Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

16 nga 841 kartela

Hiq filtrat
“Allahu thotë: "Jep, o biri i Ademit, të të jap."
Sahih Muttefek alejhi
“Pronarit të arit dhe argjendit, që nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të bëhet Dita e Kiametit ato do t'i shndërrohen në pllaka prej Zjarri, të cilat skuqen në zjarr të Xhehenemit e me to i hekuroset trupi, balli e shpina. Sa herë që ftohen, ato sërish skuqen në zjarr për atë, në Ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet. Kur të mbarojë gjykimi mes njerëzve, atij do t'i tregohet rruga: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.”
Sahih Muttefek alejhi
“Një grua me dy vajza erdhi tek unë për të lypur, mirëpo, përveç një hurme, nuk kisha asgjë (për t'i dhënë), andaj ia dhashë. Ajo ua ndau atë të bijave (vetë nuk hëngri asgjë), pastaj u ngrit dhe shkoi. Kur erdhi Profeti ﷺ, i tregova, e ai tha: “Atij që i lindin vajza dhe i edukon mirë ato, do t'i bëhen mburojë kundrejt Zjarrit.”
Sahih Muttefek alejhi
“Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Mbi dëshminë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhit dhe agjërimin e Ramazanit.”
Sahih Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
"Sadakaja (lëmosha) nuk e pakëson pasurinë. Robit i cili fal, Allahu i shton krenari dhe Ai do të lartësojë këdo që bëhet modest për hir të Allahut."
Sahih Transmeton Muslimi.
“Pejgamberi ﷺ kur e dërgoi atë për në Jemen e urdhëroi që për tridhjetë lopë të marrë një lopë njëvjeçare apo një mëzat njëvjeçar për zekat, kurse për dyzet lopë, një lopë dyvjeçare. Ndërkaq për të rriturin (dhimi) merret një dinar (xhizje, taksë vjetore), apo vlera e njëjtë nga rrobat meafir, që ishin rroba jemenase.”
Sahih bi shevahidi Transmetojnë Ebu Daudi, Tirmidhiu, Nesaiu, Ibn Maxheh dhe Ahmedi.
“Disa shokë të Profetit ﷺ i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut, të pasurit i morën shpërblimet: ata falen ashtu siç falemi ne, agjërojnë ashtu siç agjërojmë ne dhe japin prej pasurisë që u tepron (e ne s'kemi për të dhënë). Atëherë Profeti ﷺ u tha: “A nuk jua ka mundësuar Allahu edhe juve që të jepni? Kështu, çdo tesbih (subhanallah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu ekber) është sadaka, çdo tahmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe il-lallah) është sadaka, urdhri për të mirën është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka dhe marrëdhënia intime (me gratë tuaja) është sadaka.” - O i Dërguari i Allahut, a ndodh që të shpërblehemi edhe kur përmbushim epshin tonë? - thanë ata. - “Sikur dikush ta bënte në haram, a do të kishte mëkat? Rrjedhimisht, kur ta bëjë në hallall, do të ketë shpërblim”, - tha Profeti ﷺ.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Teksa një ditë rrinim ulur me Profetin ﷺ në xhami, hyri një burrë hipur në deve, i cili, pasi e uli dhe e lidhi devenë, pyeti: “Cili prej jush është Muhamedi?" Profeti ﷺ ishte në mesin tonë, i mbështetur në krah. I thamë: “Ja, ky burri i bardhë (fytyrëndritur), që po rri mbështetur." O nipi i Abdulmutalibit, - iu drejtua njeriu. - “Urdhëro”, - tha Profeti ﷺ. - Do të të pyes për diçka të madhe, kështu që do të jem i rëndë në pyetje, andaj mos m'u hidhëro. - “Pyet çfarë të duash”, - i tha Profeti ﷺ. Po të bëj be në Zotin tënd dhe në të atyre para teje, a me të vërtetë Allahu të ka dërguar te të gjithë njerëzit? Profeti ﷺ tha: “Po, betohem në Allahun se ashtu është!” - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar t'i falësh pesë namaze gjatë ditës e natës? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” - Po të pyes, duke të bërë be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta agjërosh këtë muaj të vitit? - pyeti ai. “Po, betohem në Allahun se ashtu është”, - iu përgjigj Profeti ﷺ. - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta marrësh zekatin prej të pasurve tanë dhe t'ua ndash të varfërve tanë? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” Burri në fjalë tha: “Besova në tërë atë në të cilën ti thërret. Jam dërguar nga populli im. Unë jam Dimam ibn Thalebe nga fisi i Sad ibn Bekrit."
Sahih Muttefek alejhi