Skip to content

"A t'ju tregoj për veprën tuaj më të mirë, më të pastër te Sunduesi juaj dhe më të lartë për ju në pozitë

Ebu Derdai (Allahu qoftë i kënaqur me të!) transmeton se Profeti ﷺ ka thënë:

"A t'ju tregoj për veprën tuaj më të mirë, më të pastër te Sunduesi juaj dhe më të lartë për ju në pozitë; më të mirë për ju se shpenzimi i arit dhe argjendit dhe më të mirë për ju sesa të përballeni me armikun tuaj: t'u mëshoni në qafat e tyre dhe t'ju mëshojnë në qafat tuaja?" Thanë: "Patjetër." Atëherë Profeti ﷺ tha: "Përkujtimi i Allahut të Lartësuar."

«أَلاَ أُنَبِّئُكُمْ بِخَيْرِ أَعْمَالِكُمْ، وَأَزْكَاهَا عِنْدَ مَلِيكِكُمْ، وَأَرْفَعِهَا فِي دَرَجَاتِكُمْ وَخَيْرٌ لَكُمْ مِنْ إِنْفَاقِ الذَّهَبِ وَالوَرِقِ، وَخَيْرٌ لَكُمْ مِنْ أَنْ تَلْقَوْا عَدُوَّكُمْ فَتَضْرِبُوا أَعْنَاقَهُمْ وَيَضْرِبُوا أَعْنَاقَكُمْ؟» قَالُوا: بَلَى. قَالَ: «ذِكْرُ اللهِ تَعَالَى».

Transmetojnë Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Ahmedi.
Sahih
Shpjegimi

Profeti ﷺ i pyeti sahabët: A doni t'ju tregoj dhe t'ju mësoj për veprën tuaj më të mirë, më fisnike, më të frytshme, më të pastër dhe më të dëlirë tek Allahu, Sunduesi i Lartmadhëruar? Më e larta në shkallët tuaja në Xhenet? Më e mirë për ju sesa të jepni lëmoshë ari dhe argjend? Më e mirë për ju sesa t'i takoni jobesimtarët për t'i luftuar, kur ua mëshoni qafave të tyre dhe jua mëshojnë qafave tuaja? Sahabët thanë: "Po, e duam një gjë të tillë." Profeti ﷺ tha: "Dhikri - përmendja dhe përkujtimi i Allahut të Lartësuar në çdo kohë, në çdo fromë dhe gjendje."

Mësime nga hadithi

Përmendja e vazhdueshme e Allahut të Lartësuar, në aspektin e jashtëm dhe të brendshëm (me gjuhë dhe me zemër), është një nga format më madhështore dhe më të dobishme të afrimit me Allahun e Lartësuar.

Të gjitha veprat janë ligjësuar për të përmbushur detyrën e përkujtimit të Allahut të Lartësuar. Allahu i Lartësuar thotë: "Fale namazin për të më kujtuar Mua!" (Taha, 14) Ndërkaq, Profeti ﷺ ka thënë: "Tavafi (rrotullimi) rreth Qabesë, ndërmjet Safasë e Mervasë dhe gjuajtja e guralecëve janë ligjësuar për të përkujtuar Allahun e Lartësuar." E shënojnë Ebu Davudi dhe Tirmidhiu.

Izz ibën Abduselami në librin e tij mbi parimet e fesë ka thënë: "Ky hadith tregon se jo në të gjitha adhurimet shpërblimi merret në varësi të lodhjes, përkundrazi, Allahu i Lartësuar nganjëherë mund të shpërblejë më shumë për veprat e vogla sesa për të mëdhatë, kështu që shpërblimi merret në varësi të epërsisë së veprës në fisnikëri dhe superioritet.

Munavi ka thënë në "Fejdul Kadir": "Ky hadith interpretohet në kuptimin se dhikri ishte më i mirë për ata të cilëve u është drejtuar Profeti ﷺ në atë moment. Po t'i drejtohej një personi trim, prej të cilit do të kishte dobi Islami në luftë, atëherë vepër më e mirë për të do të ishte xhihadi (lufta në rrugë të Allahut); ose një njeriu të pasur, pasuria e të cilit u sjell dobi të varfërve, atëherë vepër më e mirë për të do të ishte sadakaja (lëmosha); ose atij që është në gjendje të kryejë haxhin, do t'i thuhej vepra më e mirë është haxhi; ose dikush që i ka dy prindërit (gjallë), do t'iu thuhej të kujdesej e t'i respektojë ata. Kështu bëhet harmonizimi midis haditheve të ndryshme."

Forma më e përkryer e dhikrit është ajo që e shpreh gjuha së bashku me meditimin e zemrës, pastaj ajo që është vetëm me zemër, siç është meditimi, e pastaj ajo që është vetëm me gjuhë, secila nga këto forma ka shpërblim me lejen e Allahut të Lartësuar.

Përkushtimi i muslimanit ndaj dhikreve që lidhen me situata të ndryshme, si: dhikri i mëngjesit dhe i mbrëmjes, hyrjes dhe daljes nga xhamia, shtëpia, tualeti etj, e bën atë një nga ata që e përmendin shpesh Allahun.

Referencat

Suneni i Tirmidhiut (5/ 389) (3377).

Suneni i Ibn Maxhes (4/ 705) (3790).

Musnedi i Ahmedit (36/ 33) (21702).

Më shumë (5)

بهجة الناظرين شرح رياض الصالحين.

لسليم الهلالي (2/ 513).

نزهة المتقين شرح رياض الصالحين.

لمجموعة من الباحثين (2/ 985).

كنوز رياض الصالحين لمجموعة من الباحثين.