Skip to content

Cilat janë të drejtat e njeriut sipas Islamit?

محاور التعريف بالإسلام
الشبهات والاعتراضات
مصدر الإجابة
قسم الإسلام
الباب / الفصل
(قسم الإسلام)

السؤال

Cilat janë të drejtat e njeriut sipas Islamit?

الجواب

Falënderimi i takon Allahut. Islami mbron të drejtën e Krijuesit dhe të drejtën e krijesës. Muadh ibën Xhebeli (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon:

"Isha ulur mbrapa Profetit (paqja qoftë mbi të!) mbi një kafshë dhe nuk na ndante veçse pjesa e prapme e samarit. Ai më tha: “O Muadh i biri i Xhebelit!” Unë i thashë: "Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!" Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: “O Muadh i biri i Xhebelit!” I thashë: "Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!" Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: “O Muadh i biri i Xhebelit!” I thashë: "Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!" Më pyeti: “Vallë, e di cila është e drejta e Allahut kundrejt njerëzve?” I thashë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri." Ai tha: “E drejta e Allahut kundrejt njerëzve është që ta adhurojnë Atë dhe të mos i bëjnë ortak asgjë.” Pastaj eci për një kohë dhe sërish tha: “O Muadh i biri i Xhebelit!” I thashë: "Urdhëro, o i Dërguari i Allahut!" Më pyeti: “Vallë, e di cila është e drejta e njerëzve ndaj Allahut, nëse ata e bëjnë këtë?” I thashë: "Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri." Ai tha: “Të mos i dënojë ata!"

[Transmetuan Buhariu nr. 6267 dhe Muslimi nr. 48.]

Islami ka ardhur për të ruajtur fenë dhe jetën e njeriut. Kështu, nga gjithëpërfshirja e Islamit është fakti se ai nuk e ka anashkaluar të drejtën e njeriut në disa aspekte, siç është rasti me ligjet njerëzore. Disa nga këto aspekte janë:

Së pari: E drejta e njeriut në fe: Islami predikon fenë e vërtetë dhe e sqaron kotësinë e feve të tjera, duke mos detyruar njeri që të pranojë Islamin me dhunë. Ai e konsideron fenë domosdoshmërinë më të rëndësishme, andaj ruajtjes së saj i jepet përparësi mbi gjithçka. Po ashtu, i ka garantuar jomuslimanit, nëse jeton në vendet e muslimanëve, që t'i përmbahet fesë së tij, në përputhje me kushtet që parashikon Islami.

Së dyti: E drejta e njeriut për të jetuar: Islami e mbron çdo njeri jeta e të cilit është e shenjtë në Islam përmes ndalimit të vrasjes së tij; madje edhe në rast lufte, Islami e ndalon vrasjen e fëmijëve, grave dhe pleqve që nuk marrin pjesë në luftë.

Së treti: E drejta e pasardhësve dhe e fëmijëve. Islami e mbron të drejtën e njeriut për të pasur pasardhës, dhe i ndalon përpjekjet për të privuar apo penguar dikë që të ketë pasardhës.

E katërta: Të drejtat shoqërore të njeriut: Islami mbron të drejtën e prindërve dhe të drejtën e farefisit duke urdhëruar sjellje të mirë me ta, dhe ndihmë ekonomike kur kanë nevojë si dhe mbajtjen e lidhjeve me ta. Po ashtu Islami mbron të drejtën e fqinjëve duke u sjellë mirë dhe duke mos i dëmtuar; të drejtën e rrugës duke orientuar të humburin, duke ulur shikimin, duke larguar pengesat, duke mos i shqetësuar të tjerët etj. Gjithashtu, në përgjithësi të drejtat e masave janë të njohura dhe të mbrojtura në Islam.

Së pesti: Të drejtat ekonomike të njeriut: Islami e mbron të drejtën e pronësisë së individit, e ndalon kamatën dhe tërheq vërejtjen nga pakujdesia në marrjen e borxheve, ndonëse e ka lejuar marrjen e borxhit për nevojtarin. Ai e ka bërë obligim që t'u dilet në ndihmë nevojtarëve përmes zekatit dhe ka nxitur për këtë përmes lëmoshës. Atij që i del një nevojë emergjente, ia ka lejuar t'u kërkojë njerëzve ndihmë derisa të përmbushet nevoja. Gjithashtu, ai ka rregulluar burimet dhe të ardhurat e përgjithshme të shtetit.

Së gjashti: Të drejtat shëndetësore të njeriut: Dispozitat shëndetësore në Islam janë të shumta; të gjitha ato synojnë ruajtjen e shëndetit individual dhe shëndetit publik. Këtu përfshihet ndalimi i gjërave që dëmtojnë shëndetin e vetë njeriut apo të shoqërisë përreth tij, siç janë lëndët narkotike, alkooli, kurvëria dhe homoseksualizmi për shkak të sëmundjeve që ato shkaktojnë. Këtu bën pjesë edhe masat mbrojtëse nga transmetimi i sëmundjeve, siç ka ndaluar Islami që, kur bie murtaja në një vend, të dilet nga ai vend apo të hyhet në të; ngase hyrja në të e ekspozon njeriun ndaj sëmundjes apo vdekjes, ndërsa dalja prej aty bëhet shkak për bartjen dhe përhapjen e sëmundjes te të shëndoshët.

Së shtati: Të drejtat e femrës: Islami i mbron të drejtat e saj si nënë, duke ia bërë detyrë fëmijës kujdesin ndaj saj, mirësjelljen dhe lumturimin e saj sa të jetë e mundur. Po ashtu, ia mbron të drejtat si motër, bashkëshorte dhe vajzë, duke ua bërë detyrë meshkujve të familjes të kujdesen për të, ta mbrojnë, të përpiqen për rehatinë e saj dhe të udhëtojnë së bashku me të, sepse udhëtimi ka mundime dhe rreziqe. Ai e obligon kujdestarin e femrës të shpenzojë për të, ngase ajo është e urdhëruar të qëndrojë në shtëpi, përveç rasteve kur i nevojitet të dalë. Ajo ka të drejtë të disponojë lirisht atë që zotëron nga pasuria, trashëgimia etj, ka të drejtën e zgjedhjes së bashkëshortit, të drejtën e kujdestarisë dhe të përkujdesjes për fëmijët e saj, e kështu me radhë. Dallimi mes Islamit dhe feve a sistemeve të tjera është se respektimi i këtyre të drejtave nga ana e individit bëhet me bindje dhe dëshirë për të fituar shpërblimin nga Zoti i Lartësuar, e jo nga frika e ndonjë ligji apo diçkaje të ngjashme. Anët e mira të Islamit dalin në pah kur krahasohen me gjendjen e njeriut në përgjithësi dhe të femrës në veçanti, në periudhën para Islamit, si dhe në sistemet bashkëkohore.

Së teti: Islami mbron të drejtën e xhindëve dhe të drejtën e kafshëve, siç dihet nga librat e jurisprudencës islame. Ndërkaq, nëse Islami mbron të drejtën e xhindëve dhe të kafshëve, a mund të mendohet që të neglizhojë të drejtën e njeriut, të cilin Allahu e ka nderuar? Allahu thotë:

"Në të vërtetë, Ne i kemi nderuar bijtë e Ademit: ua kemi bërë të mundur të udhëtojnë në tokë dhe në det, u kemi dhënë ushqime të mira e të lejuara dhe i kemi ngritur lart mbi shumë krijesa."

[El Isra: 88]

Pra, nderimi në Islam e përfshin të gjithë racën njerëzore: besimtarin dhe jobesimtarin, të bardhin dhe të ziun, arabin dhe joarabin. Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!

المصدر

قسم الإسلام

ملاحظات

--