A është e vërtetë se profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është profeti dhe i dërguari i fundit? Nëse kjo është e vërtetë, cila është arsyeja për këtë? A nuk mendoni se njerëzimi ka nevojë për më shumë profetë në ditët e sotme?
- محاور التعريف بالإسلام
- الغاية من خلق الإنسان ومعنى الحياةالخير والشرالتعريف بمحمد صلى الله عليه وسلمالتعريف بالنبي محمد صلى الله عليه وسلم
- مصدر الإجابة
- قسم النبوة
- الباب / الفصل
- (قسم النبوة)
السؤال
A është e vërtetë se profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është profeti dhe i dërguari i fundit? Nëse kjo është e vërtetë, cila është arsyeja për këtë? A nuk mendoni se njerëzimi ka nevojë për më shumë profetë në ditët e sotme?
الجواب
Profeti Muhamed është vula e profetëve (paqja qoftë mbi ta!), e meqenëse feja me të cilën ai u dërgua është më e përkryera e feve, prej veçorive të saj është se ajo është e vlefshme dhe e përshtatshme për çdo kohë e vend. Dhe dijetarët e devotshëm e përhapin atë te njerëzit dhe ua sqarojnë atë atyre.
Përmes kësaj pyetje, pyetësi duket sikur po i thotë Allahut, Zotit të botëve: "Unë jam më i dijshëm se Ti; përse nuk i zbrite shpalljet hyjnore në mënyrë të njëpasnjëshme?" E ndërkohë Allahu e di më mirë se kujt ia zbret mesazhin e Vet. Allahu i Lartësuar thotë:
"Kur atyre u vjen ndonjë mrekulli, thonë: 'Ne nuk do të besojmë derisa të mos na jepet diçka, si ajo që u është dhënë të dërguarve të Allahut!' Allahu e di më mirë se kujt ia zbret mesazhin e Vet!"
[El En’am: 18]
Allahu i Lartësuar na ka njoftuar se Ai i bëri mesazhet e mëparshme hyjnore, sikurse mesazhi i Ibrahimit, Musait dhe Isait (paqja qoftë mbi ta!) mesazhe të veçanta vetëm për popujt e tyre, dhe u caktoi atyre një afat, me mbarimin e të cilit ato përfundonin. Allahu nuk e mori përsipër ruajtjen e tyre, por ruajtjen e tyre ua besoi njerëzve, ndaj ata i neglizhuan. Allahu i Lartësuar thotë:
"Ne kemi dërguar Teuratin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë. Sipas tij, profetët që ia kishin dorëzuar veten Allahut, i gjykonin hebrenjtë; por edhe të diturit dhe rabinët kështu vepronin, sepse atyre iu qe besuar mbrojtja e Librit të Allahut, për të cilin ata ishin dëshmitarë..."
[El Maide: 44]
Allahu i ka njoftuar të dërguarit e Tij se mesazhet hyjnore do të përfundojnë me ardhjen e mesazhit të profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Allahu bëri që mesazhet hyjnore të plotësojnë njëri-tjetrin, e që i mëvonshmi të kompletojë të mëparshmin; prandaj Profeti Davud (paqja qoftë mbi të!) tha: "Guri që e refuzuan ndërtuesit është bërë tashmë guri i qoshes. Nga Zoti u bë kjo, dhe kjo është e mahnitshme në sytë tanë!" (Psalmet: 118: 22).
Kuptimi i këtij lajmi përgëzues është se shpalljet hyjnore janë shumë të ngjashme me ndërtesën dhe se çdo profet e plotëson atë që e ka nisur profeti i mëparshëm. Derisa, kur u plotësua dërgimi i profetëve dhe nuk mbeti kush tjetër veç profetit të fundit, e ndërtesa ishte pranë kompletimit dhe prej saj nuk kishte mbetur tjetër veçse një tullë e vetme, kësisoj Allahu dërgoi të Dërguarin dhe mikun e Tij të ngushtë, Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) dhe me të u përkrye feja, u përsos mirësia, u vulosën profetësitë dhe u kompletua ndërtesa. Pra, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) ishte vula e profetëve dhe e të dërguarve, dhe pikërisht për të është sjellë shembulli me gurin e përmendur në fjalët e Davudit (paqja qoftë mbi të!).
Ky lajm është cekur edhe në Ungjijtë, aty ceket lajmi i gëzueshëm për profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!), vulën e profetëve. Mesihu (Isai, paqja qoftë mbi të!) ka sqaruar se me dërgimin e profetit të fundit, Muhamedit, kompletohen mesazhet hyjnore, plotësohet feja dhe përmbushet mirësia. Për këtë arsye, ai ka thënë ashtu siç e përcjell Mateu: "Jezusi u tha atyre: 'A thua vallë hiç nuk e keni lexuar në Libra: Gurin që e refuzuan ta vendosin muratorët, tashmë është bërë kreu i qoshes? Nga ana e Zotit ishte kjo dhe është e mahnitshme për sytë tanë!'" (Mateu: 21:42).
Ky lajm është cekur gjithashtu dhe në Letrën e Parë të Pjetrit 2:7.
I dërguari i Allahut, Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) e ka sqaruar se si e kompletoi atë që e kishin nisur profetët para tij dhe se si vepra e tij ishte plotësuese e veprës së tyre. Për këtë ai ka thënë:
"Shembulli im në krahasim me atë të profetëve të mëparshëm është sikur rasti i një njeriu që e ndërton një shtëpi të bukur dhe të pashme, mirëpo lë pa vendosur një tullë në një qoshe. Njerëzit erdhën ta sodisin dhe ata u mahnitën nga bukuria e saj dhe thanë: 'Sikur të vendosej edhe kjo tullë!' E, pra, tulla jam unë, e unë jam vula e profetëve."
[Sahihu i Buhariut (3535) dhe teksti është i tij, dhe Sahihu i Muslimit (2286)].
Kështu pra, feja u plotësua dhe mirësia hyjnore u përsos me dërgimin e Profetit tonë Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) dhe Allahu tha:
"Sot jua përsosa fenë tuaj, e plotësova dhuntinë Time ndaj jush dhe zgjodha që Islami të jetë feja juaj!"
Lidhur me profetin Muhamed (paqja qoftë mbi të!) Allahu ka caktuar që ai të jetë i dërguari i Tij për gjithë njerëzimin. Ai thotë:
"Ne të kemi dërguar ty (o Muhamed) vetëm si sjellës të lajmit të mirë dhe paralajmërues për të gjithë njerëzimin, por shumica e njerëzve nuk dinë."
(Sebe, 28)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:
"Thuaj (o Muhamed): 'O njerëz, unë jam i Dërguari i Allahut për të gjithë ju...'"
(El Araf, 158)
Për këtë arsye, Zoti vendosi që mesazhi i Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) të qëndrojë deri në Ditën e Kiametit, dhe caktoi masa universale dhe legjislative të tilla që e ruajnë atë dhe e bëjnë të mbijetojë deri në Ditën e Kiametit. Pjesë e kësaj është fakti se ata që i besuan të Dërguarit (paqja qoftë mbi të!) gjatë jetës së tij, që u takuan me të, mësuan nga ai dhe e transmetuan mesazhin e tij, numëronin më shumë se njëqind mijë vetë. Ishin pikërisht këta që e morën këtë mesazh nga ai dhe ia përcollën atyre që erdhën pas tyre, ndërkohë që numri i dishepujve të cilët ishin me Isain (paqja qoftë mbi të!) nuk ishte më shumë se shtatëdhjetë veta, sikurse edhe Musait (paqja qoftë mbi të!) nuk i besuan përveçse pak vetë.
Mesazhi final i Muhamedit u transmetua ndër breza me shkallën më të lartë të autenticitetit, qoftë në çështjet që lidhet me besimin, adhurimet, marrëdhëniet shoqërore, moralin dhe etikën. Për këtë arsye, njeriu sot vëren se ritet fetare me të cilat muslimanët adhurojnë sot Zotin, janë po ato që i praktikonin shokët e të Dërguarit (Allahu qoftë i kënaqur me ta!). Po ashtu, shpallja me të cilën erdhi i Dërguari (paqja qoftë mbi të!) qoftë Kurani i madhërishëm apo Suneti profetik, është e ruajtur në sajë të mbrojtjes së Allahut dhe prej saj nuk ka humbur asnjë shkronjë e vetme.
E meqenëse çështja është kështu, dhe mesazhi hyjnor vazhdon të mbetet i ruajtur, i përshtatshëm për çdo epokë e kohë, dhe për çdo mjedis dhe mund të zbatohet në çdo rrethanë, andaj njerëzit në ditët e sotme kanë nevojë t'i përmbahen fesë së tij (paqja qoftë mbi të!) dhe të veprojnë sipas sunetit të tij, e kjo u mjafton atyre. Edhe sikur të vinte një profet tjetër, ai do të ishte prej umetit të tij (paqja qoftë mbi të!) dhe do të vepronte sipas legjislacionit të tij. Allahu i Lartësuar thotë:
"Kujto kur Allahu mori besën nga profetët (dhe u tha): 'Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?' Ata u përgjigjën: 'E pranojmë!' (Allahu) u tha: 'Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar!'"
[Ali Imran: 81]
Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
المصدر
ملاحظات
--