Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

5 nga 841 kartela

Hiq filtrat

Grada e hadithit

"I Dërguari i Allahut e lexoi këtë ajet: “Është Ai që të ka shpallur ty (Muhamed) Librin, disa ajete të të cilit janë të qarta e me kuptim të drejtpërdrejtë. Ato janë themelet e Librit, kurse disa (ajete) të tjera janë jo krejtësisht të qarta (me kuptime alegorike). Ata, zemrat e të cilëve priren nga e pavërteta, ndjekin ajetet më pak të qarta, duke kërkuar të krijojnë pështjellim dhe duke kërkuar t'i komentojnë sipas dëshirës së vet. Por, kuptimin e tyre të vërtetë e di vetëm Allahu. Ndërkaq, ata që janë thelluar në dijeni, thonë: "Ne i besojmë (Kuranit). Të gjitha këto (ajete të qarta e alegorike) janë nga Zoti ynë! Këtë e kuptojnë vetëm mendarët.” (Al Imran, 7) - dhe tha: “Kur t'i shohësh ata që ndjekin ajetet jo krejtësisht të qarta, këta janë ata të cilët Allahu i ka përmendur. Andaj, ruajuni prej tyre!”
Sahih Muttefek alejhi
“Çelësat e fshehtësisë janë pesë: “Pa dyshim, vetëm Allahu e di çastin e Kiametit. Ai e zbret shiun dhe e di ç'ka në barkun e shtatzënës, e askush nuk di ç'do të fitojë nesër dhe askush nuk di se në ç'vend do të vdesë. Me të vërtetë, Allahu është i Gjithëdijshëm dhe njohës i çdo gjëje.” (Lukman, 34)
Sahih Transmeton Buhariu.
"Disa idhujtarë, të cilët e kishin tepruar me vrasje e zina, shkuan te Muhamedi ﷺ dhe i thanë: "Ajo që ti e thua dhe në të cilën thërret është gjë e mirë. Sikur të na tregoje se a ka shpagim për veprat tona!" Atëherë zbriti ajeti: “Edhe ata që pos Allahut nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë zina.” (El Furkan, 68) Po ashtu, zbriti ajeti: “Thuaj: "O robërit e Mi, që i keni bërë keq vetvetes, mos e humbni shpresën në mëshirën e Allahut.” (Ez Zumer, 53)
Sahih Muttefek alejhi
“Kiameti nuk do të ndodhë pa lindur Dielli nga perëndimi. Kur të lindë dhe njerëzit ta kenë parë, të gjithë do të besojnë. Por, kjo është koha kur: “... nuk do t'i bëjë dobi askujt besimi i tij, nëse nuk ka besuar më parë, ose nuk ka bërë ndonjë të mirë në besimin e tij.” (El Enam, 158) Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë dy persona që i kanë shtrirë rrobat e tyre pranë njëri-tjetrit, nuk do të arrijnë as t'i shesin, as t'i palosin. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që sapo e ka mjelë qumështin e devesë, nuk do të arrijë dot ta pijë. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që sapo e ka mbaruar ndërtimin e pusit të tij, nuk do të arrijë të nxjerrë ujë prej tij. Kiameti do të ndodhë aq papritmas, saqë personi që e ka ngritur kafshatën pranë gojës, nuk do të arrijë dot ta hajë.”
Sahih Muttefek alejhi
“Vdekja do të sillet në formë të një dashi laraman dhe dikush do të thërrasë: "O banorë të Xhenetit!" Ata do t'i zgjasin kokat për të shikuar. Thirrësi pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Pastaj thërret: "O banorë të Zjarrit!" Ata i zgjasin kokat për të shikuar. Ai pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Në atë rast ajo theret dhe thirrësi thotë: "O banorë të Xhenetit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje, dhe, o banorë të Zjarrit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje!” Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ lexoi ajetin: “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” (Merjem, 39) Këta, që përshkruhen se janë të shkujdesur, janë njerëzit që jepen pas dynjasë.
Sahih Muttefek alejhi