Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

31 nga 841 kartela

Hiq filtrat
“Vërtet Allahu është i Mirë dhe pranon vetëm atë që është e mirë. Ai u ka urdhëruar besimtarëve atë që u ka urdhëruar të dërguarve, duke thënë: “O të dërguar! Hani të lejuarat dhe bëni vepra të mira!” (Kuran, 23:51) Si dhe: “O besimtarë! Hani ushqimet e lejuara që jua kemi dhënë.” (Kuran, 2:172) Pastaj, (Profeti) përmendi një njeri që kishte udhëtuar gjatë, flokëshprishur e i pluhurosur, kishte ngritur duart lart duke thënë: 'O Zot! O Zot!' Ndërkohë, ushqimi i tij ishte haram, pija e tij ishte haram, veshja e tij ishte haram, ishte ushqyer me haram! E si t'i pranohet lutja?!”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Një ditë, ndërsa rrinim ulur tek i Dërguari i Allahut ﷺ, u shfaq një njeri fort rrobëbardhë e tejet flokëzi, tek i cili nuk vëreheshin shenja udhëtimi. Atë nuk e njihte asnjëri prej nesh. U ul pranë Profetit ﷺ duke i vendosur gjunjët e tij afër gjunjëve të të Dërguarit e duke i vënë shuplakat e duarve të tij mbi kofshët e veta, e në atë rast pyeti: “O Muhamed, më trego për Islamin.” I Dërguari i Allahut ﷺ tha: “Islami është të dëshmosh se nuk meriton të adhurohet askush përveç Allahut dhe se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, të falësh namazin, të japësh zekatin, të agjërosh Ramazanin dhe të kryesh haxhillëkun (këtë të fundit) po pate mundësi.” Ai i tha: “Ashtu është.” Ne u çuditëm, sepse vetë e pyeste, vetë ia vërtetonte! Ai tha: “Më trego për besimin (imanin).” I Dërguari tha: “Besimi është të besosh në Allahun, në melekët, në librat e Tij, në të dërguarit, në Ditën e Fundit dhe të besosh në paracaktimin (kaderin), qoftë i mirë, qoftë i keq.” Ai i tha: “Ashtu është." Më trego për ihsanin (përsosurinë e adhurimit).” I Dërguari tha: “Ta adhurosh Allahun sikurse të jesh duke e parë Atë. Edhe pse ti nuk e sheh Atë, Ai gjithsesi të sheh ty.” Ai i tha: “Më trego për Kiametin.” I Dërguari tha: “Në lidhje me këtë i pyeturi nuk di më shumë sesa pyetësi.” Ai i tha: “Atëherë, tregomë për shenjat e tij.” I Dërguari tha: “(Kiameti vjen) kur robëresha ta lindë zonjën e saj dhe kur t’i shohësh këmbëzbathurit, të zhveshurit, fukarenjtë e barinjtë e deleve duke garuar për të bërë ndërtesa sa më të larta.” Pastaj, ai u largua, kurse ne qëndruam për një kohë. Më pas, i Dërguari më tha: “O Omer, a e di kush është ai që pyeste.” Unë thashë: “Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri.” Ai tha: “Ai qe Xhibrili dhe erdhi për t’jua mësuar fenë.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Disa shokë të Profetit ﷺ i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut, të pasurit i morën shpërblimet: ata falen ashtu siç falemi ne, agjërojnë ashtu siç agjërojmë ne dhe japin prej pasurisë që u tepron (e ne s'kemi për të dhënë). Atëherë Profeti ﷺ u tha: “A nuk jua ka mundësuar Allahu edhe juve që të jepni? Kështu, çdo tesbih (subhanallah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu ekber) është sadaka, çdo tahmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe il-lallah) është sadaka, urdhri për të mirën është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka dhe marrëdhënia intime (me gratë tuaja) është sadaka.” - O i Dërguari i Allahut, a ndodh që të shpërblehemi edhe kur përmbushim epshin tonë? - thanë ata. - “Sikur dikush ta bënte në haram, a do të kishte mëkat? Rrjedhimisht, kur ta bëjë në hallall, do të ketë shpërblim”, - tha Profeti ﷺ.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Jepjani pjesën e trashëgimisë atyre që u takon, e ajo që tepron, i përket mashkullit më të afërt.”
Sahih Muttefek alejhi
“Allahu dhe i Dërguari i Tij e kanë ndaluar shitjen e alkoolit, ngordhësirës, derrit dhe idhujve.” - O i Dërguari i Allahut, po dhjami i ngordhësirës? Me të lyhen anijet, i lyejmë lëkurat dhe njerëzit e përdorin për ndriçim, - e pyetën disa. - “Jo, ai është i ndaluar”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ dhe vazhdoi: - “Allahu i vraftë hebrenjtë! Kur Allahu ua ndaloi dhjamin e ngordhësirave, ata e shkrinë, e shitën dhe e hëngrën fitimin e tij.”
Sahih Muttefek alejhi
“I Dërguari i Allahut, ﷺ që flet të vërtetën, vërtetësia e të cilit është dëshmuar, na thoshte: "Çdo njeri ngjizet në mitrën e nënës së vet për dyzetë ditë, pastaj, për po aq ditë, shndërrohet në droçkë gjaku, më pas shndërrohet në një copë mishi për po aq ditë. Pas kësaj, i dërgohet një engjëll, që ia fryn shpirtin dhe që është i urdhëruar me katër gjëra: të shkruajë rriskun (jetesën), jetëgjatësinë, punën dhe nëse do të jetë i mjeruar apo i lumtur. Betohem në Atë, përveç të Cilit askush nuk meriton të adhurohet, se prej jush ka të atillë që bën vepra të xhenetlinjve, madje aq sa vetëm një kut e ndan prej Xhenetit, por ja që ndërhyn caktimi dhe ai punon vepra të banorëve të Zjarrit dhe hyn në të, dhe anasjelltas; ka të atillë që bën vepra të xhehenemlinjve, saqë mes tij dhe Zjarrit s’ka më shumë se një kut, por ja që që ndërhyn caktimi dhe ai punon vepra të banorëve të Xhenetit dhe hyn në të."
Sahih Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.
"Pa dyshim, hallalli dhe harami janë të qartë, por në mes tyre ka gjëra të dyshimta, të cilat shumë njerëz nuk i dinë. Ai që ruhet nga të dyshimtat, e ka ruajtur fenë dhe nderin e vet, kurse ai që bie në të dyshimtat, tashmë ka rënë në haram, si bariu që kullot kopenë përbri zonës së ndaluar, ku kopeja mund të bjerë në çdo çast. Me të vërtetë, çdo mbret ka zonën e vet të ndaluar, porse zona e ndaluar e Allahut janë haramet. Vini re, në trupin e njeriut është një copë mishi, që, nëse ajo është në rregull, tërë trupi është në rregull, por, nëse ajo prishet, prishet tërë trupi. Kini kujdes, ajo është zemra."
Sahih Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.