Skip to content

Përse Allahu ia shpalli Kuranin e madhërishëm Profetit Muhamed? A nënkupton kjo shfuqizimin e Teuratit dhe të Inxhilit? Dhe a do të thotë kjo se pasuesit e Teuratit dhe të Inxhilit nuk ishin të udhëzuar nga Allahu, ndaj Allahu ia shpalli Kuranin Profetit Muhamed?

مصدر الإجابة
قسم القرآن والكتب السابقة
الباب / الفصل
(قسم القرآن والكتب السابقة)

السؤال

Përse Allahu ia shpalli Kuranin e madhërishëm Profetit Muhamed? A nënkupton kjo shfuqizimin e Teuratit dhe të Inxhilit? Dhe a do të thotë kjo se pasuesit e Teuratit dhe të Inxhilit nuk ishin të udhëzuar nga Allahu, ndaj Allahu ia shpalli Kuranin Profetit Muhamed?

الجواب

Pyetësit i thuhet: Përse Allahu e zbriti Teuratin, kur para tij ekzistonin fletushkat e Ibrahimit? Dhe përse e zbriti Inxhilin, përderisa para tij ekzistonte Teurati? Përgjigjja është një e vetme: Zoti ligjëron në çdo epokë atë që është e përshtatshme për njerëzit e asaj epoke. Sa u përket bazave të besimit, ato janë të njëjta sipas të gjithë profetëve; të gjithë ftuan në adhurimin e Allahut pa i shoqëruar asnjë ortak në adhurim dhe në mohimin e idhujve. Allahu ua besoi ruajtjen e Teuratit dhe të Inxhilit dijetarëve të bijve të Izraelit, mirëpo ata i shtrembëruan dhe i ndryshuan ato. Ata e dinin fare mirë se Allahu i Lartësuar do të dërgonte në fund të kohës një të dërguar, si vulë të profetësisë, i cili është profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!). Andaj, Allahu i Lartësuar i zbriti atij Librin që shfuqizon legjislacionet e mëparshme, dhe i cili është i përshtatshëm për çdo kohë e vend deri në Ditën e Kiametit, e me të cilin do të gjykojë Isai (paqja qoftë mbi të!) kur të zbresë në fund të kohës. Allahu i Lartësuar e mori Vetë përsipër ruajtjen e tij nëpërmjet shkaqeve të shumta, ndaj, sado që të përpiqen disa njerëz për ta shtrembëruar, ata veçse do të demaskohen. Për rrjedhojë, çdo hebre apo i krishterë, i cili arrin të njihet me Islamin dhe nuk hyn në të, nuk është në udhëzim. Allahu thotë:

"Shumë nga ithtarët e Librit, prej zilisë që kanë në vete, dëshirojnë që t’ju kthejnë nga besimi në mosbesim, tani që e vërteta është e qartë për ata. Por ju falini ata dhe lërini, derisa të vijë urdhri i Allahut. Vërtet, Allahu është i Fuqishëm për çdo gjë!"

(El Bekare, 129)

I Dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

"Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se nuk ka njeri nga ky umet, qoftë hebre, apo i krishterë, që dëgjon për mua, e pastaj vdes pa besuar shpalljen me të cilën jam dërguar, vetëm se do të jetë banor i Zjarrit!"

(Shënon Muslimi nr. 771)

Me këtë umet nënkuptohet umeti i Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) pra, ata te të cilët ai është dërguar, të cilët quhen "umeti i thirrjes". Ndërsa, ata prej tyre që i besuan atij, quhen "umeti i përgjigjes". Mbi këtë bazë, gjithashtu, kushdo që ishte hebre apo i krishterë në kohën e vet, që i besoi Teuratit dhe Inxhilit në formën e tyre autentike, pa i ndryshuar e pa i shtrembëruar ata, dhe vdiq para se të dërgohej Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!), ai konsiderohet se ka qenë në udhëzim të drejtë. Kurse çdokush që e arrin Islamin dhe nuk e pranon atë, ai konsiderohet se është në devijim.

المصدر

قسم القرآن والكتب السابقة

ملاحظات

--