A u dërgua Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) me ndonjë lloj mrekullie?
- محاور التعريف بالإسلام
- التعريف بمحمد صلى الله عليه وسلمالتعريف بالنبي محمد صلى الله عليه وسلماليوم الآخر والمصيرالبعث بعد الموت
- مصدر الإجابة
- قسم النبوة
- الباب / الفصل
- (قسم النبوة)
السؤال
A u dërgua Profeti Muhamed (paqja qoftë mbi të!) me ndonjë lloj mrekullie?
الجواب
Me termin "mrekulli" nënkuptohet një dukuri e jashtëzakonshme, të cilën Allahu e shfaq përmes një profeti, si argument mbështetës në thirrjen e popullit drejt besimit. Si mrekullia e Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!) kur e hodhën në zjarr e ai u bë i freskët dhe shpëtim për të; apo mrekullitë e Musait (paqja qoftë mbi të!) si: shkopi, dora dhe përmbytja; apo mrekullia e Isait (paqja qoftë mbi të!), i cili shëronte verbërinë e lebrën dhe ngjallte të vdekurit me lejen e Allahut. Ka pasur dhe raste kur Allahu nuk e ka pajisur me mrekulli ndonjërin nga profetët, kjo sepse vetë gjendja e profetit, qëndrueshmëria e tij dhe shpallja hyjnore e cila i vjen, janë të mjaftueshme si dëshmi se ai është profet nga Allahu. Ngase, njerëzit e dallojnë të sinqertin nga gënjeshtari; ndaj dhe, kur Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) mbërriti në Medinë, Abdullah bin Selami tha:
"Njerëzit vërshuan drejt tij dhe unë isha njëri prej tyre, e kur e vështrova fytyrën e tij, e kuptova se fytyra e tij nuk ishte fytyrë gënjeshtari. Gjëja e parë që e dëgjova të thoshte ishte: 'Përhapeni selamin (përshëndetjen islame mes jush), ushqeni të tjerët, mbani lidhjet farefisnore dhe faluni kur njerëzit janë në gjumë, do të hyni në Xhenet në paqe!'"
[Musnedi i Ahmedit (23784), Tirmidhiu (2485) dhe Ibn Maxhe (1334)].
Allahu i përkrahu pejgamberët dhe të dërguarit e Tij (paqja qoftë mbi ta!) me shenja të qarta dhe prova bindëse. Këto shenja ishin të ndryshme dhe të larmishme, por Allahu i bëri mrekullitë e çdo pejgamberi të mjaftueshme, për t'i bërë njerëzit të besojnë në to, dhe përmes tyre, të bëhet e qartë prova kundër tyre; në mënyrë që ata ta dinë se ai është pejgamber i dërguar nga Allahu. Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
"Çdo pejgamberi i janë dhënë mrekulli të denja për t'u besuar nga njerëzit. Ndërkohë, ajo që mu dha mua është shpallje (Kurani), të cilën ma ka shpallur Allahu. Andaj, shpresoj të jem pejgamberi me më shumë pasues në Ditën e Gjykimit."
[Transmetuan Buhariu nr. 7274 dhe Muslimi nr. 239].
Vërtet, Profeti ynë (paqja qoftë mbi të!) është dërguar me mrekulli të shumta. Ibn Kethiri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë: Në lidhje me këtë, dijetarët kanë mbledhur më shumë se një mijë mrekulli. Mrekullia më madhështore dhe më e madhe ndër to është Kurani fisnik, të cilit nuk mund t'i qaset e kota nga asnjë aspekt, dhe që është shpallje nga i Urti dhe i Lavdishmi. Mrekullia e tij qëndron si në aspektin e fjalëve, ashtu edhe të kuptimeve të tij. Sa u përket fjalëve të tij, ato përbëjnë majën më të lartë të elokuencës së ligjërimit, dhe cilido që thellon njohuritë e tij në këtë fushë, i shtohet edhe madhërimi për Kuranin në këtë aspekt. Ai i ka sfiduar oratorët dhe elokuentët e kohës së tij, pavarësisht armiqësisë së tyre të ashpër ndaj tij dhe zellit të tyre për ta përgënjeshtruar atë, që të sjellin një libër të njëjtë si ai, ose dhjetë sure të ngjashme me suret e tij, apo qoftë edhe një sure të vetme, por ata nuk qenë të aftë ta bëjnë një gjë të tillë. Ai i lajmëroi ata se nuk do të mund ta bënin kurrë një gjë të tillë. Madje, ai i ka sfiduar mbarë njerëzit dhe xhindët që të sjellin një libër të njëjtë si ai, por ata nuk qenë të aftë ta bëjnë një gjë të tillë, dhe madje i njoftoi për këtë fakt. Allahu i Lartësuar thotë:
"Thuaj: 'Sikur të tuboheshin të gjithë njerëzit dhe xhindët për të sjellë një Kuran të tillë, ata nuk do të mund ta sillnin një të ngjashëm me të, madje, edhe sikur ta ndihmonin njëri - tjetrin!"
[El Isra: 88]
Si dhe aspekte të tjera si këto që pohojnë mrekullinë e tij. Ndërsa, për sa i përket kuptimit të tij, ai është në kulmin e harmonisë dhe urtësisë, të mëshirës dhe dobisë, të përfundimit të lavdërueshëm dhe përputhshmërisë, si dhe të arritjes së qëllimeve më të larta dhe eliminimit të të këqijave; e të tjera si këto, që i bëhen të qarta kujtdo që ka mendje e logjikë të shëndoshë, të pastër nga dyshimet dhe egoja. I kërkojmë mbrojtje Allahut prej dyshimeve dhe egos dhe i lutemi Atij për udhëzim.
Pjesë e kësaj është dhe fakti se ai u rrit në mesin e një populli që ia njihte prejardhjen, edukimin, si dhe të hyrat e të dalat e tij. U rrit jetim në mesin e tyre, por shquhej për besnikëri, ndershmëri, shpirtmirësi e pjekuri. Të gjithë e dinin këtë gjë, e cila nuk mohohet nga askush, përveç atij që tregohet kryeneç, sofist dhe mendjemadh. Ai ishte i pashkolluar, nuk dinte të shkruante, nuk e praktikonte shkrimin dhe as nuk kishte të bënte me njerëzit e shkrimit. Në vendet e tyre nuk kishte asgjë nga dijet e popujve të lashtë, madje s'kishte asnjë njeri që dinte qoftë edhe diçka prej tyre. Mirëpo, kur mbushi moshën dyzetvjeçare, ai doli para tyre dhe nisi t'i njoftonte me hollësi e qartësi për të kaluarën; një fakt për të cilin dëshmonin edhe dijetarët e librave të mëparshëm, të cilët i njihnin mirë librat dhe ishin të drejtë. Po ashtu, këtu bëjnë pjesë edhe paralajmërimet që ai (paqja qoftë mbi të!) i solli përmes këtij Kurani, por edhe nëpërmjet haditheve të sakta, në lidhje me të fshehtat e së ardhmes, të cilat dolën në përputhje të plotë me paralajmërimet e tij; argumente këto, shtjellimi i të cilave do të na merrte shumë kohë.
Pjesë e kësaj janë edhe gjërat e jashtëzakonshme që Allahu i Lartësuar i shfaqi nëpërmjet tij, si: çarja e Hënës për të cilën Allahu i Plotfuqishëm ka lajmëruar në Librin e Tij Fisnik, e cila ndodhi një natë kur idhujtarët i kërkuan Profetit tonë një mrekulli, e ai drejtoi dorën nga Hëna, e cila u nda në dy pjesë. Ata pyetën banorët e fiseve përreth tyre me qëllim që të siguroheshin që ai të mos u kishte bërë magji, por ata i njoftuan se kishin parë të njëjtën. Ky lajm është i transmetuar masivisht (në formën e mutevatirit) tek dijetarët e hadithit dhe është transmetuar nga një numër i Sahabëve, Allahu qoftë i kënaqur me të gjithë ata!
Ndër këto mrekulli është edhe bereqeti apo begatia që u shfaq përmes lutjes së tij, si në rastin kur ai iu lut Allahut të Lartësuar për qengjin që Ibn Mesudi e kishte me vete në kullotë; ai përmendi emrin e Allahut, e moli atë, dhe prej tij doli qumësht me bollëk nga i cili piu vetë Profeti dhe i dha të pinte edhe Ebu Bekrit. Të njëjtën gjë bëri edhe me delen e Ummu Ma'bedit. Në një rast tjetër, bëri lutje për Tufejl ibn Amrin, dhe si mrekulli, në majë të kamxhikut të tij u shfaq një dritë vezulluese që shihej nga larg. Të njëjtën gjë bëri dhe me Usejd ibn Hudejrin dhe Abad ibn Bishr el-Ensariun, kur dolën prej shtëpisë apo xhamisë së Profetit (paqja qoftë mbi të!) në një natë të errët. Ai iu lut Allahut kundër atyre shtatë personave që u tallën me të ndërsa ai po falej, e si pasojë ata u vranë në betejën e Bedrit. U lut kundër djalit të Ebu Lehebit që Allahu t'i lëshonte një egërsirë dhe ta mbyste, e kështu Allahu, në përputhje me lutjen e tij, i lëshoi atij një bishë të egër kur ai ishte për tregti në Sham. U lut kundër Surakës dhe këmbët e kalit të tij u fundosën në tokë; pastaj u lut që të lirohej dhe ai u lirua. Në betejën e Bedrit hodhi drejt jomuslimanëve kurejshë një grusht me gurë të vegjël, të cilët ranë mbi secilin prej tyre dhe Allahu i Madhëruar i shpartalloi. Të njëjtën gjë e bëri edhe në ditën e Hunejnit. Ditën e Bedrit, ai i dha Ukashe ibn Mihsanit një copë druri, e cila në dorën e tij u shndërrua në një shpatë të mprehtë. E njoftoi xhaxhain e tij, Abasin – kur ky ishte rob lufte – për pasurinë që ai kishte fshehur bashkë me Ummu Fadlin nën pragun e derës së tyre, dhe ai e pranoi këtë. Gjithashtu njoftoi Umejr ibn Uehbin për qëllimin e tij të vërtetë, se kishte ardhur për ta vrarë atë, ndonëse ky u justifikua se kishte ardhur vetëm për shpërblesën e robërve të Bedrit. Umejri e pohoi këtë të vërtetë dhe pranoi Islamin në çast, Allahu qoftë i kënaqur me të! Në ditën e Uhudit, ia ktheu në vend syrin Katade ibn Numan edh-Dhaferiut, pasi i kishte dalë nga vendi – e sipas një versioni tjetër, pasi i kishte rënë në dorë – dhe ai u bë më i mirë se tjetri, aq sa as që dallohej nga tjetri. Ditën e Hendekut, në shtëpinë e Xhabirit, ushqeu një turmë të madhe njerëzish, numri i të cilëve i afrohej një mijë vetëve, vetëm me një kec dhe pak elb. Ashtu siç ushqeu shumë njerëz po atë ditë edhe me një sasi fare të vogël hurmash, të cilat i solli vajza e Beshirit. Po ashtu, ushqeu rreth tetëdhjetë vetë me një sasi aq të paktë ushqimi saqë gati mbulohej nga dora e tij e nderuar. Të njëjtën gjë e bëri edhe në ditën e dasmës së tij me Zejneb bint Xhahshin.
Ndërsa dita e Tebukut ishte një ngjarje e jashtëzakonshme. Ai ushqeu ushtrinë dhe ata mbushën çdo enë që kishin me vete nga një sasi ushqimi vetëm sa madhësia e një dhie. Ai i dha Ebu Hurejrës (Allahu qoftë i kënaqur me të!) një trastë (me ushqim), prej së cilës ai hëngri gjatë gjithë jetës së tij dhe furnizoi me të shumë luftëtarë në rrugë të Allahut. Ajo vazhdoi të kishte ushqim deri në ditët e vrasjes së Uthmanit (Allahu qoftë i kënaqur me të!). Ai (paqja qoftë mbi të!) iu lut Allahut të Lartësuar kur vendin e goditi thatësira, dhe nuk zbriti nga minberi derisa uji i shiut rrodhi mbi mjekrën e tij nga çatia e xhamisë. E para se të lutej, në qiell nuk shihej asnjë copëz reje, madje as sa pëllëmba e dorës. Më pas, kur ai u lut që moti të kthjellohej me kërkesën e popullit, retë u larguan përreth Medinës, derisa ato qëndruan në formën e kurorës mbi Medinen e Ndritur. Ai (paqja qoftë mbi të!) bëri lutje kundër kurejshëve, dhe ata i goditi një situatë e vështirë që nuk mund të përshkruhet, derisa shkuan dhe i kërkuan mëshirë. Kështu, ai pati dhembshuri për ta dhe u lut që kjo situatë të largohej prej tyre. Njëherë i sollën një enë me ujë për të marrë abdes ai dhe njerëzit që ishin me të. Ena ishte aq e vogël saqë nuk e zuri dorën e tij, andaj ai futi gishtat e tij në të dhe uji nisi të buronte nga gishtat e tij. Po kështu veproi edhe në ditën e Hudejbijes, kur ushtria përbëhej nga njëmijë e katërqind veta. Xhabiri tregon:
"Edhe sikur të ishim njëqind mijë veta, do të na mjaftonte!"
Po ashtu veproi në një prej udhëtimeve të tij me një pikë ujë në një kacek. Transmetuesi thotë: Kur më urdhëroi ta zbrazja atë në enë, pata frikë se do ta thithte lëkura e thatë e kacekut. Ai e futi dorën në enë dhe iu lut Allahut të Lartësuar, uji buroi nga gishtat e tij dhe shokët e tij morën abdes dhe pinë ujë. Po ashtu, ai dërgoi dikë me shigjetën e tij te burimi i Hudejbijes; kur e vendosi në të, nisi të nxirrte ujë derisa u mjaftoi të gjithëve. Mendojmë se këto që përmendëm janë të mjaftueshme, me lejen e Allahut të Madhëruar.
Një prej dëshmive më të mëdha që dëshmon për profetësinë e tij është fakti se mesazhi i tij ka mbetur sikur të ishte shpallur sot, pa pësuar ndryshime a shtrembërime, sikurse edhe feja e tij, e cila vazhdon të zbatohet ashtu siç ia kumtoi ai popullit të tij, pa iu ndryshuar asgjë. Kështu, namazin të cilin e ka falur Profeti (paqja qoftë mbi të!) si dhe zekatin, agjërimin, haxhin dhe të gjitha ritet e tjera islame, muslimanët i zbatojnë ashtu siç i ka kryer ai (paqja qoftë mbi të!). Ithtarët e tij vazhdojnë ta ruajnë fenë e tyre dhe në të çdo ditë vazhdojnë të hyjnë turma njerëzish nga çdo racë e gjuhë dhe ajo sa vjen e konsolidohet dhe përhapet më shumë, e kushdo që e studion atë, do të bindet për vërtetësinë, mirësinë dhe përkryeshmërinë e saj në aspektin e besimit, moralit, marrëdhëniet midis njerëzve dhe ligjet.
E gjithë kjo bie në kundërshtim me paralajmërimin e Mesihut (paqja qoftë mbi të!) kur tha, siç thuhet në Ungjillin e Mateut: "Kini kujdes nga profetët e rremë, të cilët vijnë te ju me rroba qengjash, porse përbrenda janë ujqër grabitqarë. Nga frutat e tyre do t'i njihni. A vilet rrush nga ferrat, apo fiq nga gjembaçët? Kështu, çdo pemë e mirë jep fruta të mira, ndërsa pema e keqe jep fruta të këqija. Nuk mundet pema e mirë të japë fruta të këqija, e as pema e keqe të japë fruta të mira. Çdo pemë që nuk jep frut të mirë, pritet dhe hidhet në Zjarr. Prandaj, nga frutat e tyre do t'i njihni." (Mateu: 7: 15-20).
Pasha Allahun, kjo është një nga dëshmitë, argumentet dhe mrekullitë më të mëdha që dëshmojnë për vërtetësinë e profecisë, përsosmërinë e mesazhit dhe vazhdimësinë e fesë së tij deri në Ditën e Kiametit. Salavatet dhe selamet qofshin mbi Profetin tonë Muhamedin.
Shih: "El Fusul fis-Sire", fq. 228-236.
المصدر
ملاحظات
--