Cili është argumenti për obligueshmërinë e njësimit të Allahut të Madhëruar?
- محاور التعريف بالإسلام
- توحيد الله وإبطال الشرك
- مصدر الإجابة
- قسم الإيمان
- الباب / الفصل
- (قسم الإيمان)
السؤال
Cili është argumenti për obligueshmërinë e njësimit të Allahut të Madhëruar?
الجواب
Argumenti për obligueshmërinë e njësimit të Allahut të Lartësuar në çështjen e perëndishmërisë së Tij dhe se Ai është Krijuesi, Sunduesi, Planifikuesi, i Vetmi pa asnjë ortak
është Fjala e Allahut të Lartësuar:
"Allahu nuk ka zgjedhur për Vete ndonjë fëmijë dhe nuk ka qenë asnjë zot tjetër bashkë me Të, përndryshe çdo zot do të merrte atë që ka krijuar dhe do të ngrinin krye ndaj njëri-tjetrit. Qoftë i lartësuar Ai nga shpifjet e tyre!"
(El Muminun, 12-14)
Ky ajet përmban atë që dijetarët e quajnë "Argumenti i të pamundurës". Që do të thotë se, nëse do të supozonim se ka zota të tjerë krahas Allahut, atëherë ata:
Ata (zotat e supozuar) ose do t'ia njohin vetëm Atij hyjnitetin, ose do të hyjnë në rivalitet me Të. Supozimi i parë asgjëson hyjnitetin e tyre, ngase ai që nënshtrohet është rob e jo hyjni. Ndërkaq, nëse ato do t'i shpallnin rivalitet Atij në sundimin dhe pushtetin e Tij, atëherë shenjat e këtij rivaliteti do të shfaqeshin në këtë gjithësi përmes përplasjes mes zotave dhe përvetësimit të secilit prej tyre të asaj që ka krijuar, ashtu që secili prej tyre do të veçohej me krijimtarinë e vet dhe do të ushtronte absolutizmin e vet mbi të. Rrjedhimisht, do ta shihnit sundimin e secilit prej tyre të ndarë e të veçuar nga sundimi i të tjerëve, dhe ata do të mposhtnin njëri-tjetrin, pikërisht ashtu siç e shihni gjendjen e mbretërve të kësaj bote, mbretëritë e të cilëve janë të ndara dhe ata gjenden vazhdimisht në rivalitet e përplasje për ta mposhtur njëri-tjetrin. E, pra, përderisa nuk shihni kurrfarë shenje të ndarjes së sundimeve dhe të përplasjes mes zotave, atëherë dijeni se Ai është një Zot i Vetëm, në Dorën e të Cilit është sundimi i çdo gjëje.
E sikur dikush të thoshte: "Nëse mes zotave do të arrihej një lloj pajtimi, ashtu që secili zot të mbante veçmas atë që ai ka krijuar pa pasur përçarje apo rivalitet, edhe kjo, po ashtu, do të ishte argumenti më i madh për kotësinë e hyjnitetit të tyre. Ngase hyjniteti i secilit do të ishte i mangët në raport me ato krijesa që ai nuk i ka krijuar. E, pra, kjo shpie në një mangësi tek secili prej zotave, gjë e cila nënkupton të pamundurën; sepse hyjniteti kërkon përsosmëri e jo mangësi.
Ndërsa argumenti për obligueshmërinë e njësimit të Allahut të Lartësuar në hyjnitetin e Tij, i cili nënkupton njësimin e Tij në adhurim, pra që të veçohet Allahu i Madhërishëm me të gjitha llojet e adhurimit, të dukshme dhe të fshehta, si: namazi, lutja, përulësia, mbështetja, nënshtrimi, frika dhe shpresa, therja dhe zotimi, kërkimi i ndihmës, kërkimi i mbrojtjes, kërkimi i shpëtimit dhe lloje të tjera të adhurimit, të cilat i kushtohen vetëm Allahut, pa i shoqëruar asnjë ortak
Ai thotë:
"O njerëz! Adhuroni Zotin Tuaj, i Cili ju ka krijuar ju dhe ata që ishin para jush, që të mund të ruheni (nga të këqijat)!"
(El Bekare, 21)
Pra, Zoti i gjithësisë është Ai që meriton të adhurohet, ndërsa çdo gjë tjetër përveç Tij është krijesë e nënshtruar që nuk e meriton adhurimin.
Allahu i Lartësuar e ka hedhur poshtë përvetësimin e zotave përveç Allahut nga ana e idhujtarëve, me argumente të shumta logjike, si:
Se këta zota që ata i kanë zgjedhur për t'i adhuruar nuk kanë asnjë veçori prej veçorive të hyjnitetit; ata janë të krijuar e nuk krijojnë, nuk u sjellin dobi adhuruesve të tyre dhe as nuk i ruajnë nga dëmet, nuk zotërojnë për ta as jetë e as vdekje, nuk zotërojnë asgjë në qiej dhe në tokë.
Po ashtu Fjala e Allahut të Lartësuar:
"E megjithatë ata adhurojnë në vend të Tij zota, të cilët nuk krijojnë asgjë e që vetë janë të krijuar, që nuk zotërojnë për veten as dëm e as dobi e që nuk janë në gjendje të japin as vdekje, as jetë e as që të ringjallin!"
(El Furkan, 3)
Po ashtu:
"Thuaju (o Muhamed): “Thirrini ata që i hyjnizoni krahas Allahut! Ata nuk kanë pushtet as sa pesha e një thërrmije, qoftë në qiej apo në Tokë; ata nuk kanë pjesë as në qiej, as në Tokë dhe Allahu nuk ka asnjë ndihmës nga radhët e tyre.”
(Sebe, 22)
"A mos vallë ata i atribuojnë Atij si ortakë idhuj që nuk mund të krijojnë asgjë, ndërkohë që vetë janë të krijuar?!"
(El A'raf, 54)
Domethënë, këta idhujtarë i atribuojnë Allahut ortakë në adhurim krijesat e Tij, të cilat nuk mund të krijojnë asgjë, por vetë janë të krijuara!
E kur kjo është gjendja e këtyre zotave, atëherë konsiderimi i tyre zota është marrëzia më e madhe dhe absurditeti më i madh.
Ndërsa argumenti për obligueshmërinë e njësimit të Allahut të Lartësuar në emrat dhe cilësitë e Tij, është të dimë se Krijuesi është i ndryshëm nga krijesat.
"Asgjë nuk i shëmbëllen Atij. Ai i dëgjon të gjitha dhe i sheh të gjitha."
(Esh Shura, 11)
"Asgjë nuk i shëmbëllen Atij."
Domethënë, Atij nuk i ngjan asgjë nga krijesat e Tij, as në veten e Tij, as në emrat, as në cilësitë dhe as në veprimet e Tij, sepse të gjithë emrat e Tij janë të bukur, cilësitë e Tij janë absolute dhe madhështore dhe përmes veprimeve tëTij, Ai solli në ekzistencë krijesat madhështore, pa asnjë ortak. Kështu që, asgjë nuk është si Ai, ngase Ai është unik dhe i pashoq në absolutësi, nga çdo aspekt.
Pjesë e argumentit logjik në pohimin e emrave dhe cilësive të Allahut, për të cilat ka dëshmuar Sheriati, është se:
- Këto krijesa të madhërishme, me gjithë diversitetin dhe shumëllojshmërinë e tyre, me rregullsinë në përmbushjen e intresave të tyre dhe rrugëtimin sipas planeve të përcaktuara për to, dëshmojnë për madhështinë dhe fuqinë e Allahut, për dijen dhe urtësinë e Tij, si dhe për vullnetin dhe dëshirën e Tij.
- Dhurimi i të mirave dhe bamirësia, largimi i dëmit dhe lehtësimi i brengave; këto gjëra tregojnë për mëshirën, fisnikërinë dhe bujarinë e Tij.
- Dënimi dhe hakmarrja ndaj mëkatarëve dëshmojnë për zemërimin e Allahut ndaj tyre dhe urrejtjen e Tij për ta.
- Nderimi i të bindurve dhe shpërblimi i tyre dëshmojnë për kënaqësinë e Allahut ndaj tyre dhe dashurinë e Tij për ta.
"Atij i përket shembulli më i lartë në qiej dhe në Tokë. Ai është i Plotfuqishmi dhe i Urti."
[Er-Rrum, 27] Domethënë, Atij i takon përshkrimi më i lartë në çdo gjë që Ai përshkruhet dhe asgjë nuk është e ngjashme me Të. Është e pamundur që dy veta të jenë ortakë në shembullin më të lartë; sepse, nëse ata të dy janë të barabartë, asnjëri nuk do të ishte më i lartë se tjetri, e nëse nuk janë të barabartë, atëherë shembulli më i lartë i përket vetëm njërit prej tyre. Prandaj, është e pamundur që Ai, të Cilit i takon shembulli më i lartë, të ketë të ngjashëm apo të njëjtë.
المصدر
ملاحظات
--