Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

13 nga 841 kartela

Hiq filtrat

Grada e hadithit

“Një grua e varfër më erdhi me dy vajzat e saj dhe unë ia dhashë tri hurma. Ajo secilës i dha nga një hurmë. Teksa ajo hurmën e mbetur e ngriti te goja për ta ngrënë, të bijat ia kërkuan hurmën për ta ngrënë, kështu që ajo hurmën që donte ta hante e ndau përgjysmë, për të dyja vajzat. Mua më mahniti gjesti i saj, andaj veprën e saj ia tregova të Dërguarit të Allahut ﷺ, i cili tha: “Allahu me këtë vepër e futi atë në Xhenet, - ose ka thënë: - me këtë vepër e liroi nga Zjarri.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Kushdo që përkujdeset për dy vajza, derisa të rriten, në Ditën e Kiametit do të jetë afër meje kështu,- dhe i bashkoi gishtat."
Sahih Transmeton Muslimi.
“A doni t'ju tregoj për një gjë, me të cilën Allahu jua fshin mëkatet dhe jua lartëson gradat?” - Posi, o i Dërguari i Allahut! - thanë të pranishmit. Ai tha: “Përsosja e abdesit në kohë vështirësie, hapat e shumtë për në xhami dhe pritja e namazit pas namazit, kjo konsiderohet "ribat" (qëndrim në gatishmëri ushtarake nëpër kufij).”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Teksa një njeri po ecte nëpër një rrugë, hasi në një degë me gjemba, të cilën e largoi nga rruga. Allahu në shenjë mirënjohje për këtë, ia fali mëkatet.”
Sahih Muttefek alejhi
“Të bërit rojë një ditë në luftë në rrugën e Allahut është më e çmueshme sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të. Një copë toke sa kamxhiku, në Xhenet, është më e çmueshme sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të. Marshimi i robit në rrugën e Allahut është më i çmueshëm sesa tërë dynjaja dhe ç'ka në të.”
Sahih Muttefek alejhi
“Dinari (monedhë e artë) më i mirë që e shpenzon njeriu është dinari të cilin e shpenzon për familjen e vet, pastaj dinari që e shpenzon për kafshën e vet në rrugën e Allahut dhe dinari të cilin e shpenzon për shokët e vet në rrugën e Allahut.” Ebu Kilabe ka thënë: "(Pejgamberi)Filloi me familjen." Pastaj Ebu Kilabe tha: "Cili njeri ka shpërblim më të madh sesa ai i cili shpenzon për fëmijët e tij të vegjël, ua ruan nderin, ose Allahu u sjell dobi atyre nëpërmjet tij dhe ua plotëson nevojat."
Sahih Transmeton Muslimi.
“Allahu i Madhërishëm nuk fle e as i ka hije të flejë. Ai e ul peshoren dhe e ngre atë. Punët e bëra natën ngrihen tek Ai para punëve të ditës, dhe punët e ditës para punëve të natës. Perdja e Tij është drita, - kurse në një transmetim: zjarri, - nëse do ta largonte atë, shkëlqimi i Fytyrës së Tij do të digjte çdo krijesë që arrin shikimi i Tij.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Pesë namazet ditore, namazi i xhumasë deri në namazin e xhumasë tjetër dhe Ramazani deri në Ramazanin tjetër janë falje për gjynahet e bëra mes tyre, nëse njeriu ruhet prej gjynaheve të mëdha.”
Sahih Transmeton Muslimi.