Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

98 nga 841 kartela

Hiq filtrat
"Nuk ka njeri që bën një mëkat, pastaj ngrihet dhe merr abdes, pastaj fal namaz e i kërkon falje Allahut, përveçse Allahu do ta falë." Pastaj lexoi këtë ajet: "Për ata që, kur bëjnë vepra të turpshme ose i bëjnë dëm vetes, e kujtojnë Allahun, i kërkojnë falje për gjynahet e tyre..." (Al Imran, 135)
Sahih Transmetojnë Ebu Davudi, Tirmidhiu, Nesaiu në “Es-Sunen el-kubra”, Ibn Maxhe dhe Ahmedi.
“I lypa të Dërguarit të Allahut ﷺ, e ai më dha. I lypa sërish, sakaq sërish më dha, e në atë rast më tha: “O Hakim, pasuria është jeshil dhe e ëmbël. Atij që e merr me zemërgjerësi, i ka bereqet. Ndërkaq, atij që e merr me egoizëm, nuk i ka bereqet, sikurse ai që ha e nuk ngopet. Dora e sipërme është më e mirë sesa dora e poshtme.”  Unë i thashë: “O i Dërguari i Allahut, betohem në Atë, që të ka dërguar me të vërtetën, se, pas teje, nuk do t'i lyp askujt, derisa ta lë këtë botë.” Më pas, Ebu Bekri e thërriste Hakimin për t'i dhënë, por ai nuk pranonte asgjë. Njëjtë veproi edhe Omeri: e thirri për t'i dhënë, por ai nuk mori asgjë. Omeri tha: “O ju muslimanë, ju kam dëshmitarë se Hakimit ia ofrova pjesën e tij të plaçkës së luftës, por nuk e pranoi.” Kështu, Hakimi nuk pranoi të merrte asgjë nga askush pas Profetit ﷺ, derisa ndërroi jetë, Allahu e mëshiroftë!”
Sahih Muttefek alejhi
“Vdekja do të sillet në formë të një dashi laraman dhe dikush do të thërrasë: "O banorë të Xhenetit!" Ata do t'i zgjasin kokat për të shikuar. Thirrësi pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Pastaj thërret: "O banorë të Zjarrit!" Ata i zgjasin kokat për të shikuar. Ai pyet: "E njihni këtë?" Ata thonë: "Po, kjo është vdekja." Profeti ﷺ thotë: "Dhe, të gjithë tanimë e kanë parë." Në atë rast ajo theret dhe thirrësi thotë: "O banorë të Xhenetit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje, dhe, o banorë të Zjarrit, jetoni përjetësisht, se nuk ka më vdekje!” Pastaj, i Dërguari i Allahut ﷺ lexoi ajetin: “Paralajmëroji ata (o Muhamed) për Ditën e Pikëllimit, kur do të japin llogari, ndonëse tani ata janë të shkujdesur dhe nuk besojnë.” (Merjem, 39) Këta, që përshkruhen se janë të shkujdesur, janë njerëzit që jepen pas dynjasë.
Sahih Muttefek alejhi
“Atë që ia kërkon Allahut me sinqeritet gradën e shehidit, Allahu ka për ta ngritur në pozitën e shehidëve, edhe nëse vdes në shtratin e tij.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Largohuni nga shtatë mëkatet shkatërruese!” Të pranishmit thanë: "O i Dërguari i Allahut, cilat janë ato?" Profeti ﷺ tha: 1. “Të bërët ortak Allahut (shirku), 2. Sihri (magjia), 3. Vrasja padrejtësisht e atij që ka ndaluar Allahu, 4. Përdorimi i kamatës, 5. Ngrënia e pasurisë së jetimit, 6. Ikja nga fronti i luftës, 7. Shpifja për gratë e ndershme, besimtare e të pastra.”
Sahih Muttefek alejhi
“Një thirrës (në Xhenet) do të thërrasë: “Ju, gjithnjë do të gëzoni shëndet e nuk do të sëmureni kurrë. Do të keni jetë të përhershme e nuk do të vdisni kurrë. Do të keni rini të përhershme e nuk do të plakeni kurrë dhe do të begatoheni e nuk do të përjetoni vështirësi kurrë.” Ky është kuptimi i fjalës së Allahut të Lartmadhëruar: “Dhe atyre do t'u thuhet: “Ky është Xheneti që ju është dhënë, për atë që keni punuar.” (El Araf, 43)
Sahih Transmeton Muslimi.
“Sëmundja nuk transmetohet vetvetiu te tjetri. Oguret nuk ndikojnë. Zëri i kukuvajkës nuk ndjell ogur të keq. Muaji i Seferit nuk është muaj ters. E, sa i përket të lebrosurit, ik prej tij siç ikën prej luanit!”
Sahih Muttefek alejhi
“Ka shpëtuar ai që është bërë musliman, është furnizuar mjaftueshëm dhe Allahu e ka bërë të kënaqur me atë që i ka dhënë.”
Sahih Transmeton Muslimi.