Cilat janë temat që trajton Kurani?
- محاور التعريف بالإسلام
- التعريف بالقرآن الكريم
- مصدر الإجابة
- قسم القرآن والكتب السابقة
- الباب / الفصل
- (قسم القرآن والكتب السابقة)
السؤال
Cilat janë temat që trajton Kurani?
الجواب
Falënderimi i takon Allahut. Kurani i madhërishëm është fjala e Allahut, vula e librave qiellorë dhe shfuqizues i tyre, që i zbriti profetit tonë Muhamedit (paqja qoftë mbi të!). Ai është i ndarë në xhuze, çdo xhuz në sure dhe çdo sure në ajete. Sakaq, një sure mund të trajtojë një temë të vetme ose disa tema të ndryshme.
Po ashtu, Kurani dallohet për faktin se ligjërimi i tij nuk është në formën e një rrëfimi historik të njëpasnjëshëm, të cilin, nëse e lexon një herë, mbase nuk i rikthehesh për ta lexuar përsëri, ashtu siç ndodh me librat e hebrenjve dhe të krishterëve. Përkundrazi, në çdo pjesë të tij gjejmë një shumëllojshmëri tregimesh të profetëve dhe mësimesh, si dhe thirrje për të meditim të thellë rreth fakteve të Zotit dhe mjeshtërisë së Tij të mrekullueshme. E gjithë kjo e gërshetuar me urdhëresa e ndalesa, me morale të larta, norma mirësjelljeje dhe ligje. Kësisoj, e tërë kjo i ngjan një kopshti nga i cili njeriu mund të përfitojë diçka kur e lexon Kuranin, dhe kjo ndodh thuajse në çfarëdo vendi të tij. Madje, edhe vetë tregimi për një profet të caktuar nuk vjen thjesht një herë e të mbyllet me aq, por përmendet në më shumë se një sure dhe në disa vende të ndryshme. E në çdo vend gjenden dobi të reja dhe një këndvështrim i ri i ngjarjeve, që e bëjnë lexuesin e kujdesshëm të jetë i vëmendshëm.
Sa u përket tematikave të cilat janë cekur në Kuranin Famëlartë, prej tyre mund të veçojmë:
- Trajtimi i çdo gjëje që i nevojitet njeriut në raport me çështjet e fesë dhe të jetës, me marrëdhënien e tij me Zotin e tij, me veten e tij, me njerëzit përreth dhe me universin në të cilin jeton.
- Shqyrtimi i cilësive, emrave dhe veprimeve të Allahut të Madhëruar, si dhe shpërblimeve dhe ndëshkimeve që Ai premton, fesë, legjislacionit, përcaktimit hyjnor (kaderi), si dhe se Ai është i Vetmi që krijon, sundon, furnizon, përkujdeset, jep jetë dhe merr jetë.
- Shqyrtimi i së drejtës së Allahut të Lartësuar kundrejt krijesave të Tij, që është njësimi dhe adhurimi i vetëm Atij, si dhe shqyrtimi i së drejtës së krijesave kundrejt Krijuesit nëse ato e adhurojnë Atë dhe i binden urdhrit të Tij. Në këtë kontekst futen edhe detajet e adhurimeve, ligjeve dhe marrëdhënieve.
- Se ai (Kurani) paraqet fakte të qarta për krijesat, dhe është udhërrëfyes, mëshirë, këshillë dhe i mjaftueshëm për njerëzimin në udhëzimin e tyre drejt rrugës së saktë dhe të drejtë. Allahu i Lartësuar thotë:
"Në të vërtetë, ky Kuran udhëzon drejt asaj që është më e mira dhe u jep lajmin e gëzuar besimtarëve, që bëjnë vepra të mira, se ata do të kenë shpërblim të madh."
[El Isra: 88]
Gjithashtu Allahu i Lartësuar thotë:
"Vallë, a nuk u mjafton atyre që Ne të kemi shpallur ty Librin që u lexohet atyre? Me të vërtetë që në të ka mëshirë dhe këshillë për njerëzit që besojnë?!"
(El Ankebut: 6)
"(Thuaju o Muhamed): 'Tashmë ju kanë ardhur nga Zoti juaj prova të qarta. Ai që i sheh ato, i sjell dobi vetes, ndërsa ai që i mbyll sytë para tyre, i bën dëm vetes. Unë nuk jam rojtari juaj.!'."
(El Enam, 103)
"Thuaju: 'Unë ndjek vetëm atë që më ka shpallur Zoti im. Ky (Kuran) është vetëm dëshmi ndriçuese nga Zoti juaj, udhërrëfim dhe mëshirë për njerëzit që besojnë.'."
(El A'raf, 54)
Tahir ibn Ashuri (Allahu e mëshiroftë!) ka thënë:
"Fjala “besair” (fakte të qarta) është shumësi i fjalës “besirah”, që nënkupton argumentin përmes së cilit qartësohet e vërteta. Përmes kësaj theksohet vlera e Kuranit; se ai është më i mirë se mrekullitë që ata kërkojnë; sepse ai bashkon midis dëshmisë për vërtetësinë e të Dërguarit, nëpërmjet mrekullisë gjuhësore dhe zbritjes te një i pashkolluar, dhe midis udhërrëfimit, mësimit, orientimit dhe mbijetimit përgjatë shekujve. Është përdorur forma shumës e “besair” (fakte të qarta) ngase Kurani trajton forma të ndryshme të udhëzimit, varësisht nga aspektet kah të cilat të orienton: që nga ndriçimi i mendjes për përmirësimin e besimit, saktësimin e koncepteve fetare, vendosja e ligjeve për marrëdhëniet shoqërore e bashkëjetesën mes njerëzve, e deri te orinetimi në rrugët e suksesit e të shpëtimit në këtë botë, dhe paraljmërimi nga humnerat e humbjes."
(Et-Tahrir vet-Tenvir, 9/ 238)
- Diskutimi rreth librave hyjnorë dhe rreth përmbajtjes së tyre, si: udhëzimi, argumentet, gjërat e lejuara, gjërat e ndaluara dhe ligjet. Allahu i Lartësuar thotë:
"Pas atyre profetëve, Ne dërguam Isain, të birin e Merjemes, si vërtetues të Teuratit që kishte ardhur para tij. Dhe i dhamë atij Ungjillin, në të cilin ka udhëzim dhe dritë, si përmbushje të asaj që ishte shpallur para tij në Teurat dhe si udhërrëfim e këshillë për ata që i frikësohen Allahut."
(El Maide: 46)
- Prej temave më të rëndësishme që ka trajtuar Kurani i Madhërishëm janë profecitë dhe shpalljet hyjnore, bashkëbisedimet e çdo profeti me popullin e tij, reagimet e parisë së popullit ndaj profetit të tyre, shpërblimi që fituan ata që e besuan profetin dhe ndëshkimi që morën ata që e kundërshtuan dhe nuk iu bindën atij, parashtrimi i fakteve me të cilat Allahu e mbështeti çdo profet, theksimi i nevojës së krijesave për profetët, për paralajmërimet dhe përgëzimet e tyre, sqarimi i çështjeve që duhen besuar prej librave të zbritur më herët, si dhe informimi për gjendjen e popujve të mëparshëm dhe sjelljen që ata patën me profetët e tyre, me qëllim që nga të gjitha këto të nxirren mësime.
- Po ashtu një nga temat më të rëndësishme që ka trajtuar Kurani Madhështor është edhe Dita e Fundit, e cila është dita e ringjalljes dhe e shpagimit, si dhe shtjellimi i detajuar i shpërblimit të besimtarëve dhe i futjes së tyre në Xhenet, ku do të jenë përgjithmonë, dhe i dënimit të jobesimtarëve dhe i futjes së tyre në Zjarr, ku do të jenë përgjithmonë.
- Diskutimi rreth krijesave të fshehta dhe të padukshme, siç janë melekët, xhindët dhe shejtanët; si janë krijuar këto krijesa, cilat janë punët dhe karakteristikat e tyre, nënshtrimi i melekëve ndaj Zotit të tyre, mosbindja e xhindëve dhe shejtanëve etj; si dhe diskutimi rreth faktit se melekët i ndihmojnë besimtarët në kryerjen e adhurimeve, ndërsa shejtanët i nxisin e i shtyjnë jobesimtarët drejt mëkateve.
- Sqarimi i adhurimeve të ligjësuara, siç janë: namazi, zekati, agjërimi, haxhi, mirësia, bamirësia, miqësia dhe armiqësia (për hir të Allahut); dhe i marrëdhënieve ndërnjerëzore, siç janë: shitblerja, huadhënia, martesa dhe trashëgimia; pastrimi i shpirtit me moral fisnik dhe dëlirësimi i tij nga morali i ulët; si dhe sqarimi i veprave që konsiderohen të ndaluara, të pahijshme, të pista dhe mëkateve të ndryshme.
- Thirrja për të reflektuar dhe medituar rreth fakteve të universit që gjenden në Qiell, në Tokë, në Diell, në Hënë dhe në yjësi, në hapësirë dhe në organizmin e njeriut, në një mënyrë që e shpie njeriun drejt besimit, përuljes dhe nënshtrimit ndaj Krijuesit dhe adhurimit të Tij. Allahu i Lartësuar thotë:
"Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës, në këmbimin e natës me ditën, në anijet që lundrojnë nëpër det për t’u sjellë dobi njerëzve, në ujin që Allahu zbret prej qiellit, duke ngjallur përmes tij tokën e vdekur dhe duke shpërndarë gjithfarë gjallesash, në lëvizjen e erërave dhe në retë që qëndrojnë midis qiellit e Tokës, në të gjitha këto, sigurisht që ka shenja për njerëzit me intelekt."
(El Bekare, 21)
"Me të vërtetë, në krijimin e qiejve dhe të Tokës dhe në ndërrimin e natës e të ditës, ka shenja për mendarët."
(Ali Imran: 3-4)
- Trajtimi i historisë së krijimit të kësaj gjithësie dhe krijimit të njeriut të parë, dhe caktimit të tij si mëkëmbës në Tokë dhe ngarkimit të tij me detyrën e menaxhimit të saj; sqarimi i dispozitave hyjnore dhe i ligjeve universale të cilat e ndihmojnë atë në këtë detyrë dhe në themelimin e një qytetërimi të përparuar, të cilin njeriu duhet ta ndërtojë në dritën e udhëzimeve të Kuranit; si dhe sqarimi se si devijuan popujt e mëparshëm, si i kaluan kufijtë dhe bënë prishje në Tokë. Lidhur me këtë kontekst, Allahu i Madhëruar thotë:
"Vallë, a nuk udhëtojnë nëpër botë e të shohin se si kanë përfunduar popujt e mëparshëm? Ata kanë qenë më të fortë se këta dhe tokën e kanë shfrytëzuar dhe punuar më mirë se sa e punojnë këta, e të dërguarit e tyre u sollën prova të qarta. Nuk ishte Allahu që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë vetvetes padrejtësi."
(Er Rum, 27)
Si dhe në fjalën e Tij:
"Ata dinë vetëm anën e dukshme të kësaj jete, ndërsa për jetën tjetër janë të painteresuar.
Vallë, a nuk mendojnë ata në vetvete? Allahu ka krijuar qiejt dhe Tokën dhe çfarë gjendet mes tyre - vetëm me një qëllim dhe afat të caktuar. E, me të vërtetë, shumica e njerëzve nuk besojnë në takimin me Zotin e tyre.
Pastaj përfundimi i atyre që punuan keq, ka qenë e keqja e madhe (Xhehenemi), ngase i mohonin shpalljet e Allahut dhe talleshin me to.
Allahu e nis krijimin dhe e përsërit atë dhe pastaj tek Ai do të ktheheni."
Allahu e ka sqaruar se përfundimi i mirë u takon të devotshmëve. Ai thotë:
"Sa për vendbanimin e botës tjetër, Ne do ta caktojmë atë për ata që nuk kërkojnë as madhështi e as ngatërresa në Tokë. Përfundimi (i mirë) është për ata që ruhen nga të këqijat."
(El Kasas: 83)
- Kurani ngërthen në vete argumente racionale, analogji logjike, shembuj ilustrues dhe pyetje sfiduese, të cilat vështirë se mund të numërohen pa një mund të madh. Të gjitha ato janë argumente të qarta dhe prova bindëse për çështjet që ka paraqitur Kurani. Nëse një njeri objektiv i shqyrton thellë këto argumente, atij nuk i mbetet tjetër veçse të bindet dhe t'i pranojë ato, saqë edhe një ateist që e kërkon të vërtetën me sinqeritet, po t'i shqyrtojë ato, do të heqë dorë nga ateizmi i tij dhe do të besojë në mesazhin e Kuranit të Madhërishëm.
- Vlerat e larta e sublime, të cilat arrihen me përkushtim dhe pa të cilat nuk mund të ngrihet asnjë qytetërim i drejtë apo shoqëri e mirëfilltë qytetare. Kështu, në Kuranin Famëlartë gjen vlerat e besimit, të drejtësisë, të shëndetit, të sigurisë, ato shoqërore, të sjelljes dhe financiare, si dhe vlera të tjera të cilat i nevojiten ekzistencës njerëzore në Tokë.
Ajo që lexuesi i Kuranit të Madhërishëm duhet ta ketë parasysh, është fakti se ai nuk do ta gjejë Kuranin të përpiluar sipas tematikave, ashtu siç ndodh me librat e tjerë njerëzorë. Përkundrazi, ai është një libër hyjnor ku çështja besimore, bashkë me argumentin dhe shpërblimin përkatës, vijnë të gërshetuara me ndonjë ligj universal që flet për popullimin dhe lulëzimin e jetës në Tokë, e më pas parashtrohet rasti i ndonjërit prej popujve të mëparshëm që patën kundërshtuar çështjen në fjalë. Andaj, kushdo që dëshiron të njohë tematikat që shtjellon Kurani i madhërishëm, duhet ta lexojë atë të plotë, në mënyrë që të njihet gjerësisht me temat e trajtuara në të.
Pra, çdokush që e vlerëson qenien e tij njerëzore dhe e respekton arsyen e tij, duhet të përpiqet ta lexojë medoemos këtë libër madhështor, më të mirë se i cili njerëzimit nuk i ka ardhur asnjëherë asnjë libër, ose të lexojë përkthimin e kuptimeve të tij nëse nuk e njeh gjuhën arabe. Nëse një njeriu të mençur do t'i thuhej për një libër se e ka shkruar një njeri shumë i urtë, në të cilin ka shkrirë mbarë urtësinë e tij, do të ishte e udhës që ai të bënte përpjekje për ta lexuar atë. Po kur në duart e tua, o njeri, gjendet një libër hyjnor, i cili vazhdon të ekzistojë në gjuhën në të cilën është shpallur, i ruajtur nga çdo mangësi e shtesë dhe i pacenuar nga deformimi dhe ndryshimi! Në të flitet për popujt e kaluar, përmban ligjet e popujve të hershëm dhe të vonshëm, si dhe sqaron cili është përfundimi i çdo qenieje të gjallë, e megjithatë ti prapëseprapë nuk i interesohesh për ta lexuar! Injorimi që njeriu i bën Kuranit dhe mungesa e interesimit që ai tregon për të, nuk e dëmtojnë aspak Kuranin fisnik, por dëmtojnë vetë atë që ia kthen shpinën atij, sepse Allahu nuk ka nevojë për krijesat. Allahu i Lartësuar thotë:
"Thuaj, jam i urdhëruar të këndoj Kuranin. E kushdo që merr rrugën e drejtë, e bën për të mirën e vet. Ndërsa atyre që devijojnë, ti thuaju: 'Unë jam vetëm paralajmërues'"
(En Neml, 88)
"Kush përpiqet, përpiqet vetëm për të mirën e vetvetes, se Allahu, në të vërtetë nuk ka nevojë për asgjë."
Salavatet dhe selamet qofshin për profetin tonë Muhamedin!
المصدر
ملاحظات
--