Janë tre persona, të cilëve Allahu nuk do t’u flasë në Ditën e Kiametit, as nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm.
Selman Farisiu (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:
"Tre personave Allahu nuk do t’u flasë në Ditën e Kiametit, as nuk do t’i pastrojë prej gjynaheve e për ta do të ketë dënim të dhembshëm: plakut që bën zina, të varfrit mendjemadh dhe njeriut që e bën Allahun mall të tijin, i cili nuk shet veçse me betimin e tij dhe nuk blen veçse me betimin e tij."
«ثَلَاثَةٌ لَا يُكَلِّمُهُمُ اللَّهُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ وَلَا يُزَكِّيهِمْ وَلَهُمْ عَذَابٌ أَلِيمٌ: أُشَيْمِطٌ زَانٍ، وَعَائِلٌ مُسْتَكْبِرٌ، وَرَجُلٌ جَعَلَ اللَّهَ لَهُ بِضَاعَةً، فَلَا يَبِيعُ إِلَّا بِيَمِينِهِ وَلَا يَشْتَرِي إِلَّا بِيَمِينِهِ».
Profeti ﷺ në këtë hadith ka treguar për tri kategori njerëzish, të cilët meritojnë ndëshkimin e Allahut në Ditën e Kiametit me tri ndëshkime, nëse nuk pendohen ose nuk u falet ndëshkimi: E para: Allahu nuk do t'u flasë atyre në Ditën e Gjykimit për shkak të hidhërimit të Tij të madh, por do t'i shpërfillë ata, ose do t'u flasë me fjalë që nuk i gëzojnë dhe që tregojnë zemërimin e Tij ndaj tyre. E dyta: Ai nuk i shfajëson, nuk i lavdëron dhe nuk i pastron nga gjynahet. E treta: Për ata ka dënim të dhembshëm dhe të ashpër në jetën tjetër. Këto lloje janë: Lloji i parë: Një burrë i moshuar që bie në mëkatin e zinasë. I dyti: I varfëri pa pasuri, por megjithatë ai është mendjemadh ndaj njerëzve. E treta: Ai që betohet shpesh në Allahun gjatë shitblerjes, duke e nënçmuar emrin e Allahut dhe duke e bërë atë mjet për fitimin e pasurisë.
Kadi Ijadi ka thënë lidhur me arsyen e këtij dënimi të rëndë: "Secili prej tyre e kreu mëkatin e përmendur pavarësisht se ishte larg tij, pa pasur domosdoshmëri për të dhe me shtysa të dobëta tek ai. Ndonëse askush nuk shfajësohet për ndonjë mëkat, megjithatë, duke qenë se për këto mëkate nuk kishte ndonjë nevojë shtrënguese dhe as shtysa të zakonshme, guximi i tyre për t'i kryer ato i ngjan kryeneçësisë, nënçmimit të së drejtës së Allahut të Lartësuar dhe synimit për të mëkatuar ndaj Tij, pa pasur asnjë nevojë tjetër."
Zinaja, gënjeshtra dhe mendjemadhësia janë prej mëkateve të mëdha.
Mendjemadhësia nënkupton refuzimin e së vërtetës dhe nënçmimi e krijesave.
Paralajmërimi kundër përdorimit të shpeshtë të betimit gjatë shitblerjes, dhe nxitja për nderimin e betimit dhe respektimin e emrave të Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Dhe mos e bëni Allahun mjet për betimet tuaja." (El Bekare, 224)
Më shumë (7)
المعجم الصغير للطبراني (2/ 82) (821).
الجديد في شرح كتاب التوحيد.
للقرعاوي (ص453).
الملخص في شرح كتاب التوحيد.
لصالح الفوزان (ص406).
القول المفيد على كتاب التوحيد.
لابن عثيمين (2/ 460).