Pse adhurojmë një Zot që nuk e shohim?
- محاور التعريف بالإسلام
- الشبهات والاعتراضات
- مصدر الإجابة
- قسم ما يتعلق بغير المسلمين والشرك والعبادة
- الباب / الفصل
- (قسم ما يتعلق بغير المسلمين والشرك والعبادة)
السؤال
Pse adhurojmë një Zot që nuk e shohim?
الجواب
Disa njerëz mund të pyesin: Si ta adhurojmë një Zot të cilin shikimi ynë nuk e kap dot? A nuk është më e udhës që Ai të jetë i prekshëm dhe i dukshëm, në mënyrë që të besojmë në Të?
Së pari, mosshikimi i Allahut nuk e mohon ekzistencën e Tij.
Ekzistojnë shumë gjëra që nuk mund t'i shohim, e megjithatë jemi të bindur për ekzistencën e tyre përmes mendjes, shqisave dhe efekteve të tyre, si: ajri, elektriciteti dhe forca e gravitetit. Ne i shohim efektet e tyre, prandaj edhe bindemi për ekzistencën e tyre. E njëjta gjë vlen edhe për Allahun e Lartësuar; ne i shohim gjurmët e krijimit, të fuqisë dhe të madhështisë së Tij në univers, kështu që ekzistenca e Tij është shumë më e qartë sesa të ketë nevojë të shihet me sy. Allahu i Madhëruar thotë:
"Vallë, a mund të dyshohet në Allahun, Krijuesin e qiejve dhe të Tokës?!"
(Ibrahim: 10)
Së dyti, Allahu është aq madhështor sa nuk mund të shihet nga sytë.
Allahu i Madhëruar dhe i Lartësuar është i përsosur dhe absolut, Atij nuk i ngjan asnjë prej krijesave dhe Ai nuk mund të përceptohet nga shqisat. Ndaj, pamundësia për ta parë Atë në këtë botë nuk vjen si pasojë e një mangësie në Të, por vjen si pasojë e madhështisë së Tij. Ai ka thënë:
"Shikimet njerëzore nuk mund ta kapin Atë, ndërkohë që Ai i kap të gjitha shikimet. Ai është i Mirinformuari."
(El Enam, 103)
Së treti, urtësia e besimit në të fshehtën.
Besimi në të fshehtën është prej cilësive më të mëdha të njerëzve të devotshmëm. Allahu i Madhëruar thotë:
"Të cilët besojnë në të fshehtën..."
(El Bekare, 21)
Besimi në të fshehtën kultivon në zemrën e njeriut sinqeritet dhe përkushtim. Përmes tij testohet sinqeriteti i njeriut; a e adhuron Allahun me bindje e nënshtrim pa e parë, apo nuk adhuron gjë tjetër përveç asaj që i kapin shqisat? Kjo bën pjesë në synimet e testimit në këtë botë.
Së katërti, Allahu u ka premtuar besimtarëve se do ta shohin Atë në botën tjetër.
Besimtarët janë të privuar nga shikimi i Allahut në këtë botë në formë testimi për ta, por begatia më e madhe në Xhenet është kur Allahu do t'i nderojë ata me shikimin e Fytyrës së Tij Fisnike. Në lidhje me këtë Allahu i Madhëruar thotë:
"Atë ditë, disa fytyra do të shkëlqejnë.
Dhe Zotin e tyre do të shohin."
(El Kijame, 22-23)
Pejgamberi (paqja qoftë mbi të!) ka thënë:
"Do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç e shihni hënën e plotë, pa asnjë vështirësi." (Buhariu, 529 dhe Muslimi, 211)
Pra, privimi nga të pamurit në këtë jetë kompensohet me dhuratën më të madhe në jetën tjetër.
Andaj, adhurimi ynë ndaj Allahut, ndonëse nuk e shohim Atë në këtë botë, nuk është as diçka e çuditshme dhe as ndonjë mangësi; përkundrazi, kjo vjen si pasojë e madhështisë së Tij dhe është pjesë e provimit të besimit tonë në të fshehtën. Ekzistenca e Tij është e dëshmuar nga argumentet logjike, nga natyrshmëria, nga faktet universale dhe ato fetare. E sikur njerëzit ta shihnin Atë haptazi, sprova nuk do të kishte më kurrfarë kuptimi dhe besimi do të kthehej në diçka të imponuar, dhe nuk do të ishte zgjedhje e lirë. Kështu, urtësia e Allahut e ka kërkuar që besimi në këtë botë të jetë pa e parë Atë me sy, me qëllim që të dallohen ata që thonë të vërtetën nga gënjeshtarët, si dhe të sinqertët nga pretenduesit e rremë.
Shikimi i Allahut është begatia më e madhe që Allahu ka rezervuar për robërit e Tij në botën e përtejme. Besimi në Të në këtë botë, pa e parë, është dëshmi e sinqeritetit të robit, ndërsa shikimi i Fytyrës së Tij të Fisme në Ditën e Kiametit do të jetë shpërblimi i këtij sinqeriteti.
المصدر
ملاحظات
--