Skip to content

Çfarë është Kurani?

محاور التعريف بالإسلام
التعريف بالقرآن الكريم
مصدر الإجابة
قسم القرآن والكتب السابقة | كتاب: الإسلام دين رب العالمين، ص 15-16.
الباب / الفصل
(قسم القرآن والكتب السابقة)

السؤال

Çfarë është Kurani?

الجواب

Çdo lavdërim i takon Allahut. Sakaq, Allahu i ka përkrahur profetët dhe të dërguarit e Tij (paqja qoftë mbi ta!) me shenja të qarta, të cilat, pas vullnetit të Allahut, qenë shkak për udhëzimin e popujve të tyre. Këto mrekulli nuk ekzistojnë më, si fjala vjen, deveja e Salihut, shkopi i Musait, shërimi i lebrozit dhe i memecit, si dhe ngjallja e të vdekurve nga duart e Isait (paqja qoftë mbi ta!). Asgjë nuk ekziston më, përveç mrekullisë më të madhe, mrekullisë së Profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!); Kurani i madhërishëm i cili është mrekullia më e madhe e gjithë profetëve. Për këtë Pejgamberi ynë ka thënë:

"Çdo pejgamberi i janë dhënë mrekulli të denja për të besuar njerëzit e asaj kohe. Mua më është dhënë shpallja, të cilën ma ka shpallur Allahu. Andaj, shpresoj të jem pejgamberi me më shumë pasues në Ditën e Gjykimit!"

[Transmetuan Buhariu nr. 7274 dhe Muslimi nr. 239].

Kjo shpallje që Allahu ia dha atij është: Kurani dhe Suneti profetik, e meqenëse pyetja ishte rreth Kuranit, këtu do të flasim hollësisht rreth Kuranit Famëlartë.

Për Kuranin Famëlartë, Allahu që e zbriti, thotë:

"Nuk ka dyshim se ky (Kuran) është Shpallje e Zotit të botëve.

Atë e zbriti Shpirti i besueshëm (Xhebraili).

Në zemrën tënde (o Muhamed) që të jesh nga ata që paralajmërojnë.

E zbriti në gjuhën e qartë arabe.

Vërtet, ai është përmendur në Shkrimet e të parëve.

(Esh Shuara: 192-196)

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:

"Kjo është shpallje prej të Gjithëmëshirshmit, Mëshirëplotit.

Libër, vargjet e të cilit janë parashtruar me hollësi; Kuran në gjuhën arabe për një popull që di.

Përgëzues dhe paralajmërues, por shumica e njerëzve ia kthejnë shpinën dhe largohen pa e dëgjuar."

(Fusilet: 2-4)

"Ata që e mohuan përkujtimin Tonë, kur u erdhi, ta dinë se Ai është vërtet një Libër i madhërishëm.

Atij nuk mund t’i afrohet gënjeshtra nga asnjëra anë. Është shpallje prej të Urtit që meriton të gjitha lavdet."

"Ky është vërtet një Kuran i nderuar.

Në Librin e ruajtur.

Nuk e prekin vetëm se të pastrit.

Është Shpallje prej Zotit të botëve."

(El Vakia: 77-80)

Allahu, i Cili e ka zbritur atë, është Ai që ka zbritur Teuratin e Ungjillin. Allahu i Lartësuar thotë:

"Ai të ka shpallur ty Librin, me të vërtetën, duke vërtetuar shpalljet e mëparshme. Ai ka zbritur edhe Teuratin dhe Ungjillin.

Më parë si udhërrëfyes për njerëzit dhe ka zbritur edhe Dalluesin (e së vërtetës nga e pavërteta). Ata që nuk besojnë shpalljet e Allahut, i pret dënim i ashpër; Allahu është i Plotfuqishëm dhe Ndëshkues."

(Ali Imran: 3-4)

Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë për Kuranin:

“Libri i Allahut përmban lajmet e atyre që kanë qenë para jush, njoftimet për atë që do të vijë pas jush dhe gjykimin për çështjet mes jush. Ai është vendimtarë dhe jo tallje. Kush e braktis atë nga mendjemadhësia, Allahu e thyen; e kush kërkon udhëzim në diçka tjetër përveç tij, Allahu e lë në humbje. Ai është litari i fortë i Allahut, këshilla e urtë dhe rruga e drejtë. Ai nuk deformohet nga herezitë dhe nuk manipulohet nga gjuhët, dijetarët nuk ngopen kurrë me të, nuk vjetrohet nga përsëritja e shumtë dhe nuk mbarojnë ndonjëherë çuditë e tij. Ai është ai që, kur xhindët e dëgjuan, nuk mundën të heshtnin, derisa thanë: ‘Ne kemi dëgjuar një Kuran mahnitës, i cili udhëzon drejt urtësisë…’ [Xhinn: 1-2]. Kush flet sipas tij, thotë të vërtetën; kush vepron me të, shpërblehet; kush gjykon me të, është i drejtë; dhe kush thërret drejt tij, udhëzohet në rrugën e drejtë.”

[Suneni i Tirmidhiut me recensimin e Ahmed Shakirit (nr.2906) dhe Suneni i Darimiut (nr.2650)].

Uelidi, i cili ishte prej jobesimtarëve të fisit të kurejshëve, pasi e dëgjoi atë, ka thënë për të:

"Pasha Allahun, sapo dëgjova nga Muhamedi pak më parë disa fjalë që nuk janë as fjalë njerëzish dhe as fjalë xhindësh. Vërtet, ato kanë ëmbëlsi dhe hijeshi, degët e tyre janë të frytshme dhe rrënjët janë të begata, ato mbizotërojnë e nuk mbizotërohen!"

["Merahu Lebid li keshf ma'na el-Kur'an el-Mexhid" (2/ 580)].

Kurani është fjala e Allahut të Lartësuar, e zbritur përmes Xhibrilit te Profeti ynë Muhamedi (paqja qoftë mbi të!), i cili ishte analfabet, leximi i tij është një formë e të adhuruarit. Ai është libri që ka shfuqizuar librat e mëparshëm të zbritur mbi profetët para tij, si Teurati dhe Inxhili, dhe njëkohësisht i vërteton ato, në çështjet bazë si, thirrja në teuhid, besimi në të fshehtën, ringjallja dhe parimet e përgjithshme të besimit. Kurani iu zbrit Profetit tonë (paqja qoftë mbi të!) gjatë një periudhe prej njëzet e tre vitesh. Sahabët e ruajtën atë dhe ua përcollën brezave pas tyre, si me shkrim ashtu edhe me memorizim. Ai është i ruajtur në zemra dhe i shkruar e i mbrojtur në rreshta. Muslimanët i kushtuan kujdes të madh atij dhe e përcollën me shkronjat dhe llojet e tij të leximit brez pas brezi. Ai përbëhet nga tridhjetë xhuze (një xhuz ka 20 faqe) dhe përmban njëqind e katërmbëdhjetë sure.

Kurani është një libër i madhërishëm që ngërthen në vete besimin (doktrinën), dispozitat dhe edukatën, tregimet e profetëve dhe lajmet e popujve të mëparshëm. Allahu ka treguar në të se si i shpëtoi besimtarët dhe se si i ndëshkoi jobesimtarët e hipokritët në këtë botë. Ai flet për fatin e besimtarëve dhe fatin e jobesimtarëve e hipokritëve në Ditën e Kiametit. Allahu i sfidoi njerëzit dhe xhindët – edhe sikur të jenë të bashkuar – të sjellin një libër të ngjashëm me të. Askush nuk ka mundur dhe as që do të mundet ndonjëherë ta shtrembërojë atë, e jo më të sjellë një libër të ngjashëm me të apo me ndonjë pjesë të tij. Allahu i Lartësuar ka theksuar se ky Kuran është shërim për çdo sëmundje të shpirtit e të trupit. Në të ka këshilla për këdo që dëshiron të marrë këshillë dhe të orientohet me udhëzimet e tij. Allahu i Madhëruar thotë:

"O njerëz, ju ka ardhur këshillë (Kurani) nga Zoti juaj, shërim për zemrat tuaja, udhëzim dhe mëshirë për besimtarët."

(Junus: 57)

Meqenëse mesazhi i profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) ishte mesazhi i fundit, në kuptimin se nuk do të vijë më asnjë profet pas tij, Allahu e bëri mrekullinë e këtij mesazhi të përjetshme deri në ditën e fundit. Çka do të thotë se kushdo që njihet me të dhe e lexon atë, konsiderohet që i ka mbërritur argumenti mbi saktësinë e shpalljes dhe të profetësisë së Profetit Muhamed që e solli atë. Për këtë arsye, Allahu ka cekur në Kuran dëshmi të qarta, fakte të dukshme dhe argumente bindëse lidhur me bazat e fesë, të cilat i mahnisin dhe i bëjnë për vete mendjet e lexuesve. Prandaj, mijëra njerëz vazhdojnë të pranojnë Islamin kur njihen me të ose me përkthimin e kuptimit të tij. Në të gjenden shembuj ilustrues, argumente logjike dhe pyetje me të cilat Kurani i Madhërishëm i drejtohet njeriut, duke e vënë atë para përgjegjësisë për t'i pranuar ato nëse është njeri i drejtë, ose të shfaqë kokëfortësi e mendjemadhësi nëse është mohues e mosmirënjohës. Prej këtyre argumenteve mahnitëse është edhe fjala e të Lartësuarit:

"O njerëz, nëse ju dyshoni në ringjalljen, ta dini se Ne ju kemi krijuar prej dheut, pastaj prej pikës së farës, pastaj prej droçkës së gjakut, pastaj prej një cope mishi me trajtë të plotë ose jo të plotë, për t’jua bërë të qartë! Dhe Ne e mbajmë në mitër atë që duam deri në kohën e caktuar. Pastaj ju nxjerrim si foshnje e pas kësaj ju arrini moshën e pjekurisë. Disa nga ju vdesin e disa ngelin deri në pleqëri të thellë, që të mos dinë asgjë nga ajo që kanë ditur më parë. Dhe ti e sheh tokën të tharë, por, kur Ne lëshojmë ujë mbi të, ajo trazohet dhe gufon dhe prej saj mbijnë gjithfarë lloj bimësh të mrekullueshme!"

(El Haxh: 5)

Si dhe në fjalën e Tij:

"Sikur në qiej dhe në Tokë të kishte zota të tjerë, përveç Allahut, si qiejt, ashtu edhe Toka do të shkatërroheshin. Qoftë i lavdëruar dhe i lartësuar Allahu, Zoti i Fronit mbi çka ia veshin Atij!"

(El Enbija, 23)

Ndër pyetjet shushatëse dhe mahnitëse është fjala e Allahut të Lartësuar:

"A e keni parë farën që e hidhni?

A jeni ju që e krijoni atë apo jemi Ne krijuesit e saj?

Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë.

Që t’jua ndryshojmë trajtën dhe t’ju rikrijojmë në një trajtë që nuk e dini.

Sigurisht, ju e dini krijimin e parë (prej një pike fare), atëherë përse nuk reflektoni?!

A e shihni atë që e mbillni?

Vallë, ju e bëni atë që të mbijë apo jemi Ne që e bëjmë?

Nëse duam, Ne e bëjmë të prishet dhe ju do të mbeteni shushatur."

Prej shembujve të Kuranit që i ka sjellë lidhur me argumentin mbi pavlefshmërinë e adhurimit të zotave që adhurohet pos Allahut, është fjala e Allahut të Lartësuar:

"O njerëz, po ju sjellim një shembull, andaj dëgjojeni me vëmendje atë: 'Idhujt që ju i adhuroni në vend të Allahut, nuk mund të krijojnë as edhe një mizë, edhe nëse bashkohen të gjithë për këtë. E, nëse miza u merr atyre diçka, ata nuk do të mund t’ia marrin mbrapsht. I dobët është përgjëruesi (adhuruesi), por edhe ai të cilit i dedikohet përgjërimi (idhulli)!"

Kurani është një Libër i pastër nga gabimet dhe kundërthëniet. Allahu i Lartësuar thotë:

"Ky është Libri në të cilin nuk ka dyshim. Ai është udhërrëfyes për të devotshmit"

(El Bekare, 21)

"A nuk e studiojnë ata Kuranin! Sikur ai të mos ishte prej Allahut, do të gjenin në të kundërthënie të shumta!"

(En Nisa, 1)

Kurani ka zbritur në gjuhë të qartë arabe, duke i mahnitur arabët me elokuencën dhe qartësinë e tij. Vlerën e kësaj mrekullie të madhe gjuhësore nuk mund ta çmojë askush tjetër përveç njohësve të gjuhës në të cilën ai ka zbritur. Ai është i ruajtur në gjuhën që ka zbritur dhe muslimanët e lexojnë atë ashtu siç e lexonte Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!).

Me Kuranin fisnik lidhen shkenca të shumta, si: shkenca e leximit, shkenca e interpretimit, shkenca e shkaqeve të zbritjes së ajeteve etj, për të cilat dijetarët kanë shkruar libra të njohur që mezi numërohen nga numri i tyre i shumtë. Ndërkaq, për kuptimet e Kuranit janë shkruar përkthime të besueshme në shumë gjuhë të botës.

Pra, kushdo që vlerëson qenien e tij njerëzore dhe e respekton arsyen e tij, duhet të përpiqet ta lexojë këtë libër madhështor, i cili është libri më i mirë që u ka ardhur ndonjëherë njerëzve, ose të lexojë përkthimin e kuptimeve të tij, nëse nuk e njeh gjuhën arabe. Nëse një njeriu të arsyeshëm do t'i thuhej se filan librin e ka shkruar një njeri që shquhet për urtësi të thellë dhe se në të ai ka përmbledhur gjithë urtësinë e tij, do të ishte e udhës që njeriu të përpiqej ta gjente dhe ta lexonte atë. E si është e mundur që ti, o njeri, të kesh para duarve tua një libër hyjnor, i cili gjendet ende në gjuhën në të cilën është shpallur, që vazhdon të jetë i ruajtur nga mangësitë dhe shtesat, i paprekur nga shtrembërimet dhe ndryshimet, i cili përmban në vete tregimet për popujt e kaluar, legjislacionin e popujve të mëparshëm dhe popujve të mëvonshëm, si dhe tregimin e fatit të çdo qenieje të gjallë, e pastaj ti të mos e lexosh atë?! Vërtet, shpërfillja e Kuranit nga ana e njeriut dhe mungesa e interesimit për të nuk e dëmtojnë Kuranin fisnik, por dëmtojnë vetë shpërfillësin që i kthen shpinën atij, sepse Allahu nuk ka nevojë për krijesat e Tij. Ai thotë:

"Thuaj, jam i urdhëruar të këndoj Kuranin. E kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për të mirën e vet. Ndërsa atyre që devijojnë, ti thuaju: 'Unë jam vetëm paralajmërues'"

(En Neml, 88)

"Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes, se Allahu, në të vërtetë nuk ka nevojë për asgjë."

(El Ankebut: 6)

Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!

المصدر

قسم القرآن والكتب السابقة كتاب: الإسلام دين رب العالمين، ص 15-16. قسم القرآن والكتب السابقة كتاب: الإسلام دين رب العالمين، ص 15-16.

ملاحظات

--