Cili është besimi i muslimanit rreth vdekjes?
- محاور التعريف بالإسلام
- الشبهات والاعتراضات
- مصدر الإجابة
- قسم البعث
- الباب / الفصل
- (قسم البعث)
السؤال
Cili është besimi i muslimanit rreth vdekjes?
الجواب
Falënderimi i takon Allahut. Ashtu siç Allahu ka krijuar jetën, po ashtu ka krijuar dhe vdekjen. I Lartmadhërishmi ka thënë:
"Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë; Ai është i Plotfuqishmi dhe Falësi i madh."
(El Mulk, 2)
Pra, vdekja dhe jeta, si dhe ndërrimi i natës e i ditës, janë shenja të mëdha që dëshmojnë për ekzistencën e një Krijuesi madhështor, i cili kujdeset për mbarëvajtjen e universit dhe çdo gjëje që ndodhet në të. I Lartësuari thotë:
"Është Ai që jep jetë dhe vdekje dhe Atij i përket ndërrimi i ditës dhe i natës. Vallë, a nuk kuptoni?"
(El Muminun, 12-14)
Allahu është Ai që jep jetë dhe Ai që merr jetë, pra vdekja, siç thamë, është prej argumenteve që tregojnë për ekzistencën e Zotit të Madhërishëm. Allahu i Lartësuar thotë:
"Ai është Sunduesi mbi robërit e Vet. Ai ju dërgon rojtarë (engjëj) të cilët, kur ndonjërit nga ju i vjen vdekja, ia marrin shpirtin, duke mos bërë kurrfarë lëshimi."
(El Enam, 103)
Vdekja është një urdhër hyjnor mbi të cilin nuk ka pushtet askush përveç Allahut. Njeriu mund të jetë në kulmin e fuqisë dhe vrullit të rinisë së tij, si një sportist në fushën e lojës, por vdekja e rrëmben para syve të publikut të tij. Po ashtu, mbreti mund të jetë në mes të pushtetit, i rrethuar nga rojat dhe ushtritë e veta, por vdekja e rrëmben dhe nuk gjen askënd që ta largojë prej tij. Prandaj, ky realitet është një nga dëshmitë e qarta të ekzistencës së Zotit të Madhërishëm.
Vdekja sipas Kuranit dhe Sunetit është dy llojesh:
E para, vdekja shpirtërore, që ndodh kur njeriu është mohues (jobesimtar). Allahu e ka quajtur këtë gjendje vdekje, sepse njeriu në këtë rast e ka shfuqizuar mendjen, dëgjimin dhe shikimin e tij; në këtë rast ai i ngjan shumë një të vdekuri. Përndryshe, si mund të vijë njeriu në këtë jetë, të shohë se Allahu ka përgatitur për të vendin e tij, ka nënshtruar qiejt dhe tokën, ka siguruar ushqimin dhe pijen, ka krijuar për të gjithçka që e mbron nga nxehtësia, të ftohtit dhe shiu, dhe e ka pajisur me çdo gjë të nevojshme për të jetuar në këtë tokë; e megjithatë ai jeton duke pretenduar se është i gjallë, se ka dëgjim, shikim dhe zemër me të cilën arsyeton, por nuk pranon se ky univers ka një Krijues që e ka krijuar dhe nuk e adhuron Zotin që e solli atë në ekzistencë!? A nuk sheh ai se të gjitha gjymtyrët e trupit të tij janë planifikuar me urtësi dhe rregull nga një Krijues i Gjithëdijshëm? E megjithatë nuk beson në Të! Çfarë dallimi ka ndërmjet këtij njeriu, i cili nuk e njeh Krijuesin e vet dhe nuk e kupton realitetin përreth në një mënyrë që t’i sjellë dobi, dhe të vdekurit që prehet në varrin e tij e nuk di asgjë për atë ç'ka e rrethon? Sipas Kuranit Madhështor, ky njeri është i vdekur mes të gjallëve dhe është edhe më i humbur se kafsha. Të paktën kafsha nuk e sulmon llojin e saj, nuk e ka zili, nuk e vret dhe nuk e mashtron. A ke parë ndonjëherë një gomar që ta ketë zili një gomar tjetër për atë që posedon, ose që ta mashtrojë e t’i bëjë padrejtësi? Kafsha i përdor shqisat e saj për atë që i sjell dobi dhe, falë instinktit e perceptimit të saj, shmang atë që i shkakton dëm.
Kurani Fisnik thekson se jobesimtari nuk i përdor shqisat dhe fuqitë e tij për qëllimin për të cilin janë krijuar, as për atë që i sjell dobi dhe e nxjerr nga mjerimi i përjetshëm, por përkundrazi, ai i shfrytëzon shqisat e tij për atë që i sjell dëm dhe humbje.
Këtu shtrohet një pyetje: kur e konsideron Kurani fisnik si të gjallë të vdekurin mes të gjallëve? Përgjigja e kësaj është se ky njeri konsiderohet i gjallë nëse i përdor aftësitë e tij mendore, dëgjimin dhe shikimin e tij ashtu si duhet, e më pas këto shqisa dhe aftësi e udhëheqin atë drejt besimit në Krijuesin e tij. Allahu i Lartësuar thotë:
"A barazohet i vdekuri që Ne e ngjallëm dhe i dhamë dritë me të cilën ecën midis njerëzve, me atë që është në errësirë e nuk mund të dalë prej saj?! Kësisoj, jobesimtarëve u duken të bukura veprat që bëjnë!?"
E dyta, vdekja e zakonshme, e cila nënkupton ndarjen e shpirtit nga trupi. Kjo njihet nga të gjitha kulturat dhe shoqëritë, dhe e atë e përjeton muslimani dhe jomuslimani. Kur vjen çasti i vdekjes, Allahu dërgon engjëjt e vdekjes për t’ia marrë shpirtin njeriut, të cilit i ka ardhur çasti i vdekjes. Allahu i Lartësuar thotë:
"Thuaju: 'Shpirtin do t’jua marrë engjëlli i vdekjes, i cili është caktuar për ju, e pastaj do të ktheheni te Zoti juaj!'"
(Es Sexhde: 21)
Pra, askush nuk mund t'i marrë jetën askujt përveçse me lejen e Allahut, andaj askush tjetër nuk e merr jetën në të vërtetë pos Allahut? Allahu i Lartësuar ka thënë:
"Ai jep jetën dhe vdekjen dhe tek Ai do të ktheheni."
(Junus: 57)
Është Ai që, kur cakton vdekjen për dikë, askush nuk mund ta largojë atë prej tij dhe, kur vendos t'i zgjasë jetën dikujt, askush nuk mund t'i sjellë vdekjen. Pra, vdekja dhe jeta janë në dorën e Allahut. Allahu i Lartësuar thotë:
Ne e caktojmë vdekjen tuaj dhe askush nuk mund të na pengojë.
(El Vakia: 77-80)
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:
"Prapësojeni vdekjen nga vetja, nëse flisni të vërtetën!"
(Ali Imran: 3-4)
Vdekja ka një kohë të caktuar, që as nuk shpejtohet e as nuk shtyhet. Allahu i Lartësuar thotë:
"Kur atyre u vjen afati, ata nuk mund ta shtyjnë atë e as ta shpejtojnë, qoftë edhe për një çast."
(En Nahl, 97)
Këtu shtrohet edhe një pyetje tjetër: a dallon vdekja e besimtarit nga vdekja e jobesimtarit sipas Kuranit dhe Sunetit? Themi: Po, dallon shumë, mirëpo këtë gjë nuk e ndien askush përveç atij që i është afruar çasti i vdekjes. Dhe, për shkak se kjo është një e vërtetë e fshehtë me të cilën do të përballet çdo njeri, pavarësisht nëse di për të apo jo, dhe pavarësisht nëse e beson apo e mohon atë; Kurani Fisnik ka informuar për këtë çështje dhe e ka sqaruar atë; në mënyrë që njeriu të mos befasohet nga ajo në çastin e vdekjes dhe të mos i thotë Zotit të tij në Ditën e Kiametit: “Pse nuk më lajmërove!”
Ndërsa vdekjen e besimtarit e përshkruajnë këto ajete fisnike nga Kurani Fisnik: kur atij t'i vijë çasti i vdekjes, i zbresin engjëjt e mëshirës për t'i dhënë lajmin e mirë të kënaqjes së Allahut ndaj tij. I Lartësuari thotë:
O ti shpirt i qetësuar!
Kthehu te Zoti yt, ti i kënaqur me Atë dhe Ai kënaqur me ty!
Bashkohu me robërit e Mi!
Dhe hyr në Xhenetin Tim!"
(El Fexhr: 27-30)
Dhe i japin lajmin e mirë gjithashtu se nuk do të ketë frikë nga ajo që e pret, dhe të mos dëshpërohet për fëmijët dhe prindërit që ka lënë pas. I Lartësuari thotë:
"Me të vërtetë, atyre që thonë: 'Zoti ynë është Allahu', e pastaj vazhdojnë të vendosur në rrugën e drejtë, do t’u zbresin engjëjt (para vdekjes) e do t’u thonë: 'Mos u frikësoni dhe mos u pikëlloni! Dhe gëzojuni Xhenetit që ju është premtuar!'"
(Fusilet: 2-4)
Kurse vdekja e jobesimtarit është një vdekje e tmerrshme dhe një situatë e vështirë. Atij i bëhen bashkë agonia e vdekjes, dhimbja e ndarjes nga kjo botë, pikëllimi për familjen dhe fëmijët, frika për atë që e pret, si dhe përballja me engjëjt e ndëshkimit tek sa ia marrin shpirtin. Këtë gjendje të frikshme e përshkruajnë këto ajete ku i Madhërishmi thotë:
"Eh sikur t’i shihje keqbërësit gjatë agonisë së vdekjes, kur engjëjt zgjasin duart (duke thënë): 'Dorëzoni shpirtrat tuaj! Sot ju do të ndëshkoheni me dënim poshtërues për shkak të të pavërtetave që keni thënë për Allahun dhe që keni shpërfillur shpalljet e Tij!'".
"Eh,sikur të shihje se si engjëjt ua marrin shpirtrat mohuesve! I godasin ata në fytyrë dhe shpinë (duke u thënë): 'Shijoni dënimin e zjarrit!'"
Kjo është për shkak të asaj që keni bërë me duart tuaja, sepse Allahu nuk është i padrejtë me robërit e Vet!'"
(El Enfal: 50-51)
"E çfarë do të bëjnë ata, kur engjëjt do t’ua marrin shpirtin, duke i rrahur në fytyrat dhe shpinat e tyre?!"
(Muhamed: 27)
Pra, kjo është një gjendje përçmimi dhe poshtërimi për jobesimtarin. I Madhërishmi thotë:
"Atë Ditë, askush nuk do të dënojë siç dënon Ai.
E askush nuk do të lidhë në pranga siç lidh Ai!"
Në një hadith përcillen fjalët e Profetit (paqja qoftë mbi të!) në përshkrimin e vdekjes së jobesimtarit dhe marrjes së shpirtit të tij:
"Kurse mohuesi, kur gjendet në çastet e ndarjes nga kjo botë dhe të kalimit për në botën tjetër, tek ai vijnë engjëj të rreptë e të ashpër dhe ia shkulin shpirtin ashtu siç shkulet helli me shumë grepa nga leshi i lagur; shpirti i tij shkulet bashkë me damarët. Atë e mallkon çdo engjëll midis qiellit e tokës, si dhe çdo engjëll në qiell."
[Musnedi i Ahmedit (18614)]
Vdekja e shpirtit nënkupton ndarjen e tij nga trupi, kështu që shpirtrat nuk shuhen, por zhvendosen në jetën e Berzahut (tejvarrit), dhe në jetën e Berzahut ato nuk zhvendosen nga një trup në një trup tjetër, siç thotë koncepti i rimishërimit të shpirtrave. Jeta e Berzahut ndryshon nga jeta e kësaj bote, ashtu siç ndryshon edhe nga jeta e botës tjetër. Shpirti ka lidhje me trupin pas vdekjes, dhe të dy ata, trupi dhe shpirti përjetojnë begati dhe vuajtje së bashku në jetën e Berzahut, në një formë që ne nuk e dimë, por për të na ka njoftuar i Urti, i Gjithëdijshmi, të Cilit nuk i fshihet asgjë. Shpirti i besimtarit vendoset në parajsë, ndërsa shpirti i jobesimtarit vendoset në ferr, pavarësisht se eshtrat e tij ndodhen në vendin e vdekjes apo në varr në jetën e Berzahut. Allahu na ka informuar në Kuranin Madhështor për vuajtjet që përjeton tani familja e Faraonit, ndërkohë që ata janë në varret e tyre. Allahu i Lartësuar thotë:
"Ata paraqiten para Zjarrit në mëngjes dhe mbrëmje (në jetën e varrit) e, kur të arrijë Ora (e Kiametit), do të thuhet: 'Hidhni ithtarët e Faraonit në dënimin më të rëndë!'"
(Gafir, 39)
E në Ditën e Kijametit, Allahu do të japë urdhrin që eshtrat të shndërrohen sërish në trupa e çdo shpirt të kthehet në trupin e vet. Pastaj do të bëhet marrja në llogari, e cila do të pasohet ose me qëndrimin e përjetshëm të besimtarëve në Xhenet, ose me qëndrimin e përjetshëm të jobesimtarëve në Zjarr. Allahu i Lartësuar thotë:
"Dita, kur Ai do t’ju mbledhë, kur të gjithë do të grumbulloheni, do të jetë Dita e humbjes dhe fitimit. Atij që beson në Allahun dhe bën vepra të mira, Allahu do t’ia falë gjynahet dhe do ta shpjerë në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj e ku do të qëndrojë përgjithmonë. Kjo është fitorja e madhe.
Ndërsa ata që nuk kanë besuar dhe i kanë mohuar shpalljet Tona, do të jenë banorë të Zjarrit, ku do të qëndrojnë përherë. Eh, sa fund i tmerrshëm është ai!"
(Et Tegabun: 9-10)
"Ata që nuk besojnë dhe bëjnë padrejtësi, Allahu nuk i fal, as nuk do t’i udhëzojë në kurrfarë rruge.
Përveçse drejt rrugës së Xhehenemit, ku do të qëndrojnë përgjithmonë. Dhe kjo për Allahun është e lehtë."
(En Nisa, 1)
Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
المصدر
ملاحظات
--