Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

73 nga 841 kartela

Hiq filtrat
“Një grup njerëzish ishim mbledhur dhe po rrinim përreth të Dërguarit të Allahut ﷺ. Në mesin tonë ishin edhe Ebu Bekri dhe Omeri. I Dërguari i Allahut ﷺ u largua për disa çaste dhe, kur ndjemë se u vonua, filluam të frikësoheshim mos ndokush ia kishte prerë rrugën, andaj dolëm ta kërkonim. Unë qeshë i pari që u frikësova për të dhe dola ta kërkoja. Arrita te një kopsht i ensarëve të fisit Benu Nexhar, të cilit iu solla rreth e përqark duke kërkuar ndonjë portë, por nuk gjeta. Sakaq, vërejta një përrua që rridhte për në kopsht përmes një vrime në murin rrethues, kështu që u përbirova në të sikurse dhelpra dhe shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e ai më tha: - “Ebu Hurejre!” - Po, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigja. - “Ç'është puna jote?” - Po rrije me ne, pastaj u largove dhe u vonove shumë, andaj u frikësuam mos ndokush ta ka prerë rrugën. Unë qeshë i pari që u frikësova, kështu që dola dhe erdha te ky kopsht, ku u përbirova sikurse dhelpra. Ja, edhe të tjerët janë mrapa meje, - i thashë. - “O Ebu Hurejre!”, - m'i dha nallanet e veta dhe vazhdoi: “Merri këto nallane e shko dhe, këdo që takon mbrapa këtij kopshti, që dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut me zemër plotësisht të bindur në këtë, përgëzoje me Xhenet.” I pari që e takova qe Omeri, i cili më pyeti: - Ç'janë këto nallane, o Ebu Hurejre? - Janë nallanet e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili më dërgoi me to që, këdo që takoj, i cili dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, me zemër plotësisht të bindur në këtë, ta përgëzoj me Xhenet, - i thashë. Omeri më goditi me dorë në gjoks dhe, si pasojë, rashë ulur në tokë. Më tha: “Kthehu, o Ebu Hurejre!” Prandaj, u ktheva sërish tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Aty sytë m'u mbushën me lot, ndërsa Omeri më ishte vënë mbrapa. - “Çfarë ke, o Ebu Hurejre?” - më pyeti i Dërguari i Allahut ﷺ. - Rrugës e takova Omerin dhe i tregova për atë që më porosite, por ai më goditi në gjoks aq fort sa më rrëzoi përtokë dhe më tha: “Kthehu!” - iu përgjigja. - “O Omer, çfarë të shtyri të veprosh ashtu?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ. - O i Dërguari i Allahut, flijofsha babë e nënë për ty, a ti e ke dërguar Ebu Hurejrën me nallanet e tua që këdo që takon, që dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut me zemër plotësisht të bindur në këtë, ta përgëzojë me Xhenet? - “Po”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ. - Mos e bëj, se kam frikë se njerëzit do të mbështeten në këtë (të mjaftohen me këtë e t'i lënë punët e mira). Lëri të punojnë vetë. - “Lëri, pra!”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Sahih Transmeton Muslimi.
"Thashë: "O i Dërguari i Allahut, më thuaj një fjalë lidhur me Islamin, që, pas teje, nuk do të kem nevojë të pyes askënd." I Dërguari ﷺ tha: "Thuaj: "Besoj në Allahun e pastaj qëndro fuqishëm!"
Sahih Transmetojnë Muslimi dhe Ahmedi.
“Vërtet Allahu i ka caktuar veprat e mira dhe ato të këqija, pastaj i ka sqaruar. Nëse dikush dëshiron të bëjë ndonjë vepër të mirë, por nuk e bën, Allahu ia shkruan një shpërblim të plotë. Mirëpo, nëse dëshiron ta bëjë atë dhe e bën, Allahu ia shkruan dhjetë shpërblime, madje ia shton deri në shtatëqindfish, bile-bile edhe më shumë se kaq. Ndërkaq, nëse dëshiron të kryejë ndonjë vepër të keqe, por nuk e bën, Allahu ia shkruan një shpërblim të plotë. Por, nëse dëshiron ta kryejë atë dhe e kryen, atëherë Allahu ia shkruan vetëm një të keqe.”
Sahih Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në dy Sahihët e tyre me këtë tekst.
“Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Mbi dëshminë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhit dhe agjërimin e Ramazanit.”
Sahih Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
transmeton se i Dërguari i Allahut ﷺ përcjell se Allahu i Lartmadhërishëm ka thënë: "Me të vërtetë, Allahu i ka caktuar veprat e mira dhe të këqijat, pastaj i ka sqaruar. Nëse dikush dëshiron të bëjë ndonjë vepër të mirë, por nuk e bën, Allahu i shkruan një shpërblim të plotë. Mirëpo, nëse dëshiron ta bëjë atë dhe e bën, Allahu ia shkruan dhjetë shpërblime, madje ia shton deri në shtatëqindfish, bile-bile edhe më shumë se kaq. Ndërkaq, nëse dëshiron të kryejë ndonjë vepër të keqe, por nuk e bën, Allahu ia shkruan një shpërblim të plotë. Por, nëse dëshiron ta kryejë atë dhe e kryen, atëherë Allahu ia shkruan vetëm një të keqe."
Sahih Muttefek alejhi
teksa ishte me të Dërguarin e Allahut ﷺ në një udhëtim, i Dërguari i Allahut ﷺ dërgoi një lajmëtar: “Të mos mbetet pa u këputur asnjë qafore teli, - ose ka thënë vetëm: qafore, - në qafat e deveve.”
Sahih Muttefek alejhi
“Njëherë, Pejgamberit ﷺ i sollën ca robër, në mesin e të cilëve ishte edhe një grua. Meqë i ishte akumuluar qumështi i gjirit me bollëk, sa herë që gjente ndonjë foshnjë në mesin e robërve, e mbështeste për barku dhe i jepte gji (derisa e gjeti edhe të birin e saj).” Pejgamberi ﷺ na tha: “A mendoni se (pas gjithë kësaj) kjo do ta hidhte fëmijën e saj në zjarr?” Ne thamë: “Me vullnetin e saj jo.” Pejgamberi ﷺ tha: “Allahu është më i mëshirshëm me robërit e Tij sesa kjo ndaj fëmijës së saj.”
Sahih Muttefek alejhi
transmeton se Profeti ﷺ tregon se Allahu i Lartësuar thotë: "O robërit e Mi! Unë ia kam ndaluar Vetes padrejtësinë dhe e kam bërë të ndaluar edhe ndërmjet jush, andaj mos i bëni padrejtësi njëri-tjetrit. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të devijuar, përveç atij që Unë e udhëzoj, andaj më kërkoni udhëzim, që t'ju udhëzoj. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të uritur, përveç atij që Unë e ushqej, andaj më kërkoni ushqim, që t'ju ushqej. O robërit e Mi! Të gjithë jeni të zhveshur, përveç atij që Unë e vesh, andaj më kërkoni veshmbathje, që t'ju furnizoj me të. O robërit e Mi! Ju bëni gabime natë e ditë, ndërsa Unë i fal të gjitha mëkatet, andaj më kërkoni falje, që t'ju fal. Ju kurrë nuk do të arrini të më bëni dëm e as që do të keni mundësi të më bëni dobi. O robërit e Mi, edhe po qe se të gjithë ju, i pari e i fundit, përfshirë njerëzit e xhinët, bëheni si njeriu më zemërmirë prej jush, kjo gjë aspak nuk do ta shtonte sundimin Tim. O robërit e Mi, edhe nëse të gjithë njerëzit e xhinët, fillim e mbarim, bëheni si njeriu më zemërprishur nga mesi juaj, kjo gjë as që do të pakonte sundimin Tim. O robërit e Mi, në qoftë se të gjithë njerëzit e xhinët, fund e krye, tubohen në një vend, më drejtohen me kërkesa e Unë i jap gjithsecilit atë që kërkon, kjo nuk do të pakësonte asgjë nga ajo që gjendet tek Unë, respektivisht aq sa përthith gjilpëra kur futet në det. O robërit e Mi! Vërtet ato janë veprat tuaja, të cilat i ruaj e më pas jua shpërblej, kështu që, kushdo që gjen mirë, le ta falënderojë Allahun, ndërkaq, ai që gjen keq, le ta qortojë vetëm vetveten."
Sahih Transmeton Muslimi.