoi se si të pendohej për këtë gabim; Ademi tha atë që Allahu e urdhëroi të thoshte, Allahu ia pranoi pendimin dhe çështja përfundoi me kaq.

Ai thotë:

"Kur Zoti yt u tha engjëjve: “Unë do të krijoj një mëkëmbës (që do të zbatojë ligjet e Zotit) në tokë”, ata thanë: “A do të vësh atje dikë që do të bëjë çrregullime e do të derdhë gjak, ndërkohë që Ne të madhërojmë, të lavdërojmë dhe të lartësojmë ashtu si të takon Ty?!” Ai tha: “Unë di atë që ju nuk e dini”.

Allahu ia mësoi Ademit emrat e çdo gjëje, pastaj ua paraqiti engjëjve dhe u tha: “Më tregoni emrat e tyre, nëse ajo që thoni është e vërtetë!”

“Qofsh i lavdëruar! - thanë ata - Ne dimë vetëm atë që na ke mësuar Ti. Në të vërtetë, Ti je i Gjithëdituri, i Urti.”

“O Adem, - tha Ai -tregojua atyre emrat e gjërave!” Kur ai ua tregoi emrat e tyre, Allahu tha: “A nuk ju kam thënë se vetëm Unë i di fshehtësitë e qiellit e të Tokës dhe vetëm Unë e di çfarë publikoni dhe çfarë fshihni?!”

Kur u thamë engjëjve: “Përuluni në sexhde para Ademit”, ata u përulën, përveç Iblisit, i cili nuk deshi, u tregua mendjemadh dhe u bë jobesimtar.

Ne thamë: “O Adem, jeto ti dhe gruaja jote në Xhenet dhe aty hani sa të doni e kur të doni, por mos iu afroni kësaj peme, se ndryshe do të bëheni të padrejtë”.

Shejtani i shtyu të gabojnë e i nxori nga lumturia ku ishin. “Zbritni - u thamë Ne - do të jeni armiq të njëri-tjetrit. Në Tokë do të qëndroni, do të keni furnizim e do të jetoni deri në një kohë të caktuar”.

Ademi mësoi disa fjalë (se si të kërkonte falje) nga Zoti i tij, kështu që Ai ia pranoi pendimin. Sigurisht, Ai i pranon shumë pendimet, Ai është Mëshirëploti.

Ne u thamë: “Zbritni të gjithë prej Xhenetit! Kur t’ju vijë udhërrëfimi Ynë, ata që do t’i përmbahen atij, nuk do të kenë frikë dhe nuk do të dëshpërohen."

(El Bekare, 129)

Ngjarjet e kësaj historie sillen rreth faktit se Allahu krijoi një mëkëmbës për tokën dhe bëri që fillimi i jetës së tij të jetë në Xhenet. Pasi e mësoi dhe ai mësoi, e urdhëroi dhe e ndaloi nga disa gjëra. Më pas ndodhi prej tij një gabim, të cilin Kurani e quajti “rrëshqitje” dhe nuk e quajti mëkat. Allahu i Lartësuar thotë:

"Shejtani i shtyu të rrëshqasin."

E kur ra në sprovën që ishte paracaktuar për të, Allahu i mësoi se si ta rregullojë gabimin, kur bën gabime, dhe si të pendohet te Zoti i tij. Kështu, Allahu ia pranoi pendimin, e udhëzoi dhe e nderoi, dhe pas pranimit të pendimit, e zbriti atë në Tokë për të përmbushur misionin për të cilin u krijua.

Në librin e hebrenjve ka shumë tekste – që nuk ka nevojë të përmenden – që e hedhin poshtë faktin që fëmija të trashëgojë mëkatin e babait të tij, apo që njerëzimi të trashëgojë mëkatin. Atëherë, si e trilluan hebrenjtë, dhe të krishterët pas tyre, këtë shpifje?!

Në Kuranin Famëlartë, askush nuk e mbart mëkatin e tjetrit dhe as fëmija nuk e trashëgon fajin e babait të tij. Allahu i Lartësuar thotë:

"Kush zgjedh rrugën e drejtë, e ka për veten e vet e kush i largohet asaj, i largohet në dëm të vetvetes dhe askush nuk e merr të keqen e tjetërkujt. Ne nuk dënojmë asnjë popull, para se të çojmë të dërguar!"

[El Isra: 88]

Pas këtij sqarimi themi me bindje: çështja e "mëkatit të trashëguar" apo e "mëkatit fillestar" nuk ekziston. Ajo nuk është gjë tjetër veçse një besëtytni e ndërtuar mbi një shpifje hebreje, të cilën e përforcoi shpifja e krishterë lidhur me mishërimin e Mesihut (paqja qoftë mbi të!) dhe kryqëzimin e tij si shpagim për mëkatin e Ademit (paqja qoftë mbi të!). E cilado doktrinë që në të vërtetë është një bestytni e ndërtuar mbi një shpifje, nuk ka kurrfarë vlere. Përkundrazi, i kërkojmë falje Allahut nga ky pretendim dhe kjo shpifje.

Njeriu që ndjek fenë e Allahut, të cilin Zoti i tij e ka edukuar, i ka dhënë aftësinë dalluese për të bërë dallimin mes së vërtetës dhe së pavërtetës, dhe e ka nderuar me një fe të vërtetë që ngrihet mbi argumentin dhe provën, e urren mashtrimin dhe besëtytninë — ky njeri nuk i jep kësaj përralle as vlerësimin më të vogël dhe e di se ajo është një shpifje e trilluar. Ajo nuk ndikon tek ai në kulturën dhe synimet e tij; përkundrazi, ai e konsideron atë një fyerje ndaj profetëve dhe të dërguarve (paqja qoftë mbi ta!), sepse sipas pretendimit të saj të gjithë profetët dhe të dërguarit kanë qenë të ndotur me të ashtuquajturin “mëkat i trashëguar”, derisa u pastruan me flijimin e Mesihut për ta. Atëherë, si do të pastroheshin profetët që kanë vdekur para kohës së Mesihut?

I mençuri i cili pason fenë e Allahut, kujdeset ta korrigjojë këtë gabim të përhapur dhe të sqarojë të vërtetën nga e kota në lidhje me të dhe me çështje të tjera. Ai e falënderon Allahun që i mësoi fenë e Tij të saktë dhe e bëri prej pasuesve të profetëve dhe të dërguarve (paqja dhe bekimet qofshin mbi ta!).

المصدر

قسم المسلمين

ملاحظات

--