Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

2 nga 841 kartela

Hiq filtrat

Grada e hadithit

“Fillimisht, të Dërguarit të Allahut ﷺ shpallja i vinte në formë të ëndrrave të mira në gjumë. Nuk ndodhte që të shihte ndonjë ëndërr, e pastaj të mos i realizohej sikurse drita e agimit. Pas kësaj, iu bë e dashur vetmia. Vetmohej në shpellën Hira, ku bënte adhurim me net të tëra, derisa përmallej për familjen e vet dhe rikthehej tek ata. Furnizohej me ushqimet e nevojshme dhe shkonte e vetmohej prapë. Pastaj kthehej te Hadixhja dhe furnizohej për net të tjera vetmie. Kështu vazhdoi, derisa i erdhi e vërteta, ndërkohë që ishte në shpellën Hira. Aty i vajti meleku dhe i tha: “Lexo!” - “Nuk di të lexoj”, - ia ktheu ai. Profeti ﷺ rrëfen: “Më kapi dhe më shtrëngoi aq fort, saqë nuk mund të mbaja më, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” - Nuk di të lexoj! - i thashë. Sërish më kapi dhe më shtrëngoi aq fort, saqë nuk mund të mbaja më, pastaj më lëshoi dhe më tha: “Lexo!” - Nuk di të lexoj! - i thashë. Më kapi për së treti e më shtrëngoi dhe, pasi më lëshoi, tha: “Lexo me emrin e Zotit tënd, Që krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun prej një droçke gjaku. Lexo, se Zoti yt është më Bujari.” (El Alak, 1-3) Duke i rrahur zemra pareshtur, i Dërguari i Allahut ﷺ me këto ajete u kthye te Hadixhe bint Huvejlidi dhe i tha: “Më mbuloni, më mbuloni!” Sakaq, ajo e mbuloi, derisa iu largua frika. Pastaj, ai zuri t'i tregonte Hadixhes për ndodhinë dhe i tha: “U frikësova për veten time!” Hadixhja i tha: “Assesi! Betohem në Allahun se Allahu kurrë nuk të poshtëron ty, sepse ti i mban lidhjet farefisnore, u ndihmon të dobëtëve, u jep nevojtarëve, i nderon e i ushqen mysafirët dhe i del në ndihmë atij që e ka goditur fatkeqësia. Pas kësaj, Hadixhja e shoqëroi për te Veraka ibn Neufel ibn Esed ibn Abduluzai, djali i axhës së Hadixhes, i cili ishte bërë i krishterë në periudhën paraislame dhe njihte mirë shkrimin e hebraishtes. Ai mund të shkruante pjesë të Inxhilit në hebraishte, aq sa ia kishte mundësuar Allahu. Ishte i shtyrë në moshë dhe i verbër. Hadixhja i tha: - O djali i axhës tim, dëgjoje nipin tënd. - Fol, o nip, çfarë ke parë? - i tha Veraka Profetit ﷺ. I Dërguari i Allahut ﷺ i tregoi çfarë kishte parë dhe Veraka, me ta dëgjuar këtë, i tha: “Atë që ke parë është Namusi, që Allahu e kishte dërguar më parë te Musai (alejhi selam). Ah, sikur të isha i ri e të isha gjallë kur populli yt të të dëbojë!” I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: - “Vërtet do të më dëbojnë?!” - Posi, nuk ka ndodhur që dikush të jetë paraqitur me atë që ke ardhur ti e të mos e kenë armiqësuar njerëzit, e, nëse ajo ditë më gjen të gjallë, do të të ndihmoj sa të kem fuqi, - ia ktheu Veraka. Mirëpo, nuk kaloi shumë kohë e Veraka vdiq, kurse shpallja u ndal për një kohë.
Sahih Muttefek alejhi
"Ndërsa po ecja, dëgjova një zë nga qielli. Ngrita shikimin, kur ja, meleku që më kishte ardhur në Hira ishte ulur në një fron mes qiellit dhe tokës. U frikësova shumë prej tij, kështu që u ktheva dhe thashë: "Më mbuloni!" Atëherë, Allahu i Lartësuar shpalli: "O ti i mbuluar, ngrihu dhe paralajmëro!" (El Mudethir, 1-2), deri te Fjala e Tij: "dhe ndyrësinë braktise!" (El Mudethir, 5) Më pas, shpallja u shpeshtua dhe u bë e njëpasnjëshme."
Sahih Muttefek alejhi