Skip to content

Kush është Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)?

مصدر الإجابة
قسم النبوة
الباب / الفصل
(قسم النبوة)

السؤال

Kush është Muhamedi (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!)?

الجواب

Muhamedi (paqja qoftë mbi të!) është: Muhamedi i biri i Abdullahut i biri i Abdulmutalibit. Ai ishte nga fisi i Kurjshëve dhe rridhte nga pasardhësit e Ismailit, të birit të Ibrahimit (paqja qoftë mbi ta!). Ai është vula e profetëve, zotëria i bijve të Ademit, dhe ai është ndërmjetësuesi të cilit do t'i pranohet ndërmjetësimi në Ditën e Gjykimit. Ai ka thënë:

“Me të vërtetë, nuk ka pasur asnjë profet që të mos ketë pasur një lutje të cilën e ka shfrytëzuar në këtë botë, ndërsa unë e kam ruajtur lutjen time si ndërmjetësim për umetin tim. Unë do të jem zotëria i bijve të Ademit Ditën e Gjykimit, dhe nuk e them për mburrje. Unë jam i pari, i cili do të dalë nga toka dhe nuk e them për mburrje. Në dorën time do të jetë Flamuri i Lavdisë, dhe nuk e them për mburrje. Ademi dhe kushdo tjetër pos tij do të jenë nën flamurin tim, dhe nuk e them për mburrje!”

Musnedi i Ahmedit, botimi Er-Risale (2546), dhe Suneni i Tirmidhiut (3148).

I dërguari Muhamed (paqja qoftë mbi të!) është më i madhi i të dërguarve. Allahu u pati marrë besën të gjithë profetëve (paqja qoftë mbi ta!) që ta pasojnë atë kur të dërgohet. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë:

"Kujto kur Allahu mori besën nga profetët (dhe u tha): 'Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?' Ata u përgjigjën: 'E pranojmë!' (Allahu) u tha: 'Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar!'"

[Ali Imran: 81]

Ibën Kethiri, -Allahu e mëshiroftë!-, thotë:

"I Lartësuari na njofton se ka marrë besën nga çdo profet që Ai ka dërguar, që nga Ademi (paqja qoftë mbi të) deri tek Isai (paqja qoftë mbi të), që: çfarëdo që Allahu t’i japë ndonjërit prej tyre prej Librit dhe urtësisë, e sado lart të arrijë, kur t’i vijë një i Dërguar pas tij, pa dyshim që duhet ta besojë dhe ta ndihmojë atë. Dituria dhe profecia që ai zotëron nuk duhet ta pengojnë atë që ta ndjekë e ta ndihmojë atë që dërgohet pas tij... Aliu dhe Abdullah ibn Abasi (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), kanë thënë: 'Allahu nuk ka dërguar asnjë profet prej profetëve pa marrë besën nga ai, që, nëse dërgohet Muhamedi ndërkohë që ai është gjallë, pa dyshim që duhet ta besojë dhe ta ndihmojë atë. Gjithashtu, e ka urdhëruar atë që të marrë besën nga pasuesit e tij, që, nëse dërgohet Muhamedi ndërkohë që ata janë gjallë, pa dyshim që duhet ta besojnë dhe ta ndihmojnë atë!'"

Shih; Tefsir Ibn Kethir, 2/67.

I dërguari i Allahut, Muhamedi, (paqja qoftë mbi të), erdhi për t’i vërtetuar librat dhe shpalljet e mëparshme, dhe thirri për të besuar në të dërguarit e mëparshëm (paqja qoftë mbi ta), duke qenë në përputhje me atë që ata sollën. Allahu i Madhëruar thotë:

"Ne ta zbritëm ty (o Muhamed) shpalljen, ashtu siç ia zbritëm Nuhut dhe profetëve pas tij; siç ia zbritëm edhe Ibrahimit, Ismailit, Is’hakut, Jakubit dhe bijve të tij, Isait, Ejubit, Junusit, Harunit, Sulejmanit dhe Davudit, të cilit i dhamë Zeburin!"

(En Nisa, 163)

Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:

"Ai ka ligjësuar për ju atë Fe, me të cilën pati porositur Nuhun dhe të cilën ta shpallëm ty (o Muhamed) dhe me të cilën patëm porositur Ibrahimin, Musain dhe Isain, duke u thënë: 'Qëndroni në fenë e drejtë dhe mos u përçani në të!' Por për idhujtarët është e rëndë ajo, në të cilën po i fton ti. Allahu zgjedh për këtë fe kë të dojë dhe udhëzon drejt saj këdo që kthehet tek Ai me pendim!"

[Esh Shura: 13]

Allahu i Lartësuar i mëshiroi krijesat me dërgimin e tij si profet. Ai lindi në Mekë dhe nga aty u dërgua si profet për të gjithë xhindët dhe njerëzit. Në kohën e dërgimit si profet ishte në moshën dyzetvjeçare. Më pas, ai u shpërngul në Medinë dhe aty ndërroi jetë në moshën gjashtëdhjetëetrevjeçare.

Dhe kujtdo që i arrin mesazhi i Pejgamberit Muhamed, nuk ka rrugë për në Xhenet për të, përveçse përmes besimit në të dhe pasimit të tij. Ai ka thënë:

"Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti i Muhamedit, se nuk ka njeri nga ky umet, qoftë hebre, apo i krishterë, që dëgjon për mua, e pastaj vdes pa besuar shpalljen me të cilën jam dërguar, vetëm se do të jetë banor i Zjarrit!"

(Shënon Muslimi nr. 771)

Ai thotë:

"Nûn. Betohem për penën dhe për atë që shkruajnë.

Se ti (o Muhamed), falë mirësisë së Zotit tënd, nuk je i marrë.

Por, ty të pret një shpërblim i pamasë.

Dhe ti ke një moral të lartë."

(El Kalem, 1-4)

Abdullah ibën Selami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon:

"Kur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) erdhi në Medinë, njerëzit nxituan drejt tij dhe thoshin: 'I Dërguari i Allahut ka ardhur!' Vajta bashkë me njerëzit për ta parë dhe, kur vështrova fytyrën e të Dërguarit të Allahut, e kuptova se fytyra e tij nuk ishte fytyrë gënjeshtari!'"

[Hadithin e shënojnë Tirmidhiu (2485) dhe Ibn Maxhe (1334)]

Ky hadith është i saktë. Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!

Shih: "El-fusul fī sireti'r-resul" të Ibn Kethirit dhe "Er-rahiku'l-mahtum" të el-Mubarekfurit.

المصدر

قسم النبوة

ملاحظات

--