Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

21 nga 841 kartela

Hiq filtrat
“Unë do të jem zotëria i njerëzve Ditën e Kiametit. Dhe, vallë, e dini përse?! Allahu do t'i tubojë të gjithë njerëzit, të parët dhe të fundit, në një vend, saqë zëri i thirrësit i arrin çdonjërit dhe syri mund t'i përfshijë të gjithë. Dielli do t'u afrohet shumë afër dhe njerëzit do të pushtohen nga ankthi dhe brengat, aq sa s'mund të durojnë dhe s'mund ta bartin. Kështu, do t'i thonë njëri-tjetrit: “A nuk po e shihni në çfarë gjendjeje keni ardhur?” Pse nuk gjeni dikë të ndërmjetësojë te Zoti juaj? Disa thonë: “Shkoni tek Ademi. Shkojnë tek ai dhe i thonë: “Ti je babai i njerëzimit, Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet dhe të ka fryrë shpirt me Frymën e Tij, si dhe melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, andaj ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai u thotë: “Sot, Zoti im është zemëruar shumë, si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ai ma pati ndaluar pemën, e unë i bëra mëkat. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Nuhu!” Kur shkojnë te Nuhu, i thonë: “O Nuh, ti je i dërguari i parë te banorët e Tokës dhe Allahu të ka quajtur rob falënderues, ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im i Lartësuar është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Lutjen time të pakthyeshme e kam shfrytëzuar për popullin tim. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Ibrahimi!” Kështu, shkojnë tek Ibrahimi dhe i thonë: “O Ibrahim, ti je i dërguari dhe miku i Allahut nga banorët e Tokës, ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai ua kthen: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Unë pata gënjyer tri herë. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Musai!” Kur shkojnë te Musai, i thonë: “O Musa, ti je i dërguari i Allahut dhe Ai të ka dalluar nga njerëzit e tjerë me shpallje dhe të ka folur drejtpërdrejt. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ndërkohë, unë pata vrarë një njeri që nuk më lejohej. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Isai!” Me të shkuar tek Isai, i thonë: “Ti je i dërguari i Allahut dhe fjala e Tij që ia ka vendosur Merjemes, si dhe frymë prej Tij. U pate folur njerëzve qysh në djep, duke qenë foshnjë. Ndërmjetëso për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Isai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu.” - Pa përmendur ndonjë mëkat, vazhdon: - “Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Muhamedi ﷺ!” Kështu, kur shkojnë te Muhamedi ﷺ, i thonë: “O Muhamed, ti je i Dërguari i Allahut dhe vula e pejgamberëve. Allahu t'i ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshmet. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Prandaj, unë shkoj nën Arsh dhe bie në sexhde për Zotin tim të Lartmadhëruar. Allahu më frymëzon me falënderime dhe lëvdata ndaj Tij, që askujt më parë nuk ia ka shfaqur, pastaj Ai thotë: “O Muhamed, ngrije kokën dhe kërko, që të të jepet, ndërmjetëso, se do të të pranohet ndërmjetësimi!” Unë e ngre kokën dhe them: “Umeti im, o Zot! Umeti im, o Zot!” Më thuhet: “O Muhamed, gjithë pjesëtarët e umetit tënd, që nuk do të merren në llogari, futi nëpërmjet portës së djathtë të Xhenetit, njëherazi ata janë pjesëmarrës edhe nëpër portat e tjera me të tjerët!” Pastaj tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes dy skajeve të portave të Xhenetit ka hapësirë sa prej Mekës deri në Himjer, - ose ka thënë: sa prej Mekës deri në Busra.”
Sahih Muttefek alejhi
"Kush i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij në nderin e tij ose në ndonjë gjë tjetër, le t'ia kërkojë hallallin sot, para se të mos ketë as dinar e as dërhem; nëse ka vepra të mira, do t'i merren atij në masën e padrejtësisë që ka bërë, e nëse nuk ka vepra të mira, do të merret një pjesë e gjynaheve të atij që i është bërë padrejtësi dhe do të ngarkohen mbi të."
Sahih Transmeton Buhariu.
“Ne jemi të fundit nga popujt dhe të parët që do të japin llogari. Do të thuhet: "Ku është populli analfabet dhe profeti i tij?" Prandaj, ne jemi të fundit (në këtë botë), por të parët (në botën tjetër).”
Sahih Transmeton Ibn Maxhe.
“A doni t'ju tregoj për banorët e Xhenetit? Çdo i dobët e modest, i cili sikur të betohej në Allahun për diçka, Ai do t'ia çonte në vend betimin. A doni t'ju tregoj për banorët e Zjarrit? Çdo i vrazhdë, arrogant dhe mendjemadh.”
Sahih Muttefek alejhi
“Në Ditën e Kiametit, Dielli u afrohet njerëzve, saqë do të jetë në një afërsi prej një miljeje.” Sulejm ibn Amiri tha: “Pasha Allahun, me “milje" nuk e di a kishte për qëllim njësinë matëse të gjatësisë apo “miljen" me të cilën lyhet syri." Profeti ﷺ vazhdoi: “Njerëzit do të jenë në djersë sipas veprave të tyre. Dikush do të jetë i zhytur deri te nyjat e këmbëve, dikush deri te gjunjët, dikush deri te beli, dikush do të mbulohet me djersë tërësisht”, - dhe i Dërguari i Allahut ﷺ bëri me dorë nga goja.
Sahih Transmeton Muslimi.
“Pozita më e ulët në Xhenet është kur i thuhet dikujt: “Kërko ç'të duash!” Dhe ai kërkon e kërkon, derisa t'i thuhet: “A përfundove së dëshiruari?” Ai thotë: “Po.” Atëherë i thuhet: “Ty të takon e gjithë ajo që ke dëshiruar dhe po aq.”
Sahih Transmeton Muslimi.
"Një natë, duke ndenjur me Profetin ﷺ, e pa Hënën të plotë dhe tha: “Do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç po e shihni Hënën: pa asnjë vështirësi. Po patët mundësi që të mos ju pengojë asgjë nga falja e namazit të sabahut dhe të ikindisë, bëjeni.” Pastaj lexoi: “... madhëroje Zotin tënd dhe falënderoje Atë para lindjes së Diellit dhe para perëndimit.” (Kaf, 39)
Sahih Muttefek alejhi
“Pronarit të arit dhe argjendit, që nuk e jep hakun e tyre (zekatin), kur të bëhet Dita e Kiametit ato do t'i shndërrohen në pllaka prej Zjarri, të cilat skuqen në zjarr të Xhehenemit e me to i hekuroset trupi, balli e shpina. Sa herë që ftohen, ato sërish skuqen në zjarr për atë, në Ditën, gjatësia e së cilës është pesëdhjetë mijë vjet. Kur të mbarojë gjykimi mes njerëzve, atij do t'i tregohet rruga: ose për në Xhenet, ose për në Zjarr.”
Sahih Muttefek alejhi