Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

25 nga 841 kartela

Hiq filtrat
“Në Xhenet është një treg, të cilin e vizitojnë banorët e Xhenetit çdo të premte. Aty fryn një erë nga Veriu, e cila përfshin fytyrat dhe rrobat e tyre dhe, rrjedhimisht, u shtohet bukuria e hijeshia. E, kur të kthehen te familjet e veta, ndërkohë që u është shtuar bukuria e hijeshia, familjet do t'u thonë: “Pasha Allahun, qëkurse jemi ndarë, juve ju është shtuar bukuria e hijeshia edhe më shumë.” Ata do t'ua kthejnë: “Edhe juve, pasha Allahun, qëkurse jemi ndarë, ju është shtuar bukuria e hijeshia edhe më shumë.”
Sahih Transmeton Muslimi.
se i Dërguari i Allahut ﷺ është pyetur për gjërat që më së shumti i fusin njerëzit në Xhenet, e në atë rast ka thënë: "Më së shumti në Xhenet fut devotshmëria ndaj Allahut dhe sjellja e mirë." Gjithashtu është pyetur për gjërat që më së shumti i fusin njerëzit në Zjarr, e në atë rast ka thënë: "Goja dhe organi gjenital."
Hasen-sahih Transmetojnë Tirmidhiu, Ibn Maxhe dhe Ahmedi.
"Dy lloje njerëzish që janë nga banorët e Zjarrit, nuk i kam parë (ende). Lloji i parë: njerëz që kanë kamxhikë si bishtat e lopëve, me të cilët i godasin njerëzit (padrejtësisht). Lloji i dytë: gra të veshura e të zhveshura; të lakuara e të anuara! Kokat e tyre i kanë si gungat e anuara të devesë. Këto lloj grash s’kanë për të hyrë në Xhenet dhe as që kanë për ta nuhatur aromën e tij, e cila nuhatet nga shumë larg.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“M'u shfaqën Xheneti dhe Zjarri. Nuk kam parë ndonjëherë mirësi e sherr më të madh se sot. Sikur ta dinit atë që e di unë, do të qeshnit pak e do të qanit shumë.” Enesi vazhdoi: “Shokët e të Dërguarit të Allahut ﷺ s'kishin përjetuar ndonjëherë ditë më të vështirë se kjo, saqë i mbuluan kokat dhe dënesnin me gulçim. Atëherë Omeri u ngrit dhe tha: “Jemi të kënaqur me Allahun për Zot, me Islamin për fe dhe me Muhamedin për Pejgamber!” Një burrë i pranishëm u ngrit dhe pyeti: “Cili është babai im?” Profeti ﷺ i tha: “Baba e ke filanin.” Pas kësaj zbriti ajeti: “O ju që keni besuar, mos pyetni (pa nevojë) për gjëra, që, sikur t'ju thuheshin haptazi, nuk do t'ju pëlqenin.” (El Maide, 101)
Sahih Muttefek alejhi
“Allahu thotë: “Për robërit e Mi të mirë kam përgatitur gjëra që syri nuk i ka parë, veshi nuk i ka dëgjuar dhe askujt nuk i ka shkuar në mendje.” Nëse doni, lexojeni ajetin: “Askush nuk di se çfarë kënaqësish janë fshehur për ta (në jetën tjetër)...” (Es Sexhde, 17)
Sahih Muttefek alejhi
"Teksa ishim me të Dërguarin e Allahut ﷺ, u dëgjua një krismë (sikur të binte diç nga lart) dhe, në atë rast, Profeti ﷺ tha: “E dini çfarë është kjo krismë? - Allahu dhe i Dërguari i Tij e dinë më së miri, - i thamë. - “Ky është një gur që ishte hedhur në Zjarr para shtatëdhjetë vjetësh. Ai po binte ende në Zjarr derisa e arriti fundin e tij”, - tha Profeti ﷺ."
Sahih Transmeton Muslimi.
“Në Xhenet është një pemë të cilës kalorësi me kalë të shpejtë vrapimi nuk do t'i dilte në fund për njëqind vjet.”
Sahih Muttefek alejhi
"Atë që dëshmon se s’ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, që është i Vetëm e pa ortak, se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, se Isai është rob i Allahut, i dërguar i Tij dhe Fjala e Tij (bëhu), të cilën ia ka drejtuar Merjemes, si dhe shpirt (i krijuar) prej Tij, dhe se Xheneti është i vërtetë e Zjarri është i vërtetë, Allahu e fut në Xhenet, sido që të ketë punuar."
Sahih Muttefek alejhi