Përse Allahu dërgon profetë dhe nuk mjaftohet që njerëzit ta njohin Krijuesin e tyre me mendjen e tyre?
- محاور التعريف بالإسلام
- الرسل والنبوات
- مصدر الإجابة
- قسم ما يتعلق بغير المسلمين والشرك والعبادة
- الباب / الفصل
- (قسم ما يتعلق بغير المسلمين والشرك والعبادة)
السؤال
Përse Allahu dërgon profetë dhe nuk mjaftohet që njerëzit ta njohin Krijuesin e tyre me mendjen e tyre?
الجواب
Allahu i Lartësuar nuk i la njerëzit të jetojnë shkel e shko, por u dërgoi atyre profetë, si përgëzues dhe paralajmërues, për t'u qartësuar atyre rrugën e drejtë dhe për t'u shpjeguar në hollësi atë që mendja dhe natyrshmëria e perceptojnë vetëm në mënyrë të përgjithshme. Mendja e shëndoshë dhe natyrshmëria e pastër dëshmojnë për ekzistencën e Krijuesit dhe për domosdoshmërinë e adhurimit të Tij, mirëpo ato janë të paafta për të përcaktuar detajet e këtij adhurimi. Po ashtu, ato nuk munden të vetme të përcaktojnë se cilat fjalë dhe vepra i do dhe i pëlqen Allahu dhe cilat i urren dhe i ndalon.
Profetët janë ndërmjetësit mes Allahut dhe krijesave të Tij; ata përçojnë shpalljen përmes së cilës njerëzit njihen me cilësitë dhe emrat e Zotit të tyre, si dhe me të drejtat që u takojnë atyre. Ata vendosin metodologjinë e saktë që rregullon jetën e njerëzve lidhur me mënyrën e adhurimit, marrëdhëniet shoqërore dhe moralin që duhet të kenë. Allahu i Madhëruar thotë:
"Ne çuam të dërguar si përgëzues dhe paralajmërues, në mënyrë që njerëzit të mos kenë ndonjë justifikim para Allahut, pas ardhjes së të dërguarve. Njëmend Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Gjithëdijshëm."
(En Nisa, 1)
Pra, argumenti i bëhet i qartë njerëzve me anë të shpalljes, kurse logjika e vetme nuk mjafton dhe nuk mund të zërë vendin e shpalljes hyjnore.
Gjithashtu, prej urtësisë së dërgimit të profetëve është se mendjet e njerëzve janë të ndryshme; atë që disa e konsiderojnë të bukur, të tjerët mund ta shohin si të shëmtuar. E sikur gjykimi t’i lihej vetëm mendjes, atëherë kriteret dhe standardet do të ndryshonin, qëllimi do të humbiste dhe njerëzit do të devijonin nga e vërteta. Nga këtu erdhi shpallja, për të qenë referencë e qëndrueshme që nuk ndryshon me ndryshimin e kohës dhe të vendit, për të saktësuar natyrshmërinë, për të edukuar mendjen dhe për t'i qartësuar asaj kufijtë e veprimit të saj.
Profetët nuk janë thjesht kumtues të urdhëresave dhe ndalesave, por ata janë shembuj praktikë që e mishërojnë fenë në jetën e tyre dhe u japin njerëzve shembullin më të lartë në bindje dhe adhurim. Allahu thotë:
"Në të Dërguarin e Allahut keni një shembull të mrekullueshëm..." (El Ahzab 21)
Pra, profeti nuk përcjell vetëm dijen, por i edukon shpirtrat dhe i udhëzon ata përmes veprës dhe fjalës njëkohësisht.
Sa i përket vërejtjes se përse Allahu nuk u mjaftua që ta bënte mendjen që ajo e vetme të ishte e mjaftueshme, përgjigjja e kësaj është se, sikur Allahu të vepronte kështu, njerëzit do të hutoheshin dhe do të lindnin mospajtime, dhe argumenti nuk do të ishte plotësisht i qartë kundra tyre. Po ashtu, mendja, si mjet perceptimi që është, mbetet e kufizuar brenda kufijve të shqisave dhe përvojës, dhe nuk mund të depërtojë në botën e të fshehtës. Prandaj, shpallja erdhi për ta plotësuar e udhëzuar mendjen dhe për ta nxjerrë njerëzimin nga errësira në dritë.
Prandaj, dërgimi i profetëve është një domosdoshmëri logjike dhe fetare që shërben për të përmbushur udhëzimin e njeriut, për të mbështetur natyrën e tij të pastër dhe për të orientuar arsyen. Arsyeja dëshmon për ekzistencën e Krijuesit, ndërsa profetët qartësojnë ligjet dhe kërkesat e Tij. E ai njeri tek i cili bashkohen drita e arsyes me dritën e shpalljes, padyshim që është udhëzuar në rrugën e drejtë.
المصدر
ملاحظات
--