Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

11 nga 841 kartela

Hiq filtrat

Grada e hadithit

“Unë do të jem te Hauzi dhe do t'i shoh ata prej jush që do të vijnë tek unë. Disa njerëz do të pengohen të vijnë tek unë, andaj unë do të them: "O Zot, ata janë me mua dhe të umetit tim!" Atëherë më thuhet: "A e di çfarë kanë vepruar pas teje? Për Allahun, ata janë kthyer në besimin e mëhershëm (janë bërë renegatë).”
Sahih Muttefek alejhi
“O Bilal, më trego cila është ajo vepër që ke punuar në Islam e me të cilën më së shumti shpreson (se do të shpërblehesh për të), sepse i kam dëgjuar trokëllimat e nallaneve të tua para meje në Xhenet.” Ai tha: “Nuk kam ndonjë vepër që më bën të shpresoj më shumë përveçse çdoherë kur kam marrë abdes, qoftë ditën, qoftë natën, jam falur aq sa më është bërë rrisk.”
Sahih Muttefek alejhi
"Gjëra e parë që do të gjykohet mes njerëzve në Ditën e Kiametit janë gjaqet."
Sahih Muttefek alejhi
“Grupi i parë që do të hyjnë në Xhenet do të kenë pamjen e hënës së plotë, ndërsa të tjerët pas tyre sikurse ylli më i shndritshëm në qiell. Aty as urinojnë, as kryejnë nevoja fiziologjike, as pështyjnë e as u rrjedhin hundët. Krehërit i kanë të artë, djersët e tyre janë prej myshku, ndërsa materiali i parfumit të tyre është bima e Aloes. Gratë e tyre janë hyritë sybukura. Të gjithë do të kenë formën e njëjtë, formën e babait të tyre, Ademit, të gjatë gjashtëdhjetë kute.”
Sahih Muttefek alejhi
“Unë do të jem zotëria i njerëzve Ditën e Kiametit. Dhe, vallë, e dini përse?! Allahu do t'i tubojë të gjithë njerëzit, të parët dhe të fundit, në një vend, saqë zëri i thirrësit i arrin çdonjërit dhe syri mund t'i përfshijë të gjithë. Dielli do t'u afrohet shumë afër dhe njerëzit do të pushtohen nga ankthi dhe brengat, aq sa s'mund të durojnë dhe s'mund ta bartin. Kështu, do t'i thonë njëri-tjetrit: “A nuk po e shihni në çfarë gjendjeje keni ardhur?” Pse nuk gjeni dikë të ndërmjetësojë te Zoti juaj? Disa thonë: “Shkoni tek Ademi. Shkojnë tek ai dhe i thonë: “Ti je babai i njerëzimit, Allahu të ka krijuar me Dorën e Vet dhe të ka fryrë shpirt me Frymën e Tij, si dhe melekët i ka urdhëruar të bien në sexhde për ty, andaj ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai u thotë: “Sot, Zoti im është zemëruar shumë, si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ai ma pati ndaluar pemën, e unë i bëra mëkat. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Nuhu!” Kur shkojnë te Nuhu, i thonë: “O Nuh, ti je i dërguari i parë te banorët e Tokës dhe Allahu të ka quajtur rob falënderues, ndërmjetëso te Zoti yt për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im i Lartësuar është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Lutjen time të pakthyeshme e kam shfrytëzuar për popullin tim. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Ibrahimi!” Kështu, shkojnë tek Ibrahimi dhe i thonë: “O Ibrahim, ti je i dërguari dhe miku i Allahut nga banorët e Tokës, ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Ai ua kthen: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë, dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Unë pata gënjyer tri herë. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Musai!” Kur shkojnë te Musai, i thonë: “O Musa, ti je i dërguari i Allahut dhe Ai të ka dalluar nga njerëzit e tjerë me shpallje dhe të ka folur drejtpërdrejt. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Ai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kësisoj. Ndërkohë, unë pata vrarë një njeri që nuk më lejohej. Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni tek Isai!” Me të shkuar tek Isai, i thonë: “Ti je i dërguari i Allahut dhe fjala e Tij që ia ka vendosur Merjemes, si dhe frymë prej Tij. U pate folur njerëzve qysh në djep, duke qenë foshnjë. Ndërmjetëso për ne! A nuk sheh çfarë na ka gjetur?” Isai u thotë: “Sot Zoti im është zemëruar si kurrë më parë dhe asnjëherë nuk do të zemërohet kështu.” - Pa përmendur ndonjë mëkat, vazhdon: - “Vetja ime! Vetja ime! Vetja ime! Shkoni te ndonjë tjetër! Shkoni te Muhamedi ﷺ!” Kështu, kur shkojnë te Muhamedi ﷺ, i thonë: “O Muhamed, ti je i Dërguari i Allahut dhe vula e pejgamberëve. Allahu t'i ka falur mëkatet e kaluara dhe të ardhshmet. Ndërmjetëso për ne te Zoti yt! A nuk sheh në çfarë gjendjeje kemi ardhur?” Prandaj, unë shkoj nën Arsh dhe bie në sexhde për Zotin tim të Lartmadhëruar. Allahu më frymëzon me falënderime dhe lëvdata ndaj Tij, që askujt më parë nuk ia ka shfaqur, pastaj Ai thotë: “O Muhamed, ngrije kokën dhe kërko, që të të jepet, ndërmjetëso, se do të të pranohet ndërmjetësimi!” Unë e ngre kokën dhe them: “Umeti im, o Zot! Umeti im, o Zot!” Më thuhet: “O Muhamed, gjithë pjesëtarët e umetit tënd, që nuk do të merren në llogari, futi nëpërmjet portës së djathtë të Xhenetit, njëherazi ata janë pjesëmarrës edhe nëpër portat e tjera me të tjerët!” Pastaj tha: “Betohem në Atë, në Dorën e të Cilit është shpirti im, se mes dy skajeve të portave të Xhenetit ka hapësirë sa prej Mekës deri në Himjer, - ose ka thënë: sa prej Mekës deri në Busra.”
Sahih Muttefek alejhi
"Kush i ka bërë ndonjë padrejtësi vëllait të tij në nderin e tij ose në ndonjë gjë tjetër, le t'ia kërkojë hallallin sot, para se të mos ketë as dinar e as dërhem; nëse ka vepra të mira, do t'i merren atij në masën e padrejtësisë që ka bërë, e nëse nuk ka vepra të mira, do të merret një pjesë e gjynaheve të atij që i është bërë padrejtësi dhe do të ngarkohen mbi të."
Sahih Transmeton Buhariu.
“A doni t'ju tregoj për banorët e Xhenetit? Çdo i dobët e modest, i cili sikur të betohej në Allahun për diçka, Ai do t'ia çonte në vend betimin. A doni t'ju tregoj për banorët e Zjarrit? Çdo i vrazhdë, arrogant dhe mendjemadh.”
Sahih Muttefek alejhi
"Një natë, duke ndenjur me Profetin ﷺ, e pa Hënën të plotë dhe tha: “Do ta shihni Zotin tuaj, ashtu siç po e shihni Hënën: pa asnjë vështirësi. Po patët mundësi që të mos ju pengojë asgjë nga falja e namazit të sabahut dhe të ikindisë, bëjeni.” Pastaj lexoi: “... madhëroje Zotin tënd dhe falënderoje Atë para lindjes së Diellit dhe para perëndimit.” (Kaf, 39)
Sahih Muttefek alejhi