Skip to content
841 Hadithe

Enciklopedia e Hadithit të Pejgamberit

Filtro rezultatet

18 nga 841 kartela

Hiq filtrat
“Disa shokë të Profetit ﷺ i thanë atij: “O i Dërguari i Allahut, të pasurit i morën shpërblimet: ata falen ashtu siç falemi ne, agjërojnë ashtu siç agjërojmë ne dhe japin prej pasurisë që u tepron (e ne s'kemi për të dhënë). Atëherë Profeti ﷺ u tha: “A nuk jua ka mundësuar Allahu edhe juve që të jepni? Kështu, çdo tesbih (subhanallah) është sadaka, çdo tekbir (Allahu ekber) është sadaka, çdo tahmid (elhamdulilah) është sadaka, çdo tehlil (la ilahe il-lallah) është sadaka, urdhri për të mirën është sadaka, ndalimi nga e keqja është sadaka dhe marrëdhënia intime (me gratë tuaja) është sadaka.” - O i Dërguari i Allahut, a ndodh që të shpërblehemi edhe kur përmbushim epshin tonë? - thanë ata. - “Sikur dikush ta bënte në haram, a do të kishte mëkat? Rrjedhimisht, kur ta bëjë në hallall, do të ketë shpërblim”, - tha Profeti ﷺ.”
Sahih Transmeton Muslimi.
“Teksa një ditë rrinim ulur me Profetin ﷺ në xhami, hyri një burrë hipur në deve, i cili, pasi e uli dhe e lidhi devenë, pyeti: “Cili prej jush është Muhamedi?" Profeti ﷺ ishte në mesin tonë, i mbështetur në krah. I thamë: “Ja, ky burri i bardhë (fytyrëndritur), që po rri mbështetur." O nipi i Abdulmutalibit, - iu drejtua njeriu. - “Urdhëro”, - tha Profeti ﷺ. - Do të të pyes për diçka të madhe, kështu që do të jem i rëndë në pyetje, andaj mos m'u hidhëro. - “Pyet çfarë të duash”, - i tha Profeti ﷺ. Po të bëj be në Zotin tënd dhe në të atyre para teje, a me të vërtetë Allahu të ka dërguar te të gjithë njerëzit? Profeti ﷺ tha: “Po, betohem në Allahun se ashtu është!” - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar t'i falësh pesë namaze gjatë ditës e natës? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” - Po të pyes, duke të bërë be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta agjërosh këtë muaj të vitit? - pyeti ai. “Po, betohem në Allahun se ashtu është”, - iu përgjigj Profeti ﷺ. - Po të bëj be në Allahun, a Allahu të ka urdhëruar ta marrësh zekatin prej të pasurve tanë dhe t'ua ndash të varfërve tanë? - “Po, betohem në Allahun se ashtu është.” Burri në fjalë tha: “Besova në tërë atë në të cilën ti thërret. Jam dërguar nga populli im. Unë jam Dimam ibn Thalebe nga fisi i Sad ibn Bekrit."
Sahih Muttefek alejhi