Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

68 nga 841 kartela

Hiq filtrat
"Për atë që thotë: "La ilahe il-lallah" dhe mohon çdo gjë që adhurohet përveç Allahut, pasuria dhe gjaku i tij janë të ndaluara, e llogaria e tij është tek Allahu."
Sahih Transmeton Muslimi.
I Dërguari i Allahut ﷺ është pyetur "Kush është njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tënd Ditën e Gjykimit?" I Dërguari i Allahut ﷺ i tha: “Kam pandehur, o Ebu Hurejre, se askush para teje nuk do të më pyesë për këtë çështje, për shkak se kam vënë re se ke interesim të madh për hadithin. Njeriu më fatlum që do ta fitojë ndërmjetësimin (shefatin) tim Ditën e Gjykimit është ai që deklaron: "La ilahe il lallah (s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut)" me zemër të sinqertë, - ose ka thënë: me sinqeritet.”
Sahih Transmeton Buhariu.
se Ali ibn Ebu Talibi (Allahu qoftë i kënaqur me të!) i ka thënë: “A të të dërgoj për atë me të cilën më ka dërguar i Dërguari i Allahut ﷺ: të mos lësh statujë pa prishur e as varr të ngritur pa e rrafshuar!"
Sahih Transmeton Muslimi.
“Mos u betoni në idhuj e as në baballarët tuaj!”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Një grup njerëzish ishim mbledhur dhe po rrinim përreth të Dërguarit të Allahut ﷺ. Në mesin tonë ishin edhe Ebu Bekri dhe Omeri. I Dërguari i Allahut ﷺ u largua për disa çaste dhe, kur ndjemë se u vonua, filluam të frikësoheshim mos ndokush ia kishte prerë rrugën, andaj dolëm ta kërkonim. Unë qeshë i pari që u frikësova për të dhe dola ta kërkoja. Arrita te një kopsht i ensarëve të fisit Benu Nexhar, të cilit iu solla rreth e përqark duke kërkuar ndonjë portë, por nuk gjeta. Sakaq, vërejta një përrua që rridhte për në kopsht përmes një vrime në murin rrethues, kështu që u përbirova në të sikurse dhelpra dhe shkova tek i Dërguari i Allahut ﷺ, e ai më tha: - “Ebu Hurejre!” - Po, o i Dërguari i Allahut! - iu përgjigja. - “Ç'është puna jote?” - Po rrije me ne, pastaj u largove dhe u vonove shumë, andaj u frikësuam mos ndokush ta ka prerë rrugën. Unë qeshë i pari që u frikësova, kështu që dola dhe erdha te ky kopsht, ku u përbirova sikurse dhelpra. Ja, edhe të tjerët janë mrapa meje, - i thashë. - “O Ebu Hurejre!”, - m'i dha nallanet e veta dhe vazhdoi: “Merri këto nallane e shko dhe, këdo që takon mbrapa këtij kopshti, që dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut me zemër plotësisht të bindur në këtë, përgëzoje me Xhenet.” I pari që e takova qe Omeri, i cili më pyeti: - Ç'janë këto nallane, o Ebu Hurejre? - Janë nallanet e të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili më dërgoi me to që, këdo që takoj, i cili dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut, me zemër plotësisht të bindur në këtë, ta përgëzoj me Xhenet, - i thashë. Omeri më goditi me dorë në gjoks dhe, si pasojë, rashë ulur në tokë. Më tha: “Kthehu, o Ebu Hurejre!” Prandaj, u ktheva sërish tek i Dërguari i Allahut ﷺ. Aty sytë m'u mbushën me lot, ndërsa Omeri më ishte vënë mbrapa. - “Çfarë ke, o Ebu Hurejre?” - më pyeti i Dërguari i Allahut ﷺ. - Rrugës e takova Omerin dhe i tregova për atë që më porosite, por ai më goditi në gjoks aq fort sa më rrëzoi përtokë dhe më tha: “Kthehu!” - iu përgjigja. - “O Omer, çfarë të shtyri të veprosh ashtu?” - e pyeti Pejgamberi ﷺ. - O i Dërguari i Allahut, flijofsha babë e nënë për ty, a ti e ke dërguar Ebu Hurejrën me nallanet e tua që këdo që takon, që dëshmon se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut me zemër plotësisht të bindur në këtë, ta përgëzojë me Xhenet? - “Po”, - iu përgjigj Pejgamberi ﷺ. - Mos e bëj, se kam frikë se njerëzit do të mbështeten në këtë (të mjaftohen me këtë e t'i lënë punët e mira). Lëri të punojnë vetë. - “Lëri, pra!”, - tha i Dërguari i Allahut ﷺ.
Sahih Transmeton Muslimi.
"Thashë: "O i Dërguari i Allahut, më thuaj një fjalë lidhur me Islamin, që, pas teje, nuk do të kem nevojë të pyes askënd." I Dërguari ﷺ tha: "Thuaj: "Besoj në Allahun e pastaj qëndro fuqishëm!"
Sahih Transmetojnë Muslimi dhe Ahmedi.
“Vërtet Allahu i ka caktuar veprat e mira dhe ato të këqija, pastaj i ka sqaruar. Nëse dikush dëshiron të bëjë ndonjë vepër të mirë, por nuk e bën, Allahu ia shkruan një shpërblim të plotë. Mirëpo, nëse dëshiron ta bëjë atë dhe e bën, Allahu ia shkruan dhjetë shpërblime, madje ia shton deri në shtatëqindfish, bile-bile edhe më shumë se kaq. Ndërkaq, nëse dëshiron të kryejë ndonjë vepër të keqe, por nuk e bën, Allahu ia shkruan një shpërblim të plotë. Por, nëse dëshiron ta kryejë atë dhe e kryen, atëherë Allahu ia shkruan vetëm një të keqe.”
Sahih Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi në dy Sahihët e tyre me këtë tekst.
“Islami është ngritur mbi pesë shtylla: Mbi dëshminë se s'ka të adhuruar të denjë përveç Allahut dhe se Muhamedi ﷺ është i Dërguari i Tij, faljen e namazit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhit dhe agjërimin e Ramazanit.”
Sahih Transmetojnë Buhariu dhe Muslimi.