Skip to content

O Allah, unë jam njeri, andaj këdo që qortoj rëndë, mallkoj ose godas me kamxhik prej muslimanëve, këtë bëje pastrim dhe mëshirë për të!

Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ ka thënë:

“O Allah, unë jam njeri, andaj këdo që qortoj rëndë, mallkoj ose godas me kamxhik prej muslimanëve, këtë bëje pastrim dhe mëshirë për të!”

«اللهُمَّ إِنَّمَا أَنَا بَشَرٌ، فَأَيُّمَا رَجُلٍ مِنَ المُسْلِمِينَ سَبَبْتُهُ أَوْ لَعَنْتُهُ أَوْ جَلَدْتُهُ فَاجْعَلْهَا لَهُ زَكَاةً وَرَحْمَةً».

Muttefek alejhi
Sahih
Shpjegimi

Profeti ﷺ u lut dhe tha: “O Allah, unë jam vetëm njeri, zemërohem ashtu siç zemërohen njerëzit. Ndaj, cilitdo besimtar që i kam bërë keq, ose e kam qortuar rëndë, ose e kam mallkuar dhe jam lutur kundër tij për largim nga mëshira Jote, ose e kam fshikulluar dhe goditur, bëja atij këtë pastrim, afrim, dëlirje, shlyerje dhe mëshirë me të cilën e mëshiron atë."

Mësime nga hadithi

Morali madhështor i Profetit ﷺ.

Ibn Haxheri ka thënë: "Në këtë hadith tregohet keqardhja e madhe e Profetit ﷺ ndaj umetit të tij, sjellja e tij e bukur dhe fisnikëria e tij, pasi ai synoi ta kompensonte atë që kishte ndodhur nga ana e tij me ngushëllim dhe nderim."

Neveviu ka thënë: "Nëse thuhet: Si mund të lutet kundër dikujt që nuk e meriton lutjen kundër tij, apo ta shajë, ta mallkojë e të ngjashme me to? Përgjigjja është ajo që kanë dhënë dijetarët, e cila në mënyrë të përmbledhur ka dy mendime: Mendimi i parë: Qëllimi është se ai (personi) nuk e meriton atë te Allahu i Lartësuar dhe në thelb të çështjes, por në pamje të jashtme duket se ai e meriton atë. Kështu, Profetit ﷺ i shfaqet që ai e meriton këtë bazuar në një tregues sheriatik (fetar), megjithëse në të vërtetë nuk e meriton. Dhe ai ﷺ është urdhëruar të gjykojë sipas të jashtmes, ndërsa Allahu merr përsipër të fshehtat. Mendimi i dytë: Ajo që ka ndodhur nga sharja, lutja kundër tyre e të tjera të ngjashme, nuk është e qëllimshme, por janë prej shprehjeve që arabët e kishin bërë zakon t'i përdornin në rrjedhën e fjalës së tyre pa ndonjë qëllim të caktuar. Të tilla janë shprehjet e tij: “T'u mbushshin duart me dhé!”, “E shkretë qofsh!”, si dhe fjalët në këtë hadith: “Mos t'u rrittë mosha!”, apo në hadithin e Muaviut: “Allahu mos ta ngopë barkun!”, e të tjera si këto, me të cilat ata nuk e kishin për qëllim kuptimin e vërtetë të lutjes. Por, Profeti ﷺ pati frikë se mos ndonjëra prej tyre përkon me një kohë kur pranohet lutja, prandaj i kërkoi Zotit të tij të Lartësuar dhe iu lut Atij që ta bënte atë (lutje) mëshirë, shlyerje gjynahesh, afrim, pastrim dhe shpërblim. Dhe kjo ndodhte prej tij shumë rrallë dhe në raste krejt të veçanta, sepse Profeti ﷺ nuk ishte fjalëndyrë, as fyes, as mallkues dhe nuk hakmerrej për veten e tij."

Referencat

Sahihu i Buhariut (8/ 77) (6361).

Sahihu i Muslimit (4/ 2007) (2601).

Më shumë (2)

عمدة القاري شرح صحيح البخاري (22/ 310).

إرشاد الساري لشرح صحيح البخاري (9/ 207).