Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

1 nga 841 kartela

Hiq filtrat

Grada e hadithit

Transmetuar në

"Në mesin e popujve që ishin para jush gjendej një mbret, i cili kishte një magjistar. Kur magjistari u plak, i tha mbretit: “Unë tashmë jam plakur, prandaj më dërgo një djalosh që t'i mësoj magjinë.” Mbreti i dërgoi një djalosh për ta mësuar atë. Gjatë rrugës, kur shkonte te magjistari, djaloshi kalonte pranë një murgu. Ai ulej tek murgu dhe i dëgjonte fjalët e tij, të cilat i pëlqenin. Kështu, kurdo që nisej për te magjistari, kalonte te murgu dhe ulej pranë tij. E kur mbërrinte te magjistari, ky i fundit e rrihte. Djaloshi iu ankua për këtë murgut, dhe ai i tha: “Nëse i frikësohesh magjistarit, thuaji: ‘Më vonoi familja ime’; e nëse i frikësohesh familjes sate, thuaju: ‘Më vonoi magjistari.’” Ndërsa ishte në këtë gjendje, djaloshit i doli përpara një bishë e stërmadhe, që ua kishte zënë rrugën njerëzve. Ai tha me vete: “Sot do ta marr vesh se cili është më i mirë, magjistari apo murgu.” Mori një gur dhe tha: “O Allah! Nëse rruga e murgut është më e dashur tek Ti sesa rruga e magjistarit, vrite këtë bishë që njerëzit të mund të kalojnë!” E hodhi gurin dhe e vrau atë, e njerëzit vazhduan rrugën. Pastaj shkoi te murgu dhe i tregoi për atë që kishte ndodhur. Murgu i tha: “O biri im! Sot ti je më i mirë se unë. Çështja jote ka arritur deri aty sa po e shoh. Ti me siguri do të sprovohesh, e nëse sprovohesh, mos trego për mua!” Djaloshi arriti të shëronte të verbrit e lindur dhe të zgjebosurit, si dhe i kuronte njerëzit nga çdo lloj sëmundje. Për këtë dëgjoi një shoqërues i mbretit, i cili ishte verbuar. Ai i shkoi me dhurata të shumta dhe i tha: “Të gjitha këto që janë këtu do të jenë të tuat, nëse më shëron.” Djaloshi i tha: “Unë nuk shëroj askënd. Ai që shëron është vetëm Allahu. Nëse ti beson në Allahun, unë do t'i lutem Atij dhe Ai do të të shërojë.” Ai besoi në Allahun dhe Allahu e shëroi. Më pas, ai shkoi te mbreti dhe u ul pranë tij, ashtu siç ulej më parë. Mbreti e pyeti: “Kush ta ktheu shikimin?” Ai u përgjigj: “Zoti im!” Mbreti tha: “A ke ti një Zot tjetër përveç meje?!” Ai tha: “Zoti im dhe Zoti yt është Allahu.” Atëherë mbreti e kapi dhe nuk reshti së torturuari, derisa ai tregoi për djaloshin. Djaloshin e prunë para tij dhe mbreti i tha: “O biri im! Magjia jote paska arritur deri aty saqë po shëron të verbrit dhe të gërbulurit, e po bën kështu e ashtu.” Ai i tha: “Unë nuk shëroj askënd, Ai që shëron është vetëm Allahu.” Atëherë mbreti e kapi dhe nuk reshti së torturuari, derisa ai tregoi për murgun. Prunë murgun dhe i thanë: “Hiq dorë nga feja jote!” Por ai refuzoi. Atëherë mbreti kërkoi t'i sillnin një sharrë. Ia vendosi sharrën në mes të kokës dhe e preu derisa dy pjesët e trupit i ranë në tokë. Pastaj prunë shoqëruesin e mbretit dhe i thanë: “Hiq dorë nga feja jote!” Edhe ai refuzoi, andaj ia vendosi sharrën në mes të kokës dhe e preu derisa dy pjesët e trupit i ranë në tokë. Më pas prunë djaloshin dhe i thanë: “Hiq dorë nga feja jote!” Ai refuzoi, kështu që mbreti ua dorëzoi atë një grupi ushtarësh dhe u tha: “Çojeni te filan mali dhe ngjituni me të në mal. Kur të arrini në majë të tij, nëse ai heq dorë nga feja e vet, lëreni, përndryshe hidheni poshtë!” Ata shkuan me të dhe u ngjitën në mal. Djaloshi u lut: “O Allah, më mjafto kundër tyre ashtu siç do Ti!” Mali u drodh nga poshtë tyre dhe ata ranë poshtë, ndërsa djaloshi u kthye duke ecur tek mbreti. Mbreti i tha: “Çfarë u bë me shoqëruesit e tu?” Ai u përgjigj: “Allahu më mjaftoi kundër tyre.” Mbreti sërish ua dorëzoi një grupi tjetër ushtarësh dhe u tha: “Merrni dhe hipeni në një anije. Dilni me të në mes të detit dhe, nëse nuk heq dorë nga feja e vet, hidheni në të!” Ata shkuan me të, kurse djaloshi u lut: “O Allah, më mjafto kundër tyre ashtu siç do Ti!” Anija u përmbys dhe ata u mbytën, ndërsa ai u kthye duke ecur tek mbreti. Mbreti e pyeti: “Çfarë u bë me shoqëruesit e tu?” Ai u përgjigj: “Allahu më mjaftoi kundër tyre.” Pastaj djaloshi i tha mbretit: “Ti nuk mund të më vrasësh derisa të veprosh ashtu siç të urdhëroj unë.” Mbreti e pyeti: “E çfarë është ajo?” Ai tha: “T'i tubosh njerëzit në një fushë të gjerë dhe të më kryqëzosh në një trung peme. Pastaj merr një shigjetë prej strajcës sime e vendose shigjetën në mes të harkut dhe thuaj: ‘Me emrin e Allahut, Zotit të djaloshit!’, e pastaj më gjuaj. Vetëm nëse e bën këtë, do të mund të më vrasësh.” Mbreti i tuboi njerëzit në një fushë të gjerë dhe e kryqëzoi në një trung. Mori një shigjetë nga strajca e djaloshit, e vendosi në hark dhe tha: “Me emrin e Allahut, Zotit të djaloshit!” Pastaj e gjuajti, dhe shigjeta i ra djaloshit në mollëz të fytyrës. Djaloshi e vuri dorën e tij në mollëz, pikërisht aty ku e goditi shigjeta, dhe vdiq. Atëherë njerëzit filluan të thërrasin: “Ne i besojmë Zotit të djaloshit! Ne i besojmë Zotit të djaloshit! Ne i besojmë Zotit të djaloshit!” I shkuan mbretit dhe i thanë: “A e pe atë nga e cila ruheshe? Për Allahun, të gjeti vërtet ajo që i frikësoheshe: njerëzit besuan!” Atëherë mbreti urdhëroi të hapeshin hendeqe në hyrjet e rrugëve. Ato u hapën dhe në to u ndezën zjarre. Mbreti tha: “Këdo që nuk heq dorë nga feja e tij, hidheni në të!”, ose u thuhej: “Hidhuni aty!” Kështu vepruan, derisa erdhi një grua me foshnjën e saj. Ajo ngurroi të hidhej në zjarr, por foshnja i tha: “Oj nëna ime, duro, sepse ti je në besimin e vërtetë (hak)!”
Sahih Transmeton Muslimi.