Skip to content

Si u bë Muhamedi (paqja qoftë mbi të) profet i dërguar nga Allahu?

مصدر الإجابة
قسم النبوة
الباب / الفصل
(قسم النبوة)

السؤال

Si u bë Muhamedi (paqja qoftë mbi të) profet i dërguar nga Allahu?

الجواب

Muhamedi i biri i Abdullahut birit të Abdulmutalibit (paqja qoftë mbi të!) është vula e profetëve dhe të dërguarve. Lajmi mbi pejgamberllëkun e tij gjendet në librat e ithtarëve të Librit, në Kuranin Fisnik, në Sunetin profetik, si dhe në librat e dijetarëve të Islamit që i janë kushtuar traditës dhe jetëshkrimit të tij të ndritur (paqja qoftë mbi të!). Për askënd nuk është e paqartë se si ai u bë profet, e meqë u parashtrua pyetja, ne po japim përgjigjen duke u mbështetur në ndihmën e Allahut:

Së pari, profeti dhe miku i ngushtë i Allahut, Ibrahimi (paqja qoftë mbi të!) kur ndërtoi Shtëpinë e Lashtë (Qabenë) në Mekë me urdhër të Allahut, dhe vendosi bashkëshorten e tij, Haxheren dhe djalin e saj, Ismailin (paqja qoftë mbi ta!), në Mekën e Nderuar; iu lut Allahut që të dërgonte mes pasardhësve të Ismailit një profet nga mesi i tyre. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë:

"Zoti ynë! Dërgo tek ata një të dërguar nga gjiri i tyre, që t’u lexojë shpalljet e Tua, t’ua mësojë Librin dhe Urtësinë e t’i pastrojë! Vërtet, Ti je i Plotfuqishmi dhe i Urti!"

(El Bekare, 129)

Kësisoj, Allahu iu përgjigj lutjes së mikut të Tij (paqja qoftë mbi të!) dhe e dërgoi Muhamedin (paqja qoftë mbi të!) si profet dhe të dërguar.

Së dyti, Allahu i ka njoftuar profetët e mëparshëm (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!), se do të dërgojë të dërguarin e Tij besnik dhe vulën e të dërguarve, dhe ka marrë besën prej tyre që t'i besojnë atij dhe ta ndjekin, nëse ai dërgohet gjatë jetës së tyre. Për këtë, Allahu i Lartësuar thotë:

"Kujto kur Allahu mori besën nga profetët (dhe u tha): 'Çfarëdo që t’ju jap prej Librit dhe urtësisë, kur t’ju vijë një i Dërguar, vërtetues i asaj që ju është dhënë, pa dyshim që duhet ta besoni dhe ta ndihmoni atë! A e pranoni këtë dhe barrën që po ju ngarkoj?' Ata u përgjigjën: 'E pranojmë!' (Allahu) u tha: 'Bëhuni dëshmitarë, se edhe Unë bashkë me ju jam dëshmitar!'"

[Ali Imran: 81]

Së treti, pasi që shpallja e Musait dhe Isait (paqja qoftë mbi ta!) ishte më e afërta prej shpalljeve hyjnore në distancë kohore me shpalljen e profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi ta), tekstet që flisnin për të kanë qenë të shumta në librat e tyre dhe në mbarë librat e tjerë të profetëve të bijve të Izraelit. Këto tekste përmbanin përshkrime për të, për vendin e tij, për hixhretin (shpërnguljen në Medine), për ritet e fesë së tij dhe për shokët e tij, si dhe për fitoren e rimëkëmbjen që Allahu do t'u mundësonte atyre, si dhe detaje të tjera që gjendeshin në librat e tyre. Po ashtu, ato përmbanin sihariqe për ardhjen e tij, për përgatitjen e zemrave për ta pritur atë, si dhe urdhrin për ta besuar e për ta ndjekur atë. Dijetarët e bijve të Izraelit i njihnin mirë këto tekste. Përshkrimi i tij (paqja qoftë mbi të!) dhe përshkrimi i shokëve të tij ishin ngulitur thellë në mendjet e dijetarëve të bijve të Izraelit, si dhe te dijetarët e murgjit e të krishterëve. Ngjarjet rreth kësaj çështjeje janë të shumta dhe me to janë mbushur librat e historisë, por për ne mjafton Fjala e të Lartësuarit:

"Ata që u kemi dhënë Librin, e njohin atë (Profetin Muhamed), ashtu siç i njohin bijtë e tyre, por disa prej tyre e fshehin të vërtetën, duke e ditur atë mirë!"

Madje, edhe shenja fizike që gjendej në trupin e tij fisnik ishte e shënuar në librat e tyre, dhe ajo gjendet deri më sot në librat e tyre. Përshkrimi i kësaj shenje shënohet në Sahihun e Buhariut dhe të Muslimit, ku Saib ibën Jezidi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ka thënë:

"Pastaj qëndrova mbrapa shpinës së tij dhe e pashë vulën e profetësisë në mes të supeve, e cila ishte si veza e pëllumbit."

(E shënon Buhariu, numër 190)

Abdullah ibën Selami (Allahu qoftë i kënaqur me të!) tregon:

"Kur i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të) erdhi në Medinë, njerëzit nxituan drejt tij dhe thoshin: 'I Dërguari i Allahut ka ardhur!' Vajta bashkë me njerëzit për ta parë dhe, kur vështrova fytyrën e të Dërguarit të Allahut, e kuptova se fytyra e tij nuk ishte fytyrë gënjeshtari!'"

[Hadithin e shënojnë Tirmidhiu (2485) dhe Ibn Maxhe (1334)]

Mirëpo, meqenëse të gjithë profetët pas Ibrahimit (paqja qoftë mbi të!) ishin prej pasardhësve të Israilit (Jakubit, -paqja qoftë mbi të!-), hebrenjtë menduan se edhe vula e profetëve do të ishte po ashtu prej tyre. Por, kur Allahu e dërgoi atë prej bijve të Ismailit, birit të Ibrahimit (paqja qoftë mbi ta!) e ky ishte Muhamedi, i biri i Abdullahut, dhe kur panë se tek ai përputheshin plotësisht cilësitë që gjendeshin në librat e tyre, ata krijuan zili ndaj tij dhe e mohuan. Kësisoj, atë e besuan vetëm pak prej tyre, pavarësisht se shumë prej tyre dëshmonin për profecinë e tij.

Së katërti, sa i përket fillimit të profetësisë së Profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!), ajo ndodhi kur ai i kishte mbushur dyzet vjet. Nëna e besimtarëve, Aishja (Allahu qoftë i kënaqur me të!), na tregon për fillimin e profetësisë dhe thotë:

"Gjëja e parë me të cilën i filloi shpallja të Dërguarit të Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) ishte ëndrra e vërtetë në gjumë. Ai nuk shihte asnjë ëndërr e që të mos i dilte e qartë si agimi i mëngjesit. Pastaj, atij iu bë e dashur vetmia. Ai vetmohej në shpellën Hira, ku i përkushtohej adhurimit për net të tëra, pastaj kthehej te familja e tij dhe furnizohej me ushqim për t'u vetmuar përsëri. Ai vazhdoi të bënte kështu; të kthehej te Hatixhja dhe të merrte ushqim dhe të vetmohej, derisa i erdhi e Vërteta ndërsa gjendej në shpellën Hira. Kështu, atij i erdhi engjëlli dhe i tha: 'Lexo!' Ai u përgjigj: 'Unë nuk di të lexoj!' (Profeti) tha: 'Atëherë, ai më kapi dhe më shtrëngoi fort derisa më lodhi, pastaj më lëshoi dhe tha: 'Lexo!' Unë i thashë: 'Unë nuk di të lexoj.' Më kapi dhe më shtrëngoi për herë të dytë derisa më lodhi, pastaj më lëshoi dhe tha: 'Lexo!' Unë i thashë: 'Unë nuk di të lexoj.' Më kapi dhe më shtrëngoi për herë të tretë, pastaj më lëshoi dhe tha: 'Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (çdo gjë)! Krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo, se Zoti yt është më Bujari!' [El Alek: 1-3] Kështu, i Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) u kthye me to (këto ajete) dhe zemra i rrihte pareshtur. Ai hyri te Hatixhja e bija e Huvejlidit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) dhe i tha: 'Më mbuloni! Më mbuloni!' Ata e mbuluan derisa i kaloi frika. Atëherë i tha Hatixhes teksa ia tregoi lajmin: 'Kam frikë për veten time!' Hatixhja i tha: 'Kurrsesi! Për Allahun, Allahu nuk do të të poshtërojë asnjëherë. Vërtet, ti i mban lidhjet farefisnore, i del në krah të dobtëve, u jep të varfërve atë që nuk e gjejnë dot (i ndihmon nevojtarët), e nderon mysafirin dhe ndihmon në fatkeqësi e në mbështetje të së vërtetës.' Pastaj, Hatixhja shkoi së bashku me të te Veraka ibën Neufel ibën Esed ibën Abduluzza, djali i xhaxhait të saj, i cili ishte bërë i krishterë në periudhën paraislame. Ai dinte të shkruante hebraisht dhe shkruante nga Inxhili në hebraisht aq sa dëshironte Allahu që ai të shkruante. Ai ishte i shtyrë në moshë dhe ishte verbuar. Hatixhja i tha: 'O djali i xhaxhait tim, dëgjoje nipin tënd!' Veraka i tha: 'Fol, o nip, çfarë ke parë?' I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) i tregoi çfarë kishte parë dhe Veraka, me të dëgjuar fjalët e tij, i tha: 'Ky është Namusi (Engjëlli i shpalljes) që Allahu ia zbriti Musait. Ah, sikur të isha i ri gjatë kësaj (thirrjes sate)! Ah, sikur të jem i gjallë kur populli yt të të dëbojë!' I Dërguari i Allahut (paqja qoftë mbi të!) i tha: 'A do të më dëbojnë ata mua?!' Ai i tha: 'Po, nuk ka ardhur asnjë burrë ndonjëherë me diçka të ngjashme me këtë me të cilën ke ardhur ti, e që të mos jetë armiqësuar. Nëse e arrij ditën tënde, do të të ndihmoj fuqishëm.'"

Sahihi i Buhariut (3) dhe Sahihi i Muslimit (252).

Së pesti, pasi Allahu e ngarkoi me detyrën e profetësisë, e përkrahu atë me mrekulli dhe shenja të qarta. Disa nga këto shenja ishin qiellore, si çarja e hënës, Israja dhe Miraxhi, dhe disa ishin tokësore, si shumimi i ushqimit dhe i pijes, rënkimi i trungut të plamës nga malli për të, e të tjera të shumta. Allahu i dha atij mrekullinë më të madhe që mbetet deri në Ditën e Fundit, që është Kurani i Madhërishëm. Gjithashtu, e përkrahu me shokë të ndershëm (Allahu qoftë i kënaqur me ta!), të cilët qenë bartësit më të mirë të kësaj feje, dhe e përhapën atë në të gjitha anët e botës. Pra, shokët e tij (Allahu qoftë i kënaqur me ta!) dhe përhapja e fesë së tij janë provë e qartë e vërtetësisë së profetësisë së tij.

Këto shenja, të cilat Allahu ia dha atij, nuk i janë dhënë asnjërit prej profetëve (paqja dhe bekimi i Allahut qofshin mbi ta!) të mbledhura së bashku.

Së gjashti, profetësia e profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!) është vërtetuar në të njëjtën mënyrë siç është vërtetuar profetësia e Ibrahimit, Musait, Isait dhe e mbarë profetëve të tjerë (paqja qoftë mbi ta!); me anë të shpalljes nga Allahu i Plotfuqishëm mbi ta. Nuk ka asnjë rrugë nëpërmjet së cilës konfirmohet profetësia e ndonjërit prej profetëve, e që me po atë rrugë të mos konfirmohet edhe profetësia e profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Rrugët e vërtetimit të profetësisë për profetët e mëparshëm përbëheshin nga: Libri, provat (mrekullitë), pasuesit besimtarë dhe transmetimi i mesazhit në rrugët më autentike. Me të gjitha këto rrugë është vërtetuar edhe profetësia e profetit tonë, Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Libri i tij është libri më madhështor që Allahu ia ka dhënë ndonjë profeti, mrekullitë e tij janë mrekullitë më madhështore, shokët e tij (sahabët) janë shokët më të mirë që mund të ketë pasur ndonjë profet, e po ashtu, rruga nëpërmjet së cilës është përcjellur profetësia e tij (paqja qoftë mbi të!) gëzon shkallën e autenticitetit dhe të besueshmërisë më të lartë me të cilën janë transmetuar profetësitë. Për ta vërtetuar këtë, mjafton fakti se ata që morën pjesë bashkë me të në Haxhin e Lamtumirës ishin më shumë se njëqind mijë besimtarë, Allahu qoftë i kënaqur me ta!

Nga sa u tha më lart, bëhet e qartë se si u vërtetua profecia e tij, dhe se si feja e tij ka vazhduar të qëndrojë e përhapur gjatë gjithë këtyre shekujve. Kjo është një dëshmi tjetër për profecinë e tij dhe do të mbetet kështu deri në Ditën e Kiametit, me lejen e Allahut. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi profetin tonë, Muhamedin!

المصدر

قسم النبوة

ملاحظات

--