Skip to content

Përse Allahu i sprovon robërit e Tij dhe nuk i lë në mirëqenie të përhershme?

محاور التعريف بالإسلام
الشبهات والاعتراضات
مصدر الإجابة
قسم المسلمين
الباب / الفصل
(قسم المسلمين)

السؤال

Përse Allahu i sprovon robërit e Tij dhe nuk i lë në mirëqenie të përhershme?

الجواب

Sprova është një ligj hyjnor i pandryshueshëm në krijesat e Allahut. Ajo nuk është as kotësi e as padrejtësi, por mbart urtësi të thellë dhe mëshirë të gjerë. Sprovat në jetën e kësaj bote janë mejdani ku provohet sinqeriteti i besimit, ku dallohet i miri nga i keqi dhe besimtari durimtar nga mohuesi kryeneç. Allahu i Madhëruar ka thënë:

"Ai i ka krijuar jetën dhe vdekjen, për t’ju provuar se kush prej jush do të veprojë më mirë..."

(El Mulk, 2)

Pra, e gjithë jeta është vend sprovash dhe qëllimi i saj nuk është kënaqësia e përkohshme, por testimi që i përgatit njerëzit për shpërblimin e amshuar në botën tjetër.

Mendja e shëndoshë e pranon se dallimi mes njerëzve nuk mund të bëhet ndryshe veçse përmes sprovës dhe provimit. Sikur të gjithë njerëzit të jetonin në mirëqenie të vazhdueshme, pa vështirësi e pa fatkeqësi, nuk do të shfaqej sinqeriteti i askujt dhe as nuk do të dallohej vendosmëria e njërit nga tjetri. Gjithashtu, sprova ia zbulon njeriut dobësinë dhe nevojën që ai ka për Zotin, duke e bërë atë të përulet dhe të mbështetet te Krijuesi i tij. Kështu pastrohet shpirti i tij dhe i forcohet besimi. Për këtë arsye, Profeti (paqja qoftë mbi të!) ka thënë:

"Njerëzit më të sprovuar janë pejgamberët, pastaj ata që u ngjasojnë më së shumti atyre, e pastaj ata pas tyre, e kështu me radhë..."

Pra, sprova është shenjë se Allahu e do robin e Tij, nëse ai përballet me të me durim dhe pajtim.

Po ashtu, nga urtësitë e sprovës është se ajo është pastrim për gjynahet, shlyerje për gabimet dhe ngritje në shkallët (e Xhenetit). Kështu që, nëse besimtari bën durim dhe shpreson shpërblim (tek Allahu), Allahu e bën sprovën e tij ngritje për të në këtë botë dhe në Ahiret. Në një hadith thuhet:

"Çdo fatkeqësi që mund ta godasë muslimanin, qoftë lodhje e sëmundje, qoftë brengë e pikëllim, qoftë shqetësim e mërzi, madje dhe një shpim gjembi, përmes saj Allahu do t'ia fshijë disa gjynahe." (Buhariu 5318)

Pra, sprova për besimtarin është e tëra mirësi: ajo ose ia ngre shkallët, ose ia shlyen mëkatet, ose e afron më shumë tek Allahu.

Sa i përket vërejtjes që parashtrojnë disa njerëz: “Sikur Allahu të ishte i mëshirshëm, përse i sprovon robërit e Tij?”, përgjigjja është se mëshira e vërtetë nuk qëndron në lënien e njerëzve të dëfrehen në këtë botë pa llogari e pa përgjegjësi, por në përkujtimin e tyre për rikthimin te Krijuesi i tyre dhe në përgatitjen e tyre për botën e përhershme. Kështu, vështirësitë mund të jenë shkak për udhëzim dhe pendim, ndërsa mirëqenia e vazhdueshme mund ta joshë njeriun drejt mendjemadhësisë dhe shkujdesjes. Prandaj, Allahu i Lartësuar thotë:

"Dhe, Ne do të bëjmë që të shijojnë një dënim më të lehtë në këtë jetë, para dënimit më të madh në jetën e përtejme, me qëllim që të kthehen në rrugën e drejtë."

(Es Sexhde: 21)

Sprova gjithashtu e zbulon realitetin e kësaj bote dhe tregon se ajo nuk është vend qëndrimi i përhershëm, por vetëm një vendkalim drejt botës tjetër. Sikur kjo botë të mos kishte dhimbje e vështirësi, njerëzit do të lidhnin zemrat pas saj dhe do ta harronin qëllimin madhor. Por Allahu ka dashur që kjo botë të jetë e shkurtër dhe kalimtare, ndërsa begatia e vërtetë të jetë në Xhenet, ku nuk ka lodhje, as mundim dhe as pikëllim.

Si përfundim: sprova është mëshirë dhe testim. Nëpërmjet saj dallohet besimtari nga të tjerët, pastrohen shpirtrat, shlyhen gjynahet, zbulohet realiteti i kësaj bote dhe njeriu përgatitet për botën tjetër. Prandaj, sprova në të vërtetë është pjesë e drejtësisë, urtësisë dhe mëshirës së Allahut, dhe nuk bie aspak në kundërshtim me to.

المصدر

قسم المسلمين

ملاحظات

--