Përse njeriu duhet ta adhurojë Allahun e Lartësuar?
- محاور التعريف بالإسلام
- الشبهات والاعتراضات
- مصدر الإجابة
- قسم ما يتعلق بغير المسلمين والشرك والعبادة
- الباب / الفصل
- (قسم ما يتعلق بغير المسلمين والشرك والعبادة)
السؤال
Përse njeriu duhet ta adhurojë Allahun e Lartësuar?
الجواب
Përgjigjja e kësaj pyetjeje është e madhe dhe kërkon shtjellim dhe shpjegim të gjerë, por ne do ta përmbledhim atë sa të jetë e mundur, dhe duke u mbështetur në ndihmën e Allahut themi:
Fetaria është një domosdoshmëri njerëzore, në kuptimin që qenia njerëzore e kërkon atë dhe shpirti e dëshiron, kurse logjika e imponon dhe nuk pranon që njeriu të jetojë pa fe. Për këtë arsye, shohim se si të gjitha kombet praktikojnë forma të adhurimit. Fakti që ato ushtrojnë forma të adhurimit, nuk do të thotë se adhurimi i tyre është i saktë, por kjo dëshmon se adhurimi është një çështje e natyrshme dhe e domosdoshme.
Allahu i Lartmadhëruar ka emrat më të bukur dhe cilësitë më të larta. Ai është Zoti, Furnizuesi, Përkujdesësi, Sunduesi, Jetëdhënësi dhe Jetëmarrësi. Ai është Ai që na i ka dhururar të gjitha të mirat, qofshin të mira që i dimë apo të mira që nuk i dimë. Përderisa është kështu, dhe përderisa njeriu e ka të domosdoshëm adhurimin, atëherë ai duhet të adhurojë atë që e meriton adhurimin, e Ai është Allahu i Lartësuar. Allahu thotë:
"O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)!"
I Cili e ka bërë për ju tokën shtrojë dhe qiellin ndërtesë dhe i Cili prej së larti zbret ujë dhe nëpërmjet tij bën që të rriten fruta si ushqim për ju. Prandaj mos sajoni me vetëdije zota të barabartë me Allahun!"
(El Bekare, 129)
Njeriu ka nevojë për udhëzim në të gjitha çështjet e tij dhe duke qenë se udhëzuesi është vetëm Allahu atëherë, nëse ai nuk e adhuron Atë, si mund t'i kërkojë Atij udhëzim? Ndërsa muslimani në çdo namaz që fal, thotë ashtu siç ka thënë i Lartësuari:
"Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm prej Teje ndihmë kërkojmë.
Udhëzona në rrugën e drejtë!
Në rrugën e atyre që u ke dhuruar mirësi e jo në të atyre që kanë shkaktuar zemërimin Tënd, as në të atyre që janë të humbur!"
(El Fatiha: 5-7)
Dhe nëse Allahu nuk e udhëzon, punët e tij vështirësohen.
Njeriu, për nga natyra e tij, synon të ketë një jetë të këndshme dhe të lumtur, por jeta e këndshme nuk u mundësohet veçse besimtarëve. I Lartësuari thotë:
"Çdo mashkull apo femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë."
(Nahl: 97)
Jeta e këndshme është ajo në të cilën njeriut i realizohen qetësia, kënaqësia dhe paqja.
Fatkeqësitë dhe sprovat janë pjesë e natyrës së kësaj jete, kurse besimi dhe adhurimi i Allahut i japin besimtarit – me lejen e Allahut – ekuilibër gjatë sprovës, në mënyrë që të mos e humbasë ekuilibrin kur ndodh fatkeqësia, sepse besimi i fal njeriut stabilitet dhe durim. Allahu i Madhëruar thotë:
"S’ka fatkeqësi që godet tokën dhe ju, që të mos jetë e shënuar në Libër (Leuhi Mahfûdh) më parë se ta krijojmë atë. Kjo për Allahun është vërtet e lehtë!"
(El Hadid, 22)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:
"Çdo fatkeqësi që i bie njeriut, ndodh me vullnetin e Allahut. Ai ia udhëzon zemrën kujtdo që i beson Atij. Allahu di mirë çdo gjë."
[Et Tegabun: 11]
Njeriu ka nevojë të fitojë kënaqësinë e Zotit dhe Krijuesit të tij në këtë jetë dhe në botën tjetër, ndërkaq kënaqësinë e Zotit nuk mund ta arrijë veçse ai që beson në Të dhe e adhuron ashtu siç Ai ka urdhëruar. Allahu i Madhëruar thotë:
"Pa dyshim, ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, pikërisht ata janë krijesat më të mira.
Shpërblimi i tyre është te Zoti i tyre: kopshtet e Adnit, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të banojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ata, por dhe ata janë të kënaqur me Atë. Kjo është dhurata për ata që e kanë frikë Zotin e vet."
[El Bejineh: 7-8]
Besimi në Allahun dhe adhurimi i Tij e pajisin njeriun me një kriter përmes të cilit ai dallon të vërtetën nga e kota dhe udhëzimin nga devijimi. Dhe njeriu në të gjitha gjendjet e tij ka nevojë për këtë kriter, në mënyrë që të mos i japë diçkaje më shumë rëndësi sesa meriton, ose të madhërojë atë që nuk e meriton madhërimin, ose të tregohet neglizhent ndaj asaj që meriton nderim dhe respektim.
Njeriu ka një afat të caktuar dhe një ditë patjetër do të përballet me vdekjen. Atij do t'i vijë çasti i vdekjes, dhe vdekja në vetvete është diçka e frikshme. Mirëpo, vdekja e besimtarit që adhuron Zotin e tij, dallon nga vdekja e jobesimtarit. Eja dhe medito rreth këtyre dy përfundimeve; përfundimit të besimtarit dhe të jobesimtarit. Allahu i Lartësuar thotë:
"Dhe, kur të sillet Xhehenemi, atë Ditë njeriu do të kujtohet por ç’i duhet se u kujtua!
Ai do të thotë: 'Ah, sikur të kisha bërë diçka të mirë për jetën time!'
Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai, dhe askush nuk do të lidhë siç lidh Ai.
O ti shpirt i qetësuar!
Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!
Bashkohu me robërit e Mi!
Dhe hyr në Xhenetin Tim!"
(El Fexhr: 23-30)
"Me të vërtetë, atyre që thonë: 'Zoti ynë është Allahu', e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: 'Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar!'"
[Fussilet: 30]
"Eh,sikur të shihje se si engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): 'Shijoni dënimin e zjarrit!'"
[El Enfal: 50]
Allahu na ka njoftuar, dhe njoftimi i Tij është i vërtetë, na ka premtuar, dhe premtimi i Tij është i vërtetë; se Ai do t'i ringjallë ata që janë në varre, dhe për ta vërtetuar këtë Ai solli argumente të panumërta, të cilat janë të shtjelluara në Kuranin e madhërishëm. Për njeriun është e pashmangshme dita kur do të shpihet te Zoti i tij; ai që është besimtar do të jetë në lumturi të përhershme në Xhenetin e përjetësisë, ndërsa ai që është mëkatar do të jetë në dënim të përhershëm në Zjarrin e Xhehenemit.
المصدر
ملاحظات
--