Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

75 nga 841 kartela

Hiq filtrat

Grada e hadithit

“Sikur i biri i Ademit të kishte dy lugina me pasuri, do ta kërkonte edhe të tretën, kështu që barkun e tij s'mund ta ngopë asgjë tjetër pos dheut, por Allahu e fal atë që pendohet.”
Sahih Muttefek alejhi
“Zjarri juaj është një e shtatëdhjeta pjesë e zjarrit të Xhehenemit.” Dikush i tha: "O i Dërguari i Allahut, edhe po të ishte sa zjarri i dynjasë, do të ishte i mjaftueshëm." Ai tha: “Ai (zjarri i Xhehenemit) është për gjashtëdhjetë e nëntë hise më i nxehtë. Secila hise ka nxehtësinë e zjarrit të kësaj bote.”
Sahih Muttefek alejhi
“Besimtari i fuqishëm është më i mirë dhe më i dashur tek Allahu se besimtari i dobët, e megjithatë të dy kanë mirësi.Kujdesu për atë që të bën dobi, kërko ndihmën e Allahut e mos u ndal (lodh), nëse të godet diçka, mos thuaj: “Sikur të kisha vepruar kështu, do të ishte kështu e ashtu”, por thuaj: “Caktim i Allahut dhe çfarë dëshiron Ai vepron”, sepse fjala “sikur” hap dyert për të vepruar shejtani.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Allahu i Lartmadhëruar u thotë banorëve të Xhenetit: "O banorët e Xhenetit!" - Të përgjigjemi me kënaqësi, o Zoti ynë! - i thonë ata. - A jeni të kënaqur? - i pyet Allahu. - E si të mos jemi të kënaqur kur na ke dhënë atë që s'i ke dhënë askujt tjetër prej krijesave të Tua? - thonë ata. - Unë do t'ju shpërblej edhe më mirë se kaq. - O Zot, çfarë paska më mirë se kaq? - Do ta lëshoj mbi ju kënaqësinë Time dhe kurrë s'do të hidhërohem me ju, - u thotë Allahu.”
Sahih Muttefek alejhi
"Një burrë erdhi tek i Dërguari i Allahut ﷺ dhe i tha: "O i Dërguari i Allahut, çfarë mendon nëse vjen një njeri dhe dëshiron të më marrë pasurinë?" Ai i tha: “Mos ia jep pasurinë tënde.” Ai pyeti: "Çfarë mendon nëse ai më lufton?" Ai i tha: “Luftoje.” Ai pyeti: "Çfarë mendon nëse ai më vret?" Ai i tha: “Atëherë, ti je dëshmor.” Ai pyeti: "Çfarë mendon nëse unë e vras?" Ai i tha: “Ai do të jetë në Zjarr.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Ai që i ka këto katër tipare është hipokrit i kulluar. Ndërkaq, ai që ka vetëm njërin prej tyre, ka një prej tipareve të hipokrizisë, derisa ta braktisë atë. Ato janë: kur flet, gënjen; kur bën marrëveshje, tradhton; kur premton, nuk e mban premtimin, si dhe kur polemizon, bëhet i pasjellshëm."
Sahih Muttefek alejhi
"Një njeri e pyeti Profetin ﷺ për Kiametin, duke thënë: "Kur është Kiameti?" - “Çka ke përgatitur për të?” - ia ktheu Profeti ﷺ. - Asgjë, përveçse e dua Allahun dhe të Dërguarin e Tij ﷺ, - iu përgjigj ai. - “Ti do të jesh me ata që i do”, - i tha Profeti ﷺ. Enesi vazhdon: "Me asgjë nuk jemi gëzuar më shumë se me fjalën e Profetit ﷺ: “Ti do të jesh me ata që i do.” Unë e dua Profetin ﷺ, Ebu Bekrin e Omerin, andaj shpresoj të jem me ta, në saje të dashurisë sime ndaj tyre, edhe pse nuk kam bërë vepra (të mira) sikurse ata."
Sahih Muttefek alejhi
“Mos kini zili ndaj njëri-tjetrit, mos e mashtroni njëri-tjetrin, mos e urreni njëri-tjetrin, mos ia ktheni shpinën njëri-tjetrit, mos ndërhyni në shitblerjen e njëri-tjetrit. Bëhuni robër të Allahut, vëllezër të vërtetë. Muslimani është vëlla i muslimanit: nuk i bën padrejtësi, nuk e tradhton, nuk e gënjen e as nuk e poshtëron. Devotshmëria është këtu.” - duke bërë me shenjë në gjoksin e tij tri herë. “I mjafton si e keqe njeriut ta përulë vëllanë e vet musliman. Kundrejt muslimanit, muslimani në tërësi është i paprekshëm: gjaku, pasuria dhe nderi i tij.”
Sahih Transmeton Muslimi.